Ibrahim Daut Hoxha (15 prill 1923 - 26 tetor 2020)[1] ishte historian, folklorist dhe publicist shqiptar. [2]

Biografia

Redakto

Lindur në Konispol, Ibrahim Daut Hoxha rrjedh nga një familje dhe një fis i shquar atdhetar i Çamërisë që ka luftuar vazhdimisht me pushkë e penë për të mbrojtur trojet shqiptare nga pushtuesit e huaj dhe sidomos nga synimet aneksuese të shovinistëve grekë. Babai i tij, atdhetari Daut Hoxha, pas përpjekjeve e luftimeve shumë vjeçare me bandat andarte greke për mbrojtjen e të drejtave të popullsisë çame, u vra pabesisht prej një grupi banditësh më 15 qershor 1940 në tokën shqiptare, këndej kufirit me Greqinë. Vrasja e tij, siç përmendet edhe në disa tekste të historisë së Luftës së Dytë Botërore, shërbeu edhe si pretekst për acarimin e marrëdhënieve midis Italisë e Greqisë si dhe për fillimin e luftës italo-greke.

Pas vrasjes së babait, familja e Ibrahimit u detyrua të mërgonte prej Konispolit e rrezikuar prej masakrave të bandave greke si shumë familje të tjera të Çamërisë dhe u vendos në Lushnjë. Ibrahimi, i cili kishte mbaruar shkollën plotore të Konispolit (gjashtë-vjeçar), siç quhej arsimi i ulët në atë periudhë, u thirr në shërbimin ushtarak dhe, ende pa e përfunduar, u bashkua me çetën partizane “Çamëria”. Mori pjesë në shumë luftime që organizuan forcat partizane dhe, menjëherë pas çlirimit të vendit, u vendos familjarisht në Tiranë, ku iu përkushtua arsimimit të tij. Kreu shkollën unike, gjimnazin “Qemal Stafa” dhe më vonë vazhdoi një kurs dy-vjeçar për oficer. Pas përfundimit të kursit u caktua në armën e Artilerisë Kundër Ajrore. Në vitin 1952 e përjashtuan nga partia dhe në vitin 1955 e larguan edhe nga ushtria për pikëpamjet e tij antikomuniste. Më vonë vazhdoi Institutin Bujqësor në Kamëz, mirëpo e përjashtuan ende pa e përfunduar për shkak të bindjeve të tij. Me shumë vështirësi, pas shumë e shumë përpjekjesh, në vitin 1964, mundi të diplomohej për histori-gjeografi në Universitetin e Tiranës, gjë që i dha mundësinë t’u përkushtohej studimeve shkencore mbi historinë shqiptare e veçanërisht atë të Çamërisë, mbledhjes së folklorit dhe publicistikës.

Pavarësisht nga vorbullat e jetës, duke pasur si yll polar shërbimin ndaj Çamërisë dhe vendit në tërësi, ai vazhdoi të qëmtonte dokumente historike dhe vlera artistiko-folklorike. Kjo punë i dha dorë edhe për të siguruar kafshatën e bukës. Disa nga ata që e kishin lidhur qerren, duke parë aftësinë e tij për gjetjen e dokumenteve të nevojshme për ta, herë pas here e ngarkonin me këtë detyrë. Po edhe ai, duke u mbështetur në ndonjë mirëdashës, arrinte të fuste ndonjë shkrim a vepër nëpër organe institucionesh të ndryshme. Kështu, me kalimin e viteve arriti të paraqiste edhe ndonjë libër. Më 1971, në shtëpinë botuese “Naim Frashëri”, dorëzoi librin në vargje të lënë nga Qamil Izet Çami, të cilin e titulloi : “Fabula dhe vjersha”. Censorët qitën lloj-lloj hiçkëlash për ta varrosur; pas dy vjetësh hidh e pritjesh, e botuan, po të gjymtuar keqas: e lanë me 97 faqe nga të 435 që kishte; dhe këtë pasi i hoqën emrit të tij germën “D”.

