Jahja (Jaho) Domnori (1905-1989) “Mësues i Merituar”, drejtor i shkollës së parë shqipe në Ulqin në vitin 1941 si dhe inspektor i shtatë shkollave në fshatrat përreth Ulqinit. Ka shërbyer si mësues në shumë qytete të Shqiperisë si Shkodër, Dibër, Vlorë, Peshkopi dhe Durrës. Në vitet pas çlirimit ka drejtuar kurset për kualifikimin e mësueve të rinj që i shërbyen hapjes së shkollave shqipe në shumë krahinat te vëndit kryesisht në pjesën veriore. Krahas mësuesisë, ai sherbeu si administrator dhe ekonomist i shumë shkollave dhe konvikteve studentore kryesisht në intenatin e Dibërs, Vlorës dhe Shkodrës.

Jahja Domnori
Mësues i Merituar
(1905 - 1989)

Jahja Domnori.jpg

Lindi më: 14 mars, 1905
Vendlindja: Shkodër, Perandoria Osmane
Vdiq më: 6 prill, 1989
Vdiq në: Shkodër, Shqipëri
Profesioni: Publicist, Mësues

FamiljaRedakto

Lindi në Shkodër në mars të vitit 1905. Rridhte nga një familje zanatçinj-tregtarë. I jati, Alushi, kishte punuar si saraç, në pazar të vjetër, por njëkohësisht merrej me tregëti duke lëvizur në Mesdhe, në brigjet e Italisë, në Stamboll, Egjipt, Algjeri, Sarajevë e Trieste për të sjellë lëkura dhe mjete të tjera për këpucar. Ishte tregtar i shumë artikujve. Si atdhetar, Alushi mori pjesë aktive në demonstratën masive kundër pushtonjesit austriak, ku edhe u burgos. Ishte po ai, Alush Domnori, që kur kapitulluan ushtritë austriake, gjatë luftës së parë botërore, ushtarë e oficerë të mbetur rrugëve i strehoi në shtëpinë e tij në Perash, duke u vënë në dispozicion kullën e sanës për ushqimin e kuajve dhe duke ndarë me ata bukën dhe ushqimin, në atë periudhë krize.

Xhaxhai i tij, Hoxhë Rrustem Domnori kishte studiuar për teologji në Stamboll. Hoxhë Domnori ishte shumë i përmendur si luftëtar, qëndresa e tij, 7 muaj në llogore gjatë rrethimit te Shkodrës me 1913 u përjetësua edhe në “Lahuten e Malësisë” të Atë Gjergj Fishtës ku shkruan: “Shka i ka qitë n’atë Qafë-Hardhi \ me ba pushkë me Mal të Zi \ t’ndodhte Xhemi edhe Rrustemi.”[1]. Hoxhë Domnori si mjek popullor për sëmundjet nervore, bënte shërbime falas pa dallime fetare. Ai ishte i ditur dhe fetar shumë tolerant.

Shtëpia e parë e kësaj familje ka hyrë në histori. Historiani shkodran, Hamdi Bushati në veprën e tij, “Shkodra dhe Motet” f.151[2] shkruan: “Sahati i Inglizit, siç thotë populli, qysh prej së largu i tërheq vëmendjen çdo vrojtuesi, që dëshiron të dijë historikun e kësaj ndërtese tipike e kohës feudalizmit. Po të gjurmojmë, del se dikur, kund 100 vjet më parë, vendi ku është ndërtuar shtëpia, ishte kënetë, atje gjuheshin rosat, pjesa mbrapa, që ma vonë asht ba pjesë përbase e shtëpisë së anglezit, ishte pronë e të quajtunit, Abdullah Domnori. Me kohë qeveria osmane, shtëpinë e Domnorëve, (ish Muzeumi i Shkodrës), e shpronësoi dhe e mbajti në dispozicion të vetin…”

StudimetRedakto

I rritur ne këte familje me tradita te larta qytetare, i jati e dergoi Jahjanë të mësojë zanat te kushrini i tij, Riza Rusi. Në mbarim të luftës së pare botërore regjistrohet në shkollën “Daryl Irfan” (Dera e Dijes) që më vonë mori emrin “Shkolla e Parrucës”. Aty ishte mësues vellai i tij Shuajbi, ndër mësuesit e parë të kësaj shkolle dhe themelues i Bandës së Parrucës. Pa u shkëputë nga shkolla punonte si shegert te tregtari, Elez Muka, me të cilët i lidhte një miqësi e vjetër.

