Sistemi i miletit ishte në Perandorinë Osmane nga shekulli i 16-të deri në fillim të të 20-tit sistemi që përcaktonte me ligj statusin e pakicave jo-myslimane dhe autonominë e bashkësive fetare. Mileti (osmanisht ملت) quhej në Perandorinë Osmane kombi i përkufizuar sipas besimit.

Gjatë ekzistencës së saj 600 vjeçare Perandoria Osmane u zhvillua në një sistem shtetëror shumë-besimesh, ku sistemi i miletit përbënte sistemin ligjor të statusit të secilës bashkësie të veçantë fetare dhe të të gjithë jo-myslimanëve në bazë të të drejtës islamike. Dmth. miletet ishin krijuar në bazë të feve dhe jo sipas aspekteve etnike.

Termi „milet“ Redakto

Termi arab mila (arabisht ملة, shumës ملل = milal), i cili është përvetësuar nga osmanishtja, do të thotë ‚bashkësi fetare‘. Pakicat e njohura ligjërisht ishin të organizuara si milete sipas përkatësisë së tyre fetare. Ky sistem u garantonte këtyre grupeve fetare disa të drejta, në mënyrë që ata të rregullonin vetë çështjet e tyre. Nënshtetasit çifutë dhe kristianë quheshin sipas të drejtës islamike dhimmi që do të thotë „të mbrojtur“, të cilët dispononin nga një shkrim të shenjtë të vetin. Me çështjet dhe konfliktet që preknin si nënshtetasit myslimanë ashtu edhe ata të krishterë merrej e drejta islamike, shari'a. Pesha e taksave për dhimmi-t ka qenë më e madhe se sa për myslimanët. Përveç kësaj ekzistonin një sërë rregullash diskriminuese dhe gjëra të ndaluara si psh. ndalimin e disa kafshëve të shalës.[1]

Historia Redakto

Rrethimi i Konstandinopojës më 1453 nga Osmanët i dha fund Perandorisë Romake të Lindjes.

Peshkopi i Kostandinopojës, detyra e të cilit pretendohej ta kishte origjinën nga apostulli Andrea, ishte që nga viti 381 patriark duke pasur për më se një mijëvjeçar (deri në pushtimin e qytetit) një pozitë të lartë. Në fakt atij iu lejua të vazhdonte të qëndronte në qytet por iu morr Hagia Sofia, e cila u shndërrua në xhami (duke mbetur e tillë deri më 1932). Selia e re e patriarkut u bë bazilika e Hagios-Georgios në lagjen Fanar.

Nëpërmjet sistemit të miletit Perandoria Osmane u riorganizua duke i vendosur grupet etnike në relativisht tolerancë përkrah njëri-tjetrit. Sistemi i miletit u garantonte të krishterëve dhe çifutëve që jetonin aty të drejta të caktuara; nga ana tjetër anëtarëve të këtyre bashkësive fetare („të mbrojturve“ ) iu ndalua mbajtja e armëve si dhe iu caktua pagimi i të ashtuquajturës „taksës për frymë“.

Miletet Redakto

Deri në shekullin e 19-të ekzistonin vetëm tre kombe fetare të njohura nga osmanët: kombi çifut, apostolik armen dhe ai grek. Por deri më 1914 numri i kombeve të njohura fetare u rrit në 17, ku bënin pjesë edhe bashkësi konvertitësh nga kishat e ndryshme nacionale të lindjes (protestantë dhe të bashkuar me Romën).[2]

Miletet gëzonin të drejta autonomie (krysisht për të drejtën familjare dhe private) dhe ishin nën sundimin e autoritetit kishtar përkatës. Ata nxirrnin ligje dhe caktonin taksa brenda sferës së kompetencës së tyre. Këtu ata duhej të ishin lojalë (besnikë) ndaj Perandorisë Osmane. Kur një pjesëtar i një mileti bënte një vepër kriminale kundra një pjesëtari të një tjetri, hynte në fuqi ligji i palës së dëmtuar. Por shumica sunduese islamike ishte gjithmonë eprore; si pasojë edhe konfliktet ku ishin përzier myslimanët i nënshtroheshin shari'a-s.

