Mazari dhe Xhamia e Haxhi Baba Saleh
Mazari dhe Xhamia e Haxhi Baba Saleh është një vend arkeologjik i ndërtuar gjatë Periudhës së Sulltanatit të Bengalit. Ai gjendet në zonën Saleh Nagar të upazilës së Bandarit në distriktin e Narajanganxhit, divizioni i Dhakës, Bangladesh.[1]
Mazari dhe Xhamia e Haxhi Baba Saleh | |
---|---|
হাজী বাবা সালেহ মাজার | |
Informacion i përgjithshëm | |
Tipi | xhami dhe tyrbe |
Stili arkitektural | Arkitektura Indo-Islamike |
Vendndodhja | Katundi Saleh Nagar, upazila Bandar, distrikti i Narajanganxhit, divizioni i Dhakës, Bangladesh |
Koordinatat | 23°36′41″N 90°30′44″E / 23.611294°N 90.512247°E |
Përfundimi | 1505 |
Height | |
Roof | E sheshtë, me tre kupola |
Technical details | |
Floor area | 5 m2 (6.0 sq yd) |
Vendndodhja
RedaktoXhamia dhe Mazari është i vendosur në fshtatin "Saleh Nagar" në bregun lindor të lumit Shitalakhja në upazilën e Bandarit në distriktin e Narajanganxhit të divizionit të Dhakës.[1] Ajo ndodhet gjysmë kilometri larg nga një tjetër ndërtesë e Sulltanatit të Bengalit, e quajtur Xhamia Bandar Shahi.[2] Një tjetër monument i bukur i Periudhës së Sulltanatit dhe asaj Mogule që gjendet vetëm 2.7 kilometres (1.7 mi) larg nga kompleksi është "Dargah Kadam Rasul". Vetëm 1.2 km larg nga kompleksi ndodhen strukturat mbresëlënëse të Periudhës Mogule si Fortesa e Sonakandës, Kanali Tribeni dhe Ura Mogule. Kanali Tribeni nga Periudha Mogule shtrihet nga Sonakanda përmes Saleh Nagarit deri në Sonargaon, kryeqyteti i vjetër i Bengalit.
Historia
RedaktoSipas mbishkrimit arabisht në xhami, kompleksi u ndërtua nga një emir i Sonargaonit i quajtur Malik Haxhi Baba Saleh gjatë mbretërimit të sulltan Alaudin Husain Shah (1493–1519). Mbishkrimi përmend tre xhami të ndërtuara nga Haxhi Baba Saleh që përfshijnë Xhaminë e Baba Saleh, të ndërtuar në vitin 1481, tani e njohur si Xhamia Bandar Shahi, Xhaminë e Azim Nagarit, ndërtuar në vitin 1495 dhe Xhamimë e Haxhi Baba Saleh, ndërtuar në vitin 1505. Ky mbishkrim tashmë gjendet i ekspozuar në galerinë nr. 20 të Muzeut Kombëtar të Bangladeshit në Dhaka. Si ndërtesat e tjera të Sulltanatit të Bengalit, ky mbishkrim është bërë prej bazalti të zi. Mbi këtë gur, ndodhen 3 fjali të gdhendura me kaligrafi arabe. Në këtë mbishkrim Baba Saleh është përshkruar si Malik al-Muazzam, shërbëtor i profetit, që ka bërë pelegrinazhin në dy vendet e shenjta (Meka dhe Medina) dhe ka vizituar gjurmët e profetit, Haxhi Baba Saleh.[2] Ajo me gjasa u emërtua Xhamia e Haxhi Baba Saleh ndryshe nga Xhamia e Baba Saleh ose Bandar Shahi pasi u ndërtua pasi Baba Saleh kishte kryer haxhin. Kur Haxhi Baba Saleh vdiq në vitin 1506, ai u varros në hapsirën pranë xhamisë, mbi të cilën u ndërtua një mauzole, i njohur si Mazari i Haxhi Baba Saleh.[3][4]
