Sami Frashëri

shkrimtar dhe filozof shqiptar
(Përcjellë nga Shemseddin Sami)

Sami bej Frashëri i njohur në kohën e tij si Shemsedin Sami Bej (turqisht: Şemseddin Sami Bey;[1] Frashër, 1 qershor 1850 - Stamboll, 18 qershor 1904) ka qenë nëpunës dhe intelektual shqiptar i Perandorisë Osmane, gjuhëtar, leksikograf, enciklopedist, romancier, dramaturg, përkthyes dhe ideologu themelor i Rilindjes Kombëtare, së bashku me dy vëllezërit e tij Abdylin dhe Naimin.[2] Me veprimtarinë e tij u bë mendimtari më i shquar i nacionalizmit shqiptar dhe ndër pionierët e nacionalizmit turk,[3][4][5] i njohur përgjithësisht si Samiu në mënyrë informale në shqip dhe Shemsedin Samiu në turqisht.[6] Në opinionin turk njihet si "babai i enciklopedistëve."[7]

Shemsedin Sami bej
Samiu me të shoqen, Eminenë
Samiu me të shoqen, Eminenë
Emri në lindje
Sami Frashëri
U lind më1 qershor, 1850
Frashër, Perandoria Osmane
Vdiq më18 qershor, 1904
Stamboll, Perandoria Osmane
Emri i letraveSami bej Frashëri
KombësiaShqiptar
NënshtetësiaOsman
Edukimi"Zosimea", Janinë
Punët e shquara"Kamus al Alam", "Shqipëria ç'ka qenë, ç'është e ç'do të bëhet"
Vite aktiv1872 - 1904
Bashkëshortja/etEmine h.
FëmijëtAli Sami Yen
Të afërmitNaim Frashëri
Abdyl Frashëri

Nisi veprimtarinë e tij kulturore me përkthime, vepra autoriale, themelim i të përkohshmeve dhe drejtimin e një kolane botimesh. Veprimtaria e tij u shtri në gjuhën turke osmane dhe atë amtare, duke lënë kontribut themeltar për të dyja. Turqishtes i hartoi përmbledhjet e para leksikografike, enciklopeditë, romane dhe drama, shtroi çështje për reformimin e gjuhës turke osmane, por gjithashtu në hapësirën shprehëse të saj loboi për identitetin, problematikat dhe çështjen shqiptare.[8] Është autor i të parit roman të gjuhës turke, titulluar Ta'aşşûk-ı Tal'at ve Fitnât (sq. Dashuria e Talatit me Fitneten) botuar më 1872. Nëpër pamfletet që botoi përhapi qëndrimet e tij mbi rrënjët islame të qytetërimit evropian dhe çështjet e gruas.[9]

Veprimtaria e tij në gjuhën shqipe përmbledhet tek disa tekste mësimore, përpilimin e një gramatike dhe hartimin e alfabetit të Stambollit që u njoh edhe me emrin e tij, si dhe me traktatin Shqipëria ç'ka qenë, ç'është e ç'do të bëhet që u bë manifesti politik i Lëvizjes Kombëtare.

Biografia

Redakto

U lind në fshatin FrashërVilajetit të Janinës (sot në rrethin e Përmetit), i biri i Halit beut (1797–1859) dhe Emine hanëmit (1814–1861). Nga i ati ishin pasardhës timarlinjsh muslimanë bektashi me prejardhje nga Berati, që më vonë u njohën si Dulellarët, ndërsa familja e së ëmës vinin prej Iljaz bej Mirahorit.[10]

Mësimet e para i mori në vendlindje së bashku me Naimin në teqenë e Frashërit[11] nga myderrizi Mustafa efendi Tetova.[12] Pas vdekjes së prindërve, me në krye vëllain e madh që ishte bërë zot shtëpie, Abdylin, më 1865 familja u shpërngul në Janinë, ku sërish me Naimin ndoqi dhe mbaroi gjimnazin grek "Zosimea" më 1869. Përgjatë rrugëtimit shkollor ra në kontakt me filozofinë perëndimore, greqishten e lashtë dhe të renë, latinishten, frëngjishten dhe italishten. Më pas në një shkollë po lokale, nxuri mësoi arabisht, persisht dhe turqisht.[10] Si nxënës i shkëlqyer, kreu programin tetëvjeçar të shkollës në shtatë vite; shkollë të cilën më vonë në jetë e cilësonte "të shkëlqyer". Duke qenë shkolluar në mjedise të ndryshme kulturore dhe gjuhësore, u aftësua me mjetet e duhura intelektuale dhe emocionale për të hulumtuar kultura të ndryshme.[13]

