Pashk Gjeçi
Pashk Gjeçi (Shkodër, 7 shtator 1918 - Tiranë, 21 janar 2010) ka qenë poet, publicist, kritik, arsimtar dhe përkthyes shqiptar. U shqua për përkthimet e veprave të autorëve klasikë, si Komedinë Hyjnore të Dantes, Odisenë e Homerit, pjesën e parë të Faustit të Gëtes si dhe Andromakën e Atalinë e Rasinit.
Pashk Gjeçi | |
---|---|
U lind më | 7 shtator 1918 Shkodër |
Vdiq më | 20 janar 2010 Tiranë |
Kombësia | shqiptar |
Gjinitë letrare | shqipërues |
Çmime | "Ordine della stella, della solidarietà italiana" |
Biografia
RedaktoU lind në mëhallën Arra e Madhe në gjirin e një familjeje tregtarësh të vegjël, i biri i Gasprit dhe i Nines (Antonjetës). Pas vdekjes së të atit, Pashku mbeti me të ëmën dhe dy motrat, Nikoletën dhe Margaritën. Pas mbarimit të shkollimit fillor, nisi Kolegjin Saverian gjatë viteve 1930-34.[1]
Me ligjin Ivanaj, shkollat fetare u mbyllën dhe nxënësit kaluan në gjimnazin shtetëror të Shkodrës, 1934-'38. Kishte në klasë nxënës si Arshi Pipa, Lazër Radi, Xhemal Broja, Kolë Ashta dhe në bankë qe me Qemal Stafën - disa prej të cilëve i njihte që nga kolegji i jezuitëve.[1] Nga mësuesit çmonte më shumë Çabejn dhe Pashko Gecin, ky i fundit i jepte mësim greqishten e lashtë dhe latinishten.[2] Gjatë gjimnazit nisi të sprovohej edhe në përkthime, duke filluar me poezitë e Dantes, Petrarkës, Leopardit; por edhe shkruante vetë, krijimet dhe përkthimet e veta i botonte tek "Cirka" me pseudonimin Surgens.[1]
Në sajë të rezultateve në gjimnaz, ministria e Arsimit i akordoi një gjysëm burse, përmes së cilës nisi Fakultetin e Letërsisë dhe Filozofisë në Romë më 1938, ku do të gjendeshin edhe miqtë e gjimnazit L. Ljarja, Ashta dhe Radi. Vazhdoi përkthimet, poezitë dhe kritikat, të cilat botoheshin në Shqipëri tek të përkohshmet "Cirka", "Shkëndija", "Hylli i Dritës" (ku iu botua edhe një shkrim për Lahutën e Malcís). Më 15 korrik 1942 u diplomua në atë fakultet me rezultate të shkëlqyera,[2] me tezë diplome "Jeta dhe vepra e Dom Ndre Mjedës".[1] I grishur për të punuar asistent-pedagog Gjeçi nuk pranon dhe i nxitur nga Koliqi për të dhënë kontributin e vet në atdhe, u kthye po atë vit.
Ministria e Arsimit e asaj kohe e caktoi në Shkollën e Mesme Femnore në Shkodër, si profesor të letërsisë dhe latinishtes, duke mos i ndërprerë përkthimet që ia niste "Shkëndijës". Pas Çlirimit u transferua në Durrës, ku mori edhe familjen, dhe nisi të jepte mësim në shkollën e qytetit. Zuri shoqëri me Jusuf Vrionin, dhe ishte zgjedhur të kryente funksionin e Kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve për degën e Durrësit.
Më 4 shtator 1947 u ndalua me akuzën "Pjesëmarrje në grup kundër pushtetit" dhe u dënua me pesë vjet heqje lirie,[2] ky dënim vinte si lehtësim për shkak të deponimeve.[3] Dënimin e kaloi në Durrës, Vloçisht dhe në kënetën e Maliqit gjatë verës[1] - i përmendur nga Ejëll Çoba që s'e linin të punonte ngase qe shumë i hajthëm.[4] U lirua më 1952, vit kur u vendos edhe njëherë familjarisht në Shkodër, ku për të jetuar nisi të bënte punë krahu. Më 1953-'54, TOB-i i kërkoi që të përkthente Traviatën e Giuseppe Verdit.