Me 1922 u hap Gjimnazi i shtetit në Shkodër në të cilin ai regjistrohet dhe e mbaron me 1928 në degen pedagogjike, duke hyrë në historinë e këtij Gjimnazi si Matura e parë me drejtor Mirash Ivanaj. Gjatë periudhës shkollore si student, bënte pjesë në skuadrën e futbollit “Vllaznia” me nxënësit e Gjimnazit të cilët me aktivitete shkollore dhe jashtë shkollore po konkuronin të gjitha shkollat private. Aty po bashkoheshin nxënës nga të gjitha krahinat e Shqipërisë, deri Kosovë e Çamëri dhe me tre besime fetare ku gjetën mirëkuptim e tolerancë.

Është shkruar shumë për aktin patriotik të studentëve të gjimnazit të Shkodrës në Demonstraten e 28 nëntorit 1927. Studenti Jahja Domnori mori pjesë aktive në aksionin e heqjes së flamurit Italian nga Banka e Shtetit në Shkodër, nga ku edhe arrestohet me pesë studentë të tjerë të cilët ishin: Jahja Domnori, Agustin Shestani (nga Kraja), Jup Kazazi, Jahja Baçe dhe dy konviktorë të tjerë. Edhe pse akti ishte me ngarkesë politike, drejtori, Mirash Ivanaj u kujdes për studentët deri në lirimin e tyre. Këte e kofirmon edhe Dr. Jakov Milaj, në kujtimet e veta si student i Gjimnazit të Shkodrës në atë kohë. (në shkrimin “Kujtime për Mirash Ivanaj 1993”)[3].

Jeta arsimoreRedakto

Me 1928 emërohet mësues dhe ekonomat në internatin “Kastriot” të Dibrës, me drejtor Sali Morina. Ishte hera e parë në jetën e tij që bëri udhëtim me avionin e shoqërisë italiane Adria Aereo Llojd, i cili zbriti në fushën e Kastriotit për 27 minuta, udhëtimin e bëri me djalin e xhaxhait, Qazim Domnorin shendetlig, e mori me vete, që t’i ndërronte vend dhe ta shkollonte. Në Kujtimet e veta shkruan: “si ekonomat në ate shkollë me konvikt,i kurseva shtetit 500 napolona ari. Pasi e verifikoi Ministria e Arsimit se fëmijët, dhe 25 irridentistët nga Dibra e Madhe të cilët i kisha në ngarkim, ishin ushqyer konform rregullores, pata mundësinë t’i shpenzoj ata para për rikonstruksion të godinës, për krevate, velenca etj.”[4]

Me sjelljen e tij korrekte kishte fituar besimin e dibranëve. Sa herë vononin rrogat e arsimtarëve për arësye te ndryshme shkonte e merrte para te pronari i Hotelit “Durimi” në Peshkopi, Z.Ramiz Trepçi, burrë i ndershëm, i besës dhe shumë arsimdashës (për dijeni, Z.R.Trepçi ishte nip i Sulë Shehut, atë kohë kryetar bashkie dhe një personalitet i shquar i arsimit kombëtar,fillimin, Internati Kastrioti e kishte në shtëpinë e Sulë Shehut).

Kur vinte koha për t’ia kthyer paratë, Z.Ramiz nuk pranonte kamatë. Ndershmëria atëhere ishte një rregullator në marrëdheniet shoqërore dhe në miqësitë afatgjata. Ka lënë shumë shënime në fletoren “Jeta Ime” për 8 familjet e mëdha të Dibrës: Elez Isufi në Sllovë, Dine Begu në Maqellarë, Murat Kaloshi në Kandër, Dervish Luzha në Reç e Dardhë e me radhë, Dine Dema, Dan Cami dhe Dine Hoxha në Muhren e Vjetër, për të cilin shkruan se ishte shumë i ditur. Për të gjithë kishte një mendim, mikëpritës,atdhetar dhe arsimdashës. Shkruan shumë për Fiqiri Dinen, një figurë e spikatur si ushtarak vizionar, nacionalist i ndershëm, me kulturë përendimore. Ja kishte dëgjuar zërin F.Dines, që në vitin 1920 kur ishte qark-komandant në Shkodër, kur Jahja ishte pjesëmarrës në Luftën e Koplikut, pasi forcat Jugosllave donin të aneksonin krahinat e Veriut. Ishte organizimi ushtarak i këtij biri të Maqellarës që zmbrapste çetnikët serbë, sa herë që shkelnin kufirin në qarkun e Shkodrës.[4]

Me 1930 thirret në Tiranë për të vazhduar shkollën e Plotësimit për graden officer së bashku me shokët e shkollës, Refik Shpuza dhe Qamil Golemi me të cilin ishte lidhur edhe me shume sepse Qamili, ishte martuar me të motrën e Jahjasë, Fejzijen.

