E Djathta Shqiptare
E djathta është një nga dy rrymat kryesore të mendimit në skenën politike shqiptare së bashku me të majtën. Parimet kryesore të së djathtës në trevat shqiptare janë Ekonomia e Lirë e Tregut, Konservatorizmi Shoqëror, Pro-Europianizmi dhe Mbrojtja e të Drejtave Kombëtare të Shqiptarëve. Partitë kryesore politike të së djathtës shqiptare janë Partia Demokratike e Shqipërisë, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partia Demokratike Shqiptare. Përfaqësuese më të vogla janë Partia Republikane e Shqipërisë, Rilindja Demokratike Kombëtare në Maqedoni, Partia për Veprim Demokratik në Serbi, Lidhja Demokratike dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve në Mal të Zi. Figurat kryesore historike të së djathtës shqiptare janë Ahmet Zogu, Mit'hat Frashëri, Azem Hajdari, Sali Berisha, Ibrahim Rugova, Ramush Haradinaj dhe Arbër Xhaferri. Figura të tjera që kanë luajtur një rol të rëndësishëm në formësimin e së djathtës shqiptare janë Abaz Ermenji, Ali Këlcyra, Hasan Dosti, Safet Butka, Hysni Lepenica, Lef Nosi, Skënder Orollogaj, Skënder Muço, Abaz Kupi, Muharrem Bajraktari, Gani Kryeziu dhe Said Kryeziu, Genc Pollo, Gramoz Pashko, Sabri Godo, Lulzim Basha, Jozefina Topalli, Bamir Topi, Gazmend Oketa, Neritan Ceka, Fatmir Sejdiu, Bujar Bukoshi, Veton Surroi, Isa Mustafa Vesel Memedi dhe Menduh Thaçi.
Historia e së Djathtës Shqiptare
RedaktoAhmet Zogu kundër Fan Nolit, 1920-1924
RedaktoMendimi politik shqiptar filloi të ndahej në ideologji, ndonëse në mënyrë të paqartë në vitet 20' të shekullit të kaluar. Asokohe në vend vepronin dy forca kryesore politike, Partia Popullore (që përfshinte Fan Nolin, Ahmet Zogun dhe përfaqësues të borgjezisë) dhe Partia Përparimtare (bejlerët, deputetët kosovarë dhe shkodranë). Asnjëra nuk kishte qëndrim të qartë politik, dhe vetëm pas zgjedhjeve të vitit 1923, kur këto dy parti u shpërbënë, u krijuan qartazi dy grupime të reja politike ideologjike : Grupimi Qeveritar i Ahmet Zogut dhe Grupimi Opozitar i Fan Nolit (kishin qenë në një parti më përpara). Grupi i Zogut ishte i djathtë teksa kërkonte ndryshime graduale në vend, pra ruajtjen e strukturës së vjetër shoqërore dhe ekonomike dhe ndryshimin e saj në etapa të gjata kohore. E majta e përfaqësuar nga Fan Noli kërkonte ndryshime radikale dhe rrënjësore në një vend që sapo kishte marrë pavarësinë me shumë mund e gjak, që kishte më pak se një milion banorë dhe që ishte më i varfri i Europës. Ata gjithashtu kërkonin dhe bashkimin e trojeve të mbetura jashtë kufijve me Shqipërinë, gjë që do ta çonte vendin drejt një lufte shkatërrimtare. Të majtët erdhën në pushtet me grusht shteti në qershor të 1924, duke përdorur si shkak vrasjen e Avni Rustemit, njërit nga ideologët e tyre kryesorë, ndërkohë që ata i kishin bërë atentat Zogut, në janar të atij viti teksa nisej për t'u bërë kryeministër i ligjshëm i vendit. Por programi i tyre ambicioz që synonte modernizmin e Shqipërisë në një periudhë të shkurtër nuk funksionoi, dhe qeveria jolegjitime e Fan Nolit u rrëzua me Triumfin e Legalitetit të dhjetorit 1924. Ahmet Zogu dhe të djathtët u rikthyen në fuqi.
