Raif Halimi
Raif Halimi – Cernica (15 shkurt 1926 në Cernicë të Gjilanit; 01 maj 1999 në Ferizaj). Ishte atdhetar i denjë, bashkëluftëtar i Shaban Polluzhës, si dhe njëri ndër themeluesit e Lëvizjes Nacionale Demokratike Shqiptare. Për veprimtarinë e tij patriotike dënohet (1945) nga pushteti serbo-komunist me pushkatim, dënim ky që iu shndërrua në 20 vjet burg të rëndë. Pothuaj 18 vite burg (1945-1962) i mbajti në Mitrovicën e Sremit, ku mbi 8 vite i kaloi në izolim. Aty hartoi fjalorin e parë shqip-serbokroatisht, të cilin e donte pushteti por pa emrin e autorit të vërtetë. Si kundërshtar i përbetuar i pushtimit të Kosovës ishte përherë i ndjekur, i persekutuar dhe dënuar nga pushteti i ish-Jugoslavisë. Ishte anëtarë i Kryesisë së Partisë Nacional Demokratike Shqiptare.[1]
Biografia
RedaktoRaif Halimi u lind në Cernicë të Gjilanit, në një familje me traditë patriotike. Ishte nip i Mulla Halimit, bashkëluftëtarit të Idriz Seferit dhe bir i Ramiz Cernicës, i cili me Jo-në e tij në Mbledhjen e Dytë të Prizrenit, korrik 1945, tregoi vendosmërinë e tij dhe të popullit që e përfaqësonte, se populli shqiptar nuk do të jetojë me njerkën Serbi, por do të bashkohet me nënën Shqipëri.
Arsimimi
RedaktoSi 7 vjeçar u regjistrua në shkollën fillore në Cernicë [2]. Mësimet e para ishin në gjuhën serbe si arnaut me mbiemër të sllavizuar Raif Alimoviç. Gjuha shqipe s’guxonte të përmendej për mësim në shkollat e asaj kohe. Kjo vlente edhe për termin shqiptar. Pastaj e regjistroi shkollën qytetare, ku ishin 11 shqiptarë. Pas vitit të parë kaloi në gjimnaz të Gjilanit, ku ishte i vetmi shqiptar. Më 1941 u hap në Gjilan një kurs për të mësuar alfabetin e gjuhës shqipe. Mësimdhënës ishte Haki Taha. Si 13 vjeçar e dërgon i ati në Gjermani (Hanover) për t’u shkolluar. Gjuhën gjermane e kishte mësuar pak në gjimnaz. Kjo i ndihmoi në fillim të komunikojë. Në Gjermani ia afruan mundësinë të shkollohej, por kusht ia vunë të regjistrohej në organizatën e rinisë hitleriane. Raif Halimi nuk pranoi një gjë të tillë dhe pas një viti kërkoi të kthehej në Kosovë.
Si 14 vjeçar u nis me tren për Kosovë me emër të rremë. Nuk quhej Raif Halimi, por Rajko Mirosavleviç. Si shqiptar ishte e pamundur të udhëtonte nëpër Serbi. Të gjitha dokumentet i kishte të falsifikuara. Treni ishte i përmbushur plot me serbë, të cilët gjithë kohën e shfryenin mllefin e tyre ndaj shqiptarëve, duke e mos ditur që në mesin e tyre është një shqiptar. Kur hipë në tren prej Kralevës në Rashkë i këputet lidhësja e këpucës. Rastësisht i shpëton goja dhe flet në shqip. Aty zbulohet se është shqiptar. Kur mbërrijnë në Rashkë, dikush nga udhëtarët e lajmëron te çetnikët. Ata e marrin dhe e çojnë në burg. E mbajnë 4 ditë duke i bërë kërcënime të ndryshme; me nxjerrjen e syve, me prerje qafe...etj. Pas 4 ditësh e lirojnë atë dhe ai niset për Kosovë.
Pasi kthehet nga Gjermania, regjistrohet në shkollën e mesme “Sami Frashäri” në Prishtinë, e cila ishte lice dhe shkollë normale. Njëri ndër mësuesit ishte Ymer Berisha.
Veprimtaria atdhetare gjatë Luftës së Dytë Botërore
RedaktoSi i ri u angazhua në Rininë komuniste Shqiptare (1942).[3] Me tërheqjen e Italianëve dhe Gjermanëve nga Kosova (1944), mbetet popullata shqiptare e pambrojtur, e paarmatosur e duarthatë. Më 16 nëntor 1944 hynë në Gjilan forcat bullgare duke premtuar se nuk do të bëjnë gjë, por vetëm duan të kalojnë. Prapa shpinës vijnë Brigada III kosovare, Brigada e 25 dhe Divizioni 46 serb. Qëllimi i këtyre forcave ishte asgjësimi i popullatës shqiptare. Menjëherë filluan burgosjet, rrahjet, varjet, pushkatimet pavarësisht prej moshës dhe gjinisë. Me këtë rast e mbulon zija e përgjithshme kombin shqiptar. Në lagjet e Gjilanit s’ka pasur njeriu nga të kalojë prej kufomave të shqiptarëve të masakruar.
Në nëntor të vitit 1944 filloi pushteti okupues serb të bëjë mobilizimin e shqiptarëve, me qëllime të shumanshme; që t’i shpërndajë ata në të gjitha anët e ish-Jugosllavisë, që të nxisë luftën vllavrasëse partizanë e ballistë, si dhe të humbin jetën e tyre gjatë përleshjeve me çetnikë. Në këtë mënyrë do të realizohej ëndërra e pastrimit etnik.
Raif Halimi u paraqit në mënyrë vullnetare në UNÇ, me qëllim që të armatoset. Brenda një kohe të shkurtër janë regjistruar 4-5 mijë vullnetarë, nga të cilët plotësohet Brigada e Shtatë dhe disa brigada të tjera. Nga këta vullnetarë formohet edhe Batalioni i Rinisë së Gjilanit prej 450 personash. Ky batalion niset për Prishtinë, ku vendoset në kazermat e Prishtinës. Aty bëhet zgjedhja e kuadrit komandues.
Isuf Ibrahimi-Kiki, i njohur si Isuf Gjilani u zgjodh komandant i Batalionit të Rinisë, e më vonë edhe i Batalionit të Katërt në Brigadën e Parë Sulmuese të Kosovës, kurse Raif Halimi Komisar i Batalionit të Rinisë, e më vonë edhe i Batalionit të Katërt në Brigadën e Parë Sulmuese të Kosovës. Pas tri-katër ditësh, batalioni vazhdoi rrugën për Drenas (Gllogovc) për t’iu bashkangjitur Brigadës së Parë Sulmuese të Kosovës. Më pas e vazhdon rrugën për në Istog, ku qëndron një kohë më të gjatë. Në ndërkohë fillon Lufta e Drenicës. Sipas direktivave të Milladin Popoviqit batalioni duhet të kthehet nga Burimi (Istogu) në Drenicë, për të luftuar kundër forcave shqiptare të udhëhequra nga Shaban Polluzha, i cili veç kishte dezertuar në Besiana (Podujevë) dhe ishte nisur për në Drenicë. Batalioni niset për në Drenicë duke menduar se do të luftonin fashizmin. Kur e kuptojnë se prapaskena e kësaj lufte është një kurthë vëllavrasëse, udhëheqësi i batalionit Isuf Ibrahimi dhe komisari Raif Halimi ndërruan kahjen. Ata e dorëzuan një skuadër, të cilën e qitën në anën e kundërt për të lajmëruar se të gjithë janë shqiptarë dhe të mos vriten vëllau me vëlla. Kështu që të dy palët bënë një rezistencë formale, gjuanin në ajër pa vrasje.[4]
Vuk Popoviqi kërkon llogari nga Raif Halimi se si është e mundur që sapo filloi lufta të dorëzohet një skuadër. Raif Halimi arsyetohet se iu mungonte armatimi. Në këtë mënyrë arrin ai ta furnizoj batalionin me armatim dhe u shpërndanë në tri fshatra të Drenicës; në Klinë të Epërme - Kompania e Parë, në Prekaz - Kompania e Dytë (aty ishte Shtabi i Batalionit) dhe në Klinë të Ndërmjeme - Kompania e Tretë.
