Rrethimi i Shkodrës u bë nga 28 tetori 1912 deri më 23 prill 1913, në kuadrin e Luftës së Parë Ballkanike, prej forcave aleate të Malit të Zi dhe Serbisë kundër forcave të Perandorisë Osmane. Korpusi i Shkodrës nën komandën e Hasan Riza Pashës dhe Esat pashë Toptanit rezistoi për gati 7 muaj dhe ia dolën t'i shkaktonin dëme të mëdha rrethuesve.

Rrethimi i Shkodrës 1912–1913
Pjesë e Luftës së Parë Ballkanike

Në drejtim të akrepave të orës nga e majta: Flamujt e Fuqive të Mëdha në kalanë e Shkodrës; Trupat osmane që mbronin Shkodrën; Flamuri malazez valëvitet mbi kalanë e Shkodrës; Standardi i kapur i flamurit të forcave malazeze i shfaqur me krenari nga trupat osmane dhe shqiptare; Redifët shqiptarë që gjuajnë nga një pemë; Oficerët shqiptarë duke pozuar me municion të kapur malazez
Data28 Tetor 1912 – 23 Prill 1913
Vendodhja
Pasoja Esad Pashë Toptani nënshkroi protokollin përfundimtar të dorëzimit më 23 prill 1913. Një traktat paqeje i nënshkruar nga Esad Pasha dhe Mbreti Nikolla, e ktheu Shkodrën në Principatën Shqiptare.
Palët pjesëmarrëse

Perandoria Osmane

Redifët Shqiptarë

Mbretëria e Serbisë

Mali i Zi
Komandantët dhe udhëheqësit

Hasan Riza Pasha

Esad Pashë Toptani
Mbreti Nikolla
Princi Danillo
Radomir Veshoviç
Fuqia ushtarake
20,000 burra 40,000 burra
Viktimat dhe humbjet
i panjohur 8,000 të vrarë dhe të plagosur

Emërtimi Redakto

Rrethimi i Shkodrës[1] njihet në turqisht si İşkodra Müdafaası[2] ose İşkodra Savunması,[3] ndërsa në serbisht: Опсада Скадра.

Prapavija historike Redakto

Komanda osmane parashihte që më 1911 nevojën e fortifikimit të qytetit të Shkodrës përkundër Malit të Zi., lufta e gjeti qytetin me tri fortesa kryesore, të Taraboshit, Kodrat e Bërdicës dhe Fushat e Shtojit. Në vigjiljen e luftës, komanda vendore nxitoi të fortifikonte pozicionet strategjike të Dervish-Tepes, kodrat e përtej Kirit (Bardhanjorët, sidomos Bardhaj i Madh),[4][5] dhe ishin hapur llogore nga Fushat e Shtojit në Vrakë.[6]

Më 1912 Lidhja Ballkanike - e përbërë nga Serbia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Greqia - i shpallën luftë së bashku Perandorisë Osmane. Mali i Zi mobilizoi fuqitë e veta dhe u bë gati të sulmonte fuqitë osmane në jug, duke synuar të bënte të vetat qytetin e Shkodrës dhe të Prizrenit, të parin duke e parë si çështje jetike.[7]

Shpërthimi i luftës Redakto

Komanda e priti luftën me shtatë zona të fortifikuara, që ishin Taraboshi, Bërdica, Dervish-Tepe, Fusha e Shtojit, Zona e Kirit dhe ajo e Liqenit.[4] Mali i Zi i shpalli luftë më 8 tetor 1912 Perandorisë Osmane dhe po atë ditë divizioni i Zetës i forcave malazeze kaloi kufirin dhe iu drejtuan qytetit,[5] ushtima e topit të parë u dëgjua në Deçiq, ku ishin fortifikuar fuqitë osmane. Topin e parë e gjuajti Princi Pjetër, përkrah malazezëve luftonin edhe malsorët katolikë të Hotit, Grudës dhe Kastratit. Deçiqi ra ditën tjetër, malazezët kapën tremijë robër, ushtarë e oficerë.[8] Nga ana tjetër, fuqitë malazeze që kaluan kufirin pushtuan fshatrat Kllezën dhe Rrezigaç në krahinën e Anës Malit, e duke djegur Shazin me katunde të tjera të banuara nga shqiptarët, siç ishin: Bojk, Kaliman, Rashticë, Kozik, Selitë. Popullsia shqiptare e lokaliteteve të Ostrokut të vogël dhe Zogajve hynë në qytet mbrëmjen e asaj date.[9]

Lufta e Krajës ose e Taraboshit Redakto

Nga Fraskanjeli e deri në Pulaj, përgjatë Bregut të Bunës, gjëmoi pushka e artileria mes malazezëve e popullsisë kufitare që përkrahte osmanët. Më 11 tetor filloi i pari sulm i madh, dhe për ta pritur rrezikun fortifikimit në Tarabosh, një forcë e fuqive të caktuar aty nën komandën e majorit Sadedin Bej u shkëput për t'ia ndaluar avancimin armikut.[9] Fuqia osmane i doli para malazezëve në Kodraç, e lufta u ashpërsua kur ushtria osmane prej Vallasit mori drejtimin drejt Bobotit. Beteja zgjati 6 orë dhe u kurorëzua me fitoren e njësive osmane.[10]