Të njëjtën gjë bënë edhe shtatë vjet më pas me librin “Këngë Popullore Çame”. Pasi shumë e shumë prej tyre i hodhën në kosh (edhe më shumë i vodhën për tjetërkënd) vendosën ta botonin. Mirëpo, kur ishte në prag të vënies në qarkullim, organet përkatëse eprore : Ministria e Arsimit dhe Drejtoria e Propagandës pranë Komitetit Qendror urdhëruan asgjësimin e tij, sepse autorin e quajtën irredentist që kërkonte edhe Prevezën, të cilën “Partia nuk e ka rivendikuar ndonjë herë!”. Pas shumë e shumë përpjekjesh, më 1981, libri u lejua të qarkullonte, po me 150 faqe.

Libri i tretë “Nëpër Udhën e Penës Shqiptare”, i dorëzuar më 1983 në Institutin e Studimeve Pedagogjike, e pësoi edhe më keq, edhe pse s’e kishte shkruar as ndonjë prej studiuesve më të njohur. Pas një viti krasitje pas krasitjesh, kur ishte lënë me 330 faqe, u dërgua për t’u shtypur në “Mihal Duri”. Libri u dergj nëpër syrtarë e duar të njërit e të tjetrit dhe dy vjet më vonë, kur pritej të vihej në qarkullim, me urdhër nga lart, u qortuan rreptësisht organet arsimore pse paskëshin qëndruar aq të verbër, sa të kishin mbyllur sytë për librin e një irredentisti, një armiku të Partisë, “i cili si vepra shkencore përdor vepra reaksionarësh”. Rrjedhimisht libri “Nëpër udhën e penës shqiptare” s’i shpëtoi që s’i shpëtoi dot ndëshkimit, edhe pse drejtoria e Institutit Pedagogjik dhe këshilli shkencor për historinë i atij instituti qëndruan të patundur në mbrojtjen e tij; pas një viti hidh e pritjesh, atë e shndërruan në brumë letre, me përjashtim të rreth 1000 kopjeve të pambaruara plotësisht, të cilat, si të tilla ishin hedhur në një birucë të papërdorshme. Vetëm në 1990, ky libër mundi të dilte në qarkullim.

Pas shembjes së komunizmit Ibrahim D. Hoxha ka botuar disa tituj :

1992, “Jusufi e Zulejhaja” me 138 faqe. Vepër historike dhe morale në vargje, e shkruar nga Muhamet Çami.

1994, “Turqit dhe Shqiptarët” me 200 faqe. Në të këtë libër janë përshkruar ngjarje dhe vende anadollite si edhe bashkëpunimi shqiptaro-turk në të kaluarën e në vazhdim.

1995, “Kështu luftuam Ne” me 80 faqe. Në të janë përshkruar luftimet dhe ngjarje të ndryshme, lidhur me të dy divizionet e ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare në krahinat shqiptare dhe joshqiptare brenda kufirit të shtetit të atëhershëm jugosllav. Vendin kryesor e zënë përshkrimet mbi veprimet antinjerëzore e antikombëtare të kryera gjatë viteve 1944-1945 prej pushtetarëve dhe ushtarakëve jugosllavë ndaj shqiptarëve.

1996, “Çamëria dhe Janina në vitet 1912-1922” me 181 faqe. Në këtë libër përshkruhen luftimet e ashpra që gjatë Luftës Ballkanike çamërit bënë kundër ushtrisë mësyese greke për mbrojtjen e Çamërisë dhe të Janinës. Përshkruhet, gjithashtu, edhe pjesëmarrja e çamërve gjatë Luftës I Botërore si edhe humbjet e tyre gjatë atyre dy luftërave ; listat emërore dhe vendbanimet e veta janë dëshmia më bindëse e përjetësuese e atyre dëshmorëve të kombit.

