Fiset ilire
Albanët Autariatët
Arbët Ardianët
Atintanët Dalmatët
Dardanët Dasaretët
Daorsët Enkelejtë
Eordejët Japigët
Japodët Kaonët
Labeatët Mesapët
Molosët Paionët
Parathinët Penestët
Pirustët Taulantët
Thesprorët Shqiptarët
Bota e njohur në shekulli e dytë
Qendrat kulturore ë botës së vjetër, para shek. II
Pushtimet e Aleksandrit dhe kufiri Maqedoni-Iliri (Dardanët)
Per. Romake në v. 395
Koha e bartjes së emrit Dardania edhe në Afrikë
Per. Romake në v. 454
Dardania si njësi e Prefekturës pretoriane Illyricum
Per. Romake në v. 565
Dardania si njësi e Prefekturës pretoriane Illyricum

Dardanët ishin fis Ilir që shtriheshin në mesin e Ballkanit, kryesishtë në Kosovën e sotme dhe rrethinën e saj. Dardanët ishin fisi themelues i Mbretërisë së Dardanisë rreth shekullit IV p.e.s në të cilën bënin pjesë dhe fiset e njohura Thunatët[1] dhe Galabrët.[2] Në përbërjen e kësaj mbretërie hynin edhe fise të tjera më vogla si p.sh. Diestët, Pirustët[3] etj. por për të cilat mungojnë të dhënat e mjaftueshme.

Që nga shekulli XIX e gjer më tani janë shfaqur tri teza lidhur me prejardhjen e dardanëve: teza mbi përkatësinë ilire, teza mbi përkatësinë trakase dhe së voni teza mbi prejardhjen dako-meze. Që të këto tri teza, nga autorët e tyre mbështeten kryesisht mbi burimet e shkruara e të vona antike dhe mbi monumentet epigrafike të periudhës romake.[4] Ndërkaq tezën e hershme mbi etnitetin ilir të dardanëve e mbështesin një numër i konsiderueshëm studiuesish të ndryshme të letërsisë, që nga shekulli XIX e gjerë më sot, duke u nisur nga linguistët Tomashek, P. Kreçmer, H. Krahe, N. Jokl e N. Vuliq.[5]Dardanët janë shtrirë në pjesën e Kosovës së sotme

Historia

Redakto

Mbretëria Dardane

Krijimi i Mbretërisë Dardane

Redakto

Në shek.IV p.e.s u krijua Mbretëria Dardane, e cila shtrihej në territorin e Kosovës së sotme e të krahinave të tjera përreth. Kufijtë e saj shkonin në veri deri te qyteti i Nishit, kurse në jug deri në Kukës dhe në rrjedhën e sipërme të Vardarit. Mbreti i parë dardan që njohim, është Longari. Pas tij erdhën mbretërit Bato Dardani dhe Monuni. Rolin kryesor në mbretëri e luajti fisi dardanëve. Në këtë mbretëri bënin pjesë edhe fise të tjera, ndër të cilat njohin Galabrët dhe Thunatët.

Dardania ishte e njohur në botën e lashtë për tokat e saj të gjera e pjellore, për punimin e arit dhe për përpunimin e produkteve blegtore. I Njohur ka qenë veçanërisht djathi dardan. Shoqëria ilire e dardanëve mbështetej në sistemin skllavopronar. Shkrimtarët antikë tregojnë se dardanët kishin kaq shumë skllevër, sa vetëm njëri prej tyre mund të kishte deri në 1000 veta e ndoshta edhe më shumë. Secili nga këta skllevër punonte tokën.

Në kohë lufte skllevërit merrnin pjesë në ushtri, duke pasur si prijës pronarin e tyre. Mbretëria Dardane kishte krijuar një ushtri të fuqishme dhe të organizuar mirë. Veçori e luftëtarëve dardanë ishte se ata hidheshin të gjithë së bashku në sulm dhe po kështu së bashku tërhiqeshin me radhë të shtrënguara, duke mos lënë në sheshin e luftës as të plagosurit e tyre. Forca e kësaj ushtrie u tregua sidomos në shek.III p.e.s, kur dardanët qenë në gjendje të mbroheshin nga dyndjet e fuqishme të keltëve, të cilët zbritën nga Evropa Qendrore. Madje dardanët treguan gatishmërinë të ndihmonin edhe Maqedoninë, që të përballonte këto sulme. Siç dëshmojnë shkrimtarët e lashtë, historia e Mbretërisë Dardane është mbushur me luftëra të pandërprera kundër Maqedonisë dhe më vonë kundër romakëve.