Likuidimi i Shtabit të Batalionit të Katërt të Brigadës së Parë të Kosovës
RedaktoMë 31 janar 1945 Raif Halimi bisedon me bashkëluftëtarët më të ngushtë të batalionit, të cilët ishin edhe bashkëvendasit e tij Shaban Dervishin, Mulla Abdyl Bllacën e Nezir Hoxhën për të bërë likuidimi i Shtabit të Batalionit të Katërt të Brigadës së Parë të Kosovës në Prekaz të Drenicës, në shtëpinë e Ali Kodrës. Isuf Ibrahimi informohet më vonë për këtë. Ali Kodra e dha pëlqimin që likuidimi i shtabit të bëhej në shtëpinë e tij, me qëllim vetëm e vetëm që të ndalojë dhuna e paparë në ato anë. Sipas direktivave të Raif Halimit dhe Isuf Ibrahimit u veprua. Nga ana e vendasve Drenicakë morën pjesë në likuidimin e shtabit partizan-çetnik: Sefer Vesel Shabani, Hashim Lushtakun, Bislim Tahiri dhe Rashit Istogu. Nga ana e luftëtarëve të Batalionit të Rinisë morën pjesë: Mulla Avdyli Hyseni, Xhafer Lladova, Tahir Devaja, Hajrush Ramjani nën komandën e Shaban Dervishit.
Plani u diskutua mirë e mirë. Sefer Vesel Shabani nga Mikushnica e Drenicës dhe Shaban Dervishi nga Cernica e Gjilanit i treguan Isuf Ibrahimit për ujdinë e arritur. Sefer Shabani mori përsipër që të angazhonte disa të rinj trima. Seferi vuri kontakt me Hashim Lushtakun që iu përgjigj kërkesës së Seferit, të cilin e kishte njeri shumë të besueshëm. Hashim Lushtaku e angazhoi Bislim Tahirin dhe Rashit Istogun. Ky i fundit ishte për vizitë te Bislim Tahiri dhe, kur i kuptoi qëllimet e aksionit kundër shtabit partizan-çetnik më vetëdëshirë iu bashkua grupit. Bashkë më ta u angazhuan edhe luftëtarët e Batalionit të Rinisë së Gjilanit Mulla Avdyli Hyseni, Xhafer Lladova, Tahir Devaja, Hajrush Ramjani nën komandën e Shaban Dervishit.
Bashkimi me aradhën e Shaban Polluzhës
RedaktoNë fund të gjithë anëtarët e batalionin i bashkohen aradhës së heroit legjendar Shaban Polluzhës. Pas shpartallimit të forcave të Shaban Polluzhës, Raif Halimi së bashku me kushëririn e tij Nezir Hoxhën largohen nga Drenica.
Nezir Hoxha kështu e përshkruan bashkimin me aradhën Shaban Polluzhës dhe shpartallimin e saj në një intervistë dhënë bijës së Raif Halimi, Afërdita Halimit:
“Na erdhi urdhëri të kthehemi në Prekaz për të luftuar kundër kryengritësve të Shaban Polluzhës. Para se të mbërrijmë në Prekaz, Vuk Vukmanoviqi ua kishte marrë armët Shaban Dervishit nga Cernica dhe pesë të tjerëve. Në Prakaz ishte edhe Faik Hoxha nga Cernica, i cili e rrëfeu këtë ngjarje më vonë. Vuk Vukmanoviqi mbanë fjalim, ku ndër të tjera thotë: “Nëse s’i vrajmë këta pesë veta, nuk mundemi t'ia arrijmë qëllimit tonë!" Këtu ishte fjala për Shaban Dervishin, Raif Halimin dhe disa të tjerë. Në këtë kohë Raifi me dajën Imer ishin në front. Duke u kthyer për Prekaz, mbrapa u shkonte komisari i çetës, një malazez i ashtuquajtur Radomir. Këta të dy nuk ia kishin besën dhe e detyrojnë atë të dalë përpara. As ai nuk ia kishte besën këtyre dyve dhe ikë pak anash. Në mbrëmje donin t'i pushkatonin Shabanin me shokë, por Shabani ishte një njeri me guxim të pashoq. Ai arrin t`i marrë armët dhe e vret vetë me dorën e tij Vuk Vukmanoviqin po atë mbrëmje. Aty brënda vriten edhe serbë të tjerë. Roja e Vukut arrin t'i vrasë nga jashtë tre shqiptarë: Xhavit Lladovën, njërin nga Devaja dhe tjetrin nga Ramjani, emrat e të cilëve momentalisht nuk më kujtohen.”
Pyetjes: Si u zhvillua lufta në mes forcave partizane dhe atyre të Shaban Polluzhës? Nezir Hoxha iu përgjigj:
“Isuf Gjilani veproi ashtu siç e mësoi Raifi. Me ushtarët e vet u tërhoq në prapavi. Një skuadër u dorëzua te forcat e Shaban Polluzhës kinse s'pati municion. Për këtë vepër më vonë më1945 u dënuan pesë veta me pushkatim: Isuf Gjilani, Xhafer Lladova, Shaban Dervishi dhe Mulla Avdyli (dy të fundit nga Cernica), Raif Halimit nga Cernica dënimi me pushkatim i shndërrohet me 20 vjet burg të rëndë.
A i ke njohur personalisht Shaban Polluzhën dhe Mehmet Gradicën?
Nezir Hoxha: Po. natyrisht që i kam njohur. Ne kaluam të gjithë në anën e tyre. Shaban Polluzha ishte trim dhe luftëtar, por me Mehmet Gradicën s'mund të krahasohet pak - kush. Kur u vranë këta të dy në Tërstenik, Bajram Zeka i Cernicës ishte në atë luftë në anën e tyre. Serbët gjuajnë me top me ç’rast vriten ata të dy. Bajrami mbetet gjallë dhe tregon më vonë se si ndodhi. Shqiptarët kundërsulmojnë. Topxhi ishte Brahovici. Ai e humb këmbën në këtë luftë, por mbetet gjallë. Më vonë ka punuar në pushtet.
Zënia rob nga Brigada e Tetë Maqedonase dhe dënimi me vdekje
RedaktoAta bunkerizohen në Gadish të Gjilanit. Me ushqim furnizohen për çdo natë nga familja Ajvazi (Saqipi e Mustafa). Pas një muaji rrethohen nga Brigada e Tetë Maqedonase dhe zihen rob.
Prej aty i çojnë në Radivojc e më pastaj në burgun e Vitisë. I fusin të dy në një dhomë. Në dhomën tjetër e kishin ndezur një stufë, kurse çymkat i kishin qitur aty ku ishin ata dy. Fillon të mbushet dhoma me tym. Kështu donin t’i helminin. Ata afrohen te dera dhe për vrime të derës marrin frymë me ndërrime gjer në mëngjes. Fytyrat e tyre u bënë futë të zeza, pot mbetën gjallë. Këta të dy i ndajnë duke i quar në drejtime të ndryshme. Nezir Hoxhën e quan në Gjilan, pastaj në Ferizaj, Prishtinë, e në fund në Mitrovicë për ta likuiduar. Aty përpiqen t’i helmojnë të burgosurit përmes të ushqimit.
Raif Halimin e dërguan për Prishtinë, ku më 23 prill 1945 dënohet me pushkatim. Për shkak të moshës jomadhore pati një amnesti dhe ky dënim i shndërrohet në 20 vjet burg të rëndë. Burgun e fillon në Kullën e Sheremetit në Pejë. Në këtë kohë ishte i sëmurë nga tifoja e morrit. Shokët e tij i pushkatojnë: Xhafer Lladovën nga Lladova, Isuf Ibrahimin nga Gjilani, Abdyl Hysenin e Shaban Cernicën nga Cernica.
