Xhevat Korça ose Djevat Kortsha[1] (Korçë, 10 janar 1893 - Burgu i Burrelit, 27 korrik 1959) ka qenë mësues, historian dhe ministër Arsimi i qeverisë Kruja.

Xhevat Korça
Ministër sekretar shteti i Arsimit
Në detyrë
3 dhjetor 1941 – 4 janar 1943
Paraprirë ngaErnest Koliqi
Pasuar ngaNdoc Naraçi
Të dhëna vetjake
U lind më10 janar 1893
Korçë, Perandoria Osmane
Vdiq më27 korrik 1959
Burgu i Burrelit, Republika Popullore e Shqipërisë
Nënshtetësiashqiptar
FëmijëtGenci, Mërgimi
Punësimimësues, nëpunës

Ka lënë përkthime të dokumenteve mbi shqiptarët nga arkivat austriake, përkthime të cilat gjenden në Arkivin e Shtetit në Tiranë.[2]

Biografia Redakto

U lind më 10 janar 1893 në Korçë,[3] ku kreu mësimet fillore. Që i ri iu bashkua çetave e Themistokli Gërmenjit dhe Spiro Ballkamenit, arsye për të cilën u dënua me vdekje si prej autoriteteve osmane dhe prej grekëve.[4]

Ndoqi gjimnazin e Janinës, Zosimean.[3] Me interesimin e Gërmenjit dhe përkrahjen e Bajram Currit, administrata shqiptare gjatë pushtim-administrimit austro-hungarez dërgoi Xhevatin së bashku me disa djem të tjerë me studime në Vjenë. Ndoqi studimet në Fakultetin e Filozofisë, dega histori, nga 1917 dhe përfundoi studimet me vlerësimin «summa cum laude» më 1922.[3] Me 15 dhetor 1918 së bashku me bashkëstudentët Jani Basho, Remzi Baçi, Nush Bushati, Raqi Buda, Fuad Asllani, Gjovalin Gjadri, Luigj Kakarriqi i paraqitën presidentit amerikan Wilson një lutje ku i kërkojnë "në emër të djelmërisë shqiptare e të kombit shqiptar të merrni këtë komb fatkeq nën mbrojtjen Tuaj».[4]

Më 1922 u caktua arsimtar në Shkodër, kur u themelua gjimnazi shtetëror, së pashku me Anton Palucën, Kostaq Cipon, Kolë Margjinin, Gabriel Meksin, Gjergj Kokoshin, Simon Rrotën etj.[4] Ishte anëtar i organizatës Krahu Kombëtar.[5] Më 1923 u emërua drejtori i parë i Gjimnazit të Shkodrës.[3] Asokohe botoi në shtypshkronjën Nikaj në Tiranë studimin «Tri pyetje nga jeta e Skënderbeut».[4]

Përkrahu Lëvizjen e qershorit, arsye për të cilën pasi kthimit të Zogut me Triumfin e Legalitetit në dhjetorin e 1924, u largua drejt Mbretërisë Jugosllave.[3] U inkuadrua prej prof. Henrik Bariqit si lektor i gjuhës shqipe në kursin-seminar që albanologu mbante asokohe. Këshilli i Fakultetit të Filozofisë pranë Universitetit të Beogradit, me nismën e Prof. Bariqit, kishte aprovuar me datën 31 maj 1925 krijimin e «Seminarit për filologjinë shqipe». Kështu në vitin 1925 Xhevat Kortsha u caktua prej Bariqit si lektor me honorar për gjuhën dhe letërsinë shqipe, ndërsa gjatë vitit akademik 1927-28 ai mbajti kursin “Gjuha shqipe për fillestarë”. Fryt i këtij bashkëpunimi janë edhe dy reçensionet që Xh. Kortsha botoi tek revista e Bariqit: «Arhiv za arbansku starinu, jezik i etnologiju» në vitin 1926 (lib. III, n. 1-2), njëri i botuar serbisht i përket «Historisë së Skënderbeut» që Fan Noli kishte botuar në Boston në vitin 1921. Ndërsa tjetri i shkruar gjermanisht analizon në mënyrë kritike përkthimin gjermanisht që Gustav Weigand-i i kishte bërë në vitin 1925 në faqet e «Balkan-Arkiv»-it të tij disa pjesëve të Lahutës së Malcís.[4] Sipas baxhanakut të tij Sejfi Vllamasit, Korça i kishte treguar se kishte organizuar dhe shoqëruar Alqiviadh Bebin për në Pragë, ku ky i fundit qëlloi me tre plumba në kokë Ceno beg Kryeziun.[6] Arsye për të cilën, u akuzua nga autoritetet ushtarake të oborrit mbretëror jugosllav si bashkëfajtor në vrasje,[7] u pushua nga puna dhe mezi doli nga toka jugosllave.[8] Mori pjesë në Konare, prej ku u largua më 1927 pasi Kominterni kushtëzoi dhënien e ndihmës në kthimin në komunistë të të ndihmuarve.[9] Pas 1927 nisi të marrë ndihma nga Italia fashiste.[10]

Në Austri ku vijoi të jetonte si emigrant politik u dha pas përkthimit të dokumenteve të Arkivit të Shtetit austriak mbi historinë kombtare shqiptare. Pas atentatit që Azis Çami dhe Ndok Gjeloshi i bënë Zogut në Vjenë, Kortshën e përzunë nga Viena dhe shkoi me banim në Graz. Më pas Kortsha u detyrua të kalonte në Itali, ku vendoset në Fiume.

