Kosova (serbisht: Косово Kosovo) si emërvend gjeografik (toponim) ka një histori të gjatë që daton nga koha parahistorike dhe konsiderohet se ka origjinë nga gjuha ilire. Baza e emrit "Kosovë" është fjala kos - kas që d.m.th kodër, mal ose shkëmb dhe va/va-u që d.m.th. Vend i cekët në një lumë, shteg kalimi në një pyll, në një arë etj. rrugëdalje, shteg për të shpëtuar nga një gjendje e vështirë.[1][2][3][4]

Përmbledhje Redakto

Interpretimin e parë të emrit "Kosova", e ka bërë akademiku kroat Josip Rogliq, i cili thotë: "e tërë terminologjia gjeomorfologjike dhe emrat gjeografikë të Gadishullit Ilir janë të gjuhës ilire", duke ardhur dhe në përfundim që, terminologjia e emrit gjeografik "Kosova", i takon gjuhës ilire. Po ashtu interpretimin gjeografik të emrit e shpjegon dhe M. Carabregu, i cili thotë se, termi "kas-a" përmban kuptimet e një kodre, mali apo shkëmbi. Variantet e shpeshta të emrit që ndër kohë paraqitën si, "Kasova", "Kasava" dhe "Kosova" na japin "kas-a" dhe "va", që të dy terma gjeografikë. Në bazë të këtij termi gjeografik "kas", janë gjithashtu edhe emrat: Cassel, Castel, Cashtel, Casteli etj. Ky term përdoret edhe për emër personal, fisnor dhe po ashtu si emër vendi, si: Kas-i, Kasaj, Canius, Kastrat, Kastriot, Kasendra, Kas, etj. Këtyre qëndrimeve, ju shtojmë disa shembuj që vërtetojnë këto të dhëna. P.sh. Fisi “Kastrat” e ka djepin në Veri të Shqipërisë. Emri “Kastrat” në gjuhën shqipe nuk është shumë i vjetër, ky emër vjen nga latinishtja "Castrum". Qyteti mesjetar "Kassa" në Hungari, në gjuhen gjermane shqiptohet "Kaschau" ndërsa në gjuhen latine "Cassovia". Sipas dokumenteve Dubrovnikase, familja aristokrate "Kasica" që jetonte në Dubrovnik, ishte me prejardhje nga qyteti Novomonte (Novobërda), etj.

Ndërsa, sa i takon termit gjeografik të emërvendit "va-u", kuptohet të përdoret tek emër vendet për cektësi ose gjerësi të lumenjve apo luginave, pastaj për përshkrimin e një gjerësie, rrafshine etj. Është me rëndësi të theksohet se, ky term, si prapashtesë ka përkrahje të gjerë, kuptimi i të cilit mund të jetë në tri aspekte: 1) te lumenjtë si vendkalim më i përshtatshëm, 2) tek emërtimet visore si gjërsi, rrafshinë, dhe 3) te vendbanimet si rrafshi i ndërtimit.

Në vazhdim, duhet të tregojmë se, që nga koha antike gjejmë burime të shkruara, të cilat na munëdsojnë për të vërtetuar se, fjala "Kas", është shumë e pranishme si emër në gjithë vendbanimet, apo trojet ku jetonin Ilirët, e po ashtu disa nga emrat janë, të afërt me emrin e sotëm të "Kasovës - Kosovës". Nëpër tërë territorin e Kosovës, që nga lashtësia hasim një shtresë të theksuar "castrumesh" (kështjellash) Dardane, që më vonë i përforcuan romakët. Disa prej tyre gëzonin dhe statusin e doganave, stacionit për pushim rrugor e disa dhe statusin e municipumit (qytetit). Kështu, fjala “Kastra” e gjuhës latine në gjuhen shqipe, d.m.th. Kamp ushtarak, Shatorre apo Llogore; Castrum - Kështjellë; Castellum - Kështjellë, Rezervuar uji, Katund apo fshat; Castellani - Banorët e një kështjelle; Kascus/a/um - I moçëm, I vjetër, I lashtë; Kasa/ue - Kasolle, Pronë, Çadër ushtarake. Po ashtu të dhënat e para, në këtë drejtim, na njoftojnë se, në tokat e Ilirisë - në Epir, përmendet qyteti “Kasopia” qysh në vitet 313-312 p.e.s.. Shënimet që i gjejmë të vepra "Gjeografia", e gjeografit Klaud Ptolemeu të shek. II-të e.s., na tregojnë se, kur bëhet fjalë për Epirin dhe vendin e tij, autori përmend dhe qytetet, ku njëri ndër ta ishte qyteti i quajtur "Kassiope".