Me 1931 emërohet mësues dhe ekonomat në shkollën internat të Burrelit. Aty ishte ndryshe, do t’i blinte ushqimet nga nje kontraktor që ishte i lidhur me parinë dhe i impononte të firmoste çmimin e diktuar prej tij dhe jo koston e mallit. Miku i tij Peter Elez, mësuesi dhe studiusi i mirënjohur i gjuhës shqipe, kolegë në atë institucion, frikësohej se mos i bënin ndonjë të keqe pasi edhe drejtori servil i shkollës, nuk e shikonte me sy të mirë qëndrimin e tij që kundërshtonte të firmoste, duke i thënë se është malli i Princit, por përgjigjja e Jahjasë ishte: “nuk besoj se Princi do të jetë dakord që të abuzoj me paratë e shtetit”. Në këto rrethana dha dorëheqjen. Ministria e Arsimit, pasi u qetësua situata, e pa të arsyeshme dhe e emëroi, kryemësues në Shkodër.

Më 1934, Ministri i Arsimit, Mirash Ivanaj, në kohën e Reformës Arsimore, kërkonte kualitete në arsim i bëri thirrje ish nxënësit të tij të shkonte në Vlorë, ku kishte shkolla me shumë çrregullime administrative.Për një kohë të shpejtë trefishoi numrin e nxënësve duke përfshirë edhe fëmijët e portit të lënë pa shkollë.Në kolektiv pati vetëm mësuese si Varvara Miho, Hava Xhaferi, Razije Kallulli (nëna e Adriatik Kallullit), Ifet Asllani (vajza e Ali Asllanit), Zina Beltoja nga Shkodra dhe punëtorin e shërbimit Kadri Ismaili nga Dukati. Shkolla u vu në një disiplinë të admirueshme sepse ai vetë jepte shembullin personal të një pune të ndërgjegjshme mësimore edukative deri edhe në pastrimin e femijëve të portit që vinin të papastër. Ndihma që i dha kryetari i Bashkisë Ali Asllani ishte e dukshme, bëri një kopësht model për shkollën dhe krijuan një miqësi të sinqertë. Shpesh në biseda Z.Ali i thoshte: “Si arrite t’i bësh lebërit e vegjël të flasin gegërisht. Po -Zoti Ali- i pergjigjej- Jahjaj edhe ju e keni  pëlqyer kur unë them Vlona për  Vlora sepse vlon shpirti i vlonjatit për liri”.

Zonja Ifet Asllani, e cila në atë shkollë ishte ngarkuar, përveç mësimdhënies, të drejtonte kursin e grave kunder analfabetizmit, në një takim me vajzën e Jahjasë, Pertefe Leka, ishte shprehur kështu, për drejtorin e shkollës: “shkodranët janë njerëz shumë të mirë, por Zoti Jahja Domnori ishte sintezë e gjithë të mirëve”. Pas vitit 1936 është transferuar në Shkodër, ku ka shërbyer në shkollën Oso Kuka në Hadrej, në shkollën e Parrucës e të Perashit. Me 1937, me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë, pasi kishte gradën e oficerit, ka drejtuar Paradën Rinore në Tiranë me një grup studentësh nga Shkodra.

Pushtimi Italian e gjeti në Shkodër. Konsulli Italian, Milani, e kishte regjistruar në listen e të padëshiruarve, sepse kishte kundërshtuar të vishte këmishen e zezë fashiste dhe kishte refuzuar të nxirrte gruan, Naxhijen, me kostum kombëtar në pritje të ministrit të jashtëm Italian, Konti Çianos. Për këte arësye e largojnë nga Shkodra dhe Ministria e Arsimit e emëron në Durrës. Atje gjeti njerëz si Rifat Durmishi që ia dinte vlerat dhe e emëroi zv. inspektor dhe drejtor te Shkollës “Hasan Prishtina” me nje personel prej 16 vetësh ku u bashkua me personelin në qëndresen antifashiste, ndër të cilët përmend Aristidh Kero, Nexhmi Ballka, etj.

