Enver Hoxha

sekretari i parë i Partisë së Punës së Shqipërisë
(Përcjellë nga Enver Hoxhës)
This is the stable version, checked on 5 gusht 2024. 1 pending change awaits review.

Enver Hoxha (16 tetor 190811 prill 1985) ka qenë politikan komunist shqiptar që drejtoi shtetin shqiptar nga viti 1944 deri në vdekjen e tij në vitin 1985. Para sekretarisë së parë të Partisë së Punës së Shqipërisë, ai ishte kryetari i Frontit Demokratik të Shqipërisë dhe komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura Shqiptare nga viti 1944 deri në vdekjen e tij. Shërbeu si Kryeministër i Shqipërisë gjatë viteve 19441954 dhe në kohë të ndryshme ka shërbyer si Ministër i Punëve të Jashtme dhe i Mbrojtjes.

Enver Hoxha
Sekretari i Parë i Partisë së Punës së Shqipërisë
Në detyrë
8 Nëntor 1941 – 11 Prill 1985
Pasuar ngaRamiz Alia
Kryeministër i Shqipërisë
Në detyrë
23 Tetor 1944 – 19 Korrik 1954
Paraprirë ngaIbrahim bej Biçaku
Pasuar ngaMehmet Shehu
Ministër i Mbrojtjes Kombëtare (Popullore, pas 5 Korrikut 1950)
Në detyrë
23 Tetor 1944 – 24 Shtator 1953
Pasuar ngaBeqir Balluku
Ministër i Punëve të Jashtme
Në detyrë
9 Shkurt 1946 – 1 Gusht 1953
Paraprirë ngaOmer Nishani
Pasuar ngaBehar Shtylla
Të dhëna vetjake
U lind më16 Tetor 1908
Gjirokastër, Vilajeti i Janinës, Perandoria Osmane, (sot Shqipëria)
Vdiq më11 Prill 1985
Tiranë, Republika Popullore e Shqipërisë
NënshtetësiaShqiptar
Partia politikePartia e Punës e Shqipërisë
Bashkëshortja/etNexhmije Hoxha
FëmijëtIlir Hoxha
Sokol Hoxha
Pranvera Kolaneci
PunësimiPolitikan
Nënshkrimi

I lindur në Gjirokastër më 1908, ai punoi fillimisht si mësues, por pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste ai vijoi punën në arsim deri kur u punësua në fabrikën dhe shitoren "Flora" të Ibrahim bej Biçakçiut. U bë anëtar i Partisë Komuniste të Shqipërisë pas formimit të saj më 1941, kurse më 1943 u zgjodh sekretar i parë i saj me përkrahjen e emisarëve jugosllavë nën drejtimin e të cilëve u themelua partia, Miladin Popoviqit dhe Dushan Mugoshës.

Të 41 vitet e drejtimit të tij të shtetit shqiptar ndahen në dy periudha: e para (1944-1976) e karakterizuar me aleanca të përkohshme me fuqitë e kampit socialist ─ Jugosllavinë, Bashkimin Sovjetik dhe Kinën ─ dhe e dyta (1977-1985) e shënjuar nga izolacionizmi, antirevizionizmi dhe ndjekja dogmatike e marksizëm-leninizmit. Prej sundimit të tij spikaste mbrojtja e hekurt e stalinizmit, eliminimi i çdo lloj opozitarizmi të jashtëm apo të brendshëm, përmes metodave që përfshinin dënimin me vdekje; transformimi i vendit drejt një ekonomie industriale dhe të vetëmjaftueshme, ateizmi shtetëror; krijimi i një policie sekrete për shtypjen politike të popullësisë quajtur Sigurimi i Shtetit dhe, në vitet e fundit, izolimi ndërkombëtar në të cilin u zhyt Shqipëria. Gjithashtu i spikatur ishte kulti i individit me të në qendër, i gjithëpranishëm nëpër pankarta e postera, këngë e parrulla «Populli - Partia - Enveri» të shkruar edhe anës maleve. Edhe pas vdekjes kulti i tij u nderua përmes shtatoreve të mëdha në gati çdo qytet të Shqipërisë, kryesuar nga ajo në qendër të Tiranës si dhe ndërtimi i një muzeumi kushtuar atij, po në kryeqytetin shqiptar.

Hoxha përfshihet në listën e përpiluar nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, që përmbledh pjesëmarrësit që kanë përgjegjësi direkte për krimet e Partisë Komuniste Shqiptare dhe të Ushtrisë Nacionalçlirimtare, duke qene, sipas ligjit nr. 41, anëtarë të strukturave politike dhe ushtarake “që kanë inspiruar, organizuar, urdhëruar, ekzekutuar ose ndihmuar forcat partizane në vepra kriminale”.[1] Regjimi katërdhjetëvjeçar i tij u karakterizua nga zhdukja e opozitës politike e intelektuale, represioni i vazhdueshëm politik në të cilin përfshiheshin kampet e detyrueshme të punës, pushkatimet pa gjyq dhe ekzekutimet e antikomunistëve të piketuar. Dënimet e kundërshtarëve të tij politikë me vdekje ose burgime të gjata dhe dëbimet e familjeve të tyre nga shtëpitë ku jetonin dhe internimet e tyre në fshatra të thella, ku kontrolloheshin rreptësisht nga policia dhe Sigurimi. Qeveria socialiste karakterizohej edhe nga metodat “staliniste” të asgjësimit të bashkëpunëtorëve të tij që kërcënonin shtetin popullor. Pjesa më e madhe e këtij represioni është bërë përmes armës së Sigurimit.

