Sheh Ibrahim Haki Karbunara (Karbunara, 1879 - 1947) ka qenë shejh i tarikatit Halvetii, myfti i Lushnjes, veprimtar i çështjes kombëtare, përkrahës i Ismail Qemal bej VlorësShpalljen e Pavarësisë, nismëtar i Kongresit të Lushnjës dhe përkrahës i Lëvizjes së Qershorit.

Sheh Ibrahim Karbunara

Përgjatë Luftës së Dytë Botërore përkrahu Lëvizjen Nacional-Çlirimtare dhe me mbarimin e luftës u zgjodh deputet i Lushnjes. U dënua nga regjimi komunist me Grupin e parë të deputetëve nga gjyqi me varje së bashku me të birin, Hysenin, që e pushkatoi Josif Pashko.

Biografia

Redakto

U lind më 1879 në Karbunarë të Lushnjes, i biri i Rushidit dhe Hamdijes,[1] familja e tij kishin qenë brezpasbrezi shehlerët e vendit, me prejardhje nga Mehmet Alltuni.[2]

Mësimet e mesme i mori në medresenë e Beratit. Pastaj shkoi për studime të larta teologjike në Stamboll, ku mori një arsim të plotë, të lartë, dhe nxuri pesë gjuhë të huaja: arabisht, osmanisht, persisht, anglisht dhe frëngjisht. Në kryeqytetin e perandorisë u njoh me veprimtarë të tjerë të Lëvizjes Kombëtare. Pasi kreu studimet u kthye në teqenë e tij në Karbunarë, në vitin 1909, autoritetet xhonturke e internuan në Peqin, duke e cilësuar si «turbullues i miletit».[3]

Në nëntorin e 1912 qe myfti i Lushnjes.[4] Së bashku me Nebi Sefën përkrahu dhe iu gjend Ismail Qemalit në rrugëtimin e tij përmes Myzeqesë për në Vlorë. Gjatë periudhës jetëshkurtër të Princ Vidit, nënshkroi një notë proteste në mbështetje të Dibrës e Çamërisë e mbetej në protestën që i drejtohet Turhan pashë Përmetit, që kryesonte delegacionin në Konferencën e Paqes në Paris, për mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë.[3] Gjatë Kryengritjes së Shqipërisë së Mesme ndihmoi forcat vullnetare qeveritare që të lëviznin të pacënuar nga kryengritësit në Lushnje.[5]

Me Besim Nurin, Ferid bej Vokopolën, Eshref bej Frashërin qe ndër nismëtarët e Kongresit të Lushnjes, e si delegatë të vendit pritës,[3] Vokopola hapi punimet e Karbunara i mbylli duke bekuar qeverinë e dalur nga punimet e Kongresit.[6] Përgjatë jetës parlamentare të viteve 1920-'24 bënte pjesë në grupin demokrat të deputetëve[5] dhe përkrahu Fan Nolin, përkrahje që vazhdoi edhe me Lëvizjen e Qershorit dhe me ardhjen e Zogut në dhjetor me Triumfin e Legalitetit, u arratis për në Itali si të tjerët.[3] Përgjatë mërgimit antizogist u anëtarësua në organizatën "Bashkimi Kombëtar".[5]

Kthehet në Shqipëri pas pushtimit italian, më 1943 autoritetet fashiste ia dogjën shtëpinë dhe teqen. Më pas autoritetet e periudhës pas kapitullimit italian e burgosën më 1944. Teqja e tij bëhet nyje lidhëse e Frontit Nacional-Çlirimtar, të cilin e përkrahte.

Me marrjen e pushtetit nga FNÇ-ja, me zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945 doli deputet i rrethit të Lushnjes. U rreshtua me grupin opozitar të kohës, por u akuzua dhe u dënua me varje sepse me kolegët e vet sipas aktakuzës qe "duke formuar një organizatë tradhtare-sabotatore, të lidhur me kriminelët e luftës jashtë dhe brenda Shqipërisë dhe të shtyrë e të ndihmuar nga agjentët e imperializmit anglo-amerikan, kanë kryer akte sabotazhi, spiunazhi, terrorizmi për rrëzimin me forcë të pushtetit popullor dhe për sjelljen në fuqi të regjimit shtypës të Ballit e Legalitetit". Para se ta varnin i pushkatuan të birin para syve, eshtrat e tyre nuk dihen ende ku ndodhen.[3]

Përndjekja e familjes

Redakto

Sheh Ibrahim Karbunarës i pushkatuan edhe nipin, Beqirin. Familja e Karbunarëve u përzu nga shtëpia, iu konfiskuan tokat, i çuan në një haur në Lushnjë. Pjesa tjetër e meshkujve të familjes bënë 123 vjet burg.[7]

Referime

Redakto
  1. ^ "Aktakuza: Rrëzimi me forcë i pushtetit popullor". rd.al. Rilindja Demokratike. 10 tetor 2017.
  2. ^ Kotini, Albert (26 janar 2013). "Sheh Ibrahim Karbunara, e vërteta e kërkesës drejtuar Enver Hoxhës për faljen e Bahri Omarit". Metropol (gazetë). 2881: 18–19.
  3. ^ a b c d e "Sheh Ibrahim Karbunara (1879-1947)". Zani i Naltë. 24: 100. 2018.
  4. ^ Nosi, Lef (2007). Dokumente historike 1912-1918. Tiranë: ASH, Instituti i Historisë. fq. 86. ISBN 978-99956-10-04-3.
  5. ^ a b c Vllamasi, Sejfi (2012). Ballafaqime politike në Shqipëri (1897-1942). Tiranë: Vllamasi. fq. 97, 341, 427. ISBN 978-9928-140-54-8.
  6. ^ Dhana, Petraq (2010). Arsimi dhe Kultura në Myzeqe (1912 - 1990). Morava. fq. 187. ISBN 9995626128.
  7. ^ "Bukur, por tepër vonë". Shekulli. Arkivuar nga origjinali më 29 tetor 2019. Marrë më 7 mars 2019.