Tempujt shkëmborë të Egjiptit

nje tip tempujsh i Egjiptit te lashte

Tempulli shkëmbor ishte një tip tempulli me qelë tërësisht ose pjesërisht të gërmuar në shkëmb. Ai quhet edhe speos (nga greqishtja σπέος, 'shpellë') dhe aktualisht përfshin edhe tempujt e lashtë egjiptianë gjysëm shkëmborë. Shumë nga Tempulli shkëmbor dhe gjysëm-shkëmborë të Egjiptit të Lashtë gjenden në territorin e Nubian, disa duhen kërkuar nën ujë pas ndërtimit të digës së Asuanit, si fortesat e Mbretërisë së Mesme (psh. ato të Semna-s dhe Buhenit, mes mjaft të tjerave), të tjera u zhvendosën në vende tjetra (rasti më i njohur është i ai i tempujve të Abu Simbelit) ashtu si disa të tjerë që iu dhuruan vendeve që bashkëpunuan në shpëtimin e monumenteve arkitektonike (siç është rasti i tempullit të Tutmosit të III në Ellesija). Varri shkëmbor egjiptian është një tipologji varrimi pjesërisht e gërmuar në shkëmbin e një kodre, shpesh të quajtur edhe hipogje,[1] për shkak të pranisë së një ose më shumë gërmimeve nëntokësore. Së bashku me piramidat dhe mastabat përbënte formën më të përdorur duke nisur nga Dinastia e IV deri nëDinastinë e XXIV dhe me përdorimin e saj që në Mbretërinë e Vjetër pushon së përdoruri serdabi.[2]

Tempulli shkëmbor i Horemhebit në Djebel el-Silsila
Varri shkëmbor i Inkaefit

Varret më të famshme i përkasin Mbretërisë së Mesme dhe janë të përhapura në nekropole të shumta midis të cilëve ai i Tebës (me sitet e Luginës së Mbretërve, të Mbretëreshave, Varret e Fisnikëve dhe ata të artizanëve), i Beni Hasanit, i Dra Abu el-Naga-s dhe shumë të tjera[3]. Në Deir el-Medina disa varre janë gjetur të paprekura dhe janë përkufizuar si varre piramidale, pasi ndërtonin një piramidë me tulla mbi çatinë shkëmbore të sheshuar të kapelës së gërmuar në kodër. Fillimisht dhe deri në Dinastinë e VI paraqisnin façatën me portik me dy shtylla të gdhendura në shkëmb si në varret e fisnikëve të rrafshnaltës së Gizës të gërmuara në gropën e nxierrjes së gureve të nevojshëm për ndërtimin e piramidave të mëdha. Disa shtylla kishin formë kolonash të kanalizuara dhe Jean-François Champollion i përkufizoi si të tipit proto-dorik.[3] Shtylla relativisht të shumta mbanin tavanin por bukuria që karakterizonte këto varre është për tu kërkuar në pikturat në stuko të faqeve të mureve me subjekte fetare, mortore, shoqërore por edhe private dhe të natyrës në aspektet e saj të florës dhe faunës, piktura të realizuara të gjitha me frymëzim dhe gjallëri.[4] Varri shkëmbor paraqiste forma të ndryshme, nga ajo si kryq të Mbretërisë së Vjetër, te ato me një kapelë të Mbretërisë së Mesme, te ajo e quajtur varr me saff, me site të shumta të Mbretërisë së Re.[2] Formoheshin përgjithësisht nga një hyrje me oborr të gjerë, nëpërmjet të cilit hyej në vestibolin drejtkëndor paralel me façatën me kolonadë dhe më tej ishte kapel apo salla e ofertave që kishte një tryezë ofertash, një nikie me stelë mortore dhe një statujë të të vdekurit. Pastaj ishe kripta mortore, që mund të ishte hipogjeike, ku i vdekuri prehej në sarkofagun e tij.