Në të dhënat që i gjejmë në veprën "Mbi qytetet dhe popujt" të autorit Stephani Byzantini, kur bëhet fjalë mbi fiset ilire e po ashtu edhe vendbanimet - qytetet e Ilirisë dhe Epirit, përmendet qyteti "Kassope", [...] i quajtur kështu nga krahina "Kassopia" Emër etnik "kassopaios", "kassopios" [...]. Prokopi i Çezaresë (Procopi Caesariensis) në veprën "De Aedificis" (Mbi Ndërtimet) në shek. e VI, duke folur për Dardaninë, përshkruan dhe fortifikatat (kështjellat, E. R.) që Perandori Justinian ndërtoi dhe i rindërtoi në këtë vend. Prokopi i Cezaresë është historiani më në zë i Bizantit i cili jetoi gjatë shek. VI (... - 565), që na la shkrime për territorin e Dardanisë gjatë kohës së sundimit të Perandorit Justiniani. Një listë e tërë e shkruar na ofron të dhëna për kështjellat e ndërtuara dhe të ringritura nga Justiniani, pra përmenden disa vendbanime, emërtimet e të cilave janë të rëndësishme për toponimet e Dardanisë, sot Kosovës. Ne, në këtë rast, do ti përmendim vetëm ato, që fillojnë me fjalën "Kas". Fortesa të ndërtuara, të reja, në Dardani përmenden dy: "Kastimon" dhe "Kastelion". Ndërsa, të rindërtuara përmenden tri:"Kasyella", "Kastellobreata" dhe "Kastelona". Në Maqedoni, me fjalën "Kas" nga fortesa të rindërtuara përmenden vetëm dy: "Kasopas" dhe "Kassopes". Po ashtu, në trevën Nais, paraqiten dy raste të ndërtimit të fortesave të reja, ku fjala e emrit fillon me bazën "Kas", e këto janë: "Kastellion" dhe "Kasia". Qyteti Nais (Nishi i sotëm) aso kohe ishte njëri ndër qytetet kryesore të Dardanisë dhe gjendej në pjesën veri-lindore të vendit. Në mbështetje të zbulimeve, hulumtimeve të reja arkeologjike që u zhvilluan deri në vitet e tetëdhjeta të shek. XX në territorin e Kosovës, thuhet se, kemi të evidentuara rreth njëqind (100) vendbanime antike, kryesisht në gërmadha, numri i madh i të cilave nuk është identifikuar.

Të gjitha të dhënat e deritashme na bëjnë për të theksuar, edhe një herë se, fjala “Kos” është vazhdimësi e fjalës “Kas”.

