Vinçens Prennushi
Vinçens Prennushi (Shkodër, 4 shtator 1885 - Durrës, 19 mars 1949) ka qenë folklorist, poet, publicist, përkthyes, klerik dhe martir shqiptar. Prennushi - ashtu si sivëllezërit e tij, të pushkatuar nga regjimi komunist - u lumnua më 5 nëntor 2016 në një celebrim të drejtuar nga Kardinali Angelo Amato.[1][2]
Vinçenc Prennushi | |
---|---|
U lind më | 4 shtator 1885 Shkodër, Perandoria Osmane |
Vdiq më | 19 mars (ose shkurt) 1949 Durrës, Shqipëri |
Kombësia | Shqiptar |
Gjinitë letrare | poezi, dramë, fletore baritore |
Jeta
RedaktoU lind në rrugicën e Makajve, në lagjen Rus,[3] i biri i Gjonit dhe i Drande Prennushit.[4] Mësimet e para i mori në vendlindje dhe i vazhdoi në seminarin e Troshanit, ku iu kushtua urdhërit françeskan (OFM) qysh më 1900. Më 25 mars 1908, u shugurua meshtar i Urdhrit Françeskan O.F.M. duke marrë emrin Át Vinçenc. Shkollën për teologji e filozofi e kreu në Tirol të Austrisë.[5]
Me të ardhur në atdhe, Prennushi përjetoi një nga ngjarjet ma të rënda të qytetit të vendlindjes, të Shkodrës së rrethuar nga malazezët dhe pushtimit të saj të përkohshëm në vitin 1913. Më 14 Mars 1914, kur në kalanë e Shkodrës u ngrit nën brohoritjen e mbarë popullit të Shkodrës flamuri kombëtar, do të ishte ai frati i zgjedhun që do të mbante fjalimin e rastit aty.[6]
Në vitin 1917, ishte anëtar i “Komisisë Letrare Shqipe” në Shkodër ku u përcaktuan rregullat e para të drejtshkrimit të gjuhës shqipe.[3] U bë një ndër themeluesit e bashkëpunëtorët e grupit më të rëndësishëm të Opozitës Shqiptare, që në vitin 1923–24 formuan edhe fletorën e tyre “Ora e Maleve”, ku ishte ndër penat e rëndësishme.[6]
Më 1924 botoi broshurën me 16 fletë Ndër lamijet e demokracisë së vërtetë, ku ka shfaqur mendime për një shtet të ëndërruar demokratik të tipit perëndimor. Më 19 Mars 1936 Selia e Shenjtë e emëroi peshkop të Sapës, detyrë të cilën e mbajti deri në vitin 1940, kur u emërua kryepeshkop metropolitan i Dioqezës së Durrësit, duke pasur nën administrim kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën. Mbas vdekjes së Imzot Gaspër Thaçit, në Shkodër, më 26 Maj 1946, dhe arrestimit të Don Mikel Koliqit, famulltar i Shkodrës, Imz. Prennushi u ngarkua me detyrën e Primatit Katolik të Shqipërisë.[6]
Në vitin 1945 Enver Hoxha i kërkoi takim Imzot Prennushit dhe ky e pranon. Në atë takim ka qenë i pranishëm edhe Imzot Gaspër Thaçi[6]. Në atë takim, Hoxha, sipas një artikulli të Arshi Pipës me të cilin qe bashkëvuajtës në Burgun e Durrësit deri në verën e 1948, u "konsultua" me klerikët për problemet e Kishës Katolike në Shqipëri. Qëllimi i vetëm i takimit ishte që të impononte këndvështrimin e tij për fenë dhe Vatikanin.[7]
Më 19 maj 1947 Imzot Prennushi u arrestua dhe filloi t’i nënshtrohej një kalvari vuajtjesh fizike e psikologjike, të krijuar nga regjimi komunist shqiptar. Më 18 dhjetor 1947, Gjykata Ushtarake e Durrësit, e përbërë nga kryetari, major Gjon Banushi, anëtarë, major Xhule Çiraku, kapiten Halim Ramohito dhe prokuror, kapiten Petrit Hakani, hapën gjyqin kundër tij. Vendimi i Gjykatës së Durrësit u përcoll për shqyrtim në Gjykatën e Lartë të Tiranës, bashkë me një relacion të prokurorit të Durrësit, i quajtur Sotir Qiriaqi (data 1 dhjetor 1947). Gjykata e Lartë Ushtarake Tiranë, e përbëerë nga kryetar, major Niko Çeta, anëtarë, kapiten Nexhat Hyseni, kapiten II Mustafa Iljazi dhe sekretar aspirant Thoma Rino, më 23 shkurt 1948, mbasi shqyrtoi çështjen e të pandehurve “refuzon kërkesën e tyre”.
Prennushi deklaroi se lufta e tij ishte kundër komunistëve e Partisë Komuniste që të mos ekzistonin, kur të formohej pushteti që mendonim me zbarkimin e amerikanëve.[6] Më 19 mars 1949, i sëmurë me zemër, vdiq nga tortura çnjerëzore në burgun e Durrësit.[7]
U shpall "Martir i Demokracisë" më 8 maj 1993 në Durrës.