Tempuj shkëmbor të Egjiptit të Lashtë

Speos Artemidosi; Tempujt e Abu Simbelit; Tempulli i HoremhebitDjebel el-Silsila; Tempulli i Ay-së në Akhmim; Tempulli shkëmbor i Tutmosit të III në Ellesija (sot në Museo delle Antichità Egizie di Torino).

Tempuj gjysëm-shkëmbor të Egjiptit të Lashtë

Tempujt e Deir el-Baharit; Tempulli i Ramsesit të II, dedikuar Amonit, në Beit el-Wali; Tempulli i Ramsesit të II në Derr; Tempulli i Ptahut në Gerf Hussein; Tempulli i Gebel Barkalit (në Nubi); Tempulli i Kanaisit. Tempulli shkëmbor i Setit të I në Wadi Mia; Tempulli i Ramsesit të II në Wadi al-Sabua; Tempulli i Hathorit në Serabit al-Khadim.

Kompleksi i Abu Simbelit Redakto

 
Pamje e kolosit të rrëzuar, supozuar nga një tërmet menjëherë pas ndërtimit. Por gjatë zhvendosjes u la po ashtu

Abu Simbeli (ose Abu Simbal, Ebsambul si dhe Isambul) (أبو سمبل në arabisht), është një sit arkeologjik i Egjiptit, që gjendet në një fshat në Nubi, në Egjiptin e jugut, pranë kufirit me Sudanin, në bregun perëndimor të liqenit Nasser, rreth 280 km rrugë në jug-perëndim të Asuanit. Kompleksi është pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s të njohur si "Monumentet nubiane",[5] që vazhdojnë nga Abu Simbeli përgjatë rrjedhës së Nilit deri në Filae (pranë Asuanit). Kompleksi arkeologjik i Abu Simbelit, në gjuhën egjiptiane Meha,[6] është i përbërë kryesisht nga dy tempuj gjigandë në shkëmb, të quajtur Tempuj shkëmborë të gërmuar në anën e malit nga faraoni Ramsesi IIShekullin e XIII p.e.s., si monumente kushtuar vetë atij dhe mbretëreshës Nefertari, gruas më të dashur të shumë grave të Ramsesit[7] të ngritur për të impresionuar fqinjët jugorë Nubianë dhe për të përkujtuar fitoren në Betejën e Kadeshit si dhe të përforconte statusin e fesë egjiptiane në rajon. Historianët thonë se projekti i Abu Simbelit është shprehje e egos dhe krenarisë së Ramsesit të II. Secili tempull kishte priftin e tij që përfaqësonte faraonin në ceremonitë e përditshme fetare. Në teori, faraoni duhet të ishte zbatuesi i vetëm i ceremonive të përditshme fetare të kryera përgjatë Egjiptit. Në të vërtetë, prifti i madh luante gjithashtu atë rol. Për të arritur atë pozicion, ishte i nevojshëm një formim i gjerë në arte dhe shkenca, siç e kishte dhe faraoni. Leximi, shkrimi, inxhinieria, aritmetika, gjeometria, astronomia, matja hapësinore dhe llogaritja e kohës ishin pjesë e këtij formimi. Priftërinjtë e Heliopolisit, për shembull, bëheshin gardianë të diturisë së shenjtë dhe fitonin reputacionin e njerëzve të ditur. Në vitin 1968 kompleksi u zhvendos i gjithi në kodrën artificiale të përbërë nga një strukturë me kube, për të shmangur përmbytjen nga liqeni artificial Nasser. Në 1979 u shpall trashëgimi e njerëzimit nga UNESCO.

Historia Redakto

 
Pamje panoramike e tempujve të Abu Simbelit

Ndërtimi i kompleksit tempullor nisi afërsisht në 1264 p.e.s. dhe zgjati për rreth 20 vjet, deri në 1244 p.e.s.. I njohur si "Tempulli i Ramsesit, të përzemërtit të Amonit" ai ishte një nga gjashtë Tempujt shkëmborë të ngritur në Nubia gjatë mbretërimit të gjatë të Ramsesit të II. Ramsesi shkoi në Abu Simbel bashkë me gruan e tij të paraqëlqyer në vitin e 24-rt të mbretërimit të tij. Një legjendë tregon se mbretëresha Nefertari vdiq në hyrje të tempullit të madh ndërsa gati me siguri ajo vdiq para përfundimit të tempullit kushtuar asaj.[8]

