Xhamia Goaldi
Xhamia Goaldi është një faltore myslimane në kryeqytetin historik të Bengalit, Sonargaon. Ajo u ndërtua gjatë mbretërimit të sulltan Alaudin Husain Shah të Sulltanatit të Bengalit.[1] Është një nga monumentet e mbijetuara të nga Periudha e Sulltanatit të Bengalit në Sonargaon, distrikti i Narajanganxhit të Bangladeshit.[2]
Xhamia Goaldi | |
---|---|
গোয়ালদি মসজিদ | |
Emra alternativ | Xhamia e Husain Shahut, Xhamia e Gajebit |
Informacion i përgjithshëm | |
Tipi | Xhami |
Stili arkitektural | Stili para-mogul i Arkitekturës Indo-Islamike |
Vendndodhja | Goaldi, Sonargaon, distrikti i Narajanganxhit, divizioni i Dhakës, Bangladesh |
Koordinatat | 23°39′23″N 90°35′36″E / 23.656504°N 90.593385°E |
Përfundimi | 1519 |
Renovimi | 1975 |
Technical details | |
Material | Tulla dhe terrakotë |
Historia
RedaktoXhamia u ndërtua në vitin 1519 nga Mulla Hizabar Akbar Khani, gjatë mbretërimit të sulltan Alaudin Husain Shahut të Bengalit në një vend të quajtur Goaldi – gjysmë milje në veri-lindje të zonës së Panam Nagarit në Sonargaon. Sonargaoni ishte një qytet që priste monedha të Sulltanatit të Bengalit dhe shpesh shërbeu si një kryeqytet mbretëror. Sulltanët shpesh nisën sulme ndaj Assamit, Tripuras dhe Arakanit nga Sonargaoni.[1] Qyteti ishte qendra kryesore administrative e Bengalit Lindor, veçanërisht e rajonit Bhati. Zona tanimë bën pjesë në distriktin e Narajanganxhit, në Bangladesh. Xhamia është faltorja më elegante dhe më e bukur myslimane e Periudhës së Sulltanatit të Bengalit në vend.
Sir Alexander Cunningham, drejtori themelues i Archaeological Survey of India, siguroi një stampë të mbishkrimit dhe ia dërgoi atë Shoqërisë Asiatike të Bengalit. Henry Ferdinand Blochmann, një nga orientalistët dhe historianë më të mëdhenj të kohës, e deshifroi mbishkrimin arabisht, tani të humbur, dhe e botoi tekstin me një përkthim në vitin 1873.
Arkitektura
RedaktoNë qytezën e vogël të Panam Nagarit, pranë Sonargaonit në distriktin e Narajanganxhit, ndodhen dy xhami me një kupolë të këtij modeli të mbijetuara zonën e Goaldit, praktikisht të fshehura mes pemëve të ndryshme. Xhamia tjetër është xhamia e ndërtuar në vitin 1705 nga njëfarë Abdul Hamidi, gjatë mbretërimit të Aurangzebit, e cila është rinovuar dhe zgjeruar së fundi.
Xhamia Goaldi është një shembull i mirë i xhamive të tipit katror i mbyllur të Bengalit që dallohet nga një sallë kubike lutjesh me kullëza këndore dhe hyrje në të gjitha krahët përveç murit të kiblës. Xhamia kurorëzohet vetëm nga një kupolë. Përdorimi i torretave të brinjëzuara përkufizon katër këndet. Korniza lakore është lehtësishë e pjerrët. Kullëzat cilindrike të këndeve janë një devijim nga kullëzat e zakonshme tetëkëndore të këndeve. Ky është shembulli i vetëm i torretave këndore cilindrike në divizionin e Dhakës. Për të vënë në pah kornizën është ndërtuar një rresht kamaresh të vogla me motive floreale brenda.
Façada lindore ka tre hapje harkore hyrëse, të zbukuruara në të tërë krahët me panele drejtkëndore me punime relievesh elegantë në formën e kamareve me një motiv llampe të varur. Façadat veriore dhe jugore paraqesin në mënyrë të ngjashme tre harqe, megjithëse vetëm harku qëndror është i hapur ndërsa dy anësorët janë harqe dekorativë të verbër.