Në vazhdim të punimit, do të ndalemi edhe njëherë te fjala “Kos”. Nga disa punime dhe qëndrime të ndryshme do të shohim se fjala "Kos", nuk mund të pranohet ashtu si e paraqet historiografia serbe, se fjala ka prejardhje nga gjuha sllave, por do të tregohet se, kjo fjalë i takon dhe gjuhëve të tjera e po ashtu, ka dhe shumë kuptime në shumë gjuhë të botës. Për më tepër, prejardhja e fjalës “kos” konsiderohet për e errët. Do të ofrojmë disa shembuj për të treguar që fjala nuk ka kuptim vetëm në një gjuhë siç pretendohet. Kështu, vendi i quajtur “Kos” ose “Cos” në greqisht, në turqishte “Istankoy”, në italishte “Coo”, është një ishull në detin Egje në Greqi. Ky vend me këtë emërtim ekziston që nga kohet e vjetra-antike, që tregohet qartë se emri s’ka fare të bëj me farë kuptimi, origjine apo ka të bëj me farë prejardhje sllave. Fisi (Farefisi) i Romës “Kos-o” ose “Kos-oje” ka origjinë nga Etrurët, ndërsa te serbët këta “Kos-ari”, i përkisnin familjes fisnike të vjetër të Barit (Tivarit, E. R.). Emri “Kos-tandin”, predominon dhe përdorët në gjuhën shqipe si emër i njeriut. Edhe pse ky emër dominon te shqiptarët, origjina e tij rrjedhë nga gjuha latine. Emri “Kos-tandin” është më i afërti me variantin “Cos-tantino” që e gjejmë te italianët. “Kos-tandin” është një variant i emrit “Con-s-tantine” i gjuhës angleze. Kështu, emri “Kos-tandin” përdorët vetëm nga italianët (Cos-tantino dhe Cos-tanzo) dhe shqiptarët (Kos-tandin), ndërsa varianti “Kon-s-tantin”përdorët në shumë gjuhë tjera si: angleze, gjermane, franceze, greke etj.

Me fjalën “Kos” në Indi quhet “Mila e Indisë veriore”, pra ka kuptimin e njësisë së gjatësisë gjeografike. Pastaj kemi termat në matematikë si, “Kos-ekans” (që në gjeometri ka funksionin e një rrethi), “Kos-ekant” (gjeometri), “Kos-inus” (matematikë - sinus pika e dhënë e rrethit dhe gjeometri funksioni i katetës drejt hipotenuzës) etj. Po ashtu, kemi dhe fjalët si, “Kos-mos” në gjuhën angleze, e cila në shqip shqiptohet “Kozmos”, e në serbishte “Kozmos” (Svemir), e që të tria bashkë, kanë kuptimin e njëjtë “Gjithësi”. “Kos-kinomantia” (greqisht), që në përkthim d.m.th. “të profetizuarit - të parathënët”. “Kos-marhija” (greqisht - bota, sundimi), sundimi i botës. “Kos- mika” (greqisht - bota, sundimi), në gjuhën tonë “Kozmik/e’ ’d.m.th. botërore-diçka që i takon krejt botës. “Kos-metika” (mjeshtëria e zbukurimit), d.m.th. “Kozmetikë”, etj. Kështu, prejardhja e fjalës, emrit “Kos”, mund të konsiderohet jo sllave apo të konsiderohet për fjalë e errët, pasi që gjuhëtarët nuk e ndriçojnë për më tepër nga gjitha të dhënat e paraqitura, mendojë se, argumentet flasin që, emri “Kosovë-a” origjinën linguistike e ka në emrin “Kasova”. Prandaj kemi metatezën në shqiptimin e emrit nga “Kasova” në “Kosovë - Kosova”. Sipas konsultimit me një studiues të gjuhës, i cili njehë mjaft mirë gjuhën cirilike sllave dhe gjuhën osmane, tregon se, në shkrimet e vjetra cirilike sllave ndeshim shumë raste kur germa “a” është shkruar “o”, çështje kjo që vërtetohet me krahasimin e dokumenteve. Po kjo shihet edhe te studiuesit serb të cilët, në rastet e përkthimit të dokumenteve mesjetare latine e osmane shumë shpesh, apo në shumicën e rasteve, germën “a” e zëvendësojnë me germën “o”. Një shembull adekuat në këtë drejtim, e arsyeton qëndrimin e theksuar më lartë, e ky është emri i qytetit “Kotor”, i cili në të gjitha dokumentet që nga mesjeta deri në shek. XIX quhet “Katar”. Versionin “Kotor” e gjejmë vetëm në shkrimet sllave, çështje kjo që mund të vërtetohet nga argumente të mjaftueshme.

