Ali pashë Gucia

politikan shqiptar
(Përcjellë nga Ali Pashë Gucia)

Ali pashë Shabanagaj i njohur më së shumti si Ali pashë Gucia (1828 - 5 mars 1888) ka qenë çifligar, funksionar i Perandorisë Osmane dhe kryetar ushtarak i Lidhjes të Prizrenit, ku u shqua në krye të aksionit të njësive të Lidhjes në mbrojtje të Plavës dhe Gucisë.

Ali pashë Gucia
Emri i lindjesAli bej Shabanagaj
Në aleancë mePerandoria Osmane
Shërbimi/degaLidhja e Prizrenit
Vite shërbimi1845-1888
Gradapashë, bejlerbej
Betejat/luftratBeteja e Nokshiqit

P. Gjergj Fishta e paraqet si figurë qendrore te kënga e 8 dhe e përmend edhe te kënga e 9 e veprës së tij Lahuta e Malcís.[1][2]

Biografia Redakto

U lind më 1828 në Plavë[3] ose në Guci, i biri i Hasan[4] ose Hysen bej Shabanagës.[5] Shabanagajt i përkisnin fisit të Gruemirës nga Malësia e Shkodrës, i pari i tyne Shaban Aga kishte qenë dhëndërr i Sulejman Pashës, sanxhakbeut të Shkodrës.[6] Familja e tyre ka qenë brez pas brezi kryetare e bajraktarëve të krahinës, kishin privilegje,[7][8] dhe prona në nahijen e Vasojeviqit, në Guci dhe në Beranë. Por këta prona i humbi më 1858, kur zona u bë pjesë e Malit të Zi dhe sistemi feudal osman mbaroi me reformat e Tanzimatit.[3] Ndoqi dhe kreu medresenë në Pejë dhe shkollën ushtarake në Stamboll. Më 1845 u caktua kajmekam i kazasë së Gucisë, duke pasuar të atin në atë zyrë. Në luftën e parë osmano-malazeze mori titullin pashë dhe i priu 5,000 bashibozukëve shqiptarë. Në vitet gjashtëdhjetë mbështeti lëvizjen e fiseve muslimane shqiptare kundër reformimeve që do të aplikoheshin në sajë të Tanzimatit, që do t'i mpakte privilegjet e vjetra.

Shërbeu në Luftë Ruso-Turke, ku luftoi në betejën e Moraçës më 11 qershor 1877,[3] ku pati si komandant të fuqive shqiptare Mehmet pashë Maxharrin.[9][10] Qe ndër nismëtarët për vetëdijësimin e shqiptarëve të trevave të Gucisë, Plavës dhe Rugovës që merreshin vesh për rrezikun që u kanosej nga Traktati i Shën Stefanit.[11] Sipas caktimeve nga Lidhja e Prizrenit, në krahinat ku Ali Pasha qeveriste, u dha urdhëri të organizoheshin 2,000 shpirtra në Guci dhe 2,000 në Rugovë.[12] Shkoi shpesh në Stamboll që të negocionte me Sulltanin dhe iu dha titulli mir-i miran.[3] Pasi Porta caktoi Mehmet pashë Maxharrin si komisar të lartë për të mbikëqyrur dorëzimin e territoreve (Plavës dhe Gucisë, Malit të Zi), ky i kërkoi Ali Pashës kur ky kishte rënë në Gjakovë që të kërkonte ndihma të tjera, që të shpërndante fuqitë që kishte organizuar në Guci e në Plavë; ky iu përgjigj që "nuk do ta bënte kurrë një tradhëti të tillë".[13]

 
Ali Pasha (ulur, nga e majta) me Haxhi Zekën (ulur në mes) dhe Kadri Bajri (bajraktari i Rugoves) ne te djathtë dhe anëtarë të tjerë të Lidhjes së Prizrenit.

Pasi edhe Kongresi i Berlinit ripohoi qëndrimet e traktatit për viset e Plavës dhe Gucisë, Ali Pashë Gucia nxiti krerët e krahinës, mes të cilëve Jakup Ferrin i cili u mundësoi gatishmërinë e fiseve të Gashit dhe Krasniqes. Mali i Zi pasi mori garancinë që mund t'i zinte ushtarakisht viset, u prit me armë nga forcat e Lidhjes në Velikë, Pepiç dhe Nokshiq. Qëndresa shqiptare pati një jehonë të bujshme edhe në shtypin evropian, i cili nisi të merrej me çështjen shqiptare.[14] Pas luftimeve për mbrojtjen e Hotit dhe Grudës, u caktua Ulqini për t'u dhënë malazezëve. Ali Pashë Gucia shkoi në Pejë e Prizren dhe nisi njerëz në Dibër që të nxirrte kushtrimin për të mbrojtur Ulqinin. Korrikun e 1880 u paraqit në Ulqin me 3,500 shqiptarë për të penguar dorëzimin e qytetit.[3] Gjatë Luftës së Ulqinit, sipas dokumenteve britanike, nxiste sulme të kombinuara kundër malazezëve[15] më 19 gusht 1880.[16]