Serbët nuk mund të pajtoheshin me faktin se një shqiptari mund t’i falet jeta. 6 partizanë shkojnë një ditë në Kullë të Sheremetit për ta kindapuar Raif Halimi dhe për ta luquiduar. Mustafë Elshani, truproje shqiptar ia shpëtoi jetën.
Prej burgut të Pejës e qojnë në Prishtinë, pastaj në Kurshumli, në Prokuple, Nish, Pozharevc dhe në fund në Mitrovicë të Sremit, ku i mbajti pothuaj 18 vjet burg. E kishte numrin 10. Lirohet nga burgu më 30 mars 1962.[5]
Imer Halimi në një video-incizim më 11.05.2005 në mes tjerash thotë: „Po kam dëshirë t’i përmendi disa sekuenca të burgut. 17,5 vjet burg i ka mbajtë. Prej 17,5 burg i ka mbajt 8 vjet në qeli, saqë është shënu nat dosjen e tina: Naj okoreni nacionalista Jugosllaviji (Nacionalisti ma i rreptë, ma i vendosur ndaj Jugosllavisë), i ka shkru dosja tij. Saqë ka ni edhe Rankoviçi dhe i ka lypë një takim me shku me pa në qeli. Në qeli ka shku e ka pa. „A mun me duru kështu?“ / „Po duroj, po duroj. Për vatan e kam. Por, duroj hala.“ Tha (Raif Halim), e sjelli kryet (Rankoviçi), bukur u çudit edhe shkoi.“
Aktivitetet në burgun e Mitrovicës së Sremit
RedaktoJeta në kazamatet serbo - jugosllave për të burgosurit politik shqiptarë në dhjetevjeteshin e parë ishte shumë e vështirë. Presioni ishte i dyfishtë. Nga çetnikët (brenda në burg) dhe nga pushtetmbajtësit (jashtë). Ishin gjithnjë të uritur. Nga mundimet fizike e torturat, shumë veprimtarë dhe luftëtarë të shquar shqiptarë vdiqën në burg, si Kolë Mark Gjini i Prizrenit, kolonel Qazim Komoni i Gjakovës, Nijazi Çarkaxhiu nga Ferizaj, Muderrizi Haki Efendiu nga Gjilani, Hilmi Zariqi nga Drenica e shumë të tjerë.
Në këtë burg ishin edhe Ramadan Rexha, Ismet Boletini, Rustem Statovci, Rexhep Abdullahu, Ramadan Bogujevci, Shemsi Perani, Jashar Bajraktari, Xhemil Fluku, Shaqir Curri, Ramadan Agushi etj.
Më 20 mars 1946 Raif Halimi, Ramadan Rexha dhe Ismet Boletini formuan “grupin kospirativ” dhe nisën veprimtarinë në Organizatën Nacionale – Demokratike Shqiptare, për të mbajtur në nivelin e duhur moralin dhe dinjitetin njerëzor të të burgosurve, për të penguar demoralizimin e tyre, për të moslejuar thyerjen e tyre fizike e morale, si dhe për t’iu dhënë ndihmë materiale, sepse ushqimi nuk ishte i mjaftueshëm dhe gjendja e tyre shëndetësore ishte shumë e rëndë.
Kjo organizatë “treshe” gjeti më pastaj përkrahje te të burgosurit e tjerë politik dhe në qershor të vitit 1947 u shndërrua në Komitet prej nëntë anëtarësh, ku ishin: Rrustem Statovci, Destan lsmajli, Ramadan Rexha, Raif Halimi, Fahri Hasani, Ismet Boletini, Hilmi Ejupi, Ramadan Agushi dhe Xhemil Fluku. Komiteti mori këtë vendim:
- Organizata për mbrojtjen e njëri-tjetrit, e formuar me 20 mars 1946, shndërrohet në komitet.
- Komiteti do të ketë më shumë anëtarë.
- Anëtarët e Komitetit do të kenë resorët dhe detyrat e caktuara.
- Çdo anëtar i komitetit do të ketë bërthamën e vet prej 3 -4 anëtarësh.
- Anëtarët e komitetit me betim do të marrin si obligim detyrat paraprake të bërthamës nga organizata e mëparshme.
Në përbërje të komitetit për funksionimin e tij janë zgjedhur këta persona:
- Rrustem Statofci, kryetar
- Destan Ismajli, nënkryetar
- Ramadan Rexha, sekretar i përgjithshëm
- Raif Halimi, sekretar organizativ
- Fahri Hasani, përgjegjës për marrëdhënie me pjesëtarët e kombësive të tjera
- Ismet Boletini, përgjegjës për informim
- Hilmi Ejupi, përgjegjës për arsim
- Ramadan Agushi, përgjegjës për propagandë
- Xhemil Fluku, përgjegjës për shëndetësi dhe çështje sociale
Pos organizimeve të tjera, komiteti organizonte për të burgosurit çdo vit festën e 28 Nëntorit. Po në këtë burg erdhi më vonë edhe Ramiz Cernica, babai i Raif Halimit. Babë e bir ndenjën tri vjet në të njejtin burg, në të njejtën dhomë pa e marrë vesh pushteti. Pas tri vitesh e lajmëron dikush drejtorinë e burgut se janë babë e bir, dhe menjëherë i ndajnë. Fehmi Hoxha, vëllai i madh i Raifit dhe djali i dytë i Ramizit luan një rol të veçantë për qëndrimin e tyre në burg, si dhe në jetën dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të anëtarëve të tjerë të familjes. Atij i ra e gjithë barra e përgjegjësisë së familjes mbi supe. U kujdes së bashku me nënën e tij Hatixhen dhe bashkëshorten e tij Hyrishanë për veshmbathje, ushqim e arsimim jo vetëm për fëmijët e tij, por edhe për vëllezërit e tij. Babain e tij Ramiz Cernicën dhe vëllain e tij Raif Halimi e furnizonte me gazetat e ditës dhe paketa ushqimore, të cilët pastaj i ndanin me të burgosurit e pranishëm. Pushtetmbajtësit mundoheshin ta bindnin Fehmi Hoxhën herë me intriga e herë me kërcënime për të mos u kujdesur për anëtarët e familjes jashtë burgut, por edhe brenda burgut. Fehmi Hoxha edhe pse ishte i ri, nuk ju nënshtrua intrigave të pushtetit, e as nuk ia pati frikën kërcënimeve të atij pushteti gjakpirës. Ai e vazhdoi punën e tij më tutje me shumë sakrifica, vuajtje e mundime, por krenar. Gjatë pastrimit etnik në Kosovë, kur Kosova shpërngulej, masakrohej, dhunohej, digjej e piqej, më 1999 u dogj edhe Fehmi Hoxha së bashku me bashkëshorten e tij Hyrisha Hoxhën në shtëpinë e tij.[6]
Veprimtaria letrare-leksikografike: Hartues i fjalorit të parë shqip-serbokroatisht
RedaktoGjatë qëndrimit në burg, Raif Halimi shkroi fshehurazi një histori të popullit shqiptar. Ai shkrim u zbulua nga pushtetarët e kohës ndaj u dënua edhe njëherë me mbi 8 vite izolim. Për t’i mbijetuar gjithë ato persekutime, gjeti forcë për të shkruar fjalorin e parë shqip-serbokroatisht, në të cilin punoi mbi 10 vite dhe e la në dorëshkrim.
Lekë Lukaj ishte i pari, i cili u përpoq më 1935 të përpiloj një fjalor shqip-serbokroatisht. Ai arriti të punojë në fjalor prej shkronjës A gjer në shkronjën GJ. Fjalori kishte vetëm 14 mijë fjalë.
Raif Halimi, fjalorin e ka përpunuar tri herë prej shkronjës A gjer në shkronjën ZH. Pra ky ishte fjalori i parë i plotë shqip-serbokroatisht. Thuhet se fjalori i ka përafërsisht 75 mijë fjalë. Një verifikim të tillë mund ta bëjnë në të ardhmen leksikografët dhe gjuhëtarët në përgjithësi.
