Kinematografia Shqiptare përfshin gjithë kinematografinë e zhvilluar në territoret e banuara nga popullsia shqiptare, pra kinematografinë e shtetit të Shqipërisë, të Kosovës, të Maqedonisë së Veriut, të Çamërisë (Greqi) dhe Malit të Zi. Gjithashtu vlen të përmenden edhe arritjet në kinematografi të popullsive shqiptare arbëreshë në Itali dhe arbëreshë në Greqi. Kjo kinematografi ka prodhuar filma në gjuhën shqipe apo ka prodhuar ose bashkëprodhuar filma në gjuhë të tjera, sipas shteteve përkatëse por ku pjesë në një masë të konsiderueshme kanë qenë edhe krijues, teknikë, regjizorë, aktorë etj. me etni shqiptare.

Kinostudioja "Shqipëria e re"

Duke qënë popullsia shqiptare e ndarë në shtete të ndryshme edhe zhvillimi i kinematografisë, sidomos pas copëtimit të madh të vitit 1912, ka ndjekur ritme të ndryshme sipas dinamikave të shteteve ku popullsia shqiptare bënte pjesë. Në përgjithësi mund të thuhet se përveç shtetit të Shqipërisë prodhimi i filmave në gjuhën shqipe ka qenë shumë më i vonuar në shtetet e tjera. Kjo pasi politikat asimiluese nuk përkrahnin një zhvillim të artit dhe kulturës në gjuhën shqipe, përkundrazi ishin të prirura ta luftonin.

Trungu i kinematografisë shqiptare paraqitet me katër e degëzimet e saj të mëdha: Filmi kronikë, Filmi dokumentar, Filmi artistik (ose Kino film në Kosovë) dhe Filmi i animuar.

Historia

Redakto

1908-1920, Kronika

Redakto

Kinematografia në territoret me popullatë shqiptare e ka zanafillën e vet nga xhirimet e thjeshta kronikale që bëheshin nga të huajt. Filmi hyri në Shqipëri në vitet 1919-12. Shfaqjet e para publike u dhanë në qytetet Shkodër e Korçë. Sallat e para të kinemave si institucione publike u ngritën me iniciativë private pas Luftës së Parë Botërore, në qytetet Vlorë, Korçë, Tiranë, Shkodër, Berat. Filmat e parë u bënë nga të huajt; ata qenë kronika. Kronika e parë për ngjarje të lidhura me Shqipërinë është ajo e lidhur me Kongresin e Manastirit (1908), që sanksionoi Alfabetin e gjuhës shqipe. Gjatë 30 vjetëve pas Shpalljes së Pavarësisë (1912) u xhiruan kryesisht kronika, filma dokumentarë, nga shoqëri të huaja kinematografike të Europës apo SHBA, si dhe nga amatorë.

Gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore

Redakto

Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore u krijua nga shteti Agjencia Shqiptare e Filmave (1945), e cila më pas u shndërrua në Ndërmarrje Shtetërore Kinematografike Shqiptare (1947), kohë kur u bë shtetëzimi i plotë i rrjetit të sallave, importit, dhe prodhimit. Nisi xhirimi i filmave kronikalë, dhe në maj të vitit 1948 u shfaq kinokronika e parë shqiptare. Në një vend me përqindje të lartë të analfabetizmit në vitet ‘40-’50, shteti i dha rëndësi shtimit të numrit të sallave dhe aparateve lëvizës, si dhe importit të filmave kryesisht nga vendet e Europës Lindore, Franca e Italia.

 
Zgjedhja e vendndodhjes për filmin 'Luftëtari i madh i Shqipërisë Skënderbeu': operatori i xhirimeve të kombinuara G. D. Aizenberg me artistin L. Alexandrovskaya

Me kalimin e viteve e tjerë, veçmas në vitet 50 të shekullit të kaluar lindi nevoja e zhvillimit te kinematografisë vendase sepse në të shumtën e rasteve në Shqipëri kane xhiruar të huajt, italianë, rusë e të tjerë. U dërguan student në shkollat kinematografike në Rusi, Çeki dhe Hungari. Prej këtyre shkollave erdhën kuadrot e para që krijuan premisat për krijimin e qendrës kinematografinë me emrin "Kinostudio Shqipëria e Re" një titull ky që i përshtatej euforisë së sistemit që pretendonte të krijonte çdo gjë nga e para duke shembur çdo gjë të së kaluarës. Kronikat e para të xhiruara nga operatoret shqiptare janë evenimentet e ndryshme që ndodhnin në vitet 50 në Shqipëri në periudhën e rindërtimit të vendit të shkatërruar nga lufta. Përvoja në filmat dokumentar solli edhe hapa të tjerë në krijimin e sektorit për prodhimin e filmave artistikë. Filmi Skënderbeu një bashkëpunim shqiptaro-sovjetik do të shënonte hapin e parë. Në vitet 70 të shekullit të kaluar u dërguan edhe kuadro për tu specializuar në Rumani për filmin vizatimor Vlash Droboniku dhe Tomi Vaso të cilët e prodhuan filmin e parë Zana dhe Miri.

