Myzafer Pipa

ishte avokat e publicist
(Përcjellë nga Muzafer Pipa)

Muzafer ose Myzafer Pipa (Bursa, 1914 - Shkodër, shtator 1946) ka qenë futbollist i ekipit KF Vllaznia, publicist dhe avokat shqiptar i përndjekur në sajë të pushtimit italian të Shqipërisë dhe i internuar në Ventotene nga autoritetet italiane, i burgosur në kampin e Prishtinës dhe së fundi i burgosur dhe i vrarë në burg gjatë regjimit komunist në Shqipëri.

Fotoporteti
Muzafer Pipa
Emri Muzafer
Mbiemri Pipa
Lindur më 1914
Lindur në Bursa, Perandoria Osmane
Vdiq më 1946
Vdiq në Shkodër, Republika Popullore e Shqipërisë
Kombësia shqiptar
Profesioni jurist, publicist

Biografia

Redakto

U lind në Bursa më 1914, i biri i Mustafa Nuri Pipës dhe një gruaje çerkeze. I ati ishte jurist libohovit i shkolluar në Stamboll, i njohur për aftësitë e tij profesionale në atë kohë. Në kohën e Luftës së Parë Botnore qe jurist i Drejtorisë së Drejtësisë në Shkodër, e krijuar nga austro-hungarezët. Më vonë, në vitet 1923-‘26, u emërua anëtar i Gjyqit të Diktimit.

Vëlla nga i ati me Arshiun dhe katër motrat,[1] ishte fëmija i parë i kësaj familjeje.[2] I rritur në një ambient kulturë-dashës, kreu shkollën e mesme në Kolegjin Saverian.

Në gjimnaz u dallua si i ri aktiv, pjesëmarrës në shoqatën «Besa», prej angazhimit me futbollit u bë edhe pjesë e ekipit Vllaznia. Pas gjimnazit vijoi studimet e larta për jurisprudencë në Padova, Italí. Si student, pushtimi italian e preku aq sa organizoi një protestë në shetitoren qendrore të Padovës, duke kënduar «Vlona, Vlona... Bjeri më ju lumtë dora!» të Thoma Nasit, kushtuar Luftës së Njëzetës. Për këtë internohet në ishullin famëkeq Ventotene më 1940, ku gjindeshin dhe Safet Butka, Abas Ermenjin, Isuf Luzajn, Llazar Fundo, Fazlli Frashëri, dhe Sandro Pertini, Pietro Neni, Skeçimarro, Altiero Spinelli etj. Që u bënë personalitete të shquara në jetën politike shqiptare e atë italiane. Lejohet nga autoritetet me dhanë provimet që me u diplomue.[3]

Në dhjetor të 1943, si drejtor përgjegjës nisi të botonte revistën Fryma bashkë me të vëllanë, Qemal Draçinin e shokë tjerë, pranë zyrës së tij legale në Parrucë të Shkodrës. E përmuajshme ku vetë shkruajti artikuj si "Burrnija në Kanunin e Lek Dukagjinit" dhe "Vetëdije apor krim?".[4] Me editorialin e botuar në numrin e fundit të revistës, “Vetëdije apo krim?”, shfren me një kritikë të ashpër ndaj politikës qeveritare, gjë që i shkaktoi në gushtin e 1944-ës arrestimin dhe internimin në kampin nazist të Prishtinës.[5]

Me datën 28 janar 1946, ora 09.00, në Kinema “Rozafat” të qytetit të Shkodrës, hapet gjyqi kundër Organizatës antikomuniste “Bashkimi Shqiptar” nga Gjykata Ushtarake e Qarkut e përbërë nga ky trup gjykues: Kryetar: Mustafa Iljazi, Antarë: Namik Qemali e Tonin Miloti dhe prokuror Aranit Çela. Sjellja e turmave gjatë gjyqeve ishte histerike duke bërtitë si në kor “Plumbin ballit!” “Plumbin ballit!” ose “Tradhtarët në litar!” që të demoralizonte të pandehurit, avokati i bënte kërkesë trupit gjykues për nevojën e pak etike që kërkonte zhvillimi normal i një procesi gjyqësor, Aranit Çela nga ana e tij mezi priste që buzagaz e me cinizëm, t’i përgjigjej Myzafer Pipës: “E po, ç’të bësh, ky është populli”. Me datën 22 shkurt 1946, u dha vendimi i Gjykatës Ushtarake në Shkodër, dhe mbasi u njoftua zyrtarisht Tirana, vjen kjo përgjigje: Gjykatës Ushtarake Shkodër, nr. 6-55, dt. 26. 02. 1946.[6] Po më 22 mars 1946 guxon me iu shprehë trupit që po gjykonte klerikët katolikë Gjon Shllaku, Gjon Faustin, Daniel Dajanin, dhe studentët Mark Çuni, Gjergj Bici, Gjelosh Lulashi, Fran Miraka, dhe Qerim Sadiku (dhe të tjerë, por këto persona u dënuan me pushkatim):[3][7]

«Si asht e mundun zotnij, që një trup gjykues, i cili për kryetar ka një ish-“teneqexhi” - ishte fjala për Koçi Xoxen - e për prokuror një ish-“kafexhi” - për Bedri Spahiun - të mundet sot me gjykue elitën e kulturës shqiptare?»

