Zef Ndokillia i njohur si Zef Jubani (italisht: Giuseppe Jubany; Shkodër, 25 tetor 1818 - 1 shkurt 1880) ka qenë nëpunës, ekonomist, folklorist, shkrimtar dhe ndër pararendësit e lëvizjes kombëtare.

Fotoporteti
Zef Jubani
Emri Zef
Mbiemri Jubani
Lindur më 1818
Lindur në Shkodër, Vilajeti i Shkodrës, Perandoria Osmane
Vdiq më 1880
Vdiq në Shkodër, PO
Kombësia Shqiptar
Profesioni Nëpunës, ekonomist

Biografia

Redakto

U lind në Shkodër, i biri i Ndok Illisë dhe Korinës,[1][2] një italiane që kishte gjetur strehim në qendrën e vilajetit. Ndoka dërgohej me shërbime zyrtare prej vezirit, Mustafa Pashës sa në Vjenë, Serbi, Trieste, etj.[3] Si agjent tregtar i këtij veziri në Trieste nënshkruante veprimtarinë e tij në italisht, Antonio Jubani.[2] Mësimet fillore Zefi mund t'i ketë marrë nëpër shkollat e mësuesve privatë të kohës që gjendeshin në qytet, si ajo e Kushe Mices.[1] Rreth vitit 1830 u dërgua në Maltë ku kishte dajat e vet për të vijuar shkollimin e tij në një shkollë të mesme tregtare, ku i përfundoi më 1838.[4] Në kontakt me anglezët dhe italianët asokohe për punë tregtie, u ndikua nga idetë e kohës mbi nacionalizmin.[3]

Mbasi iu vra i ati, më 1841 u kthye në vendlindje, ku si fillim u caktua me punë në zyrën postare, më pas u ngarkua me detyrën e furnizuesit të drithit për popullatën dhe më tej për krejt Rumelinë.[3] Më 1848 hyri në shërbim të konsullatës franceze po në vendlindje, si terxhuman i konsullit Hyacinthe Hecquard.[3][5] Më 1853 kaloi sekretar i zv/konsullit të Mbretërisë së Bashkuar.[4] Mbajti qëndrim kundër mënyrës si jepej mësim në Seminarin Papnor prej urdhërit jezuit, duke qenë se jepej mësim si gjuhë vetëm italishtja dhe vetëm në italisht asokohe.[6] Arsye për të cilën jezuitët e denoncuan në Vatikan për shkak të propagandës garibaldine që zhvillonte në vend.[7]

Mori pjesë në kryengritjen e mirditorëve të drejtuar nga ipeshkvi Gaspër Krasniqi më 1862. Vite më pas, më 1866 hyri në kontakt me Dora d'Istrian, dhe më tej lidhi korrespodencë me Demetrio Camarda si dhe me Jeronim de Radën, tek i cili shkoi madje për t'u strehuar.[8] Një periudhë të mëvonshme u vendos dhe jetoi në Venecie dhe Trieste, ku bashkëpunoi me gazetën L’Osservatore Triestino,[9] dhe së fundi në Mal të Zi. Ndërroi jetë në Shkodër.

Më 1850 nisi të mblidhte folklorin e krahinave rrethepërqark qytetit të vendlindjes. Më 1858 redaktoi botimin e konsullit francez Hecquard Histoire et description de la Haute Albanie ou Guégarie (shqip: Historia dhe përshkrimi i Shqipërisë së Epërme ose Gegërisë).[4]

Më 1871 botoi në Trieste Raccolta di canti e rapsodie di poemi albanesi (shqip: Përmbledhje këngësh popullore e rapsodish shqiptare), që përbën punimin dhe përmbledhjen e parë të folklorit shqiptar. Vepra ka disa përsiatje politike në parathënie.[10] "Kanga e parë" me të cilën nis përmbledhja është Zani i kasnecave, që i jepej datimi i shekullit të XVI dhe u mendua si e tillë prej ligjërimit pa orientalizma, por më pas u njoh si prodhim osianik i vetë Jubanit,[11] më tej ka vargjet e Luk Bogdanit kushtuar Pjetrit të botuara më parë te Cuneus prophetarum si dhe disa lirika nga letërsia e bejtexhinjve.[10] Nga bejtexhinjtë Jubani botoi tre tekste të shairit shkodran Mollà Hysen Dobraçit dhe një të NezimitBeratit, për të cilat studjues i jetës dhe veprës së tij Jup Kastrati mendon se i ka qëmtuar nga burime të shkruara.[12]

Vepra ka po ashtu një alfabet të përpiluar prej vetë Jubanit, si dhe një gramatikë deskriptive.

