Abdurrahman Arnaut Llapashtica lindi në vitin 1900 në fshatin Llapashticë të EpërmeLlapit, ishte aktivist në luftën e Palestinës.

Biografia

Redakto

Abdurrahman Arnaut Llapashtica mejtepin (shkolle fillore e besimtareve myslimane) e kreu në fshatrat Obrançë dhe Llapashticë dhe e vazhdoi në Prishtinë te dijetari H. Hamdi Efendiu. Në moshën 21-vjeçare shkoi në Turqi për t‘u shkolluar edhe më tutje, por për arsye familjare u kthye sërish në Kosovë.

Në vitin 1927 u detyrua që të kryejë shërbimin ushtarak në armatën Jugosllave. Dhjetë vjet më pas, për arsye represive të regjimit të atëhershëm, shiti gjithë pasurinë dhe u shpërngul në Turqi, duke shkuar njëherë në Stamboll, Ada-Pazar, Bursë dhe Adanë. Me familjen katër anëtarëshe, më 1944 doli në Siri. Vajzën e martoi me një turk nga Halepi, me qëllim që ta merrte me vete ngado që të shkonte.

Në vitin 1946 filloi lufta në Palestinë. Ai mori familjen dhe i vendosi në Jordani. Dhëndrin dhe vajzën, si dhe të birin e tyre i la në Aman, pasi rehatoi të afërmit, u kthye dhe iu bashkëngjit luftës së palestinezëve. Me vete kishte marrë edhe gruan, e cila do t‘i shërbente edhe për fshehjen e armëve. Me fillimin e uftës në Palestinë më 1946, Llapashtica vendoset me familjen në Jordan dhe nga aty kthehet në Palestinë për t'ju bashkangjitur forcave të armatosura palestineze.

“NUK LUFTOVA PËR ARABË, PO PËR MESXHIDIN AKSA”- tha Abdurrahman Arnaut Llapashtica.

Menjëherë më pas, në qytezën Rriha u bastisën nga një kontroll i ushtrisë angleze, duke ia konfiskuar armët. Atë e arrestuan së bashku me gruan. Gruaja u burgos në Rriha, ndërsa hoxha u dërgua në Jeruzalem për të vuajtur burgun. Pas këtij rasti, i biri i tij Aliu, i cili ishte vetëm 14-vjeçar, duke mos ditur se si t‘ia bënte, meqë gjuhën nuk e njihte, por nuk kishte as nënshtetësi, vendosi të këshillohej me këshilltar të asaj kohe të Jordanisë. Pavarësisht mundit të Aliut, ai nuk gjeti ndihmë askund. Duke mos hequr dorë për lirimin e mundshëm të prindërve të vet, ai takohet me një plak, i cili e këshilloi që të shkonte tek mbreti Abdullah. Aliu, meqë nuk kishte rrugëdalje tjetër bëri ashtu siç e kishte këshilluar plaku. Dy-tri here kishte shkuar kot, sepse nuk e kishte paralajmeruar mbretin per viziten. Ai ishte vetëm 14-vjeç.

Herën tjetër Aliu filloi të qante pranë mbretërisë. Një rojtar e pyeti se ç’hall kishte - u mor vesh me të disi dhe rojtari nderkohe kishte hyrë tek mbreti për t‘i treguar për rastin i cili po e priste. Fati kishte dashur që mbreti të tregohej i mëshirshëm dhe e lejoi Aliun e ri të hynte tek ai dhe t‘i rrëfente problemin e tij.

Duke dhënë selam Aliu kishte hyrë në dhomën e mbretit duke i puthur atij dorën dhe mjekrën. Kur i kishte treguar se nuk e dinte arabishten, mbreti i kishte thene të fliste turqisht, ngase edhe ai vete e fliste këtë gjuhë.

Duke ia treguar historinë, dhe duke mos fshehur asgjë, pra duke i thënë se cili kishte qenë qëllimi i babait të tij, që të luftonte në emër të Zotit, mbreti i kishte premtuar se nënën do t‘ia lironin së shpejti, ndërkaq të atin do ta rimendonte se çfarë mund të bënte me të.