Nuk dihet gjësendi për qëndrimin e tij në muajt kur kryesia e Lidhjes dëboi autoritetet osmane, por kur erdhi Dervish Pasha për të rikthyer rendin shtetëror, Ali Pasha u dorëzua.[3] Me amnistinë e Sulltan Abdyl Hamidit, iu dhurua çifligu i Agabashit afër Shkupit dhe pas dëshirës së tij u emërua mytesarif i Pejës si shpërblim për qëndrimin e tij centralist përgjatë veprimtarisë së Lidhjes.[14] Më pas Ali Pasha çoi të rinj shqiptar që të shërbenin në gardën e sulltanit.[17]

Mbante pranë vetes një përkthyes për të huajt, i cili fliste italisht dhe gjermanisht, kurse turqisht dhe serbisht dinte vetë.[18]

Më 29 nëntor 1887 iu bë një pritë nga Adem Guska (Guzka është në raportin konsullor të 5 dhjetorit 1887, faqe 1) në Grykë të Rugovës[19] të organizuar nga Haxhi Zeka, kryetar i kahut radikal të Lidhjes. Haxhi Zeka ishte në mënyrë të veçantë i armiqësuar me bejlerët e Pejës, Mahmutbegollët, dhëndërr i të cilëve ishte Gucia.[3] Pritës i mbijetoi, por vdiq më pas më 5 mars 1888.[20][21] Burime të tjera pohojnë se u vra nga rugovasi Haxhi Meta, shprehimisht njeri i Haxhi Zekës, më 1307 h. Malije (1892/93) në çarshi të Pejës.[22]

Referime Redakto

  1. ^ Fishta, Gjergj; Robert Elsie; Janice Mathie-Heck (2005). The highland lute: (Lahuta e malcís): the Albanian national epic (në anglisht). Centre for Albanian Studies (London, England). I.B.Tauris. fq. 65–73. ISBN 1-84511-118-4.
  2. ^ Gawrych 2006, p. 62.
  3. ^ a b c d e f g Hasan Kaleshi (1976). "Gucia, Ali Pascha". Biographisches Lexikon zur Geschichte Südosteuropas (në gjermanisht). Vëll. 2. München. fq. 101–103.{{cite book}}: Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja)
  4. ^ Robert Elsie (2012-12-24). A Biographical Dictionary of Albanian History (në anglisht). I.B.Tauris. fq. 183. ISBN 978-1-78076-431-3. born into the Shabanagaj family
  5. ^ Zeitschrift für Balkanologie (në gjermanisht). R. Trofenik. 1983. fq. 140.
  6. ^ Dedushaj, Rexhep (1993). Krahina e Plavë-Gucisë nëpër shekuj. New York.
  7. ^ Belegu 1939, p. 81.
  8. ^ K.J. Trübner (1971). Der Islam: Zeitschrift für Geschichte und Kultur des islamischen Orients, Volume 47 (në gjermanisht). fq. 96.
  9. ^ Belegu, Xhafer (1939). Lidhja e Prizrenit e veprimet e sajë. Tiranë: Kristo Luarasi. fq. 46.
  10. ^ Beqir Meta; Ferit Duka; Marenglen Verli (2008). Dokumente austro-hungareze për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit I. Tiranë-Prishtinë: Albanica. fq. 276. ISBN 9789951873536.
  11. ^ Belegu 1939, p. 16.
  12. ^ Belegu 1939, p. 38.
  13. ^ Belegu 1939, p. 50.
  14. ^ a b Belegu 1939, pp. 71, 79-80.
  15. ^ Dauti, Daut (2012). Çështja shqiptare në diplomacinë britanike 1877-1880. Shkup-Prishtinë-Tiranë: Logos-A. fq. 331, 370. ISBN 9789989584657.
  16. ^ Belegu 1939, p. 115.
  17. ^ Gawrych, George (2006). The Crescent and the Eagle: Ottoman rule, Islam and the Albanians, 1874–1913 (në anglisht). London: IB Tauris. fq. 81. ISBN 9781845112875.
  18. ^ Verli, Marenglen (2006). Nga Kosova për Kosovën: profile biografike personalitetesh dhe luftëtarësh të shquar: studime, skica, publicistikë, dokumente, ilustrime, Band 1. Botimpex. fq. 38. ISBN 9789994380114.
  19. ^ Bexheti, Nuri; Islamaj, Selver (2018). Shkruar në Prishtinë. "Situata politike dhe përshtypjet e të huajve mbi Vilajetin e Kosovës gjatë viteve 1880-a". Revista Kosova. Prishtina: Instituti i Historisë - Prishtinë. 43: 59-60.
  20. ^ Bexheti, Nuri; Islamaj, Selver (2018). "Situata politike dhe përshtypjet e të huajve mbi Vilajetin e Kosovës gjatë viteve 1880-a". Revista Kosova. Prishtina: Instituti i Historisë - Prishtinë. 43: 59.
  21. ^ Haus-, Hof- und Staatsarchiv, PA XXXVIII, Karton 263, Prizren më 5 dhjetor 1887, fq 4-5, si dhe HHStA, PA XXXVIII, Karton 270, Prizreni më 5 mars 1888, fq 7 dhe atij të 16 mars 1888, fq 5.
  22. ^ "Gjurmime albanologjike: Seria e shkencave historike, Volume 17". Prishtinë: Instituti Albanologjik. 1988. fq. 140.