Salla kubike e lutjeve ka përmasa 7.57 m (8.28 yd) dhe muret janë 2 m (2.2 yd) të trashë. Kupola mbahet mbi pendentivë trekëndorë që dalin nga kreu i shtyllave të gurta, dy në secilin mur. Muri i kiblës ka tre mihrabe. Përdorimi i mihrabit qëndror prej bazalti të zi ishte një praktikë e zakonshme gjatë shekullit të XVI. Ai është dekoruar me dizajne të ndërlikuara me motivin e bukur të llampës së varur. Dy mihrabët anësorë janë dekoruar në mënyrë të ngjashme, por në vend të bazaltit të zi ata janë prej tullash dhe punime të bukura prej terrakote. Te cepat e harqeve gjendet motive zambakësh të skalitur që janë ngushtësisht të lidhur me zambakët e mbajtur nga perëndia hindu, Surja.[1]
Gjendja e tanishme
RedaktoGjendja e xhamisë ishte e degraduar: me përjashtim të murit të kiblës, e gjithë xhamia është rrënuar, duke përfshirë edhe kupolën. Por restaurimi i kujdesshëm nga Departamenti i Arkeologjisë dhe Muzeu Kombëtar i Bangladeshit në vitin 1975 e ktheu këtë xhami të vogël elegante në formën e saj origjinale.
Galeri Pamjesh
|
---|
|
Shiko gjithashtu
Redakto- Xhamia Shahi e Muazampurit
- Sonargaoni
- Panam Nagari
- Xhamia e Baba Adamit
- Xhamia e Atias
- Xhamia me 201 kupola
- Xhamia e Aurangzebit
- Mazari dhe Xhamia e Haxhi Baba Saleh
- Xhamia Sat Gambuxh
- Xhamia e Kartalab Khanit
- Xhamia e Khan Mohamad Mridhas
- Husaini Dalani
- Xhamia e Shahbaz Khanit
- Azimpur Dajera Sharif Khankah
- Arkitektura e Bengalit
- Islami në Bangladesh
- Lista e xhamive në divizionin e Dhakës
- Lista e monumenteve të rëndësishme në divizionin e Dhakës
- Lista e vendeve arkeologjike në divizionin e Dhakës
Referime
Redakto- ^ a b c Saudia Afrin (22 dhjetor 2019). "Goaldi Mosque in Sonargaon". Dhaka Tribune (në anglisht).
- ^ Nazimuddin Ahmed (2012). "Goaldi Mosque". përmbledhur nga Sirajul Islam; Ahmed A. Jamal (red.). Banglapedia: The National Encyclopedia of Bangladesh (në anglisht) (bot. i 2-të). Asiatic Society of Bangladesh. ISBN 984-32-0576-6. OCLC 52727562. OL 30677644M. Marrë më 7 tetor 2024.
Bibliografia
Redakto- Abu Sayeed M. Ahmed (2006). Mosque Architecture in Bangladesh (në anglisht). Dhaka: UNESCO. ISBN 978-984-32-3469-8.
- Dr. Nazimudin Ahmed (1984). John Sanday (red.). Discover the Monuments of Bangladesh: A Guide to Their History, Location & Development (në anglisht). The University Press Ltd. ISBN 978-984-051059-7.
- Nazimuddin Ahmed (2012). "Goaldi Mosque". përmbledhur nga Sirajul Islam; Ahmed A. Jamal (red.). Banglapedia: The National Encyclopedia of Bangladesh (në anglisht) (bot. i 2-të). Asiatic Society of Bangladesh. ISBN 984-32-0576-6. OCLC 52727562. OL 30677644M. Marrë më 7 tetor 2024.
- Ahmad Hasan Dani (1957). "Baba Adam Kashmiri Tomb Inscription". Bibliography of the Muslim Inscriptions of Bengal, Down to A.D. 1538 (në anglisht). Asiatic Society of Pakistan.
- George Michell, red. (1984). The Islamic Heritage of Bengal (në anglisht). UNESCO. ISBN 978-923102174-9.
- Munshi Rahman Ali Tayesh (1985). Tawarikh-e-Dhaka (në bengalisht). Përkthyer nga Dr. A.M.M Sharfuddin. Islamic Foundation.