Tefik Rogu
Tefik Xhemal Rogu (Rog, tetor 1875 - 15 prill 1945) ishte luftëtar i shquar i disa periudhave historike, por i lënë në harresë.
Biografia
RedaktoU lind në tetor 1875, në Rog të Skraparit. I ati, Xhemali dhe xhaxhai, Hyseni ishin anëtarë të Lidhjes së Prizerenit të Degës së Frashërit. Më vonë ata u rreshtuan në çetat për pavarësi deri sa të dy në një ditë u vranë jo shumë larg fshatit të tyre, ku u kishin ngritur kurth forcat turke. Edhe sot e kësaj dite kujtesa e popullit i sjell këta luftëtarë me këto vargje: Bregu i Madh, Qaf’ e Lipecit,/ Digjet zjarr, ndizet dheri,/ Thërret Xhemal e Hyseni:/ Osmanllinj ku po veni?…
Tefiku ishte vetëm 7 vjeç, kur iu vra i ati, më i madhi tre djemve. Dajua i tij, Emin Selenica i hodhi dorën për ndihmë së motrës, Lushjes, i mori që ato ditë të zisë Tefikun në kurbet. E ëma gjatë ndarjes së dhimbshme i qepi nën jakë një qeskë të mbushur me guriçka të Rogut dhe e porositi të mos e harronte atë, vëllezërit, fshatin.
Arsimimi
RedaktoNë Stamboll dajoja e futi në shkollë. Që në fillimet e para ai u dallua për rezultate të shkëlqyera. Por talenti i tij u bë më i dukshëm në shkollën e lartë me një diplomë të veçantë për Drejtësi. Pushtetit ushtarak turk më shumë se gjykatësit, punën e të cilëve e bënin kadinjtë e myftinjtë, i duheshin policë e xhandarë, ndaj e çojnë Tefikun në Akademinë e Policisë. Edhe këtë shkollë ai e kreu me rezultate të larta, ndaj që në fillim të karrierës emërohet në poste të rëndësishme policie në rajone të ndryshme të Turqisë.
Tefik Rogu njihte gjashtë gjuhë të huaja dhe kishte një bibliotekë mjaftë të pasur.
Veprimtaria e Tefik Rogut në Manastir, vatrën e patriotizmit
RedaktoEdukatën dhe kulturën orientale që mori në shkollat dhe akademitë turke dhe formimin si intelektual ai i vuri në shërbim të çështjes kombëtare. Që kur ishte në Stamboll ai u lidh me figurat më të rëndësishme të Rilindjes që vepronin aty, Hasan Prishtinën dhe Ismail Qemalin, të cilët edhe e ndihmuan të mbaronte edhe një shkollë tjetër, atë të Diplomacisë. Por rasti më ideal për të vepruar në qëllimin që i kish vënë vetes erdhi kur ai u emërua në vitin 1905 komandant i policisë së Vilajetit me qendër qytetin e Manastirit.
Tani Tefiku ishte afruar pranë atdheut të tij, por edhe në një vend kyç të veprimtarisë atdhetare. Manastiri në atë kohë pothuajse kishte dalë nga kontrolli turk dhe “fliste shqip”. Ngritja e Komitetit të Fshehtë, që qe ndër të parët në lëvizjen antiosmane të fillimshekullit të 20-të, krahas shumë faktorëve të tjerë pse ky komitet u vendos pikërisht në Manastir, kishte edhe një arsye më tepër se ishte Tefiku aty, që jo vetëm vigjilonte, por vepronte si një nga anëtarët më aktiv të këtij organizmi, ku merrte pjesë Bajo Topulli, ish-nëndrejtor i gjimnazit turk të Manastirit, Fehim bej Zavalani, kolonel Halit bej Bërzeshta, Gjergj Qiriazi, e të tjerë. Komiteti i Manastirit shtriu degët në Shqipërinë e jugut dhe të veriut.
Qenia pranë vendlindjes i krijonte Tefikut edhe mundësinë e kontakteve me njerëzit e afërt dhe me aktivistë që vepronin brenda vendit për përhapjen e gjuhës shqipe si Baba Fetahu i Backës, Meleq Staravecka, Hasan e Dalip Koprëncka etj. U jepte atyre librat dhe abetaret që vinin nga Sofja dhe Bukureshti. Ndonjë herë ai shfrytëzonte lejet dhe pushimet dhe vinte në fshat, sillte libra dhe u mësonte të rinjve gjuhën shqipe.
