Mënyra urdhërore e shqipes
Mënyra urdhërore e shqipes është një mënyrë gramatikore e trashëguar nga gjuha proto-indoevropiane. Përmes kësaj mënyre shprehen urdhra, lutje, këshilla, etj., dhe duke qenë se urdhrat u jepen vetëm njerëzve që i kemi afër, kjo mënyrë, sikurse edhe në gjuhët e tjera indoevropiane në përgjithësi, ka zhvilluar forma të veçanta vetëm për vetën e dytë njëjës dhe shumës. Ajo nuk ka zhvilluar forma për kohë të tjera, sikurse në gjuhë të tjera indoevropiane, përveç kohës së tashme, kuptimi kohor i së cilës i referohet së ardhmes. Për këtë arsye, në kuptimin e mënyrës urdhërore përdoret edhe mënyra lidhore, e cila i referohet gjithashtu së ardhmes.
Ndonëse në gjuhën e sotme shqipe ekzistojnë vetëm dy fjalëforma për urdhëroren (veta e dytë njëjës dhe shumës) për shkak se folësi, dëshirën e tij në formë urdhri zakonisht ia drejton personit, me të cilin bashkëbisedon, ose një grupi personash, të cilëve u drejtohet. Duket se në gjuhën e Gjon Buzukut duhet të ketë qenë më ndryshe, sepse del edhe ekzistenca e fjalëformave të tjera. Mënyra urdhërore te Buzuku përdoret shpesh dhe kjo na mundëson të shohim ndërtimin e trajtave të ndryshme të saj në njëjës e në shumës, në veprore e në pësore për të gjitha zgjedhimet e klasat e tyre.[a]
Diateza veprore
RedaktoVeta e dytë njëjës
RedaktoFormat foljore të vetës së dytë shumës në mënyrën urdhërore përputhen në përgjithësi me trajtat përkatëse të atyre foljeve në mënyrën dëftore; ato dallohen vetëm nga intonacioni: nlidhni, ntherni, lypëni, ndigloni, pushoni, mbani, etj.
- Buzuku: Lëvdonī Tenëzonë, o gjithë ju gjindja (II, 15). – ata mos i mbani tek u (II, 77). – O ju të dërejtë, gëzonī e ṇgushëllonī (II, 13).
- Budi: thirne gjithë mos e lini (DC, 204). – përzini (DC, 133).
- Bogdani: lini fajet e para e të dashunitë seliî, e ndiqeni të vërtetë të dashunë të Qiellit (I, 125). – ...gatoni udhënë Tinëzot e ndëreqëni gjurmëtë tīnaj (I, 55). – Ecëni ke Mjeshtëri yj, e thuejnī gjithë qish po shifeni me syt’taj (II, 60).
Veta e dytë njëjës sajohet përgjithësisht kur vetës së dytë shumës i hiqet mbaresa -ni[1]: hiq, ndëreq, nlidh, zgidh, vidh, mbëlidh, ep, merr, pi, rri, ha, etj.. Këtu, disa folje që dalin në temë me zanoren -e-, në mënyrën urdhërore e metafonizojnë këtë zanore në -i-: heq – hiq!, vjedh – vidh!, zgedh – zgidh!, mbëledh – mbëlidh! etj. Foljet me temë në zanore në vetën e dytë njëjës të urdhërores dalin pa mbaresë: pusho, shko, puno, largo. Ndërkaq, disa folje me temë në -a, si dhe ato me temë në diftong, në vetën e dytë njëjës të mënyrës urdhërore marrin një -j fundore, si laj!, ruoj!, thuej!
Edhe Idriz Ajeti mendon se veta II njëjës e urdhërores sajohet prej vetës së dytë shumës kur i hiqet asaj mbaresa -ni, që ajo mban në vete; bie fjala: lidh ka dalë prej lidhni; njih nga njihni; nga digjni ka dalë digj, piqni dha piq; avitni > avit, shitni > shit; pritni > prit; matni > mat; milni > mil; mbillni > mbill; vilni > vil; sillni > sill; hiqni > hiq; ripni > rip (rjep); merrni > merr; mirrni > mirr; dilni > dil; dilni > del.[2] Nga sa u pa prej shembujve të mësipërm, del e qartë se foljet apofonike në format e urdhërores dalin me ndërrimin -e, -ie (-je) në -i; këtë dukuri e kanë edhe ato folje, tema e të cilave përfundon më -t, për shembull: shes – shit – shitni, pres – prit – pritni, mas – mat – matni.
