Nezim Frakulla
Ibrahim Nesim bej Frakulla[1] i njohur si Nezimi i Beratit,[2] (Frakullë, 1685 - Stamboll, 1760) ka qenë poet shqiptar, më i madhi i shekullit të vet në letërsinë shqipe[3] dhe lëvruesi më i rëndësishëm i bejtexhinjve, pjesë e letërsisë shqipe me alfabet arab, i cilësuar nga Pipa "poeti i parë shqiptar".[4]
Nezimi i Beratit | |
---|---|
U lind më | 1685 Frakull, Perandoria Osmane sot në Fier, Shqipëri |
Vdiq më | 1760 Në një nga burgjet e kohës në Stamboll |
Emri i letrave | Nesim |
Kombësia | shqiptar |
Nënshtetësia | osman |
Gjinitë letrare | poezi |
Punët e shquara | Divani |
Vite aktiv | shek. 18 |
Emri
RedaktoI quajtur Ibrahim Berati nga Sami Frashëri, Nezim beu nga Von Hahni dhe Camarda, i njohur deri në vitet 1950' si Nezim Berati, më pas emri që iu përhap qe Ibrahim Nezimi[5] ose Nezim Frakulla.[6] Nesim ose Nezim ka qenë mahlasi (pseudonimi) i vetëzgjedhur.[1][5][7]
Biografia
RedaktoMendohet se lindi ndër dekadat e gjysmës së dytë të shek. XVII (1660',[8] 1680-1681,[1] 1680-1685[8]) në Frakullë në një familje me prejardhje të mirë. Mendohet se në rini ka qëndruar gjatë në Berat,[8] asokohe qendër e kulturës islame,[9] qytet të cilin e cilëson ndër vargje vatanin e vet,[5] ku nxuri në medresenë e qytetit. Më pas shkoi në Stamboll, për të studiuar më tej, ku dhe shkroi vjershëroi në turqisht e persisht. Udhëtoi ndër vende arabe, por nuk ka mbijetuar asnjë varg në arabisht i shkruar prej tij.[8]
U kthye në Berat më 1731, ku dikur pas kthimit u pajtua qehaja i të quajturit Haxhi Hasan Ismailit.[10] Ndjekës i dijeve të Hurufijve, pasues i Ataullah Naim Mullait, vëllai i madh i Sulejman Naibit.[11] Nisi kultivimin e letërsisë shqipe me alfabet arab. Pati një mejdan poetik me Myfti Mulla Aliun, gjë që çoi në trazime dhe përçarje të qytetit. Për këtë mejdan i shkoi lajmi Shejh al-Islamit, i cili ndërhyri dhe shkarkoi myftiun e qytetit.[8]
Dikur pas 1747 pasi udhëtoi për punë në kryeqytetin perandorak,[9] nga veprimtaria e tij poetike kuptohet se ka qenë në Hotin të Besarabisë, por nuk dihet arsyeja.[12] Më pas i thur një kaside vargje për shkresën perandorake që i mundësoi kthimin në vendlindje nëpërmjet Shkupit dhe Elbasanit.[9] Kur u kthye, sanxhakbej i Beratit shërbente Ismail pashë Velebishti i oxhakut të Vlorajve, edhe ai bejtexhi.[12] Ibrahimi gëzonte mbrojtjen si të Ismail Pashës ashtu edhe të Sulejman pashë Vërlacit të Elbasanit.[9] Më 1748 u martua me Istihanin nga Peqini, ndërsa pas tre vjetëve Hatixhenë, vajzë e një familjeje të pasur nga Bobrati, martesë në të cilën pati dëshmitar Ataullah Efendinë - i cili qe myfti i Beratit për ca kohë.[13]
Për çështjet e shumta që trajtonin vargjet e tij dhe trazimet që ndillnin, autoritetet e arrestojnë dhe e dërgojnë Stamboll ku u dergj burgjeve dhe vdiq nga kolera.[12] U thurën mersije (elegji) kushtuar tij, i mbajtur shehid (dëshmor në fe) nga poeti,[8] bashkëqytetari dhe bashkëkohësi Fejzi.[5]
Vepra
RedaktoDuke qenë persishtja gjuha e traditës poetike myslimane, përmes të cilës jepej mësim,[14] mendohet se në mbrujtjen e Nezimi kanë patur ndikim parimet poetike perse, mes të cilës traktati Çahar Meqalla i Nizamit.[15] Në poezinë e tij ai mburret si ashik duke vënë në përdorim dikotomi klasike të poezisë (gjakues/gjakim, bilbil/trëndafil, era e pranverës/pranvera, Mexhnuni/Lejlaja)[16] dhe krahasohet me poetët e mëdhenj të Orientit, aq sa veten e quan Saadiu dhe Urfiu i kohës së tij.[5]
Divanet
RedaktoNezimi vjershërimin e nisi në vitin 1144 H (6 korrik 1731 – 23 qershor 1732), kurse në vitin 1148 H (24 maj 1735 – 11 maj 1736) hartoi Divanin shqip, përveç dy divaneve që shkroi më vonë në osmanisht e persisht.[11] Nezimi mbahet si krijuesi i Divanit të parë në gjuhën shqipe. Fryma sufi në filozofinë myslimane dhe shoqërinë shqiptare përcjellin krejt tekstin, nga ndodhitë, te fjalët e urta dhe porositë si për botën e jashtme ashtu dhe për atë të brendshme.[7] Me rreth 110 gazele e kaside, në Divanin e tij gjendet edhe poezia e parë laike[16] brenda trajtimit mbarëjetësor të poezisë së traditës myslimane.[7]
Një pjesë të madhe të Divanit autori ia kushton dashurisë hyjnore (ashk hakiki) duke e bërë të qartë dallimin nga dashuria alegorike e binomit (mexhazi) mistik sipas hermeneutikës së mistikës islame.[17]
Trashëgimia
Redakto
I mbajtur si poeti i parë dhe më i madh i bejtexhinjve shqiptarë [18][3] në njërën prej poemave të tij e përshkruan veten si njeriun që i dha shqipes dinjitetin e një gjuhe letrare. Çka sipas Pipës, në njëfarë kuptimi edhe e bëri.[3]
Divan kush pat folurë shqip?
