Adem Kastrati

piktor shqiptar
(Përcjellë nga Adem Kastrat)
This is the stable version, checked on 13 gusht 2024. 5 pending changes await review.

Adem Kastrati, u lind në vitin 1933 në fshatin KaraçevëDardanësKosovës, në një familje të madhe bujare, me veprimtari patriotike dhe arsimdashëse. Ishte e njohur familja e tij nga babai në këtë anë, por edhe nga ana e nënës së tij të Dajkocit (daja i tij, ishte disidenti politik e atdhetari Metush Krasniqi).[1]Piktori e pedagogu i artit figurativ, krijuesi letrar, mbledhësi, shënuesi dhe publikuesi i thesarit popullor, analisti i marrëdhënieve shqiptaro-sllave dhe euro-botërore. Ai i takon gjeneratës së parë të piktorëve pas Luftës së dytë botërore. Kohërat e stuhishme në të cilat është rritur, pjekur dhe formuar si piktor, sigurisht që do të lënë një gjurmë të madhe te veprimtaria e tij. Emri i tij zë një vend meritor mes artistëve figurative të cilët kanë jetuar dhe krijuar vepra në Jugosllavi. Kastrati është një prej doajenëve mes piktorëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut , shteti ku ka jetuar dhe krijuar për më tepër se dyzet vjet.

Piktor i dheut

Adem Kastrati
Adem Kastrati
Lindi15 janar 1933
Karaçevë, Republika e Kosovës
Vdiq24 shtator 2000 (67 vjeç)
Shkup, Republika e Maqedonisë
KombësiaShqiptarë
ShtetësiaRepublika e Kosovës
Arsimi
  • Normalja e Gjakovës
  • Shkolla e Lartë Pedagogjike Shkup
ProfesioniGjimnazi "Zef Lush Marku"
Vite aktiviteti1960-2000 (40 vite)
Njohur për
  • Pikturë
  • publicist
  • dramaturg
Vepra të shquara
  • Darka 1974
  • Krushqit në dimër 1977
  • Vajtimi i Rexhës 1978
  • Fshati im 1976
  • Magja 1989
  • Apoteoza e ujit në baltë 1999
Nënshkrimi

Biografia

Redakto
 
Magja 1989 (ngjyra dheu mbi pëlhurë 80x65 cm)

Adem Kastrati (mbi)jetoi periudha të qeta, paqësore dhe progresive, por jo rrallë u ndesh edhe me situata te ndërlikuara e të turbullta kohore, të përcjella me ngjarje, trazira dhe okupime gjatë jetës së tij. Dhe në një moment gjendja kulmoi me luftën e përgjakshme që populli shqiptar në Kosovë e përjetoi në fundshekullin XX. Katër herë ndërroi shtetësinë, duke u bërë shtetasi i Mbretërisë së Jugosllavisë, Mbretërisë Shqiptare, Jugosllavisë komuniste dhe në fund fare i Republikës së Maqedonisë. Megjithatë, biografia e tij jetësore, më mirë do të pasqyrohej nëpërmjet përshkrimit të sekuencave dhe rrëfimeve në lidhje me biografinë, prejardhjen dhe rrugëtimin e shkollimit të tij.

Piktori e pedagogu i artit figurativ, krijuesi letrar, mbledhësi, shënuesi dhe publikuesi i thesarit popullor, analisti i marrëdhënieve shqiptaro-sllave dhe evrobotërore, Adem Kastrati, u lind ne vitin 1933 ne fshatin KaraçevëDardanësKosovës, në një familje të madhe bujare, me veprimtari patriotike dhe arsimdashëse. Ishte e njohur familja e tij nga babai në këtë anë, por edhe nga ana e nënës së tij të Dajkocit. Daja i tij

