Mehmet Dermani
Mehmet Dermani - Gjonbalaj, u lind më 31 janar 1911, në fshatin Vuthaj të Plavës, të Malit të Zi. Mehmet Dermani, ishte ndër intelektualët e parë të krahinës, i cili i vuri të gjitha potencialet e tij në shërbim të atdheut. Rrjedh nga familja e madhe e Gjonbalajve, barku Hasanaj, familje kjo e njohur për vlera të larta kombëtare. Familja e Isuf dhe Rud Dermanit, për shkak të dhunës së ushtruar nga forcat ushtarake të Malit të Zi ishin të shtrënguara shpeshherë, t'i linin vatrat e tyre në Vuthaj dhe të vendoseshin gjetiu si në Krasniqe, Shalë e në vitin 1918 emigruan në Shkodër, ku strehë për ta u bë familja e Bajram Currit. Këtu, edhe marrin pjesë aktive në luftërat e kohës, me burra e gra.[1]
Kështu Mehmeti, fëmijërinë dhe rininë e vet i kaloi në tundime të mëdha. Por, rrënjët e mira të familjes, nga të dy anët që i kishte, nuk zhgënjyen. Kështu, Mehmeti rritet në një djalë tejet të zgjuar dhe nxënës të shkëlqyeshëm. Shkollën fillore e kreu në Kolgecaj (Bajram Curr), kurse të mesmen në Shkodër, që të dyja me rezultate të shkëlqyera. Pas mbarimit të Liceut të njohur (gjimnazit shtetëror) të Shkodrës, në vitin 1929, fitoi bursë shtetërore për të vazhduar për dy vite rresht studimet universitare në Akademinë e Oficerëve Ushtarak në Itali.
Si në shkollën e mesme ashtu edhe në të lartën ai ra në kontakt me patriotë dhe figura përparimtare. Qysh herët ishte njohur me patriotin Asim Vokshi, me të cilin përpos që e lidhte miqësia familjare, e lidhte edhe ideja revolucionare. Së bashku u shkolluan në Akademitë Ushtarake në Itali, prej nga u kthyen më 1931 me gradat nëntoger. Mehmet Dermani, po ashtu ishte ndër shokët më të ngushtë të poetit të madh Millosh Gjergj Nikollës – Migjenit, që në bankat në fëmijëri e gjersa vdiq.
Pasi kthehet në atdhe, kreu detyra dhe ushtroi funksione me rëndësi. Nga viti 1935 deri në vitin 1936, Mehmet Dermani punon si Sekretar Komune në Pukë, kohë kjo që i shërbeu për t'u miqësuar përjetësisht me Migjenin, i cili shërbente mësues në Iballe të Pukës. Këtu, ata, së bashku mirreshin me shkrime, të cilat ishin kryesisht të drejtuara kundër sundimit Zogist e në to aspirohej për një liri dhe demokraci të vërtetë. Mehmet Dermani do të goditët rëndë nga humbja e shokut të ngushtë, poetit të mjerimit, Migjenit, i cili nga sëmundja e tuberkulozës vdiq në një sanatorium afër Torinos, me 26 gusht 1938, në moshën 27 vjeqare. Në ndërkohë, Mehmet Dermanin e gjejmë në pozita tjera, në vitin 1937 caktohet Sekretar Komune në Kukës dhe në vitin 1938 Kryetar Komune në Rahovec (Kosovë).[2]
Sëmundja e tuberkulozit që i lajmërohej kohë pas kohe, do ta ndajë Mehmetin nga shkuarja në pranverën e vitit 1937, në Luftën Antifashiste të Spanjës si vullnetarë, si dhe nga shoku i tij i ngushtë Asimi, ashtu që idetë e tij revolucionare Mehmet Dermani t'i vazhdojë në atdheun e vet. Që kur thundra e Italisë fashiste shkeli Shqipërinë në prill të vitit 1939, Mehmet Dermani angazhohet në radhët e forcave antifashiste të luftës. Ai bie në sy shpejt nga pushteti fashist, me ç'rast arrestohet por për mungesë provash, vetëm internohet në Shijak. Pas lirimit, ai bëhët organizator dhe luftëtar aktiv kundër pushtuesve fashistë.