Më 1954-'58 u caktua si mësues në shkollën tetëvjeçare të Fushë-Krujës, kohë kur ia nisi përkthimit të Komedisë Hyjnore. Pasi ia tregoi sprovat e para mikut të tij Llazar Siliqi dhe duke ia shtjelluar nevojat, ky e këshilloi që t'i niste një letër Enver Hoxhës për kushtet që lypeshin për kryerjen e punës: biblioteka, konsultime. U lejua që të vendosej në Tiranë familjarisht,[2] ku më 1959 nisi punë në gjimnazin "Qemal Stafa" në kryeqytet, si dhe me ndihmën e Siliqit iu botuan në revistën "Nëntori" fragmente të përkthyera nga Ferri i Komedisë, ndërkaq pas një viti Ferri u botua i plotë. Prej bujës së përkthimit që i ishte bërë në gjuhën ruse nga Mikhail Lozinsky (Çmimi "Stalin",[1] 1946)[5] dhe pragut të 700 vjetorit të lindjes së poetit italian, drejtori i shtëpisë botuese Nasho Jorgaqi pasi Noli nuk e kishte pranuar që ta merrte përsipër përkthimin e veprës, iu drejtua Gjeçit. Më 1962 Komedia Hyjnore u botua e plotë në gjuhën shqipe, me parathënie nga Siliqi, përkthim për të cilin iu dha një shpërblim prej 300 mijë lekësh të vjetra.[2] Më 1963 ia nisi përkthimit të Odisesë nga greqishtja e lashtë, duke pasë variantet italisht dhe frëngjisht të veprës, për ta bërë më të gjallë shpenzon gati krejt honoraret e Komedisë për të shkuar në Durrës të kundrojë detin.
Më 1964 u martua me Gjystina Kapedanin dhe së bashku u trashëguan me një vajzë, Antonjetën. Mirëpo kushtet e vështira e shtynë çiftin që të ndahej. Më 1965 vazhdoi si mësues në shkollën e natës në Kombinat[1] si dhe në shkollën e gjuhëve të huaja, më pas e quajtur "Asim Vokshi";[6] 1968-1972 dha gjuhë latine në Fakultetin e Mjeksisë. Ndërkohë, më 1969 Komedia botohet në Kosovë. Me ndërmjetësinë e mikut Mark Dema, martohet me Nezaqet Gaganin. Me heqjen e latinishtes nga programi mësimor më 1972, nisi punë si korrektor tek shtëpia e librit shkollor deri në daljen në pension në shtator 1978. Më 1976 iu botua përkthimi i Odisesë me parathënie të Myzafer Xhaxhiut.[1]
Me rënien e regjimit komunist dhe ardhjen e viteve 2000' përkthimet e klasikëve që kishte bërë u ribotuan, ndërsa disa përkthime të tjera që i kishin ngelur në dorëshkrim u botuan së pari, vepra si Fausti i Gëtes (pjesa e parë, 2008), Andromaka dhe Atalia e Rasinit (2010). Ndërroi jetë më 21 janar 2010 në apartamentin e tij tek Shallvaret, në Tiranë.
Mirënjohje
RedaktoShoqata italiane "Dante Alighieri" në vitet e '70 vlerësoi ndërkombëtarisht shqipërimin e Gjeçit si njërin ndër tre përkthimet më të mira në botë të "Komedisë Hyjnore". Gjeçi u dekorua nga Presidenti Italian Çampi më 2004 me "Ordine della stella, della solidarietà italiana" për përkthimin e Dantes. Laureat edhe i disa çmimeve të tjera kombëtare dhe ndërkombëtare. Për 90-vjetorin e lindjes, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e Shqipërisë i akordon Çmimin Kombëtar të përkthimit "Fan Noli", për përkthimin e veprës "Fausti" (Pjesa 1.) të Gëtes.
Referime
Redakto- ^ a b c d e f g h Radi, Jozef (2 gusht 2013). "Skeda biografike e Pashko Gjeçit". radiandradi.com.
{{cite web}}
: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja) - ^ a b c d e Kaloçi, Dashnor (13 janar 2008). "Pashko Gjeçi: "Si e bëra Dante Alighierin të flasë shqip": [historia e dhimbshme e një prej kolosëve më të mëdhenj të letrave shqipe, studiuesit dhe shoqëruesit të famshëm, me origjinë nga Shkodra që përktheu "Komedinë Hyjnore", "Odisenë"]". Shqip (gazetë) (10): 18–19.
- ^ Radovani, Fritz (26 nëntor 2013). "Yjet e kombit nuk shuhen me ujë e as mbulohen me baltë". floripress.blogspot.com.
{{cite web}}
: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja) - ^ Çoba E., "Jetë e humbun", Mediaprint, Tiranë 2010.
- ^ Tavoni, Mirko (12 korrik 2022). "The Divine Comedy in translation (second part)". newitalianbooks.it (në anglisht).
{{cite web}}
: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja) - ^ Çuçka, Shpëtim (13 nëntor 2005). "Pashko Gjeçi, përkthyesi i madh i vargut". forumishqiptar.com.
{{cite web}}
: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)