Më 1829 shteti osman e njohu patriarkatin katolik por jo duke e përkufizuar si milet tjetër. Patriarku zgjodhi Aleppon si qytet rezidencë dhe më 1850 u vendos në Mardin.[3]

"Ymet" myslimane Redakto

Bashkësitë myslimane përbënin umma-n, ku sulltani ishte njëkohësisht edhe kalif. Ligjet osmane nuk i njihnin termat si „përkatësi etnike“ ose „shtetësi“, kështu që çdo mysliman, pavarësisht nga prejardhja etnike, gëzonte të njëjtat të drejta dhe privilegje.

Drejtimet e ndryshme myslimane të besimit, të cilat shiheshin si devijime nga sunna e dinastisëkalifëve, si psh. shiitët, alavitët, alevitët dhe jezidët, nuk gëzonin status të veçantë ligjor dhe trajtoheshin në përgjithësi si pjesë e umma-s myslimane; vetëm sinkretistët druzë e Xhebel ed-Duruz-it dhe të malësisë së Libanit gëzonin një farë autonomie feudale.

Mileti ortodoks Redakto

Që në fillim banorët grekë të Konstandinopojës i kishin të gjitha mundësitë të ngjiteshin në pozita të larta në fushën e tregtisë, politikës, fesë dhe ushtrisë. Në këtë mënyrë patriarku i Konstandinopojës u pajis me kalimin e kohës me pushtet dhe autoritet të madh fetar dhe politik por gjithmonë nën kontrollin e rreptë të shtetit.

Ndër ortodoksët, grekët ishin ata që vendosnin për çdo gjë, megjithëse në miletin ortodoks bënin pjesë edhe bullgarët, rumunët, serbët etj. Fanariotët grekë (siç do të quheshin ata më vonë për shkak të selisë së patriarkut në lagjen Fanar) shërbenin edhe si diplomatë të sulltanit në Evropë dhe si mëkëmbës lokalë të sulltanit në Ballkan; Grekëve të brigjeve të Egjeut iu dhanë privilegje tregtare; ata ngritën flotën luftarake, e cila do të bëhej së shpejti fuqia detare e perandorisë. Faktikisht edhe disa grekë të pasur u bënë rezistencë bashkatdhetarëve të tyre gjatë luftës së Greqisë për pavarësi më 1821–1831 për shkak të frikës së humbjes së privilegjeve.

Nga ana tjetër popullsisë së krishterë të Ballkanit i ishin hequr në këtë kohë shumë të drejta duke bërë që ajo të mos zhvillohej dot përtej nivelit së fshatarsisë. Shenjat më të vogla të devijimit shtypeshin shpesh në mënyrë mizore (shih psh. kryengritjen bullgare të prillit).

Mileti armen Redakto

Armenët njiheshin në fillim nga shteti si bashkësia fetare apostolike armene.

Pas marrëveshjes së paqes së Adrianopojës (1829) armenët katolikë arritën të sigurojnë garancinë për lirinë e fesë dhe njohjen si mileti armen unionist i pavarur nga patriarkati apostolik armen. Edhe deri më 1828 u zhvillua përkrah betejës së Navarinos një përndjekje katolikësh, ku rreth 12 mijë armenë katolikë u dëbuan si spiunë frankë në mes të dimrit nga Konstandinopoja për në Ankara. Si përfundim më 1831 u bashkuan të gjitha konfesionet katolike të Perandorisë osmane nën autoritetin e peshkopit unionist armen si milet më vete.

Në vitin 1850 u njohën zyrtarisht si komb fetar protestantët armenë.

Mileti çifut Redakto

Çifutët e Perandorisë Osmane nuk ishin grup homogjen por jetonin si pakicë e integruar dhe e toleruar nga popullsia islame në zona të ndryshme socio-kulturore.[4] Ata gëzoni privilegje të ngjashme me fanariotët (liritë pjesërisht më të mëdha të historisë çifute).