Me 1941 i vjen një shkresë nga Ministria e Arsimit me një emërim të ri, drejtor shkolle në Ulqin. Ishte vit historik sepse ministri i Arsimit, Ernest Koliqi emëroi 400 mësues në trevat shqiptare, për t’i shërbyer Shqipërisë natyrale. Në ate kohë, Ulqinin e mori në dorëzim Beqir Gjylbegu, i cili i ngarkoi të merrte nën përgjegjësi edhe 7 shkolla të rrethit të Ulqinit. Kontigjentin e mësueve e gjeti në Shkodër sepse duheshin mësues të përgatitur. Ndër të tjerë iu drejtua edhe familjes së Prenkë Jakovës (atdhetar dhe kompozitor i shquar) sepse ishte njohur me Kolën (babai i Prenkës) në Luftën e Koplikut, i cili ishte ndër organizatorët e mbrojtjes se kufijëve kombëtar nga agresioni jugosllav.

Ja si e përshkruan vetë Prenkë Jakova këte takim “Pasi u falme me zotni Jahon, ai më propozoi që të shkojshe në katundin e Katërkollit në Anë të Malit, se në ate zonë kishte marrë edhe mësues të tjerë prej Shkodre si Viktor Kicin, Prenkë Shiroken, Shuk Shllakun, Ramadan Millen, Zef Berishen edhe shumë të tjerë. Me që të gjithë mësuesit që më përmendi zotni Jahoja i njifshe mirë, pranova pa ma të voglin hezitim. Nana Roze iu lut edhe për vllain tem Çeskun për me i gjetë nji vend edhe atij se i pëlqente natyra dhe puna si mësues”. (marre nga kujtimet e Prenkë Jakovës)

Fjalimi që mbajti drejtori i Shkollës, Jahja Domnori para prindërve dhe qytetarëve të Ulqinit ka mbetur në histori si dokument i hapjes së shkollës së parë shqipe mbas 70 viteve. “Ju që keni ruajtur gjuhën shqipe si dritën e syve, duhet punuar, tani këte punë e ban shkolla.” (marrë nga fjalimi ne ceremoninë e hapjes së shkollës). Këtë moment historik e ka paraqitur Z. Faik Luli, Mësues i Popullit dhe Doctor Honoris Causa në një kumtesë mbi zhvillimin e gjuhës shqipe në trevat e Ulqinit, duke specifikuar temen “Jahja Domnori pishtar i përhapjes se arsimit shqip në Ulqin”[5].

Ne  vitin 1943, shkon në Bari të Italisë, për një vizitë shëndetësore, sepse vuante nga veshkat dhe kur kthehet prej andej emërohet mësues në shkollën femërore “Don Ndre Mjeda” me drejtoreshë Ida Melgusha. Aty punon deri në çlirimin e vendit. Në kujtimet e veta shkruan: “aty pata një incident, me një të quajtunin Myslim Bejgora, e qe duke më vrarë, sepse kishte marrë vesh se unë i dërgoja rrogën në shtëpi, Zenepe Golemit, nepërmjet Refik Shpuzës, kur ajo kishte dalë në mal, partizane. Drejtoresha, Ida Melgusha, si i vetmi mashkull që isha, ma jepte mua rrogën e saj për t’ia dërguar familjes.” Vitet pas çlirimit deri me 1947 emërohet kryemësues në Allejbegi të Peshkopisë. Pa filluar mësimet në shkollë, duke parë se fshatarët donin një njeri të paanshëm në komision e caktuan me detyrë për ndarjen e tokave sipas kritereve që kishte Reforma Agrare. Pas një pune të lodhshme çdo gjë e realizoi me mirëkuptim, sepse toka ishte pika më e dobët për fshatarët. Pastaj me ndihmen e fshatarëve, ndërtuan një shkollë të re që të fillonin mësimet rregullisht. Më gjatë në këtë fshat ka qëndruar në shtëpinë e Kadri Demirit, të cilin e mobilizuan të shkonte në jug për trazirat në kufirin me Greqinë. Si pranoj ftesën e Z. Kadri për të banuar në familjen e tij, u detyrua të merrte në Shkodër gruan shtatzënë dhe vajzën pesë-vjeçare, sepse në këto rrethana, për të mos krijuar insinuate, duhej të ishte së bashku me familjen e tij në ate shtëpi, ku mungonte kryetari i familjes. Aty i lindi edhe djali. Doktori që asistoj në atë moment ia pagëzoj me emrin, Kujtim (për dijeni, kur Kujtimi u emërua drejtor në kantierin e parë të Fierzës, punësonte shumë të rinjë dibran të cilët ia rekomandonte Kadri Demiri si djem të zotët për punë dhe të gjithë e mendonin se inxhenieri ishte nga Dibra).

