Esad pashë Toptani

politikan shqiptar
(Përcjellë nga Essad Pasha Toptani)

Esad ose Esat pashë Toptani (tr. Essad Paşa;[1] Tiranë, 1863[2]-4 apo 1875[3] - Paris, 13 qershor 1920) ka qenë ushtarak i Ushtrisë Osmane, deputet shqiptar në Mexhlisin osman, drejtues i Rrethimit të Shkodrës dhe kryeministër shqiptar.

Esad pashë Toptani
Kryeministër i Shqipërisë
Në detyrë
5 tetor 1914 (1914-10-05) – 24 shkurt 1916 (1916-02-24)
MonarkuPrinc Vidi
Paraprirë ngaTurhan pashë Përmeti
Pasuar ngaTurhan pashë Përmeti
Ministër i Punëve të Brendshme
Në detyrë
14 mars 1914 (1914-03-14) – 20 qershor 1914 (1914-06-20)
MonarkuPrinc Vidi
KryeministriTurhan pashë Përmeti
Paraprirë ngaMyfid bej Libohova
Pasuar ngaHasan Prishtina
Ministër i Luftës
Në detyrë
14 mars 1914 (1914-03-14) – 20 qershor 1914 (1914-06-20)
MonarkuPrinc Vidi
KryeministriTurhan pashë Përmeti
Paraprirë ngaMehmet pashë Deralla
Pasuar ngaKara Seit Pasha
Të dhëna vetjake
U lind më1863
Tiranë, Perandoria Osmane
Vdiq më13 qershor 1920
Paris, Francë
Shkaku i vdekjesAtentat
Nënshkrimi

Biografia

Redakto

U lind në Tiranë, i biri i Ali bej Toptanit dhe Vasfije hanëm Alizotit, lindi më 1863. Nga lisi i gjakut pinjoll i familjes feudale më të rëndësishme të Tiranës dhe nip i bejlerëve të Gjirokastrës, kishte një vëlla, Gani beun dhe tri motra: Nejbenë, Sabushen dhe Merushen.[3] Mbaroi Akademinë Ushtarake të Stambollit.[2]

Me mbështetjen e Halil bej Kraja - sipas Syrja bej Vlorës[4] - pa patur asnjë përvojë në ushtri, në vitin e 1893 u emërua komandant regjimentit të xhandarmërisë në Vilajetin e Janinës.[5] Me gjasë për të ftohur gjakrat pas kurthit që i pat ngrehur valiu i Shkodrës Gani beut, që e pat mbajtur deri kur mbërriti lajmi telegrafik te Sulltani dhe urdhri i tij për t'u liruar.[6]

Në prill të 1897 trupat e gjeneral Hivzi Pashës që luftonin kundër ushtrisë greke humbën pranë vendit të quajtur Gryka e Pesë Puseve (Pente Pigadia). Shqiptarët që luftonin në formacionet osmane patën pakënaqësi dhe mosbesim ndaj komandës. Si komandant i xhandarmërisë, Esati ndihmoi me njerëzit e tij të armatosur që të rivendosej rregulli dhe disiplina.[5] Për kontributin e tij në luftë u ngrit në gradën livá (gjeneral brigade) njëherë[5] e mandej ferik (gjen. major).[7]

Pas një situate të pakëndshme me valiun e Janinës, Osman Pashën, emërohet komandant xhandarmërie në Shkodër, për ku niset më 15 shtator 1902, qëndroi në postin e ri gjer më 1908,[8] kur u shpall Hyrrijeti dhe shpalli kandidaturën për deputet i Durrësit.[4] U zgjodh, duke qenë pjesë e partisë "Bashkim e Përparim" të Xhonturqve.[9] Ishte kundër Komitetit "Bashkim e Përparim" në një intervistë të bërë më herët më 1908.[10] Udhëtari frëng Jaray komenton se Kongresi i Elbasanit gëzonte miratimin e plotë të Esadit.[11]