Ai i shkruante fjalët në skajet e gazetave dhe i fuste në thes. Kur dilte në shëtitje të burgut, gardianët ia shkyenin dhe zhduknin këto shënime. Dikur filloi ta mirrte thesin me vete në shëtitjet e tij të burgut. Në këtë mënyrë i ruante shënimet e tij, të cilat filloi t’i shkruaj nëpër fletore.
Më 1962 u lirua nga burgu. Ai ia ktheu burgut shpinën me një fjalor voluminoz. Shtypi i atëhershëm bënte reklamë, se burgjet e ish-Jugosllavisë janë aq të mira saqë ia mundësojnë të burgosurve edhe përpilimin e fjalorëve.
Pushteti i atëhershëm donte me këmbëngulje ta botojë këtë fjalor, por pa emrin e tij. Ky fjalor e pa përherë të parë dritën me sy me emrin e autorit të vërtetë, 18 vite pas vdekjes së autorit. Për shkak të volumit, botimi është ndarë në dy pjesë. Fjalori është me kopertina të trasha dhe ka 1872 faqe. Pjesa e parë ka 940 faqe, pjesa e dytë ka 932 faqe. Fjalori i Raif Halimit, u botua në dhjetor 2016, në Itzehoe të Gjermanisë, shtëpia botuese “Emigrantibuch”.
Fjalori është shkruar në gegërishte, ashtu siç janë shkruar edhe dokumentet më të vjetra të shqipes.
Shpëtimi i fjalorit nga hordhitë serbe më 1999
RedaktoSi e shpëtuan Fjalorin nga armiku gjakatar serb shoqja e tij Emine Halimi dhe e bija Ardita Halimi?
“Më 24 mars 1999 bombardoi NATO Kosovën. Kosova ishte në flakë. Në njërën anë NATO, në tjetrën anë serbët i minonin e i digjnin shtëpitë dhe lokalet. Tym e flakë shihje ngado që silleshe. Disa ditë pasi intervenoi NATO erdhi ushtria e rregullt serbe. Ajo u shpërnda anë e kënd vendit. Së pari e dogjën shtëpinë e mjakëve. Mandej, pasi e kishin vra Nazmi Nebihun me të shoqen dhe ia kishin djegur shtëpinë në Sojevë, ia djegin edhe shtëpinë tjetër në fshatin e Vjetër. Pastaj e dogjën shtëpinë e Fejzë Bibës. S’ka mbetur shtëpi pa u vizituar nga ushtria, pa u kontrolluar e pa u plaçkitur. I mbushnin kamionat ma mall dhe niseshin në drejtim të Gjilanit. Po atë ditë, pasi u largua ushtria unë e hapa një gropë të madhe. Derisa unë gropoja, Ardita (bija e Raifit) brenda në shtëpi i bënte gati gjërat që duhej të fshiheshin, si p.sh. dokumentat, gazetat që shkruanin për Raifin, fotografitë, pikturat, me portrete historike, dhe FJALORIN e Raifit që e shkroi me aq mund. Nuk ishte punë e lehtë ta hapje atë gropë aq të madhe për një gjysmë ore. Ushtria ishte rreth e rrotull dhe ishte rrezik se mund të më zinin duke groposur. Por, strehimi i këtyre gjërave e kishin vlerën dhe rëndësinë e vet. Ishin gjëra që s’mund të arriheshin as me punë e as me të holla. Fjalorin qysh herët e kishim bërë gati në një çantë së bashku me ndërresat tona dhe barnat e Raifit, me qëllim që, ngado që të shkojmë, atë ta kemi me vete. Ishte puna dhe mundi i 10 viteve të Raifit. Pasi i strehuam këto giëra e ndiem veten më të lehtë. E dinim se po ta ndeznin shtëpinë, atë mund ta rindërtonim, kurse Fjalorin nuk do të mund ta zëvendësonim më me asgjë.”. – tregon shoqja e tij Emine Halimi.
Aktivitetet e pasburgut
RedaktoPas lirimit nga burgu, Raif Halimit iu mohuan për 10 vite të drejtat qytetare. Ai s’kishte të drejtë të punojë gjer në vitin 1971. Brenda kësaj kohe ka bërë përkthime të literaturës universitare, por s’kishte të drejtë të përmendej emri i tij. Ai s’kishte të drejtë t’i lëshojë kufijtë e ish-Jugosllavisë. S’kishte të drejtë pasaporte as ai e as anëtarët e familjes së tij të ngushtë. Raif Halimi për herë të parë merr pasaportë në vitin 1992, pasi që ndryshojnë edhe rrethanat politike në Kosovë. Fëmijët e tij s’kishin të drejtë burse, të drejtë ushqimi në menzë dhe të drejtë banimi në konvikt. Ndjekjet dhe persekutimet e përcollën në vitet e pasburgut jo vetëm atë, por gjithë familjen e tij.
Pas demostratave të vitit 1981 u burgos edhe njëherë, pa pasur prova, më 13 nëntor 1981, duke e akuzuar për vepër penale rreth ngjarjeve të njohura të vitit 1981. Danica, fqinje e Raif Halimit së bashku me serbët tjerë e kanë festuar burgosjen e Raif Halimit me arsyen se u burgos njeriu më i rrezikshëm dhe më i vendosur kundër regjimit të ish-Jugosllavisë. Në mungesë të fakteve lirohet nga burgu më 24 shkurt 1982.
„Në fillim të viteve të 90-ta filluan të vinin njerëz pa ndërprerë për vizitë te Raif Halimi, palë pas pale; gazetarë, historianë, njerëz nga parti të ndryshme dhe me ideologji të ndryshe. Ai nuk bënte dallime partiake, ideologjike apo fetare. Ai i shihte të gjithë me një sy, si shqiptarë atdhetarë, të cilët mundoheshin të lëvizin diçka në dobi të çështjes kombëtare. Dhoma nuk ishte aq e madhe për t’i zënë të gjithë. Shpesh nuk i zinte dhoma dhe uleshin radha e parë poshtë nëpër kauqa. Prapa shpinës së radhës së parë, në mbështetëse të kauqave, ulej radha e dytë. Baba ka qenë mikpritës, i ka pritë të gjithë me respekt, i ka dashtë, i ka afruar, i ka respektuar. Për të ka qenë lëvizja kombëtare ushqimi i shpirtit të tij. Por, të gjitha këto takime baba s’kishte mundur t’i mbajë vetë, po të mos kishte bashkëpunuar nëna jonë dhe ne fëmijët e tij. Nëna jonë e ndjerë Emine Halimi ka qenë krahu i djathtë i Raif Halimit. Ajo ka pasur mirëkuptim për të gjithë. Ajo ka qenë burrërore, e gjymertë, e sinqertë, mikpritëse për të gjithë, qofshin familjarë, qofshin aktivistë atdhetarë.“, kujtohet bija e tij Arbërije Halimi.
Themeluesi i celulave të para të UÇK-s
RedaktoFormimin dhe themelimin e celulave të para të UÇK nga Kaçaniku, Ferizaj, Vitia, Gjilani e Kamenica i bëri Raif Halimi në shtëpinë e tij në Fshatin e Vjetër të Ferizajt, me të cilat grupe gjatë gjithë luftimeve nuk i ndërpreu kontaktet, dëshmojnë përmes video-incizimeve Imer Halimi, i dënuar politikisht (kushöri), Hasan Agushi (nip) dhe Fadil Kajtazi nga Gjilani. Hasan Agushi, pasi që vetë ka qenë invalid ka shërbyer si urëlidhëse për Raif Halimit në mes Gjilanit dhe Ferizajt. Së bashku me kushëririn Imer Halimin ia gjenin kontaktet. „Pika lidhëse jemi konë: unë, daja Imer dhe daja Raif“,- thotë Hasan Agushi.
