Avni Rustemi

politikan shqiptar
(Përcjellë nga Avni Rrustemi)

Avni Rustemi (Libohovë, 22 shtator 1895 - Tiranë, 22 prill 1924) ishte patriot, militant, mësues, veprimtar dhe deputet shqiptar. Rustemi ishte drejtues i të dyja organizatave demokratike "Atdheu" dhe "Bashkimi", si dhe anëtar i opozitës demokratike në Kuvendin Kombëtar të Shqipërisë para Revolucionit të Qershorit 1924. Ai njihet edhe për vrasjen e ushtarakut dhe politikanit Esad Pashë Toptani.[1]

Avni Rustemi, monument në Tiranë.

Biografia

Redakto

U lind më 22 shtator 1895 në Libohovë, i biri i një qehajaioxhakutAsllan Pashalinjve.[2] Mësimet fillore i merr në vendlindje dhe ato të mesme në Janinë. Në moshën 15-16 vjeçare ndjek liceun në Stamboll, e më pas më 1912 vazhdon studimet per pedagogji në Gjenevë.

Në kohën e princ Vidit, luftoi kundër mësymjeve të andartëve grekë e në jug të vendit. Më 1915 u kthye në Janinë ku vazhdoi studimet në Institutin e Lidhjes Botërore Izraelite. Më 1917 filloi të japë mësim në shkollat e Tepelenës dhe të Vlorës. Në mosmarrëveshje me drejtorin italian të shkollës, u zhvendos në një shkollë vajzash në Vlorë, prej ku u pushua po për shkak mosmarrëveshjesh me drejtoreshën.[1]

Në janar të 1919 shkoi në Kalabri me ndihmën e familjes Libohova-Asllanpashali,[3] ku hyri student në kolegjin e Shën Mitër Korones[4] ku formoi edhe shoqërinë "Lidhja e rinisë shqiptare".[5] Në mbarim dha provimet dhe më 1920 shkoi në Romë ku u regjistrua në Fakultetin Pedagogjik. Gjatë majit të 1920 bëri shpesh vajtje-ardhje nga ItaliaShqipëri, ku u kërkoi shtimin e bursës autoriteteve shtetërore, qëndroi deri më 21 maj.[1]

Vrasja e Esad pashë Toptanit

Redakto

Më 31 maj shkoi në Paris ku zuri një dhomë në në hotelin "Prince Albert". Ndërroi vend dy herë dhe më pas mori një banesë me qira në nr. 32 të lagjes Montmartre, në hotelin "Toulerie" ku hyri më 2 qershor. Kishte bërë një vizitë mjekësore për sëmundje veneriane.

13 qershor 1920 i bëri atentat Esad Pashës duke i shtënë dy herë pas shpine, tek po dilte nga restoranti ku po drekonte, në rr. Castiglione. Rustemi u rrah nga kalimtarët, shoferët dhe personelët e hotelit e çarmatosën, u mbajt në hotel deri kur mbërriti policia.

Në gjyqin që iu bë u radhitën dëshmitë: Rustemi që kur kishte mbërritur në Paris kishte kërkuar për një dyqan armësh dhe një poligon, i kishin gjetur një shumë parash në kartmonedha franceze e italiane - për të cilën deklaroi se ia kishte dhënë vëllai, kishte zënë me qira një shtëpi pranë hotelit ku kreu atentatin dhe hante në restorant. Më 1 dhjetor 1920 vendimi i gjykatës i jep pafajësinë, sipas burimeve të përdorura nga historiani Kastriot Dervishi, atentati ishte i shtyrë nga Aqif pashë Biçakçiu - djali i tezes dhe rivali politik i Esad Pashës - dhe paratë për ta financuar u nxorrën nga fondet e Këshillit të Naltë.[1]

Rikthimi në atdhe

Redakto

Më 24 dhjetor u kthye në Shqipëri,[1] u kthye në Itali për të mbaruar kursin pedagogjik në Romë.[6] Kur u kthye u përpoq të bashkonte shoqëritë e ndryshme, kongresi i mbajtur më 25-28 prill 1921 në Vlorë krijoi një shoqëri që mori emrin federata "Atdheu" me 25 shoqëri dhe 15 katundari.

Kryetar nderi i saj u zgjodh Avni Rustemi, Tromara sekretar, Gurakuqi sekretar, Seit Qemali këshilltar e Pejani inspektor. Deputetët miratuan një ndihmë financiare për këtë federatë, të cilën e hoqën pak kohë më pas. Federata kishte qëllim depërtimin tek nëpunësit e shtetit. Nisur nga kjo, qeveria Ypi urdhëroi mbylljen e kësaj federate.