 
1 tetor 1965, statujat e Ramsesit II duke u zhvendosur

Me kalimin e kohës tempujt u braktisën dhe për pasojë u mbuluan me rërë. Që në Shekullin e VI p.e.s. rëra i kishte mbuluar statujat e tempullit kryesor deri te gjunjët. Tempulli ishte harruar deri në më 22 mars 1813,[6] kur orientalisti zvicerian Johann Ludwig Burckhardt zbuloi frizën e kreut të tempullit kryesor. Burckhardt folit rreth zbulimit të tij me eksploruesin italian Giovanni Battista Belzoni, i cili udhëtoi deri te siti, por qe i paaftë të gërmonte një hyrje për në tempull. Belzoni u rikthye më 1 gusht 1817, këtë herë duke arritur në përpjektjen e tij për të hyrë në kompleks.[9] Një përshkrim i hershëm i detajuar i tempujve, së bashku me vizatime bashkohore, mund të gjenden te Description of Egypt (1825-1828) i Edward William Lane.[10] Guidat turistike të sitit tregojnë legjendën se "Abu Simbeli" ishte një djal i vogël vendas që udhëzoi këtë rizbulim të hershëm të sitit të mbuluar nga rëra që kishte parë herë pas here në rërën e lëvizur, Për pasojë, arkeologët e emërtuan kompleksin me emrin e tij. Në 1960 presidenti egjiptian Nasser vendosi të niste punimet për ndërtimin e digës së madhe të Asuanit, vepër që parashihte formimin e një baseni të pamatë artificial. Një projekt i tillë rrezikonte të fshinte vepra të shumta të ndërtuara nga egjiptianët e lashtë medis të cilave vetë tempujt e Abu Simbelit. Falë ndërhyrjes së UNESCOs, plot 113 vende u aktivizuan duke dërguar njerëz, para dhe teknologji për të shpëtuar monumentin. U formuluan propozime të shumta për këtë qëllim dhe ajo që në fund, mori më tëpër përkrahje qe ajo suedeze[11] për të prerë, numëruar dhe çmontuar bllok pas blloku gjithë pjesën e gdhendur të kodrës mbi të cilën ishin ngritur tempujt dhe më pas të të rindërtoheshin monumentet në një pozicion të ri 65 m më lart dhe 300 m më mbrapa përkundrejt basenit që do të krijohej. Punimet zgjatën nga viti 1964 deri në vitin 1968 me përdorimin e mbi 2000 njerëzve, të drejtuar nga një grup ekspertësh italianë të nxjerrjes së mermerit[12] të ardhur nga Carrara (MS) dhe Mazzano (BS) si dhe një sforco teknologjike pa precedentë në historinë e arkeologjisë. Sipërmarrja kushtoi në tërësi rreth 40 milionë dollarë. Rindërtimi përfshiu edhe ngritjen e një kupole betoni të vendosur pak mbi monumentin me funksionin e dyfishtë të ruajtjes së strukturës dhe për ti dhënë formë kodrës artificiale ku u ngjitën tempujt. Ndërhyrja përfshiu si tempullin kryesor kushtuar Ramsesit II ashtu edhe atë dytësor kushtuar mbretëreshës Nefertari. Në rindërtimin e tempujve, rreth 210 metra më mbrapa dhe 65 metra më lart,[13] u ruajt orientimi origjinal përkundrejt yjeve dhe diellit, në mënyrë që të lejonte (megjithëse me shtrembërimin me një ditë) në lindjen e diellit, dy herë në vit - më 22 shkurt dhe 22 tetor - të ndriçonte dhomën qendrore të tempullit madhor ku rrinë në fron katër perëndi të ulura: Ptahu, Amoni, Ramsesi II e Ra. Monumente të tjera me rëndësi dhe përmasa më të vogla, edhe ata të kërcënuar nga niveli i ujrave u çmontuan dhe dhuruan muzeve të ndryshëm.