Abdikimi i Sulltan Abdyl Hamidit

Redakto

Pasditen e 27 prillit 1909 bën pjesë në katërshen e deputetëve të Mexhlisit osman që shkuan për t'i dhënë lajmin Sulltan Abdyl Hamidit II se ka rënë nga froni sipas vendimeve të Asamblesë Kushtetuese.[12] Pas kësaj zuri një vend nderi nën kujdesin e partisë "Bashkim e Përparim", gjatë jetës parlamentare foli për të drejtat e shqiptarëve dhe me deputetë të tjerë si Syrja bej Vlora, Shahin Kolonja, Ismail Qemali dhe Hasan Prishtina ngriheshin me radhë duke protestuar dhe kritikuar politikat qeveritare në viset shqiptare të perandorisë.[13] Me politikat kundër kombësive të partisë xhonturke në pushtet, dhe shqiptarëve në veçanti të cilëve u kishin nisur katër ekspedita ndëshkimore, deputetët opozitarë u vetëdijësuan se pa kryengritje Porta nuk do të bindej t'i jepeshin kombit shqiptar të drejtat kombëtare. Përveç deputetit të Pejës, Ibrahim Efendiut dhe atij të Elbasanit, Haxhi Ali Efendiut deputetë, anëtarë të parisë dhe personalitete u mblodhën në shtëpinë e Reshid Aqif Pashës, e një herë tjetër në shtëpinë e Halil pashë Alizoti të Gjirokastrës dhe disa herë në shtëpinë e Syrja bej Vlorës.[14] Pasi zërat e Ismail Qemalit, Hasan bej Prishtinës e Myfid bej Libohovës që qeveria t'i thërriste arsyes dhe mos hidhte farën e përçarjes, u përbuzën dhe nuk u la vend për arsyetim, kësodore deputetët shqiptarë më vete u mblodhën për t'u besatuar në shpëtimin e kombit dhe atdheut.

Në legjislaturën e dytë u zgjodh përsëri deputet në Kuvend, por me forcë.[4]

Mbledhja në lagjen Taksim

Redakto

Pas një takimi në hotelin "Pera Palace" mes Ismail Qemalit dhe Hasan Prishtinës, më 12 janar u mblodhën në shtëpinë e Syrja bej Vlorës në lagjen "Taksim" deputetët e Beratit Ismail Beu dhe Aziz pashë Vrioni, deputeti i Gjirokastrës Myfid bej Libohova, deputeti i Durrësit Esad pashë Toptani dhe i Prishtinës, Hasan Beu. Deputetët shqiptarë pasi kuvenduan mbi masat që kërkonin nevoja e rrethanave lidhën besën, duke u betuar mbi Kuran për sakrificat e mëtejshme që do të ndërmerreshin në dobi të kombit e atdheut të tyre.[14] Kryengritjes së përgjithshme të 1912 që shpërtheu në Vilajetin e Kosovës pati jehonë si në viset jugore shqiptare si ato të mesme, ku Esadi u kishte dërguar letra bejlerëve të Shqipërisë së Mesme që t'u bashkoheshin kryengritësve. Ndër krerët e lëvizjes ndër viset e influencës së tij, ishte kushëriri i tij i dytë, Abdi bej Toptani.[15]

Lufta Ballkanike

Redakto

Në fund të gushtit 1912, kur kryengritja shqiptare ishte fashitur, Esad Pasha la Stambollin dhe u nis për Tiranë. Pas kërkesës së valiut të Shkodrës Hasan Riza Pashës dhe krerëve muslimanë të qytetit, Esad Pasha i emëruar komandant i "trupave të përforcimit" ishte caktuar të mblidhte nizamët e redifët (rezervistë) për "me i ndenjtë gati Karadakut". Pasi u lëshua urdhri, një ushtri prej rreth 5,500 vetësh u mobilizua në gatishmëri të Esad Pashës.[16] Pati paqartësi në zinxhirin e komandës, 15 batalionet e redifëve dhe vullnetarëve shqiptarë që i përgjigjeshin Esad Pashës ishin më të shumtë në numër sesa korpusi i ushtarëve të rregullt turq nën komandën e Hasan Riza Pashës. U vendos që Esadi të quhej zyrtarisht komandant i Fronteve të Veriut dhe të Lindjes për nga grada, dhe kështu i nënshkroi urdhrat që nxirrte me shkrim, ndërsa Hasan Rizai ishte ushtaraku i parë për nga kompetencat ushtarake.[17] Pas vrasjes së Hasan Riza Pashës mbrëmjen e 30 janarit, Esadi si ushtaraku më i pushtetshëm u bë komandant dhe vali i Shkodrës.[18] Deri në prill arriti të mbrojë Shkodrën, duke bërë që ky qytet t'i mbetej Shqipërisë.