Hoxhaizëm, rrymë anti-revizioniste marksist-lenininiste e zhvilluar në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe disa vende të Amerikës Latine si Ekuadori, Brazili, Venezuela etj. Sipas një ankete të OSBE, të vitit 2016, 45% e shqiptarëve kanë mendim pozitiv për Enver Hoxhën, kurse 42% mendim negativ.Pra shqiptaret akoma e duan Enver Hoxhën. [2]

Jetëshkrimi

Redakto

Jeta e hershme

Redakto
 
Hoxha në fëmijëri

U lind realisht më 12 maj 1908 në lagjen Teqe-Meçite-Hazmurat (pranë Xhamisë e Teqesë dhe Xhamisë Mexhide) të Gjirokastrës në një familje myslimane bektashie, djali i dytë i Mulla Halil Hoxhës dhe Gjylihane Çuçit. Kishte një vëlla më të madh të quajtur Beqir i cili vdiq në moshë të re nga tuberkulozi, dhe tri motra Fahrien, Haxhon dhe Sanijen. Enveri u emërua pas politikanit të njohur turk-osman Enver Pasha.[3]

Familja e tij e kishte origjinën e mëhershme nga Dropulli.[4] Sipas bashkëqytetarit dhe shkrimtarit Ismail Kadare, Hoxhatët quheshin nga gjirokastritët psefto, gjysmëqytetarë-gjysmëfshatarë për nga veshja dhe sjelljet.[5] Pas mejtepit, më 1917-1923 ndoqi mësimet në shkollën qytetëse "Liria" në vendlindje. Më 1923 nis mësimet në liceun frëng të Gjirokastrës, pasi ishte regjistruar në klasën e 6-të të tij.[6] Te memuaret e veta Vite të vegjëlisë përshkruan një verim të kohës së liceut që e kaloi te daja i tij Shyqyri Çuçi në Fier, ku edhe "për herë të parë fitoi disa lekë" për një punë që i caktoi av. Rasim Hoxha, kushëriri i vet.[7] Më 1927-1930 me mbylljen e liceut në vendlindje,[6] me ndihmën e Eqrem bej Libohovës[8] iu mundësua një bursë shtetërore me të cilën vijoi mësimet në Liceun e Korçës gjer më 1930.[6] Ishte më së shumti një nxënës nënmesatar ku më 1929 figuron me shumë nota kaluese dhe pak të mesme.[9]

Shkollimi i lartë në Francë, puna konsullore në Belgjikë

Redakto
 
Enver Hoxha në Montpelije më 1933

1930, po prapë me ndihmën e bamirësit të tij Libohova, mori një tjetër bursë shtetërore për të studjuar botanikë[8] Fakultetin e Shkencave të Natyrës të Universitetit të Montpeljesë, Francë. Atje mbylli vetëm një vit akademik me provime.[6] Qëndroi 4 vjet në Montpelje, pa dhënë provimet e duhura, dhe nuk i ktheu shtetit paratë e marra nga bursa, në kundërshtim me ligjin e kohës për arsimin. Më 2 shkurt 1934 ministri Ivanaj lëshoi urdhrin për heqjen e bursës së tij.[10]

Në mars të 1934 shkoi në Paris ku iu afrua emigrantëve antizogistë me kartën e kunatit të Bahri Omarit, në përputhje me strategjitë e Zyrës Sekrete (shërbimit sekret të monarkisë). Më pas u punësua si nëpunësi i vetëm i konsullatës shqiptare në Bruksel më 1935-1936, po prapë detyrë e lidhur me shërbimin sekret.[11]

Kthimi në Shqipëri

Redakto
 
Si mësues në Korçë

Në korrik të vitit 1936 Enveri u kthye në Shqipëri, nisi të jepte mësim me kontratë në gjimnazin e Tiranës duke mos kthyer as bursën studentore e duke mos shërbyer as në ushtri siç ishte ligji. U caktua në liceun e Korçës porsa atë periudhë vëreheshin me shqetësim përhapja e propagandës komuniste. Dha mësim në lëndën e moralit si dhe ishte kujdestar biblioteke. Pushtimin fashist e priti me indiferentizëm, në korrik shkoi me pushime në Itali,[11] për arsye shëndetësore shkoi ndër llixhat e Salsomaggiores i pritur nga Omari, e motra dhe nipërit.[12][13] Studjuesit e biografisë së tij, ndonëse mungon ngase është zhdukur baza dokumentore, janë të mendimit se Enveri u rekrutua nga shërbimi sekret shqiptar pikërisht kur drejtohej nga kushëriri i tij Abedin Hoxha. Kështu shpjegohet edhe si nuk ktheu bursën, si vijoi të punonte në shërbim konsullor dhe si nuk shërbeu në ushtri para se të punësohej në arsimin vendas pasi u kthye.[14]

Në fund të 1939 u caktua në gjimnazin e Gjirokastrës i hequr nga puna prej liceut të Korçës, në dhjetor 1939 shkoi sërish në Itali,[13] por nuk qëndroi sepse u rikthye në Tiranë fillimin e 1940. Aty përmes të njohurit të tij, Esat Dishnicës kish mundur të punësohej fillimisht në fabrikën e duhanit dhe më pas në shitoren "Flora" të kushëririt të Dishnicës, Ibrahim bej Biçakçiut.[15] Në kontakt me pjesëtarë të Grupit Komunist të Korçës,[16][17] shoqëroi Koço Tashkon, Pilo Peristerin, Koçi Xoxen, Sotir Vullkanin dhe Sotir Lubonjën si simpatizant në takimet e datave 8-14 nëntor 1941, ku me përfaqësues të grupeve të Shkodrës dhe të Rinjve themeluan Partinë Komuniste Shqiptare nën drejtimin e emisarëve jugosllavë Popoviq dhe Mugosha.[18]

Enveri u caktua fillimisht për financat e partisë nga Popoviqi në komitetin provizor.[19] Në mars 1943, u konfirmua si udhëheqës kryesor i PKSH.[16] Arsyet e zgjedhjes së Hoxhës ishin sepse pas vrasjes së Qemal Stafës në Komitet Qendror mbizotëronin punëtorët, kurse në krye të Partisë nevojitej një intelektual. Hoxha po ashtu ishte sekretar politik i PKSH për Qarkun e Tiranës i cili ishte qarku më i rëndësishëm i vendit. Në fillim për Sekretar të Përgjithshëm u propozua Ymer Dishnica por nuk pranoi, ky propozoi Enverin i cili fillimisht refuzoi gjithashtu. Kandidatura e këtij të fundit u përkrah edhe nga Popoviçi.[16]

I njohur në Parti e në radhët e simpatizantëve me pseudonimet "Tarasi", "Shpati", "Valbona", "Hasani", "Saliu", "Malo" etj., duke u paraqitur herë si punëtor e herë si tregtar e intelektual, ai gjatë gjithë vitit 1942, në ilegalitetit zhvillon një veprimtari të dendur anti-fashiste në Tiranë. Në krye të KQ të Partisë, Enveri përpunoi dhe udhëhoqi zbatimin e vijës ushtarake të PKSH për organizimin dhe zgjerimin e kryengritjes së armatosur në të gjitha anët e vendit dhe për krijimin, në luftë e sipër, të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare.