Tempulli i madh Redakto

 
Façata e Tempullit të madh
 
8 kolonat osiriake të Tempullit të Ramsesit

Midis shumë monumenteve të ndërtuar nga faraoni Ramsesi II tempulli i madh i Abu Simbelit është konsideruar përgjithësisht si më mbresëlënësi dhe më i bukuri si dhe një nga më të bukurit në gjithë Egjiptin. Ngrihej në gjurmët e një tempulli kushtuar Horusit që u shkatërrua tërësisht për të ndërtuar tempullin e ri me emrin egjiptian Per-Ramses-Miamon.[6] Ai iu kushtua perëndive Amon, Ra-Horakhti dhe Ptahut, ashtu si dhe vetë Ramsesit të hyjnizuar.[14] Ra-Horakhti, Ptahu dhe Amoni, tre hyjnitë shtetërore të Egjiptit në këtë kohë dhe përmban katër statuja të mëdha të Ramsesit të II në façatë. Ndërtimi i tempullit filloi në vitin e 26º të mbretërimit të Ramsesit të II me rastin e jubileut të dytë Heb-Sed për të hyjnizuar vetëveten.[15]

 
Dhomë e tempullit të Ramsesit

Façata e tempullit është 35 metra e gjerë dhe kurorëzohet me një frizë me 22 babuinë, adhurues të diellit që ndodhen anash hyrjes.[16] Siliotti shkruan se ai është 33 m i lartë dhe 38 m i gjerë. Në façatë spikasin katër statujat e Ramsesit të II, secila nga të cilat 20 metra e lartë, ku faraoni paraqitet me pschent-in, do të thotë. kurorën e Egjiptit të Sipërm dhe të Poshtëm, dhe me kësulën e quajtur "nemes" që i zbret mbi supe si dhe diademën e kobrës në ball (e quajtur Ureos nga grekët dhe Ëadjet nga egjiptianët). Pranë statujave kolosëve gjenden statuja të tjera jo më të larta se gjunjët e faraonit.[14] Këto paraqesin Nefertarin, gruan kryesore të Ramsesit dhe mbretëreshën nënë, Tuya, dy djemtë e tij të parë, Amun-her-khepeshefi, Ramsesi B dhe gjashtë vajzat e tij të para, Bintanath, Baketmut, Nefertari, Meritamen, Nebettaëy dhe Isetneferet.[9] Mbi statuja, në frontonin e tempullit gjenden 14 statuja babuinësh që, duke parë drejt lindjes, që në fillim ishin 22 të tilla, aq sa dhe provincat e Egjiptit të Sipërm.

