Hysni Babameto
Hysni Babameto (Gjirokastër, 16 tetor 1888 - Tiranë, 20 maj 1970) ka qenë mësues matematike dhe edukator shqiptar, një ndër pionierët e parë të arsimit shqiptar të shekullit XX të cilit i shërbeu me devotshmëri për 52 vjet. I detyruar, për arsye shëndetësore të braktisë studimet universitare në Fakultetin e Mjekësisë të Stambollit, ai ju kushtua me entuziazëm misionit të shenjtë të mësuesit në vendlindje. E nisi detyrën tij në moshë shumë të re, në vitin 1910 dhe i kushtoi kësaj karriere fisnike më shumë se gjysmë shekulli duke filluar në Gjirokastër, për ta vazhduar pastaj në Shkodër, Korçë dhe përfundimisht që prej vitit 1929 në Tiranë. U largua nga bankat e shkollës në vitin 1962 në moshën 74 vjeçare. U shqua si metodist në mësimdhënien e matematikës, si edukator i brezave dhe gjeneratave të tëra, por mbi të gjitha në karrierën e tij të stërgjatë që kaloi nëpër kufijtë e shumë sistemeve të ndryshme politike të Shqipërisë të shekullit XX, profesor Babameto u shqua për patriotizmin dhe shqiptarizmin e tij. Ai është dhe autor i një varg tekstesh të matematikës.
Jetëshkrimi
RedaktoU lind në Gjirokastër më 16 tetor 1888 në një familje qytetare. Si kreu filloren dhe qytetësen në shkollën turke të vendlindjes, familja e dërgoi në Stamboll, ku kreu me rezultate të shkëlqyera gjimnazin në vitin 1908 dhe u regjistrua në Fakultetin e Mjekësisë. Një vit më vonë, në 1909, për arsye shëndetsore, u detyrua të ndërpresë studimet dhe të kthehet në vëndlindje. Ishin vitet e para të shekullit XX. Perandorisë Osmane po i afrohej fundi. Në Shqipëri ndjehej më shumë se asnjëherë etja për arsim dhe gjuhë. Gjatë viteve të studimeve në Stamboll, ai ra në kontakt dhe njohu nëpërmjet numrave të vjetër të revistave "Drita" dhe "Dituria", literaturën e Rilindjes Kombëtare shqiptare. I frymëzuar nga aktiviteti patriotik i figurave të sa e sa rilindësave brënda dhe jashtë vendit, në kontakt direkt me patriotë të shquar si Bajo Topulli dhe Andrea Konomi, në pamundësi për t'ju kthyer studimeve në mjekësi dhe nevojën e menjëherëshme të vendit për dituri dhe arsimim, ai vendosi te qëndrojë përfundimisht në Gjirokastër dhe t'i kushtohej misionit të shenjtë të edukatorit dhe mësuesit.
Kështu Hysni Babameto u bë nga pionierët e pare të arsimit, që, nën kushtet osman dhe të reaksionit xhon-turk, po hidhte hapat e para plot shpresë.
Ai e filloi detyrën e shenjtë të edukatorit dhe të mësuesit të matematikës në vitin 1910 dhe do t'i kushtonte kësaj karriere fisnike më shumë se gjysëm shekulli, deri në vitin 1962, kur u detyrua të dilte në pension në moshën 74 vjeçare. Si anëtar i Klubit "Drita", që përpiqej të mbante gjallë në popull dashurinë për gjuhën dhe kulturën kombëtare, në fund te vitit 1912 ai përshëndeti plot entuziazëm Shpalljen e Pavarësisë nga Ismail Qemali në Vlorë. Por rrethanat politike nuk e lejuan të ecte përpara.
Në mars të vitit 1913, Gjirokastra okupohej nga trupat greke, që veç masakrave dhe barbarizmave në malet e jugut, kërkonin t'u impononin banoreve të Gjirokastrës evakuimin e qytetit. Hysniu me një grup intelektualësh patriotë iu kundërvu me vendosmëri kërcënimve të komandës greke dhe për këtë u detyrua të kalonte për një kohë të gjatë në ilegalitet.