Përveç këtij mbishkrimi, brenda mazarit të Baba Saleh janë gjetur tre fragmente të tjera prej bazalti të zi. Ato ruhen akoma brenda mazarit. Në vitin 1506, kur shenjti sufi Baba Saleh vdiq, ai u varros pranë vendit të Xhamisë sipas porosisë së tij. Mbi varrin e tij u ndërtua struktura e mazarit, që vizitohet nga njerëz të klasave dhe besimeve të ndryshme, që e njohin atë si “Baba Saleh Shirni”. Në këtë mënyrë e gjithë zona mori emrin "Saleh Nagar". Në murin jugor të mazarit është gdhendur një mbishkrim që tregon rreth periudhës së ndërtimit (1506). Mbishkrimi, që ndodhet akoma në mazar është shkruar mbi gurë të bardhë.[5]
Xhamia
RedaktoSipas planimetrisë origjinale, Xhamia e Haxhi Baba Saleh ishte një xhami katrore me një kupolë, por në fakt, tashmë ajo është një xhami me tre kupola. Dy kupola ju shtuan në Periudhën e Sulltanatit të Bengalit, kur xhamia katrore me një kupolë u shndërrua në një xhami drejtkëndore me tre kupola. Xhamia ka një strukturë 3.6 m2 (4.3 sq yd) së brendshmi dhe 5 m2 (6.0 sq yd) së jashtmi, pak më e madhe se Xhamia origjinale e Binat Bibit. Kjo xhami është ndërtuar gjithashtu prej tullash sipas Arkitekturës së Sulltanatit të Bengalit. Në fillim, nuk kishte suva, por më vonë u lye me gëlqere të bardhë brenda dhe jashtë. Skajet u lyen me ngjyrë të kaltër. Pjesa e jashtme e xhamisë së fundmi është lyer me ngjyrë gjelbër të hapur. Për shkak të rinovimit dhe rikonstruksioneve të pa menduara, janë ndryshuar modelet e ngjyrave të saj, si te korniza, parapeti, çhatrit, kupola, vargu i kupolës dhe bedenat.[5]
Si Xhamia e Binat Bibit, ajo është rinovuar në kohët e fundit duke u ndryshuar përtej njohjes. Tani ajo është një xhami me tre kupola me një verandë të madhe përballë me një çati të sheshtë betoni. Ana perëndimore e seksionit të kiblës është lehtësisht i zgjeruar. Ai ka një gjysmë-kupolë mbi të, që është shtuar mbi murin e jashtëm në anën perëndimore. Xhamia me tre kupola është një shembull domethënës i Periudhës së Sulltanatit.[5][2]
Xhamia ka tre hyrje në lindje dhe dy hyrje në veri dhe jug. Hyrja qëndrore është më e madhe se dy anësoret. Në anën lindore brenda xhamisë ndodhen shtatë dyer. Dyert e veriut dhe jugut janë shndërruar në dritare. Në këndet e xhamisë katër kulla tetëkëndore me nga një çhatri në krye. Hapsira e xhamisë origjinale katrore me një kupolë, është mbajtur si kthina qëndrore, në krahë të të cilës janë shtuar krahu jugor dhe verior me kupola. Kjo është bërë pas heqjes së pjesëve të poshtme të murit në ato anë dhe mbajtjes së pjesëve të sipërme si harqe të gjerë. Muret, si brenda ashtu dhe jashtë janë shndërruar tërësisht nga rinovimet e fundit, kështu që nuk ka mbetur gjurmë nga modeli i Sulltanatit.[2][5]
Secila kupolë është dekoruar me bedena zbukuruese. Kupola qëndrore është më e madhe se dy anësoret. Kupolat e saj janë vendosur me sistemin tradicional të harqeve pendentivë trekëndorë të Sulltanatit të Bengalit. Brendësia e kupolave është lyer me ngjyrë të bardhë dhe të blertë. Brendësia dhe pjesa e jashtme e kupolave është zbukuruar me bedena dekoruese. Në pjesën e jashtme të tyre është përdorur ngjyra e bardhë. Korniza e lakuar origjinale e Xhamisë nuk ka mbetur më pasi është ndryshuar nga rimodelimet përgjatë kohës. Edhe korniza është zbukuruar me shumë bedena dekorative.
