Rashinca
fshat në Kosovë
Rashincë është një vendbanim në komunën e Shtimes, Kosovë. Pas vitit 1999 fshati është i njohur edhe me emrin Rrashinë
Rashincë
Rrashinë | |
---|---|
Fshat |
Fshati Rashincë shtrihet në rrafshinën e lumit Shtimjanja (Gërkova), 4 kilometra në veri-lindje të Shtimes. Është vendbanim i dendur. Lartësia mbidetare e fshatit është 558 metra. Rashinca kufizohet me qytetin e Shtimes, Davidoc, Muzeqinë dhe Koshare.
Si vendbanim është përmendur në defterin kadastral osman të Vilajetit Vëllk të vitit 1455 me emrin Rashince dhe në atë kohë kishte 30 shtëpi, me banorë të besimit të krishterë. Fshati në fjalë, konsiderohet një prej vendbanimeve më të vjetra të kësaj treve. Kërkimet arkeologjike të bëra në vitin 2004, në këtë fshat treguan për praninë e një vendbanimi të hapur në vendin e njohur me toponimin “Gumure”, gjegjësisht “Arat e Kishës”. Nisur nga fakti që janë gjetur disa fragmente qeramike me glazurë, arkeologët mendojnë se bëhet fjalë për një fshat të braktisur rreth dy shekuj më parë. Para vendosjes së paraardhësve të shqiptarëve të sotëm, thuhet se fshati ka qenë çiflig i Shahin Agës nga Prishtina. Sipas burimeve gojore vëllazëria më e vjetër në Rashincë ka qenë familja shqiptare Gollçi e vendosur në pjesën lindore të fshatit (në drejtim të Gllavicës), përkatësisht në vendin që sot quhet “Mahalla”. Ky vendbanim rezulton se është braktisur vonë dhe thuhet se është shkatërruar nga sëmundja ngjitëse shumë e rëndë, murtaja. Familje Gollçi, thuhet se është shpërngulur në Ferizaj. Pas tyre sipas gojëdhënave rreth vitit 1700 kanë ardhur nga Tetova familja Rexha e fisit Berishë, me origjinë nga bajraku i Berishëve të Pukës. Kjo familje shumë herët zhvendoset në fshatin Gradec, rrethi i Tetovës dhe në atë kohë mbante mbiemrin Deralla. Ishte ndër familjet e para që pranoi islamin dhe për këtë u shpërblye me shumë tokë nga Perandorai Osmane. Në ndërkohë, Rexhep Deralla shpërngulet në Rashincë me dy djemtë: Muratin dhe Tahirin. Murati ka vdekur qysh në moshë të re, ndërsa Tahiri kishte tri vajza dhe një djalë, Rrahimin, i cili gjithashtu kishte vetëm një djalë, Rexhën. Rexha ka pasur pesë djem: Sahitin, Kadriun, Sadriun, Ramadanin dhe Mehmetin, tre prej të cilëve kanë vdekur nga murtaja, mirëpo për fat arritën të shpëtojnë vetëm Sahiti me vëllaun e vogël, Mehmetin. Më vonë kjo vëllazëri është degëzuar dhe njihet si vëllazëria e Rexhë Bilallit që ka gjashtë shtëpi si dhe vëllazëria e Nebih Avdullahut me tri shtëpi. Pasardhësit e të dy vëllazërive e kanë mbiemrin Rexha. Mandej, nga Galica e Drenicës janë vendosur vëllazëria Lami e fisit Berishë. I pari i tyre ka qenë Selmani, i cili ka pasur katër djem: Islamin, Ajetin, Rexhepin dhe Ahmetin. Islami (Lami) nuk ka lënë pasardhës, mirëpo në shenjë respekti kjo vëllazëri ka marrë mbiemrin Lami, të cilin e bartin gjeneratat e kësaj familje edhe sot. Nga kjo familje ka edhe me mbiemër Galica, të cilin e kanë marrë nga fshati i prejardhjes së tyre. Kjo vëllazëri kusherinjtë i kanë në