Nga të gjitha qëndrimet e theksuara më lartë, vlen për ti përmendur edhe njëherë punimet e akademikut J. Rogliç dhe studiuesit M. Carabregu, nga të cilat mundë të theksojmë se, emri “Kosova” ka origjinë Ilire, duke hedhë poshtë teorinë se, emri ka etimologji sllave-serbe. Edhe autorë tjerë janë të këtij mendimi kur theksojnë se, emri “Kosova” [...] me sa dihet, përmendet që nga Beteja e Kosovës (1389). Mendoj se fjala “Kosovë”duhet të jetë fjalë e lashtë ilire apo trake, aq më tepër, kur dihet se, emrin “Kosova” e hasim në shumë vise të Gadishullit Ballkanik [...]. Duke qenë se emërtimin “Kosovë” e hasim edhe në disa vende si në Shqipëri (Kosovë (Fierzë), Kosovë (Piskovë), Kosovë e Vogël, etj.) pastaj në Dalmaci, Bosnje e Maqedoni, në të vërtet mu në pjesët ku ishte zhvilluar etnosi ilir, mendoj se kanë prejardhje të njëjtë. Kështu, “Kosova Dalmatine” përmendet herët si “Campus Merularum” te kronika e “Popit Duklanin” e shek. XII, pra e ka kuptimin e emrit “Fusha e Kosovës”. Emri “Kosova” edhe në këtë dorëshkrim të shek. XIII, thuhet të ishte një termë mbi bazën e gjuhës ilire. Autori, Q. Namani, na ofron të dhëna që, fjala “Kas” nënkupton fjalën “Kështjellë”, me arsye se, vendi kishte shumë kështjella gjatë historisë-vetëm në shek. e VI, kishte 69 kështjella që i paraqet autori Prokopi i Cezares, dhe fjalën “ova” që nënkupton “fushë”. Këto dy fjalë përbëjnë sot në gjuhën shqipe emrin “Fusha e Kështjellave” - “Kasova”, që me një metatezë ndër kohë, emri do të kalon në formën e sotme “Kosovë/a”.

Para përfundimit duhet të theksojmë që, kërkimet e gjertanishme në fushë të toponimisë brenda kufijve të sotëm të Kosovës dhe në kontest të kufijve historik, të cilat i janë përshkruar Dardanisë antike, dëshmojnë për një numër të madh shtresash gjuhësore të saj, studimi i të cilave krijon pasqyrën e saktë të kulturës gjuhësore, etnografike e historike të vendit. Në fondin e përgjithshëm të toponimeve të Kosovës, dhe më gjërë Dardanisë, që e përbën fondi i vjetër Iliro - Shqiptar, do të ndeshim dhe fondin e shtresimeve romake, bizantine, saksone e sllave gjatë mesjetës, osmane gjatë pesë shekujve si dhe serbe në shek. XX Është i njohur fakti se gjuha latine, pas pushtimeve romake të viseve të banuara me popullsi ilire bëhet mjeti kryesor i të shprehurit shkrimor të ilirëve dhe në këtë mënyrë, pa u vërejtur janë futur format romake në onomastikën dhe toponomastikën e vjetër tradicionale ilire. Pasi në këto troje, sundimi Romakë zgjati dhjetëra shekuj, duhet ditur ndikimin e fuqishëm të tyre dhe fesë katolike tek populli që jetonte në këto treva, të cilët bënë që vendi të pranojë edhe elemente latinfolëse dhe që shumë toponime të lashta sot të kanë apelativa latinë. Kjo ndodhi dhe me emrin “Kas-a”.

Derisa fondi i vjetër i toponimisë shqiptare, dëshmohet nga shkrime dhe harta që nga antikiteti, dihet se fondi sllavë i toponimisë mesjetare do të rikonstruktohët nga fundi i shek. XIX duke vazhduar në shek. XX. Të dhënat fragmentare për emrin e vendit (edhe ato për emërtimet e shumë vendeve të tjera të Kosovës) të cilat na i afron lënda arkivore-burimet historike (diplomat mesjetare) dhe dokumente tjera që na paraqiten nga literatura serbe, duhet të merren me rezervë. Këto të dhëna, që nga mesjeta e deri në fillim të shek. XX, nuk kishin karakterin e përgjithshëm të regjistrimit të vendbanimeve. Shumë nga to, janë shkruar dhe përshkruar nga priftërinjtë e kishave ortodokse sllave, të cilët me qëllime e pa qëllime i kishin ndryshuar të dhënat toponimike dhe antroponimike, duke i shkruar në frymën dhe formën e gjuhës sllave, kështu që shumë prej tyre ishin shtrembëruar dhe një pjesë e tyre ishte sllavizuar në mënyrë të drejtpërdrejt me anë të përkthimeve. Siç shihet, prej këtyre të dhënave, toponimia dhe antroponimia shqiptare e popullatës vendëse ishte sllavizuar gati tërësisht. Këto të dhëna, për fat të keq, edhe sot e kësaj dite, hynë në përdorim në shkrimet zyrtare dhe keqpërdorohen nga shkrimet e ndryshme të historiografisë serbe.

