Historiografia e Skënderbeut është një fushë e cila merret me studimin dhe hulumtimin e të gjitha aspekteve të jetës dhe veprave të Skënderbeut duke përfshirë këtu shkrimet, studimet, analizat dhe interpretimet që janë kryer mbi jetën dhe veprën e Gjergj Kastriotit, i njohur ndryshe si Skënderbeu. Ky term përdoret për të përshkruar tërësisht fushën e shkrimeve dhe shqyrtimeve historike mbi figurën e Skënderbeut, duke përfshirë një sërë burimesh, perspektivash dhe qasjeve. Historiografia e Skënderbeut është një përpjekje e vazhdueshme për të kuptuar, shpjeguar, dhe interpretuar në mënyrë të gjithanshme jetën dhe veprën e njërit prej personaliteteve më të njohura dhe më të rëndësishme të historisë shqiptare dhe ballkanike.

Kopertina e "Historia e jetës dhe veprave të Skënderbeut, princit të Epirit
Historia e Gjergj Kastriotit të quajtur Skënderbe - Mbret i Shqipërisë, botuar në Moskë, më 1812, në gjuhën greke

Figura e Skënderbeut ka qenë subjekt i shumë studimeve historike dhe punimeve në art dhe letërsi, po ashtu dhe frymëzim i shumë krijimeve të fushave tjera. Ajo është motiv në arte pamore, përformuese, muzikë, poezi dhe prozë.

Skënderbeu gëzoi një famë më të përhapur në Evropën Perëndimore në shekujt e 16 të dhe 17 të, kur me pjesën më të madhe të Ballkanit nën sundimin osman dhe me rrethimin e Vjenës më 1683, asgjë nuk do të ngërthente më tepër lexuesit në Perëndim sesa rrëfenja plot aksion e rezistencës heroike përkundër "hordhive osmane".[1]

Skënderbeu në histori

Redakto

Mbi Heroin Kombëtar Shqiptar janë shkruar një numër i madh veprash të fushave të ndryshme. Nga burimet kryesore historike për të janë Dhimiter Frangu, Marin Barleti dhe Gjon Muzaka, etj. Epoka e Skënderbeut e shekullit XV dhe vetë figura e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut ndikoi fuqishëm në jetën shpirtërore të shqiptarëve dhe për rritjen e vetdijes kombëtare të tyre. Të frymëzuar prej tyre, intelektualë të shquar shqiptarë, i pasqyruan e i përjetuan ato në vepra historike monumentale, në të cilat nisi jetën e vet historiografia shqiptare.

Dhimiter Frangu duke qenë njëri nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Skenderbeut, ishte i pari i cili shkroi për jetën dhe veprën e Skënderbeut, në frymën e ideve humaniste të kohës. Dhimiter Frangu shkroi realisht ashtu si kishte ndodhur, sepse përndryshe ishte bashkëshoqërues i Skënderbeut gjatë gjithë jetës dhe veprimtarisë së tij, arkëtar e shoqërues në udhëtimet e Princit Shqiptar, për dallim nga Marin Barleti ku ka edhe trillime. Shkrimet latinisht të Dhimiter Frangut të vitit 1480, 12 vjet pas vdekjes së Skënderbeut, mjerisht u përvetësuan nga të tjerët, dhe përkthimet dhe botimet e saj italisht u bënë më vonë, pas vdekjes së Dhimiter Frangut.[2]

Patjetër se vepra e Barletit qe u botua latinisht në fillim të shekullit XVI (1504) kushtuar luftës heroike të arbërve për mbrojtjen e Shkodrës, (rrethimi i Shkodrës) pati jehonë të madhe. Por vepra që e lartësoi figurën e tij si historian dhe humanist është “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut”, të cilën e botoi italisht në Romë, rreth viteve 1508-1510. Kjo vepër voluminoze njohu shumë ribotime në gjuhë e në vende të ndryshme të Evropës. Veprat e Marin Barletit u bënë burimi më i rëndësishëm ku patriotët shqiptarë mësonin historinë e epopesë legjendare të shekullit XV, kur ende nuk ishte zbuluar e njohur vepra e Dhimiter Frangut. [3]