 
Lajmërimi në media mbi vdekjen e Esat Toptanit

Vlora, Durrësi, Princ Vidi

Redakto

Në fund të qershorit të 1913 u emërua ministër i Brendshëm në qeverinë e Ismail Qemalit dhe ditët e para të korrikut mori kabinetin e lënë nga Libohova. Shkoi në Itali atë verë, ndërkohë në Vlorë zienin intrigat dhe në tarafin e tij ishin radhitur kushërinjtë e tij Toptanë, Mehdi bej Frashëri, Dervish Hima dhe iu bashkua Faik Konica me të cilin ishte takuar në Romë. Në tetor të po atij viti ngriti në këmbë qeverinë e vet, të quajtur "Pleqësia e Shqipërisë së Mesme", të cilës Konica i vuri në shërbimin organin e shtypit "Trumbeta e Krujës". Kabllogramet austriake e paraqesin si të vetmen qeveri autoktone shqiptare, e cila ishte e vetmja në gjendje të qeveriste. Nëpërmjet organeve përkatëse Esad Pasha ishte në gjendje të mblidhte taksa, filloi ndërtimin e rrugëve, krijoi një xhandarmëri të disiplinuar dhe emëroi në vendet më të rëndësishme nëpunës që ndiqnin dhe zbatonin urdhrat e tij.[19]

Më 1914 kryesoi delegacionin shqiptar që i dorëzoi kurorën e fronit shqiptar Princ Vidit. Më 1914 u emërua ministër i Punëve të Brendshme dhe i Luftës. Në Durrës iu organizua një komplot nga oficerët hollandezë, këshilltarët austro-hungarezë dhe disa bejlerë me mbështetjen e Vidit. Me ndërhyrjen e Italisë, u largua pa u burgosur.

Mungesa e qeverisjes pas revoltës së Shqipërisë së Mesme dhe nisjes së Luftës së Parë Botërore i dha një mundësi të fundit Esad pashës, i cili ishte jashtë Shqipërisë, që të kthehej. Shpalli shpërndarjen e organeve revolucionare dhe emëroi prefektët e rinj të vendit. Më 21 tetor 1914 ndërmorri reformën e parë agrare në vend, kur nxori urdhërin që t'u konfiskohej toka 50 personave nga oxhaqet bejlere dhe kundërshtarët e tij politikë nga Vlorajt, Toptanajt, Biçakçinjtë (përjashto Dervish beun), Vrionasit dhe Cakraniotët. Urdhër i cili për shkak të rrethanave të kohës, nuk gjeti zbatim.

I dha rëndësi gjendjes së pushtimit grek në jug të vendit, kërkoi rihartimin e regjistrave kadastralë të qyteteve ku u dogjën nga revolta e Shqipërisë së Mesme. Në dhjetor të 1915, pasi përzuri përfaqësuesit diplomatikë të Vienës dhe Sofies nga Durrësi, i shpalli luftë Austro-Hungarisë. E shtriu qeverisjen në një hapësirë më të madhe se qeveria e Vlorës, derisa hyri ushtria austro-hungareze në territorin shqiptar. I detyruar të largohej, e vendosi qeverinë e tij në Selanik në krahun e Antantës.[20] Atje rreshtohet përkrah francezëve në Frontin e Maqedonisë, ku me taborrin e tij prej 500 vetësh u lejua të zgjerohej aq sa në një pikë duke rekrutuar shqiptarë të trevave të mbetura në Greqi dhe nga zona e Korçës, trupat e tij numronin në 1 mijë e 300 njerëz. Qershorin e 1916 gazetat shpërndanë nga Stambolli lajmin se një gjykatë ushtarake e kishte dënuar me vdekje.

Gjatë viteve 1918-20 Esat Pasha përfaqësonte të vetmen qeveri legjitime shqiptare në Paris, Francë pranë Konferencën e Paqes që kishte mbajtur qëndrim gjatë luftës. Por për shkak të konkurrencës politike në Shqipëri, delegacioni shqiptar nuk e përkrahte.[2]

Vrasja

Redakto

Tek e kishte lënë të hante me nipin e tij, Xhemil bej Vlorën dhe mikneshën e vet Elizën, Esati u vra në rr. Castiglione në Paris më 13 qershor, 1920 nga Avni Rustemi në kushtet e konkurrencës politike në Tiranë.[2] Ky kishte qëndruar i fshehur pas njërës prej shtyllave të hyrjes së hotelit Continental në pritje të pashës. Avniu i kishte shkuar nga mbrapa dhe e kishte qëlluar prej njëfarë distance me një revolver Smith & Wesson, që e mbante me vete. Plumbi i kishte depërtuar në qafë pranë shtyllës kurrizore dhe kur ishte rrotulluar me duart lart për t'u mbrojtur, Avniu qëlloi përsëri, në anën e majtë të kraharorit në lartësinë e sqetullës.[12]