Pasi e përktheu nga turqishtja osmane në italisht, më 1873 botoi në Trieste kodin tregtar osman Codice e appendice e procedura commerciale ottomano, shërbim për të cilin u dekorua nga Porta e Lartë.[12] Më 1878 botoi në Venecie një broshurë për lundrimin për zhvillimin e lundrimit me avull mes Italisë dhe Shqipërisë (Progetto di navigazione a vapore italiano nell'Adriatico, tra le piazze dei litorali d'Italia ed Albania, avendo per punto d'appogio la Venezia).[13]

Jubani shkroi edhe poezi, prej të cilave mbijetuan dy: njëra kushtuar Elena Gjikës dhe tjetra Skënderbeut. Sipas të dhënave, kishte nisur përpilimin e një historie të Skënderbeut, por i ka mbetur e papërfunduar dhe në dorëshkrim.[10]

Botëkuptimi politik

Redakto

Kritik për gjendjen e vilajetit, shprehej me keqardhje për mosaplikiimn e barabartë të Tanzimatit, duke lënë në vendnumro përparimin shoqëror. Akuzonte klerin e të dyja palëve që mbanin status quo-në. Në një linjë me reformatorët osmanë si Xhevdet Pasha, ishte për zhdukjen e gjakmarrjes dhe trajtimit të saj si vrasje, arsimi të bëhej i detyrueshëm. Por të gjitha këto duheshin bërë sipas një shqiptarizimi: duhej përkthyer në shqip kodin ligjor osman dhe të shqiptarizohej arsimi.[6]

Në parathënien (italisht: Considerazioni sullo stato morale, e sulla cultura intelettuale del popolo Albanese) e përmbledhjes së këngëve popullore që botoi më 1871, kërkonte formimin e një "komiteti letrar tërësisht shqiptar" në kryeqytetin osman, që të hidhte bazat për promovimin dhe shpërndarjen e letërsisë shqipe. Vlerësonte se shtysën shqiptarizmit duhej t'ia jepte Sulltani dhe ta merrte në mbrojtje. Mendonte se Shqipëria e bashkuar, jashtë pansllavizmit, do të kontribuonte në shpëtimin e perandorisë.[14]

Galeria

Redakto

 

Referime

Redakto
  1. ^ a b Jubani, Zef (1966). Kastrati, Jup (red.). Vepra të zgjedhuna. Tiranë: Naim Frashëri. fq. 6.
  2. ^ a b Faensen, Johannes (1980). Die albanische Nationalbewegung (në gjermanisht). Harrassowitz. fq. 113.
  3. ^ a b c d Bushati, Hamdi (1998). Shkodra dhe motet. Vëll. 1. Shkodër: Idromeno. fq. 571–572. OCLC 41096394.
  4. ^ a b c Clayer, Nathalie (2012) [2007]. Në fillimet e nacionalizmit shqiptar: Lindja e një kombi me shumicë myslimane në Evropë. Përkthyer nga Artan Puto (bot. 2). Tiranë: Botime "Përpjekja". fq. 147–148. ISBN 9789994302536.
  5. ^ Elsie, Robert (1997) [1995]. Histori e letërsisë shqiptare [History of Albanian Literature]. Përkthyer nga Myftiu, Abdurrahim. Pejë: Dukagjini. fq. 149.
  6. ^ a b Clayer 2012, fq. 196.
  7. ^ Clayer 2012, fq. 257.
  8. ^ Clayer 2012, fq. 209.
  9. ^ Muner, Paolo (24 nëntor 2021). "Zef Jubani, shkodran, apo Giuseppe Jubany, triestin?". diasporashqiptare.al. Përkthyer nga Fioralba Duma. Marrë më 3 shkurt 2022.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  10. ^ a b c Elsie 1997, fq. 150.
  11. ^ Vehbiu, Ardian (14 maj 2021). "Efekte të fabrikimit në kulturë". Peizazhe të fjalës. Marrë më 1 shkurt 2022.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  12. ^ a b Ballgjati, Edmir (2019). "Mbi krijimtarinë e Molla Hysen Dobraçit". Antropologji. 2 (1): 83. Arkivuar nga origjinali më 3 shkurt 2022. Marrë më 1 shkurt 2022.
  13. ^ Clayer 2012, fq. 195-196.
  14. ^ Clayer 2012, fq. 206.