Libra mbi princin shqiptar filluan të shfaqen në Evropën Perëndimore në fillim të shekullit XVI. Një nga veprat më të hershme të historive mbi jetën dhe veprën e Skenderbeut, e cila ka qarkulluar në Evropën Perëndimore ishte Historia de Vita et gestis Scanderbegi, Epirotarum Principis - Romë, 1508-1510, (Historia e jetës dhe veprave të Skënderbeut, Princi i Epirotve), shkruar nga historiani shqiptar Scodrensis Marinus Barletit, i njohur në gjuhën shqipe si Marin Barleti dhe botuar katër dekada pas vdekjes së Skënderbeut. Barleti e kishte përjetuar personalisht pushtimin turk të vendlindjes së tij Shkodrës, nga i cili pushtim kishte edhe eksperienca personale, u vendos në Padova ku u bë rektor i kishës famullitare të Shën Stefanit. Barleti ia dedikon tërë punën e tij Donferrante Kastriotit, (nip i Skënderbeut), dhe pasardhësve të tij. Libri është botuar së pari në latinisht.

Në shekujt XVI dhe XVII libri i Barletit ishte përkthyer në një varg versionesh edhe në gjuhë të huaja: në gjuhën gjermane nga Johan Pincianus (1533), në italisht nga Pietro Rocca (1554, 1560), në portugalisht nga Francisco D'Andrade (1567), në polonisht nga Ciprian Bazylik (1569), në frëngjisht nga Jaques De Lavardin, fisnik i Plessis du-Bourrot (frëngjisht: Histoire de Georges Castriot Surnomé Skenderbeu, Roy d'Albanie, 1576), dhe në spanjisht nga Juan Ochoa de la Salde (1582). Versioni në anglisht ishte një përkthim nga gjuha frënge nga ana e De Lavardinit dhe Zachary Jones. Ajo është botuar në fund të shekullit XVI, nën titullin, Historiku i Gjergj Kastriotit, i mbiquajtur Skenderbe, Mbret i Shqipërisë. Gibbon nuk ishte i pari që e kishte vënë re se Barleti nganjëherë ishte i pasaktë në favor të heroit të tij, për shembull, Barleti pohon se Sulltani kishte vdekur nga sëmundja nën muret e Krujës.

Portreti i Skenderbeut, Biografia e 1648, ishte shkruar edhe nga Franciscus Blancus, një peshkop katolik i lindur në Shqipëri. Libri i tij "Georgius Castriotus, Epirensis vulgo Scanderbegh, Epirotarum Princeps Fortissimus" është botuar në latinisht në vitin 1636.

Periudha e Skënderbeut u përjetësua edhe në vepra të tjera historike nga bashkëkohësit e heroit. Ludvig Holberg, një filozof, shkrimtar dhe historian danez, pohoi se Skënderbeu është një nga gjeneralët më të mëdhenjë në histori. Sir William Temple e konsideron Skënderbeun si njërin nga shtatë krerët më të mëdhenjë pa kurorë, së bashku me Belisariusin, Flavius Aetiusin, Gjon Huniadin, Gonzalo Fernández de Cordoban, Farnese Aleksandër, dhe Williami i Heshtur.

Nga ana tjetr edhe Voltaire nis kapitullin e tij "Marrja e Konstandinopojës" me frazën : "Sikur Perandoret grek të kishin vepruar si Skenderbeu, Perandoria e Lindjes ende mund ishte ruajtur."

Një vepër tjetër e rëndësishme për të njohur shoqërinë shqiptarë të shekullit XV është “Historia dhe gjenealogjia e shtëpisë së Muzakajve”, shkruar në italisht më 1510 nga bashkëluftëtari i Skënderbeut, Gjon Muzaka. Ajo mbeti në dorëshkrim dhe, për vlerën që ka për historinë mesjetare shqiptare, botuesi i saj i shek. të XIX më të drejtë e ka cilësuar atë si një “margaritar”.