Kosovë

Redakto

Një trajektore të përafërt do ndjekin edhe zhvillimet në Kosovë pas vitit 1912. Por zhvillimet e kinematografisë shqiptare aty do jenë më të vona dhe do marrin hov vetëm pas vitit 1966 kur institucionet shtetërore komuniste Jugosllave të atëhershme do të ulin ritmin a antishqiptarizmit serb. Deri më atëherë nuk kishte prodhime të mirfillëta në shqip dhe arsimimi i aktorëve për aktrim filmash apo teknicienëve të industrisë së filmit ishte pothuajse jo ekzistent. Deri në 1966 vetëm teatri ishte një institucion aktrimi në gjuhën shqipe në Kosovë. Ndodhitë e vitit 1966 i krijojnë mundësinë Kosovës që në 1969 të krijojë Kosovafilm[1] dhe të financojë edukimin e brezave të rinj të aktorëve dhe teknicienëve në Jugosllavi dhe Europë. Filmi i parë i pavarur (pra jo bashkëpunim) ishte filmi Si të vdiset i vitit 1972.

Maqedonia, Mali i zi dhe Çamëria

Redakto

Historiku i kinematografisë shqip në Maqedoninë e Veriut ndjek një trajektore të vështirë. Filmi i parë prodhim shqiptar në Maqedoninë e Veriut është filmi Baba im (titulli në anglisht "My Father") i vitit 2010 nga regjizorja Shqipe N. Duka.

Historiku i kinematografisë shqip në Malin e Zi është ende i pazhvilluar.

Zona e Çamërisë pësoi një zbrazje nga një pjesë e konsiderueshme e popullsisë shqiptare pas Luftës së Dytë Botërore. Popullsia e mbetur shqiptare me besim ortodoks iu nënshtrua një presioni të madh për asimilim. Edhe pse ishin bërë përparime në arsimimi në gjuhën shqipe gjatë peruidhës 1912-1939, pas 1947 me largimin e popullsisë nuk kishte më arsimim në gjuhën shqipe dhe aq më pak interes për zhvillim të arteve në gjuhën shqipe.

Vitet '80 dhe ardhja e demokracisë

Redakto

Në fund të periudhës dhe sidomos në vitet ’80 filmi artsitik shqiptar trajtoi më shumë aktualitetin si dhe ngjarje e personazhe para Luftës së Dytë Botërore. Në ekran u afirmuan regjisorë të tjerë me filma si Ballë për ballë (1979, regj. K. Çashku e P. Milkani), Dora e ngrohtë (1983, regj. K. Çashku), Agimet e stinës së madhe (1981, regj. A. Minga), Kohë e largët (1983, regj. S. Pecani), Tela për violinë (1987, regj. B. Kapexhiu), etj. Në vitet ‘70-’80 prodhimi i filmave dokumentarë u stabilizua në rreth 20-40 në vit, dhe pati tipare të thella propagandistike, po edhe kulturore; lindi filmi vizatimor shqiptar me filmin Zana dhe Miri (1975, realizues V. Droboniku e T. Vaso), i cili arriti deri në 16 filma në vit. Krijimtaria kinematografike, e përqendruar në një kinostudio dhe në Televisionin Shqiptar, qe fryt i bashkëpunimit të organizuar nga shteti mes kineastëve, regjisorëve të të gjitha brezave, shkrimtarëve, piktorëve, kompozitorëve, aktorëve, dhe industrisë kinematografike. Deri më 1990, nga rreth 200 filma artistikë, 80 janë ekranizime nga letërsia shqiptare. Në fund të viteve ’80 në Shqipëri kishte 450 salla kinemaje e kinema lëvizëse. Por baza industriale e teknike në këtë periudhë erdhi duke u vjetëruar.