Më 11.05.2005, në mes orës 12:30 dhe 13:00 bëhet një intervistë me Fadil Kajtazin, nëpunës në drejtorinë për sigurime publike në Gjilan, i cili i takonte grupit të parë të UÇK-s, të organizuar nga Raif Halimi, që shkuan në Shqipëri për të ushtruar dhe për t‘u përgatitur për luftë. Pyetjes se e ka njohur ai Raifin apo Raifi e ka njohur atë, Fadil Kajtazi u përgjigj:
„Unë kam qenë i ri, kam qenë entuziast, idealist, … Ka ardhë baca Imer (Imer Halimi). Iniciativa ka qenë e bacës Imer. Unë s’e kam ditë çka po bohet, a kush…Baca Imer i ka thënë dikujt të Forumit Rinor, Zenunit dhe ata kanë dëgju, kanë shku dhe kanë vetë në disa vende, nuk kanë shku me kontribu (nuk iu kanë bashkangjitë) dhe e kanë lanë atë punë. Pastaj m'u ka drejtu mu dhe Lutës, Lutfi Hazirit. Ai ka thanë se duhet m’i gjetë të paktën edhe tre vetë. Në rregull i kam thanë. I kam gjetë edhe dy vetë tjerë: Ramiz Ramadani i Shillovës, edhe Halil Halili i Dobërçanit dhe unë. Ka ardhë, na ka marrë te shpija Hakija i Cernicës, dhandërr i Shillovës. Kemi shku në Stara Sellë, kena hy në një shpi. Na ka pritë një plak tuj u qeshë, i afërt. Jemi ulë dhe u pritke me u ba bashkimi i grupes dhe m’u nisë. Ideja jeme ka qenë që duhet me kalu kufirin në kambë. Unë s’kisha pasaportë atëherë. Jo po thonë duhet me kalu në Greqi dhe me hy aty (në Shqipëri). Edhe kemi bo darkë aty në shpi t‘juj. Ka pasë patate, shumë e mirë ka qenë. Tanë kohën kemi bisedu haptas… Unë kam qenë ma i hallshmi. Azizi, profesor i edukatës fizike, Halili sportist, unë kam qenë fizikisht ma…, mirëpo kur fillum me bisedu dhe me armët që u sollën prej ku kanë qenë, ai e pa se po e di këtë lami dhe iu ba qejfi që po di. Kemi ndejt deri nga ora nandë (21:00)… S‘kemi marrë shënime. Jemi mundu sa ma pak me regjistru sene. Janë ardhë edhe do djem të Ferizajt. Edhe ata i ka shti brenda. Kena ndejtë, kena pi. Ka qenë një tavolinë për katër vetë, me rend, një u qojke, një grup u ulke. Sa vetë jemi konë na edhe ata të Ferizajt, jena konë nja 10 veta…Ajo shpi ka qenë e hajrit ajo bazë. S’e thot kërkush që ka hy n’atë shpi e o dalë prej asaj shpije as nuk asht zanë e as nuk u rreh gjer më 98-tën. Ka qenë shpi e hajrit, njerëzit e mirë. Kjo ka qenë për mu ma e randësishmja…
Qendra e asaj grupe e ka pasë bazën në shtëpi t’juj; për rrethet, Gjilan, Ferizaj, Kaçanik, Kamenicë, se na e kena mbulu Kamenicën. Ajo ka mbet si grup parë se s’ka pasë grup të Kamenicës. Nëse vazhdon ajo pregaditja, Është parapa që ne të veprojmë në drejtim të Kamenicës, në drejtim të fshatrave, në drejtim të Novobërdës. Edhe kanë shku ata djemtë, unë nuk kam shku për së dyte se është edhe ligj i këtyre punëve ilegale, dy herë udhës mos i bini. Sabiti ka shku, por ai ka qenë familjar. Unë me shku si i ri ka mujt m’i ra në sy dikujna, për çka edhi ky. Tashti njerëzit po e shkruajnë historinë sipas qejfit të tyre. Po shkruajnë për ngjarje, por pa e shti edhe veten nuk po e lojnë. Se një pjesë e njerëzve s’kann mujt me mbërri ndonajsend dhe nuk ia nxa për të madhe. Pavarësisht se dikush ka pasë dëshirë m‘u kanë në të gjitha senet, e s’ka mujt me mbërri te të gjitha ngjarjet e po do me shti veten, tuj u mundu me shti veten në të gjitha ngjarjet. Dhe po deformohen shumë sene, po shtremohen e s’po janë ma histori. Afati jem ka qenë natë shpi,në atë familje shumë i shkurtër, por shumë i madh.
Këto grupe, se njerëzit çka s’po thojnë, mirëpo këto grupe janë baza e UÇK-s. Qe unë po t’jap dëshmi. Nuk po hy me grupin e Drenicës, me Adem Jasharin nuk po hy. Se edhe ata kanë qenë, po s’po hy naton. Unë po hy vetë në vendet çka i di unë.
Ferizaj baza e UÇK-s ka qenë pikërisht themelimi i këtyre grupeve: Musa Hasani, komandant, Gjergjin e ki, hoxhën e Haradinajve, tani ai ka ra n’burg.
Qëtu në Gjilan, baza e këtyre grupeve na jena konë. Dikush ka dalë komandant. Konjukturat e caktume, rezistancat e caktume, vijat politike e kanë ba t’veten, thyerjet që janë ba, e kann ba t’veten. Mirëpo qatje n’mal janë kanë pikërisht qeta djem që janë konë anëtarët e këtij grupi, të grupit të parë. Baza e UÇK-s asht prej ktuhit. E tash njerëzit çka dojnë le të thojnë. Me kalimin e kohës do të bijnë tensionet, do të bijnë gjakrat. Historia kto ka me vlejtë. Tash kam qenë në Shqipëri, e kam ba promovimin e librit. Edhe asht aty, në libër, në kapitullin e fundit. Edhe ata shumë e kanë vlerësue. Unë jam nisë prej qësaj baze. Duhet me qenë shumë mirënjohës ndaj shtetit shqiptar, pa marrë parasysh se kush ka qenë në pushtet atëherë. Pavarësisht. Ka qenë Ramiz Alia dhe kur e pat thanë njëherë një fjalë në 97-tën Ibrahim Rugova ma së shumti …(s‘kuptohet???)
Mirëpo Ramiz Alia nuk e ka pyet kërkand, po e dojnë këtë kosovarët, hapja bazën. A po e dojnë kosovarët këtë punën tjetër, hapja. Ai nuk ka pyet.
Ky divizion, për mendimin tim është më i rëndësishëm. Se një njeri me moshë të thyeme me qitë një guri me një themel që po ngritet dhe që e ndryshojë historinë është shumë i rëndësishëm. Unë e shikoj në këtë krah, njerëzut i shikojnë qysh t’kanë …
Unë hiç nuk shohë, unë jam s’pari njeri, jam shqiptar, jam i fesë islame, partia asht e katërta. Unë ma së pari i shikoj raportet njerëzore, kombëtare, fetare, tani partiake.
Diçka mos me pas bo nat shpi, ja kojshia, ja gruja, ja dajtë, ja baca Raif, ishin shku t’paktën nja 20 vetë, i kish fshi UDB-a.
Raif Halimi ka qarkullu, por tubimi asht ba pikërisht në shpi t’juj. Mujm me thanë lirisht se ai u kanë themelues i UÇK-s.
Unë në aspektin ushtarak, gjeneralat nuk ecin shumë, gjeneralat rrinë, i presin informatat, dhe i bajnë planet ma racionale. Unë me atë sy e kam shiku atë, një gjeneral, i cili, pa fjalë t’mdhaja, shumë modeste.
Du me thanë një send që e kam thanë publikisht. Unë i kam falënderu të gjithë atyne që më kanë falënderu me ba librin. Kam thanë që sonte dëshira jeme ma e madhe asht që m’i pas këtu (në libër) edhe disa njerëz që nuk janë këtu e që unë i kam njohur në procesin e krijimit të ushtrisë së Kosovës. Ata janë, unë i kam përmend rend qysh i kom njoftë. Janë: Raif Halimi, asht Ahmet Hoxha rametlija, Fehmi Agani, asht Ibrahim Molliqi? (mbiemri s'kuptohet). Ibrahimi ka qenë shok i joni, ushtar në njësinë teme. Në kohë që kjo linja e organizimit, e kam thanë edhe në një gazetë, asht e botume, ka qenë kjo; unë, Imeri, Raifi. Fehmi Agani na ka pritë në Gjermani. Kur i kena kry kursen në Shqipëri në 92-shën, Fehmi Agani na ka pritë në Gjermani. Dhe Fehmi Agani rametlia asht që i ka ditë këto punë krejt.
