Zamindar Bari i Kokilpairit
Zamindar Bari i Kokilpairit është një rezidencë historike zamindari (pronar feudal tokash në Azinë Jugore) i vendosur në fshatin Panalia të komunës Kolakopa, upazila Navabganxh e distriktit të Dhakës në Bangladesh.[1]
Zamindar Bari i Kokilpairit | |
---|---|
কোকিলপেয়ারি জমিদার বাড়ি | |
Informacion i përgjithshëm | |
Tipi | Rezidencë |
Stili arkitektural | Arkitektura Neo-Klasike |
Vendndodhja | Katundi Panalia, komuna Kolakopa, upzila Navabganxh, distrikti i Dhakës, Bangladeshi |
Koordinatat | 23°39′30″N 90°08′36″E / 23.658329°N 90.143208°E |
Përfundimi | Vitet 1800 |
Pronar | Braxhen Roj |
Technical details | |
Material | Tulla, shufra hekuri dhe surki |
Grounds | 4 acres (1.6 ha) |
Historia
RedaktoNavabganxhi konsiderohet si qyteti i navabëve. Dikur ai ishte i mbushur me zamindarë dhe navabë. Duke u vendosur pranë lumit Içamati, kjo zonë e tërhoqi lehtësisht vëmendjen e zamindarëve (pronarë feudalë tokash). Aty ngarkohej oriz, bizele, vaj, erëza etj. për tu dërguar jashtë me anije. Kolakopa e Navabganxhit është një nga zonat e Bangladeshit që është plot me rezidenca dhe ndërtesa të tjera të vjetra zamindarësh. Dy vëllezër të quajtur Boça Teli dhe Bodha Teli filluan sipërmarrjen e vajit. Më vonë rezidenca e tyre u quajt “Teli Bari”. Gradualisht sipërmarrja u zgjerua dhe Kolakopa u bë zemra e kësaj sipërmarrjeje.[2]
Rezidencat që gjenden në këtë zonë u përkisnin zamindarëve dhe biznesmenëve të pasur hindu, por që asnjë nga familjet e tyre nuk ka mbetur në vend. Pallati i Gjykatësit nuk është ndërtuar nga një gjykatës, as "Ukil Bari" nga një avokat. Ao janë emërtuar sipas banorëve të tanishëm, që janë të pa vetëdijshëm për pronarët origjinalë të tyre. Ajo që gjithë fshatarët dinë sot është se ky ishte një fshat i zamindarëve hindu që i lanë këto rezidenca madhështore dhe Bengalin Lindor, kur u krijua shteti i Pakistanit në vitin 1947, pas ndarjes së Indisë. Disa të tjerë e lanë vendin në vitin 1971, kur u krijua Bangladeshi.[3]
Kolakopa është një shembull i shquar i të sundimit të vendit nga zamindarët hindu në të kaluarën. Popullsia myslimane vendase dhe një pjesë e madhe e hinduve të kastës së ulët ishin diskriminuar nga ata në të kaluarën. Ky trajtim ndryshoi pas ndarjes së Nënkontinentit Indian, pas revoltave të vitit 1964 dhe sidomos gjatë Luftës për Lirinë e Bangladeshit në vitin 1971. Myslimanët u bënë shumicë dhe zamindarët hindu, që i kishin diskriminuar ata më parë, u detyruan të largoheshin. Disa pësuan vdekje të tmerrshme. Këto rezidenca qëndrojnë si dëshmitare të historisë së dhunës së shkarkuar ndaj pronarëve origjinalë të tyre.[3]
Zamindar Barin e Kokilpairit e ndërtoi Braxhen Kumari në vitet 1800, në një sipërfaqe prej rreth 4 acres (1.6 ha). Një tjetër emër i zamindarit ishte Sudarshan Roj.[4]
Në luftën e vitit 1971, shumë zamindarë e lanë vendin për shkak se nuk mund të përballonin shtypjen brutale të ushtrisë së Pakistanit, ndërsa shumë veta humbën jetën. E gjithë Kolakopa u kthye në ferr. Edhe sot, pasardhësit e tyre bartin kujtimin e atyre ngjarjeve të tmerrshme. Rezidencat e vjetra të braktisura dhe tempuj të rrënuar gjenden të shpërndarë në pjesë të ndryshme të Kalakopës.[2]
