Halil Jaçellari
Halil Jaçellari (14 korrik 1940 – 23 tetor 2009) ishte një tregimtar, romancier, poet dhe publicist Shqiptar. Lindur në Lushnje në mesin e luftës dyte botërore, dhe rritur në Shqipërinë e izoluar nga një nga diktaturat më të egra komuniste. Jeta dhe krijimtaria e tij, do të duhej të përballej jo rrallë herë me vështërsitë, që ajo kohë, rëndomtë i rezervonte shqiptarëve dhe sidomos shkrimtarëve shqiptar.
Halil Jaçellari | |
---|---|
U lind më | 14 korrik 1940 Lushnje |
Vdiq më | 23 tetor 2009 Romë,Itali |
Kombësia | Shqiptar |
Gjinitë letrare | tregime,novela |
Jeta në atë ambient, ku liria e të shkruarit dhe e fjalës përballej me dhëmbët e hekurt të diktaturës, dhe ku rreziku se një interpretim i gabuar, shkrim i gabuar ose recensiòn i gabuar mund të kushtonte jetën, nuk e ndaluan Halilin për te vëne në jetë pasionin dhe talentin e tij më të madh. Një pasion ai i të shkruarit që jo pak herë i krijoj probleme dhe rreziqe, por që gjithashtu i rezervoi kënaqësi të panumërta. Krijimtaria e tij nisi gjatë viteve të gjimnazit, te cilin e kreu gjithashtu në Lushnjë, kohë kur u dashurua me letërsinë, dhe shkroi tregimet dhe poezitë e para. Tregimet e para i botoi në revistat letrare të kohës si nëntori, Rinia dhe Drita.
U martua më 1968, me Afërdita Hasanbelliun, e cila vinte nga një familje bejlerësh e luftuar ashpër nga regjimi komunist shqiptar.
Në vitin 1976 botohet më në fund libri tij i parë me tregime, “Mirëmëngjes njerëz”. Dy vjet më vonë, në vitin1978 boton librin e dytë me tregime “Hapat e tij”. Në konkursin letrar të vitit 1978 me këtë libër fiton çmimin e dytë të tregimeve duke mos pasur një çmim të parë për atë vit.
Dy libra të pritur mirë nga lexuesi shqiptar në përgjithësi, dhe të vlerësuar nga shkrimtarë të ndryshëm si Dritëro Agolli dhe Ismail Kadare. Dy emra të mëdhenj të letërsisë shqiptare që përveç vlerësimit si koleg, nuk kursyen dhe interesimin në aspektin human për të.
Por koha ishte e tillë që kishte më shumë rëndësi vlerësimi i partisë se sa i gjithë të tjerëve, dhe kështu për të botuar romanin e tij të parë “Nesër është e dielë” ju desh të priste nga 1984 deri më 1988. Roman për të cilin në recencencën e tij Ismail Kadare shkruan: “ Meritë e romanit është se personazhet janë tepër të besueshëm, tepër të afërt. Besueshmëria dhe sinqeriteti janë karakteristika të çmueshme të këtij libri, i cili është një rrëfim i ngrohtë, i zgjuar tërë lirizëm, dashuri jete, mbushur me humanizëm të vërtetë” , ndërsa në të tijën Nasho Jorgaqi shkruan: “Përvoja si tregimtar i ka ardhur autorit në ndihmë.” Ai ka një gjuhë të punuar, emocionale, me një dialog të gjallë”.
Për këtë pritje katër vjeçare Halili pas viteve 90 do të shkruante “ Nesër është e diel” edhe pse me një recensiòn shumë entuziast nga shkrimtari gjigant Ismail Kadare, u prit me një ftohtësi të akullt nga redaksia. Në atë kohë redaktor te romanet punonte edhe një dhëndër i një anëtari të byrosë politike, i cili më parë kishte qenë drejtor i një biblioteke të një qyteti të madh. << e ç’është Ismail Kadareja që u dashka të udhëhiqemi nga mendimi i tij>>, më tha. Më kthehu një përgjigje gjysmë faqe, ku vinte në dukje gabime të thella ideologjike te romani dhe shtonte se nuk mund të botohej.”.
