Mitrush Kuteli

shkrimtar dhe ekonomist
(Përcjellë nga Mitrush Kutelit)

Dhimitër Pasko (rumanisht: Dimitrie Pascu;[1] Pogradec, 13 shtator 1907 ─ Tiranë, 4 maj 1967) ka qenë ekonomist, ekspert ekonomie dhe njeri i letrave. Me emrin e pendës Mitrush Kuteli në letërsinë shqipe është i njohur si përkthyes, kritik letrar dhe për prozën e shkurtër,[2] për të cilën - së bashku me Ernest Koliqin - cilësohet themelues i prozës moderne shqipe.[3]

Mitrush Kuteli
U lind më13 shtator 1907
Pogradec, Perandoria Osmane
Vdiq më4 maj 1967
Tiranë, Republika Popullore e Shqipërisë
OccupationEkonomist, përkthyes, shkrimtar
KombësiaShqiptar
EdukimiAkademia e Shkencave të Larta Ekonomike, Bukuresht
Gjinitë letrarepoet, prozator, eseist
Punët e shquara
Vite aktiv1919-1965
Bashkëshortja/etEfterpi Pasko née Skendi
FëmijëtDoruntina, Pandeli, Atalanta
Firma

Qëndrimet e Paskos mbi ekonominë shqiptare nuk u aplikuan në asnjërën nga periudhat për të cilat shkroi apo punoi, qoftë në periudhën e mesluftërave, gjatë kohës kur punoi në Bankën Shqiptare duke mbrojtur kapitalin shqiptar kundrejt kërkesave të pushtimit gjerman, po ashtu edhe në fillimet e regjimit komunist, i cili edhe e burgosi.[4] Veprimtaria e tij pas burgut u "tkurr" tek profesioni i përkthyesit dhe pak letërsie për fëmijë.[2]

Prejardhja

Redakto

Paraardhësit e Paskos rrjedhin nga Arta e Çamërisë, shpërngulur për shkak të mizorive të Ali pashë Tepelenës, u vendosën në Mokër e pastaj në Pogradec. Mbiemri Pasko ngelet prej emrit të gjyshit, Pasko Kutelit, mbiemër të cilin e mbajti degëzimi i familjes që qëndroi në Pogradec. Një degëzim tjetër që shkoi në Durrës mban mbiemrin Ikonomi.

Biografia

Redakto

Dhimitri u lind më 13 shtator 1907, djali i vetëm i Pandit dhe Poles, mes motrave Agllaia e Liria. I ati ishte rrobaqepës, që kish jetuar në Rumani për 24 vite, duke punuar si murator e bojaxhi. Kishte miqësi me veprimtarët e Rilindjes Kombëtare si Dervish Hima, Mihal Grameno, Menduh bej Zavalani, Telemak Gërmenji, etj. Pas shpalljes së Hyrrijetit më 1908, hapi të parën librari shqipe në Pogradec, gjë për të cilën u përndoq më pas nga autoritetet e regjimit xhonturk.

Shkollën fillore e kreu në Pogradec më 1919,[5] pas dy viteve shkoi në Selanik me anë të një burse për shkollën tregtare rumune. Organizoi shoqërinë e nxënësve shqiptarë të Selanikut të quajtur "Kostandin Kristoforidhi". Më 1928 shkoi në Bukuresht ku vijoi studimet në Akademinë e Shkencave të Larta Ekonomike, duke punuar njëherësh edhe si llogaritar. Ndiqte kurse letërsie, kritike, folklori në fakultetet e tjera dhe dinte shkrim e lexim në greqisht e latinisht, frëngjisht, rumanisht dhe italisht. Qe sekretar dhe më 1931-'34 kryetar i shoqërisë së studentëve shqiptarë të Rumanisë,[6] ndërkohë më 1928-'33 drejtoi gazetën Shqipëria e Re që botohej në Konstancë, ku çeli rubrikën Shënime Letrare. Më 1931 u diplomua dhe në shkurt të 1934 mori doktoratën në shkencat bankare e monetare me vlerësimin "Diplomam Magnam cum Laudæ". Një nga shokët e tij të shkollës, Ionel Zeana, ka shkruajtur pas më se gjashtëdhjetë vjetësh:

«Dh. Pasku kreu studime të shkëlqyera, duke u dalluar qysh në fillim si një element i jashtzakonshëm, jo vetëm përmes kapacitetit të tij intelektual të veçantë, po edhe përmes seriozitetit, maturisë, ndërgjegjshmërisë, forcës për punë dhe krejt qendrimit të tij moral, cilësi këto që tërhoqën vemendjen, vlerësimin dhe mbrojtjen e profesorit të tij të madh të financave, Viktor Slëvescu, prijësi liberal, ish-ministër dhe guvernator i Bankës Kombëtare. Duke e marrë doktoratën në financa, me një tezë të vlerësuar në superlativitet, Dhimitër Paskut iu hapën perspektiva nga më të bukurat, për realizimin e një karriere të shkëlqyer. I angazhuar më së pari si funksionar, ai arriti brenda një kohe të shkurtër të bëhet drejtor i Bankës Kombëtare, duke iu përkushtuar ekskluzivisht ekzigjencave të një profesionaliteti të ngushtë, pa u regjistruar në ndonjë parti politike".

Në vitet 1934-1942 nisi punë si nëpunës i lartë në Ministrinë e Financave të Rumanisë, më tej u bë drejtor i Bankës Kombëtare të Bukureshtit dhe i Bankës së Çërnëucit. Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, Kuteli rrëfen kështu mbi presionet që i vinin:[7]

"Unë kam pasur gjithnjë, si bir i një populli të vogël, një urrejtje të madhe kundër idesë së zezë `popuj mbi popuj` ose `të mëdhenj mbi të vegjël`, por `popuj përkrah popujsh`... Një nga pasojat e para ka qënë një `skedë e zezë` ardhi e më foli dikush në bankë: - Ç'po bën kështu? Nuk e di ç'të pret? Pse kundërshton që vendin e kapitalit çifut, ta zërë kapitali mik gjerman?"

Kuteli vazhdoi të përkrahë ekonominë vendase, derisa e mobilizuan në janar të 1942 dhe e nisën në front, drejt Stalingradit.[8] Megjithatë, veshur me uniformë, në qendrimet mes marshimeve mblidhte këngë popullore moldave, mbante shënime, njihej me njerëz të thjeshtë, me letërsinë ukrainase, thellonte njohuritë e gjuhës ruse. Rrugës i mbërriti një telegram që e njoftonte për të ëmën që e kishte sëmurë, miqtë në Bukuresht i siguruan lejen dhe e përfshinë në një dërgatë ekonomistësh që nisej me shërbim pune në Romë. Mundi t'arrijë në Pogradec në shtator 1942; e ëma i kish ndërruar jetë më 28 gusht.

Punoi për pesë muaj nga tetori 1942 pranë shoqërisë SASTEB dhe pas kapitullimit të Italisë në Bankën Kombëtare të Shqipërisë, këshilltar në fushën e monedhës me përgjegjësitë e drejtorit shqiptar krahas atij italian.[8] Pati kontradikta me gjermanët sepse nuk ishte dakord me emetimin e monedhës së re, për të financuar ushtrinë e tyre në Shqipëri. Për këtë rrezikonte përndjekjen nga Gestapo, pasi i kishin thënë miqtë që i kishin hapur dosje të zezë në Vjenë.[9] Më 15 shkurt 1944, së bashku me Vedat Kokonën, Nexhat Hakiun dhe Sterjo Spassen themeloi organin e përmuajshëm Revista letrare.[1] Në tetor 1944 kalon në zonat e pakontrolluara nga gjermanët. Tri javë pas kalimit në zonën partizane qëndronte në Priskë. E thërrasin në Berat, ku shkon më 8 nëntor dhe bëhet nëpunësi i tretë në Min. e Financave të Qeverisë Demokratike, pas ministrit Ramadan Çitaku dhe sekretarit të përgjithshëm Qirjako Harito, si këshilltar.[10]

Qe ndër anëtarët themelues të Lidhjes së Shkrimtarëve, anëtar i këshillit të parë të saj dhe i komitetit drejtues të revistës Bota e Re. Njëherësh në ekonomi, pas themelimit të bankës, emërohet anëtar i këshillit të parë dhe drejtor i drejtorisë qendrore. Ideoi e zbatoi disa nga operacionet më të rëndësishme financiare të pasluftës, si vulosja e monedhës, emetimi i çeqeve monedhë për plotësimin e nevojave të para financiare etj. Pasko dha dorëheqjen në gusht të vitit 1946, pasi nuk pranoi kursin e këmbimit të caktuar nga shteti shqiptar mes lekut dhe dinarit jugosllav.[8]

Kur u hap Instituti i Folklorit, iu kërkua nga drejtori Shuteriqi material për lëndën e folklorit dhe ishin në fjalë për ta caktuar pedagog. Por mobilizimin e detyruar në Rumani nisën t'ia përflitnin si rreshtim me forcat gjermane kundër Bashkimit Sovjetik, sikur qe pjesë e Rojës së Hekurt.