Mehmet Dermani aktivitetin e vet e përqendron kryesisht në territorin e Malësisë së Gjakovës dhe Plavës e të Gucisë, dhe atë në ngritjen e idealeve për liri dhe bashkim kombëtar tek masat e gjëra të popullit dhe përfshirjen e tyre sa më të madhe në luftën antifashiste, pengimin e luftërave vëllavrasëse dhe në ndërtimin e themeleve për shtetin e ardhshëm të përbashkët të shqiptarëve. Kështu, Mehmet Dermanin e gjejmë në radhët e para të aradhës partizane "Bajram Curri" që u formua në fund të marsit '43, në Dragobi, e cila ngusht operonte edhe me aradhat e tjera partizane, si “Përlat Rexhepi”, “Emin Duraku” etj.
Mehmet Dermani ishte njëri ndër organizatorët kryesorë dhe pjesëmarrës në Konferencën e parë themeluese të Këshillit Nacional Çlirimtar për Kosovë dhe Rrafsh të Dukagjinit, që u mbajt me 31 dhjetor 1943 e 1 dhe 2 janar 1944, në Bujan të Malësisë së Gjakovës, në kullën e Sali Manit, Bajraktarit të Krasniqes, e cila ndodhej pranë bazës së Shtabit Kryesor të UNÇ të Kosovës dhe të Komitetit Krahinor për Kosovë e Rrafshi i Dukagjinit. Konferenca e Bujanit doli me një dokument përfundimtar me rezolutë të miratuar, ku thuhet: Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit është krahinë e banuar me shumicë nga populli shqiptar, i cili, si gjithmonë, ashtu edhe sot, dëshiron me u bashkue me Shqipërinë. Lufta e përbashkët me popujt e tjerë të Jugosllavisë kundër okupatorit nazist gjaksuer e rrogtarëve të tij, është e vetmja rrugë për me fitue lirinë, në të cilën të gjithë popujt, pra edhe populli shqiptar, do të kenë mundësi me vetëvendosë mbi fatin e tyre, me të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje. Mehmet Dermani, kish angazhuar edhe nipin e tij, Bardh (Ukë) Nitaj në rezistencën antifashiste. Në rastin e Konferencës së Bujanit, Bardhi kishte për detyrë të përcillte delegatët ilegalë për në Malësi.
Gjatë kohës së Ofensivës së Dimrit të fundvitit 1943 e fillimvitit 1944 e ndërmarrë nga okupatori gjerman, Mehmeti është në radhët e para të rezistencës. Pas çlirimit të Tropojës më 16 tetor 1944, më 6 nëntor 1944, në Astë të Tropjës u formua Brigada e XXV-të Sulmuese. Mehmet Dermani ishte komisar politik i batalionit të III-të (e më vonë edhe i tërë brigadës). Brigada e XXV-të Sulmuese përgjatë tërë rrugëtimit zhvilloi shumë operacione luftarake për çlirimin e zonave. Mehmet Dermani, si luftëtar aktiv gjatë luftës antifashiste, kreu me përpikmëri detyrat për çlirimin e vendit dhe në prag të çlirimit mbante shtatë plagë në trup.[3]
Gjatë tërë luftës, një aktivitet të madh pati edhe motra e Mehmetit, Hatmanja, në lëvizjën e grave antifashiste në Gjakovë, e prirë nga Sabrie Vokshi (Bije Vokshi) nga Gjakova, mbesa e Sylejman Vokshit dhe halla e Asim Vokshit.
Në fillim të '45-shes, Mehmet Dermani u njoh me Shpresa Kikinon, me të cilën në prill lidhën fejesën ndërsa në qershor, të po të njëjtit vit, bënë martesën. Shpresa Kikino, ishte nga Gjirokastra. Nëna e Shpresa Kikinos dhe nëna e Enver Hoxhës, ishin vajza të axhës mes vete. Shpresa, e lindur më 1924, kishte të kryer Shkollën Normale për mësuese, në Tiranë. Kështu, Mehmet Dermani mbeti të jetojë dhe të punojë në Shqipëri, pa u realizuar ëndrra për bashkimin e trojeve shqiptare, për të cilin ideal kishte luftuar. Në Shqipërinë e pasluftës, kreu disa funksione politike dhe partiake me rëndësi. Fillimisht iu ngarkua detyra me rëndësi, si shef stërvitje në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, pranë Ministrisë së Mbrojtjes. Pastaj, më 1946, u caktua Sekretar Partie e Kryetar i Komitetit për Tropojë. Më 8 mars 1947, Mehmeti bashkë me të shoqen, u kthye në Tiranë për të vazhduar Shkollën e Partisë, si dhe u caktua Inspektor i Kontrollit të Shtetit për Tiranën. Më vonë, e shohim në pozita të larta, si anëtar i Sekretariatit Shtetëror për katër resorë e deri te pozita e ambasadorit, porse shpeshherë e pengonte sëmundja, që po e përcillte kohë pas kohe, që nga rinia e hershme. Disa herë shtrihet për shërim në sanatoriumet e Pragës dhe të Tiranës.