Gjinja m’kanë thanë; „Pse po e përmend Imerin?“ „Unë me rrejt s’muj“
Mu po më vjen shumë mirë që para rastin m’u njoftë me ju. E ndiej krenar, veten të nderum që e kam njoftë atë njeri. Ka qenë një taki i shkurtë, por në vetëdijent teme, në shpirtin tem ka është takim shumë i madh që e kam njoftë atë njeri, Ishalla zoti ja paguan.“
Në këtë bisedë me Fadil Kajtazin thotë Hasan Agushi:
Qëllimi jem ka qenë, me folë realitetin, p.sh. ta merr lavdin dikush tjetër, kur punën e ka bërë dikush tjetër. Por Raif Halimi të mos mbetet në harresë dikur, ose nën hijen e dikujt. Se celulat e para për Ferizaj, për Kaçanik, për Gjilan asht Raif Halimi që i ka ba. Ndash le ta pranojnë gjindja, ndash mos ta pranojnë. Ajo herdokurdo ka me dalë. Veç po të djeg.
Në një video-incizim të marrë më 11.05.2005, në orën 18:30, ku flasin Imer Halimi, Muharrem Bajrami dhe Hasan Agushi, të gjithë nga Gjilani, rrëfenë Hasan Agushi
„Në viti 1991 daja Raif, ka qenë i pari që e ka themeluar celulën e parë me të rinj nga Ferizaji, Gjilani, Kaçaniku, Vitia dhe i ka dërguar në Shqipëri për stërvitje për ushtrinë e Kosovës.“
Arbërije Halimi, bija e tij e kujton këtë ngjarje historike:
„Pos takimeve me aktivistë politik, filloi Raif Halimi të sjellë rininë në shtëpinë tonë. Kështu që ai në vitet e 90-ta në vazhdimësi mobilizoi grupe të rinjsh, të cilët i dërgoi në Shqipëri për stërvitje luftarake. Celulat e para të UÇK-s nga Kaçaniku, Ferizaj, Vitia, Gjilani e Kamenica janë themeluar në shtëpinë tonë, nga baba ynë Raif Halimi. Në mesin e këtyre të rinjëve ka pasur edhe njerëz nga Mitrovica. Se a ka pasur njerëz edhe nga vendet tjera nuk mund të them. Ndërmjetësimin e gjithë këtyre njerëzve e ka bërë nipi i jonë i ndjerë Hasan Agushi së bashku me kushëririn tonë të ndjerë Imer Halimin.
Takimet bëheshin në shtëpinë tonë. Por, për t’i ikur vëzhgimeve të armikut takimet janë zhvilluar herë pas here edhe në shtëpinë e axhës Abdyl. Mua më kishin dhënë atëherë një detyrë. Kur të vijnë këta të rinj, t’ua hapi dyert, t’i pranojë brenda dhe t’iu tregoj pa fjalë, vetëm me gjeste se në cilin drejtim duhej të shkonin. Nuk guxonte të ndihej zë njeriu. Këto takime bëheshin zakonisht natën, gjersa të tjerët flenin. Dritat në oborrin e shtëpisë sonë ishin të ndalura që të mos shiheshin lëvizjet. Të rinjtë hynin në oborrin tonë, kinse për vizitë te Raif Halimi. Pastaj prej oborrit tonë i drejtoja njerëzit pa fjalë në drejtim të shtëpisë së axhës Abdyl, vëllait të babait, aty ku i priste Raif Halimi. Ata kalonin të heshtur a pa zhurmë në shtëpinë tjetër. Axha Abdyl jetonte në Prishtinë, kurse çelësin e shtëpisë së tij e mbante baba. Pra, në shtëpinë e tij me roletne të mbylluara, për të mos u hetuar që ka njerëz brenda, mbaheshin tubimet, bëheshin organizimet dhe themeloheshin celulat e UÇK-s.“.
Raif Halimi organizoi edhe furnizimin e armëve që në fillim të viteve të 90-ta, një pjesë të të cilave i strehoi në shtëpinë e axhës Abdyl. Në oborrin e vëllait tjetër, të të ndjerit axhës Halim hapi një tunel dhe strehoi pjesën tjetër të armatimit.“ - me këto fjalë e përfundon rrëfimin bija e tij Arbërije Halimi.
Formimi i Forumit Intelektual Shqiptar
RedaktoLidhur me formimin e Forumit të Intelektualëve Shqiptar në Ferizaj, Isak Neziri i jep këto shënime:
"Kuvendi themelues është mbajtur me 10 qershor 1991 në shkollën fillore të fshatit Komogllavë. Kuvendi e ka zgjedhur kryesinë prej 7 anëtarëve.
Kryetar i Forumit të Intelektualëve Shqiptare, dega në Ferizaj, është zgjedhur unanimisht Raif Halimi, nënkryetar Rahmi Tuda, sekretar Isak Neziri.
Mandati i kryesisë me statut ka zgjatur dy vjet.
Për shkak të kushteve objektive mandati ka zgjatur edhe dy muaj, faktikisht gjer më 15 shtator 1993. Edhe në mandatin e dytë Raif Halimi ka qenë i propozuar për anëtar të Kryesisë së Forumit, por me kërkesën e tij është tërhequr propozimi. Gjatë mandatit si kryetar i Forumit me iniciativën e tij dhe angazhimin maksimal Forumi ka dhënë një libër me karakter publicistik titulluar “Dhjetë vjet dhunë në arsimin shqiptar në Ferizaj".
Libri është shumëzuar në 600 exemplarë. Nga kritika arsimdashëse në Ferizaj është vlerësuar lart. Në atë mandat kryetari ka dhënë protestën zyrtare përkitazi me mbledhjet e mbajtura në Hagë për çështjen e Kosovës dhe atë në gjuhën gjermane dhe angleze.
Ky Forum e shpallë Raif Halimin anëtar nderi të FISH -it në Ferizaj.
Manifestim për 70 vjetorin e Raif Halimit
RedaktoMë 16 nëntor 1996 kryesia qëndrore e PNDSH në Prishtinë dhe kryesia e degës se PNDSH në Ferizaj organizuan në fshatin Bibaj të Ferizajt një manifestim për 70 vjetorin e Raif Halimit. U mbajtën fjalime të ndryshme nga personalitete të ndryshme. Njëri ndër ta ishte edhe Hajriz Demaku nga Drenica: “E vërtetë është që Raif Halimi ka lindur në Cernicë të Gjilanit dhe Gjilani thonë se Raif Halimi është i yni. E vërtetë është se Raif Halimi jeton në Ferizaj dhe Ferizaji thotë se Raifi është i yni. E vërtetë është se Raifi ka luftuar në Drenicë dhe Drenica thotë se Raifi është i yni. Raifi është i krejt Kosovës, por më së tepërmi i takon Drenicës. Ooo Raif, po të thërret Drenica! Po të presin pleq e të rinj! E vërteta është që je i sëmurë, por nëse ka nevojë me lese do të të mbajmë, veç eja në Drenicë!”
Këshilltar dhe përkrahës moral në aspektin luftarak të UÇK-së
RedaktoNë verë të vitit 1997, si 71 vjeçar shkoi Raif Halimi në Drenicë, ku u takua me drenicakë dhe bëri incizimin e vendeve ku ka luftuar me shokë. U diskutua edhe për likuidimin e shtabit më 1945. Për herë të parë u diskutua hapur se organizatori i këtij likuidimi ishte Raif Halimi, së bashku me Isuf Gjilanin. Drenicakët e kanë mbajtur këtë të vërtetë me vite të tëra të fshehur vetëm e vetëm për të mos e ngarkuar Raif Halimin te pushteti i kohës.