, Metush Krasniqi, ishte i burgosur shumëvjeçar për shkak të veprimtarisë së tij atdhetare për të drejtat e shqiptarëve në ish-Jugosllavi. E vërteta që ishte përkrahës i idesë së dajës Metush Krasniqi, shërbimi sekret jugosllav e ndoqi tërë jetën dhe e pengoi Adem Kastratin në vendlindje, Ferizaj, Kastriot, Shkup, Gjakovë, Dubrovnik e kudo ku jetoi e veproi. Edhe në bisedat konfidenciale dhe pikturat e tij kishte bindjen se familja është bërthamë e një shoqërie të rehatshme, ndaj edhe ndjeshëm e artistikisht i pikturonte pamjet kur nëna ishte e përkushtuar me mish e me shpirt për fëmijën, shtëpinë e familjen, sofër, familje e skena të tjera. Temat të cilat i përpunon në veprat e tij më së shumti lidhen me njeriun e zakonshëm. Një theks të veçantë i jep nënës, të cilën e paraqet si rojtare të shtëpisë. Nëna, gruaja, është ajo e cila i jep kuptim jetës, kërkon, por edhe jep ëmbëlsi, dashuri, mirësi. Meshkujt janë gjithmonë seriozë, kur punojnë, qëndrojnë ulur, lëvizin. Kjo është tradita e tyre. Folklori i pasur është padyshim prezent në krijimtarinë e tij, gjë me të cilën do të mbetet përgjithmonë i dalluar në veprat e tij dhe gjë të cilën ai e thekson akoma më tepër me anë të teknikës së tij specifike, të pazakontë dhe të vetme të dheut shumëngjyrësh. Preokupimet e tija pikturore ndjehen edhe gjatë përshkrimit të fshatit, tokës dhe banorëve të tij. Shohim si bujku e lëvron arën me që e paramendë, duke e dërguar të shesë në treg mallin e vjelur dhe me ato mjete financiare të blejë sende të domosdoshme për shtëpinë e familjen. Pikturon edhe pamje të drejtëpërdrejta nga tregu.

Kafshët shtëpiake e të buta i ka si motive në pikturat e tij, si ajo kur bariu me kopenë e dhenve mbart në krahëror edhe librin “Lahuta e Malcis”, kaprojt në pyll duke vrapuar. Kafshët ishin mjet pune e transporti dhe të luftërave sportive të barinjve e fshatarëve. Adem Kastrati spikatës si mbledhës, shënues dhe botues i folklorit e etnografisë si bashkëpunëtor i devotshëm i Instituti Albanologjik i Prishtinës, por edhe skicues e pikturues i imazheve nga loja e filxhanave ose kapuçave, këngëve e valleve të grave dhe të burrave të Anamoravës dhe Karadakut e arealit etnografik mbarë shqiptar. Dashamirët e kureshtarët e kësaj fushe i kënaqi edhe me pikturat për dasmat me krushq nëpër borë. Në pikturat e tij Adem Kastrati sajon njerëz-burra të ashpër e tejet të vëmendshëm në valle e punë dhe njerëz-gra tejet lirike në valle e këngë dhe shumë besnike e të sinqerta në punët e shtëpisë e të familjes. Krijimet artistike të Adem Kastratit shpesh u edhe kronikave socio-histoike, që përmes mjeshtërisë së ngjyrosjes dhe ekspresivitetit artistik, shquhen me objektivitet e impresione, si janë piktura që tregon pamje nga turma e mbledhur në stacionin hekurudhor të Shkupit dhe që presin të shpërngulen në Turqi nga sundimi i gjenocidal i Rankoviçit ndaj shqiptarëve. Treni është sinonim i ndarjes edhe i të dashuruarve, ajo që shpreh varfërinë e skajshme dhe lypsarinë e nënës me kalamajt e saj. Adem Kastrati nuk ishte vetëm piktor me famë botërore, por edhe analist i historik e diplomatik i marrëdhënieve shqiptaro-sllave e evrobotërore, autor i dhjetëra dramave e tregimeve, artikujve publicistikë, që shumicën e tyre i nënshkruante me R. Kosova e pseudonime të tjerë. Kjo figurë poliedrike e pikturës dhe letrave shqipe dy vjet para se të vdiste si amanet një miku e ish-nxënësi të tij ia la në besim tufën shkrimeve autobiografike e qasëse, me kusht që ato të botohen pas vdekjes së tij, dëshirë që iu realizua në vitin 2009.[2]

Ata që e njohin dhe dinë ta çmojnë veprën e një krijuesi, gjykojnë se Adem Kastrati ka shkallën krijuese e intelektuale të një poliedriku, që për Shkupin është krenari që do të lakmohej nga çdo komunitet e vend i qytetëruar. Gjatë ekspozitave të tija individuale dhje kolektive nëpër galeritë botërore kritika artistike theksonte origjinalitetin e stilit dhe teknikës së tij, mjeshtërinë ekspresive, dinamizmin emocional dhe porosinë utilitare të krijimeve. Vlera e pikturave dhe e mendimit të tij shkencor është e pavdekshme dhe frymëzuese dhe sot e kësaj dite është e paarritshme në artin shqiptar të këtushëm, embleme kulturore e joheve e brezave krijues. Rreth 2000 piktura sot mbajnë vulën e tij që u shpërndanë anembanë botës. Vdiq në Shkup, më 24 shtator të vitit 2000 nga një sëmundje e rëndë e pashërueshme. Adem Kastrati ka pasur shumë ekspozita të pavarura në Shkup, Tetovë, Gostivar, Strugë, Ferizaj, Prishtinë, Beograd, Tiranë, Gjilan, Gjakovë, Paris, Gjenevë, Mynih, Sarajevë, Damask, Aman, Ankara, Stamboll, Lubjanë, Zagreb, Dubrovnik, Suboticë, Novi Sad, Palermo etj. Ka marrë pjesë edhe në ekspozita grupore: Lubjanë, Zagreb, Dubrovnik, Nish, Palermo, Tiranë, Paris, Arhis (Danimarkë), etj.

