Xhamia e Ambar Shahut
Xhamia e Ambar Shahut është një faltore myslimane e ndërtuar në vitin 1680 nga khvaxha Ambari, eunuku kryesor i subahdarit (guvernatorit) mogul të Bengalit, Shaista Khan. Ajo gjendet në zonën e Karvan Pazarit në Dhaka, në anën lindore të Bulevardit Kazi Nazrul Islam.[1]
Xhamia e Ambar Shahut | |
---|---|
আম্বর শাহ মসজিদ | |
Informacion i përgjithshëm | |
Statusi | Funksionale |
Tipi | Xhami |
Stili arkitektural | Arkitektura Mogule |
Vendndodhja | Karvan Pazar, Dhaka |
Koordinatat | 23°45′07″N 90°23′35″E / 23.752081°N 90.393007°E |
Përfundimi | 1680 |
Technical details | |
Floor area | 90 m2 (110 sq yd) |
Historia
RedaktoXhamia ka dy mbishkrime, një mbi mihrabin qëndror që përmban një varg nga Kurani, ndërsa tjetri mbi hyrjen qëndrore regjistron ndërtimin e xhamisë, një pusi dhe një ure nga kvaxha Ambari në vitin 1680, kreu i eunukëve të subahdarit mogul të Bengalit, Shaista Khan.[2] Ajo ishte e vendosur në Rrugën e Madhe Mogule të ndërtuar nga subahdari Mir Xhumla, nëpërmjet të cilës kalorësia mogule udhëtonte drejt kufirit veri-lindor.
Ndërtesa ka pësuar një seri zgjerimesh dhe riparimesh. Në vitet 1960 ajo u rikonstruktua plotësisht duke iu shtuar një verandë me tre kupola në anën lindore. Në fillim të viteve 1980 iu bënë zgjerime shumë-katëshe në lindje, duke i dhënë asaj një pamje moderne.[1]
Përshkrimi
RedaktoXhamia me tre kupola zë gjysmën perëndimore të një platforme të ngritur rreth 3.66 m (4.00 yd) nga toka. Në krye të kësaj platforme ndodhet një rresht bedenash dekorative me petale zambaku. Xhamia ka planimetri drejtkëndore me përmasa 13.41 m (14.67 yd) me 6.71 m (7.34 yd) së jashtmi. Në katër këndet e saj ndodhen kulla të mëdha tetëkëndore, që janë pak më të larta se baza e platformës dhe kanë kupola të vogla në krye. Në skajin lindor të platformës, ndodhen një palë shkallë që çojnë në një portik harkor me kornizë kuspore prej guri. Në veri të platformës ndodhet varri i Ambar Shahut, fillimisht, vetëm një sarkofag guri ishte i dukshëm, por tani, mbi të është ndërtuar një mauzole me tulla.[1][2][3]
Xhamia ka pesë hyrje, tre në anën lindore dhe nga një në anët veriore dhe jugore. Hyrjet dhe frontonet e tyre dala, të kufizuara me torretëza, janë bërë tërësisht prej bazalti të zi. Duke u renditur në përputhje me tre hyrjet lindore ndodhen tre mihrabë gjysmë-tetëkëndorë në murin e kiblës në perëndim. Mihrabi qëndror, më i madh se të tjerët, është i dalë jashtë dhe përmban torretëzat e zakonshme zbukuruese anash. Ai me kornizën e tij drejtkëndore është bërë gjithashtu prej bazalti të zi, ndërsa mihrabët anësorë vetëm harqet i kanë prej bazalit. Prej bazalti është edhe mimberi me tre shkallë në veri të mihrabit qëndror.[1]
Dy arkada të gjera lindje-perëndim mbi shtylla mbajtëse prej tullash e ndajnë brendësinë e xhamisë në tre kthina, ku qëndrorja është 4.27 m2 (5.11 sq yd). Mbi çati ndodhen tre kupola bulbore mbi tamburë tetëkëndorë. Kupola qëndrore është më e madhe se anësoret. Kupolat e kurorëzuar me zambakë dhe majëza “kalasa”, mbahen nga i njëjti sistem si në Xhaminë e Fortesës së Lalbagut.[1]