Përveç dëshmive të pakontestueshme që dihen për sllavizmin e toponimisë mesjetare shqiptare, ky fond, dhunshëm do të shtresohet mbi toponiminë e vendit, pas okupimit të Kosovës nga Serbia që nga vitet 1913 e këtej. Nga kjo kohë, shumë emërtime të vendbanimeve do të ndërrohen dhe do të zëvendësohen me emra të rinj, p.sh.: Lazarevo, Miloshevo, Obiliç, Gjeneral Jankoviq, Uroshevac, Kosovo Polje, Dobra Voda e tjera. Zakonisht, dihet se pas çdo lufte, më mirë të themi, pas çdo okupimi, gjithherë janë shkaktuar ndryshime të mëdha si gjuhësore e etnografike dhe kulturore-historike të një populli apo të vendit të caktuar. Pushtuesit në këto troje, dhunshëm krijuan emërtimet e vendbanimeve etj., duke krijuar dhe shënimet, hartat topografike me politizime të antroponimeve, toponimeve, hidronimeve dhe vet etnonimeve të vërteta e të vjetra të vendit. Këta, gjatë shekujve, jo vetëm që lënë gjurmë kulturore e fetare, të emrave të njerëzve etj., por për më keq, ngatërruan apo dhe tentuan ta zhdukin topografinë reale të vendit. Rezultati i pushtimeve sot, na e bënë shumë të vështirë të dimë etimologjinë e vërtet të emër vendeve të territorit tonë dhe më gjerë regjioneve ballkanike.

Nga e gjithë kjo që u tha, konstatoj se: tendencat e shkencës së politizuar dhe historiografisë serbe që emrin “Kosovë-a” ta paraqesin me prejardhje sllave - serbe etj., janë vetëm konstruktime, manipulime me qëllime nacionaliste e të pa mbështetura nga dëshmitë historike. Është interesant të thuhet dhe ajo, që vërehet pothuajse në të gjitha punimet e autorëve serb, se, shpjegimin e emrit e marrin nga të dhënat popullore e jo nga të dhënat shkencore.

Është shumë me rëndësi të paraqesim dhe qëndrimet tendencioze serbe që i theksuam në këtë punim, e që kanë të bëjnë me pretendimet për ndërrimin e emrit “Kosovë/a”. Historiografia serbe, që nga gjysma e shek. XIX, e deri në vitet e njëzeta të shek. XX, pretendon dhe provon me të gjitha mjetet që ta quaj vendin me emrin e imagjinuar “Serbia e Vjetër”, por ky tentim bie poshtë, pasi që nuk arrin të hyj në përdorim zyrtar dhe nuk pranohet nga historiografia evropiane e më gjerë. Po ashtu, kemi tendencën që vendi të quhet “Serbia Jugore”, emër që përdoret nga vitet 1920 e deri në vitin 1940, por dihet se edhe ky emërtim nuk pati jetë të gjatë dhe nuk mundi të realizohet. Pas dështimit të dy emrave të parë, tentimi do të vazhdojë pas Luftës së Dytë Botërore, kur vendi do të quhet “Kosova e Metohija”, deri në vitin 1968. Por edhe ky emërtim i pa bazë do të bie, pasi që emri i vendit, sipas Kushtetutës së vitit 1968 të Republikës Federale të Jugosllavisë, me kërkesën e shqiptarëve, u vendos të quhet me emrin që e kishte më parë “Kosovë/a”. Pas këtyre tentimeve, historiografia serbe, kuptohet gjithë kohës me mbështetjen e qeverisë serbe, pasi nuk i mbeti alternativë tjetër, gjeti mbështetje vetëm në mundësin për ta “shpjeguar shkencërisht” prejardhjen e emrit, duke e shpjeguar siç e pamë, se, kinse emri paska prejardhje nga “gjuha sllave-serbe”. Kështu, që nga kjo kohë, pa ndërprerë pretendohet që, edhe sot emri të shqiptohet dhe shkruhet në variantin “Kosovo”. Ky variant, siç del nga dëshmitë e lartpërmendura më lart, nuk ka fare të bëj me farë mbështetje shkencore, përveç asaj që mund ta quajmë, përshtatje e ndjenjës gjuhësore sllave-serbe.