Po ate ditë gëzimi, te lidjes se djalit më 17 maj 1947, i erdhi një lajm i hidhur. Kishin arrestuar mikun e tij të vyer, Edip Tërshana. Një mësues i gjithë virtytshëm, atdhetar, idealist i Shqipërisë etnike, të cilin e pushkatuan më vonë pse deshi Shqipërinë me shumë se veten. Nuk e harroi kurrë këte figurë të ndritur, bile kujtonte edhe djalin e tij Nehatin, që kur shkonte për seminare në Peshkopi e ftonin në familje ku njëherë kishte ngrënë bukën të pjekur prej Nehatit 12 vjeçar. Në vitin 1948, seksioni i arsimit në Shkodër e dërgon të hapi shkollën e parë unike në Gur të Zi. Gjithmonë në fronte të vështira, por gjthmonë i gatshëm për t’i shërbyer arsimit, në çfarëdo rrethane që të ishte. Po në ate vit i nënshtrohet provimeve të kualifikimit, ku merr Dëshminë “Për Letra e Gjuhë shqipe” për të shërbyer si mësues i gjuhës shqipe në shkollat 7-8 vjeçare.

Në vitin 1949, seksioni i arsimit e emëron në konviktin Oroshi, që ishte transferuar nga Dukagjini në shtëpinë e murgeshave në Shkodër, për të vendosur rregullin, sepse ishte në gjendje jashtzakonisht të shthurur. Kur e inspektoi Dhori Samsuri, që vinte nga Tirana, u shpreh: “si është e mundur të rregullohej konvikti për një kohë kaq të shkurtër”. Ndërsa Prof. Dr. Musa Kraja në vepren “Mësuesit për Kombin Shqiptar shkruan: “Jaho Domnori, mësues i heshtur e fisnik, ndjenjat e pastra prindërore i kishte shkrirë plotësisht edhe tek nxënësit e vet. Në konviktin e Oroshit, ai duke vlerësuar specifikën e atij institucioni arsimor, ishte bërë një mësues, edukator dhe prind i vërtetë. Ky pasion e këto ndjenja e shoqërojnë ate në të gjitha vitet e shërbimit”[6] Pas vitit 1949 ka punuar vetem në shkolla 7-8 vjeçare. Në fillim në Ajazëm, ku duhej t’ingjitej kodrës e të zbriste në shkollë, por kurrë nuk ankohej. Në vitin 1950, Ministria e Arsimit e caktoi si mësues-metodist në kursin pedagogjik të Shkodrës ku propagandonte pjesëmarrjen e vajzave dhe të grave, pasi arsimi i atyre viteve kishte shumë nevojë për kuadro të reja në këte sektor dhe njëkohësisht kishte vlera për emancipimin e gruas në përgjithësi. Ishte i pari që regjistroi mbesat e veta, Hasije Kalaci, Sanije Cungu, Nexhmije Domnori dhe shumë vajza të tjera, për t’u bërë mësuese.

Vit pas viti kalonte në shkolla të ndryshme dhe shpesh jepte lëndë jasht profilit të tij, sipas nevojës që kishte seksioni i arsimit si: matematikë, gjeografi, histori, etj. Po ashtu ia ndërronin edhe pozicionet, herë mësues, herë nëndrejtor, herë inspektor, ku punoi në shkollat “Jordan Misja”, “10 korriku”, “Branko Kadia”, “Vasil Shanto”, por më gjatë deri në ditën që doli në pension e kaloi në shkollën “11 janari” si mësues gjuhe e gjeografie. Krahas punëve të shkollës kujdesej për konviktin “Tomë Kola” sepse nxënësit e këtij konvikti vazhdonin shkollën “11 janari”. Aty mbante llogaritë e shpenzimeve të çdo nxënësi, pasi kishin të drejtë të shpenzonin 500 lekë në vit. Mbante në rregull kuotat e Bashkimeve Profesionale të shkollës 11 janari, të “Shtëpisë së Fëmijës” dhe të “Shtëpisë Pionieri”. Ngarkohej nga drejtoria e shkollës me marrjen e librave për t’ua shpërndarë nxënësve në çdo fillim viti.

