Bedri Spahiu
Bedri Spahiu (Gjirokastër, 13 korrik 1908 - Tiranë, 11 janar 1998) ka qenë ushtarak, partizan, prokuror në Gjyqin Special dhe në atë të Koçi Xoxes, sekretar i agjipropit si dhe ministër i Arsimit dhe i Kulturës. Spahiu përfshihet në listën e përpiluar nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, që përmbledh pjesëmarrësit që kanë përgjegjësi direkte për krimet e Partisë Komuniste Shqiptare dhe të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, duke qene, sipas ligjit nr. 41, anëtarë të strukturave politike dhe ushtarake “që kanë inspiruar, organizuar, urdhëruar, ekzekutuar ose ndihmuar forcat partizane në vepra kriminale”.[1]
Bedri Spahiu | |
---|---|
Ministër i Arsimit | |
Në detyrë 10 prill, 1952 – 21 qershor, 1955 | |
Paraprirë nga | Kahreman Ylli |
Pasuar nga | Ramiz Alia |
Të dhëna vetjake | |
U lind më | 13 korrik 1908 Gjirokastër, Perandoria Osmane |
Vdiq më | 11 janar 1998 Tiranë, Shqipëri |
Nënshtetësia | Shqiptar |
Punësimi | xhandar |
U shkarkua nga pozitat e veta, internua dhe më pas u burgos në vazhdën e kërkesave për destalinizimin, demokratizimin e Partisë së Punës, ngadalësimin e industrializimit dhe kolektivizimit. Pas lirimit të tij me ndryshimet politike në fillimin e viteve '90m, është i pari funksionar i lartë i regjimit komunist që shprehu pendesë publike për krimet e kryera me artikullin "Bedri Spahiu revizionon Bedri Spahiun" si dhe me memuaret e shkruar në vëllimet Testamenti politik (Testamenti 1&2; Tiranë, 1994) dhe Pendesa të shkruar në turqisht.[2]
Biografia
RedaktoU lind më 1908 në një familje të thjeshtë bektashie në lagjen “Palorto” të qytetit të Gjirokastrës.[3] E ëma i vdes herët, kur ishte ende 10 vjeç. Gjatë fëminisë gjendja ekonomike e familjes së tij ishte shumë e rëndë. I ati, Sinani, shkoi në kurbet me shpresë për t’u mëkëmbur. Gjatë kësaj kohe Bedriu ishte në shkollën fillore që e përfundoi më 1923. Më 16 maj të po atij viti u nis për Izmir, t'i bashkohej të atit, ku ishte vendosur me punë. Në sajë të ndihmës së një borshioti, Hidajet Xhuvelit, që punonte në konsullatën italiane, gjeti mundësinë që të ndiqte një shkollë fillore italiane në Stamboll dhe mori dëftesën e lirimit. I sëmurë me anemi nuk mund t'i vijonte studimet, kështu që punoi me të atin deri në verën e 1927 kur takoi diplomatin e shtetit shqiptar në Turqi, Rauf Ficon.[4]
Me rekomandimin e Ficos dhe ndërhyrjen e Javer Hurshitit, iu dha një bursë shtetërore dhe kësodore iu mundësua të ndiqte gjimnazin e Shkodrës. Vazhdoi shkollën e oficerëve të artilierisë në Tiranë, pasi e kreu emërohet toger i dytë dhe nga gushti i 1931 hyri në shërbim të ushtrisë së monarkisë. Më 11 qershor 1937 u arrestua së bashku me kolegë të tjerë për pjesëmarrje në kryengritjen e Fierit, subversion në ushtri dhe propagandë komuniste. Pas 7 muajve hetuesi, u internua në qytetin e vendlindjes me Tahir Kadarenë. Më 1938 u arrestuan në Vlorë po me Kadarenë pasi kishin hipur në një vaporr me emra të rremë për të vajtur jashtë. Me pushtimin italian vishet oficer këmishëzi dhe pastaj punësohet në Agjencinë e Transportit Automobilistik në Gjirokastër.[5] Nëntorin e 1941 u dënua nga autoritetet kuislinge për hedhje traktesh me Bajram Sinoimerin.
Kur u formua Shtabi i Përgjithshëm, ai zgjidhet anëtar i këtij Shtabi. Në Berat u zgjodh anëtar i Byrosë Politike dhe me këtë funksion ishte deri në 17 qershor 1955. Në vazhdën e destanilizimit që e kishte kapluar bllokun brenda influencës sovjetike, së bashku me Tuk Jakovën kërkoi ngadalësimin e industrializimit të vendit, të kolektivizimit si dhe demokratizimin e Partisë së Punës. Për qëndrimet e tij Hoxha i akuzoi për revizionizëm dhe projugosllavë,[6] duke u shkarkuar nga të gjitha funksionet e ekzekutive dhe nga pozitat brenda partisë.
U ndalua sapo kaloi derën e sallës ku bëhej plenumi i KQ të PPSH-së më 17 qershor 1955 dhe u izolua për pesë ditë në shtëpi. Mbas 15 ditësh, më 23 qershor 1955 u internua familjarisht në Elbasan. Gjatë Konferencës e 3-të e partisë së Tiranës (14-20 prill 1956) iu kërkua llogari udhëheqjes për dënimet e Xoxes, Jakovës dhe Spahiut.
Më 1 qershor 1957, u arrestua dhe izolohet në Kalanë e Kaninës në Vlorë, prej ku transferohet në 4 janar 1958 për Tiranë. U dënua me 25 vjet. Në 6 tetor 1974 lirohet nga burgu dhe internohet drejt e në Selenicë. U lirua nga internimi më 10 maj 1990, ditën kur u shpërnda Komisioni i Internim-Dëbimeve. Pas ribashkimit me të birin e burgosur, më 1991 u vendosën në Vaqarr të Tiranës.[2]
Ndërroi jetë më 11 janar 1998.[4]
Referime
Redakto- ^ "Lufta e Dytë Botërore në Shqipëri, E papublikuar / Arkivi i Shtetit, 260 emrat që "rrëfyen" ekzekutimet në ushtrinë partizane". Gazeta Standard. 29 nëntor 2014. Marrë më 22 maj 2018.
- ^ a b Spahiu, Spartak (11 maj 2010). "Rrëfen i biri: ç'më tha Bedri Spahiu në çastet e fundit: Spartak Spahiu tregon për historinë e të atit [Bedriut, ish-prokuror i përgjithshëm]". arkivalajmeve.com. Panorama. Arkivuar nga origjinali më 30 dhjetor 2022. Marrë më 30 dhjetor 2022.
- ^ Korça, Mërgim (2 nëntor 2007). "Baba Rexhebi dhe mistika e Tij Bektashiane". zemrashqiptare.net.
- ^ a b Kaloçi, Dashnor (5 shtator 2002). "Bedri Spahiu: Letër Mehmet Shehut: [Letra botohet e shoqëruar me një biografi të autorit],". Gazeta Shqiptare (2272): 12–13.
- ^ Arkivat sekrete britanike, 1945: Cilët janë udhëheqësit kriminelë të Shqipërisë, 29 qershor, 2015.
- ^ Elsie, Robert (2010). Historical Dictionary of Albania (në anglisht). Scarecrow Press. fq. 424–425. ISBN 9780810873803.