Arrëza është një fshatkomunën Mirasrrethin e DevollitShqipërisë. Është vendosur në lartësinë 1030 m mbi nivelin e detit, buzë lumit Devoll i cili buron nga mali i Gramozit. 80% e fshatit ka pozicion Jugor dhe vetem 20% kundrejt Veriut.

Arrëz
Popullsia
 • Gjithsej600
Faqja zyrtareE Dua Arrzën

Arrëza është një fshat malor, i vendosur në lartësinë 1030 m mbi nivelin e detit, buzë lumit Devoll i cili buron nga mali i Gramozit. Arrëza është e pozicionuar në qëndër të nën-rajonit etnografik të quajtur Devolli i Sipërm ku përfshihen edhe fshatrat Dardhë, Sinicë, Qytezë dhe Nikolicë. Fshati është një vendbanim i hershëm, rreth 600-vjeçar, me tradita të forta kulinarie të përpunimit artizanal të produkteve bujqësore dhe blegtorale, duke i shtuar kështu potencialin turistik. Shtëpitë e ndërtuara mahnitshëm në strehë të njëra-tjetrës mbajnë ende në këmbë traditën, zakonet apo legjendat e vjetra, të shkruara nëpër gurë të gdhendur, oborre të shtruara mirë dhe sokakë të gjerë. Aktiviteti ekonomik kryesor është bujqësia, e cila zhvillohet kryesisht përgjatë Luginës së Devollit. Fshati është i njohur në zonë për Dobërgorën apo Malin e Mirë dhe Vakefin e saj, nje objekt kulti Pagan që tërheq vizitorë nga i gjithë Devolli dhe Korça.

Emërtimi

Redakto

Sipas të dhënave gojore, por edhe të dokumentuara, themelet e para të fshatit janë hedhur në një “arë të vogël” në mes të pyllit, ku banorët ishin të izoluar prej luftrave të kohës. Për këtë edhe fshati ka marrë emërtimin Arrëz, pra një arë e vogël.

Historia

Redakto
 
Maj 1913, Çeta Arrzare me në krye Demirali Arrzën
 
Arrëza, 2 Maj 1941

Sipas gojëdhënave dhe materialeve të shkruara nga arkivat e kohës, mësojmë se Arrëza është një vendbanim rreth 600 vjeçar. Fshati Arrëz është themeluar nga familje të cilat bashkë me bagëtinë e tyre zinin vend në brendesi të maleve për t’ju shmangur luftrave të kohës. Emërtimi i fshatit mund të shpjegohet me fjalën “arrë e vogël”, tokë e punueshme ku banorët e parë u vendosën dhe hodhën themelet. Banorët e parë qenë të besimit Ortodoks deri në fillim vitet 1700, kur u detyruan të konvertoheshin në myslimanë nga pushtuesit Osmanë. Kjo gjë dokumentohet nga papa Spiro Zengo, në bazë të rrëfimeve të të atit klerik me origjinë nga Arrëza, papa Nikolla Zengo: Sipas traditës familjare, ky klerik, famulltar i Arrzës, pasi ishte periudha ku ajo me detyrim po ilsamizohej, duke mos dashur që të ndëronte besë e të bëhej mysliman, u strehua në Dardhë, ku dhe shumë familje të tjera kishin filluar të mblidheshin rreth famulltarit. Sipas të dhënave të shkruara në Historikun e Dardhës, nga ky fis kanë vazhduar të drejtojnë kishën Ortodokse pesë breza nga fisi Zengo.

Gjeografia

Redakto
 
Hartë Gjeografike, Arrëza dhe fshatrat përreth

Arrëza është një fshat malor i thyer, buzë Lumit Devoll, i cili e ndan fshatin në dy pjesë. 4/5 e fshatit është vendosur në krahun Verior të lumit dhe me ekspozim nga Jugu, dhe 1/5 në pjesën Jugore të lumit, me ekspozim nga Veriu.

Arrëza shtrihet në një lartësi prej 1,050 m mbi nivelin e detit. Ka terren të thyer malor, e rrethuar me male si Gramozi në Jug-perendim, Mali i Kuq në Perëndim, të cilët lidhen nga Qafa e Kazanit dhe nga kodrat e veshura me ahishte dhe pisha, si: Dobijoti, Vraca, Maja e Gremit, Kolimereja, Liseci, Dobërgora, Meniku, Popoveni, Bozjaku.

Arrëza kufizohet nga fshatrat: Dradhë në Veri, me nje distance prej 4 km; në Perëndim nga Kamenica, 7 km; në Jug-perëndim nga Nikolica, 5 km; në Jug ndodhet kufiri me shtetin Grek; në Jug-lindje nga Qyteza, 5 km; në Veri-lindje nga Sinica, 3.5 km; në Lindje nga Mirasi, 9 km.

Zona është e pasur me burime të shumta ujore, lugina të gjelbëruara, shumëllojshmëri drurësh dhe pemësh të egra frutore si dhe një biokorridor i rëndësishëm për shkembimin e rruazorët të mëdhenj me Greqinë.

