Mollà Daut efendi Boriçi[1] (tr. Davut Şükrü Efendi;[2] Shkodër, 20 dhjetor 1825 - 2 nëntor 1896) ka qenë ulema dhe figurë vepruese e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Shumicën e jetës së tij qe i përfshirë në sistemin arsimor osman dhe mbahet mend për abetaren e shqipes me shkrim arab (Elifba) më 1861,[3] edhe për kontributin e tij si kryetar i Degës së Shkodrës të Lidhjes së Prizrenit.[4]

Daut Boriçi

Biografia

Redakto

Lindi në Shkodër, i biri i Haxhi Mustafë Salih Boriçit, nga një familje të shkolluar mollenjsh me prejardhje të hershme nga Tivari. I ati ishte sekretar i Mustafa pashë Bushatlliut. Me rënien e pashallëkut të Shkodrës, më 1831, Mustafa nisi të merrej me tregëti. I ati ka lënë disa ditare në formë regjistri, ndonëse kryesisht të karakterit ekonomik-tregtar ose kronika familjare, por që hedhin dritë mbi tregtinë e kohës dhe dëshmojnë kulturën e tij profesionale dhe vlerësimin që i bënte dokumentacionit.[5]

Shkollimin fillor Dauti me të vëllanë, Salihin, e morën në mejtepin e Molla Ferhatit (1772 - 1844) nga Shkodra.[3] Mejtepi gjendej në Pazarin e Vjetër. Sipas autobiografisë së tij, pasi mbaroi shkollën fillore, fëmijërinë e kaloi pranë familjes. Po kështu shënohet se bashkë me 25 studentë-hoxhallarë, në korrik 1844 shkoi për vizitë në Tyrben e Drishtit, duke na dhënë të kuptojmë se Dauti i ishte futur rrugës fetare që në moshën 19-vjeçare. Në autobiografinë e vet Dauti shënon se që në vitin 1839 kishte filluar të mësonte arabishten dhe të merrte mësime teologjie nga myderrizët shqiptarë Salih efendia i Madh, Molla Ahmet Hadri dhe Molla Sylo Fakja dhe të tjerë të huaj të Medresesë së Qafës, themeluar nga Mehmed pashë Bushatlliu.[3] Ndoqi për një periudhë mësime edhe në gjimnazin ZosimeaJaninë.[6] Pas kryerjes të mësimeve u emërua imam i xhamisë së Draçinit më 1847 dhe, që në atë kohë u quajt Molla Dauti[1][3] dhe u bë pjesë e ilmijes.[2]

Pas dy vitesh shërbimi, me 1850 u nis për Stamboll dhe me 21 tetor u regjistrua në medresenë Çifte-Bash Kurshun, themeluar nga Mehmetit II. Viti 1852 i la një kujtim të hidhur, sepse nga tuberkulozi i vdiq shoku i tij i studimeve, djaloshi shkodran, H. Ferhati. Në qershorin e vitit 1851 u takua tri herë me Mustafa Pashën që ndodhej në Stamboll, i cili e pajtoi si mësues privat për të birin, Riza beun, në një kohë që në kryeqytet nuk mungonin pedagogë të shquar. Riza beu e ngarkoi si mbikëqyrës i pasurisë së trashëguar nga i ati, kur u kthye në Shkodër si mësues në ryzhdijen e Pazarit më 1858.[7] Mori pjesë më 7 prill 1858 në ceremoninë e themelimit të Kishës së Madhe në Shkodër, dhe më 1867 kur u lartësua metropoli mbajti fjalim në emër të qeverisë dhe valillëkut osman.[8] Më tej u caktua inspektor i mejtepeve (shkollave fillore) nga 1869 në vilajet.[9]

Gjatë ndodhive të Lidhjes së Prizrenit, Mollà Dauti qe kryetari i degës vendore të Lidhjes në Shkodër.[2] Mbasi u hap Kongresi i Berlinit më 13 qershor, dega e Lidhjes me pëlqimin e vilajetit të Shkodrës dhe Sanxhakut të Dibrës, vendosën me i nisë një telegram Kongresit me lutje që Tivari, Shpuza, Podgorica t'i mbeteshin vilajetit të Shkodrës.[10] Telegrami u nënshkrua prej 500 vetëve në Shkodër, nga të cilët më të rëndësishmit ishin: Daut efendi Boriçi në cilësinë e kryetarit të degës, Jusuf agë Sokoli, Selim agë Gjyrezi, Filip Suma, Gjon Muzhani, etj.[11] Gjysmën e parë të majit të 1880 i nisën një tjetër telegram ministrit të Jashtëm britanik, Granville Leveson-Gower, për qëndrimin që do të mbante dega vendore e Lidhjes përkundër linjës Korti.[12]