Xhamia është rikonstruktuar dhe rimodeluar në tre faza. Xhamia e e ndërtuar në fazën e I-rë përfaqëson Periudhën e Sulltanatit. Sipas planimetrisë origjinale, xhamia nga katrore u shndërrua në drejtkëndore dhe nga një-kupolëshe u bë me tre të tilla.[5]
Ndërtesa e fazës së II-të sipas mjaft të dhënave, pësoi zëvendësimin e kupolave shtesë gjatë Periudhës Mogule. Në këtë kohë parapeti u drejtua, duke e ndryshuar kornizën e lakuar, në një kornizë të drejtë horizontale. Gjatë kësaj periudhe stili artistik i dekorimeve të pjesës së brendshme dhe të jashtme u ndryshua. Përdorimi i bedenave zbukuruese dhe çhatrive gjatë periudhës mogule është një ndryshim radikal.
Xhamia e fazës së III-të gjatë periudhës koloniale pësoi ndryshime të mëdha. Në lindje, perimetri i xhamisë u rrit me 1.2 m (1.3 yd). Xhamia ka një mbulim të sheshtë. Hyrja kryesore në seksionin e shtuar është më e madhe, me harqe gjysmë-rrethorë në të dy krahët dhe dy dritare në anët veriore dhe jugore. Te dritaret përdoren harqe gjysmë-rrethorë që në xhami të hyjë dritë e mjaftueshme. Në këndet veriore dhe jugore të seksionit shtesë janë shtuar dy çhatri të tjerë. Në krye të çhatrive, janë përdorur zambakë të përmbysur dhe majëza. Numri i përgjithshëm i çhatrive është gjashtë. Në pjesët e shtuara veriore dhe jugore të çatisë janë përdorur bedena dekorative.
Brenda kupolës në vend të bedenave janë përdorur imazhe të shkronjës latine L. Në pjesën e poshtme të kupolës ndodhet një rresht bedenash, të suvatuar dhe lyer me ngjyrë të bardhë. Në krye të kupolës, ndodhet një zambak i përmbysur, që është mbështjellë përreth saj. Në kulmin e zambakut të përmbysur ndodhet një majëzë dekorative, që shihet shpesh në stilin arkitekturor të xhamive të Sulltanatit. Kupolat kryesore dhe ato të kullave këndore janë bërë prej tunxhi.[5]
Mbishkrimet, planimetria, dizajni, dokumentimi dhe disa veçori arkitekturore si trashësia e mureve, lartësia e ndërtesës, kupolat dhe tjegullat gjenden në stilin e Arkitekturës së Sulltanatit. Nga ana tjetër, disa veçori si kupolat e shtuara, bedenat, majëzat, parapetet, kornizat, çhatrit, ndryshimi i lakoreve, dekorimi etj. tregojnë stilin [[Arkitektura Mogule|Arkitekturor Mogul] të kësaj xhamie. Në periudhën koloniale, brenda dhe jashtë xhamisë u gdhendën mbishkrime të çmuara në kaligrafinë islamike. Në brendësi të xhamisë shihen kolona të periudhës koloniale. Në këtë mënyrë Xhamia e Haxhi Baba Saleh është një përzierje unike e Arkitekturës së Sulltanatit, Arkitekturës Mogule dhe asaj koloniale të Bengalit. Por rinovimet e vazhdueshme dhe teprimet i kanë prishur cilësitë e xhamisë duke çuar në shuarjen e tyre.[5]
Mazari
RedaktoMazari i Haxhi Baba Saleh gjendet vetëm pak më në veri-lindje të xhamisë, duke ndjekur stilin arkitekturor të saj. Ai është një shembull i mrekullueshëm i një ndërtese me një kupolë nga Periudha e Sulltanatit të Bengalit, që u rindërtua pasi struktura e tij origjinale u rrënua. Pasi u rindërtua struktura origjinale e mazarit, veranda u zgjerua përreth varrit të afërt. Në anën jugore, ndodhen katër harqe të ndryshme. Në lindje ndodhen 5 harqe kuspore. Në anët veriore dhe perëndimore të verandës së zgjeruar janë shtuar modele të tjera. Një verandë e zgjeruar në anët lindore dhe jugore ekziston akoma. Për më tepër hyrja kryesore e mazarit ndodhet në anën jugore, por ka hyrje edhe në lindje dhe veri.[5]
