Shkolla e nënës (e njohur edhe si Shkolla amnore[1] ose Informatoriumi i shkollës së nënës, çekisht:Informatorium školy mateřské)[2] [3] është vepër e pedagogut çek Jan Amos Komenski, shkruar në vitin 1632 në të cilën ai paraqet pikëpamjet e tij për rritjen e fëmijëve që nga lindja deri në moshën 6 vjeçare.[4] Kjo është vepra e parë në historinë e pedagogjisë kushtuar arsimit parashkollor. Komenski propozon një lloj shkolle për çdo periudhë të zhvillimit njerëzor, kështu që në shkollën e nënës (e cila në fakt zhvillohet brenda çdo familjeje) fëmija duhet të mësojë idetë themelore për botën, të fitojë zakone dhe një ndjenjë morale, si dhe të marrë bazat elementare të fesë. Informatoriumi i Shkollës së Nënës është një formë doracaku, d.m.th. një udhëzues për të rriturit se si t'i trajtojnë fëmijët përpara se ata të fillojnë shkollën.[5]

Faqja e parë e veprës Shkolla e nënës botuar në gjuhën gjermane në vitin 1636 me titull Informatorium Maternum

Përmbajtja

Redakto

Komenski fillimisht thekson se fëmijëve duhet t'u kushtohet kujdesi më i madh, sepse ata janë dhurata më e çmuar e Zotit dhe një xhevahir, me të cilin asgjë nuk mund të krahasohet. Ai thotë se fëmijët janë një imazh i papërlyer hyjnor, se janë të pastër, të pafajshëm, se përfaqësojnë modestinë, mirësinë, mëshirën. Të rriturit duhet të shikojnë nga fëmijët, domethënë të rriturit duhet të jenë si fëmijët e vegjël për të shkuar në parajsë. Fëmijët duhet të jenë më të dashur për prindërit e tyre se çdo gjë dhe gjithçka, se ari, argjendi apo çfarëdo dhuratë tjetër.

Më pas Komenski vazhdon duke thënë se njeriu, si një qenie që është më shumë se qeniet e tjera, duhet të merret me ngritjen e shpirtit, sepse kjo është ajo që e dallon atë. Pra, prindërit nuk e përmbushin detyrën e tyre duke i mësuar fëmijës të hajë, të pijë, të ecë etj. sepse këto veprime i shërbejnë trupit, por duhet t'i përkushtohen kujdesit për shpirtin e fëmijëve të tyre, për ta bërë atë sa më fisnik dhe sublim. Në përputhje me këtë, ai vendos tre qëllime themelore për edukimin e fëmijëve, e ato janë edukimi në besim dhe devotshmëri, në ndershmëri dhe në njohjen e gjuhës, ekskluzivisht dhe në këtë radhë. Sipas Komenskit, të lumtur dhe të bekuar janë ata prindër që kanë fëmijë në shtëpinë e tyre për t'u mësuar atyre këto gjëra dhe për t'i parë ata të rriten, të maturohen dhe të lulëzojnë, ashtu si bimët e parajsës.[1]

Megjithatë, është e gabuar të mendosh se fëmijët mund të ushtrohen vetë. Ashtu si një fidan që ka nevojë për mbjellje, shartim, ujitje, etj., kështu edhe një fëmijë duhet të përvetësojë gjëra themelore, e lëre më të larta shpirtërore si besimi, urtësia dhe dija - ai nuk mund t'i marrë të gjitha këto vetë. Kjo është arsyeja pse ky detyrim është mbi prindërit. Megjithatë, duke qenë se prindërit nuk janë gjithmonë të aftë ose të lirë t'i mësojnë fëmijët e tyre, është e nevojshme që t'u besohen edukatorëve, mësuesve, mjeshtërve të mençur dhe të devotshëm.

