Budakovë është një vendbanim në komunën e Therandës, Kosovë.

Budakovë
Fshat

Gjeografia Redakto

Budakovë[1] është vendbanim kodrinoro-malor dhe i takon tipit të vendbanimeve të shpërndara. Gjendet rreth 10 km në lindje të Therandës, rrëzë bjeshkëve të Jezercit, që u ngjitën vargmaleve të Sharrit. Shtrihet në një lartësi mbidetare prej 600 m. nga lagjja Buzhalë e deri më 1100 metra te lagjja Hoxhët. Është një prej vendbanimeve të kësaj komune që përfshin një territor mjaft të gjërë. Është vendbanim mjaft i vjetër. Ka shumë gjurmë arkeologjike, si p.sh. në vendin Gurët e Lumës (ka varreza dhe themele), Konaqet (gjenden themelet e shtëpive), Livadhi i Madh (gjenden themelet e kishës katolike dhe bunari (pusi) ku flitet se kleri kishte fshehur thesarin, pasi që popullsia filloi të islamizohet. Në Fusha, janë themelet e kishës, ku fshatarët kanë gjetur gypa të argjilit etj. Po thuajse të gjitha mikrotoponimet e fshatit janë në gjuhën shqipe. Emri i fshatit sipas gojëdhënave thuhet se mban emrin e themeluesit apo të parit që është vendosur në këtë trevë Buda i Jakovës, ndërsa supozim tjetër është se Budakovë ka kuptim - kodër e madhe. Sot fshati përbëhet prej 9 lagjeve: Buzhala, Palush, Sallauk, Caka, Kokollar, Buq, Bajraktar, Kololl dhe Hoxha. Prej këtyre lagjeve 6 janë vendëse, ndërsa një është e ardhur nga rrethina e Pejës si nipa të fshatit. Lagjet përbëhen prej tre vëllazërve: Pala, Kola dhe Ziba. Nga Pala (rrjedhin lagjet Palush dhe Buzhalë), Kola (rrjedhin lagjet: Kololl dhe Kokollar) dhe Ziba (njedhin lagjet: Sallauk, Bajraktar dhe Hoxhë), ndërsa lagjia Caka është lagjia më e vjetër në fshatë këtë e vërtetojnë edhe emrimet e ndryshme, si livadhi Caka etj. Lagjia Buçaj ështe e ardhur nga Peja. Të gjitha mikrotoponimet janë në gjuhën shqipe dhe tregojnë lashtësinë e tyre, ku japin për të kuptuar se këtu gjithmonë kanë jetuar shqiptarët, si p.sh. Bjeshkët e Thaqit, Gurët e Lumës, Sumbullari, Kungullari, Kacadeve, Lugu i Zanave, Varri i Kadisë, Bojgjakët, Ara e Fanës, Fusha e Gatë, Fushat etj.

Demografia Redakto

Shënimet statistikore: Redakto

Rreth vitit 1879 kishte 29 shtëpi shqiptare; në vitin 1913 së bashku me lagjen Buzhalë kishte 887 banorë; në vitin 1918 - 89 shtëpi me 633 banorë shqiptarë; sipas regjistrimit të vitit 1921 - 95 shtëpi me 713 banorë; në vitin 1948 - 136 shtëpi me 949 banorë; në vitin 1953 - 133 shtëpi me 1006 banorë; në vitin 1961 - 140 shtëpi me 1127 banorë (1112 shqiptarë, 1 serb, 4 të tjerë); në vitin 1971 - 151 shtëpi me 1374 banorë shqiptarë; në vitin 1981 - 164 shtëpi me 1.599 banorë shqiptarë.

Vendbanimi në vitin 1995 kishte 250 shtëpi me rreth 2400 banorë shqiptarë. Ndërsa, sipas shënimeve të Kuvendit Komunal të vitit 2000 kishte 2472 banorë. Nga sulmet barbare serbe të vitit 1998-99 fshati u dogj dhe u shkatërrua në tërësi, përkatësisht u dogjën e shkatërruan më se 275 shtepi, objekti i shkollës, i ambulancës, ndërsa xhamia e ndërtuar më 1873 është granatuar më 8 qershor 1999. Nga ky fshat në luftërat e viteve 1998-99 mbetën të vrarë 35 banorë, nga të çilët 5 dëshmorë të kombit, të tjerët civilë të moshave të ndryshme. Në këtë vendbanim më 26 qershor 1998 u formua Shtabi i UÇK-së, pra aty qëndroi dhe veproi Shtabi i Batalionit të II të Brigadës 123 të Zonës Operative të Pashtrikut si dhe Spitali ushtarak.

Historia Redakto

Në një shënim përmendet në vitin 1372. Pastaj nuk e hasim ne dokumentet e shkruara mesjetare, ndoshta një kohë ishte i brakisur? Në një relacion të arqipeshkvit Pjetër Karagiqit të vitit 1725, shkruan se në Prizren famullitar dhe misionar apostolik është studenti i Kolegjit Ilirik të Loretos, don Pjetër Bytyçi. Këtij misioni i takon edhe fshati Budakova me 7 shtëpi me 60 anëtarë besimtarë të krishterë. Me emrin Budakovë është e regjistruar në sallnamet e Vilajetit të Kosovës të vitit 1893 (1311 h), të vitit 1896 (1314 h) dhe të vitit 1900 (1318 h). Që nga viti 1912 shumë familje shqiptare nga ky fshat si dhe shumë fshatra të tjera u detyruan të migrojnë në Shqipëri. Budakova ka një traditë të bujarisë dhe të trimërisë. Gjatë historisë fshati ishte qendër e rezistencës kundër pushtuesve të huaj. Nga ushtria bullgare në vitin 1918 u dogjën 12 shtëpi të mahallës së Buzhalë pas një përleshjeje. Edhe pushteti osman, sidomos ai serb dhe jugosllav e kishin në shënjestër këtë vendbanim.

Burimet Redakto

Lidhje të jashtme Redakto