Përshkrimi
RedaktoNavabganxhi u nxorr në dritë nga navabët/zamindarët pasi ai gjendej në brigjet e lumit Içamati. Megjithëse këto rezidenca janë të shpërndara në të gjithë Navabganxhin, rezidencat më të dallueshme janë ato në zonat e Kalakopës dhe Bandurës. Çdo tullë e këtyre rezidencave të vjetra është punuar me mjeshtri. [5]
Komuna e Kolakopës ndodhet në upazilën Navabganxh, 35 km (22 mi) larg nga Dhaka, kryeqyteti i Bangladeshit. Zona e Kolakopës është një depozitë e madhe e historisë dhe trashëgimisë. Kolakopa është një zonë me një histori rreth 200 vjeçare, që dikur konsiderohej si një vend pelegrinazhi për tregtinë. Në shekullin e XIX, aty u vendosën shumë rezidenca zamindarësh.[4] Në fshatin Panalia të komunës Kolakopa ndodhen të shpërndara shumë rezidenca të vjetra zamindare. Kur ecën përgjatë rrugës së fshatit, mund të shohësh shumë shënja të kohëve të vjetra. Në këtë fshat ndodhen edhe shumë tempuj ose matha të vjetra.[2]
Tanimë, Zamindar Bari i Kokilpairit përdoret si strehim për mësuesit e shkollës së Kolakopës. Zamindar Bari i Kokilpairit mund të shihet që nga rruga, pranë "Pallatit të Avokatit". Dizajni i tij arkitekturor është mbresëlënës. Ai nuk është rinovuar dhe kështu të paktën nuk ka pësuar ndryshime të dizajnit të tij origjinal arkitekturor. Ai ka shtylla të stërmëdha.[5] Përballë tij ndodhet një tempull i rrënuar. Pranë tij ndodhet "Ukil Bari" ose "Pallati i Avokatit" që është në gjendje më të mirë, më tej ndodhet "Braxh Niketani" i Braxhen Sahas, i quajtur "Pallati i Gjykatësit"[1], rezidenca e sipërmarrësit Radhanath Saha, rezidenca e Babu Loknath Saha (e cila njihet si "Math Bari" ose "Teli Bari"), rezidenca e Painas së Madhubabusë, "Ananda Kutiri", ndërtesa e Podarit dhe ajo e Kalit. Gjithashtu, aty ndodhen Tempulli Khelaram Data dhe Tempulli i Mahamaja Devit. Pak më tej ndodhet Kisha e Mbretëreshës së Rruzarit në Hasnabad.[4]
Ndërtesat madhështore përmbajnë elemente të bukura arkitekturore si shtylla dhe balustrada, kopshte dhe shatërvane, dhoma të errëta dhe veranda të ajrosura, por që janë degraduar me kalimin e kohës, të pakujdesuara nga qeveritë pasuese të cilat i kanë marrë.[3]
"Pallati i Gjykatësit" gjendet pranë Zamindar Barit të Kokilpairit, i rrethuar nga një kopësht i bukur me një ujëmbledhës të afërt me ghate, ku rriten peshq dhe një kopësht i vogël zoologjik me drerë. Në kopësht ndodhen mijëra lule të bukura. Emri i hershëm i "Pallatit të Gjykatësit" ishte "Braxh Niketan", sipas ndërtuesit Braxhen Saha. Ai është një nga rezidencat më të bukura në Navabganxh dhe ngjan mjaft me Zamindar Barin e Maherës në Tangail. Bukuria e tij është rritur më shumë për shkak të rinovimit dhe duket sikur është një version më i ri i Zamindar Barit të Kokilpairit. Megjithëse është rinovuar mjaft herë në kohë të ndryshme, ai e ka ruajtur stilin e tij si më parë. Kjo rezidencë gjithashtu ka qindra pemë të bukura të lulëzuara me një ujëmbledhës të madh me ujë të tejdukshëm përballë saj, ku ndodhet një ghat.[4] "Pallati i Gjykatësit" është një rezidencë magjepsëse në Arkitekturën Baroke.[6][5]
