Riza Dani (Shkodër, 1887 - 1947) ishte veprimtar i çështjes kombëtare, prefekt, dhe deputet si në parlamentin e parë shqiptar (1921-1923) ashtu edhe pas Luftës së Dytë Botërore.

Fotoporteti
Riza Dani
Emri Riza
Mbiemri Dani
Lindur më 1887
Lindur në Shkodër, Perandoria Osmane
Vdiq më 1947
Vdiq në
Kombësia Shqiptar
Profesioni nëpunës, politikan
Mirënjohje

Biografia

Redakto

U lind në Shkodër në një familje qytetare, i biri i Hasanit dhe Baftes.[1] Mbasi mbaroi Ruzhdijen në Shkodër, studimet e larta i ndoqi dhe i kreu në Stamboll, ku dhe u lidh me lëvizjen kombëtare.[2] Pasi kishte jetuar për një kohë të gjatë në Egjipt, u kthye në vendlindje ku qe nëpunës në Zyrën e arsimit të vilajetit.[3]

Së bashku me Luigj Gurakuqin, Hilë Mosin, Mati Logorecin, vëllaznit Kraja qe ndër 166 pjestarët e klubit "Gjuha shqipe" themeluar prej Kel Marubbit. Qe shumë aktiv për ngritjen e flamurit më 1913 në Shkodër së bashku me të vëllanë, Dan Hasanin. Malazezët u përpoqën ta arrestonin më 1914, por iku në Mirditë. Qe ndër organizatorët e lëvizjes kundër austro-hungarezëve që u mbajt tek "Xhamia Plakë" po në Shkodër,[2] ku më pas mori pjesë në administratën austro-hungareze në Drejtorinë e Përgjithshme të Drejtësisë.[4]

Qe pjesë e organizatës revolucionare "Krahu Kombëtar" dhe qe ndër këshilltarët e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, të cilin e përfaqësoi në Kongresin e Durrësit.[5] Në vjeshtën e vitit 1919 pasi Komiteti Qendror i organizatës "Krahu Kombëtar" nuk e pranoi në radhët e veta, doli nga kjo organizatë.[6]

U zgjodh deputet i parlamentit të parë shqiptar (1921-1923), i cilësuar «ex-Nêkryetari i Klubit "Bashkim" dhe i shoqërisë "Vaso Pasha"»,[7] duke bashkëpunuar ngushtë me Gurakuqin,[8] dhe bëri pjesë në grupin e 12 deputetëve shkodranë.[2] Fillimisht qe pjesë e shkaktarëve të krizës së dhjetorit 1921,[9] më pas vetëm ka përkrahur opozitën ku figura kryesore ishin Gurakuqi dhe Noli.[10] Mbështeti Lëvizjen e qershorit më 1924 dhe u caktua prefekt i Durrësit përgjatë qeverisë së Nolit. Me Triumfin e Legalitetit dhe ardhjes edhe njëherë në pushtet të Ahmet Zogut, u largua drejt Italisë me bashkëpunëtorët e lëvizjes nga Vlora[11] më 24 dhjetor 1924.[12] Po hante darkë me Gurakuqin në restorantin e hotel "Cavour" në Bari, para se miku i tij të vritej.[13] Më 21 tetor të 1925 u lëshua një letërqarkore nga Prefektura Shkodër, ku Dani figuron në listën e emrave që ishin të lirë të ktheheshin në atdhe, por nuk u kthye.[14]

Qe ndër anëtarët e opozitës së vjetër që mori pjesë në "Konare",[15] u vendos në Zara dhe si anëtarët e tjerë të Konares, kishte kontakte me jugosllavët.[16] Shtatorin e 1927 u largua nga Konareja, pasi Kominterni kërkoi riorganizim ideologjik të Komitetit drejt së majtës.[17][18] Pas kësaj mbështeti qëndrimet e Mustafa Krujës, të dy të ndihmuar nga Italia;[18][19] më pas me Krujën pati një thyerje në relata.[20] Pas atentatit ndaj Zogut në Vienë më 1931, autoritetet austriake e larguan dhe Dani u zhvendos në Fiume.[21]

U kthye në atdhe më 5 qershor 1939 pas pushtimit italian, më 10 tetor 1940 anëtar i Këshillit të Shtetit (deri më 1943[22]) kërkoi vjetërsi/pension shërbimi për kohën e emigracionit bashkë me disa dhjetëra antizogistë të tjerë. Më 18 prill 1940 vizitoi Vlorën me rastin e mitingut të njëvjetorit të "bashkimit personal" me Italinë, si figurë e lartë e kohës.[12] Qe gjithashtu anëtar i Komisionit për përcaktimin e rrogave jetike për meritat e atdheut.

Pas kapitullimit të Italisë më 1943, anoi nga Lëvizja Nacional-Çlirimtare, kryetar i Këshillit Antifashist të qytetit[14] dhe pas Kongresit të Përmetit më 24 maj zgjedhet anëtar i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar. Megjithatë, pë shkak se bënte pjesë në partinë nacionalçlirimtare qeveria Mitrovica e pushon nga puna si anëtar i Këshillit të Shtetit më 29 prill 1944 duke filluar zbatimi financiar nga 3 dhjetori 1943.[14] Pas ardhjes në fuqi të komunistëve, qe kryetar i Komitetit Ekzekutiv i Prefekturës Shkodër 1944-1945[23] dhe pas janarit 1945 anëtar i Komisionit për asistencën sociale për ndihmë të të dëmtuarve nga Lufta, formuar nga Këshilli Nacionalçlirimtar në Shkodër.[24] Kandidoi dhe u zgjodh deputet nga lista e kandidatëve të Frontit Nacionalçlirimtar në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945.[14]