Foljet që mbarojnë më -n, pra, të n- konjugacionit me zanore të gjatë, siç janë laj, mbaj, ndaj, shkruaj, fryj (frij) gjej, forma e vetës së dytë të urdhërores del gjithashtu me formantin -j: baj, mbaj, ndaj, shkruaj, fryj, gjej, ziej, duej (duoj), bluej; por kjo bashkëtingëllore fërkimore mënjanohet kur forma e vetës së dytë të urdhërores shkon e merr grimca përemërorësh: mbama, gjema; ndama, bluema, ziema, shkruema, duemë, duena; mbamna, gjemna, ndamna, bluemna, ziemna, shkruemna, etj.
Një palë foljesh që dalin me një -r në temë, ruajnë zanoren -ë si mbaresë të vjetër: verë (toskërisht), ven- (gegërisht); pl. vini – veni; nxerë – nxen, bjerë – (bjer) – edhe bje – bini, birni (bini, bjeni); lerë (len), le (le), lini, leni, shpjerë, shtjerë. Në aspektin morfologjik, në gjuhën e shkruar, merret si e mirëqenë vetëm veta e dytë njëjës dhe shumës. Për dallim nga të gjitha format e tjera foljore, në lidhje me treguesin e kundrinës mund të bëhet një klasifikim në forma të shquara dhe të pashquara.
Në kuadër të formave të shquara, dallohen tri lloje trajtash në veprore:
- Klitik që nis me zanore (-e...)
- Klitik që nis me bashkëtingëllore (-më...)
- Klitik që i paraprin foljes. Kjo vlen për vetën e dytë shumës në të gjitha format kur bëhet fjalë për klitikët u, ua; më, na, ma, m’i, si dhe për vetën e dytë njëjës, vënia e klitikëve na e dhe na i përpara foljes është e domosdoshme. E domosdoshme është edhe vënia e të gjithë klitikëve përpara foljes kur kemi të bëjmë me pjesëzën mos që tregon mohim.[3]
Shumica e foljeve të zgjedhimit të parë dhe të dytë me bashkëtingëllore, te Buzuku e kanë humbur mbaresën e vjetër –ë. Për shembull[b]: zgj. I, kl. I: dëlir (4), grish (4), gjegj (16), ṇçil (5), ṇdëreq (2), ṇfal (10), puth, zgidh (2); kl. II: mos bdir, del (4), hiq (19), mer (23), ndiq, njih, zgiedh (177), vidh (3); zgj. II, kl. I: grabit, it (nga jes) (3), lut (3), prit, pyet; kl. II: thirr (2); nga foljet supletive: ep (100), shih (8), eja (18).[4] Fonemat -e-, -je- te foljet ṇçil, njih, vidh janë shndërruar në -i- prej temave ṇçel, njeh, vjedh nga ndikimi i shumësave ṇçilni, njihni, vidhni, por te foljet del, mer e zgiedh, ky ndërrim nuk është bërë.
Disa shembuj gjenden edhe me mbaresën -ë: zgj. I, kl. I: ecë (56), hipë (2), këqyrë (24), lypë, mos më prekë; kl. II: ṇdjekëmë, ṇxjerëmë, sjellë; zgj. II, kl. II: folë (5); zgj. III, kl. I: hinë (5), por edhe hī (2), ṇginjë, por edhe ṇginnj; zgj. IV, kl. II: bjerë (rënë), bjerë (prurë) (3), shpjerëna, shtjerë (10), venë (4).
Te foljet bjerë, shpjerë, shtjerë, venë, ruajtja e tingujve fundorë -r, -n të temës në urdhërore e në vetën III njëjës të lidhores dhe rënia e tyre në dëftore (bie, shpie, shtie, vë) tregon se janë ruajtur mbaresat vetore te ato mënyra dhe kanë rënë në njëjësin e së tashmes së dëftores. Nga kjo del se mbaresa -ë e urdhërores është relativisht e vjetër dhe në përputhje me rregullat fonetike të shqipes së vjetër, mund të ketë përfaqësuar rezultatin e reduktimit të një zanoreje të gjatë të patheksuar, por edhe mund të ketë qenë zhvillim i brendshëm i shqipes. Kjo mbaresë ka rënë goxha shumë te Buzuku, i cili në të gjitha rastet e tjera e ka rregullisht -ë-në fundore. Shkak i kësaj rënieje mund të ketë qenë karakteri dinamik i theksit të gjuhës shqipe dhe te urdhërorja, ky karakter dinamik del me një intensitet shumë më të fortë, duke shkaktuar kështu rënien e mbaresës -ë këtu, krahas fjalëve e trajtave fonetikisht analoge, p.sh. ditë (emër) – padit (folje në urdhërore).