Në Sahara, me 101
RedaktoPor veprimtaria e Komitetit të Manastirit ra erë, ndaj në maj të vitit 1906 qendra u shpërngul në Bukuresht, duke lënë në Manastir një komitet të vogël krahinor. Ndërkaq çeta e Bajo Topullit e përbërë prej fshatarësh dhe disa studentësh të ikur nga Manastiri, gjeti në Kolonjë përkrahjen e Sali Butkës, por më pas, të ndjekur nga forcat turke, vëllezërit Bajo dhe Çerçis Topulli u shtrënguan të largoheshin nga Shqipëria, në Bukuresht e në Sofje. Në Bukuresht u bashkua me ta atdhetari i flakët Mihal Gramenua, i cili pastaj bëri pjesë në çetën e Çerçizit dhe u përpoq të përhapte ndjenjat kombëtare.
Me Tefikun, që kishin kohë që e ndiqnin, turqit e kishin më të lehtë, ata e arrestuan dhe e çuan në Stamboll, ku i zhvilluan një gjyq të bujshëm që do të ishte mësim për të gjithë ata intelektualë dhe oficerë që kishin simpati apo ishin bërë pjesë e Lëvizjes Xhonturke dhe ata që ndihmonin rebelët kundërshtarë të perandorisë. Tefiku u dënua me vdekje, por falë njohjeve, popullaritetit në rrethet intelektuale dhe paraqitjes dinjitoze në gjyq, gjë që u vlerësua nga gjyqtarët, atij i zbriti dënimi me 101 vjet burg, që përsëri ishte më shumë se një jetë njeriu. Këtu ka dhe një detaj tjetër për uljen e dënimit nga kapital, në me 101, që familjarët e kanë dëgjuar nga goja e vetë Tefikut, që një nga anëtarët e trupit gjykues e ka çmuar si rrethanë lehtësuese: Në materialet e sekuestruara, si provë materiale ishte dhe një medaljon në formën e një vule që përdorej në atë kohë. Vula kishte tri ndarje dhe tre simbole. Kur iu kërkua deshifrimi nga gjyqtari, Tefiku shpjegoi se në ndarjen e sipërme, ku ishin vizatuar disa guriçka, ishte qesja me dhè, që i kishte dhënë e ëma kur ishte nisur që fëmijë në Stamboll, në nënndarjen e mesit ishte vizatuar një orë, që tregonte se koha punonte për të ardhmen dhe në nënndarjen e tretë ishte një shqiponjë që në atë kohë e mbanin shumë shqiptarë si simbol patriotik.
Sejfi Vllamasi në librin “Ballafaqime politike 1939-1943” shkruan për Komitetin e Manastirit: “…fillojnë arrestimet, më 22 maj u arrestova, pas dy ditësh u dorëzova në burgun e sigurisë së lartë në Stamboll…Pas dy jave, një i burgosur bullgar nga Kosturi më lajmëron ardhjen në burg të Tefik Rogut (nga Skrapari), shok i Komitetit dhe komisar i policisë së Manastirit, të cilit mbi kërkesën e tij i dërgova dy napolona. Në verën e vitit 1907 marr një letër nga Feim Zavalani i dhe Jashar Hajri Bitincka, dërguar nga Kalaja e Aqasë me anë të së cilës mora vesh depërtimin e tyre në atë kala….sa për Tefik Rogun (Skrapari), ky ishte dënuar me 101 vjet burg dhe për vuajtjen e dënimit ishte dërguar në burg në Fazan, nënprefekturë e Tripolit në Libi, zonë afrikane në Sahara, me deve, dy muaj larg nga Tripoli…”
Veprimtaria e Pateriot Tefik Rogut ne vitet viti 1908
Redakto- Si gjithnjë në veprim
Në vitin 1908, pas shpalljes së Hyrietit prej xhonturqëve, Tefik Rogu lirohet dhe kthehet në vendlindje dhe lidhet me një herë me figurat më në zë të kohës që vepronin në Skrapar, me mikun e vjetër Sali Butka, Ali Farmaqin, Lace Backen, Meleq Staraveckën, Sulejman Staraveckën, Maksut Çetën (Grëmshi), Baba Tahir Çepanin, Servet e Hysen Zaloshnjën, Xhemal Malindin, Myftar Çepanin etj. Krahas veprimtarisë patriotike ai mblidhte bashkëfshatarët dhe u mësonte shkrim e kendim, u mësonte vargje të Naimit. Fshatarët kujtojnë se si një herë erdhën zaptiet turke e lidhën dhe i shkulën dy dhëmballë me darë kali Tefikut pse grumbullonte fshatin.