Pas humbjes së Ulqinit, autoritetet osmane nisën të merrnin masa ndaj krerëve të degës së Shkodrës: Hodo beg Sokoli, Daut efendiu, Preng Bibë Doda dhe Jusuf efendi Kalaja u internuan.[13] Më pas e thirrën me punë në Stamboll, ku më 1882-1883 i propozoi Ministrisë së Arsimit të perandorisë që të shtypeshin dhe përhapeshin libra të arsimit fillor në gjuhën shqipe me alfabet arab. Nga viti 1888 u emërua Drejtor i Arsimit në Vilajetin e Shkodrës.[2]

Dy vjet pasi doli në pension, më 2 nëntor 1898 ndërroi jetë dhe u shti në dhé në varrezat e xhamisë së Luguçesmes.[13]

Vepra e tij kryesore ka qenë një abetare e gjuhës shqipe me alfabet arab, litografuar më 1861 në Stamboll, me një nofkë dhe pa datë, botimin e dytë e pati më 1869. Një abetare shqip të ndryshuar prej të parës, lënë në dorëshkrim, ku fjalët e para të tekstit janë "Shqiptari, me menyrën e shkronjave që kam kallzue në alfabetin shqip, mbrenda pak kohe mundet me shkrue gjuhën e vet...", më pas e ndryshoi përsëri prej tri të parave - dorëshkrim të cilin mendohet se e hartoi në Turqi, kur u internua rreth 1881. Ka lënë një dorëshkrim të papërfunduar gramatike shqip, të vogël, me njohuritë mbi emrin, numrin e gjininë; si dhe një fjalor osmanisht-shqip, dorëshkrim që ruhet në Arkivin e Shtetit.[1][14]

Përveç këtyre, la dorëshkrim një autobiografi dhe dy ditare, i pari i viteve 1844-1850 dhe tjetri i vitit 1893-1895.[1][14]

Trashëgimia

Redakto

Shtëpia e tij në lagjen Perash ka qenë shtëpi muze e kategorisë së parë deri pas viteve 90-të. Më pas ajo u dëmtua së tepërmi deri sa u muar nga një shoqatë islame që ndërtoi aty medresenë vajzave në Shkodër, funksion që vazhdon ta kryejë. Daut Boriçi është dekoruar me “Urdhrin e Lirisë” të klasit të tretë për përpjekjet e tij dhe punën e palodhur në përhapjen e arsimit në gjuhën amtare. Emrin e tij e mban një prej rrugëve kryesore në Shkodër.[15]

Referime

Redakto
  1. ^ a b c d Bello, Hasan (tetor 2012). "Kontributi i Prijësve Myslimanë në hartimin e alfabeteve dhe abetareve". Drita islame. 10: 25–27.
  2. ^ a b c d Somel, Selçuk Akşin (2001). "The modernization of public education in the Ottoman Empire, 1839-1908: Islamization, autocracy, and discipline". Ottoman Empire and its heritage (në anglisht). 22: 127–128. ISBN 9789004119031.
  3. ^ a b c d H. T. Norris (1993), Islam in the Balkans: Religion and Society Between Europe and the Arab World (në anglisht), University of South Carolina Press, fq. 76, ISBN 9780872499775
  4. ^ Robert Elsie (2012), A Biographical Dictionary of Albanian History (në anglisht), I.B.Tauris, fq. 47–48, ISBN 9781780764313
  5. ^ Luli, Faik; Dizdari, Islam; Bushati, Nexhmi (1997). Në kujtim të brezave. Shkodër: Shtëpia botuese "Rozafat". fq. 58.
  6. ^ Gawrych, George (2006). The Crescent and the Eagle: Ottoman rule, Islam and the Albanians, 1874–1913 (në anglisht). London: IB Tauris. fq. 26, 87. ISBN 9781845112875.
  7. ^ Luli, Dizdari, Bushati 1997, pp. 88-89.
  8. ^ Bushati 1998, pp. 184-185.
  9. ^ Somel 2001, p. 80.
  10. ^ Belegu, Xhaferr (1939). Lidhja e Prizrenit e veprimet e sajë, 1878 – 1881. Tiranë: Kristo Luarasi. fq. 25nb.
  11. ^ Bushati, Hamdi (1998). Shkodra dhe motet. Vëll. 1. Shkodër: Kolë Idromeno. fq. 430.
  12. ^ Dauti, Daut (2012). Çështja shqiptare në diplomacinë britanike 1877-1880. Shkup-Prishtinë-Tiranë: Logos-A. fq. 376. ISBN 9789989584657.
  13. ^ a b Luli, Dizdari, Bushati 1997, pp. 99-100.
  14. ^ a b Luli, Dizdari, Bushati 1997, p. 101.
  15. ^ Dushi, Anila (30 korrik 2007). "Historia e një familjeje mësuesish e patriotësh". Shekulli.