Pyetje kjo që do të bënte përshtypje të madhe, që përmes Radio Tiranës e gazeta "Zërit të popullit" do të përhapej me bujë kudo nepër Shqipëri. Në një nga seancat prokurori Çela deklaron se “Me qenë se avokat Muzafer Pipa, implikohet në këtë proçes, se ka pasë dijeni dhe se ka kënduar trakte të këtyre organizatave, apo ka qenë pjestar, kërkoj që të përjashtohet si përfaqsues mbrojtjëje i të pandehurit Patër Gjon Shllaku me shokë”. Trupi gjykues e përjashton si përfaqësues i Mbrojtjes i të pandehurve duke emëruar Ranko Çerankoviq. Avokat Muzafer Pipa doli nga salla e gjyqit. (po aty Dosja nr. Nuk shkoi gjatë dhe Aranit Çela e mbajti fjalën që i pat thanë në bar “Impero”: "Hë... Muzafer Pipa, e kemi ruajtur një gjysëm leku edhe për ty!".[8]

Në shtator të 1946 u arrestua dhe u torturua me hekur të skuqur nga Lefter Lakrori, Vaskë Koleci dhe Zoi Themeli[9] - me porosi nga Xoxe, një natë tetori u-nxuer dhe u-vra me nji batere automatiku ne Degën e Sigurimit te Shkodres, kinse kishte dashtë t'ikte - shkruante Arshiu në nëntor të 1948 kur vetëm atëherë merr vesht vrasjen e të vëllasë.[10] Dosjet e deklasifikuara të operacionit BGFIEND përcjellin se pas mospërgjigjeve ndaj pyetjeve në hetuesi tek shtëpia e Pjetër Çurçisë e improvizuar si degë e sigurimit, Muzaferin e gjuajti në gojë Elez Mesi.[11]

Më 27 qershor 2008 u organizua një takim në Teatrin Migjeni kushtuar avokatit, ku iu dha dhe titulli "Qytetar Nderi". Presidenti Topi dekoroi me Urdhrin “Nderi i Kombit” (pas vdekjes) avokat Muzafer Pipën me motivacionin: “Patriotit dhe intelektualit të shquar, që gjithçka që pati, dijen, kulturën dhe jetën e tij të re ia kushtoi çështjes së lirisë, drejtësisë dhe demokracisë, duke kundërshtuar deri në flijim vendosjen e diktaturës në Shqipëri”.[12]

Referime

Redakto
  1. ^ Bushati H., Shkodra dhe motet (pemë gjenealogjike familjesh shkodrane) v. III, Shkodër: "Idromeno", 1999.
  2. ^ Kalakulla U., Referat i mbajtur në Universitetin "L. Gurakuqi" në Shkoder më 16 nëntor 1992.
  3. ^ a b Bushati A., Myzafer Pipa dhe koha kur ai jetoi e vdiq, "Fryma e Re", Nr.1, maj 1993 Tiranë.
  4. ^ "Fryma" 3, mars 1944 fq 125; 7-8, korrik-gusht 1944 fq. 1.
  5. ^ Kamsi, Willy (5 gusht 2008). "Myzafer Pipa, shprehje e unjisisë së popullit shqiptar". Standard.
  6. ^ Dosja 1068, Arkivi M.B.Tiranë.
  7. ^ Radovani F., Një monument nën dhé, Misioni Katolik Shqiptar në Kroaci, Zagreb 2004.
  8. ^ Dëshmi e Prof. Gaspër Ugashit nga Radovani F., Një monument nën dhé, Misioni Katolik Shqiptar në Kroaci, Zagreb 2004.
  9. ^ Dervishi K., Sigurimi i Shtetit 1944-1991: Historia e policisë politike të regjimit komunist, Tiranë: Shtëpia Botuese "55", 2012, fq. 37.
  10. ^ Pipa A., Elegjija vëllaznore nga Libri i Burgut (libri u shkrue gjatë periudhës 1946-56), nanduer 1948. Botue në Romë 1959, ribotue me 1994.
  11. ^ OBOPUS BGFIEND v. 21, 10 prill 1952 Arkivuar 8 janar 2020 tek Wayback Machine. E deklasifikuar qysh më 2007 nga CIA sipas Aktit të Hapjes së Luftës ndaj Nazizmit.
  12. ^ Topi B., Liria fillon e shuhet atëherë kur vritet shkrimtari : Topi dekoron pas vdekjes Blloshmin, Lekën, Pipën dhe Nelën: fjala e Presidentit në aktivitetin përkujtimor "Letërsia e shkruar brenda telave me gjemba dhe përballë plumbave", Tirana observer. - Nr. 410, 11 maj, 2010, f. 10..