Çifutët më të vjetër ishin romaniotët vendas grekofolës. Imigrantët e parë, kryesisht ashkenazitë, erdhën nga Evropa veriore. Ata u kapërcyen shumë në numër si pasojë e imigracionit të sefardëve nga Evropa jugore në fund të shekullit të 15-të, të cilët u vendosën kryesisht në Stamboll, Selanik, Smirna, në rrafshnaltën e Anadollisë dhe në Ballkan.

Çifutët e ardhur nga Evropa sollën njohuri me rëndësi për mjekësinë dhe shtypin. Shtypshkronja e parë turke u vu në punë jo më herët se në shekullin e 18-të.

Në shekullin e 19-të sistemi i miletit, i cili ishte krijuar në rradhë të parë për komunitetet greke dhe armene, u zgjerua edhe për komunitetet çifute. Deri në fillim të shekullit të 20-të çifutët (bashkë me armenët dhe grekët) mbizotëronin tregtinë në të gjithë Perandorinë Osmane. Ata ishin njohur si milet dhe i nënshtroheshin autoritetit të hamambashi-t, krye-rabinit, i cili ishte i pajisur me privilegje të ngjashme si kreu i kishës greke ose armene.

Fundi i sistemit të miletit Redakto

Duke filluar nga fillimi i shekullit të 19-të Perandoria Osmane ishte tashmë vetëm hija e vetvetes. Trazirat e brendshme politike dhe sociale, disfatat ushtarake dhe ndikimi gjithnjë e më i madh nga ana e fuqive të mëdha evropiane e kishin keqësuar shumë gjendjen e jetës sociale të njerëzve në Perandorinë Osmane [5]. Fuqia në rritje e botës kristiane dhe idetë e Revolucionit Francez shkaktuan tek nënshtetasit e krishterë të Perandorisë Osmane një valë pakënaqësie. Fshatarët jo-myslimanë, (si hallka më e dobët e hierarkisë sociale ushtarakisht pre për këdo) kishin vetëm dy mundësi: ose të shpërnguleshin në qytetet e sigurta ose t'u luteshin fuqive evropiane për mbrojtje ushtarake.

Këndvështrimi i sistemit të miletit nga ana fetare ndryshoi për njerëzit në një identitet të ndjerë si pakicë kulturore, pikëpamje kjo që përputhej me idetë e politikanëve evropianë (kjo problematikë ra në një kohë kur në Evropë po lindte nacionalizmi kombëtar[6]), ku si pasojë politika ishte përqëndruar tek dhënia e të drejtave të veçanta për pakicat sipas saj të shtypura jo-myslimane. Në këtë mënyrë bashkësitë fetare, të cilat ishin integruar në konceptin e shtetit osman nën termin e mileteve, u shndërruan në pakica etnike të disfavorizuara nga ana socile që duheshin mbrojtur.

Reformat e tanzimatit Redakto

Qeveria osmane përpiqej t'i kundërvihej rrezikut të separatizmit etniko-nacional me anë të reformimit të sistemit të miletit duke arritur ngadalë shfuqizimin e klerit të mileteve. Në kuadër të reformave të tanzimatit qeveria osmane vendosi me dekret në formën e hatt-i humajun (dorëshkrimit perandorak) të 18 shkurtit 1856 barazinë e të gjithë nënshtetasve të perandorisë dhe garantimin e privilegjeve dhe imuniteteve kishtare [7], gjë që jo vetëm i vendoste jo-myslimanët në një shkallë të barabartë (çka gjithashtu për ligjet islamike vlente edhe si shkelje e rëndë e dogmave ligjore), por kjo krijoi edhe një pozitë të privilegjuar që sa erdhi e u zgjerua si pasojë e ndikimit në rritje të fuqive të mëdha evropiane.