Procesi i shenjtërimit
RedaktoHapja e procesit dioqezan për lumnimin e tij, u shpall më 10 nëntor të viti 2002, nga prefekti i asokohshëm i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, kardinali Kreshencio Sepe, gjatë kremtimit të Eukaristisë, në katedralen e Shkodrës. Lumnimi dhe pranimi si shenjtor ndodhi më 5 nëntor 2016, në sheshin para katedrales së Shën Shtjefnit në Shkodër.
Vepra
RedaktoNë vitin 1911 boton me ndihmën e arkeologut dhe historianit Carl Patsch në Sarajevë Visaret e Kombit, Kangë gegnishte, folklor i mbledhur dhe i rreshtuar prej tij.[8] Më 1918 botoi Fjala e Zotit si dhe romancën në vargje Grueja shqyptare, e para vepër letrare e tij e botuar në shtypshkronjën françeskane. Më 1919, botoi dhe shfaqi në Shkodër dramën E tradhtuemja, përshtatje në shqip të T. A. Rolando. Në 1921, botoi përmbledhjen e njohur poetike Gjeth’ e Lule, përmbledhje të cilën kritika e gjeti të bukur e delikate. Çabej e quajti "Poet i qytetit të Shkodrës".[3] Më 1931 boton dramën me pesë akte “Prej robnije në liri”.[9] Më 1939 poezitë “Kuq e Zi” dhe “Ushtari i vogël” i përzgjidhet në një antologji arsimore për shkollën e mesme. Më 1941 i shkruan parathënien përkthimit të veprës së Manzonit, “Të fejuemt”, nga At Mark Harapi.
Qe pendë letrare dhe shkencore ndër fletoret me zë të klerit, ishte një drejtues i “Hyllit të Dritës”, ”Lajmtari i Zemrës së Krishtit”, “Zani i Shna Ndout” dhe ka lënë një kontribut të madh me broshura e letra baritore për moralin e shëndoshë fetar[9].
Botoi përkthimin Fabiola, a kisha nën dhé e mî dhé të Kardinalit Viseman. Përktheu gjithashtu Danten dhe sociologun Weber. Në vitin 1933, përktheu e botoi romanin Quo Vadis të Sienkievicz. Në vitin 1939, përktheu dhe botoi romanin e Silvio Pelico-s Burgjet e mia.[3]
La në dorëshkrim veprat “I hueji në shpi të vet” (Sh’Aleksi), “Kujtime udhëtimesh”, kallëzime e përshkrime udhtimesh të dy vizitave baritore që bani si provincial i françeskanëve në vise të ndryshme të Shqypnisë në vjetin 1931 e vjetin 1934, “Kujtime shpirtnore”, në dy vëllime.[5]
Burime
Redakto- ^ Flocchini E., Beato Vincenzo (Kolë) Prennushi , santiebeati.it, marrë më 24 nëntor 2017.
- ^ Shqipëria kremton kujtimin e të Lumit imzot Vinçenc Prennushi, Radio Vaticana, 5 nëntor 2017.
- ^ a b c d Radi L., Prennushi simbol i pastërtisë dhe i virtyteve shqiptare, Rilindja e Kosovës, 15 maj 1993.
- ^ Kurti D., Provinça Françeskane Shqiptare, Shkodër: Botime Françeskane, 2003, fq. 139. ISBN 99927-789-1-1. Në regjistrin e fretënve radhitur në këtë vepër: Vincentius (P) Nicolaus Volaj, f. Joannis et Rosae, n. Shirokae d. Scodrensis 6 Dec. 1910[...] Emri i pagëzimit i fratit i përkthyer pas normës duhet të ishte Nikollë, por forma e zgjedhur për artikullin është forma lokale.
- ^ a b Çefa K., Pader Vinçenc Prendushi ndër dorëshkrime të panjohuna, Gazeta shqiptare ("Milosao", suplement). - Nr. 5039, 5 shtator, 2010, f. XII - XIII.
- ^ a b c d e Radovani F., Në këtë kohë në Shqipni, asht turp i madh me kenë jashta burgut: Imzot Vinçens Prennushi OFM (4 shtator 1885 - 19 mars 1949), Tiranë: 55. - Nr. 65, 16 mars, 2009, f. 16 - 17.
- ^ a b Pipa A., Imzot Vinçenc Prennushi - In memoriam, San Francisco: Buletini Katolik Shqiptar, 10 (1989): 11-14. Në këtë artikull Pipa shkruan se Imzot Prennushi vdiq në shkurt, gjë e cila u ftillua më vonë.
- ^ Vozga R., "Libri Shqip 1555-1915", Biblioteka Kombëtare, Tiranë, 2010 fq. 296 ─ ISBN 978-99927-731-7-8.
- ^ a b Gjinaj M.; Mele M.; Elmazi M., "Bibliografi e librit shqip në fondet e Bibliotekës Kombëtare" Arkivuar 22 mars 2016 tek Wayback Machine, Biblioteka Kombëtare, Tiranë, 2010 fq. 488 ─ ISBN 978-99927-731-8-5.