Kur u krijuan librezat e arsimtarëve, ishte i vetmi person që ia besoi seksioni i arsimit, për të verifikuar vjetërsinë e mësuesve, sepse ishte i ndershëm, i drejtë dhe i pakomprometueshem. Kështu arriti të plotësonte 900 libreza në zyrat e seksionit të arsimit, ku punonte çdo pasdite mbas mësimit. Kur u hap Instituti 2-vjeçar i Shkodrës, ishte caktuar mësues–metodist, ku studentët dëgjonin mësime të hapura dhe ushtronin aty praktikën pedagogjike. Prof. Fatmir Agalliu, studiusi i gjuhës shqipe, e vlerësonte dhe të dy bashkë diskutonin për problemet e gjuhësisë. Kur u hap gjimnazi i mbrëmjes në Shkodër, jepte lënden e Gjeografisë.

Nje ndihmese te madhe ka dhene per Shtepine e Femijes ne Shkoder. Kur i kërkonte ndihmë, drejtoresha Persa Grabova dhe më vonë Belkize Shazi, ai ishte aty. Një nxënësja e tij e këtij institucioni, Zhaneta Dilaveri, e përmendte ndihmen e tij prindërore: “sa herë që vinte zotni Jaho e rrethonim me dashuri, ai kishte fjalën e ëmbël që e zbuste shpirtin tonë të vrarë.” Për jetimorët kishte experiencën e mikut të tij të ngushtë, Sheuqet Muka, drejtor i suksesshem i Shtëpisë së Fëmijës në Tiranë me 1934, ku në leterkëmbimin midis tyre kishte vetem shembuj të mirë,në drejtim të punës edukative me nxënës specifikë.

PersonalitetiRedakto

Ishte nën ndikimin e ideve të Rilindjes Kombëtare dhe të iluministëve  Francez. Njihte 5 gjuhë të huaja, Frengjisht, Gjermanisht në Gjimnazin e Shkodrës 1922-1928, italishten në Shkollen e Plotësimit për oficer dhe gjuhët orientale, në Mejtep dhe në shkollën "Daryl-Irfan" (Dera e Dijes). Nuk ishte implikuar në formacione politike, por ka shërbyer me devocion për arsimin në të gjitha regjimet. Ishte Atdhetar, kundërshtar i pushtonjesve agresor të tokës dhe të trurit njerëzor. Kishte  tolerancë fetare, miqtë e tij, shumica i përkisnin religjionit kristian, sepse aktiviteti i tij shtrihej Shkodër, Vlorë, Durres dhe Dibër.

Ngjarjet e vitit 1920, në Luftën e Koplikut, ka qenë dëshmitar okular i rrjedhjes së gjarjeve, pasi mori pjesë në moshën 15 vjeçare. I jati plotësoi detyrimin një për shtëpi, sepse vëllai i madh ishte i sëmurë. Aty u njoh me babain e Prenkë Jakovës, Kolën, i cili ishte një ndër organizatorët e kryengritjes kundër agresorëve serb. (për dijeni, më vonë, miqësia me familjen Jakova u forcua më shumë, kur Jahja u emërua drejtor shkolle në Ulqin, 1941-42 dhe zgjodhi Prenkën të shërbente si mësues atje). Çështjen e përparimit të kombit e shikonte në arsimimin e brezit të ri. Edhe pas daljes në pension ai nuk iu nda arsimit, kur mungonin mësues në shkollat për rreth shtëpisë, e therrisnin per të zëvendësuar dhe shkonte papërtim për të mos humbur nxënësit orën e mësimit. Dalja e tij në pension e evidentoi edhe me shumë kulturën dhe dijet e tij. Ai zotëronte 5 gjuhë të huaja. Gjuhët orientale arabisht, turqisht dhe persishten e vjeter i kishte fituar në Shkollën “Daryl- Irfan“ (Dera e Dijës) ku pati mundësi të studionte në original poetët persë Saadi, Rumi, Omar Kajamin e të tjerë orientalë. Në dijet e tij ishin shkrirë dy kulturat ajo Orentale dhe Përendimore sepse njihte edhe gjuhën frënge e gjermane kur ishte student në Gjimnazin e Shkodrës dhe italishten kur ishte në Shkollën e Plotësimit në Tiranë.

Studionte në origjinal Kantin, Laplasin, Shopenhaurin, Russoin, Bualonë, Montenjin dhe Danten ku ka lënë mjaft përkthime nga Kanti dhe Shopenhauri. Më shumë ishte thelluar tek Gëte, i cili në fund të jetës kishte pranuar filozofinë e profetit Islam, religjionit të cilit i përkiste edhe Jahjaj. Në këte mënyrë gjente lidhje të filozofëve gjerman e francez me filozofët e orientit, lidhur me orientimin shkencor te dukurive natyrore e shoqërore. Nga dijetarët shqiptarë vinte ne krye Sami Frashërin fjalorin shumëgjuhësh të të cilit nuk e hoqi kurrë nga dora, ndërsa fotografia e Hoxhë Tahsinit me mbishkrimin: “Zoti është krijuesi i gjithçkaje, por çdo gjë është shkruar në pllaken e gdhendur të natyres” e mbante në dhomën e tij dhe gjithmonë përmendte ate si shembull për studimet e tij shkencore, që i jepte mundësinë fesë islame të evoluonte.