Foljet me tëmë me zanore në të tashmen (zgj. III, kl. II; zgj. IV, kl. I) e formojnë vetën e dytë njëjës të urdhërores nga kjo temë dhe pa ndonjë mbaresë. Ndërkaq Selman Riza thekson se te Gjon Buzuku numri i foljeve që nuk e kanë zgjeruar temën e së tashmes me një -n, është më i madh se në gegërishten e sotme letrare.[5] Nga këto folje, në urdhërore janë përdorur: ṃba (2), përda, le (3), ṇgre (8), ha (4), ri (4). Me këto trajta del edhe njëjësi i së tashmes së dëftores për të tria vetat.
Folja vras, te Buzuku del me një formë të vetme në urdhërore ṇvra, kurse shumësi del ṇvritëni. Foljet e tjera, që në të tashmen e dëftores e kanë zgjeruar temën me -n, në urdhërore dalin pa mbaresë:
Folje më -o | Folje më -e | Folje më –i | Folje më -uo |
---|---|---|---|
absolvo, adoro, beko (2), beso, defendo (14), dëfto (4), dërgo (7), fabriko, forco (2), gëzo (2), gjuko, kallëzo, kujto, largo, lësho (5), lëvdo (5), libero (3), liro (6), mos mallëko, majshtro, mbaro, mjeko, ṃpso, mundo (2), ṇço, ṇdëro, ṇdiglo (31), ordhëno (4), parifiko, pusho, rutullo, shelbo (5), shenjtëno, shkatëro, shpëto (3), shto, shumo (2), tento, mos turpëno, vepëro, vono (3) | deshpëlqe (3), kthe (11), (ṇ)kthe, ṇdije (8), ṇgre (9), ṇthe, shkënxe, ushqe | përtëri (4) | mos druo |
Folje të tjera që në mënyrën urdhërore dalin me zanore janë: hi (2), por edhe hinë (5); përze (30), xe, këto janë folje origjinalisht me bashkëtingëllore, por që e kanë humbur fundoren -n të temës së të tashmes (khs. aor. përzuna); foljet atematike: ī (17), kī (70) (të dyja me ī të gjatë), thuo (20) dhe ṷite (22). Bashkë me thuo përdoret edhe thuoj (2).
Trajta ṷite është urdhërorja e foljes vete, e bërë dyrrokëshe me një -te, ashtu si vetë folja vete. Sot folja vete nuk ka urdhërore të vetën, sepse e ka humbur këtë trajtë të vjetër. Sikurse në çamërishte edhe Buzuku e ka amë (5) (urdhërorja e foljes jap plus trajta e shkurtër -më e përemrit vetor.[6]
Disa folje me temë më -a, -e, -i, -y, -uo, -ye, në vetën e dytë njëjës të urdhërores marrin një -j fundore, funksioni i së cilës është si tingull antihiatizues, i lindur gjatë përdorimit të urdhërores me trajtat e shkurtra vokalike të përemrit vetor: da + e > da-j-e dhe pastaj i shtrirë edhe gjatë përdorimit pa përemrin enklitik.[7] Te Gjon Buzuku gjejmë këto folje me një -j të tillë fundore: daj (4), klaj, laj (3), përdaj, shaj (2), vgjaj (24), vgjāj (2), ndej (9), bdij, fryj, pështyj, druoj (14), duoje, ruoj (11), shkruoj (5), thuoj (2), lyej. Ai gjithashtu përdor trajta pa -j, p.sh. mos druo, ṃba (2), përdā, thuo (20).
Veta e dytë shumës
RedaktoForma e numrit shumës të mënyrës urdhërore ndërtohet mbi bazën e numrit njëjës, duke marrë mbaresën e vetës përkatëse të mënyrës dëftore (khs. hap! ~ hap-ni!). Por në disa folje, tema e shumësit nuk është e njëjtë me temën e njëjësit. Këtë e gjejmë te ato folje që në numrin njëjës kanë ruajtur forma më të hershme falë mbaresës -ë. Ky tip foljesh nuk e ndërtojnë formën e shumësit mbi formën e njëjësit të urdhërores, por mbi formën përkatëse të mënyrës dëftore, ku tema e foljes është shkurtuar për arsye të rënies së tingujve fundorë. Ta zëmë foljen bie, e cila formën e njëjësit në urdhërore e bën bjerë, formën e shumësit e merr prej përkatëses në dëftore (bini).