Në vitin 1943 Enveri dënoi Marrëveshjen e Mukjes midis Frontit Nacional-Çlirimtar dhe Ballit Kombëtar. Si Komisar Politik i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare (korrik 1943) e më pas Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacionalçlirimtare (maj 1944), Enveri punoi për krijimin dhe rritjen e UNÇSH.

Me propozim të KQ të PKSH më 24 maj 1944 filloi punimet Kongresi i Parë Antifashist Nacionalçlirimtar i popullit shqiptar, Kongresi i Përmetit, i cili themeloi shtetin shqiptar të demokracisë popullore. Komiteti Antifashist, që doli nga ky Kongres ishte, faktikisht, qeveria e Shqipërisë. Sekretari i Përgjithshëm i PKSH, Enveri, u emërua President i këtij Komiteti. Mbledhja e Dytë e KANÇ-it (tetor 1944), që u mbajt në Berat, vendosi shndërrimin e Komitetit Antifashist në Qeveri Demokratike Provizore të Shqipërisë. Enveri u emërua Kryeministër. Më 28 nëntor 1944, pas 5 vjetësh lufte e përpjekjesh titanike, Qeveria e parë demokratike popullore në Shqipëri, me kryeministër Enverin, hyn në Tiranën e lirë.

 
Hoxha marshon në Tiranë pas çlirimit të saj

Sundimi i hershëm (1946-1961)

Redakto

Vendosja e sistemit stalinist

Redakto

Qeveria e përkohshme e Shqipërisë, e drejtuar nga Enver Hoxha, filloi menjëherë të marrë kontrollin e plotë të ekonomisë. Në dhjetor të vitit 1944, menjëherë pas ardhjes në pushtet, regjimi i Hoxhës miratoi ligje të reja që siguronin rregulla shtetërore të rrepta për të gjitha kompanitë industriale dhe tregtare private, si dhe marrëdhëniet e jashtme dhe të brendshme tregtare. Një "taksë për fitimet nga lufta" dhe ligje që lejonin konfiskimin e pasurisë që i përkiste atyre që u quajtën "armik i popullit" dobësuan klasën e mesme ende të vogël të vendit. Në fillim të vitit 1945, qeveria e Hoxhës konfiskoi pasuritë italiane dhe gjermane, anuloi të gjitha koncesionet e huaja ekonomike, shtetëzoi të gjitha shërbimet publike dhe mjetet e transportit, dhe krijoi një rrjet të sponsorizuar nga qeveria të kooperativave të konsumit. Pa marrë parasysh nevojat e Shqipërisë dhe përparësitë e konkurrencës, Hoxha ndoqi diktatin stalinist dhe nxiti zhvillimin e industrisë së rëndë dhe jo bujqësinë dhe industrinë e lehtë.[nevojitet citimi]

Regjimi i Hoxhës u përpoq të bënte për vehte fshatarësinë duke zvogëluar fuqinë e pronarëve të mëdhenj të tokës dhe duke dhënë koncesione për fshatarët. Në janar të vitit 1945, qeveria e Hoxhës anuloi borxhet e pazgjidhura bujqësore, shkurtoi pagesat për përdorimin e tokës me 75 për qind, shtetëzoi burimet ujore, dhe ofroi një mundësi për fshatarët për të blerë ujë për ujitje nga shteti me tarifa nominale. Ligji i Reformës Agrare në gusht 1945 shkatërroi atë që kishte mbetur nga fuqia ekonomike e pronarëve të mëdhenj të tokave të Shqipërisë qendrore dhe jugore, duke zëvendësuar pasuritë e tyre me rreth 70.000 ferma të vogla. Gjithashtu qeveria e Enver Hoxhës shtetëzoi të gjitha pyjet dhe tokat për kullotë dhe shpronësoi pa kompensim tokat që i përkisnin individëve, të cilët kishin burime të të ardhurave jo nga fermat. Ligji i toka lejoi pronarët të mbajnë deri në dyzet hektarë nëse ata fitonin të ardhurat e tyre ekskluzivisht nga bujqësia dhe punonin tokën me makineri. Institucionet fetare dhe fermerët që nuk kishin makineri u kufizuan në njëzet hektarë. Fshatarëve pa tokë dhe njerëzit që kishin pasur më pak se pesë hektarë të tokë morën deri në pesë hektarë për familje dhe hektarë shtesë për bijtë e martuar të cilët ishin anëtarë të familjes.

Në prill të vitit 1946, gjykatat ushtarake filluan të dënojnë me burg fshatarët grumbullonin grurë. Qeveria e Enver Hoxhës shtetëzoi edhe mjetet bujqësore dhe kafshët e punës, ndaloi shitjen dhe transferimin e tokës, dhe fshatarët duhet të merrnin lejen e qeverisë për të therur kafshë. Në qershor autoritetet urdhëruan fshatarët për të ofruar kuota relativisht të larta të grurit në qendrat shtetërore të prokurimit në çmime të ulëta, të përcaktuara zyrtarisht. Duke përdorur propagandën dhe dhunën, qeveria u përpoq të bindë fshatarët për t'u bashkuar në ferma kolektive që quheshin kooperativa bujqësore. Pavarësisht nga fakti se anëtarët e kooperativave paguanin taksa të ulëta dhe kishin kuota më të vogla prodhimi, fushata arriti të bindë vetëm 2.428 familje fshatare të bashkohen në kooperativa deri në vitin 1948. Qeveria pranoi se fushata kishte dështuar. Prodhimet e varfra, spastrimet, shtrëngimet karakterizuan sektorin e bujqësisë për tre vitet e ardhshme, dhe mungesa e drithërave u bë një problem kronik.[nevojitet citimi]