Në parlamentin e ri ishte një nga drejtuesit e opozitës. Me 12 janar 1946, kur po mbahej mbledhja e katërt e kësaj Asambleje, që si pikë të dytë të rendit të ditës kish zgjedhjen e Presidiumit të Asamblesë, Riza Dani e kundërshtoi listën e propozuar në emër të pesë deputetëve të Beratit nga Kahreman Ylli. Mbas shumë debatesh fitoi të drejtën për të paraqitur edhe ai një listë të re, ku përfshiu Sheh Ibrahim Karbunarën, Aleksandër Xhuvanin, Kolë Kuqalin etj., por jo Enver Hoxha. Më 21 janar 1946, kur po diskutohej projektrregullorja e Asamblesë, Dani replikoi me guxim me Koçi Xoxen dhe Hoxhën. Ai kërkoi që procesverbalet e plota të botoheshin në Gazetën Zyrtare. Për këtë arsye Dani u vu në qendër të kritikave dhe të goditjeve. Më 23 dhjetor 1946, atij dhe tre të tjerëve, iu hoq mandati i deputetit. Më 14 maj 1947, mbërriti vendimi i Byrosë Politike, firmosur nga Enver Hoxha, Nako Spiru, Hysni Kapo dhe Shefqet Peçi, ku urdhërohej arrestimi i dhjetë deputetëve dhe dënimi i tyre me vdekje. Akuzave të tjera, iu shtua edhe ajo e organizatorit të Lëvizjes së Postribës. Dhe më 22 janar 1948, Këshilli i Gjykatës së Lartë Ushtarake e dënoi me vdekje,[25] i indinjuar Dani i përgjigjet akuzës në gjyq: "Me 9 shtator më ka vdekë vajza, fëmija i vetëm, e ju mendoni se tue pasë kyt rast në shpi do merresha me Lëvizjen? Paçi hijen tuej!".[1] Në hetuesi dhe në gjyq mbajti qendrim të pathyer dhe nuk pranoi asnjë nga akuzat, ndonëse u torturua çnjerëzisht. U ekzekutua më 7 shkurt të po atij viti[25] në një varr kolektiv me deputetët e tjerë, ende deri më sot të pagjetur.

Familja dhe pronat

Redakto

Në mesin e shtatorit të 1946 u arrestuan të gjithë meshkujt e familjes Dani, nga gjyqet, dënohet 3 vetë prej tyre me 26 vite burg së bashku dhe iu sekuestruan shtëpitë dhe fabrikat.[13]

Referime

Redakto
  1. ^ a b Pepa, Pjetër (2009). Visar Zhiti (red.). Dosja e Diktaturës. Tiranë: Kumi. ISBN 9789995648398.
  2. ^ a b c Bushati, Hamdi (1998). Shkodra dhe motet. Vëll. 1. Shkodër: Idromeno. fq. 545–546. OCLC 645720493.
  3. ^ Clayer, Nathalie (2012) [2007]. Në fillimet e nacionalizmit shqiptar: Lindja e një kombi me shumicë myslimane në Evropë. Përkthyer nga Artan Puto (bot. 2). Tiranë: Botime "Përpjekja". fq. 614. ISBN 9789994302536.
  4. ^ Quku, Mentor (2009). Mjeda 4: Identitet (1912-1925). Tiranë: ILAR. fq. 228. ISBN 978-99956-07-60-9.
  5. ^ Vllamasi, Sejfi (2012). Ballafaqime politike në Shqipëri. Tiranë: Vllamasi. fq. 127–8, 153, 155. ISBN 9789928140548.
  6. ^ Vllamasi 2012, p. 175.
  7. ^ "Lajme, Rrokull Shqypnis". bibliotekashkoder.com. Hylli i Dritës, v. 2, nr. 2. qershor 1921. Arkivuar nga origjinali më 2 maj 2018. Marrë më 15 korrik 2018.
  8. ^ Vllamasi 2012, pp. 241-242.
  9. ^ Vllamasi 2012, p. 259.
  10. ^ Juka, Gëzim H. (2018). Shkodranët e 7 prillit dhe të 29 nëntorit. Tiranë: Reklama. fq. 8. ISBN 9789928440358.
  11. ^ Vllamasi 2012, p. 392.
  12. ^ a b Juka 2018, pp. 50-51.
  13. ^ a b Dani, Kujtim (31 tetor 2017). "Historia e deputetit shkodran". gsh.al. Gazeta Shqiptare.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  14. ^ a b c d Juka 2018, pp. 189-190.
  15. ^ Vllamasi 2012, p. 421.
  16. ^ Vllamasi 2012, p. 428.
  17. ^ Vllamasi 2012, p. 431.
  18. ^ a b Juka 2018, p. 12.
  19. ^ Vllamasi 2012, p. 434.
  20. ^ Këlcyra, Ali (2012). Shkrime në historinë e Shqipërisë. Tiranë: Onufri. fq. 165. ISBN 9789995687816.
  21. ^ Vllamasi 2012, p. 446.
  22. ^ Juka 2018, p. 54.
  23. ^ Juka 2018, p. 110.
  24. ^ Juka 2018, p. 106.
  25. ^ a b "Fjalor Enciklopedik i Viktimave të Terrorit Komunist v. II (D-G)" (PDF). iskk.gov.al. Instituti i Studimit të Krimeve dhe Viktimave të Komunizmit. 2013. fq. 46-47. ISBN 978-9928-168-01-6.{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)