Me gjithë këto vlerësime e përgjegjësi që iu dhanë, ai asnjëherë nuk ndihej i qetë për sakrificat e bëra. Vendimet e Konferencës së Bujanit ishin shkelur nga serbo-sllavët dhe agjentët e tyre. Për pikëpamjet e tij atdhetare, ai u vu në ndjekje të sigurimit të shtetit duke u akuzuar si antijugosllav. Pas Konferencës së Tiranës, në prillin e vitit 1956, filloi një valë e re arrestimesh të krerëve partiakë e shtetërorë. Kështu, një dasmë e kosovarëve në Rrashbull, në vjeshtën e vitit 1956, do të mjaftojë që të gjendej preteksti për arrestimin e tij. Mehmet Dermani ishte nisur për atje, ku tek Ura e Dajlanit, në të hyrë të Durrësit, arrestohet nën akuzën ironike "të tentativës së arratisjes për në Jugosllavi", ndërsa dihet se kjo ishte e pamundur të bëhej nga ky vend. Kështu, Mehmet Dermani u burgos, ndërsa më 1957, u internua bashkë me të shoqen në qytezën famëkeqe të të përndjekurve politik, në Selenicë të Vlorës. Sërish burgoset, më 1958, nën akuzat bajate të agjitacionit e propagandës (AgjitProp) të Sigurimit të Shtetit me ç'rast mbajti 4 vite në burgun e Tiranës, i ndarë për së gjalli me çdo komunikim familjar. U internua sërish, në Selenicë të Vlorës, ku i kaloi vitet e tjera të jetës, i vetmuar dhe i lodhur nga jeta. Pranë i qëndroi vetëm Shpresa, bashkëshortja besnike e viteve të errëta.
Edhe pse shëndeti i tij ishte i rrënuar, ai nuk i shpëton ndjekjes e dhunimit në qelitë e sigurimit e të hetuesisë së kuqe. Motra, Zoja (e martuar në Tropojë), kishte arritur vetëm një herë ta vizitonte të vëllanë (në vitet 80-të), përgjatë gjithë sundimit komunist.
Mehmet Dermani, vdiq i internuar, në Selenicë, në një ditë të premte, më 25 prill 1986, në moshën 75 vjeçare
Vetëm në ditët e demokracisë, për kontributin e tij dhënë organizimit të Konferencës së Bujanit, më 7 janar 1994, Mehmet Dermani, u nderua (pas vdekjes) me “Urdhërin e Flamurit Kombëtar për Liri, të Klasit të Parë” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha. Më 17 prill 1994, e shoqja Shpresa, që kish mbetur e vetmuar dhe tani jetonte në Tiranë tek nipërit, arriti t'i bart eshtrat e të shoqit nga Selenica dhe t'i rivarros në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, ku mbi varrin e ri, ngret edhe pllakën përkujtimore.[4]
Më 6 janar 1995 Gazeta "Koha e Re" e Tiranës, në faqen 5, sjell artkullin kushtuar patriotit të shquar Mehmet Dermani - Gjonbalaj, "Një erudit shqiptar që iu kushtua çështjes shqiptare" nga Myftar Fana. Më 17 prill 1995, figura e shquar e patriotit u përkujtua në rubrikën Kujtesë nga Televizioni Shqiptar. Më 11 qershor 1996, gazeta Bujku (Rilindja) e Prishtinës, në faqen 7 sjell artikullin përkujtimor "Dhjetëvjetori i vdekjes së Mehmet Dermanit", nga Skënder (Bardh) Nitaj.
Burimet
Redakto- ^ http://skendernitaj.blogspot.com/2015/04/dhjetevjetori-i-vdekjes-se-mehmet.html
- ^ http://mehmetdermani.blogspot.com/2017/10/mehmet-dermani_4.html
- ^ http://skendernitaj.blogspot.com/2015/04/nje-erudit-shqiptar-qe-iu-kushtua.html
- ^ http://skendernitaj.blogspot.com/2015/04/kujtese-14-dhjetor-1994-mehmet-dermani.html