Deri në vitin 1947, qeveria kishte vendosur shumë nga korniza institucionale e nevojshme për një sistem ekonomik stalinist, shtetëzimin e industrisë dhe marrjen nën kontroll të tregtisë së jashtme dhe tregtisë së brendshme. Një reformë monetare i dha një tjetër goditje klasës së mesme. Në prill të vitit 1947, Komisioni i Planifikimit Ekonomik hartoi planin e parë ekonomik të vendit, një plan nëntë-mujor me objektiva të përcaktuara të prodhimit për minierat, fabrikat, dhe sektorët e bujqësisë shprehura në drejtim të prodhimit fizik sesa parasë. Në ndërmarrjet shqiptare filloi futja e sistemit sovjetik të kontabilitetit, dhe fanatikët dhe instruktorët e partisë indoktrinonin popullsinë me parimet ekonomike të marksizëm-leninizmit.[nevojitet citimi]

Marrëdhëniet me Jugosllavët

Redakto

Enveri e shpalli të paprekshme Shqipërinë Londineze dhe që në kohën e Luftës ia kërkoi Titos Kosovën. Më 1943 Tito pranoi se Kosova ishte e shqiptarëve dhe se pas luftës do t'i kthehej Shqipërisë. Me nismën e Enver Hoxhës dhe të komunistëve të Kosovës dhe Shqipërisë u mbajt Konferenca e Bujanit. Në vitin 1946 kur Enver Hoxha vizitoi Beogradin, gjatë bisedimeve me Titon i kërkoi këtij ta mbante premtimin për bashkimin e Kosovës me Shqipëri.[20]

Stalini e njoftoi Hoxhën që Jugosllavia po provonte ta aneksonte Shqipërinë: "Ne nuk e dinim se jugosllavët, nën pretekstin e mbrojtjes së vendit tuaj nga një sulm prej fashistëve grekë, donin të sillnin njësite të ushtrisë së tyre në territorin e Shqipërisë. Ata u përpoqën ta bënin këtë në një mënyrë shumë të fshehtë. Në fakt, qëllimi i tyre në këtë drejtim ishte krejtësisht armiqësor, sepse ata synonin të përmbysnin situatën në Shqipëri". Në qershor 1947, komiteti qendror i Jugosllavisë filloi ta dënonte publikisht Hoxhën duke e akuzuar se kishte marrë një rrugë individualiste dhe anti-marksiste. Kur Shqipëria u kundërpërgjigj duke bërë marrëveshje për blerjen e makinerive bujqësore nga Bashkimi Sovjetik, jugosllavët deklaruan se Shqipëria nuk mund të bënte asnjë marrëveshje me shtetet tjera pa lejen e Jugosllavisë.[21]

Koçi Xoxe, i cili në dokumente jugosllave figuron si agjent sekret i tyre që nga viti 1947 [22], u mundua ta pengojë Hoxhën që të mos i përmirësonte marrëdhëniet me Bullgarinë, duke arsyetuar se Shqipëria do të ishte më stabile nëse bënte shkëmbime tregtare me vetëm një partner e jo me shumë. Nako Spiru, një anëtar anti-jugosllav i Partisë Komuniste e dënoi Xoxen dhe anasjelltas. Meqenëse askush nuk e përkrahu Nako Spirun, ai duke e parë situatën si të pashpresë dhe duke pasur frikë se dominimi i Shqipërisë nga Jugosllavia ishte i pashmangshëm, në nëntor kreu vetëvrasje.[21] Xoxe ndërkaq zhvillonte bisedime me përfaqësuesit e Ministrisë së Brendshme të Jugosllavisë, të cilët nga ai morën vesh se Hoxha kishte themeluar Komitetin për Çlirimin e Kosovës, i cili kishte rekrutuar 2000 kryengritës në Kosovë që do të hidheshin në aksion për ta bashkuar Kosovën me Shqipëri.[22]

Në Plenumin e tetë të Partisë, mbajtur nga 26 shkurt deri më 8 mars 1948, Xoxe u përfshi në një komplot për të izoluar Hoxhën dhe për të forcuar pushtetin e vet. Ai e akuzoi Hoxhën se ai ishte shkaktar i ftohjes së marrëdhënieve me jugosllavët dhe deklaroi se misioni ushtarak sovjetik duhej të dëbohej e të sillej një jugosllav në vend të tij. Hoxha qëndroi i patundur dhe përkrahja për të nuk kishte rënë. Kur Jugosllavia u prish me Bashkimin Sovjetik, mbështetja për Enver Hoxhën u rrit edhe më shumë. Më 1 korrik 1948, Tirana u bëri thirrje gjithë këshilltarëve teknikë jugosllavë të largoheshin nga vendi, dhe në mënyrë të njëanshme anuloi gjitha traktatet dhe marrëveshjet me Jugosllavinë. Xoxe u përjashtua nga partia dhe me 13 qershor 1949 u var.

Kur Hoxha i prishi marrëdhëniet me Jugosllavinë, përfaqësuesit e "nacionalizmit" në mërgim, mes të cilëve edhe Ernest Koliqi, i dërgonin letra Titos me anë të të cilave e ftonin atë ta sulmonte Shqipërinë, ta rrëzonte Enver Hoxhën dhe t'ua linte vendin atyre. Ata i premtonin Titos se Shqipëria e tyre do të ishte mike besnike e Jugosllavisë.[20]

Ndërkaq Hoxha në një letër që i dërgonte Stalinit në vitin 1949, e njoftonte mbi gjendjen e shqiptarëve të Kosovës dhe i thoshte se bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, që ishte "aleate besnike e BRSS", do ta dobësonte Jugosllavinë e Titos dhe Rankoviqit.[20]