Fillimisht, kupola mendohet se është vendosur mbi harqe të zakonshëm pendentivë, trekëndorë. Pas rinovimit të paraqitjes së jashtme dhe të brendshme të kupolës harqet pendentivë trekëndorë nuk shihen, duke shfqur një formë të rrumbullakët. Pjesa e jashtme e kupolës është ngjyrosur me të blertë të hapur. Brenda është lyer me gëlqere të bardhë. Përreth kupolës janë pikturuar lule, gjethe, yje dhe zambakë të përmbysur. Përveç yllit të pikturuar me të kuqe, motivet e tjera janë me ngjyrë të gjelbër.
Kupola është dekoruar përreth me rresht bedenash, që paraqitet edhe në hapsirën e tavanit. Megjithëse në pjesën e jashtme ka bedena, në brendësi ja kanë zënë vendin zambakët e përmbysur. Mbi kupolë mund të shihet prania e zambakut të përmbysur me një majëzë në kulm. Kjo është një nga veçoritë më të jashtëzakonshme të arkitekturës së Periudhës së Sulltanatit.[5]
Në këndet e çatisë së sheshtë të mazarit ndodhen katër çhatri. Në këtë seksion mund të shihen dekorime me motive me tre gjethe. Mbi çhatri ndodhen kupola të vogla të dekoruara me bedena. shtyllat mbajtëse të kupolave lidhen me nga dy harqe secila. Kulmi i çhatrive është bërë prej tunxhi.
Megjithëse mazari u ndërtua sipas stilit të Sulltanatit, për shkak të rikonstruksioneve të vjetra, dekorimet fillestare të kësaj strukture janë shumë të degraduara. Shumë dekorime të mazarit janë ndërtuar në përputhje me xhaminë. Përdorimi i zambakut të përmbysur në pjesën e jashtme të kupolës, prania e bedenave, emri "Allah" në mes të bedenave, përdorimi i çhatrive, majëzave dhe motiveve të ngjyrosur të rrathëve, luleve, gjetheve dhe degëve të bimëve brenda kupolës shprehin stilin e dekorimit të mazarit. Mbi verandën e zgjeruar janë përdorur harqe dekorative, dhe motive zbukuruese lulesh, gjethesh dhe gdhendje në gizë. Në krye të këtyre zbukurimeve ndodhet një shkrim në kaligrafinë arabe. Hyrja kryesore e mazarit është bërë gjithashtu prej gize. Gjithashtu në krye të tavanit dhe çatisë pranë varrit është shkruar në arabisht "Allah" dhe "Muhamad".[5]
Gjendja e tanishme
RedaktoMazarin dhe Xhaminë e Haxhi Baba Saleh e vizitojnë shumë njerëz vendas dhe të huaj. Përreth mazarit festohet çdo vit Irashi. Të ardhurat e marra nëpërmjet turizmit mund të ndihmojnë në ruajtjen e ndërtesës historike për brezat e ardhshëm. Sipas listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s shpallur në vitin 1960, xhamia e vetme e listuar ishte një xhami në Turqi, pasi ishte ruajtur forma e saj origjinale dhe përfshinte mjaft zona urbane të përcaktuara që e përfshijnë xhaminë si një trashëgimi të botës islamike. Edhe Qyteti historik Xhamior i Bagerhatit në Bangladesh është përfshirë në këtë listë. Në këtë mënyrë propozimi i futjes në atë listë i qytetit të Narajanganxhit si qytet i vjetër islamik që përfshin mjaft xhami dhe ndërtesa të tjera të trashëgimisë, mund ta rriste turizimin dhe ndihmën e huaj për punimet e restaurimit dhe konservimit.[5]