Në vitin 1812 Eugjen Vulgari publikoi në Moskë, në gjuhën greke, veprën me titull, " Historia e Gjergj Kastriotit të quajtur Skënderbe Mbret i Shqipërisë". Në vitin 1855, Camille Paganel i frymëzuar nga Lufta e Krimesë, ka shkruar veprën me titull Histoire de Scanderbeg.

Vepra mbi Skënderbeun kanë shkruar edhe Jeronim de Rada "Skënderbeu i pafan; Jani Vreto "Historia e Skënderbeut" (poemë); Naim Frashëri "Histori e Skënderbeut" (poemë); Fan Noli "Historia e Skënderbeut" (1921); Ismail Kadare "Kështjella" (roman); Sabri Godo "Skënderbeu" (1975), etj. Së fundi, me datë 21 mars 2009 është botuar libri më i fundit mbi Heroin Kombëtar nga Fatos Daci "Skënderbeu i vërtetë" (2009), një studim dhe analizë historike, që fokusohet sidomos mbi vendlindjen, origjinën apo datëlindjen e Gjergj Kastriotit, duke kritikuar një diversitet të paqëndrueshëm hipotezash mbi këto fakte e duke i qartësuar ato.

Skënderbeu në letërsi

Redakto

Figura e Skënderbeut ka tërhequr vëmendjen jo vetëm të histoarianëve, por edhe të shkrimtarëve. Prej autorësh të vendeve dhe të epokave të ndryshme historike janë shkruar një mori veprash letrare në gjini dhe lloje të ndryshme. Krijimet e para kushtuar Skënderbeut janë dy vjersha latinisht prej autorësh italianë, miq të Marin Barletit, i cili i vuri në krye të botimit të parë të veprës së tij për heroin. Këto krijime u pasuan në shekullin XVI nga një radhë krijimesh tjera poetike, ndër të cilat më të njohura janë sonetet e poetëve të Rilindjes, si francezi P. Ronsar (1576), që ngre lart bëmat e Skënderbeut dhe anglezi E. Spenser (1596), i cili e krahason Skënderbeun me njerëzit e mëdhenj të lashtësisë. Në prozën artistike të kësaj kohe Skënderbeu u shfaq në romanin "Tmerri i turqve" (1548) i italianit Antonio Posenti. Kujtimi i luftërave heroike të Skënderbeut vijoi të gjente jehonë edhe në veprat letrare të shekulli XVII. E kësaj kohe është poema "Skënderbeida" (Romë 1623) e poeteshës së njohur italiane Margerita Sarroki, që e vizatoi Skënderbeun si hero të vërtetë dhe kalorës fisnik. Cilësitë morale të Skënderbeut si luftëtar i lartësuan në veprat e tyre edhe gjermani Jakob Kokert ("Këngë mburrëse", 1643) dhe francezi Zhan Bysier (poema "Skënderbeu", 1658). Figurës së Skënderbeut në këtë epokë iu sollën edhe dramaturgët. Autori i njohur anglez K. Marlou shkroi veprën "Historia e vërtetë e Gjergj Kastriotit". Rrugën e tij e ndoqën dramaturgë nga disa vende të Europës, si: Spanja, Italia, Franca, Suedia, Polonia, Greqia etj., të cilët i tërhoqi jeta plot ngjarje të vrullshme e Skënderbeut. U hartuan një varg dramash, tragjedish dhe librete për opera dhe balete. Shkrimtari i madh spanjoll Lopes de Vega shkroi veprën "Princi Skënderbeg", që i takon llojit të "komedive të famshme", të cilin e lëvruan edhe dramaturgë të tjerë. Po në shekullin XVII figura e Skënderbeut u dha temën dy prozatorëve: francezit Yrben Shevra ("Skënderbeu", 1644) dhe një autori anonim rus ("Tregime për Skënderbeun, princin shqiptar"). [4]