Me Mbretërinë Ardiane, dardanët mbajtën marrëdhënie miqësore, por patën edhe konflikte, të shtyrë nga fisnikëria skllavopronare, dhe kjo pati pasoja shumë të rënda ekonomike e politike si për ardianët, ashtu edhe për dardanët. Në mesin e shek. III p.e.s, kur sundonte mbreti Longar, ushtritë dardane u përpoqën të shtrinin kufijtë e tyre deri në brigjet e Adriatikut, duke shfrytëzuar faktin që ushtritë ardiane të mbretëreshës Teuta ndodheshin në Epir. Ky operacioni ushtarak fillimisht pati sukses, por me kthimin e ushtrive ardiane nga Epiri, dardanët u detyruan të lëshonin tokat e pushtuara e të ktheheshin në kufijtë e mëparshëm. Pas kësaj Longari i drejtoi ushtritë e tij në jug dhe pushtoi tokat e Mbretërisë Paione, që ndodheshin në veri të kufijve të Maqedonisë.

Luftërat e dardanëve kundër maqedonasve

Redakto

Rreth vitit 21 p.e.s luftimet ndërmjet dardanëve dhe maqedonasve morën përmasa të gjera, aq sa mbeti i vrarë në betejë edhe mbreti maqedonas Demetri II. Pas vdekjes së tij, dardanët i shpeshtuan sulmet në Maqedoni, derisa Antigon Dozoni i detyroi të largoheshin nga mbretëria e tij. Kur mbreti maqedonas Filipi V ndodhej në luftë me grekët, në vitin 219 p.e.sonë, dardanët vërshuan përsëri kundër Maqedonisë. Ushtritë maqedonase u detyruan të ktheheshin në trojet e tyre dhe për të përforcuar kufijtë veriorë, pushtuan qytetin më të madh të Paionisë, Bylazorën (Velesi). Në vitin 216 p.e.sonë ushtritë dardane ndërmorën një operacion të fuqishëm ushtarak kundër Maqedonisë, duke zënë 20 000 robër. Ata zbritën deri në fushën e Argos, në brigjet e lumit Haliakmon. Kjo fushatë u ndoq nga kundërsulme të reja që bëri Filipi V kundër dardanëve, duke u shkaktuar atyre humbje të rënda në ushtri. Në vitin 200 p.K. mbretërit dardanë Longari e Bato, së bashku me ardianët e mbretër të tjerë, lidhën aleancë me romakët kundër Maqedonisë. Kjo i shtyu dardanët të ndërmerrnin sulme të reja në jug të kufirit të tyre. Dardanët nuk i pushuan luftërat për të çliruar tokat që ndodheshin në jug të mbretërisë së tyre, toka që dikur i përkisnin Mbretërisë Paione dhe që i mbante të pushtuara Maqedonia, duk u mbyllur kështu atyre rrugët tregtare që i lidhnin me krahinat jugore të Ballkanit. Duke mos qenë në gjendje të ndërprisnin sulmet dardane, maqedonasit bënë marrëveshje me fiset kelte dhe të vendoseshin vetë në tokat e tyre. Kjo gjë nuk u arrit. Dardanët i thyen ushtritë kelte dhe çliruan tokat që ata kishin pushtuar. Edhe pasi u shkatërruan Mbretëria Ardiane dhe ajo e Maqedonisë. Dardania vazhdoi të ishte ende e lirë, ndonëse nga aleanca me romakët dardanët nuk arritën përfitimet e dëshiruara. Romakët nuk u dhanë tokat e Paionisë, por vetëm të drejtën për të tregtuar kripë.

Luftërat e dardanëve kundër romakëve

Redakto

Luftërat e dardanëve kundër romakëve për shumë vjet me ashpërsi shumë të madhe, në rrethanat kur senati romak synonte të shtrinte pushtimet e tij në të gjitha tokat ilire dhe të arrinte deri në Danub. Edhe pas shqetësimeve që u shkaktoi rifillimi i sulmeve kelte, dardanët i vazhduan inkursionet e tyre kundër Maqedonisë, cila ishte kthyer tashmë në provincë romake. Dardania u bë pengesë serioze për shumë vjet me radhë për ushtritë pushtuese romake, të cilat nuk hiqnin dorë nga synimet e tyre. Megjithatë në vitin 97 p.e.s romakët arritën të vinin nën varësi të përkohshme dardanët dhe fise të tjera fqinje, të cilat më vonë i ripërtërinë forcat dhe u shkaktuan humbje të rënda romakëve.

Aq të vështira ishin këto luftëra për romakët, sa kur konsulli romak Kurioni përgatitej me 5 legjione të nisej në luftë kundër Dardanisë, njëri nga këto legjione ngriti krye dhe nuk pranoi t'i bindej komandantit të vet të shkonte në këtë luftë që ushtarët e quanin të rrezikshme. Romakët i krahasonin dardanët me kuçedrën e Lernës, e cila, edhe kur ia prisnin të gjitha kokat që kishte, i ringjallte përsëri. Me këtë krahasim ata shprehnin qëndrueshmërinë e madhe të dardanëve ndaj kundërshtarit. Pas luftërave të gjata me romakët, nga fundi i shek.I p.e.s dardanët e humbën pavarësinë e tyre dhe hynë nën varësinë e plotë të Romës.