Ndër llojet e drurëve që rriten në zonë përmendim ahun, lisin, pishat, bredhin, robulli, vidhi, etj. Në klasën e shkrurreve përmendim dëllinjën, trëndafilin e egër, murrizi, gollogjina, shtogu, shkoza, etj. Në klasën e bimësisë përmendim bimët medicinale si çaji i malit, salepi, rigoni, kamomili, lule ciani, shafrnai, fieri etj.

Zona është e pasur gjithashtu me drurë të egër frutore si mollën e egër, qershinë e egër, lajthi, vadhje, gorrica, apo edhe me frutat e pyllit si luleshtrydhe, manaferra, boronicë, etj.

Për shkak të vendodhjes në një zonë ku nuk kalojnë rrugë ndërkufitare dhe të pasur me pyje të shumtë, fauna e zones është mjaft e pasur, përmendim: ariu, ujku, dhelpra, sorkadhja, derri i eger, baldosa, kunadhja, qelbaku, ketri, lepuri, etj, si dhe shpendet thëllëza e malit, mëllenja, pëllumbi i eger, shqiponjat, çafkat, bilbili, qukapiku, qyqja, etj.

Demografia

Redakto

Popullsia

Redakto

Alexander Sinvet, bazuar në të dhënat e Censusit Statistik dhe Etnografik "Grekët e Perandorisë Osmane", shkroi se në vitin 1878 në Arrëz jetonin 1200 banorë.

Besimi Fetar

Redakto

Rasti i konvertimit në myslymanë të të gjithë fshatit Arrzë (pak mbi Dardhën në Korçë) pranë fshatrave të Prefekturës së Kosturit, përshkruhet nga kleriku me origjinë nga Arrëza, papa Nikolla Zegu tek djali i tij papa Spiro Zegu:

"Arrëza. Fshat myslyman tani, një orë larg Dardhës, i përbërë nga 150 familje, kishte dy Kisha, një të Kryeëngjëllit Mihail dhe një të Shën Athanasit (eksoklis) kishë nga e cila kanë mbeturr rrënojat. Nga ky fshat kishte origjinën prifti i parë i erdhur në Dardhë, papa Nikolla Zegu, nga ku ka erdhur dhe mbiemri i kësaj familjeje. Sipas traditës familjare, ky klerik, famulltar i Arrzës, pasi ishte periudha ku ajo me detyrim po ilsamizohej, duke mos dashur që të ndëronte besë e të bëhej myslyman, u strehua në Dardhë, ku dhe shumë familje të tjera kishin filluar të mblidheshin rreth famulltarit. Një të djelë pas Meshës Hyjnore, papa Nikolla tha tek të mbledhurit në Narteksin e Kishës , bashkëatdhetarët e tij  “Vëllezërit e mi, e shikoni se çpo bëhet rreth nesh në fshatrat e tjerë. Unë nuk mundem t’iu them diçka tjetër, përveç se t’iu lutem të gjithëve, që mua të më lini të lirë që të veproj ashtu siç gjykoj për veten time, si dhe për familjen time dhe të largohem. Le të bëjë secili ashtu siç mendon. Kush ka dëshirë le të më ndjekë. Secili le të jetë i lirë. Unë këtë që ju thashë e kërkoj për veten time dhe për familjen time”. Familja Zegu, për nder dhe kujtim të këtyre dy kishave të Arrzës gjithmonë deri më sot feston kujtimin e tyre.

Dobërgora

Redakto
 
Pylli i Shenjtë dhe Vakëfi i Dobërgorës.

Dobërgora është pika referuese e fshatit Arrëz dhe banorëve të saj. Ky mal i shenjtë, i cili nuk i përket ndonjë feje në veçanti, së bashku me Vakëfin që qëndron në krye të tij, është një vend pelegrinazhi i njohur në zone. E cilësuar si vend i mrekullive, ajo ka në përbërje drurë lisi dhe ahu me moshë 157 vjeçare, dhe lartesi nga 18 deri 20 metra, duke përbërë një shesh pushimi të përkryer. Emertimi i vendit mund të shpjegohet përmes gjuhëve sllave si Mal i Mirë (Dobro-Gora), apo edhe permes shqipes si Do-Bër-Gur, që do të thotë “Duhet shenjuar, apo duhet ndërtuar me gurë objekti i shenjtë”. Koha e pushtimit Bullgar të zonës, pra shekujt 9-11 pas Krishtit si dhe domethënia e emërtimit, dëshmojnë për lashtësinë dhe rëndësinë e këtij vendi të shenjtë, që banorët e mbajnë në zemër kudo ku ndodhen.

Ekonomia

Redakto
 
Kope me lopë kullosin në luadhet buzë lumit Devoll.