 
Liri Brahimi me kolegët gjatë xhirimeve

vitet ’90, me ndryshimin e sistemit shoqëror, u bënë reforma të thella. Kinostudioja e dikurshme u nda në disa studio, dhe filmat tani prodhoheshin kryesisht nga shtëpi filmike private (kryesisht regjisorë të kinostudios së mëparshme) në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Kinematografisë (QKK), të ngritur në mesin e viteve ’90, dhe me producentë të huaj. QKK është qendër e re e administrimit të filmit në Shqipëri, që ka dhënë tashmë rezultatet e para; aktualisht prodhimi kinematografik kryhet në bazë të Ligjit për Kinematografinë, mjaft i diskutuar nga kineastët.

Arsimi i kineastëve

Redakto

Shkollimi i kineastëve shqiptarë nisi në vitet ’50 në vendet e Europës Lindore; më pas, me ndonjë përjashtim të rrallë, nuk u bë më jashtë vendit, por brenda vendit, në Institutin e Lartë të Arteve, Tiranë, ose me specializime në Kinostudio. Kritika dhe studimet për kinemanë u zhvilluan disi krahas rritjes së prodhimit, kryesisht nga vetë kineastët apo nga gazetarë. Revistë e posaçme ka qenë në vitet ’80 Skena dhe Ekrani, e cila pushoi së botuari në fillim të viteve ’90. Në Qendrën e Studimeve të Artit të Akademisë së Shkencave historia e kinemasë shqiptare studiohet në një departament të veçantë.

Festivale në një periudhë tranzicioni

Redakto

Deri në fillim të viteve ’90 kineastët kanë qenë të organizuar në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë; më pas ata u veçuan dhe formuan Shoqatën e Kineastëve Shqiptarë. Arkivi Shtetëror i Filmit, dikur departament i Kinostudios “Shqipëria e Re”, në vitet ’90 u bë institucion më vete. Është anëtar i Federatës Ndërkombëtare të Arkivave të Filmit. Që prej vitit 1976Shqipëri janë organizuar Festivale Kombëtare të Filmit, në fillim një herë në dy vjet për të gjithë filmat, e më pas në mënyrë alternative, një vit për filmin artistik, e një vit për filmin dokumentar e vizatimor. Në vitet ’90 festivalet janë organizuar një herë në pesë vjet. I fundit, Festivali XI – prill 2000, mblodhi gjithë prodhimin e pesë vjetëve, 10 filma artistikë, 27 dokumentarë, 14 vizatimorë.

Në prodhimin e viteve ’90 vazhdon të ndjehet tipari i thellë social, preokupimi i artistëve për problemet e shoqërisë, në veçanti të lidhura me dukuritë e reja të periudhës së tranzicionit. Një numër filmash kanë stigmatizuar totalitarizmin. Në këtë festival, për herë të parë u shfaqën prodhime të kineastëve shqiptarë nga trevat e Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi. Në dy festivalet e fundit (1995, 2000), përveç çmimeve të tjera, u dhanë edhe çmime të karierës, të cilat u fituan nga regjisorët Dh. Anagnosti e K. Dhamo, e nga aktorët K. Roshi e S. Pitarka.

Gjendja aktuale

Redakto

Sot kinemaja shqiptare përjeton një periudhë të vështirë tranzicioni e përshtatjeje me ekonominë e tregut. Përveç rënies së prodhimit ne sasi edhe rrjeti i sallave të kinemave ka zbritur ndjeshëm, dhe vetëm kohët e fundit jane bërë dhe po bëhen përpjekje për ngritje sallash të reja bashkëkohore si kinemaja “MILLENIUM” ne Tiranë dhe një tjetër në Elbasan. Nga ana tjetër, forcat krijuese janë të shumta dhe entuziaste, të çliruara nga trysnia totalitare, dhe ekonomike e përqendruar, si dhe me iniciativë private përherë në rritje. Mund të thuhet se kinemaja shqiptare sot ndodhet midis nostalgjisë së një kinemaje kombëtare, të lindur e zhvilluar në kushte të caktuara, dhe së ardhmes në ndërtim e sipër.

Shih edhe

Redakto

Burim i të dhënave

Redakto
  1. ^ "Filmi në Shqipëri dhe Kosovë - (1969-2019) - 50 vjetori i Kosovafilmit | Radi and Radi". web.archive.org. 2020-10-30. Arkivuar nga origjinali më 30 tetor 2020. Marrë më 2021-03-05. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)Mirëmbajtja CS1: BOT: Gjendja e adresës origjinale është e panjohur (lidhja)