Mbijetesa e dardanëve

Redakto

Mungesa e shkrimeve ilire në përgjithësi ndër të tjera është edhe pasojë e faktit se, së paku nga shekulli IV p.e.s kultura ilire e shkruar, kultura letrare, ishte e përfshirë në gjirin e kulturës universale heleniste. Dëshmi e mirë për këtë mund të shërbejë aktiviteti letrar kritik i ilirit Zoila nga Maqedonia, i quajtur me ofçin: "Kamxhiku i Homerit", ngase kritikoi ashpër Iliadën dhe Odisenë e Homerit.[6].

Sido që të jetë, nga të dhënat historiografike përfundohet se në trojet ilire gjuhë e vendit, së paku gjuhë e kulturës popullore, në periudhën e përqendrimit total të fesë së krishterë, ishte ajo e vendit - gentilis barbarusque sermo dhe gjuha dhe kultura e vendit, ajo ilire nuk lejoi të zhvillohej ndonjë kulturë provinciale latine [7] çfarë ndodhi me Galicinë ose me Afikën.[8]

Këtë dukuri fatlume për mbijetesën e kulturës dardano-shqiptare[9] si duket e mundësuan disa rrethana ndër të cilat dallohen këto: ilirët në gjirin e kulturës universale romake hynë me një shkalë të lartë të kulturës popullore dhe shkencore të tyre[10]. Periudha e perëndimit të fesë së krishterë dhe të kulturës latine-romake në shumicën e trojeve ilire bie pikërishtë në shekujt kur fuqia e Perandorisë romake ishte marrë tatpjetën, shekulli katër, kur ngjau edhe ndarja e perandorisë në Perëndim dhe Lindje (395). Në këtë kohë u shpeshtua edhe sundimi i mbretërve me prejardhje ilire (dardane e dalmatine) në të dy perandoritë, personalitet ilire dhanë kontribute të mëdha e të vlefshme.[11] Më saktësisht koha e përqendrimit të vërtet të fesë krishtere mbi popullsinë ilire bie në fillim të shekullit VI, kur Justiniani likuidoi edhe paganët e fundit në Dardani, kurse Florin dhe Laurin i ngriti në shkallë të të shenjtërve.

Gjeografia

Redakto
Artikulli kryesor Dardania

Territorë i dardanëve në lashtësinë e hershëm ishte pjesë përbërëse në iliri, e që pastaj kjo krahinë bie nën pushtimin romakë si tërë Iliria. Më vonë, në shekullin e I-rë p.e.s i bashkangjitet Mezisë së Epërme(Malvensis). Në shekullin e III-të nën sundimin e Dioklecianit si provincë më vete i ngjitet Ilirikut. Qytetet më të njohura ishin Ulpiana, Shkupi, Therranda, Naisus, Vicianum, Municipium Dardanorum, kurse më vonë pas termetit të vitit 527 ku Ulpiana (Prishtina) ishte shkatërruar tërsishtë, Justiniani u emrua perandor i Perandorisë Romake të Lindjes dhe themeloi edhe qytete të reja si Justiniana Prima, Mediana, Anausaro, etj.

Ekonomia

Redakto
  • Qarku ekonomik përbrenda fisit
  • Këmbimet ekonomike të fisit

Demografia

Redakto
Demografia e Kosovës
Ilirët
Dardanët
Dyndja sllave
Per. Osmane
Shqipëria
Kolonizimi
Republika
Kosova
  • Struktura e popullsisë
    • Bujqit
    • Fisnikëria
    • Skllevërit

Kultura

Redakto

Kultura dardane ishte një nënkulturë ilire. Duket se në këtë pjesë të Ilirisë ishte kultivuar pak më tepër punimi i qeramikës e posaçërisht punimi i objekteve prej argjendi e ari.

Përndryshe edhe tek dardanët gjejmë punimet e objekteve metalike. Më të shumta ishin ato që përdoreshin për veshjen dhe zbukurimin e trupit, të punuara prej hekuri, bronzi, argjendi e më rrallë prej ari. Me shumicë punoheshin armët e sulmit e të mbrojtjes, kryesisht prej hekuri. Ndër to ka forma që janë tipike dardane. Po kështu të ndryshme janë edhe veglat e punës prej hekuri.