Në ditët e pushtimit italian kapërceu urën që ndante Fiumen italiane me qytetin jugosllav Sushak për t'i telegrafuar prej atje mbretit Zog – mbasi në Itali çensura mund ta bllokonte lehtësisht komunikimin telegrafik. Objekti i komunikimit ishte kërkesa që ai i bante kundërshtarit të vjetër politik me i hapë kufijtë për me lejue patriotët e ikun me mbrojtë atdheun. U kthye në Shqipëri pesë muaj mbas pushtimit fashist.

Në vitin 1940 do të pranojë emërimin si anëtar i Këshillit të Shtetit së bashku me Riza Danin, Sejfi Vllamasin, Omer Nishanin, Fuad Asllanin, Dhimitër Berattin, etj. Me emërimin e mikut të tij Mustafa Kruja si kryeministër i vendit në vitin 1942, Xhevat Kortsha pranoi të bënte pjesë në kabinetin ministerial, duke marrë mbi vete barrën e Ministrisë së Arsimit, por me dy kushte:

  1. Gjuha italishte të hiqej si gjuhë e detyrueme prej shkollave fillore të Shqipërisë edhe të Kosovës.
  2. Të liroheshin prej kampit internimit në Ventotene të Italisë të gjithë arsimtarët e internuar shqiptarë.

Arsye për të cilën autoritetet fashiste italiane liruan Ermenjin, Z. Palin, V. Andonin, Butkën dhe shumë antifashista të tjerë, të cilët i dërgoi në vazhdim si mësuesa në Kosovën që tashmë i ishte bashkuar tokës amë.

Një tjetër prej ndërmarrjeve kulturore me rëndësi të asaj periudhe, në të cilën mori pjesë edhe Xhevat Kortsha ishte edhe themelimi i Institutit të Studimeve Shqiptare. Vrasja e Qazim KoculitVlorë shtyu kryetarin e kabinetit të jepte dorëheqjen në shenjë proteste.

Me daljen nga qeveria Kruja merr fund edhe aventura politike e Xhevat Kortshës, të cilin marrja e pushtetit prej komunistave do ta gjejë në shtëpinë e tij në Tiranë. Menjëherë pason arrestimi i tij dhe i të birit Gencit, i cili kishte luftuar me batalionin «Besnik Çano» në Kosovë kundër çetnikëve dhe partizanëve jugosllavë. Në prill të vitit 1945 Kortsha doli para Gjyqit Special, të kryesuar prej Bedri Spahiut dhe Koçi Xoxes. U dënua me vdekje, por më vonë ia kthej dënimin në burgim të përjetshëm. Në vitin 1949 Xhevati ndodhej i shtruar në spitalin e burgut.

Del nga spitali pa marrë asnjë mjekim, dhe vijoi dënimin në Burgun e Burrelit, ku pas njëfarë kohe vendosi me i dhanë fund jetës me anë të një greve urie prej të cilës ndërroi jetë 27 korrik 1959.[4]

Referime Redakto

  1. ^ Sina, Beqir (22 shkurt 2016). "Në Detroit vdiq në moshën 92 vjeçare intelektuali i shquar në diasporë Genc Korça - Kortsha". {{cite journal}}: Burimi journal ka nevojë për |journal= (Ndihmë!)
  2. ^ Imeraj, Prenjo (24 korrik 2012). "Greva e urisë e patriotit Xhevat Korça, dhe fjalët e babait të Liri Gegës në burg". Metropol. 2725: 16–17. Arkivuar nga origjinali më 2 shkurt 2014. Marrë më 16 prill 2022.{{cite journal}}: Mirëmbajtja CS1: BOT: Gjendja e adresës origjinale është e panjohur (lidhja)
  3. ^ a b c d e Dervishi, Kastriot (2012). Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet. Tiranë: 55. fq. 160. ISBN 9789994356225.
  4. ^ a b c d e f Ndreca, Ardian (15 maj 2010). "Xhevat Kortsha: shembull i qëndrimit moral për intelektualët shqiptarë". Metropol. 2057: 10–11.
  5. ^ Vllamasi, Sejfi (2012). Ballafaqime politike në Shqipëri (1897-1942). Tiranë: Vllamasi. fq. 282, 328. ISBN 978-9928-140-54-8.
  6. ^ Dervishi, Kastriot (2010). Plumba politikës. Tiranë: 55. fq. 103–105. ISBN 978-99943-56-43-0.
  7. ^ Këlcyra, Ali (2012). Frashëri, Tanush (red.). Shkrime për historinë e Shqipërisë. Tiranë: Onufri. fq. 142–143. ISBN 978-99956-87-81-6.
  8. ^ Vllamasi 2012, p. 433.
  9. ^ Vllamasi 2012, pp. 421, 431.
  10. ^ Vllamasi 2012, p. 434.