Fuqive evropiane, në radhë të parë Anglisë dhe Francës, u „interesonte“ jo vetëm „mbrojtja“ e të krishterëve në Perandorinë Osmane. Me realizëm politik ato përpiqeshin të frenonin ekspansionin e Rusisë drejt jugut, qëllim ky që ato mund ta arrinin vetëm duke penguar desintegrimin (copëtimin) e Perandorisë Osmane. Kështu ato e përkrahën politikën e reformave sepse kjo ishte sipas tyre një strategji stabilizuese.

Por reformat nuk hasën aspak vetëm në duartrokitje pa rezerva: sidomos kleri i kishës ortodokse greke, si për shkak të shekullarizimit (laicizimit) të njoftuar në deklaratë, ashtu edhe të barazisë që i vinte në rrezik privilegjet e garantuara nga sistemi tradicional i miletit, i druhej humbjes së pozitave të vjetra dhe bashkë me të keqësimit të gjendjes së vet[8].

Reforma e miletit ishte për qeverinë osmane kontraproduktive (me efekt të kundërt) pasi ajo e favorizoi fuqizimin e borgjezisë me pikëpamje etniko-nacionale brenda komuniteteve të nënshtetasve të krishterë. Ky zhvillim u dha shtytje luftërave për pavarësi në Ballkan duke përforcuar dëshirën për të dalë nga konfederata osmane. Nga ana tjetër kjo çoi edhe në ngritjen e gjerë sociale të jo-myslimanëve të qyteteve në ekonomi dhe administratë, të cilët (ngjashëm me klerin) i druheshin humbjes së privilegjeve të fituara. Ndërsa popullsia myslimane e ndjente këtë zhvillim tashmë vetë si dëbim dhe përzënie, sidomos në marrëdhëniet me tregtarët dhe shtetet evropiane.

Fundi Redakto

Një ndër pengesat më të mëdha të reformave ishin njohuritë e varfëra të qeverisë mbi shumicën e provincave të perandorisë së vet. Për shumë rajone nuk ekzistonin as harta gjeografike.[9]

Koncepti i shtetit kombëtar kushtëzohet në parim nga barazia e të gjithë shtetasve. Por elita turke nuk kishte hequr kurrë dorë nga pretendimi se „etnia sunduese“ (millet-i hakime) përcaktohej përmes përkatësisë në fenë islame dhe në kombin turk. Kjo tendencë u zgjerua nëpërmjet lindjes së turanizmit në fundin e shekullit të 19-të.

Pas rënies së perandorisë osmane, republika e re laiciste (jo-fetare) i dha fund sistemit të miletit. Më vonë, nën pushtetin xhonturk dhe në Republikën e Turqisë filluan të mos pranohen pakicat etnike në tokën osmane dhe turke. Që prej rënies së turpshme të perandorisë osmane republika kishte frikë të madhe dhe mosbesim të thellë ndaj pakicave etnike pasi ajo nuk besonte më në lojalitetin e tyre.[10]