Për shkak të rikonstruksionit, forma origjinale e Mazarit dhe Xhamisë së Haxhi Baba Saleh kanë ndryshuar tërësisht.[4] Përdorimi i pllakave dhe mozaikëve modernë si dhe ndryshimi i modelit të ngjyrave i ka prishur veçoritë e xhamisë. Stili i dekorimeve të mihrabit është zhdukur tërësisht. Arkitektura e autentike është akoma e dukshme te kupola, konsujt, arkitrarët, çhatrit, mimberi etj. Megjithatë, në vende të tjera mungojnë gjurmë të dekorimeve origjinale. Tashmë ajo përdoret si një xhami xhame, ku banorët e Saleh Nagarit mund të kryejnë pesë lutje në ditë.[5]
Departamenti i Arkeologjisë së Bangladeshit, dhe qeverisja vendore kanë bërë restaurime dhe konservimin e mazarit, por nga këto monumenti e ka humbur pamjen dhe strukturën e tij origjinale. Në këtë ndërtesë, është lehtësisht e dallueshme se xhamia është riformuar në një mënyrë të re dhe nuk janë ndjekur rregullat ndërkombëtare. Tani nuk është e mundur të identifikosh fomat, materialet dhe strukturën origjinale. Restaurimet e mëparshme nuk i kanë ruajtur në mënyrën e duhur veçoritë arkitekturore, duke mos përdorur materialet dhe teknikat origjinale, si dhe ndryshimi i ngjyrave.[5]
Sipas Kartës së Venecies, artikulli 4, 5, 6 dhe 11 të vitit 1964, kontributet e vlefshme të të gjitha periudhave të ndërtimit të monumentit duhet të respektohen për sa kohë uniteti i stilit nuk është synimi i restaurimit. Kur një ndërtesë përfshin punime të mbivendosura të periudhave të ndryshme, ruajtja e gjendjes së paraqitjes mund të justifikohet në rrethana të jashtëzakonshme dhe kur ajo që hiqet ka pak interes dhe materiali që nxiret në dritë ka vlera të mëdha historike, arkeologjike dhe vlera estetike, në mënyrë që gjendja e ruajtjes të jetë mjaftueshëm e mirë për të justifikuar ndërhyrjen. Vlerësimi i rëndësisë së elementeve të përfshirë dhe vendimi se çfarë duhet të prishet nuk mund të mbetet vetëm në përgjegjësi të një individi të ngarkuar me restaurimin.[5]
Restaurimet duhet të zhvillohen në përputhje me standardet shkencore dhe rekomandimet e përcaktuara nga parimet ndërkombëtare për tu zbatuar në rastin e restaurimeve arkeologjike të adoptuara nga UNESCO në vitin 1956. Rrënojat duhet të mbahen dhe të merren masat e nevojshme për konservimin permanent dhe mbrojtjen e veçorive arkitekturore të objekteve. Për më tepër, duhet të ndërmerret çdo masë për të lehtësuar kuptimin e monumentit dhe shfaqjen e tij pa e shtrembëruar domethënien e tij. Mund të lejohet vetëm anastilosat, d.m.th. riasemblimi i pjesëve ekzistuese por të shkëputura, ndërsa rindërtimet janë të përjashtuara a priori. Materiali i përdorur për integrimin duhet të jetë gjithmonë i identifikueshëm dhe përdorimi i tij duhet të siguroi konservimin dhe ripohimin e formës së monumentit. Asnjë ndërtim i ri, shkatërrim apo modifikim që duhet të ndryshoi marrëdhëniet e volumeve dhe ngjyrën nuk duhet lejuar.