Përsëri në Turqi, i mirëpritur
RedaktoPër një njeri që kish punuar me mish e me shpirt për materializimin e ëndrrës së kahershme me Qeverinë e Vlorës, rënia dhe sfumimi në atë mënyrë i saj qe një dhimbje e madhe. Ashtu si dhe shumë miq e shokë të tij, edhe Tefiku ngeli i zhgënjyer. Me porosi dhe rekomandime të Ismail Qemalit, i cili shkoi në Itali, Tefiku niset në Stamboll. Turqia në këtë kohë ishte në kërkim të rrugëve të reja, ndryshe nga ato mesjetare, për të krijuar një identitet të ri kombëtar e shtetëror. Koha që kish kaluar kish fshirë shumë gjëra, kështu që Tefiku u mirëprit dhe u rehabilitua nga autoritetet turke. U caktua në detyra të larta në polici e xhandarmëri, por ai si gjithnjë merrej edhe me veprimtari të tjera, siç ishte mbajta gjallë e frymës patriotike dhe bashkimi i shqiptarëve në Stamboll, i brezit tjetër më të ri, se të parët kishin ikur, e kishin kryer misionin e tyre. Me iniciativën e tij dhe me kontributin e shumë bashkatdhetarëve të tij, ngre dy shkolla shqipe, njërën me emrin “Kosova”, ku si mësues cakton dy studentë shqiptarë nga më të mirët, Musa Ohrin dhe Qemal Sanjollasin. Pas shumë vjet qëndrimi në Stamboll, megjithëse kishte edhe fëmijët aty, mërzitet dhe kërkon të kthehet në atdhe.
Me detyra luftarake në Qeverinë e Vlorës
RedaktoShpallja e Pavarësisë më 28 Nëntor 1912 gëzoi pa masë gjithë popullin shqiptar, por edhe vuri në lëvizje të gjithë luftëtarët që kishin punuar për këtë ditë për ta ruajtur dhe forcuar Qeverinë e re të Vlorës. Tefiku vrapon për në Vlorë. Pas një takimi me mikun e tij të vjetër, Ismail Qemalin, të cilin e kish njohur që në Stamboll, merr detyra nga ai për formimin e gardës, policisë dhe strukturave të tjera të mbrojtjes. Bashkë me Isa Boletinin dhe Ali Shefqet Shkupin, pasi përgatitën rregulloren iu futën punës për organizimin e policisë së Vlorës. Në krye të saj u vu Tefiku, por krahas kësaj ai u mor edhe me ngritjen e strukturave të xhandarmërisë edhe në Korçë, Ohër, Elbasan, Berat e Durrës. Në Durrës ai u kundërshtua hapur nga Esat Pash Toptani, gjë që vërtetohet në një letër Tefiku i dërgon plakut të Vorës më datën 12 shtator të vitit 1913, ku midis të tjerave ai shkruan: ”…si i dërguar në policinë e Durrësit me gjithë komandantin e gjindarmërisë, u dëbuam në bazë të një urdhri telegrafik që dërgoi Esat Pasha. Nga Tirana në Durrës gjendja ka ndryshuar, kanë nisur të marrin hov veprime që synojnë vdekjen e Shqipërisë”.
Për shqetësimet e tij, kur ai shikon se prapa krahëve të Ismail Qemalit luheshin lojëra për ta prishur atë që u ngrit me aq mund, flet edhe kjo letër që mban datën 3 tetor 1913 drejtuar Vlorës, ku flitet për tradhtinë e Esat Pash Toptanit dhe ndikimit të tij edhe në Skrapar: “…Lajmet që po vijnë nga Skrapari nuk janë edhe aq të mira…”. Më tej në letër thuhet: “…mund t’u kujtoj zotërisë Suaj kur andartët patën shkelur Korçën, unë pasi bëra pak propagandë, solla në male të Kolonjës 1500 vetë të armatosur brenda 24 orëve”.