"Ukil Bari" (ose "Pallati i Avokatit") nuk ka aq shumë elemente arkitekturore, por është e hapur për publikun. Njerëzit mund të bëjnë piknik përballë ndërtesës. Ai tashmë është rinovuar dhe e ka ndërruar emrin në "Kafeneja dhe Restoranti i Kopshtit Xhharna". Hyrja dhe i gjithë interiori janë dekoruar me drita. Përballë tij ndodhet një ujëmbledhës me ghate. Restoranti në një krahë të pallatit ofron ushqime dhe pije të ndryshme. Pallati i Avokatit tashmë mbushet me vizitorë më shumë gjatë natës sesa ditës. Përballë tij ndodhet një ndërtesë e vjetër e quajtur "Vila Ananda" ose "Ananda Kuriri" (do të thotë pallati i gëzimit), që është e zënë nga pasardhësit e pronarit të saj.[5]
Përballë Zamindar Barit të Kokilpairit ndodhen dy tempuj budistë, brenda njërit prej të cilëve ndodhet një shtatore me kokën e shkatërruar,[6] që sipas banorëve vendas u shkatërrua nga Ushtria e Pakistanit në vitin 1971.[4] Është e çuditshme që përballë shtëpisë së një zamindari hindu gjendet një tempull budist. Kjo është një mister që është e vështirë të zbulohet.[5]
Në zonën e Kolakopës përgjatë rrugës së Zamindar Barit të Kokilpairit është vendosur kampi i forcave të Ansarit (forca vullnetare paramilitare të Bangladeshit). Ai ka një pamje të bukur natyrore duke përfshirë edhe disa nga rezidencat e vjetra të zonës. Ky kamp u zhvillua në një sipërfaqe të madhe për të banuar anëtarët e forcave të Ansarit.[4] Tanimë, rezidencat e vjetra përdoren si banesa për zyrtarët e qeverisë dhe anëtarët e Ansarit. Brenda tij nuk mund të hyj askush pa një leje të veçantë, përveç banorëve dhe zyrtarëve që banojnë.[5]
"Teli Bari" / "Math Bari" është themeluar nga zamindar Loknath Saha. Ai kishte një biznes vaji (tel në bengalisht), prandaj njerëzit e njohin këtë rezidencë si "Teli Bari". Rezidenca ndodhet në fushën e Ansarit, kështu që hyrja është e ndaluar. Përballë pallatit janë vendosur banka për tu prehur përgjatë brigjeve të lumit Içamati.[5]
Pas kalimit të kampit të Ansarit duke ecur përgjatë rrugës në të djathtë (lumi Içamati në anën e majtë), shihet Zamindar Bari i bukur i Painës, i ndërtuar nga zamindar Madhubabu. Në këtë rezidencë tashmë jetojnë trashëgimtarët e tij, djali, dhëndri dhe nipërit, por, për shkak të varfërisë, shumica e rezidencës është shitur. Pjesa e shitur fatkeqësisht është ndarë me një mur. Përgjatë rrugës nga rezidenca e Painës, shfaqen ndërtesa e Podarit dhe e Kalit si dhe shumë ndërtesa të tjera.[5]
Nga këto ndërtesa, dallohen Rezidenca e Shmbhunathit, që është një ndërtesë e vjetër dy-katëshe, pronari i të cilës ishte Shambhunath Saha. Asnjë nga pasardhësit e tij nuk jetojnë aty, kështu që ndërtesën e ka marrë qeveria dhe në të jetojnë anëtarët e forcave të Ansarit. Shtëpia e Gopinath Çandrës, gjyshi i të cilit, Kali Das Gosvami ishte zamindar. Ai u vra nga ushtria pakistaneze në luftën e vitit 1971, megjithatë, familja e tij qëndroi aty edhe më vonë. Tani ai e mban familjen e tij duke shitur fruta. Para shtëpisë së Gopinath Çandrës, ndodhet Devan Bari dhe dy ndërtesa të tjera të panjohura.[2]