Në vitin 1916, në kulmin e zhvillimit të Luftës së Parë Botërore kur Vlora dhe Gjirokastra kaluan nën pushtimin e trupave italiane, Hysniu dhe kolegët e tij, pionierë të tjerë të arsimit Jani Minga, Xhafo Poshi, Thoma Papapano, Iljaz Hoxha etj. vazhduan punën si arsimtarë nën kushtet e okupacionit të ri, duke ju kundërvënë presionit të autoriteteve italiane për sjelljen e mësuesve të huaj italianë në shkollat shqipe; dhe ia arritën qëllimit. Pas rifitimit të pavarësisë dhe pas Luftës së Vlorës, një etapë e re filloi në jetën e tij, jo vetëm si mësues i thjeshtë, por edhe si aktiv në përforcimin dhe demokratizimin e ndërgjegjes kombëtare. Ai ishte anëtar i vjetër dhe puntor i pakursyer i shoqatës "Drita", mik i ngushtë dhe bashkëpuntor i publicistit demokrat Veli Hashorva, drejtor i gazetës "Drita", të cilin dhe e zëvendësoi përkohësisht. Mbajne firmën tij shumë atikuj entuziastë të asaj kohe, rreth bëmave të Luftës së Vlorës dhe Kotës.
Në vitin 1921, pas pritjes solemne që Gjirokastra i rezervoi Avni Rustemit për aktin e Parisit, Hysniu dhe shokët e tij përkrahën dhe ndihmuan Avniun për realizimin e kohshëm të programit të shoqatës "Drita", domethënë shkrirjen e gjithë shoqatave patriotike në një federatë të vetme me emrin "Atdheu". Babameto, Veli Hashorva dhe Papapano ishin delegatët e shoqatës "Drita" në Kongresin e Vlorës i cili zgjodhi Avni Rustemin kryetar. Mjerisht, më vonë, programi i Federatës, që kishte si pikëfillimi arsimin dhe kulturën, nuk u përkrah nga forcat politike konservatore të kohës. Po në këto vite, si anëtar dhe aktivist i "Lidhjes së Mësuesve" të formuar në shkollën "Koto Hoxhi" në Gjirokastër, ai punoi për masivimin e arsimit dhe kulturës duke u aktivizuar edhe në ngritjen e grupeve teatrale dhe orkestrale. Ai vetë ishte amator i mandolinës por u shqua veçanërisht për vënien në skenë për herë të parë si regjisor dhe aktor i dramës "Besa" të Sami Frashërit.
Por kulmi i kontributit të tij në lëmin e arsimit në këtë periudhë arriti në vitin 1923 me hapjen e Liceut francez të Gjirokastrës (sot Shkolla e mesme "Asim Zeneli"), pas atij të Korçës. Liceu i Gjirokastrës, me drejtor francezin Victor Coutan, u hap më 5 nëntor 1923 në lagjen Palortò. Në këtë Lice Hysni Babameto u caktua si mësues matematike, si zëvëndësdrejtor dhe më vonë si drejtor deri në fund të vitit 1928 kur ai u mbyll. Takti i veçante në mësimdhënien e matematikës, qartësia, qetësia, por mbi të gjitha metodika dhe pedagogjia, maturia dhe humanizmi, aftësia e tij si drejtues e organizator, - sidomos për vendosjen masive për herë të parë në bankat e shkollës të elementit femëror, - e bënë Hysni Babameton nga pedagogët më të dashur në mes gjithë nxënësve dhe qytetarëve të Gjirokastrës të viteve '20, kolegëve të tij shqiptar Elmaz Çani, Ilia Sheperi, Thoma Papapano, Pano Hido, vëllezërit Muntaz e Vesim Kokalari etj. si dhe të atyre francezë Victor Coutan, M. Marchand, e A. Brégault.
Më pas, në vitet 1928 dhe 1929, ai shërbeu si mësues matematike në Gjimnazin Shtetëror të Shkodrës. Në vitin 1929 u vendos definitivisht në Tiranë, duke filluar detyrën në Shkollën Mbretnore Ushtarake përkrah me arsimtarët Pertef Pogoni, Gavril Meksi, Ymer Saraçi etj.