E njëjta dukuri shfaqet me foljet vë, lë, hyj, të cilat në numrin njëjës të urdhërores dalin me bashkëtingëlloren -n të temës, që në toskërishte i është nënshtruar rotacizmit (vërë, lërë, hyrë), kurse numrin shumës e ndërtojnë nga forma përkatëse e mënyrës dëftore (vini, lini, hyni). Prej temës së mënyrës dëftore janë ndërtuar edhe disa folje që dalin me tog zanor, siç është folja thom, që në numrin njëjës të urdhërores del me tog zanor (thuaj), por në shumës bën sikurse folja në mënyrën dëftore (khs. thoni).[8]
Në dialektin gegë, shumësi i foljes dua është ndërtuar nga forma përkatëse e dëftores. P.sh. te Buzuku: E juve ju thom: Doni anëmiqtë taj (XLII b).
Në gjuhën shqipe, forma e vetës së dytë njëjës të urdhërores përdoret e përsëritur edhe për të shprehur një veprim të zgjatur, ose dy a më shumë veprime. Një përdorim i këtillë duhet të jetë një dukuri mjaft e vjetër në sintaksën e gjuhës popullore, duke qenë se del në mbarë shqipen. Për shembull: ...hiqej zvarrë ashtu ec, ec e kthe kokën pas; Ik e ik e rruga s’ka të sosur.
Veta e dytë shumës, për të gjitha zgjedhimet formohet me anë të mbaresës -ni, njësoj si sot dhe është homonimike me vetën e dytë shumës të së tashmes së dëftores, p.sh.: këqyrni, lypëni, mbathni, ṃbushni, ṇdreqni; delni, ṃbëlidhni, ṇçilni, ridhni, sillni, vidhni; itëni, lutëni; flitëni, ṇvritni; shitni; bani, dani, klani, ṃbani, adoroni, besoni, fabrikoni, levdoni, pushoni, sakrifikoni; përvini, përzini, vini, xini, zini; nga foljet supletive kemi: enì (20), epënì (3), epënī (2), epnì.
Disa folje e formojnë urdhëroren me mbaresën -i ose edhe me -i edhe me -ni. Mbaresa -i mbahet si më e vjetër se -ni.[9] Këto folje janë: bdiri, biri (3), birimë (2), deli (2) (por edhe delni), mos nfali, meri (6), përshëndeti, shpiri, shtiri. Kryesisht mbaresa -i është ruajtur pas një teme me likuidet r, rr, l, ll.
Edhe foljet kam e jam e formojnë shumësin gjithashtu me anë të mbaresës -ni, por në dallim prej njëjësit, këtu zanorja e temës nuk është e gjatë: kini, ini. Bopp thotë “të dyja foljet-ndihmëse kanë në vetën e dytë shumës të urdhërores një ī të gjatë”.[10]
Nga kjo del se veta e dytë njëjës e urdhërores nuk është formuar nga veta e dytë shumës e saj duke hequr mbaresën -ni, siç pohojnë disa studiues, njëlloj sikur nuk mund të themi se veta e dytë njëjës e dëftores është formuar nga veta e dytë shumës duke ia hequr mbaresën -më: bëj-më > bëj. Është e vërtetë se sot po t’ia heqim mbaresën -ni shumësit na mbetet njëjësi i urdhërores, por kjo nuk do të thotë se pikërisht kjo ka qenë rruga e formimit të urdhërores njëjës. Foljet me një temë në bashkëtingëllore janë formuar me mbaresën -ë, por kjo e fundit siç duket ka rënë me kalimin e kohës dhe kjo vërtetohet përmes dokumentimit te Buzuku: (ti) nxjerë, rjedhë, sjellë, zgiedh, të cilat përmbajnë diftongun -je- e jo zanoren -i-, siç do të pritej po të vinin prej trajtave nxirni, ridhni, sillni, zgidhni të shumësit.
Diateza pësore
RedaktoVeta e dytë njëjës
RedaktoKur folja është në diatezën joveprore, atëherë pjesëza /u/ vendoset pas formës së vetës së dytë njëjës, dhe e njëjta ndërfutet ndërmjet temës së fjalës dhe mbaresës së vetës së dytë shumës, në rast se foljet nuk janë të paraprira nga ndonjë pjesëz e sidomos nga pjesëza mohuese mos. Te Budi edhe: Fort u ruoj, krahas ruoj-u.[11]
Njëjës pa pjesëz | Njëjës me pjesëz | Shumës pa pjesëz | Shumës me pjesëz |
---|---|---|---|
hap-u | mos u hap | hap-u-ni | mos u hapni |
lah-u | mos u laj | lah-u-ni | mos u lani |
shfaq-u | mos u shfaq | shfaq-u-ni | mos u shfaqni |
bëh-u | mos u bëj | bëh-u-ni | mos u bëni |
vendos-u | mos u vendos | vendos-u-ni | mos u vendosni |
Mirëpo te autorët e vjetër të Veriut, forma joveprore e vetës së dytë shumës të mënyrës urdhërore del edhe me forma të sinkopuara, për shembull: te Buzuku: da-h-ī (da-h-u-ni), ngri-h-ī (ngri-h-u-ni), tremb- ī (tremb-u-ni), etj. Gjithashtu edhe te Budi: ru-h-ī (ru-h-u-ni), nkthe-n-ī e pendo-n-ī (nkthe-h-u-ni e pendo-h-u-ni).