Rrethimi Redakto

Që më 16 tetor, nga Kopliku malazezët u drejtuan nga Fusha e Shtojit; bateritë e artilierisë së tyre nga Muriqani gjuanin fortifikimet e Taraboshit dhe në lindje po shtriheshin nga Drishti, Mesi e Myselimi - ku veprimet e armikut, djegia e shtëpive, - qëmtoheshin nga kalaja. Banorët e këtyre viseve u tubuan edhe ata drejt qytetit për të gjetur strehim e shpëtim.[11] Pasditen e 18 tetor malazezët kishin përparuar deri në Fushën e Shtojit dhe ishin duke marshuar drejt Kirit.[6] Më 26 tetor morën me luftë lokalitetin e Zogajve dhe u drejtuan për të shtënë në dorë Shirokën, por atë ditë nuk ia dolën.[11] Më 27 tetor u gjuajtën gjylet e para në lagjet e Rusit brenda qytetit.[12] Më 28 tetor malazezët kaluan Kirin dhe ditën në vazhdim arritën deri në Bardhajn e Madh, por aty humbën në dredhat e lumit, prroskat e vreshtat dhe u zhvillua një betejë e tmerrshme, të vrarët e të plagosurit e së cilës shkonin në mijëra sipas dëshmive. Fuqitë malazeze që shpëtuan, shpëtuan në sajë të shaljanëve që i ndihmuan.[13]

Sipas dëshmive të fratit Rrota, bombardimet e vazhdueshme të qytetit nisën ditën e mërkurë më 30 tetor, ku u shquan bombardimet te Ura e Maxharrit, te fusha e Rusit të Vogël dhe ka vazhduar drejt Xhamisë së Begos. Banorët zhvendoseshin drejt lagjeve më të brendshme, bombardimi zgjati pa u ndalur deri më 19 nëntor.[14] Më 2 nëntor, të shtunen, malazezët mësynë sërish natën llogoret e Fushës së Shtojit.[15] Më 11 nëntor trupat malazeze ishin pozicionuar në Koplik, Vrakë, Muriqan, përgjatë Bunës dhe kund në jug të Bërdicës. Divizioni i dytë malazez gjendej gjithnjë në anën tjetër të Kirit. Korpusit qëndrestar iu shtuan 1,500 redifë ato tri ditë nga bajrakët përreth.[16]

Referime Redakto

  1. ^ Vickers 1999, f. 71.
  2. ^ Abdurrahman Nafiz, Kiramettin, 1912–1913 Balkan Harbinde İşkodra Müdafaası, İstanbul Askerî Matbaa, 1933. (turqisht)
  3. ^ Genelkurmay Askeri Tarih ve Stratejik Etüt Başkanlığı, İşkodra Savunması ve Hasan Rıza Paşa, Kültür Bakanlığı Yayınları, 1987. (turqisht)
  4. ^ a b Bushati, Hamdi (1998). Shkodra dhe motet. Vëll. I. Shkodër: Idromeno. fq. 446–447. OCLC 41096394. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  5. ^ a b Hall, Richard C. (2002). The Balkan Wars 1912-1913: Prelude to the First World War. Routledge. fq. 55–56. ISBN 9781134583638. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  6. ^ a b Ikonomi, Ilir (2016). Esat pashë Toptani: njeriu, lufta, pushteti. Tiranë: Uet press. fq. 40. ISBN 9789928190918. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  7. ^ Dimitrije Djordjević, Béla K. Király, red. (1987). War and Society in East Central Europe: East Central European Society and the Balkan Wars. Brooklyn College Press. fq. 126. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  8. ^ Erickson, Edward J. (2003). Defeat in Detail: The Ottoman Army in the Balkans, 1912-1913. Praeger. fq. 238. ISBN 9780275978884. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  9. ^ a b Bushati 1998, p. 448.
  10. ^ Bushati 1998, p. 449.
  11. ^ a b Rrota, Justin (2010) [1963]. Ditët e mbrame të Turqisë në Shkodër ase Rrethimi i Qytetit 1912-1913. Shkodër: Botime Françeskane. fq. 31. ISBN 9789995678371. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  12. ^ Rrota 2010, p. 32.
  13. ^ Ikonomi 2016, p. 42.
  14. ^ Rrota 2010, p. 33.
  15. ^ Rrota 2010, p. 34.
  16. ^ Berri, Gino (1913). L'Assedio di Scutari, sei mesi dentro la città accerchiata (diario di un corrispondente di guerra). Milano: Treves. fq. 1, 4, 6. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)