Shiko gjithashtu
Redakto- Mauzoleu i Bibi Marjamit
- Xhamia e Bibi Marjamit
- Xhamia e Aurangzebit
- Xhamia Sat Gambuxh
- Xhamia e Kartalab Khanit
- Xhamia e Khan Mohamad Mridhas
- Xhamia e Musa Khanit në Dhaka
- Husaini Dalani
- Xhamia e Binat Bibit
- Xhamia e Shahbaz Khanit
- Dhanmondi Shahi Eidgah
- Azimpur Dajera Sharif Khankah
- Varri i Kolombo Sahibit
- Zamindar Bari i Baishrashit
- Zamindar Bari i Lakshman Sahas
- Zamindar Bari i Kokilpairit
- Ura e Mirkadimit
- Ura e Panamit
- Sonargaoni
- Panam Nagari
- Bikramapuri
- Historia e Bengalit
- Arkitektura e Bangladeshit
- Lista e xhamive në divizionin e Dhakës
- Lista e monumenteve të rëndësishme në divizionin e Dhakës
Referime
Redakto- ^ a b "জেলার সরকারি ওয়েব পোর্টাল". District Government Web Portal (në bengalisht).
{{cite web}}
: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja) - ^ a b c d Perween Hasan (1984). "Eight Sultanate Mosques in Dhaka District". The Islamic Heritage of Bengal (në anglisht). UNESCO. fq. 179–185. ISBN 978-923102174-9.
- ^ Muazzam Hussain Khan (2012). "Baba Saleh". përmbledhur nga Sirajul Islam; Sajahan Miah; Mahfuza Khanam; Sabbir Ahmed (red.). Banglapedia: The National Encyclopedia of Bangladesh (në anglisht). Asiatic Society of Bangladesh. ISBN 984-32-0576-6. OCLC 52727562. OL 30677644M. Marrë më 4 shtator 2022.
- ^ a b Abul Kalam Mohamad Zakaria (2012) [1987]. Bangladesher Prachin Kirti (në bengalisht). Vëll. 2. Divya Prakash. fq. 127. ISBN 984-771-048-1.
- ^ a b c d e f g h i j k l m n Latifa Liza; Mridaha Ratul (2019). "Documentation and Conservation of Haji Baba Saleh Mosque and Tomb, Narayanganj, Dhaka, Bangladesh". International Journal of Civil Engineering (IJCE) (në anglisht). International Academy of Science, Engineering and Technology. 8 (5): 1–16. ISSN 2278-9995.
Bibliografia
Redakto- Muazzam Hussain Khan (2012). "Baba Saleh". përmbledhur nga Sirajul Islam; Sajahan Miah; Mahfuza Khanam; Sabbir Ahmed (red.). Banglapedia: The National Encyclopedia of Bangladesh (në anglisht). Asiatic Society of Bangladesh. ISBN 984-32-0576-6. OCLC 52727562. OL 30677644M. Marrë më 4 shtator 2022.
- Latifa Liza; Mridaha Ratul (2019). "Documentation and Conservation of Haji Baba Saleh Mosque and Tomb, Narayanganj, Dhaka, Bangladesh". International Journal of Civil Engineering (IJCE) (në anglisht). International Academy of Science, Engineering and Technology. 8 (5): 1–16. ISSN 2278-9995.
- Perween Hasan (1984). "Eight Sultanate Mosques in Dhaka District". The Islamic heritage of Bengal (në anglisht). Paris: UNESCO. fq. 179–185. ISBN 978-923102174-9.
- Abul Kalam Mohammad Zakaria (2012) [1987]. Bangladesher Prachin Kirti (në bengalisht). Vëll. 2. Divya Prakash. ISBN 984-771-048-1.