Kur kërcënimi otoman ndaj Europës filloi të pakësohej, vëmendjen e shkrimtarëve që nga fundi i shekullit XVII nisën ta tërheqin edhe episodet intime vetjake. Lindi kështu romani me elemente të letërsisë kalorësiake, gjë që u përgjigjej kërkesave ideore të rretheve të larta shoqërore. E tillë është vepra "Skënderbeu i madh" (Amsterdam, 1688) e një autoreje anonime dhe romani i vëllimshëm "Skënderbeu ose aventurat e princit të Shqipërisë" (Paris, 1732). Në këtë kohë për Skënderbeun vijuan të botohen drama: në Angli "Skënderbeu ose dashuri dhe liri" (1747) e Tomas Uinkopit, "Skënderbeu" i Uiljam Havardit dhe "Heroi i krishterë" i Xhorxh Lilosë, në të cilat trajtohej problemi i detyrës së individit dhe i udhëheqjes ndaj atdheut. Kësaj kohe i përkasin disa drama hartuar prej autorësh italianë e francezë, si: "Trimëritë e princit Skënderbe, mundësit të Sulltan Muratit" (1730) e Anton Xambonit; "Skënderbeu princ i Shqipërisë" (1770) e Mauricio Gerardinit dhe "Skënderbeu" (1786) e Pol Debyjsonit. Vendi i rëndësishëm që fitoi drama në trajtimin e kësaj teme dha dorë që tema skënderbejane nga skena e teatrove dramatike të kalojë në repertorin e aktorëve shëtitës anglezë dhe gjermanë. Kjo bëri që emri i heroit kombëtar shqiptar të fitonte një popullaritet edhe më të madh.[4]

Me vrullin e lëvizjeve çlirimtare kombëre që shpërthyen në Europë në shekullin XIX pati një ringjallje të interesimit për personalitetin e Skënderbeut. Si rezultat u botuan një varg veprash artistike: drama "Çlirimi i Greqisë" (1821) e gjermanit Karl Zondershauzen, në qendër të së cilës është figura e Skënderbeut, drama "Skënderbeu" (1835) prej suedezit F. G. Rudbek, "Skënderbeu, poemë heroike" (1824) e poetit romantik gjerman Fridrih fon Nidda. Rreth gjysmëshekulli më pas poeti maqedonas Grigor Perliçev shkroi dramën në vargje "Skënderbeu" (1861), në të cilën Skënderbeun e paraqiti si udhëheqës të madh të shkrirë me popullin. Ndër romanet e pakta kushtuar Skënderbeut duhen përmendur: romani i Antonio Xonkadës, pjesëmarrës i lëvizjes garibaldine, vepër e cila shquhet nga fryma e theksuar demokratike që duket në pasqyrimin e heroit tonë si udhëheqës thellësisht popullor; "Kapiteni i jeniçerëve" (1887) i anglezit Xh. Ludllou: "Për jetën" i shkrimtarit polak Tomas Jazh. Në Francë Skënderbeu u bë hero i dramave historike të autorit neoklasicist Gijom K. Perlyse dhe të Rogatien Forresë. Vepra më e goditur për Skënderbeun në letërsinë botërore është poema me të njëjtin titull e Henri Longfellout (1873). Përkthimi mjeshtëror i Fan S. Nolit e bëri atë për shqiptarët veprën më të njohur të një autori të huaj për Skënderbeun.[4]

Edhe kompozitori italian Antonio Vivaldi shkroi një operë me titull Skënderbeu (interpretuar më 1718). Një tjetër operë me titull Skënderbeu ishte edhe ajo e kompozitorit francez të shekullit XVIII, François Francœur (interpretuar më 1763).

Skënderbeu është protagonist i tri tragjedive shekullit XVIII, Skënderbeu i autorit britanik, William Havard, një tragjedi e vitit 1733, pastaj George Lillo, Heroi i krishterë (1735), dhe Skënderbeu i Thomas Whincop, Ose, Dashuria dhe Liria, (1747). Një numër poetësh dhe kompozitorësh gjithashtu ishin frymëzyar nga karriera e tij ushtarake. Kështu, p.sh. poeti francez i shekullit XVI, Ronsard shkroi një poemë rreth tij, ashtu si edhe poeti amerikan i shekullit XIX, Henry Wadsworth Longfellow.