Në këto kushte Rustemi më 13 tetor 1922 themeloi në Tiranë shoqërinë "Bashkimi". Prej kontakteve me të dërguarit sovjetik në Romë, shoqëria qe vendosur të krijohej që kur ndodheshin në kryeqytetin italian Rustemi, Jonuz Blakçori dhe S. Gàzulli. Synimi i kësaj shoqërie ishte tërheqja e rinisë në radhët e saj dhe shkatërrimi i klasës politike në pushtet.[7]

Në zgjedhjet e 27 dhjetorit 1923 i rreshtuar si armik i Zogut dhe duke pasë bërë aleancë me Bajram Currin, kandidoi në dy zona: në prefekturën e Gjirokastrës ku kishte vendlindjen dhe në prefekturën e Kosovës. Rustemi humbi në trevën e tij dhe fitoi në atë të Kosovës falë ndërhyrjes së Bajram Currit në këto votime. Por edhe në prefekturën ku doli fitues, në dy qendra mori zero vota. Qendra e vetme që nxorri fitues Rustemin, njohu forcën e çdollojshme të Bajram Currit.[8]

Veprimi i shoqërisë "Bashkimi" dhe simpatizantëve të saj ishte orvatja për vrasjen e Zogut në sallën e Kuvendit Kushtetues nëpërmjet Beqir Valterit më 23 shkurt 1924. Organizator i ngjarjes ishte Rustemi dhe të tjerë të implikuar ishin Sali Hidri (Hoxha), Sejfulla Malëshova, Omer Nishani, etj.[7] Rrustemi pasi kishte marrë pjesë për herë të fundit në Kuvendin Kushtetues më 12 prill 1924, rikthehet në Tiranë më 20 prill duke u paraqitur në Kuvend për të kërkuar leje tremujore. Kishte nisur procedurat për marrjen e një vize amerikane.

Rreth orës 16-17.00 i shoqëruar nga disa miq, po shkonte për të takuar në shtëpi ministrin e Arsimit, Fahri Rashit Gjilanin. Kur arritën në Varrezat e Pashës (më pas sheshi "Avni Rustemi", Pazari i Ri), në çastin që Rrustemi u ndal të përshëndeste dhe shkëmbente dy fjalë me Hoxhë Kadriun, u qëllua me një plumb nga mullixhiu Jusuf Reçi. Ali Këlcyra e strehoi në shtëpi, më pas e çuan në spital. Pas një qëndrimi dyditor në spital, Rustemi vdiq më 22 prill 1924 nga hemoragjia[1].

Varrimi

Redakto

Opozita organizoi një varrim me efekte revolucionare të Rustemit në Vlorë. Ceremoni u bënë si në Tiranë ashtu dhe në Vlorë: filluan më 28 prill me ceremonitë e zhvilluara para sheshit të xhamisë së vjetër në Tiranë. Një kamion i mbuluar me të zeza barti trupin e viktimës nga Tirana për në Durrës, ku shoqëruesit hipën në vaporin "Beograd", i cili nisi rrugën drejt Vlorës me flamujt jugosllavë e shqiptarë, për të mbërritur më 29 prill 1924. Xhenazja u bart përsëri nga një kamion i zi për në xhaminë e qytetit, ku u bënë sërish lutjet e rastit.[1]

Trashëgimia politike

Redakto

Vrasja e Esad pashë Toptanit, njërës prej figurave më të stigmatizuara nga historiografia shqiptare, theksoi mundësinë e zhdukjes fizike të personazheve politike me rëndësi dhe bejlerëve në veçanti. Ndër shtresat e mesme dhe në të rinjtë përhapi idenë e shkatërrimit të kastës politike të formuar kryesisht nga bejlerët. Këto ide u mishëruan në formimin e shoqërisë "Atdheu" dhe shoqërisë "Bashkimi" pas saj, të cilat gjithashtu u bënë ndër provat e hershme të organizimit të një lloj "rinie fashiste shqiptare", e cila më vonë u bë bërthama e parë komuniste me grupin komunist që shkoi në Bashkimin Sovjetik.[7]

Sipas Ali Këlcyrës, meqë opozita e kohës kishte bindjen se vrasja e Rustemit ishte vetëm një komplot qeveritar, i vendosi kusht qeverisë që brenda 48 orëve të dorëzoheshin komplotistët. Pas mosmarrjes së masave, u organizua varrimi, me anë të të cilit opozita dhe partizanët e saj intelektualë u nisën drejt Vlorës ku dhe ndenjtën të tërhequr. Atje u formua një Komitet revolucionar i drejtuar nga Fan Noli, prej të cilit lindi Lëvizja e qershorit.[9]

