Mbledhja e Taksimit
Mbledhja e Taksimit e njohur ndryshe si Komploti i Taksimit dhe më rrallë si Kuvendi i Taksimit ishte një mbledhje e fshehtë e mbajtur në janar 1912 nga deputetë nacionalistë shqiptarë të parlamentit osman (Asambleja e Përgjithshme e Perandorisë Osmane) dhe figura të tjera të shquara politike shqiptare.
Emërtuar sipas | Sheshi Taksim |
---|---|
Formuar më | Janar 1912 |
Themelues | Hasan Prishtina Ismail Qemali |
Themeluar në | Kostandinopojë, Perandoria Osmane |
Shpërbërë më | Gusht 1912 |
Lloji | Konspiraci |
Qëllimi | Aktivizëm, autonomia shqiptare |
Rajoni i shërbimit | Vilajeti i Kosovës, Vilajeti i Shkodrës, Vilajeti i Janinës |
Përkatësitë | Nacionalizmi shqiptar |
Ngjarja e ka marrë emrin nga Sheshi Taksim për shkak të vendndodhjes së shtëpisë ku u mbajt. Takimi u organizua me iniciativën e Hasan bej Prishtinës dhe Ismail Qemalit, politikanë shqiptarë, të cilët ftuan shumicën e deputetëve me prejardhje shqiptare dhe synonte nisjen e një kryengritjeje të përgjithshme të armatosur në trevat shqiptare kundër pushtetit qendror të kryesuar nga Komiteti i Bashkimit dhe Përparimit. Takimi pasoi dy kryengritje të tjera shqiptare të vitit 1910 në Vilajetin e Kosovës dhe 1911 në malet e Shkodrës së sipërme. Mbledhja e Taksimit rezultoi me një kryengritje po atë vit, me kryengritje të armatosura në Shkodër, Lezhë, Mirditë, Krujë dhe krahina të tjera shqiptare, të cilat i tejkalonin pritshmëritë e organizatorëve. Kryengritja më e madhe ishte në Kosovë, ku kryengritësit ishin më të organizuar dhe arritën të pushtonin qytete të rëndësishme si Prizreni, Peja, Gjakova, Mitrovica e të tjera.
Pjesëmarrës ishin mes të tjerëve Syrja Vlora, Mufid Libohova dhe Aziz pashë Vrioni. Shumica e tyre deri vonë kanë qenë anëtarë të Komitetit për Bashkim, si Bedri bej Pejani dhe Nexhip bej Draga, ndërsa të tjerët si Isa Boletini dhe Riza bej Gjakova, ky i fundit në atë kohë i internuar në Anadoll, ishin pasues të betuar të Abdülhamidit II, sulltani i rrëzuar nga xhonturqit. Esad pashë Toptani ishte personi që kishte lexuar fetvën e rrëzimit nga froni në prani të sulltanit. Kishte edhe nga ata që ishin gati t'i bashkoheshin revoltës pa shumë përpjekje bindëse, si Bajram Curri, një nga krerët e Krasniqëve në atë kohë.