Pas tri javësh nëna u kthye në shtëpi. Hoxha nuk shihej gjëkundi. Aliu nuk prante të kërkonte nga mbreti lirimin e të atit. Dhe, mbreti kishte realizuar premtimin e tij; kishte ndërmjetësuar tek gjenerali anglez dhe, pas tre muajsh, liroi edhe babain e Aliut - hoxhë Abdurrahmanin.

Hoxha pas lirimit ishte njoftuar me mbretin, kishin shkëmbyer llafe dhe në fund kërkoi leje që të shkonte prapë në luftë tek palestinezët. Ai e lejoi, ndërsa hoxha iu bashkëngjit ushtrisë palestineze dhe u ngarkua për mbrojtjen e Mesxhidit Aksa. Si vendbanim kishte zënë shpellën e njohur me emrin Sahertulla. Në këtë shpellë ai banoi tri vjet. Më 1949 Palestina u nda me kufij artificialë. Hoxha gjatë këtyre vjetëve ishte dalluar si luftëtar i zoti dhe komandant i aftë. Pas luftës e lutën që të rrinte dhe i ofruan pozita të larta. Ai nuk pranoi, duke thënë se nuk kishte shkuar që të luftonte "për kapital", por të luftonte për Mesxhidin Aksa, duke thënë se "unë jam fakir" (el fakir meallah). Për një kohë ai mbeti si imam i ushtrisë.

Arabët dhe shtetet e tjera përreth e nderuan hoxhën; e ndihmuan, por ai nuk e pranonte ndihmën si shenjë mirënjohjeje, por kërkonte që t‘ia mundësonte (t‘ia jepnin vizën) të shkonte të kryente Haxhin. Hoxhës iu bë e mundshme që së bashku me familjen të kryente Haxhin. Pas kryerjes së këtij obligimi, ai prapë u kthye në Jordani. Me t‘u kthyer kërkoi që ta lejonin të vizitonte të gjitha shtetet arabe islame. Ai e mori vizën për 42 shtete, që nga India e deri në Egjipt. Nga Az‘hairi (universiteti i parë në botë) mori lejen që të jepte ligjerata nëpër të gjitha shtetet.

Në vitin 1951, në Aman, rastësisht, u takua me Rexhep Ozanën, i cili ishte nga Gjilani. Lidhur me takimin, Rexhepi kishte thënë:

"Isha duke ndenjur para një xhamie në qendër të Amanit. Nga xhamia doli një hoxhë, për të cilin thashë që nuk është as arab e as turk, dhe iu drejtova në gjuhën shqipe. Ai, i habitur më tha, kush jeni ju që më flisni shqip? I tregova që jam një shqiptar nga Kosova dhe u përqafuam gjatë e fort. Më mori, më dërgoi në shtëpine e tij dhe biseduam disa ditë radhazi. Hoxha më tha se nuk dinte asgjë për vendin e tij, për të afërmit për më shumë se 10 vjet. Më tha se atje kishte vëllain dhe motrat, dhe duke qenë se ndërkohë ishte zhvilluar Lufta e Dytë Botërore, e dinte se mund të kishin ndodhur dëme të mëdha. Kam dëgjuar, thoshte hoxha se, janë bërë masakra të mëdha kah Llapi. Por, duke e njohur mirë luftën që ishte bërë në Kosovë, i thashë se, pavarësisht se në Llap është luftuar shumë, atje njerëzit kanë shpëtuar bukur mirë. Hoxha më kërkoi t‘i tregoja adresën postare të asaj Jugosllavie me qëllim që të niste ndonjë letër", tregon Rexhep Ozana.

Ai mori letrën e shkroi në gjuhen turke, e dërgoi dhe ia la amanet kryetarit të zyrës së vendit. UDB-ja nuk e lejoi letrën që të shkonte në adresën e duhur derisa e verifikoi mirë se kush qenka ky Abdurrahman Ibën Hajdari. Më pas letra i arriti vëllait të hoxhës, Isufit, i cili me të pranuar letrën ishte gëzuar shumë për të, meqë nuk kishte dëgjuar asnjë lajm nga ai, asnjëherë. Familja ia ktheu letrën dhe komunikimi filloi të funksionojë.