Dy pikëpamje të kundërta Ahmet Zogu dhe Mit'hat Frashëri, 1925-1939
RedaktoArdhja e Ahmet Zogut në fuqi shënon edhe periudhën më të gjatë të qeverisjes së djathtë në Shqipëri, plot 14 vjet, pa llogaritur vitet 1939-1944 kur qeverisën Partia Fashiste e Shqipërisë dhe Balli Kombëtar (edhe këto të djathta). Ahmet Zogu fillimisht ishte President i Republikës, por pastaj u shpall Mbret i Shqiptarëve në vitin 1928. Figurat kryesore të së mendimit djathtist të kësaj kohe ishin Ahmet Zogu, dhe dy kushurinjtë Mehdi dhe Mit'hat Frashëri. Mehdi Frashëri ishte kryeministër gjatë periudhës së sundimit të Zogut dhe qeveria e tij u quajt "Qeveria e të Rinjve". Mit'hat Frashëri ishte kundërshtar i flaktë i Zogut. Ai mbështeste sistemin republikan (Zogu ishte monarkist), pluralizmin politik (partitë politike lejoheshin në Statutin Themeltar të Mbretërisë Shqiptare, por autoritetet nxirrnin pengesa nga më të ndryshmet për funksionimin e tyre) dhe ekonominë kapitaliste (Zogu ishte përpjekur të kufizonte pushtetin e bejlerëve, por pa sukses). Ndoshta e vetmja pikë ku pajtohej me Zogun ishte lufta kundër komunizmit (Zogu kishte shtypur me dhunë Kryengritjen e Fierit të 1935). Frashëri u kthye në një figurë popullore të rinisë së shkolluar të Tiranës dhe në mungesë të një debati me Mbretin, elementët majtistë debatonin me Frashërin. Dy pikëpamjet e ndryshme të së djathtës shqiptare, Monarkizmi dhe Republika përfaqësoheshin në këto vite nga Ahmet Zogu dhe Mit'hat Frashëri.
Fashistët kundër Ballit Kombëtar, 1939-1943
RedaktoSi për ironi të fatit dy partitë e para politike të së djathtës shqiptare u krijuan gjatë pushtimit italian dhe ishin kundërshtare me njëra-tjetrën, Partia Fashiste e Shqipërisë, degëzim i asaj italiane dhe Balli Kombëtar. Të dyja proklamonin Shqipërinë Etnike, por njëra nën pushtimin italian, kurse tjetra të pavarur. Partia e parë e majtë shqiptare si për ironi u krijua po gjatë kësaj periudhe, dhe ashtu si partia e parë e djathtë, Partia Fashiste, edhe ajo ishte parti ekstremiste, Partia Komuniste Shqiptare. Ajo ishte totalisht kundër Shqipërisë Etnike dhe ashtu si Partia Fashiste që u krijua nën diktatin italian, Partia Komuniste u krijua nën diktatin jugosllav. Pra dy partitë e para politike shqiptare PFSH (1939) dhe PKSH (1941) u krijuan me ndihmën e të huajve. Më 7 prill 1939, Shqipëria u pushtua nga Italia Fashiste. Mbreti Zog u arratis nga vendi, dhe vetëm reparte të veçanta të ushtrisë bënë rezistencë kundra pushtuesve. Më 2 qershor të atij viti me nismëm e Tefik Mborjes, mik i vjetër i Galeaci Çianos dhe kundërshtar i flaktë i Ahmet Zogut, u krijua Partia Fashiste Shqiptare. Pavarësisht presioneve dhe propagandës së madhe, numri i anëtarëve të saj mbeti i ulët (një burim raporton për 13,500 anëtarë në maj të 1940, por edhe kjo është një shifër shumë e lartë. Partia nuk ishte e pavarur, pasi varej direkt nga Musolini, pra ishte më shumë një parti kukull. Vendi pati 4 kryeministra nga kjo parti : Shefqet Vërlaci, Mustafa Merlika-Kruja, Maliq Bushati dhe Eqrem Libohova. Në vitin 1941 u krijua Partia Komuniste Shqiptare e cila dhe pati mbështetje kryesore në Jug të vendit. Ajo i shpalli luftë pa kompromis PFSH dhe pushtimit italian. Në fillim të 1943, partia ndërroi emrin në Roja Kombëtare Shqiptare, nën drejtimin e Maliq Bushatit. Me pushtimin italian, PFSH u shpërbë. Në nëntor të vitit 1942 u formua Balli Kombëtar nën drejtimin e Mit'hat Frashërit dhe Ali Këlcyrës. Partia shpalli programin e saj "Dekalogun" prej 10 pikash, ku deklaronte se ishte për një Shqipëri Etnike, republikane, demokratike, dhe pluraliste. Partia gjeti mbështetje të gjerë në Shqipërinë e Jugut (në zonat e PKSH), veçanërisht në Vlorë, Berat, Korçë dhe Gjirokastër, dhe në Kosovë dhe trevat shqiptare të Maqedonisë. Ajo i shpalli luftë Partisë Fashiste Shqiptare, dhe i ofroi dorën e bashkëpunimit Partisë Komuniste dhe Frontit Nacional-Çlirimtar, që u konkretizua me Konferencën e Mukjes, në 1943. Por PKSH e hodhi poshtë marrveshjen që e kishte nënshkruar vetë dhe për këtë qëllim i shpalli luftë Ballit Kombëtar, duke nisur kështu Luftën Civile (1943-1944).