 
Planimetria e tempullit të madh

Statujat kolosale janë skalitur drejtpërdrejtë nga shkëmbi në të cilin tempulli gjendej para zhvendosjes. Të gjitha statujat paraqesin Ramsesin e II, të ulur në fron. Statuja majtas hyrjes ka mbetur pa pjesën e siprme, që në fakt është rrëzuar pak vite pas ndërtimit të tempullit për shkak të një tërmeti dhe ka mbetur te këmbët e statujës. Gjatë rrëzimit shkatërroi disa nga statujat më të vogla që gjenden në taracën te tempullit, paraqitje të vetë faraonit dhe të perëndisë Horus (në pamjen e fajkoit). Mbi portën e hyrjes së tempullit, në një nike të gërmuar në shkëmb, ndodhet statuja e zotit kokë-fajkua, Ra-Horakhti, statuja e të cilit qëndron në një nike të madhe.[14] Ky zot është duke mbajtur skeptrin "user" dhe një pendë në dorën e tij të djathtë, me Ma'atin, (hyjneshën e të vërtetës dhe drejtësisë) në të majtën e tij; këto nuk janë gjë tjetër veç një kriptogramë për emrin mbretëror të Ramsesit të II, User-Maat-Re, pra faraoni do të tregoi që tempulli i është kushtuar si zotave ashtu dhe vetes së tij. Në anët e nikes ndodhen dy altorelieve që paraqesin faraonin ndërsa i ofron simbolin e drejtësisë zotit. Një tjetër hollësi e façatës është një stelë që tregon martesën e Ramsesit me një vajzë të mbretit Hatusili III, që vulosi paqen midis Egjiptit dhe Perandorisë Hitite. Gjithashtu pranë tempullit të madh gjendet një stelë e skalitur që paraqet natyrën hyjnore të sovranit.[17] Në anët e statujave të vendosura pranë hyrjes ka dekorime ku ndodhet Hapi, zoti i Nilit, simbol i bollëkut, që lidh lulet e zambakut, simbol i lashtë i Egjiptit të Sipërm, me lulet e papirusit, simbol i lashtë i Egjiptit të Poshtëm, për të dëshmuar bashkimin e vendit. Nën këto skena, në krahun e djathtë, pra në veri, janë paraqitur robërit aziatikë të lidhur me litarë që përfundojnë me lulen e papirusit, simbol i veriut, ndërsa në krahun e majtë, pra në jug, janë paraqitur robërit afrikanë të lidhur me litarë që përfundojnë me lule zambaku, simbole të jugut. Pjesa e brendshme e tempullit ka të njëjtën planimetri trekëndore që e ndjekin shumica e tempujve të lashtë egjiptianë, me dhoma që zvogëlohen në përmasa nga hyrja drejt faltores më të shenjtë. Tempulli është mjaft kompleks dhe i pazakontë në strukturë për shkak të shumë dhomave anësore.

Salla e madhe hipostile Redakto

 
Kolone me statujen e Ramsesit II

Hyrja e tempullit të drejton për në sallën e madhe të kolonave osiriake, tetë prejt të cilave paraqesin faraonin të identifikuar me Osirisin, zotin e botës së përtejme (e të vdekurve), që janë statuja mbi 11 metra të larta. Salla hipostile (shpesh e quajtur edhe pronaos) është 18 metra e gjatë dhe 16.7 metra e gjerë. Në tavan ka vizatime që paraqesin perëndeshën Mut, në pamjen e një shkabe që shtrin krahët e saj për të mbrojtur tempullin. Statujat kolosale përgjatë murit të krahut të majtë mbajnë kurorën e Egjiptit të Sipërm, ndërsa ato të krahut tjetër mbajnë kurorën e dyfishtë të Egjiptit të Poshtëm.[14] Relievet në muret e pronaosit paraqesin skena betejash të fushatave ushtarake të ndërmarra nga faraoni. Muret e sallës në krahun e djathtë, në veri, janë të mbuluara me skena që paraqesin fitoren e Ramsesit në betejën e Kadeshit, në lumin Orontes në Sirinë e sotme, kundër Hititëve.[16] Këto përshkrime formojnë poemën e famshme të Pentaurit.[9] Relievi më i famshëm tregon faraonin në karron e tij duke lëshuar shigjeta kundër armiqve në ikje e sipër, të cilën janë kapur robër.[16]

 
Dekorim i një salle të tempullit

Në krahun e majtë, në jug, paraqiten skena nga sipërmarrjet dhe luftërat e tjera të Ramsesit kundër Sirisë, Libisë dhe Nubisë.[14]

Salla e dytë ose atriumi Redakto

Nga salla hipostile, hyhet në sallën e dytë me kolona, të quajtur të fisnikëve, që ka katër kolona katrore të dekoruara me skena të bukura duke u bërë oferta zotave. Në mure paraqitet faraoni ndërsa i ofron parfume dhe temjan barkës së Amonit dhe Ra-Horakhtit, i ndjekur nga bashkëshortja, mbretëresha Nefertari. Kjo sallë çon në vestibulin transversal në mes të të cilit është hyrja për te faltorja e shenjtë ose Sancta sanctorum.