fshatin Galicë (Vushtrri), me të cilët ende mbajnë lidhjet familjare dhe kanë mbiemrin Haliti. Vëllazëria Qorrolli dhe Haxhiu, të fisit Berishë kanë ardhur kah mesi i shekullit të 18-të nga Nerodimja e Epërme e Ferizajt. I pari i tyre që ka ardhur në Rashincë është Mehmeti, i cili ka pasur dy djem: Shaqën dhe Zekën. Shaqa ka pasur një djalë, Bajram Qorrin, i cili ka pasur katër djem: Halitin, Zejnën, Mehmetin dhe Hazirin. Bajrami thuhet se ka pasur njërin sy të verbër dhe në bazë të kësaj ka marrë mbiemrin Qorri, që më vonë nga administrata turke është shndërruar në Qorr-olli (nga turq. oglu. ‘i biri’), gjë që edhe sot kjo vëllazëri brez pas brezi e bartë këtë mbiemër. Ndërkaq, vëllau i Shaqës, Zeka ka pasur tre djem: Limanin, Sylën dhe Eminin. Në atë kohë, Zeka kishte vendosur të niset drejt vendit të shenjtë, në Qabe (Mekë) për të kryer kushtin e pestë të Islamit, Haxhin, gjë që nga kjo kohë, vëllazëria Haxhiu kanë marrë këtë mbiemër që edhe sot brezat e rinj e trashëgojnë. Këto dy vëllazëri, thuhet se kanë prejardhje nga Luma e Shqipërisë Veriore dhe kur janë vendosur në Nerodime të Epërme kanë qenë shqiptar me përkatësi fetare katolike, mirëpo pas një kohe të shkurtër kanë kaluar në fenë islame. Vëllazëria Cani (tash me mbiemër Can-olli dhe Rushiti) e fisit Kryezi, kanë ardhur nga Pleshina e Ferizajt. Nga kjo vëllazëri të parët e tyre janë vëllezërit: Sahit dhe Ryshë Bekteshi, të cilët janë shpërngulur në Rashincë. Sahiti ka pasur dy djem (Sylejmanin dhe Selmanin), pasardhësit e të cilëve kanë mbiemrin Can-olli. Kushërinjët e kësaj familje në Pleshinë e kanë mbiemrin Cani, mirëpo këta në Rashincë e kanë marrë mbaresën “olli” qysh në kohën e sundimit të Perandorisë Osmane. Ndërsa, Rysha ka pasur tre djem: Rexhepin, Xhemën dhe Imerin, pasardhësit e të cilëve kanë mbiemrin Rushiti. Ky mbiemër ka ardhur nga Rysha, i cili gjatë okupimit serb është bastarduar nga administrata e tyre në Rush-iti. Ndërsa, në vitin 1878, Ivanjët, të fisit Krasniq, tashti me mbiemër Muhaxheri, kanë ardhur si muhaxhirë nga rrethina e Leskovcit, përkatësisht nga treva e Pusta Rekës. Në Rashincë kanë jetuar edhe 5 familje të komunitetit ashkali me mbiemër Brahimi, të cilët nuk kanë qenë banorë të përhershëm, por për shkak të gjendjes së atëhershme ekonomike kanë shërbyer si rrogëtarë tek familjet shqiptare dhe shpesh kanë ndërruar vendbanimet e tyre të jetës. Këto familje të komunitetit ashkali, në vitet ’60 janë shpërngulur në Shtime, Ferizaj dhe Beograd. Shtëpitë e tyre kanë qenë kryesisht prapa xhamisë së fshatit.
Shih dhe këtë
RedaktoLidhje të jashtme
Redakto
Qyteza: Shtime dhe fshatrat:
Belinca | Carraleva | Davidoci | Devetaku | Duga | Gllavica | Godanca e Epërme | Godanca e Poshtme | Gjurkoci | Karaçica | Llanishti | Mollopolca | Muzeqina | Petrova | Petroviqi | Pjetërshtica | Ranca | Rashinca | Reçaku | Topilla | Zborca | Zotaj
Ky artikull me tematikë në lidhje me gjeografinë e Kosovës është një faqe cung. Ju mund të ndihmoni Wikipedia-n duke e përmirësuar atë. |