Nga kjo del se, sikur emri “Kosovë” të ishte me “prejardhje sllave”, nuk do të kishim dhe tendencën shekullore të historiografisë dhe qeverisë serbe për ta ndryshuar atë, jo në një variant, por në shumë variante, siç i pamë më lartë. Në këtë drejtim, kemi dhe qëndrimin e autorit serb se, emri është turko-shqiptar, që nënkuptohet se emri, nuk ka prejardhje serbe. Po ashtu, po e ritheksoj qëndrimin e autorit serb që tregon se, emri duke u përshkruar-përkthyer nga vendasit merret dhe kuptohet nga autorët e huaj, sikur se emri ka prejardhje nga “zogu”, kështu që shumë autorë ndërkombëtarë emrin e vendit pasi që e përkthejnë në gjuhët e tyre e quajnë: Campus Merulae, Shamp de Merles ose Amselfeld dhe emërtime tjera që i kemi paraqitur më lartë. Duhet të dihet që këto emërtime të autorëve ndërkombëtarë në literaturën historike fillojnë të paraqiten tek nga fund shekulli XVII, kurse këto do të arrijnë të marrin formë tek gjatë shek. XIX - XX. Pra, këta emra kanë dalë si rezultat i vonë i shkrimeve dhe literaturës historiografike ndoshta të imponuar, dhe për këtë nuk mund të kenë vlera autentike.

Të dhënat e mjaftueshme që i ofruam, më mundësojnë për të përfunduar se, emri i vendit tonë “Kosovë/a”, ka prejardhje nga gjuha ilire-latine-shqipe. Prejardhja e emrit lidhet me emrin e një kështjelle, qyteti, province, mali apo fushe që ekzistoi në vendin tonë ndër shekuj. Po ashtu nga të dhënat, mund të theksojmë se, emrin mund të kuptojmë që paraqet vendin e vjetër të qytetëruar, vendin e kështjellave, vendin e kasollave-shtëpive etj. Por për mundësinë e kuptimit të emrit, mendoj se është reale t’ia lëmë gjuhëtarëve, etimologëve për të dhënë rezultatet e tyre në këtë drejtim, që do të ishte zgjidhja më e mirë dhe përfundimtare e ndriçimit të çështjes, që mendoj se, në të ardhmen e afërt këto rezultate nuk do të na mungojnë. E rëndësishmja e këtij punimi është se, të dhënat historiografike dëshmojnë që, emri ka prejardhje dhe kuptim nga vendi dhe gjuha e popullit që jetoi mijëra vite në këto treva - popullit shqiptar.[1]

Shih edhe Redakto

Burimi i të dhënave Redakto

Referime Redakto

  1. ^ a b Kraja, Mehmet, red. (2018). "Fjalori Enciklopedik i Kosovës". (Encyclopedic Dictionary of Kosova). Vëll. 1. Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. fq. 869 - 852. ISBN 9789951615846. OCLC 1080379844.
  2. ^ https://pashtriku.org/drqazim-namani-nocioni-gjeografik-kosove-dhe-krijimi-i-viljetit-te-kosoves/
  3. ^ https://stopinjorances.blogspot.com/2010/06/fusha-e-kosoves-fusha-e-keshtjellave.html
  4. ^ https://www.ishgj.org/analize/gjurmet-arkeologjike-ne-qytetin-e-kassoves-me-rrethine/