Xhemal Broja
Xhemal Broja (Shkodër, 24 mars 1918 - 1976) ka qenë anëtar i Grupit Komunist të Shkodrës, dramaturg dhe pedagog.
Biografia
RedaktoLindi në Shkodër, në gjirin e një familjeje qytetare, i biri i juristit dhe deputetit Zenel Broja.[1][2] Në vendlindje ndoqi kolegjin saverian, por pasi shkollat fetare u mbyllën me ligjin Ivanaj, kaloi në Gjimnazin e Shkodrës së bashku me Qemal Stafën. Së bashku me Stafën, Pipën, Gjeçin dhe Radin, morën kontrollin e shoqërisë "Besa shqiptare", e cila qe formuar më 1931 nën drejtimin e Ernest Koliqit. Ata u dhanë pas organizimit të shfaqjeve teatrale amatore, si dhe botimit të revistës "Shkëndija", ku shkruante edhe Broja. Me prurjen e literaturës në gjuhën serbe nga Vasil Llazari dhe takimet në shtëpinë e Selim Shpuzës, edhe Broja u bë pjesë e celulave të para të Grupit Komunist të Shkodrës.[3] Vijoi studimet e larta me bursë shtetërore në Fakultetin e Jurisprudencës në Grenobël të Francës. Atje ndiqte njëherësh kursin e letërsisë dhe dramaturgjisë. Në këtë periudhë aktivizohet në lëvizjen e Partisë Komuniste Franceze.
Kur u pushtua Shqipëria më 7 prill 1939 të rinjtë antifashistë shqiptarë me studime në Francë protestuan bashkë me ata francezë përballë konsullatës italiane. Aty Xhemal Broja hartoi dhe mbajti fjalimin e rastit. Për arsye financiare ndërpret studimet në Grenobël për t’i vazhduar në Itali përkrah shoqes së tij Selfixhe Ciu dhe Qemal Stafës. Edhe këtu vijon angazhimi antifashist sa vendos të ndërpresë studimet dhe të kthehet në Shkodër ku çifti hap një librari që rrezaton kulturë dhe patriotizëm mes të rinjve.
Mbas demonstratës së 22 shkurtit 1942, të akuzuar si organizatorët kryesorë, i arrestojnë të shoqen, ndërsa Xhemal Broja kaloi në ilegalitet dhe hidhet në zonën e Postribës ku krijohet një bërthamë partizane e cila më vonë bëhet batalioni “Perlat Rexhepi”.
Në gusht 1944 e deri në çlirimin e vendit ai drejtoi teknikën e shtypit ilegal. Ndërkohë që ishte anëtar i Kryesisë së Këshillit Nacional Çlirimtar të qarkut.[4]
Pas çlirimit
RedaktoMë 23 mars 1946 Xhemal Broja dhe e shoqja u përjashtuan nga partia për shkak se shtroi çështjen e Kosovës në mbledhje qarkori.[5]
Pas luftës u thirr në Tiranë për organizimin e Teatrit Popullor ku punoi për 20 vjet si drejtor e dramaturg dhe njëherësh kontribuoi në organizimin e teatrove të tjerë të Operës e Baletit, Teatrit të Kukullave dhe atyre në rrethe. Punoi në Institutin e Lartë “Aleksandër Moisiu” për përgatitjen e studentëve në kushtet e mungesës totale të teksteve.
Broja arriti të përpilonte tekste si Mjeshtëria e aktorit, Historia e Artit Dramatik, Metodika e artit teatral, Fjalori teatral, Historia e teatrit shqiptar, Historia e Teatrit Botëror etj.
Teatri
RedaktoPrirjen për teatër e kishte shfaqur qysh në adoleshencë, sidomos me emërimin Skënder Luarasit në gjimnazin e Shkodrës. Drama e tij e parë titullohet “Spiuni” dhe u shfaq me sukses në disa qytete të vendit. Drama tjetër “28 nëntori” u pezullua, por siç dëshmon e shoqja në kujtimet. Si dramaturg shkroi dramat Nën okupacion, Përleshja, Bajram Curri, Majlinda, Rrënjë të thella. Ka përkthyer vepra si Shkolla e burrave, Zëvendësi, Valsi i Titanikut, Qeni i kopshtarit vepër e përkthyer në bashkëpunim me të shoqen, një pjesë e të cilave kanë mbetur në sirtarët e institucioneve ose në arkivën familjare.[4]
Persekutimi nga regjimi komunist
RedaktoVazhdimisht të mbikëqyrur ata vendosën të vetizoloheshin për të evituar ndonjë kurth që nuk mund të ishte i pashmangshëm. Në janar 1947 i internojnë në Kurvelesh. Pas prishjes me jugosllavët iu hoq masa e internimit. I çuan fillimisht në Elbasan dhe më pas në Tiranë ku shumë të tjerë si ata, të rehabilituar i besonin “kthesës”. I qarkullojnë në Kuçovë. Nuk i kishin harruar armiqtë e vjetër. Në 1966 i internojnë sërish, bashkë me vajzën 15-vjeçare në Sektor të Lushnjes si bujq ku u rropaten baltrave të Myzeqesë.
Referime
Redakto- ^ "Ligjvënësit 1920-2013" (PDF). Arkivuar nga origjinali (PDF) më 20 tetor 2020. Marrë më 7 mars 2018.
- ^ Kaloçi, Dashnor (30 mars 2002). Si u persekutuan intelektualët Xhemal e Selfixhe Broja: Historia tragjike e intelektualëve të njohur që studiuan në Francë e Itali: Si vuajtën në internime nga komunistët. Tiranë: Gazeta shqiptare. fq. 12–13.
- ^ Dervishi, Kastriot (2016). Lëvizja komuniste në vitet 1924-1944 dhe formimi i PKSH-së. Tiranë: 55. fq. 147–149. ISBN 978-9928-106-38-4.
- ^ a b Demo, Elsa (17 gusht 2006). "Jeta dhe teatri i një ish-komunisti". Shekulli. fq. 22–23. Arkivuar nga origjinali më 2 nëntor 2019. Marrë më 7 mars 2018.
- ^ Prençi, Mexhit (24 mars 2003). Xhemal Broja, intelektual i shquar dhe personalitet i Teatrit Shqiptar. Tiranë: 55. fq. 20–21.