 
Enver Hoxha dhe idhulli i tij diktatori i Bashkimit Sovjetik Stalini

Marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik

Redakto

Pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë, Hoxha u rreshtua me Bashkimin Sovjetik për të cilin kishte admirim të madh. Nga viti 1948 deri më 1960, Shqipëria përfitoi $200 milion në ndihma nga sovjetikët për zgjerimin teknik dhe infrastrukturor. Shqipëria u anëtarësua në KNER më 22 shkurt 1949 dhe mbeti e rëndësishme si për të ushtruar presion mbi Jugosllavinë, si për të shërbyer si një fuqi pro-sovjetike në Detin Adriatik. Një bazë nëndetësesh u ndërtua në ishullin Sazan afër Vlorës, duke paraqitur një rrezik të mundshëm për Flotën e Gjashtë Amerikane. Marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike mbetën të ngushta deri në vdekjen e Stalinit më 5 mars 1953. Vdekja e tij u shoqërua me 14 ditë zi kombëtare në Shqipëri; më tepër sesa në Bashkimin Sovjetik.[23] Hoxha mblodhi gjithë popullsinë në sheshin qendror në Tiranë, u kërkoi të binin në gjunjë para shtatores së Stalinit dhe i detyroi të bënin një betim për "besnikëri të përjetshme" dhe "mirënjohje" ndaj "babait të dashur" dhe "çliruesit të madh"[24]

Nën Hrushovin, pasardhësin e Stalinit, ndihmat u reduktuan dhe Shqipëria u inkurajua nga sovjetikët të ndiqte politikën specializuese të Hrushovit. Sipas kësaj politike, Shqipëria do të zhvillonte prodhimin e saj bujqësor për të furnizuar Bashkimin Sovjetik dhe vendet tjera të Paktit të Varshavës të cilat nga ana e tyre poashtu do të zhvillonin prodhime specifike. Në teori, kjo do të ndikonte në forcimin e Paktit të Varshavës duke zvogëluar në masë të madhe mungesën e lëndëve të caktuara me të cilën përballeshin shumë nga vendet komuniste.[25]

Një ndër arsyet kryesore të krizës në marrëdhëniet e Shqipërisë me sovjetikët ishte afrimi i Hrushovit me Jugosllavinë.[20] Nga 16 maji deri më 17 qershor 1955 Nikolai Bulganin dhe Anastas Mikojan vizituan Jugosllavinë kurse Hrushovi hoqi dorë nga përjashtimi i Jugosllavisë prej bllokut komunist. Hrushovi poashtu filloi t'i referohej teorisë policentrike të Palmiro Togliatti. Meqë sovjetikët nuk ishin konsultuar me Hoxhën për këtë çështje, ky i fundit u ndie i fyer. Jugosllavia nisi t'i kërkojë Hoxhës të rehabilitonte Koçi Xoxen, gjë që Hoxha e hodhi poshtë me këmbëngulje. Në vitin 1956 në Kongresin e 20-të të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, Hrushovi e dënoi kultin e personalitetit të Stalinit duke e akuzuar për shumë gabime të rënda. Pastaj ai shpalli teorinë e bashkëjetesës paqësore, që e zemëroi shumë Hoxhën. Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste, i udhëhequr nga gruaja e Hoxhës, Nexhmije Hoxha citoi Leninin: "Parimi themelor i politikës së jashtme të një vendi socialist dhe të një partie komuniste është internacionalizmi proletar, jo bashkëjetesa paqësore. Hoxha mori një qëndrim aktiv kundër revizionizmit.

Uniteti brenda Partisë së Punës të Shqipërisë filloi të binte gjithashtu. Një mbedhje speciale e delegatëve mbajtur në Tiranë në prill 1956, përbërë nga 450 delegatë, dha rezultate të papritura. Delegatët kritikuan "kushtet brenda partisë, qasjen negative kundrejt masave, mungesën e demokracisë socialiste dhe asaj në parti, politikën ekonomike të udhëheqjes etj. Gjithashtu u bë thirrje për diskutime lidhur me kultin e personalitetit dhe Kongresin e 20-të të Partisë.[26]

Afrimi me Kinën

Redakto

Më 1956, Hoxha kërkoi miratimin e një rezolute që do ta mbështeste udhëheqjen aktuale të Partisë. Rezoluta u miratua dhe të gjithë delegatët që ishin shprehur kundër u përjashtuan nga partia dhe u burgosën. Hoxha deklaroi që kjo kishte qenë edhe një përpjekje tjetër e Jugosllavisë për ta rrëzuar udhëheqjen e Shqipërisë. Ky incident e konsolidoi pushtetin e Hoxhës edhe më shumë, duke bërë kështu të pamundshme reforma të tipit hrushovian. Po atë vit, Hoxha vizitoi Kinën, e cila po përjeton prishjen me Bashkimin Sovjetik, dhe takoi Mao Ce Dunin personalisht. Marrëdhëniet me Kinën u përmirësuan, siç dëshmohet nga rritja e ndihmave kineze nga 4.2% sa ishte më 1955, para vizitës, në 21.6% më 1957, pas vizitës.[27]

Sovjetikët bënë edhe një përpjekje për ta mbajtur Shqipërinë në sferën e tyre, duke rritur ndihmat, por udhëheqja shqiptare vazhdoi të afrohej me Kinën. Marrëdhëniet me sovjetikët mbetën në të njëjtin nivel deri më 1960 kur Hrushovi takoi politikanin majtist grek, Sofokle Venizelos. Hrushovi pëlqente idenë e autonomisë së Vorio Epirit dhe shpresonte t'i shfrytëzonte pretendimet greke për ta mbajtur udhëheqjen shqiptare në linjë me interesat sovjetike.[28] Hoxha u kundërpërgjigj duke çuar Hysni Kapon në Mbledhjen e Bukureshtit, ku duhej të merrnin pjesë krerët e shteteve.[29]

Fërkimet me Bashkimin Sovjetik

Redakto

Marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik vazhduan të keqësoheshin me shpejtësi. Sovjetikët filluan të ndiqnin një politikë të vijës së ashpër duke reduktuar ndihmat, në veçanti drithin, në një kohë kur Shqipëria po përballej me mundësinë e një zie buke të shkaktuar nga përmbytjet.