Në përrallë të gjatë poetike me titull, Shtegtimi i Çajld Haroldit, (Child Harold`s Pilgrimage) (1812-1819), të cilën Bajroni filloi ta shkruajë gjersa ndodhej në Shqipëri. Skënderbeu dhe populli i tij luftëtar janë përshkruar në vargjet e mëposhtme:

"Land of Albania! where Iskander rose,
Theme of the young, and beacon of the wise,
And he his namesake, whose oft-baffled foes
Shrunk from his deeds of chivalrous emprize;
Land of Albania! let me bend mine eyes
On thee, thou rugged nurse of savage men!
The cross descends, thy minarets arise,
And the pale crescent sparkles in the glen,
Through many a cypress grove within each city's ken."
Canto II, XXXVIII. -

"Fierce are Albania's children, yet they lack
Not virtues, were those virtues more mature.
Where is the foe that ever saw their back?
Who can so well the toil of war endure?
Their native fastnesses not more secure
Than they in doubtful time of troublous need:
Their wrath how deadly! but their friendship sure,
When Gratitude or Valour bids them bleed,
Unshaken rushing on where'er their chief may lead."
Canto II, LXV.

Skënderbeu në artet figurative

Redakto

Figura e Skënderbeut dhe bëmat e tij janë pasqyruar prej kohësh në vepra të pikturës, skulpturës e gravurës në vende të ndryshme të botës. Shumica e veprave me vlera artistike dhe historike japin si tipare karakteristike një profil të veçantë me sy të gjallë dhe hundë shqiponjë. Këto vërehen edhe në portretin më të hershëm që njihet, i galerisë Ufici (Uffizi) të Firences e që mendohet se është mbështetur në vizatimin e bërë drejtpërdrejt nga natyra të piktorit venecian Xhentile Belini. Portreti e paraqet heroin në moshë të shtyrë, me flokë të thinjur, afërsisht kur ndërmori udhëtimin e tij të fundit në Itali (1466). Me interes janë portreti i shekullit XV-XVI i zbuluar në Shkodër dhe portreti i galerisë në kështjellën Valdbeng (një riprodhim ndodhet në Muzeun e Krujës). Një portret të hershëm me rëndësi për tërë ikonografinë e Skënderbeut ka botimi i parë (1508 - 1510) i historisë së Marin Barlecit. Portretin në gravurë e kanë realizuar edhe mjeshtrit gjermanë si Jang Breu (1533), Jost Aman, po ashtu i shekullit XVI, që e paraqiti heroin shqiptar me një sfond kështjelle. Gravura mbi Skënderbeun ka shtypur edhe piktori tjetër gjerman Sigizmund Fejgrahent (1577), ndërsa në një portret të Tabias Shtimer (1539-1552) na jepet për herën e parë paraqitja e përkrenares dhe e shpatës së heroit. Në shekullin XVII e këndej u krijuan portrete të Skënderbeut për të ilustruar veprat letrare ose historike. Piktori francez N. Auronks është autori i portretit të botuar në poemën e Bysjerit (1658), piktori Blanshet është autor i portretit në ribotimin e kësaj poeme (1662), piktori italian F. Zuçi (Zucci) ka ilustruar librin e Biemit (1472). Një gravurë në dru bëri I. B. Skotin. Po kështu, botimi i veprës së Barlecit në Zagreb (1743) na jep edhe gravurën në dru të Vajcit (Weitzi). Piktorë të tjerë si Andrea Bianki, J. Fontana, Domeniko Kusto, A. Oslovski e kanë pasuruar me veprat e tyre galerinë e Skënderbeut. [5]