Më 16 maj 1947 e arrestuan dhe e dënuan si “Armik i Popullit”, për "agjitacion e propagandë" me 5 vite heqje lirie, hetuesinë ia bëri kap. Beqir Ndou.[11] Pasi kaloi dënimin në kampin e Vloçishtit në Maliq,[12] u lirua nga burgu në maj 1949 me falje.[8] Pas daljes nga burgu familjes Pasko iu kanos internimi në Kavajë. Dokumentet u damkosën me vulën "Armik i Popullit". Ai bëri lutje në Ministrinë e Brendshme dhe në kryeministri por nuk mori përgjigje. Pastaj iu drejtua Fadil Paçramit i cili zgjidhi problemin, që të nesërmen ua zëvendësuan dokumentet e damkosura me dokumente të reja.[13] Pastaj i dhanë punë si përkthyes te "Zëri i Popullit",[14] fillimisht te Mesagjeria te "Burgu i Armiqve të Popullit, Punëtoria Qendrore e Artizanatit e Ministrisë së Punëve të Brendshme" në Tiranë[15] deri më 1953. U transferua në shtëpinë botuese "Naim Frashëri" deri më 1967 - ku nga fundi i jetës me shkëputje[12] - dhe iu rikthye për njëfarë kohe e drejta e botimit nga vera e vitit 1966 dhe iu ridha anëtarësia në Lidhjen e Shkrimtarëve me përkrahjen e Drago Siliqit.[14]

Ndërroi jetë më 4 maj 1967 nga problemet me zemër pa perfunduar dot romanin ilir.[1] Bashkëshortja e tij Efterpi Pasko ndërroi jetë në mars 2019.[16] Pjesëmarrja e tij në rrugëtimin drejt Stalingradit u përfol edhe pas vdekjes së Paskos.[8][17]

Pas vdekjes

Redakto

Pjesëmarrja e tij në rrugëtimin drejt Stalingradit iu riciklua vite pas vdekjes edhe nga shkrimtari Ismail Kadare më 1989 tek parathënia "Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe" e veprës Novelave të qytetit të veriut. Bijtë e Kutelit e ballafaquan me faktet Kadarenë, por megjithatë shkrimtari e përsëriti sërish riciklimin e të dhënës së gabuar më 2014 tek Mëngjeset në Kafe Rostand,[8] dhe më 2021 te Kohë për rrëfim.[18]

Kuteli së bashku me Koliqin mbahen si bashkëthemeluesit e prozës moderne shqiptare dhe ndër nismëtarët e kritikës letrare me rubrikën sistematike Shënime letrare. Madje është autori i parë shqiptar që botoi libra kritike. Nga tekstet autobiografike që ka lënë, lë të kuptojë që tekstet më themelore prozë, poezi e kritikë i ka bërë para se të binte në burg duke nisur nga vitet 1927-'28 dhe duke u përmbyllur më 1947. Veprimtaria letrare e pasburgut mund të përmblidhet në lëminë e përkthimit letrar.

Me rastin e 100 vjetorit të lindjes së tij, viti 2007 u shpall "Viti i Mitrush Kutelit" nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango.[19]

Prozë dhe poezi

Redakto

Më 1919 botoi vjershat e tij të para "Mëmës Shqipëri" dhe "Skënderbeu" - në kalendarin "Pogradeci". Nga viti 1924 kish filluar të botonte në shtypin shqiptar "të jashtëm", tek "Shqipëria e Re" dhe "Kosova" që dilnin në Kostancë të Rumanisë.