Faltorja Redakto

Faltorja me një mur të zi, përmban katër statuja të ulura që shikojnë drejt hyrjes, që nga e majta në të djathtë paraqesin Ptahun e Memfisit (zoti i arteve dhe artizanëve), Amon-Ra e Tebës (zoti i diellit dhe babai i perëndive), Ramsesi II i hyjnizuar dhe Ra-Horakhti i Heliopolisit (fajkoi me diskun diellor).[9] Në këtë kohë këto përbënin hyjnitë më të rëndësishme të panteonit egjiptian[18] Këtu, falë orientimit të templullit të llogaritur nga arkitektët, dy herë në vit, më 20 shkurt[9] apo më 19[13] ose edhe më 21[15] dhe më 20 tetor,[9] ose më 21[13] kjo datë e fundit korresponduese ndoshta me Heb-Sed-in e vitit 1260 p.e.s., rrezet e para të diellit fokalizohen në fytyrën e statujës së faraonit. Rrezet e ndriçojnë pjesërisht edhe Amon-Ra-në dhe Ra-Horakhtin. Sipas egjiptianëve të lashtë rrezet e diellit do ta rikarikonin kështu me energji figurën e faraonit.[18] Njerëzit mblidheshin në Abu Simbel të shikojnë këtë pamje të veçantë, në 21 tetor dhe 21 shkurt.[14][16] Pas zhvendosjes së tempullit nuk është arritur të përsëritej ky fenomen që fillon të verifikohet më 22 shkur dhe 22 tetor.

Tempulli i vogël Redakto

 
Tempulli i vogël në Abu Simbel

Tempulli i vogël gjendet rreth njëqint metra në veri-lindje të tempullit të madh, kushtuar perëndeshës Hathor të Ibshekut dhe Nefertarit, bashkëshortes kryesore të Ramsesit të II si dhe hyjnive të tjera të lidhura kryesisht me mëmësinë, në kodrën e një siti të quajtur Abeshek,[13] githashtu i skalitur në shkëmb. Façata, e gjerë 28 metra dhe e lartë 12 metra është e zbukuruar nga gjashtë statuja të larta pak mbi 10 metra, tre në çdo krahë të portës së hyrjes dhe të ndara nga mbishkrime hieroglifike që tregonë emërtimet mbretërore të dy sovranëve. Statujat paraqesin katër herë Ramsesin dhe dy herë Nefertarin. Në secilin krah të portalit janë dy statuja të faraonit, që mban kurorën e bardhë të Egjiptit të Sipërm (kolosi jugor) dhe kurorën e dyfishtë (Pschent) (kolosi verior). Këto dekorime janë realizuar drejtpërdrejtë në shkëmb. Kjo, në fakt ishte hera e dytë në historinë e Egjiptit të Lashtë që një tempull i kushtohej një mbretëreshe. Herën e parë, mendohet se ishte Akhenatoni që i kushtoi një tempull gruas së tij mbretërore, Nefertiti.[14] Ky në fakë është një rast i rrall në Artin egjiptian që statujat e faraonit dhe bashkëshortes së tij kanë përmasa të njëjta.