Mbas një gjyqi të gjatë Avni Rustemi do të lirohej duke u shpallur i pafajshëm nga gjykatat e Shtetit Francez, me një mbrojtje të ngritur prej Anatole de Monzie mbi tezën e krimit të pasionit dhe "me paramendimin e një populli të tërë".[12] Sipas burimeve të përdorura nga historiani Kastriot Dervishi, atentati që çoi në vrasjen e Toptanit ishte i shtyrë nga kushëriri i tij Aqif Pasha, si rival politik i atyre kohëve - dhe paratë për ta financuar u nxorrën nga fondet e Këshillit të Naltë.[21]

Varrosja

Redakto

Pas vdekjes trupi u dërgua nga familja në një depo mortore të Parisit për t'u mbajtur derisa të merrej një vendim se ku do të varrosej përfundimisht. Njëra nga të bijat u interesua pranë autoriteteve franceze nëse trupi i të atit mund të transportohej në Shqipëri. Arka prej plumbi nr. 17 vazhdoi të qëndrojë në depon e rr. D'Aubervilliers të paktën deri në tetor 1921. Më vonë, eshtrat e Esatit u varrosën në mënyrë thuajse të fshehtë në një lagje të varfër të Parisit.

Në vitin 1929, qyteti i Parisit vendosi të sjellë në një vendvarrim të vetëm në Thiais eshtrat e ushtarëve serbë dhe malazezë, aleatë të Francës, të vrarë në Luftën Botërore. Eshtrat e Esatit u shpunë në atë parcelë më 2 korrik 1934.

Trashëgimia

Redakto

Nderime

Redakto

Për kontributin e tij në Luftën Osmano-Greke Porta e Lartë e shërbleu me urdhërin Osmanije të Klasit të Dytë dhe pak më vonë ai u bë gjeneral-brigade.[5] Esad pashë Toptani për shërbimin e tij në Frontin e Lindjes si aleat i Antantës, u dekorua me titullin Oficer i Legjionit të Nderit, dhe me Kryqin francez të Luftës.

Historike

Redakto

Për t'u varrosur pranë ushtarëve, kundër të cilëve luftoi në Shkodër dhe dy vjet më vonë i ndihmoi të shpëtonin nga katastrofa e plotë. Por argumenti i varrit përdoret në valët e pasioneve për ta akuzuar si tradhtar.[22]

Referime

Redakto
  1. ^ "Essad Paşa (Toptani) në Enciklopedinë online Britannica". britannica.com. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. ^ a b c d Dervishi, Kastriot (2012). Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet. Tiranë: 55. fq. 238–239. ISBN 9789994356225. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  3. ^ a b Vlora, Eqrem bej (2003). Kujtime 1885-1925. Përkthyer nga Afrim Koçi. Tiranë: IDK. fq. 604. ISBN 99927-780-6-7. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  4. ^ a b c Vlora, Syrja bej (2013). Kujtime: nga fundi i sundimit osman në Luftën e Vlorës. Tiranë: Iceberg. fq. 74. ISBN 9789928414045. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  5. ^ a b c d Ikonomi 2016, p. 16.
  6. ^ Dushi M., Tirana dhe rrethinat e saj, AQSH F. 431, D. 6, fl. 31
  7. ^ Kruja, Mustafa; Margjokaj, P. Paulin (2006). Letërkëmbim (1947-1958). Shkodër: Camaj-Pipa. fq. 140. ISBN 99943-34-47-6. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  8. ^ Ikonomi 2016, pp. 17-18.
  9. ^ Ikonomi 2016, p. 19.
  10. ^ Jaray, Gabriel Louis (2007). Shqipëria e panjohur (fr. Au jeune royaume d’Albanie). Përkthyer nga Asti Papa. Tiranë: Dituria. ISBN 99927-59-99-2. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  11. ^ Ikonomi 2016, p. 20.
  12. ^ a b c Ikonomi 2016, pp. 1-7.
  13. ^ Ikonomi 2016, pp. 20, 25.
  14. ^ a b Vlora 2013, pp. 37-39, 41-42.
  15. ^ Ikonomi 2016, p. 28.
  16. ^ Ikonomi 2016, pp. 30-31, 33.
  17. ^ Ikonomi 2016, pp. 40-41.
  18. ^ Ikonomi 2016, p. 61.
  19. ^ M. Kasmi, Shqipëria në arkivat gjermane: Fondet arkivore, përdorimi dhe veçoritë e këtij dokumentacioni, Shkodër: Shêjzat, 2016. fq. 194. ISNN 2517-9624
  20. ^ Dervishi 2012, pp. 7-8.
  21. ^ Kastriot Dervishi (2010). Plumba politikës. "55". fq. 46. ISBN 978-99943-56-43-0. {{cite book}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  22. ^ Ikonomi 2016, p. 523.

Literatura

Redakto