Më 1938 botoi librin Netë shqiptare me rrëfimet e veta të botuara një dhjetëvjeçar më parë te Shqipëri' e Re,.[3][20][21] Pasi u kthye në Shqipëri, më 1943 boton Ago Jakupi e të tjera rrëfime (novela impresioniste[21]) dhe librin me poema Sulm e lotë. Një vit më vonë, më 1944 boton vëllimin me tregime Kapllan Aga i Shaban Shpatës, pamfletet satirike-politike Havadan në havadan dhe përmbledhjen me këngët e Pogradecit Këngë e Brithma nga Qyteti i Djegur.[22][23]

Më 1946 jep për shtyp librin Dashuria e barbarit Artan, që nuk del i plotë. Madje humben disa dorëshkrime të rëndësishme;[3] pas arrestimit më 1947, i pati humbur romani shkruar për kampin nazist të Prishtinës Njerëz dhe ujq[24] dhe 30 dorëshkrime të rilindasve që i ishin besuar nga Ilo Mitkë Qafëzëzi, iu konfiskuan nga Sigurimi.[25] Tre muaj para se të arrestohej e burgosej, përfundoi veprën që më pas do të titullohej E madhe është gjëma e mëkatit.[8] Vitet e para të regjimit komunist i humbën novelat Dashuria e barbarit Artan për të bukurën Galatea, gjysma e dytë e novelës Zbulesa e dytë e Pjetër Kulirës nga Liqerasi, drama Ura me motive të legjendës së murimit dhe librat Rrëfimet me të gjallë e me të vdekur dhe Shënimet ekonomike.[26]

Për t'iu kthyer e drejta e botimit iu përkushtua letërsisë për fëmijë, dhe iu botuan Pylli i Gështenjave (1958), Xinxifillua (1962) dhe ritregimin e Ciklit të kreshnikëve tek Tregime të moçme shqiptare (1965).[27] Pas vdekjes iu botua Baltë nga kjo tokë (1973), Në një cep të Ilirisë së Poshtme (1983),[3] poema Rrjedhin lumenjtë,[12] E madhe është gjëma e mëkatit (1993), Ditari i ekonomistit (2013), Netë moldave (2015),Hekuri dhe Çeliku etj. Poema për fëmijë "Pylli i Gështenjave" përmban vargje për Partinë e Punës të Shqipërisë, të cilat sipas mikut të tij Petraqit i shërbenin një qëllimi "pragmatist".[28]

Lidhur me jetën e me veprën e tij ka lënë dy tekste autobiografike: Kujtesa dhe Testamenti (1965), ky i fundit i botuar te e përkohshmja Hylli i Dritës më 1994.

Publicistikë dhe folklor

Redakto

Pati lënë një vëllim me afro 200 këngë popullore moldavishte (që kish mbledhur rrugës për në Stalingrad) për botim në Bukuresht shtatorin e 1942, mbante titullin Cantece Din Moldova Mica që përfshinte mjaft elemente inedite të folkloristikës rumune.[22]

Kritikë

Redakto

Ndër kritikët më të rëndësishëm të viteve '40,[2] Kuteli është autori i parë shqiptar që botoi vëllime me kritikë letrare, përkatësisht Lasgush Poradeci (1937) dhe Shënime letrare (1944); ku radhit trajtat e ndryshme të lëvrimit të kritikës nga ana e tij: shënime, recensioni, studimi e esetë. Që në rubrikën Shënime letrare që botonte te Shqipëri' e Re në Kostancë shkruajti për Çajupin, Asdrenin, Shirokën, Asllanin e Migjenin. Kritika e tij për letërsinë e huaj nis që me përkthimin dhe interpretimin e poetit të njohur rumun Mihai Eminescu; risi në vëllimin Shënime letrare përbën kronika analitike Vitit letrar 1943, ku analizohen të gjitha shfaqjet letrare në Shqipëri brenda një viti.[29] Gjithashtu, në të njëjtin vëllim, është i pari që i prezanton shqiptarëve poetin ukrainas Taras Shevchenko.[12]

Mbi ekonominë

Redakto

Kuteli la një sërë shkrimesh që i kushtoheshin ekonomisë, monedhës, çështjes agrare dhe problemeve ekonomike shqiptare. Studjoi ngjarjet e së kaluarës në fushën e financave dhe kritikoi Bankën Kombëtare të Shqipërisë, duke faktuar spekullimet e saj në dëm të ekonomisë së vendit. Ndër këto shkrime Kuteli përmend më pas "Kriza e koronës dhe Banka Kombëtare", që u botua si kryeartikull më 1928 në gazetën "Telegraf".[30] Në fushën ekonomike - shkruan rreth monedhës dhe kreditit, për problemet ekonomike dhe abuzimet administrative si dhe kundër disa koncensioneve që i ishin dhënë kapitalit italian - Bankës Kombëtare të Shqipërisë dhe Shoqërisë AGIP për të shfrytëzuar tokat vajgurore shqiptare dhe për të mbajtur monopolin e karburanteve në vend.