Më 1998, kur krisi lufta në Drenicë, drenicakët i bëjnë thirrje Raif Halimit për të shkuar në Drenicë për t’iu dhënë vullnet, forcë dhe moral luftarak pishtarëve të lirisë. Ai shkoi atje në shoqërimin e Adem Metushit nga Ferizaj.[7]* [8] Ndonjëherë e ka shoqëruar atë edhe dhëndërri i tij Naser Ilazi.
Edhe pse i thyer në moshë dhe i sëmurë nga kanceri i lëkurës në kokë, Raif Halimi e dha kontributin e tij gjer në frymën e tij të fundit për lirinë e Kosovës.
Ditët e fundit të jetës së tij
RedaktoNë vitin 1999, Raifi i lodhur nga kanceri rrinte më tepër në shtrat. Raifi duhej të hënën, më 22 mars 1999 të shtrihej në spital të Prishtinës për mjekim. Kjo gjë nuk qe e mundshme, shkaku që spitali i Prishtinës ishte i bllokuar nga forcat serbe.
Të mërkurën në mbrëmje, më 24 mars 1999 e bobardoi NATO Kosovën.
“Ashtu i lodhur nga sëmundja doli jashtë ta shohë dhe ta përjetojë vetë atë moment kaherë aq të dëshiruar, por edhe ta ndiej dhimbjen që shkaktohej në ato momente nga gjakpirësit serbë. Gjithë mendjen e kishim përqëndruar si ta mjekojmë dhe ta ndihmojmë Raifin. Batoni (djali) nuk ishte në shtëpi. NATO e zuri te motra e tij Lirija. Ne s’dinim gjë për të, a është i gjallë apo jo?”,- rrëfenë e shoqja e tij Emine Halimi.
“Ne nuk e dinim se ku e kemi vëllaun. Në momentet më kritike erdhi Batoni dhe na shpëtoi nga masakrat e mundshme të kriminelëve të Arkanit. Batoni u përshëndet së pari me ne dhe menjëherë shkoi te axha e tij i madhi, Fehmiu. I luti të dy pleqtë. burrë e grua, si dy prindë, që ta lëshojnë shtëpinë dhe të vijnë me ne. Naseri, burri i Lirijes, i kishte ftuar që të strehohen në shtëpinë e tij. Axha Fehmi nguli këmbë se s'ka ku të shkojë përtej shtëpisë së tij. Ne sapo dolëm nga dyert e shtëpisë në anën e poshtme nga rruga e Shkupit paramilitarët kishin hyrë. Rrugën e Gjilanit e kishte bllokuar ushtria. Paramiliarët vijnë nga drejtimi i Gjilanit, por nuk hyjnë në rrugën kryesore. Ata sillen rrotull, hyjnë nën urë në drejtim të Shkupin. Ne i shihnim duke ardhur nga rruga e Shkupit. Ky ishte një bllokim i rrugëve me qëllim që popullata të mos ketë rrugëdalje për shpëtim. Për një, eventualisht dy minuta, na shpëtoi Batoni pa rënë në duar të paramilitarëve të Arkanit. Në lagjen tonë, ata së pari e kanë ndezur shtëpinë tonë, mandej i kanë hyrë të tjerave me radhë. Ne, sa ishim të strehuar te Naseri, dëgjuam se na kanë djegur shtëpinë, madje edhe i kanë vrarë disa fqinj tanë.”- rrëfenë e bija e tij Ardita Halimi.
„Tri javë kam munguar në shtëpi. Kam provuar disa herë të shkojë në shtëpi, por s’mund të kaloja prej ushtrisë. Pas tri jave kam arritë nëpër ushtri të shkojë në shtëpi. Rrugës i kam parë tre autobusë me paramilitarë që kanë hyrë në fshat. Kam shkuar ta axha Fehmi. Ai u gëzua kur më pa dhe më përqafoi. E luta të vijë me ne. Ai më tha: „Axhës, unë s’kam ku të shkoj përtej shtëpisë sime. Ti shko shpëtoje babën, se e di çfarë emri ka ai. Përherë ka qenë në sy të pushtetit. Shko shpëtoji nënën edhe motrën, mos t'bien në duart e tyre. U përshëndetëm me axhën Fehmi dhe tetën Hyrë (bashkëshorten e tij) dhe prej aty kam shkuar te fqinjët, te Vebija, mandej te Ferzija. I kam paralajmëruar se tre autobusa me paramilitarë kanë hy në fshat. I kam këshilluar të ikin nga fshati. Jam kthyer në shtëpi, e kam marrë babën, nanën dhe motrën Arditën dhe jemi larguar me veturë.“ – kujtohet Batoni, i biri i Raifit.
Raif Halimi me familje u strehua në shtëpinë e vajzës së tij Lirijes dhe dhëndërrit Naserit, e cila nga bombardimet ishte si një gërmadhë, por që ua shpëtoi jetën.
Raif Halimi vdiq më 01 maj 1999 në shtëpinë e bijës së tij Lirijes, në kohën kur po shpërngulej e gjithë Kosova. Fjalët e tij të fundit, të cilat nuk mundi t’i thoshte gjer në fund, i përfundoi me një rrumbullakim të gishtit, që donte të thonte se po vdes, pa e parë kombin të bashkuar.,[9]
Trenat në këtë kohë mbusheshin plot e përplot me bashkatdhetarë, e zbrazej në Maqedoni. Qyteti i Ferizajt kishte mbetur pothuaj bosh, pa civilë, por i mbushur me ushtri e paramilitarë. Gruaja dhe fëmijët deshën ta varrosin në oborrin e shtëpisë, ku ishin strehuar. Në këtë situatë kur të gjithë iknin, morën guximin disa qytetarë diku rreth 30 vetë, të cilët ia bën nderin e fundit Raif Halimit. Ata thanë: “Raifi gjithë jetën u shkri për komb, prandaj edhe e meriton respektin e fundit. Ai nuk e meriton të varroset në oborr, por në varre, siç është zakoni. Raif Halimi me shokë e nisi veprimtarinë e tij dhe në fund me shokë e përfundoi”. Varrimi u bë në varrezat e Hashanëve, në rrugën e Pleshinës. Gruaja e tij, Eminja ia mbuloi kufomën me flamurin tonë kombëtar, për të cilin ai luftoi gjithë jetën. Organizimin e varrimit e bënë: Ismajl Nazifi, Sabit Hoxha dhe Het Vatalia. Nuk ishte e lehtë të varrosej në varre në atë gjendje lufte. Pjesëmarrësit e këtij varrimi, për shkaqe sigurie, ishin të mendimit që të mos e tregojnë emrin e vërtetë të Raif Halimit nëse iu del para ndonjë patrullë serbe.
Për shkaqe sigurie kushërira Zyrafeti, së bashku me të shoqin Hamdi Qerimin, të cilët i kishin vizituar vazhdimisht në shtëpinë germadhë, nuk i lanë në shtëpinë e së bijës dhe dhëndërrit, por i morrën në banesën e tyre.
Të nesërmen i nisën të shoqen e Raifit së bashku me dy fëmijët Arditën dhe Batonin për Maqedoni.
Porosia e fundit e Raif Halimit·
RedaktoPërvoja e deritashme dëshmon qartë se pa bashkimin e forcës fizike, mendore, shpirtërore e materiale shqiptare nuk mund të zgjidhet çështja jonë. Duhet të bashkohemi në veprimtarinë tonë politike duke i dhënë porosi gjithë çështjes kombëtare deri në fitore. Duhet të punojmë e të veprojmë pa hamendje për të fituar lirinë, për të siguruar paqen dhe mirëqenien tonë kombëtare në të gjitha trojet etnike shqiptare. Për çështjen kombëtare në të gjitha trojet etnike shqiptare duhet të sakrifikojmë çdo gjë. Pa zgjidhjen e drejtë të saj nuk mund të ketë paqe e as mirëqenie për asnjë popull të Ballkanit dhe më gjerë. Prandaj, duhet të jemi të vendosur në rrugën tonë.