Prejardhja

Redakto

Adem Kastrati rrjedh nga një familje e madhe fshatare për kah numri, por të mesme për kah gjendja sociale. Qysh si i ri, ai ka shprehur interesim për prejardhjen e familjes së tij, duke dëgjuar shumë herë nga më të moshuarit për degëzimin e trungut familjar. Nga babai i tij, Ramizi, piktori ka mësuar se ai vet i përket brezit të shtatë me radhë të familjes së tyre. Përveç bujqësisë dhe blegtorisë, kohë pas kohe merrej nga pak edhe me tregti.

Kastrati - familje e madhe dhe e arsimuar
Redakto

Kjo familje duke u përpjekur që me punë të ndershme ta sigurojnë ekzistencën, nuk e pat lënë pas dore as arsimimin e brezave të rinj të saj. Qysh herët disa nga të rinjtë e kësaj familje ia patën mësy rrugës së shkollimit. Fëmijërinë, Adem Kastrati, e ka kaluar në vendlindje, duke mbijetuar edhe disa regjime të ndryshme politike të kohës. Vendlindja e tij, Karaçeva, ashtu si tërë Kosova ka qenë nën regjimin e Mbretërisë së Jugosllavisë së Versajës, pastaj për një kohë edhe nën okupatorët bullgar dhe ata italian. Ndonëse fëmijë, megjithatë, Adem Kastrati, pohon se e mban mirë në mend kohën e ardhjes së pushtuesve bullgarë dhe xhandarëve italian. Me ardhjen e italianëve edhe këto pjesë të Kosovës iu kthyen Mbretërisë së Shqipërisë. Kjo pra ishte koha kur brenda familjes Kastrati, lind dëshira dhe interesi i madh për arsimim. Të dhënat nga shënimet autobiografike, flasin se nga familja më e gjerë e piktorit sot numërohen jo më pak se tridhjetë të diplomuar në fakultete të ndryshme, kurse akoma më i madh mund të jetë numri atyre me shkolla të larta dhe të mesme. Të shkolluarit e parë të familjes së Adem Kastratit kanë qenë xhaxhai, Tefiku dhe kushëriri i babait të tij, Ibrahimi, të cilët ishin shkolluar që në kohën e Mbretërisë Jugosllave. Pastaj, rrugën e shkollimit e ka vazhduar motra e Adem Kastratit, Nazmije Kastrati-Reka (nëna e Prof. Dr. Blerim Reka, ish-spikerës Drita Reka-Gërmizaj dhe albanologës Shkëndije Reka-Gjakova) e cila fillon të punojë si mësuese në vitin 1947. Këtë rrugë më vonë e ndjekin edhe të tjerët. Me kalimin e kohës, rruga e aftësimit profesional si dhe perspektiva profesionale, por edhe nevoja e jetës, të gjithë ato pjesëtar të arsimuar të kësaj familje i ka detyruar që ta braktisin vendlindjen dhe të shpërndahen anembanë Kosovës, por edhe përtej saj, nëpër vende të ndryshme të botës. Por, duhet theksuar se familja më e ngushtë e Kastratit ka qenë numerikisht mjaftë e madhe, dhe për këtë flet fakti se piktori ka pasur disa xhaxhallarë dhe halla. Ndërkaq, meqenëse babai i Adem Kastratit, Ramizi, ka bashkëjetuar me dy gra, gjithsej ka pasur dhjetë fëmijë, gjashtë djem dhe katër vajza. Gjithnjë sipas shënimeve autobiografike të Adem Kastratit, mësohet se nga familja e tij më e ngushtë në Karaçevë të Epërme deri vonë ka mbetur vetëm vëllai i tij nga njerka, Sabriu, me familjen e tij më të ngushtë, ndërkohë që pjesëtarët tjerë të familjes Kastrati janë shpërngulur në Gjilan, Ferizaj, Prishtinë, Gjakovë, e gjetkë. Ndërkohë që prej tyre, vetëm Adem Kastrati zgjodhi Shkupin për të jetuar përgjithmonë, ku edhe krijoi familjen e tij me bashkëshorten Lemanen, duke lënë pas edhe tre fëmijë: djemtë, Artanin, Ardianin dhe vajzën, Artiana.