Literaturë Redakto

  • Fikret Adanır: Der Zerfall des Osmanischen Reiches. (Rënia e Perandorisë Osmane) Në: Alexander Demant: Das Ende der Weltreiche. Von den Persern bis zur Sowjetunion (Fundi i perandorive të mëdha. Nga persianët deri tek Bashkimi Sovjetik). Beck, München 1997, ISBN 3-406-41850-3, f. 108–128.
  • Benjamin Braude, Bernard Lewis: Christians and Jews in the Ottoman Empire. The functioning of a plural society. Pjesa 2: The Arabic-speaking lands. Holmes & Meier, New York NY 1982, ISBN 0-8419-0520-7.
  • Youssef Courbage, Philippe Fargues: Christians and Jews under Islam. Translated by Judy Mabro. Tauris, London 1997, ISBN 1-86064-013-3.
  • Yavuz Ercan: Osmanlı Yönetiminde Gayrimüslimler. Kuruluştan Tanzimat'a kadar Sosyal, Ekonomik ve Hukuki Durumları. (Jo-myslimanët në administratën osmane. Gjendja sociale, ekonomike dhe ligjore prej krijimit deri në tanzimat). Turhan, Ankara 2001, ISBN 975-6809-59-0 (Türk kültürü dizisi. Araştırmalar, inçelemeler 2).
  • Bilal Eryılmaz: Osmanlı Devletinde Gayrimüslim Teb´anın Yönetimi. (Administrimi i nënshtetasve jo-myslimanë në Perandorinë Osmane). Risale, Istanbul 1990 (Risale yayınları 50), f. 215–218.
  • Çağlar Keyder: Bureaucracy and Bourgeoisie. Reform and Revolution in the Age of Imperialism. Në: Review XI, 2, Spring 1988, f. 151–165.
  • Elçin Kürsat: Der Verwestlichungsprozeß des Osmanischen Reiches im 18. und 19. Jahrhundert. Zur Komplementarität von Staatenbildungs- und Intellektualisierungsprozessen. (Procesi i oksidentalizimit të Perandorisë Osmane në shekujt e 18-të dhe 19-të. Komplementariteti i proceseve të themelimit të shteteve dhe të intelektualizimit) 2 Vëllime. IKO-Verlag, Frankfurt am Main 2003, ISBN 3-88939-683-6
  • Bernard Lewis: The Jews of Islam. Princeton 1984. ISBN 3-406-32037-6, passim.
  • Bernard Lewis: The Middle East: A Brief History of the Last 2000 Years. New York: Scribner, 1995, f. 302.
  • Nicola Melis: Il concetto di ğihād. Në: Patrizia Manduchi: Dalla penna al mouse. Gli strumenti di diffusione del concetto di gihad. Angeli, Milano 2006, ISBN 88-464-7835-5 (Temi di storia 83), f. 23–54.
  • Nicola Melis: Lo statuto giuridico degli ebrei dell’Impero Ottomano. In: Martino Contu, Nicola Melis, Giovannino Pinna: Ebraismo e rapporti con le culture del Mediterraneo nei secoli XVIII-XX. Atti del Convegno storico internazionale Ebraismo e rapporti con le culture del Mediterraneo nei secoli 18.-20. Villacidro (Cagliari), 12–13 aprile 2002. Giuntina, Firenze 2003, ISBN 88-8057-183-4.
  • Nicola Melis: Trattato sulla guerra. Il Kitāb al-ğihād di Molla Hüsrev. Aipsa, Cagliari 2002, ISBN 88-87636-40-0 (Master).
  • Rudi Paret: Toleranz und Intoleranz im Islam. (Toleranca dhe jotoleranca në fenë islame) Në: Saeculum 21, 1970, (ISSN 0080-5319), f. 344–365.
  • Ernest Edmondson Ramsaur: Young Turks prelude to the revolution of 1908. 2. edition. Sander Yayınları, Istanbul 1982, f. 40–41, shënimi 30: „Meşveret”, Paris, 3 dhjetor 1895.
  • Irwin Cemil Schick: Osmanlılar, Azınlıklar ve Yahudiler. (Osmanët, minoritetet dhe çifutët). Në: Tarih ve Toplum 29 Mayıs 1986, f. 34–42.
  • Michael Ursinus: Zur Diskussion um „millet“ im Osmanischen Reich (Mbi diskutimin rreth miletit në perandorinë osmane). Në: Südost-Forschungen 48, 1989, (ISSN 0081-9077), f. 195–207.
  • Bat Ye'or: The Dhimmi. Jews and Christians under Islam. 3rd print. Fairleigh Dickinson University Press u. a., Rutherford NJ, 1985, ISBN 0-8386-3233-5.
  • Elizabeth A. Zachariadou: Co-Existence and Religion: Në: Archivum Ottomanicum 15, 1997, (ISSN 0378-2808), f. 119–129.