Aktiviteti kryesor i banorëve të fshatit është bujqësia dhe blegtoria, pasi kushtet natyrore dhe klimatike favorizojnë mbarështimin e gjedhëve si dhe të imtave. Lugina e lumit Devoll ka tokë shumë pjellore në të cilën fshatarët mbjellin kultura bujqësore si patate, fasule, misër, perime, por edhe durë frutorë si mollë, kumbulla, qershi etj.

Prodhimet bujqësore janë kryesisht për konsum vetjak, ndërsa ndër prodhimet për shitje përmendim mjaltin e bleteve, rakinë, mishin si dhe nënproduktet e qumështit. Gratë Arrzare merren kryesisht me punët e shtëpisë, janë amvise të shkëlqyera, të dalluara për gatimet e brumit, zajretë e dimrit, si dhe endjet me shtizë të veshjeve të ndryshme apo copave për zbukurimin e shtëpisë. Vitet e fundit banorët e Arrzës kanë filluar me kultivimin e çajit të malit, një bimë aromatike endemike për Malin e Gramozit, duke përftuar nga kushte klimaterike të duhura dhe lartësia mbi nivelin e detit.

Kultura

Redakto

Arkitektura

Redakto
 
Sokak me kalldrëm dhe shtëpi në të dyja krahet.

Shtëpitë e këtij fshati malor ruajnë tiparet karakteristike të ndërtimeve në zonë. Banesat janë ndërtuar me gurë të nxjerrë nga zona përreth ndërsa çatitë janë të mbuluara me plloça apo rrasa guri. Banesa më karakteristike është ajo me dy kate, me dy hyrje dhe katër dhoma. Shtëpitë janë të ndërtuara në të dy anët e një sokaku që zbret tatëpjetë drejt përroit apo lumit që përshkon fshatin. Sokaqet gjithashtu janë të shtruara me kalldrëme guri. Në çdo mëhallë ka nga një burim natyral ku banorët më parë mbushnin ujë të pijshëm.

Kuzhina

Redakto
 
Bukë shtëpie e ngrohtë dhe gjalpë i freskët.

Zona përfiton nga një klimë malore ideale dhe tokë pjellore për të prodhuar produkte bujqësore dhe blegtorale të një cilësie të lartë. Prodhimet natyralisht të shijshme, por edhe gatimet e amvisave Arrzare, janë shumë të pëlqyera nga vizitorët. Gatimet më të njohura janë ato me përbërje brumi, si lakrori, byreku, dhallaniku, tërhanaja, rosnicat, petullat e ariut etj. Pasiqë zona ka klimë malore, dimrat janë të gjatë e të ftohtë, e për këtë amvisat pergatiten mirë për Dimër. Ndër zajretë e dimrit përmendim turshitë e ndryshme: domate turshi, kastraveca turshi, speca në gjizë, speca në salcë, lakër turshi, etj, reçelin, qe mund te jetë prej kumbulle, qershie, rrushi, ftoi, etj; bulmetin, si djathë, gjalpë, gjizë, salcë kosi; perimet të tilla si patate, fasule, lakra, kunguj; pastërma, apo mishin e thatë; frutat e thara, apo oshafet siç quhen, çajrat e ndryshëm si çaji i malit Gramoz, çaji i trëndafilit të eger, çaj kamomili, etj.

Folklori

Redakto

Evente

Redakto

Në Dobërgorë, duke filluar nga viti 2001, organizohet dhe festa e fshatit Arrëz. Më 20 Gusht të çdo viti, Arrzarët e larguar në qytete apo emigruar nëper botë, ribashkohen tek ky vend i shenjtë për ta nderuar Vakëfin dhe për t’u ritakuar me njëri-tjetrin. Kjo ditë ka marrë përmasat e një feste Pagane, ku banorë nga e gjithë zona e Devollit por edhe e Korçës, pa dallim feje, mblidhen dhe festojnë sëbashku.

Arrëza Sot

Redakto

Arrëza sot ka 134 shtëpi banimi, me 638 banorë, dhe ka 512 ha tokë të punueshme, nga e cila në përdoret vetëm 50% e saj. Si mjet jetese Arrëza ka shfrytëzimin e pyjeve, bujqësinë, blegtorinë dhe dërgesat e emigranteve, të cilat gjithsesi nuk plotësojnë nevojat e komunitetit që jeton aty.

Fshati ka tre dyqane ushqimore që shërbejnë edhe si lokale ku mblidhen banorët. Vitet e fundit kanë filluar të funksionojnë edhe bujtinat pritëse familjare që u sherbejnë vizitoreve vendas dhe të huaj. Janë rreth 30 shtëpi të cilat kanë kapacitete pritëse për vizitorët që më pak investim mund të rrisin ato apo cilësinë e shërbimeve.

Problematikë kryesore mbetet infrastruktura rrugore që lidh fshatin me rrugët nacionale. Janë 4 km rrugë që lidh Arrzën me Dardhën dhe 9 km rrugë që lidh fshatin me Mirasin, të dyja këto akse të pashtruara dhe me vështirësi për t’u kaluar me makina të ulëta.

Shih edhe

Redakto