Disa leksione të tij mbi ekonominë u botuan në vëllimin Ditari i ekonomistit. Vepra tjetër Shënime Ekonomike u dogj dhe gjenden vetëm pak kopje në Bibliotekën Kombëtare.[4]

Përkthime

Redakto

Lëminë e përkthimeve e nisi që me poetin rumun Eminescu gjatë kohës që ka qenë në Rumani, duke botuar librin me 24 poezi të përkthyera në shqip të poetit rumun.[12] U mor me përkthime edhe në burg,[31] më pas kur përkthente me normë, nga rusishtja përktheu autorë sovjetikë të pranuar nga Zhdanovizmi (të rekomanduar nga këshilltarët kulturorë e politikë sovjetikë)[1] si dhe klasikë rusë (Turgenjev, Gogol, Shçedrin, etj), nga rumanishtja kater a pesë, përktheu disa vëllime të përrallave turke, kineze, persiane (vëllimi Haxhi Agaj), mongole, arabe e polake. Mblodhi e përktheu këngët popullore të popujve të ndryshëm, si dhe përktheu Elyar dhe Nerudën.[12] I cilësuar "i padëshirueshëm", përkthimet botoheshin pa emrin e tij.[14]

Pas vdekjes, më 2015 u nderua me dekoratë për përkthimin e klasikëve rusë nga Ambasada Ruse në Tiranë.[32]

Pseudonimet

Redakto

Në publicistikën e tij përdorte pseudonimin Janus, perëndia dyfytyrëshe romake.[1] Te libri Sulm e lotë vërehet se libri nënshkruhet me tre emra: Izedin Jashar Kutrulija, Mitrush Kuteli e Dr. Pas, që të tre pseudonime të Paskos. Izedini shenjohet si autori i Poemit kosovar, Mitrushi si autor i Poemit të Shëndaumit dhe Dr. Pas si shkrues parathënies Një fjalë mbi dy shokë e mbi vepërzën e tyre. Ky rast, siç e trajton në parathënie, synonte drejt një dialogu mes vetjeve të tij ku Dr. Pas ishte ana racionale e Izedini me Mitrushin nga ana emocionale.[33]

Përkthime

Redakto
  • Aleksander Fadeev, Shpartallimi, 1956.
  • Ivan Turgenjev, Kujtimet e një gjahtari, 1963.
  • Maksim Gor'kij, Tregime (1956) dhe Përralla të Italisë (1960).
  • Mihail Saltikov-Sedrin, Zotërinjtë Gollovliovë (1964) dhe Përralla.
  • Nikolai Gogol, Tregimet e Petërburgut, Shpirtra ndryshuar më pas Frymë të vdekura.
  • Pablo Neruda, Zgjohu, druvar (1958) dhe poezi nga Bleta e bardhë (1974).
  • Vahtang Baratasvili, Miq të gëzuar, 1960.
  • Viktor Eftimiu, Doktor Fausti magjistar, pjesë teatrale, 1963.

Bibliografia

Redakto
  • Hamiti, Sabri (2009). Letërsia moderne shqipe. Tiranë: UET press.