Burime të tjera Redakto

  • Yohanan Friedman: Classification of Unbelievers in Sunni Muslim Law and Tradition. Në: Jerusalem Studies in Arabic and Islam 22, 1998, (ISSN 0334-4118) f. 163–198.
  • Kamral Ekbal: Toleranz, ein Grundprinzip im Islam. (Toleranca, një parim themelor në fenë islame) Në: Gewissen und Freiheit 19, Nr. 36, 1991, (ISSN 0259-0379), f. 67–73.
  • Adel Theodor Khoury: Christen unterm Halbmond. Religiöse Minderheiten unter der Herrschaft des Islam. (Të krishterët nën gjysmëhënë. Pakicat fetare nën sundimin islamik) Herder, Freiburg 1994, ISBN 3-451-22851-3.
  • Albrecht Noth: Möglichkeiten und Grenzen islamischer Toleranz. (Mundësitë dhe kufijtë e tolerancës islamike) Në: Saeculum 29, 1978, 2, (ISSN 0080-5319), f. 190–204.
  • Christian Rumpf: Minderheiten in der Türkei und die Frage nach ihrem rechtlichen Schutz. (Pakicat në Turqi dhe çështja e mbrojtjes ligjore të tyre) Në: Zeitschrift für Türkeistudien 6, 2, 1993, (ISSN 934-0696, f. 173–209.

Referimet Redakto

  1. ^ Për ta lejoheshin gamarë; për veshjet lejohej të përdorej vetëm copë e thurur trashë; myslimanëve u duhej lëruar vendi dhe u hapur rrugë etj. Shih edhe disertacionin e Karl Binswanger: Untersuchungen zum Status der Nichtmuslime im Osmanischen Reich des 16. Jh. Mit einer Neudefinition des Begriffs Dhimma. (Studime mbi statusin e jo-myslimanëve në Perandorinë Osmane të shek. të 16-të. Ripërkufizimi i termit dhimma) München 1977
  2. ^ Gerayer Koutcharian: Der Siedlungsraum der Armenier unter dem Einfluss der historisch-politischen Ereignisse seit dem Berliner Kongres 1878: Eine politisch-geographische Analyse und Dokumention. (Ngulimet armene nën ndikimin e ngjarjeve historiko-politike pas Kongresit të Berlinit më 1878: Analizë politiko-gjeografike dhe dokumentim) Dietrich Reimer Verlag, Berlin 1989
  3. ^ Stiftung Pro Oriente
  4. ^ Sophie Wagenhofer: „Die Osmanischen Juden im Blickwinkel europäischer Reisender des 16. Jahrhunderts“, PDF-Datei[lidhje e vdekur][lidhje e vdekur] (Çifutët në Perandorinë Osmane nën vështrimin e udhëtarëve evropianë të shekullit të 16-të) (gjermanisht)
  5. ^ Matuz Josef: Das Osmanische Reich. (Perandoria Osmane) Darmstadt 1985, prej f. 203
  6. ^ Ortayli Ilber: The Problem of Nationalities in the Ottomen Empire follwowings the secend Siege of Vienna. Në: Das Osmanische Reich und Europa 1683 bis 1783: Konflikt, Entspannung und Austausch. Heis/Klingenstein. München 1983, f. 223-236
  7. ^ Helmuth Scheel: Die staatsrechtliche Stellung der ökumenischen Kirchenfürsten in der alten Türkei (Pozita ligjore e autoriteteve ekumenike kishtare në Turqinë e vjetër), f. 10
  8. ^ Elcin Kürsat: Der Verwestlichungsprozeß des Osmanischen Reiches im 18. und 19. Jahrhundert, (Procesi i oksidentalizimit të Perandorisë Osmane në shekujt e 18-të dhe 19-të) f. 161
  9. ^ Elcin Kürsat: Der Verwestlichungsprozeß des Osmanischen Reiches im 18. und 19. Jahrhundert (Procesi i oksidentalizimit të Perandorisë Osmane në shekujt e 18-të dhe 19-të), f. 162
  10. ^ Cem Özdemir: Die Stadt meiner Mutter. Arkivuar 3 shkurt 2006 tek Wayback Machine (Qyteti i nënës sime)