Pasi kreu shkollën filloi punë në Zyrën e Shtypit (Matbuat Kalemi) të pushtetit lokal në Janinë. Më 1871 po me Naimin u shpërngulën në Stamboll me po të njëjtin pozicion pune tashmë në Zyrën e Shtypit në kryeqytet,[14] ku zuri miqësi me gazetarët dhe intelektualët përparimtarë Namık Kemal, Ebüzziya Tevfik, etj. por duke mbajtur kontaktet edhe me atdhetarët shqiptarë;[15][16] si dhe, duke qenë i dhënë pas kulturës e gjuhës frënge, nisi të përkthente nga kjo gjuhë në osmanisht.[17] Më 1872 nis kontributi i tij me romanin e parë në gjuhën turke Ta'aşşûk-ı Tal'at ve Fitnât, më 1873 u bë bashkëpunëtor i gazetave Sırac (Drita) dhe Hadika (Kopshti). Kur në Tarabulluz kërkohej një radhitës për gazetën lokale Vilayet, Zyra e Shtypit caktoi atje me punë Samiun, ku punoi për 9 muaj. Më pas u kthye në Stamboll dhe vazhdoi të punonte nëpër organe të shtypit. Botoi katër numrat e parë të së përkohshmes Muharrir, të Ebüzziya Tevfik, i cili ishte në syrgjyn. Më 1876 botoi për gati një vit gazetën Sabah.[14]

Më 1877 u caktua me punë në Rodos si sekretar i valiut, ku qëndroi për 5 muaj. Gjatë luftës Ruso-Turke u caktua me punë kryenëpunës në Komisionin për Regjistrimin Ushtarak në Janinë. Pasi u kthye në Stamboll, më 1878 u bë kryeredaktor i gazetës Tercümân-ı Șark (Terxhumani i Lindjes). Pas vendimeve të Kongresit të Berlinit u caktua sekretar i Komisionit të Kontrollit Ushtarak të themeluar më 1881, post të cilin e mbajti gjersa ndërroi jetë.[15][16] dhe nuk do të lëvizte më për pjesën e ngelur të jetës së tij. U shqua si një ndër intelektualët më në spikamë të kryeqytetit osman, duke drejtuar dhe redaktuar disa gazeta, duke shkruar mbi dymbëdhjetë libra në osmanisht si ''Insan'' (Njeriu), ''Medeniyet-i Islamiye'' (Qytetërimi islam) and ''Kadınlar'' (Gratë). Hartoi një fjalor frëngjisht-turqisht më 1882 dhe një tjetër turqisht-frëngjisht më 1884, një fjalor të gjuhës arabe më 1898, një fjalor në dy vëllime në osmanisht (1899-1901) së bashku me enciklopedinë gjashtëvëllimshme Kamus al Alam.[17] Duke shtuar këtu një pamflet për çështjen e alfabetit të gjuhës shqipe, një gramatikë dhe traktatin politik mbi çështjen shqiptare, të titulluar "Shqipëria ç'ka qenë, ç'është e ç'do të bëhet".[18]

Përfshirja në çështjen kombëtare shqiptare

Redakto

Drama "Besa yahut Ahde Vefa"

Redakto

Më 1874 Samiu kishte shkruar dramën "Besa yahut Ahde Vefa" (shqip: Besa ose Mbajtja e Fjalës) në osmanisht me temën rreth çështje së një etnie shqiptare, të lidhur me një territorialitet etnik, një diversitet etno-kulturor që mëton përbashkimin, nderin, besnikërinë dhe vetëflijimin osman.[19] Me këtë vepër Samiu u përpoq t'i paraqiste shqiptarët nën një dritë tjetër për opinionin osman, duke e informuar për moralin, vlerat, zakonet e traditat e shqiptarëve të cilët i mendonte një element tejet të rëndësishëm të perandorisë; gjithashtu donte të hidhte themelet e një teatri autentik osman, i cili asokohe kishte shumë ndikime të jashtme.[8] Për audiencën më të hollë elementi i besës nënkuptonte zhvillimin ushtarak e politik që mund të merrte.