Ajan[19] e bëri Nezimi.
Bejan[20] kush e pat folurë shqip?
Insan[21] e bëri Nezimi.
Përmbajtja praktike mbarëjetësore e veprës së tij përmes gazeleve, kasideve, pasuroi rendin bisedor, ahengun duke i hapur rrugë mesnevit, ilahisë, med-hisë, mersijes, etj.[7] Kur Von Hahni zgjodhi t'ia botojë disa poema më 1854 - hera e parë që një bejtar botohej jashtë qerthullit të Elifbasë - e mbiquajti Anakreonti shqiptar.[22]
Literatura
Redakto- Anamali, Skënder; Prifti, Kristaq (2002). Historia e popullit shqiptar: vëllimi i parë. Tiranë: Toena. ISBN 9992716223.
- Hamiti, Sabri (1995). Letërsia e vjetër shqipe. Prishtinë.
{{cite book}}
: Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja)
Lidhje të jashtme
RedaktoReferime
Redakto- ^ a b c Vlora, Eqrem bej (2003). Kujtime 1885-1925 [Lebenserinnerungen]. Përkthyer nga Afrim Koçi. Tiranë: IDK. fq. 245. ISBN 99927-780-6-7.
- ^ Murra, Moisi (qershor 2012). "Haki Sharofi (1894-1993): Dashuria për atdhe, fe, flamur e gjuhë amtare". Drita Islame. 6 (353): 42–43. ISSN 2226-7115.
- ^ a b c Pipa, Arshi (2013) [1978]. Trilogia Albanica I: Albanian folk verse: Structure and genre [Trilogjia Albanika I: Vargu folklorik shqip: ndërtimi dhe gjinitë]. Tiranë: Princi. fq. 36–37. ISBN 9789928409065.
- ^ Pipa, Arshi (2014) [1978]. "Trilogia Albanica III: Albanian Literature: Social Perspectives" [Trilogjia Albanika III: Letërsia shqipe: Perspektiva shoqërore]. Përkthyer nga Primo Shllaku. Princi. fq. 183. ISBN 978-9928-4090-9-6.
- ^ a b c d e Abazi-Egro, Genciana (2009). "Nezim Berati apo Nezim Frakulla?". Ura 1-2. fq. 40–43. Marrë më 3 shtator 2019.
- ^ Fjalor enciklopedik shqiptar, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2008, fq. 720. ISBN 978 99956 10 27 2
- ^ a b c d Ombashi, Rahim (2014). Perjetësimi i Nezim Beratit mes divanit të tij shqip. Vëll. 5. Tiranë: Zani i Naltë.
- ^ a b c d e f Harry Thirlwal Norris (1993), Islam in the Balkans: Religion and Society Between Europe and the Arab World (në anglisht), Columbia, S.C: University of South Carolina Press, fq. 174, ISBN 9780872499775, OCLC 28067651
- ^ a b c d Elsie, Robert (1992). "Albanian Literature in the Moslem Tradition: Eighteenth and Early Nineteenth Century Albanian Writing in Arabic Script" [Literatura shqipe në traditën islame: Gjuha shqipe me gërma arabe gjatë shekullit të 18të dhe 19të] (PDF). Oriens (në anglisht). Brill. 33: 287–306.
- ^ Hamiti, Abdullah (2008). Nezim Frakulla dhe Divani i tij shqip. Shkup: Logos-A. fq. 24–25. ISBN 9789989582318.
- ^ a b Frashëri, Kristo (shtator 2012). Sulejman Naibi dhe vendi që ai zë në letërsinë shqipe të shekullit XVIII. Vëll. 62 / 2. Tiranë: Perla. fq. 5–13.
- ^ a b c Hamiti 2008, pp. 26-29.
- ^ Abazi-Egro, Genciana (2013). "Dy dokumente të panjohura mbi jetën e poetit Nezim Berati (shek. XVIII)". Studime Historike. Vëll. 1–2. Tiranë: Qendra e Studimeve Albanologjike. fq. 265–271.
- ^ Ombashi, Rahim (2015). Nga art i importuar në letërsi kombëtare. Vëll. 12. Tiranë: Zani i Naltë.
- ^ Hysa, Mahmud (2000). Alaamiada Shqiptare: Studime dhe Recensione. Shkup: Logos-A. fq. 35. ISBN 9789989904134.
- ^ a b Norris 1993, pp. 68-69.
- ^ Rexhepi, Abdullah (gusht 2015). Hermeneutika mistike islame në letërsinë shqipe të alamiados. Vëll. 2. Prishtinë: Seminari XXXIV Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. fq. 247–255. Arkivuar nga origjinali më 11 korrik 2020. Marrë më 3 shtator 2019.
- ^ Elsie, Robert (1997). "Histori e Letërsisë Shqiptare" (PDF). Dukagjini. fq. 52–53. Marrë më 14 prill 2019.
- ^ Ajan në kuptimin E nxorri në shesh
- ^ Bejan - Retorikë
- ^ Insan në kuptimin Njeri, d.m.th. diçka për të qenë, të fisëm.
- ^ Sinani, Shaban (2014). "Alfabeti si kufi: Kur dhe si u shthurën qarqet". Studime (revistë për studime filologjike) (PDF). Prishtinë: AShAK. fq. 187.