Dokumentet arkivore të veprimtarisë së Qeverisë së Vlorës dëshmojnë:
RedaktoSe sa me shpirt punonte Tefiku, por tregojnë edhe një gjë tjetër, se ai gëzonte hapur besimin dhe simpatinë e Ismail Qemalit. Pas situatës së krijuar në frontin e Skraparit, ku iu jepej goditja kryesore forcave greke, të cilat donin të kapnin Beratin, Ismail Qemali urdhëroi ndryshimin e udhëheqjes në Skrapar, duke emëruar nënprefekt Themestokli Gërmenjin, sekretar Servet Zaloshnjen dhe komandant të xhandarmërisë dhe anëtar të shtabit të mbrojtjes, Tefik Rogun. Ky fakt vërtetohet edhe me letrën që ministri i Bujqësisë së Qeverisë së Vlorës, patrioti Pandeli Cale i dërgon ato ditë kryetarit të vetë ku shkruan: “Ismail Bej, Themistokli Gërmenji vete sonte në Berat. Letrën që i dhatë duke e emëruar Veqil Kame, nuk e mori dot me vete. U lutem, pra, lajmëroni mytesarifin e Beratit që të shkojë Themesokliu në Skrapar bashkë me Tefik Rogun si komandant i xhandarëve atje”.
Edhe pse Qeverisë së Vlorës po i vinte fundi, ai kishte besim te populli dhe te figura e ndritur e plakut të Vlorës. Si mik besnik nuk e fsheh adhurimin për të kur i shkruan: “Skraparasit e duan dhe e adhurojnë shkëlqesinë Tuaj…” Ju që provuat madhështinë, do të jeni i zoti dhe të zhdukni vështirësitë dhe t’i sillni këtij Atdheu një periudhë qetësie. Unë po u raportoj si një mik i vjetër besnik, me qëllim që t’ju vë në dijeni mbi çfarë po ndodh…”
Letra Korespodenca
RedaktoMallin për vendlindjen dhe dëshirën për të kontribuar në atdhe e dëshmon edhe një letër dërguar një mikut të tij në Shqipëri më 16 qershor 1919, ku ai interesohet për miqtë, shokët dhe bashkëfshatarët “ku janë, si janë e çfarë bëjnë”. “Të lutem të bësh një pyetje andej-këtej dhe të më shkruash”, shkruan më tej ai duke shtuar: “Dua të kthehem për në Vlorë ose Shkodër. Prandaj të lutem fort, me të marrë këtë letër, të më bësh e të më dërgosh një shkresë nga qeveria austriake(?!- shën. ynë) e Vlorës dhe të ma çosh në atë zyrë që duhet këtu, duke thënë se nuk ka ndonjë ndalesë për mua që të vinj e të hynj në Shqipëri”.
Në fund të vitit 1920, me ndihmën e mikut të tij të armëve të Divizionit të 19 në mbrojtje të gadishullit të Galliopollit, që tani ishte bërë një figurë e njohur dhe simpatike, Qemal Ataturkut, ai kthehet përfundimisht në Shqipëri.
Në fillim të vitit 1921, e emërojnë komandant të policisë së prefekturës të Beratit të reja
RedaktoSapo vjen në Shqipëri, në fillim të vitit 1921, e emërojnë komandant të policisë së prefekturës të Beratit. Dhe si gjithnjë, ai nuk mbyllet brenda detyrës, por ingranohet në jetën politike e ushtarake të kohës, ku bie në sy si analist dhe publicist i zoti. Në periudhën 1922-24 shkruan me dhjetëra artikuj në shtypin e kohës. Ka ngelur proverbiale thënia e tij në analizën politike të problemeve të ditës në një shkrim të datës 22 korrik 1922 në gazetën “Shqipëria e Re”, ku ai shkruante rregullisht, se…”duhet të jetë e qartë që nuk bëjnë qeveritë popujt, por bëjnë popujt qeveri”.