Edhe te arbëreshët e Italisë dëshmohen forma të tilla të sinkopuara për vetën e dytë shumës të mënyrës urdhërore dhe ndeshen edhe sot nëpër të folmet popullore mes shqiptarësh. Ato, pa dyshim, janë përftuar në ligjërimin e lirë e të shpejtë, që i ka dhënë shkas sinkopimit të formës së urdhërores.
Veta e dytë shumës
RedaktoVeta e dytë shumës e urdhërores, në diatezën pësore, ashtu sikurse ajo e dëftores ka si mbaresë një ii të dyfishtë, të cilën Çabej, në çdo rast e ka transkribuar si ī të gjatë. P.sh. drekī, gjegjī (3), hiqī, kthiellī, ṃbëlidhī, ṇvishī (4), mos trembī (3), mos zemërkeqī (2), çuditī (2), lutī (15), banī (7). Foljet e zgjedhimit të tretë e formojnë të tashmen e dëftores në diatezën pësore duke e zgjeruar temën me një -n-, e cila vihet si tingull antihiatizues, meqë mbaresat e së tashmes nisin me zanore (-em, -esh, -et). Nga kjo temë plus mbaresa –ī formohet veta e dytë shumës e urdhërores: fermonī, forconī, gëzonī (10), glorionī, kallëzonī, konvertonī (2), kthenī (3), ṇgushullonī (7), pagëzonī. Disa folje me temë vokalike që nuk e kanë zgjeruar temën me -n-, midis temës dhe mbaresës marrin një -h- antihiatizuese: dahī (2), lahī, ṃbahī, dehī, ṇgrihī (3), ruhī (5).
Veta e tretë
RedaktoNëse një folës, përmes pjesëmarrësve në komunikim, dëshiron të urdhërojë një ose disa persona, të cilët nuk marrin pjesë në bisedim, ai përdor trajtat e vetës së tretë të lidhores në njëjës dhe shumës, paraprirë ose jo nga pjesëza le, në kuptimin e urdhërores: le të marrë; le të dalë, le të shkruejë (shkruajë).
Në kuptim të urdhërores përdoren edhe trajtat e vetës së tretë dhe e dytë njëjës e shumës të së ardhmes do + lidhore,[12] për të dhënë një urdhër, për të bërë një kërkesë ose udhëzim, nganjëherë më kategorikisht se sa vetë mënyra urdhërore: Do ta marrë atë, se ai qe kismeti i saj.
Për vetën e tretë njëjës e shumës, Gjon Buzuku përdor gjerësisht pjesëzën le me trajtën përkatëse të mënyrës lidhore, p.sh. le ta danë, le të grëshitetë, le të hinjë, le të jetë, le të ṇdiglonjënë, le të ṇdhezetë, le ta shpëtonjë, le të venë.
Dallimi nga dëftorja
RedaktoDallimi i trajtave të urdhërores nga trajtat gjegjëse të kohës së tashme të mënyrës dëftore është bërë qysh në periudhën parashkrimore të shqipes. Por është e pamundur të jepet një mendim i argumentuar si mund të kenë qenë të ndërtuara format e urdhërores në proto-shqipe. Megjithatë mund të thuhet se është dalluar nga format e dëftores me mjete të tjera gjuhësore, si intonacioni, shoqërimi i saj me një pjesëz mohimi të ndryshme nga ajo e dëftores, etj.
Pjesëzat mohuese të dëftores nuk mund të shkojnë me pjesëzat e urdhërores, krahaso në shqipen e dokumentuar: (ti) nuk hap, nuk shkon, nuk bie, etj. ~ mos hap!, mos shko!, mos bjer!, etj.