Më 1901 u përkthye në gjuhën shqipe nga miku i tij, Abdyl bej Ypi dhe u botua nga Kristo Luarasi në Sofie, ndërkohë që ishte pjesë e kurrikulave shkollore në Mësonjëtoren e Korçës deri kur u mbyll më 1902. Përkthimi shqip i dramës nga autoritetet osmane mbahej si "nxitës i ndjesive kombëtare të shqiptarëve" dhe pas Revolucionit Xhonturk më 1908 kishte raportime se çeta kaçakësh luanin pjesë nga drama rreth zjarrit.[20] Drama e Samiut nuk do të shfaqej gjer pas kalimit të Revolucionit Xhonturk, më pas u shfaq për tre vjet të tjera deri më 1911-1912.[21]

Periudha e Lidhjes së Prizrenit

Redakto

Përgjatë Krizës së Madhe Lindore, qe pjesë "Komitetit Qendror për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare" të drejtuar nga i vëllai, Abdyli. Ishte pjesë e 10 funksionarëve të lartë të shqiptarëve të kryeqytetit perandorak që nënshkruan memorandumin dërguar pritësit të Kongresit të Berlinit, kancelarit Bismark dhe kontit austro-hungarez Andrassy duke kërkuar reforma dhe shqiptarët të mund të rrinin brenda Perandorisë Osmane duke iu respektuar të drejtat, dëshirat, interesat dhe traditat.[22] Po atë periudhë, në të përkohshmen Tercüman-ı Hakikat në një artikull me datë 24 dhjetor 1878 raportoi mbi situatën gjeopolitike dhe ndodhitë,[23] duke thënë se Shqipëria ishte vatani i tij dhe ndihej i lidhur me mëmëdheun e gjerë osman dhe duke theksuar se shqiptarët ishin besnikë ndaj perandorisë. Vinte në pah rrezikun ushtarak të fqinjëve të shqiptarëve dhe kultivimin e gjuhëve të tyre ndër shkolla në viset shqiptare. Zgjidhja për të ishte përbashkimi i vilajeteve të banuara nga shqiptarët në një vilajet të vetëm, që të mund të ushtronte një forcë rezistuese më të madhe,[24] ku pas dëshirës për të kultivuar gjuhën amtare do t'i bënin ball si ç'duhet sllavizmit dhe helenizmit.[25]

Nga tetori i 1879 Samiu drejtonte "Shoqërisë së të shtypurit me shkronja shqip", ku libra dhe tekste shkollore hartoheshin nga ai me Naimin.[26]

Samiu drejtoi revistat e para në gjuhën shqipe "Drita" dhe pastaj "Dituria" (Stamboll, 1884-85) ku shkroi një numër të madh artikujsh. Për nevojat e shkollës shqipe hartoi librat "Abetare e gjuhës shqipe" (1886), "Shkronjtore e gjuhës shqipe" (gramatika, 1886) dhe "Shkronjë" (Gjeografia, 1888) në gjuhën shqipe. Nga veprat më të shquara të këtij mendimtari të shquar, patriot, demokrat dhe iluminist është , botuar më 1899 pa emër autori në Bukuresht. Ky traktat u bë manifesti i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, vepra që sintetizoi programin e lëvizjes, strategjinë dhe taktikën e saj. Në të u shprehën idealet demokratike të zhvillimit politik e shoqëror të vendit, të zhvillimit të arsimit, të kulturës e të shkencës. Sami Frashëri hartoi dhe një fjalor të gjuhës shqipe i cili mbeti i pabotuar. Gjithashtu ai la në dorëshkrim një përmbledhje këngësh popullore shqiptare.

Çështjen shqiptare Sami Frashëri e mbrojti edhe në organet e ndryshme të shtypit që drejtoi, sidomos në gazetën turke "Terxhuman-i Shark". Sami Frashëri është autor i 57 veprave në gjuhën shqipe, turke dhe arabe duke përfshirë këtu edhe revistat e gazetat që i drejtoi duke botuar vetë në to. Çështjen shqiptare dhe historinë e popullit shqiptar Sami Frashëri i trajton edhe në veprat në gjuhën turke e sidomos në artikujt e botuar në shtypin e kohës, si edhe në veprat letrare me motive nga jeta shqiptare.

Si dijetar i madh Sami Frashëri dha kontributin e tij të vyer në disa fusha të shkencës ku u dallua si përfaqësues i mendimit të përparuar materialist, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet e Lindjes. Është autor i fjalorit normativ të gjuhës turke (Kamus-i türki, 1901) i cili ruan vlerën e vet të madhe edhe në ditët e sotme. Fjalori "Kamus-i türki" përmban mbi 40 mijë fjalë e shprehje gjuhësore dhe është pajisur me një parathënie të gjatë të shkruar nga vetë Samiu ku parashtron parimet e tij mbi fjalorin e një gjuhe letrare. Samiu është edhe autor i disa fjalorëve dygjuhësh frëngjisht-turqisht 1882); turqisht-frëngjisht 1885); arabisht-turqisht (Kamus-i arabi). Vepra madhore e Sami Frashëri në gjuhën turke është Enciklopedia e tij "Kamus-ul alâm" (1900) në 6 vëllime, ku Samiu u jep një vend tëdukshëm botës shqiptare, figurave të rëndësishme që ka nxjerrë populli shqiptar gjatë historisë së tij. Në enciklopedinë e Samiut gjenden njoftime për institucionet shtetërore, arsimore, fetare etj., si edhe të dhëna gjeografike jo vetëm për qytetet dhe qendrat administrative më të rëndësishme të Shqipërisë, por edhe për fshatrat më të njohura.