Përmbyllje
RedaktoFjala e Prof.dr. Fehmi Rexhepit mbajtur në tubimin komemorativ me rastin e rivarrimit të Raif Halimit, më 26.06.1999:
Raif Halimi - luftëtar i paepur për lirinë e Kosovës dhe për krijimin e Shqipërisë etnike
“Angazhimi intelektual, shkencor, publicistik, si dhe përkthimi i veprave, janë një kaptinë e veçantë, që e karakterizojnë dhe që e rrisin vlerën e punës dhe të jetës së Raif Halimit.
Raif Halimi ishte dhe mbeti frymëzues e organizatori kryesor i Lëvizjes Nacional Demokratike Shqiptare, personalitet që nuk u lodh kurrë së vepruari për Shqipërinë Etnike, që e kishte ideal të pashuar deri në momentin e fundit të jetës. Ai ishte dhe do të mbetet figurë madhore kombëtare, që kurrë nuk u kontestua dhe që do të jetojë ndër shekuj. Duke përkujtuar e nderuar jetën dhe veprën madhore në shërbim të kombit të xha Raifit, çdo shqiptar nga të gjithë brezat, çdo parti apo shoqatë shqiptare duhet të punojë e të angazhohet në këtë frymë, pra në shërbim të Atdheut dhe të kombit, ngase atdheu dhe kombi sot kanë më shumë se kurrë më parë nevojë për veprimtarë të përkushtuar për bashkim idesh, mendimesh dhe veprimesh në mënyrë që të realizohen synime tona madhore kombëtare. Në këtë frymë ai kishte një mesazh të thjeshtë e kuptimplotë, një mesazh kombëtar e largpamës.”
Fjala e Rexhep Abdullahut, kryetar i PNDSH mbajtur në tubimin komemorativ me rastin e rivarrimit të Raif Halimit, më 26.06.1999:
“Raif Halimi ishte njeri i idealeve të larta, vizioneve të mençura dhe qëndresave stoike. Vepra e Raif Halimit dimenzioneve dhe koncepteve të begatshme, gjithnjë në baza të forta kombëtare, ngërthente në vete një koncept të qartë vizionar dhe të thjeshtë se Kosova nuk është Serbi. Raif Halimi ka qenë dhe do të mbetet personalitet ku janë të gershetuar pjekuria kombëtare dhe largpamësia politike.
Ata intelektualë dhe studiues që do të merren me historinë e popullit shqiptar, ata intelektualë dhe studiues që do të merren me kulturën politike dhe me mendimin politik shqiptar do të kenë shumë punë, shumë përgjegjësi profesionale dhe obligim kombëtar për të hedhur dritë mbi jetën dhe veprën e njeriut që idealin e lirisë me gërshetime, me gatishmëri për të flijuar, e ktheu në shpresë të pavdekshme dhe e bëri shembull të pandalshëm te brezat që do ta përcjellin deri në fund. Prandaj, me gojë të plotë, mund të them:
Zoti e bekoftë! Lum kombi që ka burra si Raifi!”
Përmbledhëse
Redakto- Ishte pjesëmarrës i Luftës së Drenicës (1944-1945) si komisar Batalioni i Rinisë së Gjilanit e më vonë edhe i Batalionit të Katërt në Brigadën e Parë Sulmuese të Kosovës
- organizator i likuidimit të Shtabit të Batalionit të Katërt të Brigadës së Parë të Kosovës në Prekaz të Drenicës
- bashkëluftëtar i Shaban Polluzhës
- Për veprimtarinë e tij patriotike dënohet me pushkatim, dënim ky që iu shndërrua në njëzet vjet burg të rëndë. Pothuaj 18 vite burg i mbajti në Mitrovicë të Sremit (1945 – 1962), ku mbi 8 vite i kaloi në izolim
- themelues i bërthamës së parë të Organizatës Nacionale- Demokratike Shqiptare në Kazamatën e Mitrovicës së Sremit (1946)
- hartues i fjalorit të parë shqip-serbokroatisch (1962)
- anëtar i Kryesisë së Partisë Nacionale-Demokratike Shqiptare (vitet e 90-ta)
- kryetar i Forumit të Intelektualëve Shqiptarë - FISH (1991-1993), dega në Ferizaj
- themelues i celulave të para të UÇK-s nga Kaçaniku, Ferizaji, Vitia, Gjilani e Kamenica
- këshilltar dhe përkrahës moral në aspektin luftarak të UÇK-së
Referime dhe literatura
Redakto- ^ SHTIGJE TË LIRISË LEKSIKON I TË BURGOSURVE POLITIKË SHQIPTARË NË JUGOSLLAVI, 1944-1953, I, ,Shoqata e të Burgosurve Politikë e Kosovës,Prof. Dr. Zymer Ujkan Neziri, Prishtinë 2024 faqe, 221
- ^ Raif Halimi Cernicë
- ^ ABDULLAHU, Rexhep (17 prill 2001). Rexhep Abdullahu, Me rastin e dyvjetorit të vdekjes së Raif Halimit (1), (bot. Bota Sot, ,.). Prishtine: Bota sot. fq. 18.
{{cite book}}
:|access-date=
ka nevojë për|url=
(Ndihmë!); Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - ^ Reshani, RIZA (11 nëntor 1996). Ideal i veprimtarisë së tij- (bot. Bashkimi i trojeve etnike shqiptare,). Bashkimi i trojeve etnike shqiptare,. fq. 9.
{{cite book}}
:|access-date=
ka nevojë për|url=
(Ndihmë!); Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: Pikësim shtesë (lidhja) - ^ HALIMI, Aferdita (2000). "Raif Halimi-Cernica, veteran i luftës dhe i demokracisë në Kosovë",". Eurorilindja. Tiranë: 9.
{{cite journal}}
:|access-date=
ka nevojë për|url=
(Ndihmë!); Mungon ose është bosh parametri|language=
(Ndihmë!) - ^ * Mr. Bedri Muhadri: “Sefer Mikushnica, veprimtar i lëvizjes çlirimtare në Drenicë 1941-1945 (5)”, Bota Sot, 26.09.2010
- ^ *Ramadan Rexha: “Kujtimet e mia, dëshmi historike”, Grafoprint Prishtinë, 2004
- ^ Muharrem Bajrami, Shpalime kujtimesh për Raif R. Halimin-Cernicën (1), Bota Sot, 23.04.2009, f.15
- ^ *Ibrahim Kadriu: “Ramiz Cernica, simbol i bashkimit kombëtar”, Grafoprint Prishtinë, 2011
[1]* Tefik Selimi: „Njeriu që me pranga në duar ka shkruar histori dhe fjalor…!“, Rajonipress, 24.12.2015] [1]</ref>[1]*
Lidhje të jashtme
Redakto- Emigrantibuch - shtëpi botuese
- PNDSH - facebook
- YouTube - Ismet Sylejmani - Fjalim lamtumirës Raif Halimit
- Wikipedia - Mbrojtja Kombëtare e Kosovës Lindore
- ALBDREAMS.NET Arkivuar 25 prill 2017 tek Wayback Machine - Ripushtimi i Kosovës,vrasja dhe mobilizimi i shqiptarëve nga UNÇJ (1944-1945)
- Pashtriku - SI NDODHI MASAKRA E TIVARIT - MË 1 PRILL 19145 ?!
- Pashtriku - Golgota shqiptare në kohën e Tito-Rankoviqit!
- RajoniPress - Rezistenca e armatosur e Karadakut në juglindje të Kosovës 1941-1945
- KosovariMedia[lidhje e vdekur] - Ripushtimi i Kosovës dhe mobilizimi i shqiptarëve nga UNÇJ (19441945) –(II)
- Zëri i Kosovës - Jo-ja e madhe e atdhetarit të anamoravës – Ramiz Cërrnica
- Bashkimi Kombëtar - forum elektronik, Lufta e Kryezive ishte lufte bejleresh e jo lufte kombet
- Kokaj.net Arkivuar 8 shtator 2014 tek Wayback Machine - Një monografi gjithëpërfshirëse për Gjilanin me rrethinë..
- kk.rks-gov.net/gjilan - Gjilani me rrethinë, studim monografik nga grup autorësh