Ky kuptim i foljeve të urdhërores mund të jetë rrjedhojë e homonimisë gramatikore të formës së mënyrës urdhërore, që del në përgjithësi pa mbaresë, me vetën e tretë njëjës të së pakryerës, e cila në një periudhë më të hershme dilte pa mbaresë. Madje, edhe ndërrimet morfonologjike të temave në mënyrën urdhërore janë të njëjta me format e vetës së tretë njëjës të së pakryerës dëftore. Për shembull: piq, dil, etj.[13] Kështu, në origjinë këto forma duhet të kenë qenë të së pakryerës, të cilat para disa shekujsh dilnin pa mbaresë, si rrjedhim përputheshin fonetikisht me formën e numrit njëjës të urdhërores. Kur format e së pakryerës u zgjeruan me mbaresa: dil-te, këto forma, që kishin natyrë frazeologjike, mbetën pa u zgjeruar, si rrjedhim u interpretuan si forma të mënyrës urdhërore, duke e ruajtur kuptimin kohor që ka e pakryera për të shprehur veprime të zgjatura ose të përsëritura.
Në përgjithësi, tema e mënyrës urdhërore përputhet me temën e vetës përkatëse në kohën e tashme të mënyrës dëftore: (dëft.) hap, ha ~ (urdh.) hap!, ha! Meqenëse foljet e mënyrës urdhërore dalin përgjithësisht pa mbaresa të veçanta, dallimi i saj nga mënyra dëftore bëhet me mjete të tjera, që kanë karakter intonativ, sintaksor e morfologjik.
Mjete të tilla janë:
- Intonacioni i veçantë afektiv me të cilin shoqërohet forma e mënyrës urdhërore, përkundrejt intonacionit neutral të formës përkatëse të mënyrës dëftore;
- Përdorimi i trajtave të shkurtra në pozicion pas foljes, një dukuri kjo, e lashtë që e kanë edhe gjuhë të tjera, prandaj ajo është e trashëguar nga faza më të hershme;
- Përdorimi i pjesëzës së mohimit mos, që është karakteristik për mënyrat foljore afektive (dëshirore, lidhore, urdhërore), përkundrejt pjesëzave nuk, s’ të mënyrës dëftore;
- Mungesa e kryefjalës, meqenëse ajo është gjithnjë e nënkuptuar, për arsye se mënyra urdhërore ka vetëm një vetë;
- Ndërrimet e tingujve që paraqesin disa folje të mënyrës urdhërore në krahasim me format përkatëse të mënyrës dëftore, si për shembull: këmbimi zanor /e/ > /i/ (merr ~ mirr, del ~ dil, njeh ~ njih, vdes ~ vdis) dhe ndërrimi i grykoreve me qiellzore (pjek ~ piq, djeg ~ digj).[8]
Por jo të gjitha foljet përfaqësojnë të njëjtën temë me vetën përkatëse të mënyrës dëftore. Në këtë mënyrë, grupi i foljeve që e kanë zgjeruar temën e tyre në kohën e tashme me prapashtesën -as ~ -et (khs. thirrë ~ thërras, folë ~ flas), mënyrën urdhërore e formojnë prej temës së pazgjeruar (urdh. thirr, folë). Ky fakt dëshmon se forma e së tashmes me këto mbaresa është formuar më vonë se forma e mënyrës urdhërore, që mbështetet te forma e vjetër. Në mënyrën urdhërore, tema e pazgjeruar del edhe në grupin e foljeve që marrin mbaresat -s ~ -t në të tashmen, përkundrejt temës së pazgjeruar në pjesore e në të kryerën e thjeshtë, e cila shërben si temë edhe për mënyrën urdhërore (khs. ngas ~ nget ~ (urdh.) nga!, vras ~ vret ~ (urdh.) mos vra!), por krahas këtyre, është krijuar edhe një formë më e re, që mbështetet në temën e kohës së tashme të mënyrës dëftore (ngit!, vrit!).
Te “Doktrina e kërshtenë” e Budit, disa folje që në kohën e tashme të dëftores mbarojnë me -onj, në vetën e dytë njëjës të mënyrës urdhërore dalin jo me -o, por me -ee të dyfishtë ose të gjatë, pra pa bashkëtingëlloren -j- ndërmjet temës dhe mbaresës: ndëgjee, dërgee, vdee.[14]
Forma të tjera të urdhërores që dallohen prej formave të kohës së tashme të dëftores janë: forma eja! eja-ni! me burim pasthirrmor, që shërben si fjalëformë në urdhërore e foljes vij ~ vjen.[15] Sot për sot nuk mund të thuhet asgjë me siguri nëse kjo folje ka pasur dikur një formë urdhëroreje nga temat e saj supletive vij/vjen ~ erdh-a/ardh-ur. Dhe forma tjetër është folja ve-te ~ va-jt-a/vo-jt-a, e cila ka pasur dikur një formë urdhëroreje të veten, por që ka dalë jashtë përdorimit dhe është zëvendësuar më fort nga fjalëforma e foljes shko-j. Është e dëshmuar te Buzuku prania e dikurshme e urdhërores së kësaj foljeje.