Më tutje, Komenski përshkruan të gjitha aftësitë ose tiparet që duhen zhvilluar tek fëmijët në 6 vitet e para të jetës. Këto janë, para së gjithash, devotshmëria e vërtetë dhe e drejtë, pastaj, morali dhe shumë cilësi të rëndësishme si: maturia, rregulli, bindja, sinqeriteti, drejtësia, dashamirësia, zelli, mirësia, mirësjellja, respekti për të moshuarit, durimi, serioziteti, modestia etj. Më pas vijojnë disa njohuri të përgjithshme si: emrat bazë të elementeve, dukurive natyrore, kafshëve, bimëve ose thjesht koncepte bazë nga natyra dhe jeta e përditshme. Nga sfera e mendimit dhe e gjuhës, fëmija duhet të njohë bazat e dialektikës në pyetje-përgjigje, të jetë i aftë të shprehet bukur me fjalë, të jetë i aftë të recitojë një varg ose masë përmendësh etj.[1]

Para se Komenski të shpjegojë se si fëmijët duhet të stërviten në arsye, aftësi, të folur, virtyte dhe devotshmëri, ai thekson se është gjithashtu e rëndësishme që prindërit të kujdesen për shëndetin dhe forcën fizike të fëmijëve të tyre, të cilat duhet të fillojnë derisa fëmija është ende në mitër. Gjatë shtatzënisë, nëna duhet të kujdeset jashtëzakonisht shumë për veten, rrjedhimisht edhe për fetusin e saj, dhe menjëherë pas lindjes, të ushqejë dhe rrisë vetë të porsalindurin e të mos ua lërë grave të tjera. Ndërsa fëmija rritet, ai duhet të kujdeset dhe të mbrohet nga lëndimet, por edhe të mësohet me lëvizjen e duhur dhe aktivitetet e shëndetshme.

Pasi shpjegon se si duhet të duket shkolla e një nëne, Komenski pyet se sa kohë duhet të jenë fëmijët në të. Ai rekomandon që fëmijët të ndahen nga prehri i nënës vetëm pas moshës 6-vjeçare, sepse para kësaj ata janë shumë të brishtë dhe të butë, ndaj mësuesit në shkolla nuk mund t'u kushtojnë vëmendjen e plotë e të nevojshme dhe duhet të krijohen disa themele në mendjen e tyre para së cilës ai fillon të aktivizohet. Shenjat që Komenski jep si përcaktuese nëse një fëmijë është gati të shkojë në shkollë janë: që fëmija e di se çfarë duhet të kishte mësuar në shkollën e nënës së tij, se ai mendon dhe gjykon për pyetjet e bëra dhe se ai ka një dëshirë për njohuri më të thella.[1]

Në fund të përcaktimit të tij për shkollën e nënës, Komenski shpjegon se si prindërit duhet t'i përgatisin fëmijët e tyre për shkollë, ndaj thotë se duhet të nxisin gëzimin dhe ndjenjën e këndshme ndaj shkollës, t'u mësojnë fëmijëve qëndrim pozitiv ndaj mësuesit dhe dijes.

Pas përfundimit të periudhës së shkollës së nënës, rreth moshës 6 vjeçare, sipas Komenskit, fëmija duhet të vazhdoj shkallën e dytë të arsimit e të cilën ai e quante, shkolla e gjuhës amtare (shkolla fillore). Komenski si ithtar i mësimit në gjuhën amtare mes tjerash thot: "Gjuha e popullit është 10 herë më e lehtë se gjuha latine ... dhe 100 herë më e vërtetë se ajo ... dhe më tutje shton: Të dëshirosh që dikujt t'ia mësosh gjuhën e huaj para se ai ta mësojë gjuhën e vet amtare, është njësoj sikur të dëshirosh që atë më parë ta mësosh të kalërojë sesa të mësojë të ecë."

Shih edhe

Redakto

Referime

Redakto
  1. ^ a b c d Komenski, Jan Amos. Shkolla amënore, Prishtinë, Dija, 2003.
  2. ^ Komenský, Jan Amos (1947), Informatorium školy mateřské (në çekisht), Praha: Topic, marrë më 24 gusht 2021
  3. ^ Comenius' School of Infancy. Wikisource, (anglisht)
  4. ^ Osmani, Shefik: Fjalor i pedagogjisë. 8 Nëntori, Tiranë, 1983, fq. 312 - 314
  5. ^ Zekaj, Xh. & Grillo, K. Fjalor i pedagogjisë, Kristal, Tiranë, 2013, fq. 174 - 175

Lidhje të jashtme

Redakto