Të gjitha kullat këndore dhe torretat anësore, që kanë baza "kalasa", janë kryesuar me çhatri të vogla dhe kupola të brinjëzuara. Tamburët tetëkëndorë dhe parapetet janë zbukuruar me friza bedenash dekorative. Mihrabi qëndror prej bazalti ka një hark të bukur shumë-kuspor mbi torretëza gjysmë-tetëkëndore të ndarë në fasha. Cepat e harqeve janë zbukuruar me rozeta, të gdendura në reliev. Sipër kornizës drejtkëndore të mihrabit qëndror ndodhet një fashë e dalë në mënyrë të dukshme, që kryesohet nga një rresht bedenash dekorative. Hapsira midis kësaj fashe të dalë dhe kornizës drejtkëndore është skalitur me përdredhje spirale në reliev të cekët.[1]
Një aspekt i dallueshëm i ndërtesës është përdorimi i bazaltit të zi te dyert, mihrabët dhe mimberi. Bazalti me gjasa është marrë nga kodrat Raxhmahal. Një tjetër veçori e rëndësishme e xhamisë, e pa parë në Bengal, është përdorimi i torretave kufizuese anash frontonëve të dalë të hyrjeve në faqen lindore. Që nga kjo kohë, kjo veçori u përhap në të gjitha xhamitë mogule të Bengalit. Zbukurimet e xhamisë pothuasje janë zhdukur për shkak të degradimit përgjatë kohës dhe riparimeve pasuese. Në krahun e djathtë të shkallëve të platformës ndodhej pusi i ndërtuar nga Ambar Shahu, tani i mbushur me dhe. Muret, që fillimisht zbukuroheshin me panele, janë bërë të thjeshtë me suva çimentoje. Kulmi i kupolës qëndrore u zbukurua së brendshmi me një medalion të madh, që tani nuk është më.[1]
Galeri Pamjesh
|
---|
|
Shiko gjithashtu
Redakto- Xhamia Çurihata
- Xhamia e Sheikh Saadit
- Xhamia e Shah Mohamadit
- Xhamia Shahi e Gurait
- Xhamia Kutub Shah
- Xhamia Shahi e Parulias
- Xhamia Bhujanpara e Beraidit
- Xhamia e Pathrailit
- Xhamia Shahi e Muazampurit
- Xhamia Goaldi
- Xhamia e Baba Adamit
- Xhamia e Atias
- Xhamia me 201 kupola
- Xhamia e Aurangzebit
- Mazari dhe Xhamia e Haxhi Baba Saleh
- Xhamia e Bibi Marjamit
- Xhamia Sat Gambuxh
- Xhamia Bhanga
- Xhamia e Khan Mohamad Mridhas
- Husaini Dalani
- Arkitektura e Bengalit
- Islami në Bangladesh
- Lista e vendeve të adhurimit në Dhaka
- Lista e monumenteve të trashëgimisë në Dhakën e vjetër
- Lista e xhamive në divizionin e Dhakës
- Lista e monumenteve të rëndësishme në divizionin e Dhakës
Referime
Redakto- ^ a b c d e f g M. A. Bari (2012). "Khwaja Ambar's Mosque". përmbledhur nga Sirajul Islam; Sajahan Miah; Mahfuza Khanam; Sabbir Ahmed (red.). Banglapedia: The National Encyclopedia of Bangladesh (në anglisht). Asiatic Society of Bangladesh. ISBN 984-32-0576-6. OCLC 52727562. OL 30677644M. Marrë më 7 tetor 2024.
- ^ a b Muntassir Mamun (1993). Ḍhākā smr̥ti bismr̥tira nagarī (në bengalisht). Ananya. ISBN 984-412104-3. OCLC 45260385.
- ^ "খাজা আম্বর শাহ মসজিদ: সভ্যতার আড়ালে ঢেকে আছে ঐতিহ্য". priyo.com (në bengalisht). Marrë më 5 nëntor 2019.
Bibliografia
Redakto- M. A. Bari (2012). "Khwaja Ambar's Mosque". përmbledhur nga Sirajul Islam; Sajahan Miah; Mahfuza Khanam; Sabbir Ahmed (red.). Banglapedia: The National Encyclopedia of Bangladesh (në anglisht). Asiatic Society of Bangladesh. ISBN 984-32-0576-6. OCLC 52727562. OL 30677644M. Marrë më 7 tetor 2024.
- Muntassir Mamun (1993). Ḍhākā smr̥ti bismr̥tira nagarī (në bengalisht). Ananya. ISBN 984-412104-3. OCLC 45260385.