Kombinimi me trajtat e shkurtra
RedaktoFoljet në mënyrën urdhërore, përveç mundësisë së kombinimit me pjesëza mohuese dhe me pjesëza të tjera, ato mund të kombinohen edhe me një ose me dy trajta të patheksuara përemërore. Ato, në shqipen e sotme, mund të vendosen para dhe pas foljes. Zakonisht vendosen pas formës së vetës së dytë njëjës të urdhërores, kurse te forma e vetës së dytë shumës, ndërfutet mes temës së foljes dhe mbaresës, sidomos format e patheksuara të vetës së tretë. Kështu, përderisa mund të thuhet Më shiko! krahas Shiko-më!, Më prit! krahas Prit-më! Rregullisht thuhet Shiko-e atë,! Shiko-i ata!; Prit-e atë!, Prit-i ata! Ngjashëm, përderisa thuhet zakonisht Më merrni edhe mua! krahas Merr-më-ni edhe mua! (më rrallë), përdoret më fort Merr-e-ni! krahas E merrni, Jep-u-ni! krahas U jepni!, por më fort I jepni! krahas Jep-i-ni! (më rrallë).
Vendosja e trajtave të patheksuara të vetës së tretë në pozitë enklitike pas foljes në vetën e dytë njëjës të mënyrën urdhërore duhet të ketë qenë e hershme në gjuhën shqipe, sepse edhe dëshmohet te shkrimet e autorëve të vjetër. Madje, te disa prej tyre, forma e patheksuar e rasës kallëzore në ndonjë rast del e shkrirë me zanoren e theksuar të temës foljore.
Raporti me urdhëroren e gjuhëve ballkanike
RedaktoMorfologjia e urdhërores në gjuhët ballkanike tregon përputhje, por edhe ndryshime tipologjike. Për të gjitha gjuhët qendrore në arealin qendror të konvergjencës vlen se ekziston vetëm veta e dytë njëjës dhe shumës. Ndërtimi i njëjësit është mjaft i ndërlikuar dhe nuk mund të jepen rregulla të thjeshta as për formimin e tyre në një gjuhë konkrete, aq më pak për tërësinë e gjuhëve ballkanike. Ndryshe na del situata përsa i përket trajtës së shumësit: Në dy gjuhë standarde ballkanosllave (maqedonisht dhe bullgarisht) kemi rregullisht trajta të veçanta për dëftoren e për urdhëroren, p.sh.: peшaвaтe: peшaвaйтe /peшитe: peшeтe (në këtë rast ndryshime midis bullgarishtes dhe maqedonishtes ka vetëm në theks), kurse në shqipe, në dakorumanishte dhe në greqishte gjenden pothuajse gjithmonë të ngjashme trajtat e dëftores me ato të urdhërores, p.sh. këndoni: këndoni;cîntaṭi: cîntaṭi. Me më shumë rëndësi është se mbaresa e vetës së dytë shumës, në të gjitha gjuhët ballkanike është e njëjtë mes dëftores dhe urdhërores: -ni, -ṭ, -me, -τε.
Për vetën e parë shumës, një trajtë e veçantë mungon në greqishten e vjetër dhe në latinishte. Në këto gjuhë zëvendësohej me trajtën përkatëse të lidhores. Në gjuhët fqinje, por jashtë arealit qendror të konvergjencës, vetëm serbokroatishtja ka ruajtur trajta për vetën e parë shumës: pletémo: plètimo; pečémo: pècimo; pîšêmo: píšimo; nȍsîmo: nòsimo; dámo: dâjmo.[16]
Edhe përsa i përket zhvillimit në gjuhën shqipe ka dëshmi për ekzistencën e trajtave të tjera të urdhërores: Problemet e radhitjes së pjesëzave sipas konceptit tipologjik mund të trajtohen vetëm duke marrë në shqyrtim trajtat e shkurtra të pronorëve në tërësi. Megjithatë mund të thuhet që me anën e rregullave që duhen dhënë atje, mund të nxirret përfundimi se në shqipen e Buzukut ka ekzistuar të paktën trajta e vetës së parë shumës dhe e vetës së tretë njëjës.[16]
Sa i përket përdorimit të trajtave të shkurtra të përemrave, të cilat janë pjesë të "zinxhirit ballkanik”, mund të përmendet se vetëm shqipja ka konstrukte si: Arrestojeni menjëherë dhe dorëzojani gjyqit! ... Lereni muhabetin ... Lerini fjalët!