Asnjeherë nuk jepte supremacinë e njerës kulturë ndaj tjetërs, por i harmonizonte këto kultura në anën më njerëzore, duke mbledhur prej tyre nektarin, për të transmetuar esencen e këtij morali njerëzor të pasur ndër shekuj, të kujtdo qofshin: të latinit, të arabit, të izraelitit, a të aziatikut të largët për t’ju thënë brezave se të moralshmen e respekton dhe e nderon i gjithë njerëzimi. Kështu admironte, pa pasur asnjë kompleks fetar a filozofik, vepren e Fishtës, të Koliqit, Ali Asllanit, Branko Merxhanit, Mitrush Kutelit. Shumë poezi të tyre i dinte përmendsh. Ndërsa koleksionin e revistës “Përpjekja Shqiptare” të Branko Merxhanit e ruante me të madhe. Kryeartikulli i kësaj reviste “Pse nuk jam marksist” parashikonte se si ideologjia e re e injektuar nga Rusia do të helmojë mendjet e njerëzve. Kur kjo u bë ideologji sunduese në Shqipëri, e mbulonte këte mospërputhje me punë të ndërshme pa kundërshtuar bartësit e kësaj ideologjie. Kështu mundi të mbijetonte, dhe të mbante familjen vetem me një rrogë. Kurrë nuk kritikonte, as nxënësit, as fëmijët e vet në presencë të të tjerëve, por i merrte në veçanti dhe i këshillonte.

Një detaj të tillë e ceku vajza e tij Pertefe (Domnori) Leka, në konferencen e mbajtur me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Jahja Domnorit, pas vdekjes, në mars te 2005, në Shkodër me temen “Im Atë, Prind e Koleg”. Ndër të tjera ajo veçoj diçka interesante, rreth një shqetësimi që pati i jati për një veprim të saj të komanduar nga shkolla. Ishte viti 1959, kur Hrushovi vizitoi Shkodrën i shoqëruar nga udheheqësit e larte të shtetit, Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu. Shkolla Pedagogjike “Shejnaze Juka” ishte caktuar në hyrje të qytetit, ndërsa pritja e madhe bëhej në Parrucë. Papritur vjen një urdhër që të caktohen 4 vajza të shkollës për t’ju dalur përpara, sapo të shihej eskorta, për t’jua dhuruar tufat me lule, që i sollën në momentin e fundit. Mua më takoj t’i jepja lulet Hrushovit dhe t’i uroja udhëheqësit të lartë rus në gjuhën e tij mirëseardhjen. Veprimi qe i shpejtë dhe mbas kësaj nuk na lejuan që ta vazhdonim rrugën mbas delegacionit, por devijuam në rrugën tjetër paralele në Perash, ku edhe unë kisha shtëpinë. Në krye të Urës Boriçej. E shoh baben që po më priste, i tretur në fytyrë dhe nuk po e kuptoja se çfarë i kishte ndodhur. Si më mori në veçanti, më tha: “E kupton veprimin e sotëm”. Përsëri nuk isha në gjendje se për çfarë bëhej fjalë sepse nuk kisha pasur asnjë rast të më këshillonte në veçanti. Pa më treguar se për çfarë bëhej fjalë, më tha: “Kur Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia, në Shkodër do të vinte për vizitë Konti Çiano. Disa përkrahës të regjimit, caktuan nënën tënde t’i dilte, e veshur me kostum kombëtar për ta pritur me tufë lulesh udhëheqësin fashist, që na kishte pushtuar vendin, këte nuk e pranova. Ndërsa tashti përsëritet historia dhe të ngarkojnë ty t’i dhurosh lule një udheheqësi rus që të ka pushtuar trurin”. Si i thashë se çdo gjë, ishte e improvizuar në momentin e fundit dhe jo një ditë përpara që ta bisedoja me ju, u bind për sinqeritetin tim. Për mua gjithçka ishte e papritur, sepse pa mbërritur unë në shtëpi im Atë e kishte marrë vesh, “vajza jote i ka dhenë lule Hrushovit”. Unë nuk e kisha kuptuar asnjëherë tim Atë edhe pse isha 17 vjeç që ai nuk e kishte pranuar ideologjinë sunduese sepse nuk kishte pasur kurrë konflikte me drejtuesit e indokrinuar, punonte shumë dhe e ngarkonin jashtë orarit të punës, sidomos në lidhje me administrimin e parave në shkollë. Por kjo këshillë mbeti sekret edhe me njerëzit e familjes. Ndërsa unë si studente e zhytur në ate ideologji, që ate ditë fillova të mendoj ndryshe, sigurisht, pa u shfaqur, vetëm me veten time.