Shqipëria de fakto do të largohej nga Traktati i Varshavës më 1960, kurse de jure më 1968.[22]

Sundimi i mëvonshëm (1961-1985)

Redakto

Marrëdhëniet e Hoxhës me Kinën Komuniste

Redakto

Për planin e tretë pesëvjeçar të Shqipërisë, Kina premtoi një hua prej $125 milionë dollarësh për ndërtimin e 25 uzinave kimike, elektrike dhe metalurgjike të parapara me plan. Megjithatë, vendi përjetoi një periudhë të vështirë transitore sepse teknikët kinezë ishin më të dobët se sovjetikët. Distanca e madhe mes dy vendeve dhe marrëdhëniet e këqija të Shqipërisë me vendet fqinje komplikuan edhe më shumë situatën. Ndryshe nga Jugosllavia dhe BRSS, Kina kishte më pak influencë në Shqipëri gjatë sundimit të Hoxhës.[30]

Nga ana ideologjike, Hoxha fillimisht konsideronte se bindjet e Maos ishin në linjë me Marksizëm-Leninizmin. Mao dënonte revizionizmin e Nikita Hrushovit dhe ishte kritik ndaj Jugosllavisë. Ndihmat nga Kina ishin pa kamatë dhe Shqipëria mund t'i paguante kur të kishte mundësi.

Kina asnjëherë nuk ndërhynte në punët e brendshme të Shqipërisë në sferën ekonomike, kurse teknikët kinezë punonin për rrogë të njëjtë si shqiptarët, ndryshe nga teknikët sovjetikë që nganjëherë kishin rrogë tre herë më të madhe se vetë Enver Hoxha.[31] Gazetat shqiptare rishtypeshin nga gazetat kineze dhe lexoheshin në radion kineze. Shqipëria ishte në ballë të iniciativës për t'i dhënë Kinës ulëse në OKBKëshillin e Sigurimit, e cila u tregua e suksesshme më 1971 kur Republika Popullore e Kinës mori ulësen e Tajvanit.

Çështja e Kosovës

Redakto

Çështja e Kosovës mbetej problem i mprehtë në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë. Qëndrimet e Hoxhës mbi Kosovën, pas vitit 1960 do të dominoheshin nga retorika nacionaliste. Në një artikull të vitit 1966, Hoxha denonconte terrorin që ushtronin jugosllavët në Kosovë dhe politikën e tyre shkombëtarizuese kundrejt shqiptarëve.[20]

Rënia e Rankoviqit më 1966 dhe pushtimi i Çekosllovakisë nga sovjetikët më 1968, mundësuan normalizimin e marrëdhënive shqiptaro-jugosllave, dhe këtë afrim Hoxha e kanalizoi tërësisht në drejtim të Kosovës. Në vitin 1974 iu njoh autonomia Kosovës, u hap universiteti dhe Akademia e Shkencave, u shkëmbyen pedagogë, artistë, sportistë etj, në mes Tiranës dhe Prishtinës, u organizuan veprimtari të ndryshme shkencore. U krijua një klimë e ngrohtë mes dy anëve të kufirit.[20]

Hoxha deri në vitin 1981 ishte kundër parullës "Kosova Republikë" sepse dëshironte bashkimin e thjeshtë të Kosovës me Shqipëri. Për këtë qëllim refuzoi të nënshkruante më 1973 Aktin Final të Helsinkit sipas të cilit kufijtë në Evropë nuk mund të ndryshoheshin. Por pas ngjarjeve të vitit 1981 në Kosovë ai doli në mbrojtje të demonstratave të studentëve dhe parullave të tyre. Për herë të parë pas 40 vitesh marrëdhëniet e mira të Hoxhës me Francën hyjnë në periudhë krize sepse kjo mbronte politikën shtypëse kundër shqiptarëve në Kosovë, Mal të Zi dhe Maqedoni.[20]

Aktivitetet politike

Redakto

Vitet e fundit të jetës

Redakto

Vitet e fundit të jetës ishin rënduar për Hoxhën për shkak të diabetit që i ishte diagnostikuar shumë vite më parë, ai pëson një infarkt në zemër në vitin 1972, më pas një tjetër në vitin 1973, këto dy infarkte e rënduan akoma shumë shëndetin e tij. Fillimi i prillit do të shënojë edhe fundin e jetës së tij, pasi i janë paralizuar këmbët edhe goja, pëson një ishemi më 9 prill 1985 vdes më 11 prill 1985.

Ceremonia e mortore

Redakto

Në një ceremoni madhështore Enver Hoxha u varros në varrezat e dëshmorëve ku ju bënë nderimet e larta si për çdo udhëheqës. Por pas rënies së komunizmit varri i tij u zhvendos tek varrezat në Sharrë, ku ndodhet edhe sot.[32][33][34]

Monumenti i Enver Hoxhës në Tiranë dhe vlerësimi i emrit të tij

Redakto

Menjëherë pas vdekjes së Sekretarit të Parë të PPSH Enver Hoxha, lideri pasardhës i tij Ramiz Alia në mbledhjen e Byrosë Politike propozon që në qendër të Tiranës dhe të vendlindjes në Gjirokastër të ngrihet nga një shtatore në nder të tij, Universitetit të Tiranës i vihet emri Enver Hoxha, portit kryesor të Durrësit, e shumë uzina e hidrocentrale morën emrin e tij.[35] Gjithashtu u krijua Java e Enverit e cila festohej gjithmonë me rastin e ditëlindjes së tij duke punuar me rendimente më të larta për të tejkaluar planin. Monumenti i Hoxhës u përurua në vitin 1988 dhe ishte 8 metra e lartë. Më 20 shkurt 1991 ai u rrëzua nga protestuesit, rrëzimi i tij simbolizonte edhe rënien e komunizmit[36].