Si shkrimtar Sami Frashëri shkroi në gjuhën turke drama e romane. Vepra më e rëndësishme tregimtare "Besa", e botuar më 1875 e ka marrë subjektin nga jeta shqiptare. Ajo u shfaq në teatrin perandorak në Stamboll më 1874, një vit para se të botohej.

Për popullarizimin e dijeve shkencore shkroj disa libra dhe broshura, të ciat i përmblodhi në "Bibliotekën e xhepit", hartoi tekste të ndryshme, botoi antologji me pjesë të zgjedhura nga letërsia botërore dhe kryesisht orientale, ai la në dorëshkrim 11 vepra kryesisht nga fusha e gjuhësisë dhe e letërsisë.

Sami Frashëri ishte edhe një gazetar i talentuar. Ai ka bashkëpunuar me shkrime dhe ka qenë redaktor dhe kryeredaktor në disa gazeta si psh: "" ("Mëngjezi" 1876), ku për një kohë ishte kryeredaktor, ("Java") etj.

Biblioteka personale e tij kishte 20,000 vëllime.

Familja

Redakto

Më 4 maj 1884 u martua me Emine Velije hanmin, e bija e kazasqerit Sadettin Efendiut nga Edremiti. Së bashku patën 4 fëmijë, Samijen, Ali Samiun, Sadijen dhe Sadiun. Ali Sami Jeni është ndër sportistët më të mëdhenj turq. Më 1893 e shoqja i ndërron jetë. Pas një viti martohet me Belkizen, e veja e të vëllait, Abdylit që kishte ndërruar jetë më 1892. Së bashku u trashëguan me një djalë, Iskender Samiun. Abdyli ia kishte lënë amanet Samiut të birin dhe të bijën, Mid'hatin me Eminenë.[14]

Më e madhja, Samija, ka lënë disa kujtime për të atin që u radhitën në shtypin turk nga gazetari Hikmet Feridun Es, pjesë e një serie shkrimesh në nderim të jetës dhe veprimtarisë së njerëzve të shquar. Në opinionin turk u kujtua si "babai i enciklopedistëve."[7]

Vepra e tij numron punime, hulumtime dhe krijime në rrafsh përkthimesh, dramaturgji, një roman, publicistikë, enciklopedi, leksikografi dhe gramatologji mes gjuhës turke dhe asaj shqipe.

Përkthime

Redakto

Punët e tij të para intelektuale ishin përkthime, shumica e të cilave qenë vepra frënge, nga origjinali në turqisht. Përkthimi i parë qe me Tarih-i Mücmel-i Fransa (Joanne-Mathurine Ponctis de Boën, Histori e shkurtër e Francës) më 1872, më pas İhtiyar Onbaşı (sq. Tetari i vjetër) nuk i dihet autori apo nga cila gjuhë u përkthye; pjesa teatrale Galatée përkthyer nga frëngjishtja më 1873 me autor Jean Pierre Claris de Florian. Vite më pas, më 1878 përktheu romanin Şeytanın Yadigarları (sq. Kujtimet e Shejtanit) nga autori Fredérick Soulié dhe më 1879 Sefiller / Të mjerët e Hygoit si dhe RobinsonDaniel Defoe nga një variant në frëngjisht.[27]

Leksikografi

Redakto

Vepra që kontribuoi bindshëm në namin e tij qe përpilimi i enciklopedisë me gjashtë vëllime Kamus-ul Alam që e nisi më 1888 dhe e përfundoi më 1898. Fjalorët e tij u vlerësuan dhe çmuan shumë nga intelektualët e kohës, duke qenë frëngjishtja gjuha kryesore e komunikimit me botën perëndimore.[6]

Titujt e veprave.