Eqrem bej Vlora e përshkruan tek Kujtimet si "një nga studentët më të pasuksesshëm, të cilët tentojnë të shfryjnë me heroizma politike dëshirën e tyre për hakmarrje… me anë të një vrasjeje të pabesë i dha një fund të beftë jetës aventurore të Esatit. Ky djalosh që me këtë vrasje donte të bënte emër në Shqipëri, nuk ishte veçse një vegël në duart e kundërshtarëve të Esat Pashës."[10]

Pas pushtimit italian, qe ndër figurat antizogiste të cilat u nderuan nga administrata bashkëpunuese, duke iu dhënë emri sheshit ku u vra, ndërsa në Vlorë u zhvillua një ceremoni nderimi ku përmendej se ideali i tij ishte fashizmi.[11] Nderimi i tij vijoi përgjatë regjimit komunist, ku përpos të qenit antizogist që përputhej me narrativën fashiste, shtohej edhe aspekti revolucionar kundër shtresave të pasura,[12] duke u nderuar me titullin "Hero i Popullit".

Perceptimi

Redakto

Shqiptarët e shohin Avni Rustemin si një hero kombëtar që luftoi për demokratizimin e Shqipërisë dhe vrau Tradhtarin Kombëtar Essad Pashë Toptani, i cili do t'ua shiste vendin fqinjëve.

Filmat

Redakto

Avni Rustemi ka qenë objekt edhe i shumë filmave artistikë, në shumicën e tyre ai shfaqet si hero kombëtar, që vrau tradhtarin e kombit. "Dy Krisma në Paris" është një dramë e Sheri Mitës, Pëllumb Kullës me temë vrasjen e Essad Pashë Toptanit në Paris dhe gjyqin e Avni Rustemit.[13]

Shih edhe

Redakto

Referime

Redakto
  1. ^ a b c d e f g Dervishi, Kastriot (2010). Plumba Politikës - Historitë e përgjakjes së politikanëve shqiptarë. Tiranë: 55. fq. 47–73. ISBN 978-99943-56-43-0.
  2. ^ Vlora, Eqrem bej (2008). Kujtime 1885-1925. Tiranë: IDK. fq. 459. ISBN 99927-780-6-7. Citim: "... lindur në Libohovë, bir i një qehajai të derës Libohovë-Asllanpashali..."
  3. ^ Vlora 2008, p. 502. Citim: "... studimet në Itali ai i filloi, ndonëse nuk i përfundoi, me shpenzimet dhe mbështetjen e kësaj familjeje."
  4. ^ Ikonomi I., Esat pashë Toptani, Tiranë: UET press, 2016. ISBN 978-9928-190-91-8
  5. ^ Vejsiu, Ylli (2009). "Fjalor enciklopedik shqiptar: N-Zh dhe një shtojcë - Vëllimi 3 i Fjalorit enciklopedik shqiptar". Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Marrë më 3 mars 2018.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  6. ^ Këlcyra A., Shkrime për historinë e Shqipërisë, përgatitur nga Tanush Frashërit, Tiranë: Onufri, 2012, fq. 124. ISBN 978-99956-87-81-6
  7. ^ a b c Dervishi K., Lëvizja komuniste në vitet 1924-1944 dhe formimi i PKSH-së, Tiranë: 55, 2016. ISBN 978-9828-106-38-4
  8. ^ Dervishi 2010, fq. 94.
  9. ^ Këlcyra 2012, fq. 111.
  10. ^ Vlora 2008, fq. 459.
  11. ^ Dervishi, Kastriot (21 prill 2020). "Avni Rustemi me ideal fashist, shembull i rilindjes shqiptare". 55news.al. Marrë më 22 prill 2022.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  12. ^ Dervishi, Kastriot (22 prill 2017). "Fotot e rralla / Vdekja e Avni Rustemit dhe hapja e arkivolit pas 58 vitesh". gazetamapo.al. Marrë më 22 prill 2022.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  13. ^ "Zeri.info | Avni Rrustemi gjatë procesit gjyqësor në Paris (Foto+Video)". web.archive.org. 2016-10-26. Arkivuar nga origjinali më 26 tetor 2016. Marrë më 2023-03-02. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: BOT: Gjendja e adresës origjinale është e panjohur (lidhja)