Shkollimi

Redakto

Rrugëtimi i shkollimit të Adem Kastratit, po ashtu është një rrëfim në vete. Shkollimi i tij, jo vetëm që ka zgjatur ca më tepër sesa duhej, por, njëkohësisht ai është përcjellë edhe me probleme, vështirësi dhe peripeci nga më të ndryshmet. Më shumë për shkaqe ekonomike, por herë - herë edhe për shkaqe politike,siç ka pohuar edhe vetë piktori, jo njëherë ai ka qenë i detyruar të ndërpresë shkollimin dhe disa herë përjashtohet nga shkolla. Megjithatë, duhet theksuar se rol vendimtar në jetën e Adem Kastratit ka luajtur një moment shumë i rëndësishëm që ka ndodhur në vitin 1942, atëherë kur për herë të parë atij i bie në dorë një libër shqip. Në të vërtetë, në vjeshtën e atij viti të largët, në shtëpinë e tij për herë të parë hynë ABETARJA në gjuhën shqipe, të cilën, bashkë me disa libra tjerë, i kishte sjellë xhaxhai i tij, Tefiku. Adem Kastrati ka pasur fatin që shkollimin fillor ta ndjek pikërisht gjatë viteve kur atyre anëve të Kosovës, si në gjitha trojet shqiptare, ishin shpërndarë mësuesit e gjeneratave të para që patën dalë nga Normalja e Elbasanit. Mësuesit e parë janë më të merituarit të cilët gjatë viteve të 40 – ta të shekullit XX, mbollën dhe përhapen arsimin shqip anekënd trojeve shqiptare. Mësuesi i parë i Adem Kastratit ka qenë Mehmet Turani nga Elbasani, i cili karakterizohej për nga pedanteria dhe serioziteti në punë. Edhe pse Kastratin e kishin mësuar edhe disa mësues tjerë, mbresa më të mira i ka lënë vetë mësuesi Mehmet, për të cilin është shprehur: “Askush nga ata nuk mund ti afrohej për nga kultura mësuesit Mehmet”. As shkollimi i mesëm nuk ka kaluar pa vështirësi, dhe për këtë shkak Adem Kastrati ka qenë i detyruar të ndërrojë disa shkolla të mesme dhe të endet nga njeri qytet në tjetrin, duke filluar nga Gjilani, Peja, Gjakova e Prishtina. Ashtu që shkollën e mesme e ka bërë në Gjakovë ku dhe jetoi disa vite aty, kurse studimet e shkollimit të lartë i ka kryer në Shkup.

Shkënditë e para të talentit të artit figurativ
Redakto

Talentin e tij, Adem Kastrati[3] e ka manifestuar qysh si i vogël duke e shprehur atë nëpërmjet modelimit dhe vizatimit mbi pllakat prej baltës shumëngjyrëshe të vendlindjes së tij. Por, talentin e njëmendtë ai e ka shfaqur në bankat e shkollës fillore duke treguar interes ndaj lëndëve artistike: poezisë, muzikës, por kuptohet që më shumë ai është dalluar si vizatues i talentuar. Në lidhje me kontaktet e tij të para me artin figurativ, Kastrati flet për vizatimet e tij të para me laps, për çka mësuesi, Mehmet Turani, e ka lëvduar gjithmonë para nxënësve. Pastaj e përkujton edhe një moment tjetër që ndërlidhet me talentin e tij, kur ai si nxënës i shkollës fillore e kishte vizatuar me laps portretin e gjyshit të tij. Gjyshi i kënaqur me vizatimin e nipit të tij i kishte premtuar Adem Kastratit se “do ta bënte inxhinier”. Ashtu si gjithë moshatarët e tjerë të vendlindjes së tij, edhe Adem Kastrati fëmijërinë e ka kaluar me punët e shtëpisë, sidomos duke ruajtur bagëtinë. Kuptohet, para se gjithash ishte puna, por një fëmijë nuk privohej dot as edhe nga loja e tij. Përveç lojërave të ndryshme tradicionale që i luanin fëmijët, mjaft e preferuar për ata ka qenë, sidomos, loja me baltë që përroi i fshatit Karaçeva e kishte me bollëk. “Me baltën me ngjyra të llojllojshme bënim figura të njeriut, kafshëve, shtazëve dhe shpezëve të ndryshme, por më shpesh unë modeloja pëllumbin duke fluturuar. Nga ajo baltë bëja pllaka mbi të cilat skicoja figura të ndryshme”, përkujton Kastrati. Dhe kështu, dalëngadalë, piktorin e përvetësonte bota e vizatimit dhe modelimit me baltë, dhe dita ditës bëhej e qartë që ai kishte ardhmëri në fushën e artit. Por, si gjithmonë, Kastratit i dilte ndonjë pengesë që ia prishte sdopak ëndrrën e tij. Si rrjedhojë piktori kujton një përjetim jo edhe gjithaq të këndshëm nga koha e rinisë shkollore. Lëndën e vizatimit në Normalen e Gjakovës e ka dhënë mësuesja, Lirie Tanefi, e cila asnjëherë nuk i ka shënuar Kastratit notë më të lartë. Edhe pse vetë piktori pohon se asokohe nuk ka ditur as për perspektivën e as për dritë - hijen, por as edhe për fshehtësitë e tjera të mjeshtërisë së vizatimit e pikturimit, por atë notë e shënuar në lëndën e vizatimit nga mësuesja, Tanefi, ai gjithmonë e ka përjetuar si tendencioz dhe padrejtësi ndaj tij. “Ajo nuk besonte se unë i bëja vetë vizatimet. Mësuesja ime nuk ishte e kënaqur pasi që mendonte se gjoja e kisha kopjuar një punim të piktorit, Gjorgje Andrejeviq – Kun”, ka deklaruar piktori në shtypin e kohës.