Mjaft vepra artistike krijuan gjithashtu piktorët arbëreshë në Itali, si G. Konforti, A. Skurra. Në një kishë të Monreales në Sicili ndodhet edhe një afresk i shekullit XVI. Në kishën katolike të Prizrenit, në vitin 1878, kur u krijua Lidhja Shqiptare e Prizrenit, janë pikturuar me grizaj në dy medaljone Janosh Huniadi dhe Skënderbeu. Figura e Skënderbeut u bë një nga temat qendrore të arteve figurative shqiptare qysh nga epoka e Rilindjes Kombëtare. Krahas portretit tradicional kthyer në profil të piktorit J. Panariti (1883) u trajtua figura e plotë e heroit mbi kalë e në sfond beteja nga A. Ballamaçi dhe Th. Gjini, i ndihmuar i pari nga tabloja e piktorit francez T. Zheriko. Nga plejada e piktorëve që punuan mbi bazë modelesh, më tej shkoi S. Xega, autor i një cikli romantiko-heroik prej më se tetë veprash. Edhe ikonografi V. Zengo e ka pikturuar Skënderbeun në një kompozim (1937), sipas një gravure europiane. Linjën kryesisht origjinale e përbëjnë tablotë e piktorëve shkodranë si "Skënderbeu në betejë" (1915) e S. Rrotës dhe "Skënderbeu" punuar në disa variante i N. Martinit. Në skulpturë, pasqyrimit të figurës së Skënderbeut iu çel rruga me bustet (fundi i shek. XIX dhe viti 1917) e M. Toptanit për ta ngritur më pas shprehjen figurative të tij në një nga majat më të larta krijuese me bustin sintezë të Skënderbeut, heroik e legjendar, të punuar nga O. Paskali (1939). Ndër veprat më të shënuara të artit tonë pas çlirimit me këtë temë janë statujat ekuestre në Krujë dhe në Tiranë, që mishërojnë realizimin e një dëshire të hershme të popullit për ta parë të ngritur në monument figurën e Heroit Kombëtar. Në pikturën e pasçlirimit në tablotë kompozicionale me nota emocionale trajtohet lidhja e ngushtë e heroit me masën, epërsia shpirtërore e shqiptarëve liridashës. Skënderbeu dhe bashkëluftëtarët e ngushtë të tij, pasqyrohen gjerësisht në artin tonë figurativ. Në veprat e Muzeut Historik Kombëtar dhe në Muzeun Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Krujë, afresket, shtatoret, grupi skulpturor e pasqyrojnë Skënderbeun si luftëtar, udhëheqës popullor, burrë shteti dhe figurë e pavdekshme e heroizmit popullor. [5]

Galeria

Redakto

Shih edhe

Redakto

Bibliografia

Redakto
  • Dr.sc.Ilmi VELIU,Skënderbeu në 600 vjetorin e lindjes,Shkup.,2005
  • Dr.sc.Ilmi VELIU,Sënderbeu në burime Osmane e Bizantin,Shkup,2005
  • Dr.sc.Ilmi VELIU,skënderbeu nuk ishte sllav,Kërçovë,2006.
  • dr.sc.Ilmi VELIU,Kalaja e Skënderbeut,,Svetigradi,,gjindet ne Demirhisar të Maqedonis, Kërçovë,2010
  • Dr.sc.Ilmi VELIU,Shto vellaat Osmanskite dokumenti za potekloto na Skenderbeg,Skopje,2011 (bullgarisht)

Lidhje të jashtme

Redakto

Referime

Redakto
  1. ^ Hodgkinson 2005, p. xii
  2. ^ Mikel Prenushi:Dhimiter Frangu, Luftëtar dhe historian i Skenderbeut (Dhimiter Frangu, Skanderbeg's historian and soldier) Arkivuar 27 shkurt 2012 tek Wayback Machine
  3. ^ Minna Skafte Jensen, 2006,A Heroic Tale: Edin Barleti's Scanderbeg between orality and literacy Arkivuar 19 korrik 2011 tek Wayback Machine
  4. ^ a b c Lafe, Emil, red. (2008). "Fjalor Enciklopedik Shqiptar". (Encyclopedic Dictionary of Albania). Vëll. 3. Tiranë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë. fq. 2356–2357. ISBN 9789995610272. OCLC 426069353.
  5. ^ a b Lafe, Emil, red. (2008). "Fjalor Enciklopedik Shqiptar". (Encyclopedic Dictionary of Albania). Vëll. 3. Tiranë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë. fq. 2354–2356. ISBN 9789995610272. OCLC 426069353.