1998, “Hoxhë Hasan Tahsin Efendiu” me 181 faqe. Në të, përveç fjalës çelëse dhe përshëndetëse, janë përmbledhur 8 kumtesat e parashtruara në konferencën shkencore të mbajtur më 20 janar 1997 në Muzeun Historik të kryeqytetit, me rastin e 185-vjetorit të lindjes së dijetarit të madh, Hasan Tahsinit. Janë përmbledhur, gjithashtu, 18 punime mbi jetën dhe veprën e hoxhë HasanTahsin efendiut, të botuara në vepra të ndryshme prej dijetarësh dhe shkrimtarësh të huaj e shqiptarë, duke filluar prej Shemsuddin-Sami Frashërit e në vijim, si edhe kujtime e vjersha kushtuar dijetarit tonë në zë.

2000, “Viset Kombëtare Shqiptare në Shtetin Grek” me 505 faqe. Në të përshkruhen me hollësi përpjekjet e qeverisë greke për mbytjen e shtetit shqiptar që në shpërgënj; vazhdohet me dredhitë dhe pengesat lidhur me caktimin e kufirit, pësimet e çamërve gjatë sundimit të zgjedhës greke, përpjekjet e tyre diplomatike dhe ushtarake, organizmat administrativo-politike të çamërve në vitet 1941-1944, listat emërore të të internuarve, të burgosurve dhe të vrarëve etj. Më 2000, “Daut Hoxha” me 191 faqe. Në këtë libër janë përshkruar jeta dhe veprimet e armatosura, të zhvilluara në bashkëpunim me shumë çamër atdhetarë të tjerë kundër pushtimit dhe sundimit grek.

2006, “Çaparenjtë – Refo Çapari” me 382 faqe. Përshkruan udhën historike të derës së madhe dhe të fuqishme të Çaparenjet e në veçanti jetën dhe veprimtarinë e Refo Çaparit : historian, letrar, vjershëtar, publicist e në mënyrë të veçantë dramaturg i përkryer. Përveç pjesëve të tjera, në libër u botuan edhe dy nga dramat që janë gjetur : “Rétë” dhe “Rrënja”, të cilat dallohen për aftësinë artistike e aq më tepër për frymën atdhetare e filozofike.

2006, “Enciklopedi Jugshqiptare” I (A-H) me 860 faqe, e pajisur me 2 harta : njëra e Çamërisë dhe tjetra e Çamëri-Mollosisë, një skicë topografike dhe 228 fotografi të ndryshme. Në libër përshkruhen krahinat dhe ngjarjet që prej lashtësisë më të hershme e deri në ditët e sotme. Mbështetur në qindra e qindra dokumente, vihet në dukje se që stërgjyshërit më të hershëm të shqiptarëve të sotme ishin të vetmit zotërues të vendit deri edhe në Gjirit; në vijim tregohen tkurrjet, rishtrirjet dhe shkaqet përkatëse. Theksohet kufiri kombëtar shqiptaro-grek që qindra e qindra vjet para themelimit të kombeve, pra që 2200-2300 vjet më parë. Flitet për mbretëritë dhe principatat e para shqiptare në jugun shqiptar dhe rolin e peshën e tyre në histori. Flitet për pushtimet e huaja dhe qëndresën e vendësve; flitet gjerësisht mbi kryengritjet e shpeshta kundër çdo pushtuesi. Flitet një për një gjerësisht për tërë shoqëritë kombëtare e kulturore shqiptare brenda dhe jashtë vendit: ato të para e pas Pavarësisë, për organet e shtypit dhe shkollat që të kohës së Ali P. Tepelenës e deri në ato të disa viteve pas 1945-s. Flitet për prijës e atdhetarë të tjerë, si të famshmit hoxhë HasanTahsin efendiu, Hasan aga Çapari, Abedin pasha Dinua, Dora d’Istria etj. ; për krerë çetash si Muharrem Rushiti, Daut Hoxha etj. Në nënzërat brenda zërit Çamëria, përshkruhet gjithçka ka të bëjë me atë pjesë shqiptare : me relievin, me klimën, me ekonominë e të gjitha degëve e mbi të gjitha për veprimtarinë kombëtare të çamërve. Në zëra të veçantë flitet edhe për atdhetarë të ndryshëm, sidomos për ata –kryesisht mësuesit- që kanë vepruar në Çamëri e qarkun e Gjirokastrës apo që veprimtaria e tyre lidhet me Çamërinë, si : Gani e Sali Butka, Harrillë Bakalli, Idriz Guri, Demo Emini, Dino Çiçua, Ismail Kaso Dhëmblani, Rauf Ficua etj. Flitet, gjithashtu, për intelektualë të shquar me prejardhje nga Çamëria, si Kolë Hidhromenua etj. Vend veçanërisht të gjerë zënë shqiptarët që grekërit i quajnë “arvanìtë” ; përshkruhet veprimtaria e tërë krerëve të shquar kryengritës e ushtarakë, si Andrucua (Verrùshi), Bubulina, Konduriti, Kriezóti, Pangallo, Saqellari etj. Përshkruhet veprimtaria e intelektualëve arvanitë si Aleko Frëngu, Anastas Kulluriti, Aristidh Kola, Dhimitër Vulgari, Gjergj Dhriva, Jorgo Marruka, Panajot Kupitori, Petro Furriku etj. Flitet për këngëtarë të dalluar, si Aleko Dhimua dhe grupe artistike atikase, moraite etj.