[14] Tradiciolalisht, statujat e mbretëreshave qëndronin pranë atyre të faraonit, por asnjëherë më të larta se gjunjët e tij. Si te Tempulli i madh i Ramsesit të II, gjenden statuja të vogla të princave dhe princeshave pranë prindërve të tyre. Anash statujave të faraonit gjenden bijtë, ndërsa anash Nefertarit janë paraqitur bijat. Në këtë rast këto janë vendosur simetrikisht: në krahun jugor (majtas hyrjes) janë nga e majta në të djathtë princat Meriatum dhe Merire, princeshat Meritamen dhe Henuttawy, si dhe princat Rahirëenemef dhe Amun-her-khepeshef, ndërsa në krahun verior të njëjtat figura janë në radhitje të përmbysur. Planimetria e tempullit të vogël është një version i thjeshtëzuar i asaj të tempullit të madh. Hyrja e tempullit të çon në një sallë hipostile ose pronaos që mbështetet mbi gjashtë kolona 3.2 metra të larta, në këtë rast, gjithësesi, ato nuk janë kolona osiriake me pamjen e faraonit, por në kapitelet e tyre gjendet koka e Hathorit, prandaj të quajtura kolona hathorike. Këto kolona janë dekoruar me skena të mbretëreshës duke luajtur me sistrum (një instrument i shenjtë i perëndeshës Hathor), bashkë me zotat Horus, Khnum, Khonsu dhe Thot (emri i greqizuar i Djehutit të egjiptianëve) dhe perëndeshat Hathor, Isis, Maat, Muti i Asherit, Satet dhe Tauret; në një prej skenave Ramsesi u ofron lule dhe temjan.[14] Relievet në sallën me kolona ilustrojnë hyjnizimin e faraonit, shkatërrimin e armiqve të tij në veri dhe në jug (në këto skena faraoni është i shoqëruar nga bashkëshortja e tij) dhe mbretëresha u bën oferta perëndeshave Hathor dhe Mut.[16] Salla hipostile ndiqet nga një vestibul, hyrja te i cili jepet nga tre dyer të mëdha. Në muret veriore dhe jugore të kësaj dhome gjenden dy relieve poetikë dhe të hijshëm të faraonit dhe bashkëshortes së tij duke i ofruar lule papirusi Hathorit, që është paraqitur si një lopë në varkë duke lundruar në mes të papirusëve. Në murin perëndimor, Ramsesi i II dhe Nefertari janë paraqitur duke u bërë ofërta zotit Horus dhe hyjnive të Katarakteve — Satetit, Anubisit dhe Khnumit. Te kolonat ka mbishkrime që tregojnë jetën e faraonit dhe të mbretëreshës dhe relieve të ngjyrosur që paraqesin si Ramsesin ashtu dhe Nefertarin me disa hyjni. Nëpër faqet e murit gjenden skena të faraonit dhe të bashkëshortes që u ofrojnë flijime perëndive. Salla e fundit është ajo me statujën e perëndeshës Hathor në pamje lope, e vendosur në një nike. Faltorja e skalitur në shkëmb dhe dy dhomat anash janë lidhur me vestibulin transversal dhe janë pozicionuar me aksin e tempullit. Relievet në muret anësore të faltores së vogël paraqesin skena ofertash ose flijimesh për zotat e ndryshëm si nga faraoni ashtu dhe bashkëshortja e tij.[14] Në murin e mbrapëm, që qëndron në perëndim përgjatë aksit të tempullit, gjendet një nike ku Hathori, si një lopë hyjnore, duket sikur del nga shkëmbi i malit: perëndesha është portretizuar si Zonja e tempullit kushtur asaj dhe mbretëreshës Nefertari, që është e lidhur në mënyrë intime me perëndeshën.[14]