Në gjuhën shqipe mundësohet që mbaresa -ni të ndahet nga trajta foljore. Ndarja e këtij elementi të përbashkët të dëftores dhe të urdhërores fillin e ka nga tema e urdhërores. Kjo dukuri del në disa kategori:
- mos - mosni - Pjesëza mohuese mos, e cila në "zinxhirin ballkanik" lidhet p. sh. me urdhëroren, me lidhoren dhe me dëshiroren, mund të përdoret, ndër të tjera, edhe si zëvendësues i një fjalie prohibitive, dhe në këtë funksion ka edhe shumësin me -ni: - Mos, bir, se ma këpute shpirtin!; - Mos, more! - ia bëri Abdiu dhe u bë dyllë... Mosni!
- eja - ejani - Në fjalorët dhe gramatikat e gjuhës shqipe si trajta e imperativit të foljes vjen jepet eja: ejani. Shembuj si: Ejani me mua tregojnë se kemi të bëjmë me një trajtë brenda një foljeje supletive. Një dukuri shumë të ngjashme gjejmë edhe në gjuhët e tjera ballkanike. Në shqipen e sotme ekziston një skemë si në rastet e tjera: trajta e shumësit përbëhet prej trajtës së njëjësit + mbaresa –ni
- hajde-hajdeni - Ndryshe qëndron puna në lidhje me konstruktine shqipes hajde-hajde-ni, i cili rrjedh patjetër prej turqishtes haydi me një trajtë shumësi haydi(yi)n që tipologjikisht u ngjan konstrukteve të gjuhëve indoevropiane ballkanike.
Si në gjuhët fqinje edhe në shqipe mund të lidhen disa pasthirrma të tjera me mbaresën -ni, p.sh.shqip, me karakter gjysmëfoljeje na: nani; pasthirrmë e vërtetë: aman: amani: - Amani ore, më thërrisni!
Shënime dhe referime
RedaktoShënime
Redakto- ^ Këtu është zbatuar ndarja tradicionale në katër zgjedhime ashtu siç paraqitet në dispensën “Morfologjia historike” të M. Domit, Tiranë 1961, ff. 33-34.
- ^ Shembujt janë sipas transkribimit të Prof. E. Çabejit. Për trajtat që janë përdorur më shumë se një herë shënohet në kllapa numri i përdorimeve.
Referime
Redakto- ^ Mulaku, Ragip (1987). Sistemi foljor në gjuhën e shkrimtarëve të vjetër veriorë. Prishtinë: Instituti Albanologjik i Prishtinës. fq. 103.
- ^ Ajeti, Idriz (2017). Studime për gjuhën shqipe. Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës.
- ^ Fiedler, Wilfried (2004). Das Albanische Verbalsystem in der Sprache des Gjon Buzuku (1555) (në gjermanisht). Prishtinë: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës.
- ^ Lafe 1965, f. 163.
- ^ Riza, Selman (1961). Pesë autorët më të vjetër të gjuhës shqipe. Tiranë: Krestomati thjeshtë gjuhësore.
- ^ Lafe 1965, f. 165.
- ^ Domi 1961, f. 56.
- ^ a b Topalli 2010.
- ^ Domi 1961, f. 47.
- ^ Bopp, Franz (1855). Über das Albanesische in seinen verwandtschaftlichen Beziehungen (në gjermanisht). fq. 471.
- ^ Demiraj, Shaban (2015). Gramatikë historike e gjuhës shqipe. Tiranë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë. fq. 302.
- ^ Newmark, Leonard; Hubbard, Philip; Prifti, Peter (1982). Standard Albanian, A Reference Grammar for Students (në anglisht). Stanford: Stanford University Press. fq. 87.
- ^ Topalli 2010, f. 182.
- ^ Mulaku, Ragip (2012). Gjuha e shkrimeve të vjetra shqipe (shek. XV - XVIII). Prishtinë: Instituti Albanologjik. fq. 490.
- ^ Çabej, Eqrem (1996). Studime etimologjike në fushë të shqipes. IV. Tiranë: Akademia e Shkencave e Shqipërisë. fq. 70.
- ^ a b Fiedler 2012.
Bibliografia
Redakto- Lafe, Emil (1965). "Trajtat e urdhërores te Gjon Buzuku". Studime Filologjike. 1: 163–169.
- Domi, Mahir (1961). Morfologjia historike. Tiranë.
{{cite book}}
: Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja) - Topalli, Kolec (2010). Sistemi foljor i gjuhës shqipe. Tiranë: Plejad.
- Fiedler, Wilfried (2012). "Disa veçori tipologjike të urdhërores në gjuhët ballkanike". Shqipja dhe gjuhët e Ballkanit. Shqipja dhe gjuhët e Ballkanit. Prishtinë: ASHAK dhe ASHSH. fq. 101–117.