Referime

Redakto
  1. ^ a b c d e Robert Elsie (1995), Histori e Letërsisë Shqiptare, përktheu Abdurrahman Myftiu, Tirana & Peja: Dukagjini, 1997.
  2. ^ a b c Shatro, Bavjola (2016). Between(s) and Beyond(s) in Contemporary Albanian Literature (në anglisht). Cambridge Scholars Publishing. fq. 44. ISBN 9781443899970.
  3. ^ a b c d Hamiti, Sabri (2013). Letërsia moderne shqipe. Tiranë: Uet press. fq. 413. ISBN 9789995639457.
  4. ^ a b Erebara, Gjergj (9 korrik 2012). "Leksionet ekonomike të Kutelit dhe historia që përsëritet". Shqip (gazetë). 186: 20.
  5. ^ Hamiti 2009, pp. 357-358.
  6. ^ Hamiti 2013, pp. 443-444.
  7. ^ Dhimitër Pasko. "Testament". Hylli i Dritës, N.3-4: 74.
  8. ^ a b c d e f g Pandeli dhe, Atalanta Pasko (2015). "Fantazma e Stalingradit dhe Mitrush Kuteli". Netë moldave. Tiranë: sh.b. Mitrush Kuteli. fq. 5–20. ISBN 9789928180087.
  9. ^ Kuteli, Letra drejtuar bashkëshortes (Testamenti), Shkodër: Hylli i Dritës, N. 3-4, 1994, fq. 74.
  10. ^ Mitrush Kuteli. Ditar i Ekonomistit. Tiranë: sh.b. Mitrush Kuteli. fq. 197. ISBN 978-9928-4117-0-9.
  11. ^ Afrim Imaj (8 qershor 2011). "Si përfundoi [Mitrush] Kuteli në burgun e "armiqve të popullit": absurdi i pretencës, faki u vërtetua nga deponimet e pjesshme të tij,". Panorama. - p. 3107: 18.
  12. ^ a b c d e f Kolevica, Petraq (13 shtator 2002). Kuteli, shkrimtari që sfidoi diktaturën dhe ringjalli shpresën. Tiranë: Gazeta shqiptare. - Nr. 2279. fq. 12–13.
  13. ^ Kolevica, Petraq (1997). Me Mitrushin. Tiranë: Toena. fq. 25–26. OCLC 907275925.
  14. ^ a b c Pasko, Efterpi (qershor 2011). "Jeta në burg e shkrimtarit Mitrush Kuteli: "Në kampin e Vloçishtit, Kutelin e varrosën të gjallë"" (PDF). Mokra, nr. 8. 151: 8. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 30 prill 2019. Marrë më 30 prill 2019.
  15. ^ Arbnori, Pjetër (8 maj 2004). "Hekuran Isai më ka ruajtur librin në shtëpinë e tij: si shfrytëzoheshin njohuritë e të burgosurve Mirash Ivanaj, Kuteli, Gjon Shllaku, Vexhi Buharaja etj". Panorama. 572: 12–13.
  16. ^ https://opinion.al/ndahet-nga-jeta-bashkeshortja-e-mitrush-kutelit/
  17. ^ Elida Zylbeari (2015). "Kadare:Të hapen dosje, njerëzit e përzier në krim janë ende mes nesh". portalb.mk. Marrë më 27 shtator 2020.
  18. ^ Pasko, Pandeli (13 shtator 2021). "Një paraqitje gati e panjohur e Mitrush Kutelit spanjisht". peizazhe.com.
  19. ^ "Bandë muzikore, fishekzjarrë, dhurime librash, dhurime lulesh: 100 vjetori i Mitrush Kutelit". bksh.al.
  20. ^ Hamiti 2009, pp. 357-358.
  21. ^ a b Pipa, Arshi (2014) [1978]. "Trilogjia Albanika III: Letërsia shqipe: Perspektiva shoqërore" [Trilogia Albanica III: Albanian Literature: Social Perspectives]. Princi. fq. 113, 188. ISBN 978-9928-4090-9-6.
  22. ^ a b Kuteli, Mitrush (2016). "Këngët i sjell era". Këngë e Britma nga Qyteti i Djegur (bot. 2). Tiranë: sh. b. "Mitrush Kuteli". fq. 11–20. ISBN 9789928180131.
  23. ^ Hamiti 2009, pp. 357-358.
  24. ^ Ndoja, Leka (2013). Tjetërsimi i veprës intelektuale gjatë komunizmit në Shqipëri. Tiranë: ISKK. fq. 87. ISBN 978-9928-168-12-2.
  25. ^ Ndoja 2013, pp. 127-128.
  26. ^ Mile, Alma. "Humbjet letrare të Kutelit në diktaturë: Behar Gjoka, një libër studimor për shkrimtarin". Panorama. 2698: 21.
  27. ^ Prifti, Naum (13 nëntor 2015). "Kuteli, mjeshtër i fjalës shqipe (kujtime dhe kritikë letrare)". voal.ch. Marrë më 18 tetor 2018.
  28. ^ Kolevica, Petraq (1997). Me Mitrushin. Toena. fq. 29–30. OCLC 907275925.
  29. ^ Hamiti 2013, pp. 424-425.
  30. ^ Dh. Pasko - shkurtime kujtimesh - Puna ime në fushën e monedhës dhe të bankës - Hylli i Dritës, N.3-4, 1994, f.37
  31. ^ Marko, Petro (2000). Intervistë me vetveten (Retë dhe gurët). Tiranë: Omsca. fq. 488. ISBN 9992740337.
  32. ^ "Kuteli dekorohet pas vdekjes për përkthimin e letërsisë ruse". Shqiptarja.com. 6 shkurt 2015.
  33. ^ Hamiti 2013, p. 439.