Ndërtesa të tjera Redakto

Kapela veriore e zbuluar në vitin 1909 nga Barsanti është një kapelë kulti, që paraqet dy altarë të gërmuar në shkëmbin ranor, dy obelisqe dhe statuja cinocefale sot të konservuara në Muzeun e Kajros[19] Menjëherë pranë pilonit në veri të tempullit të vogël gjendet një kapelë e vogël ptolemease. Në jug-perëndim gjendet një mamisi i vogël, që edhe ai është i gërmuar në shkëmb.[20] Në sit gjendet edhe një nilometër në jug të tempullit të vogël.

Galeri imazhesh Redakto

Shiko edhe Redakto

Referime Redakto

  1. ^ Paul Bahn (ed.): Dizionario Collins di archeologia, botimi italian nën kujdesin e Enrico Ascalone dhe Luca Peyronel, përkthyer nga Claudia Dini, Roma, Gremese Editore, 1999, isbn 88-7742-326-9, fq. 176.
  2. ^ a b Mario Tosi: Dizionario enciclopedico delle divinità dell'antico Egitto, volume 2, Torino, Ananke, 2006, isbn 88-7325-115-3, fq. 143.
  3. ^ a b Edda Bresciani (ed.): Grande enciclopedia illustrata dell'antico Egitto, Novara, De Agostini, 2005, isbn 88-418-2005-5, fq. 338
  4. ^ Mario Tosi: Dizionario enciclopedico delle divinità dell'antico Egitto, volume 2, Torino, Ananke, 2006, isbn 88-7325-115-3, fq. 144
  5. ^ Nubian Monuments from Abu Simbel to Philae - UNESCO World Heritage Centre
  6. ^ a b c Maurizio Damiano-Appia, Dizionario enciclopedico dell'antico Egitto e delle civiltà nubiane, fq.23
  7. ^ Stephanie Fitzgerald: Ramses II: Egyptian Pharaoh, Warrior and Builder; 2008, New York: Compass Point Books, ISBN 978-0-7565-3836-1
  8. ^ Mario Tosi: Dizionario enciclopedico delle divinità dell'antico Egitto, fq. 269
  9. ^ a b c d e f Edda Bresciani: Grande enciclopedia illustrata dell'antico Egitto, fq. 26
  10. ^ Edward William Lane: "Descriptions of Egypt"; American University in Cairo Press. fq. 493-502.
  11. ^ Guy Rachet: Dizionario Larousse della civiltà egizia, fq. 24
  12. ^ "Visita ai templi di Abu Simbel in Alto Egitto". Arkivuar nga origjinali më 30 janar 2009. Marrë më 28 maj 2016. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  13. ^ a b c d Maurizio Damiano-Appia: Dizionario enciclopedico dell'antico Egitto e delle civiltà nubiane, fq. 24
  14. ^ a b c d e f g h i j k Alberto Siliotti: Egypt: temples, people, gods,1994
  15. ^ a b Mario Tosi: Dizionario enciclopedico delle divinità dell'antico Egitto, fq. 266
  16. ^ a b c d e Ania Skliar: Grosse kulturen der welt-Ägypten, 2005
  17. ^ Mario Tosi: Dizionario enciclopedico delle divinità dell'antico Egitto, fq. 267
  18. ^ a b Alberto Siliotti: Abu Simbel e i templi della Nubia, Egipt Pocket Guide, The American University in Cairo Press, fq. 44
  19. ^ Mario Tosi: Dizionario enciclopedico delle divinità dell'antico Egitto, fq. 265
  20. ^ Mario Tosi: Dizionario enciclopedico delle divinità dell'antico Egitto, fq. 270

Bibliografia Redakto

  • Paul Bahn (ed.): Dizionario Collins di archeologia, botimi italian nën kujdesin e Enrico Ascalone dhe Luca Peyronel, përkthyer nga Claudia Dini, Roma, Gremese Editore, 1999, isbn 88-7742-326-9.
  • Edda Bresciani (ed.): Grande enciclopedia illustrata dell'antico Egitto, Novara, De Agostini, 2005, isbn 88-418-2005-5.
  • Maurizio Damiano-Appia: Dizionario enciclopedico dell'antico Egitto e delle civiltà nubiane, Mondadori, ISBN 88-7813-611-5.
  • Stephanie Fitzgerald: Ramses II: Egyptian Pharaoh, Warrior and Builder; 2008, New York: Compass Point Books, ISBN 978-0-7565-3836-1
  • Edward William Lane: "Descriptions of Egypt"; American University in Cairo Press.
  • Rosemarie Klemm, Vom Steinbruch zum Tempel: Beobachtungen zur Baustruktur einiger Felstempel der 18. und 19. Dynastie im ägyptischen Mutterland. Zeitschrift für Ägyptische Sprache und Altertumskunde, Vol. 115, 1988. Stampa:De
  • Mario Tosi: Dizionario enciclopedico delle divinità dell'antico Egitto, volume 2, Torino, Ananke, 2006, isbn 88-7325-115-3.
  • Guy Rachet: Dizionario Larousse della civiltà egizia, përkthyer në italisht nga Sofia Medin, Roma, Gremese Editore, 2002, isbn 88-8440-144-5.
  • Alberto Siliotti: Abu Simbel e i templi della Nubia, Egypt Pocket Guide, The American University in Cairo Press.
  • Alberto Siliotti: Egypt: temples, people, gods,1994.
  • Ania Skliar: Grosse kulturen der welt-Ägypten, 2005.

Lidhje të jashtme Redakto