Në vitin 1952 ai vendosi që të vizitonte Kosovën. U bë jehonë e madhe dhe pritje që madheshtore. Mirëpo, krahas mikpritjes që i bënë, hoxha u kritikua për gjykimet e ashpra që i bënte në vend për pirjen e duhanit, ngase ai ishte kategorik se duhani është shumë i dëmshëm dhe rrjedhimisht haram.

Në vitin 1953 me tërë familjen shkoi në Medinë, por nuk mundi të binte dakord me njerëzit e vendit lidhur me përmbajtjet e librave. Duke qenë kështu, ata e lejuan që të jepte mesim vetëm me program, mirëpo hoxha kishte qenë i vendosur dhe nuk dëshironte që ta kufizonin lidhur me temat që i kishte në mend t‘i ligjëronte. Në Medinë ai e la vajzën Merjemin dhe dhëndrin. Sot e asaj dite Merjemja është gjallë dhe ka 6 djem e 4 vajza.

Prapë, në vitin 1959 u kthye në Aman. Po në të njëjtin vit ai e bëri edhe një vizitë në Kosovë. Duke mos e ditur se situata politike ishte ashpërsuar, ai kërkoi që të vizitonte Shqipërinë. Lidhur me kërkesën që kishte bere për të shkuar në Shqipëri, ai dëshironte që t‘i kryente disa amanete që kishte marrë nga disa talebe të Kajros. Por, fatkeqësisht, në mesin e njerëzve që ishin prezent kishte edhe shërbyes të pushtetit të atëhershëm jugosllav, të cilët e lajmëruan atë se ai "dëshironte të bashkonte Kosovën me Shqipërinë" dhe UDB-ja iu vu prapa e tërbuar. Ndër ditët që e kërkonin, një agjent malazez, i cili kishte marrë detyrë që ta përcillte, hoxha kishte shkuar në Sarajevë. Duke u kthyer nga Sarajeva, posa zbriti nga treni në Fushë-Kosovë, atë e ndaloi UDB-ja dhe e mbajti 6 orë në pyetje. I dhanë ultimatum që brenda 12 orëve të largohej nga Kosova duke i thënë se nuk është i mirëseardhur më në këtë vend.

Në vitin 1967, duke qenë se kishte ndërruar pak gjendja për të mirë, meqë kishte rënë sistemi i Rankoviqit, në konsultim me konsullata, ai vendosi që edhe njëherë t‘i mësyhej Kosovës. Mirëpo, kësaj radhe, në ditët që mbërriti në Kosovë, Izraeli kishte sulmuar edhe njëherë Palestinën dhe hoxha menjëherë u kthye.

Më 1969 hoxha vizitoi për herë të fundit Kosovën, duke i lënë të mallëngjyer të gjithë të afërmit dhe njëkohësisht duke lënë gjurmë të pashlyeshme nga fjalimet e tija lidhur me kombin dhe fenë.

Pas kësaj, mbreti saudit e përzuri përgjithmonë nga Arabia Saudite dhe ai ishte mërzitur shumë. Hoxha kërkoi nga një ministër i atëhershëm i Jordanisë, Talati, që të intervenonte disi tek mbreti për të bërë edhe njëherë haxhin dhe që të hallashtisej me atë pjesë të familjes që i kishte mbetur në Medinë. Ministri ia bëri këtë të mirë dhe shkoi në Arabi për të ndërmjetësuar që hoxha të lejohej që edhe njëherë të vizitonte këtë vend. Lejen e mori me kushte që të mos bënte trazira me derset e tija që ata i quanin "provokative".

Ministri Talat ia tregoi kushtet hoxhës, duke e lutur atë që t‘u përmbahej kushteve të parashtruara dhe i tha se do t‘i paguante njërën anë të rrugës. Për hir të familjes, ai i kishte përpirë kushtet. Ky kusht, që të mos mbante derse për të ishte i rëndë. Kjo ishte vizita e tij e fundit në vendin e shenjtë islam.

Vdekja

Redakto

Në mars të vitit 1975, hoxha ndërroi jetë në Jordani. U varros me nderime të larta ushtarake në varrezat e kryeqytetit Jordanez, në Aman. Në këtë qytet ai la pas djalin Aliun, i cili kishte 2 djem dhe një vajzë. Edhe Aliu ndërroi jetë në të njëjtin vend në vitin 1988.