Vlerësimi pas komunizmit

Redakto

Sipas Todi Lubonjës prania e Hoxhës ishte sa për figurë në mbledhjet paraprake të formimit të partisë,[37] për Belishovën, Hoxha pati përkrahjen e Popoviqit sepse nuk e kundërshtonte,[17] sipas Spahiut sepse Enveri "ia servirte me bujari" gjërat e shërbimit personal si stilografe e sahate,[38] sipas Premtes sepse ishte më servili. Mugosha vetë e cilësonte si njeri punëtor, që bënte takime me njerëz e që shkruante shpejt e lehtë.[11] Për Gjyqin Special, ku vetë ishte prokuror, sipas Spahiut ishte Hoxha udhëheqësi, gjykatësi dhe prokurori.[39]

Nga ana tjetër në një intervistë dhënë gazetares Rudina Xhunga me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, Rexhep Qosja e cilësoi jonormale injorimin që i bëhej Enver Hoxhës. Sipas Qosjes, Hoxha pati rëndësi për Shqipërinë si burrë shteti, e Shqipëria nuk ishte vendi i vetëm ku u pushkatuan njerëzit pas Luftës së Dytë Botërore; nëse krahasohet me vendet tjera komuniste të botës, në Shqipëri dhuna qe në përpjesëtime më të vogla.[40]

Sipas statistikave të vitit 2016, 45% e shqiptarëve kanë mendim pozitiv për Enver Hoxhën, kurse 42% mendim negativ.

Nderime

Redakto

Heqje dekoratash

Redakto

Pas zbulimit të shumë krimeve të komunizmit dhe kërkesave të vazhdueshme të opinionit publik me dekretin nr. 1018, datë 13 shkurt 1995 të Presidentit të Republikës, Sali Berisha, iu hoqën të gjitha dekoratat dhe titujt e nderit për aktin kriminal të gjenocidit të ushtruar ndaj popullit shqiptar gjatë viteve të diktaturës komuniste Haki Toskës dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të regjimit komunist.[41]

Nderime të huaja

Redakto
  •   - Urdhri i Trimërisë së Klasit të I-rë i (Bullgari) 9 shtator 1944.
  •   - Urdhri i Heroit Kombëtar (Jugosllavi) 1946.
  •   - Urdhri i Leninit.
  •   - Urdhri i Suvorov i Klasit të Parë. (Bashkimi Sovjetik).

Veprat

Redakto

Kuriozitet

Redakto

Në filmin Hollivudian të vitit 2006 Inside man me regji të Spike Lee, një fjalim shumë i njohur i Enver Hoxhës mbajtur në Gjirokastër, është pjesë e këtij filmi thriller. Fjalimi i Hoxhës, me shumë zgjuarsi përdoret nga banditet për ti ndërlikuar punën identifikuese forcave të policisë. Gjatë momentit të kryerjes së arratisjes nga banka që kishin vjedhur, banditët kishin vënë regjistrimin e Hoxhës, për ti lënë ti kuptojë policisë që ata ishin ende brenda në bankë.[42][43]