Pritja që i bëri lexuesi qe krejt e kundërt me atë të zyrtarëve. Çdo kopje u shit në pak ditë, dhe nga statistikat e bibliotekës qendrore shqiptare rezultoi libri me i kërkuar për atë vit. Edhe pse suksesi kishte qenë shumë i madh romani nuk u ribotua. Shkrimtari Fahri Balliu shkroi në Drita ku vinte në dukje se vetë drejtori i shtëpisë botuese “Naim Frashëri” i kishte thënë : “Nga gjithë Shqipëria kanë ardhur letra, kërkojnë ribotimin e romanit Nesër është e diel”.
Me ndryshimet pas rënies së murit të Berlinit, në fillim të vitit 1991, tre ditë para rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës, në gazetën e re “Republika” botohet më 17 shkurt 1991 një artikull i Halil Jacellarit, letër e hapur drejtuar Ramiz Alisë, Sekretar i Parë i KQ të PPSH-së ku kritikohet ashpër regjimi komunist dhe diktatori Enver Hoxha.
Mbas rënies së diktaturës punoi në fillim si drejtor i bibliotekës së Lushnjes. Në të njëjtën kohë botoi dhe drejtoi për afro dhjetë vjet gazetën lokale javore “Hapësirë mendimi”, ku botonin shpesh shkrimtarë dhe poetë të Myzeqesë, si Faslli Haliti, Vath Korreshi, Visar Zhiti, Bujar Xhaferri, Ilir Levonja, Fatbardh Rustemi e shumë të tjerë.
Nga 1995 deri në 2002 mbuloi detyrën e drejtorit të Muzeut Historik të qytetit të Lushnjes deri në daljen në pension.
Gjatë kësaj kohe në 1996 ribotoi romanin “Nesër është e djelë” si një detyrimi moral kundrejt atyre lexues të shumtë që vite më parë kishin kërkuar ribotimin e këtij romani. Botohet me disa poezi në “Antologji poetike me autorë lushnjarë” të vitit 1999 të “Onufri”. Botoi në 2002 një përmbledhje me tregime të zgjedhura dhe në 2005 romanin e mirëpritur “Sezoni pa dasma” gjithmonë nga shtëpia botuese prestigjioze “Onufri”.
Për një kohë të gjatë ishte anëtar i kryesisë së Lidhjes Së Shkrimtarëve të Shqipërisë dhe kryetar për degën e Lushnjes.
Në 2007 transferohet në Itali për tu kuruar nga një tumor në spitalin shtetëror “Umberto I” të Romës. Në shtator të 2009 dorëzoi në shtyp tek “Onufri” romanin e tij të fundit “Humnera e mëdyshjes” dhe librin e fundit me tregime “Anni rubati” në shtëpinë botuese italiane “Edizioni D’Agostino”. Gjendja tij shëndetësore u rëndua më shumë dhe në darkën e 23 tetorit 2009, u shua në shtëpinë e djemve të tij në Romë.
U varros në qytetin e tij të lindjes me nderime të mëdha nga bashkëqytetarët e tij, shkrimtarë e artistë dhe politikanë nga e gjithë Shqipëria.
Vepra të botuara prej Halil Jacellarit
Redakto- Mirë mëngjes njerëz (1976 Tregime )
- Hapat e tij (1978 Tregime )
- Nesër është e djelë (1988 Roman )
- Nuk është kjo dashuria (1996 Tregime )
- Përralla nga Hans Christian Andersen (1996 Përkthime )
- Nick Sniffle and Dr. Yeah (1997 Përkthime )
- Tregimet e Guy de Maupassant ( 1999 Përkthime )
- Tregime (2002 Tregime )
- Sezoni pa dasma (2005 Roman )
- Humnera e mëdyshjes ( 2009 Roman )