Abedin pashë Dino

Poet dhe politikan shqiptare
(Përcjellë nga Abedin Pasha Dino)

Abedin pashë Dino (Prevezë, 5 prill 1843 - Stamboll, 9 maj 1906) ka qenë nëpunës e politikan i Perandorisë Osmane, ideolog i çështjes kombëtare shqiptare, themelues i Lidhjes së Prizrenit, përfaqësues kryesor i saj për Vilajetin e Janinës, poet dhe përkthyes, i dhënë pas tarikatit Halveti.[1]

Abedin Pasha

Biografia

Redakto

U lind në Prevezë, pinjoll i oxhakutDinejve, i biri i Ahmet bej Dinos dhe Salihasë së Çaparenjve të Margëlliçit.[2] Pasi mori studimet e para në vendlindje, ndoqi gjimnazin "Zosimea" të Janinës, universitetin e Athinës (sipas burimeve greke), shkollën e silahshorëve në Stamboll dhe për 3 vjet univeristetin në Paris. Përveç gjuhës amtare zotëronte dhe gjuhët e tjera si frëngjisht, arabisht, osmanisht, persisht dhe greqisht. Ishte shumë i thelluar në ekonominë politike, drejtësi ndërkombëtare, filozofi, klasicizëm etj. Ishte një politikan i hollë, ushtarak i zotit, qeveritar i shkathët dhe intelektual me dituri të gjithanshme.

Më 1866 hyn në shërbim të sulltanit Abdyl Azizit si silahshor, kalorës trupërojë i gardës sulltanore. Në vazhdim duke kaluar në shërbimin administrativ, emërohet ndihmësmytesarif e kajmekam në vendlindjen e tij, ku në 1865 lind edhe i biri, Rasih bej Dino. Oborri Osman i besoi disa detyre të larta si ministër i punëve të jashtme, komisar i Bursës, hartues i kushtetutës, Komisioner i jashtzakonshëm për jugun e trevave shqiptare, anëtar i komisionit për ndryshimin e kufirit shtetëror greko-osman, kryeqeveritar në disa vilajete të sulltanatit si Adana, Ankara, Rod, Selanik etj. Sa i përket letërsisë Abedin Dino ka shkruajtur dhe disa vepra si Dyn'ja-i Sâdet ("Lumturia në Botë"), Kolera Hakënda makal - i nafi ("Trajtesë e dobishme mbi Kolerën") dhe një vepër tjetër mbi financat, përveç librave të tij përktheu në osmanisht nga frëngjishtja, arabishtja dhe persishtja. Mbi të gjitha vlerat e tij Abedin Dino ka qenë një atdhetar i madh dhe i përkushtuar ndaj vendit të tij dhe kombit shqiptar. Në gjysmën e shkurtit të vitit 1878 një njësi ushtarake greke u zbrit me luftanije nga KorfuziKsamil dhe Vrinë, duke përfituar nga parapërgatitja e mjedisit dhe më tepër nga mosndeshja e një fuqie ushtarake kundërshtare, iu drejtua Gjirokastrës. Abedin Dino mblodhi rreth 2000 luftëtarë nga Çamëria dhe Labëria dhe me një goditje të shpejtë i detyroi të tërhiqeshin në Lëkurës dhe më pas me ndihmën e një njësie osmane dhe të një luftanieje i shfarosi totalisht. Mori pjesë dhe ishte anëtar i "Komitetit Qëndror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombit Shqiptar" me qendër në Stamboll, nënshkrues i deklaratës së datës 20 Qershor 1878 në mbrojtje të Shqipërisë dërguar Kongresit të Berlinit. Nënshkrimi i tij gjendet në të gjitha letrat që Lidhja e Prizrenit i ka dërguar institucioneve ndërkombëtare dhe Shteteve të mëdhaja të kohës. Në fletoren e Foni Tis Allvanias ("Zëri i Shqipërisë") në Athinë 28 Qeshor 1880 shkruhej "Themelues i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ai është vetë shpirti dhe zemra e Lidhjes Shqiptare. Nga zemra një Shqiptar i kulluar. Shpresojmë që ky ka për t'ia mbërritur të bashkojë rracën shqiptare si komb, për lavdi të përjetshme të tij, duke i dhën barazinë dhe vetqeverisjen. Ai s'bën asnjë dallim ndërmjet shqiptarëve musliman apo të krishterë." Si rrjedhojë e aktivitetit të tij atdhetar për mbrojtjen e vendit, kundërshtarët e Lidhjes së Prizrenit lobuan për ta paraqitur Abedin Dinon si një personalitet kundër Perandorisë Osmane, nëpërmjet shkrimeve të shumta dhe përfaqësuesve të tyre në Stamboll tentuan ta çonin Abedin Dinon në tehun e shpatës së Sulltanit. Ndërroi jetë në Stamboll në 9 Maj 1906.[3]

Referime

Redakto
  1. ^ Clayer, Nathalie (1994). Mystiques, État et société: les Halvetis dans l'aire balkanique de la fin du XVe siècle à nos jours (në frëngjisht). Brill. fq. 246. ISBN 978-90-04-10090-9.
  2. ^ Merxhushi, Nexhat (11 nëntor 2012). "Figura të ndritura të Çamërisë". gazeta-shqip.com. Arkivuar nga origjinali më 10 nëntor 2021. Marrë më 10 nëntor 2021.
  3. ^ Stylos N., Kush ishte Abedin pashë Dino dhe Dinot e tjerë, Shqiptarja.com, 20 tetor 2014.