2007, “Bilbila dhe Thëllëza Çame” (në vargje) me 498 faqe. Në të janë përmbledhur 1050 balada dhe këngë të ndryshme: historike, trimalëvduese, dasme etj., të kënduara nga çamërit e më shumë nga çamet. Më 2007, “Shqipëri, moj Dritë Ylli” (në vargje) me 149 faqe.

Ishte duke përfunduar vëllimin e dytë “Enciklopedi Jugshqiptare” (I-ZH), prej mbi 1000 faqesh. Përveç 13 veprave të botuara prej tij, Ibrahim D. Hoxha ishte bashkautor në “Fjalorin Enciklopedik Shqiptar” (në të dy botimet), në “Historia e Shqipërisë dhe e Shqiptarëve”, në 4 vëllime të “Yje të Pashuar” si edhe në veprat në vargje : “Ndizet zemra nga gëzimi” dhe “Këngët na burojnë si gurra”. Ka botuar mbi 200 punime historike në të përkohshme dhe fletore jashtë e brenda vendit; ka bërë mbi 100 emisione radiofonike dhe radiotelevizive etj. Ishte bashkëpunëtor i zellshëm i revistës “Krahu i shqiponjës”, organ i OJQ Shoqata Kulturore "Bilal Xhaferri".

Ibrahim D. Hoxha bashkëpunonte me shumë personalitete të huaj, miq e dashamirë të shqiptarëve, si Amir Gilad, Miranda Vickers, Dr. Haim Reitan etj., për lartësimin e çështjes kombëtare shqiptare kudo në botë. Për hir të së vërtetës duhet thënë se megjithë punën e madhe studimore e shkencore, me gjithë këtë mori veprash që ka botuar; shumë e më shumë vepra se cilido akademik e prof. dr. me tituj të sajuar, pushtetarët përkatës s’i kanë njohur ende vlerat e tij të mëdha shkencore. Sidoqoftë vlerat e tij i njohin mirë shqiptarët e thjeshtë dhe tërë ata që duan përparimin e Shqipërisë.

Botime

Redakto


Burime të dhënash

Redakto

Lidhje të jashtme

Redakto

Referime

Redakto
  1. ^ "Albanian Historian And Folklorist Ibrahim Daut Hoxha Dies Aged 97" (në anglisht). Exit News. 30 tetor 2020. Arkivuar nga origjinali më 12 dhjetor 2021. Marrë më 30 tetor 2020.
  2. ^ "Kopje e arkivuar". Arkivuar nga origjinali më 13 shkurt 2021. Marrë më 2 nëntor 2020. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Archived copy si titull (lidhja)
  3. ^ "Promovohet libri "Shtegtim nëpër Shqipërinë e Jugut: Çamëria", Idrizi: Rilindas, mos bëni të njëjtin gabim për 75 vjet që keni bërë mbi shqiptarët e Çamërisë". Tiranë. 25 janar 2020. Arkivuar nga origjinali më 29 maj 2020. Marrë më 29 maj 2020.