Por ishte viti 1933 ai që do të shapte një rrugë të lavdishme per këtë pionier të arsimit. Në këtë vit, me hapjen në Tiranë të Institutit Femëror "Nana Mbretneshë" (që pas Luftës mori emrin Shkolla Pedagogjike). Hysni Babameto, Gavril Meksi, Vangjel Gjikondi, Ahmet Gashi dhe Aleko Tashko do të ishin mësuesit e parë të kësaj shkolle. Ai, në mungesë të përkohëshme të një drejtori u bë organizatori dhe administratori i saj. Emri i tij u lidh dhe mbeti i lidhur me këtë shkollë, së cilës i kushtoi - me disa ndërprerje të shkurtëra - 34 vjet të karierës së tij deri në pension. Kjo shkollë u shndërruan në një vatër të mrekullueshme kulture dhe atdhetarie që erdhi duke u fuqizuar kur rradhës së pedagogëve më vone ju shtuan dhe kolegët e tjerë; Sotir Papahristo, Filip Fishta, Ollga Nikolla (Luarasi), Lola Gjoka, Marie Kraja etj.
Në vitin 1942, kur me iniciativën e ministrit të Arsimit Xhevat Korça u vendos në periferi të Tiranës, në Kamëz, shkolla ekonomike femërore - Instiuti "Vatra Shqiptare" (sot Universiteti Bujqësor). Hysniu u cartua si mësues matematike dhe shërbeu atje deri në fund të vitit 1943, momentin kur shkollat u mbyllën. Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, në periudhën e vështirë të okupacionit fashist ai përkrahu pa rezerva aktivitetet antifashiste të të rinjve duke u kërcënuar gjithnjë nga autoritetet fashiste sa herë që dilte në mbrojtje të nxënësve të tij. Megjithatë ai asnjëhere nuk u solidalizua dhe nuk pranoi frymën e propagandës komuniste. Për këtë gjatë luftimeve të Tiranës, në nëntor 1944, u arrestua nga forcat partizane të Brigatës I së bashku me vajzën e tij 20 vjeçare dhe djalin 18 vjeçar. Gjatë hetimeve të shpejta, të shkurtëra dhe të përcipta i shpëtoi për mrekullisht masakrës komuniste të atij nëntori të terrorit të kuq. Për mungesë të plotë argumentash, por dhe falë famës së tij, u lirua pas pak kohe, por pasojat e nuk munguan të rëndonin dhe mbi të me ardhjen në fuqi të regjimit komunist. Me rihapjen e shkollave, edhe pse tashmë e kishte kaluar moshën e pensionit, si shumë arsimtarë të tjerë që nuk kishin përkrahur programin komunist të luftës, ai që kishte kontribuar aq shumë në edukimin dhe arsimimin e gjeneratave të reja u dërgua për "riedukim" në Korçë. Fatmirësisht, profesor Babameto, nuk pësoi fundin e dhimbshëm dhe të tmerrshëm të shumë kolegëve dhe intelektualëve të tjerë të arsimit dhe kulturës shqiptare të gjysmës së parë të shekullit XX.
Vitin tjetër, më 1947, u lejua të kthehej në Tiranë. Në fillim, për një periudhë kohe shërbeu në Gjimnazin e Tiranës dhe në Politeknikumin e Tiranës. Më tej u rikthye në Pedagogjike, në shkollën e tij ku shërbeu deri në fund në hije edhe për shkak të djalit të tij të dënuar politikisht. U largua nga bankat e shkollës vetëm për arsye të shëndetit në vitin 1962 pasi i shërbeu për 52 vjet shkollës shqipe. Megjithatë, ai nuk i shkëputi asnjëherë lidhjet me shkollën e tij dhe me matematikën. Disa breza intelektualësh dhe pedagogësh që ai pëgatiti, miqtë dhe kolegët e shumtë të tij ruajtën dhe ruajnë akoma kujtimin dhe admirimin për profesor Babameton, ketë edukator dhe pionier të arsimit shqiptar. Tradita arsimore vazhdoi edhe në familjen e tij. Të dy fëmijët e tij punuan në lëmin e arsimit dhe të matematikës. Rregjimi komunist nuk mundi të mohonte kontributin e madh dhe veprën e shenjtë te këtij patrioti. Për ketë, në vitin 1958 ai u dekorua me Urdhërin e Punës së Klasit I dhe më 1959 ju njoh nga ministri i Arsimit Ramiz Alia, titulli Mësues i Popullit.
U nda nga jeta në moshën 82 vjeçare, në Tiranë, më 20 maj 1970. Shtypi periodik nuk e përmendi fare humbjen e tij, kurse Seksioni i Arsimit dërgoi një kurorë me lule letre.