Lidhje të jashtme

Redakto

Referime

Redakto
  1. ^ "Lufta e Dytë Botërore në Shqipëri, E papublikuar/ Arkivi i Shtetit, 260 emrat që "rrëfyen" ekzekutimet në ushtrinë partizane". Standard. 29 nëntor 2014. Marrë më 22 maj 2018.{{cite news}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  2. ^ "Anketa e OSBE/ Shifrat që të habisin, 52% e shqiptarëve e duan Enver Hoxhën". BalkanWeb.com. Balkanweb. 6 dhjetor 2016. Marrë më 5 nëntor 2018. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  3. ^ Reşid, İbrahim (8 tetor 2021). "İlk ateist devleti kuran diktatör: Enver Halil Hoca". gzt.com (në turqisht).{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  4. ^ "Zbulohet biografia e parë zyrtare e Enverit në '46: S'ka diplomë universitare". Gazeta Panorama. 11 mars 2012. Marrë më 19 janar 2019.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  5. ^ Kadare, Ismail (15 tetor 2013). "Hoxhatët ishin gjysmëqytetarë dhe gjysmëfshatarë". pressreader.com. Panorama.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  6. ^ a b c d Dervishi, Kastriot (2012). Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet. Tiranë: 55. fq. 136. ISBN 9789994356225.
  7. ^ Hoxha, Enver (1983). Vite të vegjëlisë: kujtime për Gjirokastrën. Tiranë: 8 nëntori. fq. 212.
  8. ^ a b Fevziu, Blendi (2011). Enver Hoxha. Tiranë: UET Press. ISBN 9789995639358. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  9. ^ Fevziu, Blendi (2011). Enver Hoxha. Tiranë: UET Press. ISBN 9789994356225. Një listë notash e ruajtur në arkivin e tij personal, e vitit 1929, përmban shumë "passable" dhe më pak "mediokre". {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  10. ^ Baruti, Vasfi (2012). Enver Hoxha në optikë të re. Tiranë: Uegen. ISBN 9789928031020. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  11. ^ a b c Dervishi, Kastriot (2016). Lëvizja Komuniste në vitet 1924-1944 dhe formimi i PKSH-së. Tiranë: 55. fq. 188. ISBN 9789928106384.
  12. ^ Myftaraj, Kastriot (2008). "Jeta e fshehur e Enver Hoxhës". shtypishqiptar.blogspot.com. Për këtë ngjarje mësojmë diçka më tepër nga nipi i Enver Hoxhës, Luan Omari, i biri i Bahri Omarit, i cili ka qenë dëshmitar i vizitës së Enver Hoxhës në Itali, në 1939, thotë në kujtimet e tij të përfshira në përmbledhjen «Kujtime me Enverin», të botuara në kohën e regjimit komunist: Në vitin 1939 Enveri erdhi në Bari për mjekime. Nuk më kujtohet muaji, por mbaj mend se na erdhi një telegram, ku ai njoftonte ardhjen e tij dhe kërkonte që ne ta prisnim në port, gjë që e shqetësoi nënën time. Shkuam dhe kur anija iu afrua skelës pamë se Enveri ishte në kuvertën e e anijes në një karrige, me gjunjët e mbuluar me batanije. Hipëm në anije dhe morëm vesh se nuk ecte dot se kishte dhimbje të forta në këmbë, nga gjuri e poshtë. Nga anija deri në skelë e mbajti një hamall i fuqishëm, që e hipi në një pajton dhe po ky, nga pajtoni e ngjiti deri në banesën tonë. Në Bari iu nënshtrua menjëherë vizitave dhe analizave mjekësore te një patolog i njohur i Universitetit të atjeshëm, profesor Gargasole. Ky përjashtoi dyshimet për sëmundje të tjera dhe përcaktoi se ishte fjala për reumatizëm akut, që mund të shërohej me kura të ndryshme dhe me banja termale. Në Bari filloi kurat. Qëndroi në shtëpinë tonë një kohë relativisht të gjatë, ndoshta dy-tre muaj dhe gradualisht u përmirësua, ngrihej në dhomë me paterica e me bastun dhe pas njëfarë kohe filloi të dilte shëtitje. Kur u përmirësua krejt dhe hoqi edhe bastunin Enveri u largua nga Bari për në Shqipëri. Në verë (më duket se ishte po viti 1939) së bashku me nënën time dhe vëllanë e vogël Fatosin, shkoi në Salsomaggiore (një vend me banja termike pranë Bolonjës), ku Enveri bëri banja për reumatizmën. Me sa duket mjekimet që bëri Enveri qenë shumë të dobishme sepse që nga ajo kohë, edhe në kushtet e vështira të jetës partizane, nuk pati asnjë herë ndonjë shqetësim nga reumatizmi.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  13. ^ a b Baruti, Vasfi (3 mars 2018). "7 faktet e panjohura për diktatorin Enver Hoxha. Prapaskenat dhe lidhjet e fshehta me fashistët". standard.al.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  14. ^ Baruti, Vasfi (22 korrik 2013). "Enver Hoxha mbetër për vjeshtë, zbulohen notat në procesverbal". panorama.com.al.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  15. ^ Dervishi 2016, fq. 189.
  16. ^ a b c Milo, Paskal (11 nëntor 2014). "Milo zbulon dokumentet e reja: Si erdhi Enver Hoxha në krye të PKSH". Marrë më 4 dhjetor 2018.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  17. ^ a b Belishova, Liri (13 janar 2015). E vërteta për Enverin. Intervistuar nga Elisabeta Ilnica. Panorama.
  18. ^ Dervishi 2016, fq. 195-196.
  19. ^ Dervishi 2016, fq. 197.
  20. ^ a b c d e f g Xhufi, Pëllumb (15 shkurt 2017). "A ishte Enver Hoxha një komunist nacionalist?". Gazeta Dita. Arkivuar nga origjinali më 25 shkurt 2018. Marrë më 12 shkurt 2018. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  21. ^ a b O'Donnell 1999, p. 22.
  22. ^ a b c Hakif Bajrami (tetor 2018). "Enveri, komunist apo nacionalist?". Gazeta Dita. Arkivuar nga origjinali më 3 nëntor 2018. Marrë më 7 dhjetor 2018. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  23. ^ Fevziu 2016, p. 146.
  24. ^ The Economist 179 (16 June 1956): 110.
  25. ^ On the "socialist division of labor" see: The International Socialist Division of Labor (7 June 1962), German History in Documents and Images.
  26. ^ Griffith 1963, p. 22
  27. ^ Biberaj 1986, p. 27.
  28. ^ O'Donnell 1999, p. 46
  29. ^ O'Donnell 1999, pp. 46–47
  30. ^ Biberaj 1986, p. 40.
  31. ^ Gabim referencash: Etiketë <ref> e pavlefshme; asnjë tekst nuk u dha për refs e quajtura Hamm, 45
  32. ^ http://www.enver-hoxha.net/images/fotoalbumi/06-trauer/25.jpg Varri i dëmtuar
  33. ^ http://www.enver-hoxha.net/images/fotoalbumi/06-trauer/26-enver-tomb.jpg Varri i rindërtuar
  34. ^ http://www.youtube.com/watch?v=0-nRdOLuaKQ&feature=channel_video_title Dokumentar i ceremonisë funebre së Enver Hoxha
  35. ^ Zbardhet mbledhja e Byrosë që zgjodhi pasardhësin e Enverit - Forumi Shqiptar
  36. ^ Dielli | The Sun - Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909
  37. ^ Lubonja, Todi (1998). Nën peshën e dhunës. Tiranë: Mësonjëtorja. OCLC 45330078. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  38. ^ Spahiu, Bedri (7 maj 2010). Si e falsifikoi Enveri historinë e Luftës e të Partisë Komuniste. Intervistuar nga Afrim Imajn. Tiranë: Panorama. - Nr. 2717. fq. 20. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  39. ^ Hoxha, Çelo (2013). Fillimet e diktaturës komuniste në Shqipëri 1944-1948. Tiranë: Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. fq. 44. ISBN 978-9928-168-11-5. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  40. ^ Qosja, Rexhep (19 nëntor 2012). "Rexhep Qosja: Enver Hoxha ishte diktator, por ndertoi nje shtet bashkekohor". Marrë më 4 dhjetor 2018. e shkëputi Shqipërinë prej një varfërie të madhe që sundonte përpara...i siguroi atij populli bukën,[...] ndërtoi një shtet bashkëkohor me të gjitha institucionet politike, shoqërore, kulturore, arsimore, shkencore. Nuk mund t'i harrojmë këto. Shqipëria sot ndriçohet edhe me hidrocentrale që ka ndërtuar ai regjim, apo në radhë të parë me ato termocentrale. Ai regjim e mbrojti Shqipërinë prej përmbytjeve, e shpëtoi Shqipërinë prej kënetave. U rritën tani kënetat, u rritën aq shumë sa po bëhen vërshime ashtu si Shkodra sepse regjimi i sotëm nuk po i kushton rëndësi ose i la të shkatërrohen ato që i kishte ndërtuar ai regjim me Enver Hoxhën në krye për mbrojtjen e qyteteve, fshatrave, fushave prej vërshimeve dhe brakave. Nuk mund dhe nuk duhet t'i harrojmë këto. E thashë më parë e dua ta përsëris se ai regjim i dha popullit shqiptar një dinjitet ndërkombëtarisht të njohur dhe kjo nuk është diçka e parëndësishme. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)[lidhje e vdekur]
  41. ^ Dervishi, Kastriot (31 maj 2017). "Dekoratat e Enver Hoxhës janë hequr në vitin 1995". gazeta55.al. 55 Nr. 6756, v. XXI: 12–13.
  42. ^ http://www.universytv.it/cinema/inside.php Reçension i filmit (italisht)
  43. ^ http://www.youtube.com/watch?v=76Ahr7GhvNE