Kur ai jepte këshilla me vlera edukative-shoqërore, i përsëriste shumë herë duke i dhënë rëndësi jo si mendësi e vetja, por nga urtësia botërore. P.sh. Latini ka thënë –mendja e shëndoshë në trup të shëndoshë dhe shumë nga urtësia shqiptare duke thënë: “Të parët tanë na kanë lënë thesare të vyera”. Ndërsa shprehjen nga urtësia franceze “ruaj shëndetin,nderin dhe pasurinë” e kishte shumë për zemër. Si duket, kjo thënie e ka drejtuar edhe në jetë. Ai ushqehej me orar dhe hante pak, bënte pushim ditor, ngrihesh shumë heret dhe para se të shkonte në shkollë e fillonte punën në kopësht, për t’i ardhë në ndihmë familjes (deri sa ja morën edhe ate edhe shtëpinë, arsyeja plani). Nuk mburresh kurrë, gjithë jeta e tij ishte karakterizuar nga modestia, qëndrimi korrekt ndaj detyrës, shoqërisë dhe familjes. Vdekja i erdhi natyrshëm,në moshën e pleqërisë përsëriste fjalët: “duhet të iki atëhere kur vdekja do të më bahet ma e ambël se jeta”. I rrethuar me dashuri nga familja dhe farefisi la këtë mesazh: “Fëmijët e mij, tanë jetën teme jam mundue me ba mirë, kam hjekë zi me e realizue, por kur e kam plotësue, kam përfitue kënaqësinë ma të madhe, prandaj bani gjithmonë mirë.”

Pas vdekjes, me rastin e 100-vjetorit të lindjes u organizue në Shkodër një konferencë nga “Shoqata e Mësuesve dhe Pedagogëve Shqiptarë”, “Fondacioni Martin e Mirash Ivanaj” dhe familja e Jahja Domnorit, me temat: “Jahja Domnori, mësuesi që përhapi dritën e arësimit në trojet shqiptare” nga Prof.Islam Dizdari “Personaliteti shoqëror dhe pedagogjik i Z.Jaho Domnori”nga Prof.Musa Kraja “Im Atë prind e koleg” e bija Pertefe (Domnori) Leka. E plotësuan personalitetin e mësuesit të nderuar me kujtimet e tyre Prof. Mahir Hoti, rektor i Universitetit të Shkodrës. Nga z. Adnan Muka u lexuan kujtimet e tij me zotni Jahon. Ne fund u lexua përshëndetja e znj. Drita Ivanaj në emër të “Fondacionit Ivanaj”. Nxënësja e tij znj. Margarita Ciperiani Hasi dërgoj shkrimin “Mirënjohje mësuesit tim Jaho Domnori” e cila ne mbyllje shkruante: “Vite më vonë, ku unë zgjodha profesionin e mësuesisë, shembulli i mësues Jahos më ka shërbyer si udhërrëfyes. Motivohesha nga dashuria që ai kishte për nxënësit dhe serioziteti në dhënien e mësimit. Prandaj, me gjithë shpirt i them faleminderit mësuesi im. Të kam kujtuar dhe të kujtoj gjithmonë me respekt e mirënjohje të thellë”.

  1. ^ "Laha e Malësisë” Atë Gjergj Fishta
  2. ^ “Shkodra dhe Motet”, Hamdi Bushati, fq. 151
  3. ^ Kumtese e Dr. Jakov Milai ne konferences kushtuar “Prof. Dr. Mirash Ivanaj” me rastin e 40-vjetorit te vdekjes i zhvilluar ne Pallatin e Kongreseve ne vitin 1993.
  4. ^ a b "Jeta ime", ditari personal i mesuesit Jahja Domnori
  5. ^ Revisten Lemba, Ulqin, botimi 3-4/2000
  6. ^ "Mësuesit për Kombin Shqiptar", Dr. Musa Kraja