Balli, Legalistët dhe Nacionalistët kundër Komunistëve, 1943-1945
RedaktoNë shtator 1943, Italia Fashiste kapitulloi. Menjëherë në Shqipëri hynë trupat gjermane dhe Balli Kombëtar i gjendur mes zjarrit komunist dhe kërcënimit nazist, zgjodhi bashkëpunimin me pushtuesin gjerman. Gjermania shpalli Pavarësinë formale të Shqipërisë dhe formimin e Shqipërisë Etnike. Eksponentë të Ballit Kombëtar u vunë në krye të vendit, nga të cilët 4 ishin kryeministra : Mehdi Frashëri, Rexhep Mitrovica, Fiqri Dine dhe Ibrahim Biçakçiu. Udhëheqësi i Ballit Kombëtar, Mit'hat Frashëri nuk u shpreh asnjëherë pro ose kundër bashkëpunimit me gjermanët, por lidhjet e hapura të partisë së tij me ta i dëmtuan rëndë marrëdhëniet e tij me anglo-amerikanët të cilët filluan të furnizojnë me armë forcat komuniste, dhe më pak ato të Legalitetit. Më 2 gusht 1943, Abaz Kupi, oficer xhandarmërie në periudhën e Zogut, dhe udhëheqës i rezistencës në portin e Durrësit gjatë sulmit të 7 prillit, shpalli ndarjen nga Fronti Nacional-Çlirimtar që po dominohej gjithmonë e më shumë nga komunistët dhe shpalli krijimin e Partisë së Legalitetit. Ajo quhej kështu sepse kërkonte rikthimin në fuqi të Ahmet Zogut, që quhej udhëheqësi i ligjshëm (legal) i vendit. Kryetar nderi i Partisë ishte Ahmet Zogu, kurse në terren e udhëhiqte Abaz Kupi. Për shkak se kërkonte sistemin monarkist, partia pati fërkime me Ballin Kombëtar, por kur rreziku komunist ndaj tyre u bë i dukshëm, dy partitë bashkuan forcat për të luftuar PKSH, që po merrte pushtetin në Shqipëri me tërheqjen e gjermanëve. Duke qenë se ishin grupimi më i vogël i rezistencës, Legalistët nuk u ndihmuan nga aleatët, dhe kjo solli shpartallimin e tyre kur partizanët arritën në Mat, që ishte zona kryesore e mbështetjes së tyre. Nacionalistët, siç e quanin veten, ishin një grup drejtuesish ushtarakë dhe politikë, kryesisht në Veri të vendit. Ata nuk ishin me asnjërën forcë politike. Nuk kishin asnjë opinion politik mbi Ahmet Zogun dhe regjimin që do të vinte pas çlirimit, por e rëndësishme për ta ishte të krijohej Shqipëria Etnike dhe në pushtet të mos vinin komunistët. Më të njohurit nga ky grup ishin Muharrem Bajraktari në Lumë dhe vëllezërit Gani dhe Said Kryeziu në Gjakovë. Ata nuk bashkëpunuan me forcat pushtuese, por as me ato anti-komuniste. Ata luftuan me vonesë kunder komunistëve, dhe si pasojë u mundën lehtësisht nga partizanët. Në nëntor 1944, PKSH kishte marrë pushtetin, ndërsa të djathtët ose ishin vrarë, ose ishin arratisur. Tek tuk disa bënin rezistencë maleve. Muharrem Bajraktari vazhdoi rezistencën deri në vitin 1946, kurse Mark Gjon Marku, krijoi një organizatë të quajtur "Lidhja e Maleve", që luftonte kundër komunistëve. Dy revolta pati kundër komunistëve, një në Koplik dhe një në Postribë, por pa sukses.
E Djathta në Mërgim, 1945-1990
RedaktoMe fitoren e komunistëve, për të djathtën u bë e pamundur mbijetesa në Shqipëri. Balli Kombëtar dhe Legaliteti e vazhduan aktivitetin e tyre jashtë vendit. Bashkë me to u krijuan edhe parti të tjera por të parëndësishme.