Në studimet mjaft të thelluara nga aspekti onomastik të Eqrem Çabejt, ai pohonë se Dardania(Kosova) dhe Shqipëria Veriore me krahinën e Matit ishin pjesë e hapësirës më të hershme të formimit të gjuhës (shqipe), ndërsa formimin e dardanëve, ai e sheh shumë para degëzimit të tyre, do të thotë para shekullit XII p.e.s, duke e lidhur emrin "Dardan" nga burimet egjiptase me dardanët e Azisë së Vogël.[12]

Në nekropole veçori të veçantë të grupit dardan paraqet rituali i djegies së kufomave (trupdjegia) që nuk ishte karakteristikë në provincat tjera në kufi me territorin dardan. Në grupin kulturor dardan dallohet qeramika që, si material arkeologjik, gjendet në masë të madhe në vendbanimet e këtij grupi, por në objekte janë gjetur me pakicë edhe stoli prej bronzi dhe armë.[13]

Sa i përket emrave të dardanëve, përpos atyre të njohur nga historia e përgjithshme, rishtazi janë bërë edhe dy emra tjerë, emri i përveçëm femërorë KINA (variant i emrit ilir KYNA,KYNANE ) dhe NANEA.[14]

Të tjera

Redakto
  • Organizimi i Transportit
  • Organizimi i Ushtrisë

Burime informatash për fisin

Redakto
  • Emërtimi në literaturë
    • Ilirisht :
    • Latinisht:
    • Anglisht:
    • Gjuhë të tjera:

Shih edhe

Redakto

Referimet

Redakto
  1. ^ Fjalor enciklopedik shqiptar, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2008, fq. 417.
  2. ^ Strabon, VII 5,7 (Papazoglu, F. 1969: 439, D 81), cituar sipas, Zef Mirdita: Dardanci i Dardanija u antici, Hrvatski Institut za Povijest, Zagreb, 2015, fq. 23. ISBN 978-953-7840-44-0
  3. ^ Ceka, Neritan (2014) Ilirët deri te shqiptarët. Migjeni, Tiranë, fq. 266, 333, 366
  4. ^ Edi Shukriu - Dardania paraurbane - Studime Arkeologjike të Kosovës, fq.17Avni K. Këpuska, "QENËSIA E TERRITORIT DHE E KUFIJVE ETNIKË AUTOKTONË TË KOSOVËS", fq.25, botimi i tretë, Prishtinë 2004
  5. ^ Mack R. Grenzmarken und Nachbarn von Makedonen in Nordern und Westen, Dissertation, Goettingen 1951, fq.172 nxjerr nga Avni K. Këpuska, "QENËSIA E TERRITORIT DHE E KUFIJVE ETNIKË AUTOKTONË TË KOSOVËS", fq.25, botimi i tretë, Prishtinë 2004
  6. ^ Cili kritik antik është quajtur "Kamxhiku i Homerit"?, R i l i n d j a, 13.IV.1988
  7. ^ Shih, Gjini Gasper, Skopsko prizreska biskupija kroz stoljeca, Zagreb, 1986, 72-77; A. Berisha, Ç'shkruante Qiro Truhelka në hyrje të vëllimit "Arnautske priqe" të vitit 1905, Rilindja, Prishtinë, 17.IX.1988, 13
  8. ^ Konstatin Jirecek, Istoria srba, Prva kniga do 1537. godine (Politicka istorija), Beograd, 1952, 26; Rastislav Maric, Grcki jezik antickih stanovnika Juzne Srbije, GSND, ODN, br. 9-10, Skoplje, 1936,297-302.
  9. ^ Gjerësisht, Gjini Gasper, Srpsko prizreska biskupija, 71
  10. ^ Kahaso, H. Ymeri, Filonid Durraheni - dijetar i njohur ilir i antkitetit, Rilindja, Prishtinë, 10.IX.1988, 15.
  11. ^ Gjerësisht, Zef Mirdita, Studime dardane, Prishtinë 1979.
  12. ^ Dr. Eqrem Çabej - Problemi i Vendit dhe Formimit të Gjuhës Shqipe, Studime historike 2, Tiranë 1973. fq.107, 116. nxjerr nga Avni K. Këpuska, "QENËSIA E TERRITORIT DHE E KUFIJVE ETNIKË AUTOKTONË TË KOSOVËS", fq.35, botimi i tretë, Prishtinë 2004
  13. ^ Edi Shukriu "Dardania paraurbane - Studime arkeologjike të Kosovës"
  14. ^ Qazim Lleshi, "Emrat vetjakë ilirë" fq.69,89. Sh.B. "Dituria", Lozanë, 1997. nxjerr nga Avni K. Këpuska, "QENËSIA E TERRITORIT DHE E KUFIJVE ETNIKË AUTOKTONË TË KOSOVËS", fq.40, botimi i tretë, Prishtinë 2004

Lidhje të jashtme

Redakto