Redakto
  • Taaşşuk-i Tal’at ve Fitnat (Dashuria e Talatit për Fitneten) – romani i parë në turqisht (1872)
  • Besa yahud Ahde Vefâ (Besa ose Mbajtja e premtimit) – dramë në gjashtë pamje (1875)
  • Gâve (Gjave) – dramë me pesë pamje (1876)
  • Medeniyyet-i-l islamiyye (Qytetërimi islam) – nga seria “Biblioteka e xhepit” (1879, 1885)
  • Kamus-i Fransevî – fjalor turqisht-frëngjisht (1882/85)
  • Abetare e gjuhës shqipe (1886)
  • Shkronjtore e gjuhës shqipe (1886)
  • Dheshkronjë – libër gjeografie (1888)
  • Kamus-ül Alam – enciklopedia e parë në turqisht (1889–1896)
  • Kamus-i Arabi – fjalor arabisht-turqisht (1889)
  • Shqipëria ç'ka qenë, ç'është e ç'do të bëhet (1899)
  • Kamus-ı Türkî – fjalor i turqishtes (1901)

Shih edhe

Redakto

  Wiki Libri: Kronologjia e jetës - Sami Frashëri

Referime

Redakto
  1. ^ "Şemseddin Sami Fraşeri". Britannica.com (në anglisht).{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  2. ^ "Şemseddin Sami: Turkish Lexicon". Modernism: Representations of National Culture: Discourses of Collective Identity in Central and Southeast Europe 1770?1945: Texts and Commentaries (në anglisht). Vëll. 3/2. Central European University Press. 2010. fq. 33. ISBN 9789637326646.
  3. ^ Dani, Doan (2016). Shpikja e Mesjetës. Tiranë: Pika pa sipërfaqe. fq. 43, 187. ISBN 9789928185303.
  4. ^ Sulstarova, Enis (2006). Arratisje Nga Lindja: Orientalizmi Shqiptar Nga Naimi Te Kadareja. Globic Press. fq. 38. ISBN 9780977666249.
  5. ^ Taglia, Stefano (2015). Intellectuals and Reform in the Ottoman Empire: The Young Turks on the Challenges of Modernity (në anglisht). Routledge. fq. 102. ISBN 9781317578635.
  6. ^ a b Bilmez, Bülent (2003). "Sami Frashëri or Šemseddin Sami?". Balkanologie (në anglisht). VII (2): 19–46.
  7. ^ a b Nuro, Kujtim (27 mars 2019). "Një njeri, një Akademi: Sami Frashëri sipas vajzës së tij". telegrafi.com.
  8. ^ a b Gawrych 2006, pp. 1-2, 8, 19-20, 164, 207.
  9. ^ Kurzman, Charles, red. (2002). Modernist Islam, 1840-1940: A Sourcebook (në anglisht). Oxford University Press. fq. 149. ISBN 9780195154689.
  10. ^ a b Gawrych, George (2006). The Crescent and the Eagle: Ottoman rule, Islam and the Albanians, 1874–1913 (në anglisht). London: IB Tauris. fq. 13. ISBN 9781845112875.
  11. ^ Bezati, Kastriot (2012), Cili ishte fati pasardhësve të familjes së Naim Frashërit, nga vajzat deri tek Asllan Rusi: sëmundja e Naimit, vlerësimi i i Faik Konicës dhe jeta e vajzave të tij, ja trungu familjar i poetit të madh, Tirana observer. - p. 1032, 20 shtator, 2012, p. 10 - 11.
  12. ^ "Sami Frashëri, Vepra 9" (PDF).{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  13. ^ Gawrych 2006, pp. 13-14.
  14. ^ a b c Çetin, Nurullah (2021). Tanzimat Dönemi Türk Edebiyatı (në turqisht). İlbilge Yayıncılı. fq. 185. ISBN 9786057415776.
  15. ^ a b Kaleshi, Hasan (1974). "Frashëri, Sami". Biographisches Lexikon zur Geschichte Südosteuropas (në gjermanisht). Vëll. 1. München. fq. 543–546.{{cite book}}: Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja)
  16. ^ a b Promitzer, Christian; Gruber, Siegfried; Heppner, Harald (2014). Southeast European Studies in a Globalizing World (në anglisht). London: LIT Verlag Münster. fq. 108. ISBN 9783643905956.
  17. ^ a b Gawrych 2006, p. 14.
  18. ^ Gawrych 2006, pp. 15, 127.
  19. ^ Gawrych 2006, pp. 1-2, 8, 36-37.
  20. ^ Gawrych 2006, pp. 148-149.
  21. ^ Gawrych 2006, pp. 88, 164, 207.
  22. ^ Gawrych 2006, p. 47.
  23. ^ Gawrych 2006, p. 48.
  24. ^ Gawrych 2006, pp. 54-55.
  25. ^ Gawrych 2006, pp. 55-56, 209.
  26. ^ Gawrych 2006, p. 88.
  27. ^ Çetin 2021, p. 186.