Wikipedia:Faqja kryesore/Artikulli i javës/2019/44
Roma e lashtë ishte një qytetërim që u zhvillua prej një komuniteti te vogël bujqësor të themeluar në Gadishullin Italik që në shekullin e 10-të para Krishtit. I vendosur përgjatë detit Mesdhe, ajo u bë një nga perandoritë më të mëdha në botën e lashtë.
Në shekujt e ekzistencës së saj, qytetërimi romak nga një monarki adoptoi një republikë oligarkike dhe më vonë një perandori autokratike. Romakët arritën të dominojnë Evropën jugperëndimore, Evropën juglindore (Ballkanin) dhe tërë rajonin mesdhetar me anë të asimilimit kulturor dhe pushtimit.
Për shkak të paqëndrueshmërisë së brendshme dhe sulmeve nga popuj të ndryshëm migrues, pjesa perëndimore e perandorisë, duke përfshirë Italinë, Hispanjën, Galinë, Britaninë dhe Afrikën u nda në mbretëri të pavarura në shekullin e pestë pas Krishtit.
Perandoria Lindore Romake, që drejtohej nga Konstandinopoja, e përbërë nga Greqia, Ballkani, Azia e Vogël, Siria dhe Egjipti, i mbijetoi krizës. Edhe pse këta të fundit i humbën territoret e Sirisë dhe Egjiptit nga Perandoria Islame Arabe, Perandoria Romake e Lindjes do të mbijetonte edhe për një mijëvjeçar, derisa territoret e fundit të saj u pushtuan nga Perandoria Otomane. Kjo fazë mesjetare dhe e krishterë e Perandorisë njihet nga historianët me emrin Perandoria Bizantine.
Qytetërimi romak shpesh grupohet në periudhën e antikitetit klasik bashkë me Greqinë e lashtë, një qytetërim që pati ndikim të madh në kulturën e Romës së lashtë. Roma e lashtë kontribuoi jashtëzakonisht shumë në zhvillimin e ligjeve, luftërave, artit, letërsisë, arkitekturës, teknologjisë dhe gjuhës dhe historia e saj vazhdon të ketë një ndikim të madh në botë sot.