Siç dihet në vitin 1922 u formua qeveria e kryesuar nga Ahmet Zogu. Në Skrapar nga forcat demokratike dhe patriotë e luftëtarë të vjetër pati rezistencë të madhe për kandidaturat e bejlerëve të Beratit që u paraqitën në këtë krahinë. Ata formuan Grupin Nacional Demokrat” me aktivistët më të shquar të krahinës për të patur përfaqësuesit e vetë në parlament. Një polemikë të madhe në atë kohë kanë bërë në shtyp Riza Cerova dhe Tefik Rogu edhe me cilësinë e anëtarit të grupit kundërshtar, ku me fakte demaskonin klasën e bejlerëve dhe abuzimet e nëpunësve të administratës shtetërore. Natyrisht, si kundërshtar politik Tefikun e lirojnë nga detyra dhe e izolojnë në fshatin e tij, në Rog, ku i ndalohej të largohej pa lejen e organeve shtetërore.
Më vonë kur u qetësuan disi gjërat, miku i tij, Milto Tutulani, duke ia njohur aftësitë juridike dhe administrative e ndihmoi të nxirrte një lejë avokatie. Kështu që për një periudhë të gjatë ai punon si avokat në Berat, Skrapar dhe Përmet. Në këtë kohë ai mban lidhje me udhëheqësit antizogistë, sidomos me Riza Cerovën, i cili e kishte Tefikun një nga këshilltarët më të mirë për çështjet ushtarake, por edh për vlerësimin e situatave.
Fundi, kapak i florinjtë
RedaktoPushtimi fashist i vendit tonë e gjeti Tefikun në fshatin e tij, në Rog, në moshë të thyer dhe në gjendje të rënduar shëndetësore. Gjithë ato lëvizje dhe veçanërisht burgu i Saharasë, ku kishte hequr tortura nga më çnjerëzoret, domosdo do ta bënin punën e tyre, një ditë kur të mpakeshin fuqitë. Por koha dhe lufta që kish plasur kërkonin akoma. Ndaj shpirti i një luftëtari si ai, nuk mund të rrinte i qetë. Hapi dyert kat më kat për “djemtë e malit”. Në shtëpinë e tij u formua organizata e Partisë Komuniste e zonës së Çepanit, ku bënin pjesë Haki Bejko (Sevrani), Skënder Malindi, Rushit Dervishi, Rakip Telhai (Qeshibesi), Haxhi Kapsi, Novruz Malindi dhe djali i tij, Hysen Rogu, që më vonë u shquan në luftë, por edhe në detyra të larta shtetërore. Veç Hysenit Tefiku nisi në mal në njësitë partizane edhe dy vajzat e tij, Bukurinë dhe Lirinë, të cilat kanë marrë pjesë edhe në Kongreset e Gruas dhe të Rinisë Antifashiste në Berat dhe në Helmës. E shoqja e tij, Hazbija ishte një nga aktivistet më të shquara në zonë.
Tefik Rogu vdiq më 15 prill 1945, i tërë, siç thoshte, se kish kryer edhe detyrën e fundit, me fëmijët, që ndoqën rrugën më të mirë, atë rrugë që ai s’mund ta vazhdonte dot për shkak të moshës.
Nderohet me Titullin Pateriot me vendim te Presidiumit te Kuvendit Popullor
RedaktoMe rastin e 50-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë ish-Presidiumi i Kuvendit Popullor të Shqipërisë i ka akorduar atij Urdhrin i shprehur : për Veprimtari Patriotikejashte Atdheut ne Turqi, bashkepunetori i Ismail Qemalit, nje nga Figurat e Rilindjes Kombetare, bashkepunetor i Themistokli Germenji dhe Cerciz Topulli,
Nr i vendimit 4219 Date 9.1.1967 ndodhet ne Arkiven e shtetit
Burime
RedaktoBotim nga Zylyftar Hoxha
- http://www.gazetadita.al/tefik-rogu-luftetar-i-shquar-i-disa-periudhave-historike-por-i-lene-ne-harrese/ Arkivuar 23 shkurt 2020 tek Wayback Machine © 2016 Copyright
- Skrapari në LANÇ dhe në progresin shoqëror