Tempulli Khelaram Data (i quajtur edhe "Andhar Kota" që do të thotë pallati misterioz). Njerëzit e quajnë këtë Nobo Kutir, Pallati i Radha Nath Shahas, etj.[6] Kompleksi i ndërtesës që është më i madh se shumica e ndërtesave të Kolakopës, dikur ishte qendra e vëmendjes së çdokujt, por për shkak të mungesës së rinovimit dhe mirëmbajtjes, tashmë është pothuajse i rrënuar. Sipas legjendës, thuhet se kjo ndërtesë u ndërtua deri në katin e tretë brenda një nate. Në krye të ndërtesës ndodhet një taracë e madhe. Thuhet se një ditë, kur nëna e Khelaramit donte të pinte qumësht, ai urdhëroi të ndërtohej një depozitë që e mbushi me qumësht e mango dhe e çoi nënën e tij atje. Pranë kësaj rezidence ndodhet edhe një ujëmbledhës i madh, për të cilin thuhet se nëse dikush vinte në buzë të tij dhe kërkonte diçka, ditën tjetër e gjente aty.[4]
Xhamia Shahi Vanga është një xhami 400 vjeçare që për shkak se një pjesë është e rrënuar, njihet edhe si "Xhamia e Rrënuar". Sipas legjendave thuhet se kjo xhami u ndërtua në mënyrë të mbinatyrshme brenda një nate. Por para se të ndërtohej plotësisht, në orët e para të natës ajo u pa nga një njeri. Për shkak se nuk duhet të shihej para se të ndërtohej plotësisht, ajo mbeti e pa mbaruar në sytë e njerëzve.[4][5]
Pranë vendit të quajtur Maxhhir Kanda e Navabganxhit gjendej një shtatore me shtatë koka. Ky idhull i krijuar nga banorët hindu, gjendet poshtë një një peme shumë të madhe banjani. Çdo vit përreth këtij idhulli organizohen ceremoni adhurimi puxha dhe panaire.[4] Por, tanimë, idhulli nuk ekziston më.[5]
Kisha e Mbretëreshës Xhopmala të Rruzares në zonën Hasnabad të Navabganxhit u ndërtua në vitin 1777. Përreth saj janë vendosur shumë kampe misionare. Hë për hë, është e paaksesueshme për publikun e gjerë.[5]
Shiko gjithashtu
Redakto- Zamindar Bari i Baliparës
- Zamindar Bari i Baishrashit
- Zamindar Bari i Lakshman Sahas
- Zamindar Bari i Delduarit
- Zamindar Bari i Hemnagarit
- Zamindar Bari Çoudhuri i Nagarpurit
- Zamindar Bari i Dhanbarit
- Zamindar Bari i Maherës
- Mojez Manzili
- Zamindar Bari i Baliadit
- Zamindar Bari i Baliatit
- Raxhbari i Muraparës
- Zamindar Bari i Teotas
- Sonargaoni
- Panam Nagari
- Bikramapuri
- Budizmi në Bangladesh
- Hinduizmi në Bangladesh
- Historia e Bangladeshit
- Arkitektura e Bengalit
- Lista e monumenteve të rëndësishme në divizionin e Dhakës
- Lista e vendeve arkeologjike në divizionin e Dhakës
Referime
Redakto- ^ a b Farooq Ahmed (9 shtator 2016). "ঢাকার কাছেই ইতিহাস ও ঐতিহ্যের নগর". Bangla Tribune (në bengalisht). Arkivuar nga origjinali më 10 shtator 2019. Marrë më 12 shtator 2019.
- ^ a b c d "Old Jamindar Houses of Nawabganj-Travel Guide". travelwherebd.com (në anglisht).
- ^ a b c Deep Halder (6 gusht 2023). "Hindu havelis near Dhaka tell a story – of zamindars, oppression, Partition". The Print (në anglisht).
- ^ a b c d e f g h i "ইতিহাস ও ঐতিহ্যের নগর দোহার-নবাবগঞ্জ". Ekushey TV (në bengalisht). 22 shtator 2017. Marrë më 12 shtator 2019.
- ^ a b c d e f g h i j k "Best Places to Travel in Nawabganj, Dhaka". travelwherebd.com (në anglisht).
- ^ a b c "Old buildings from Kolakopa – Bandura" (në anglisht). Lonely Traveler. 5 janar 2012.