Studimet për pikturë në Shkup
Redakto

Megjithatë, edhe përkrah talentit, Kastrati, duket se rastësisht ka përfunduar në botën e artit figurativ. Sipas rrëfimit të piktorit, fillimisht ai kishte dashur që të studioj gjuhën dhe letërsinë shqipe, por rrethanat e krijuara kanë ndikuar që ta regjistrojë artin figurativ. Në muajin shtator të vitit 1954/55, dokumentet i kishte dorëzuar për regjistrim në degën e gjuhës shqipe pranë Shkollës së Lartë Pedagogjike në Shkup. Meqenëse në këtë degë ishin paraqitur vetëm dy kandidatë dhe ka qenë e pamundur që të formohej grupi, Kastratit nuk i plotësohet dëshira për tu regjistruar në këtë drejtim. Por, me të mësuar rastësisht se vende të lira ka pasur vetëm në degën e artit figurativ, atëherë piktori i nënshtrohet dhe e kalon me sukses provimin pranues dhe kështu bëhet student i artit figurativ. Me futjen e tij në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Shkup, Adem Kastrati, për herë të parë do të mësojë se çfarë ishin teknikat e vizatimit, se si duhej ngjyrosur, apo dhe si duhej modeluar një skulpturë. Kastrati ka pasur fatin që gjatë studimeve në Akademinë Pedagogjike, mësimet nga vizatimi, piktura dhe modelimi, dhe historia e artit ti marrë nga profesorët e tij, njëherësh artistë të njohur maqedonas, siç ishin: Vangell Koxhoman, Lupço Stefanovski dhe Dimçe Koco. Nga të gjitha lëndët, më e vështirë për Kastratin, ka qenë lënda e historisë së artit, sidomos periudha e artit të kohës së vjetër dhe artit mesjetar. Me kalimin e kohës, sa më shumë që futej në botën e artit figurativ, atij, i shtohej akoma më shumë interesimi për t’u përsosur profesionalisht, ndaj nuk i kanë munguar as ambiciet, por as edhe përpjekjet e drejtpërdrejta të ndërmarra në drejtim të shkollimit të mëtutjeshëm. Pat bërë disa tentativa për t’u regjistruar edhe në akademitë e ndryshme të artit në vend, si në Zagreb, Beograd, por rrethanat dhe fati ka dashur që ai të mos ia arrij dot këtij qëllimi. Takimi me piktorin Hegedushiç në Zagreb në vitin 1959, Adem Kastrati kishte konkurruar në Akademinë e Arteve në Beograd, ku sipas pohimit të tij, edhe pse është pranuar, për shkak se nuk e ka fituar të drejtën e bursës dhe për të mos e lënë keq familjen, ai heq dorë nga kjo mundësi. Ca vite më vonë ai pohon se edhe pse e pat siguruar bursën nga një fabrikë e vendit, por edhe asaj here ai nuk pranohet dot në Akademinë e Arteve Aplikative në Beograd. Por, Kastrati, nuk ka pushuar së kërkuari mundësi tjera për t’u përsosur profesionalisht duke trokitur nëpër dyert e akademive të atëhershme. Deri sa ai ka shprehur interes për t’u regjistruar edhe në studimet pasuniversitare. Tre vite më vonë, kishte vendosur kontakte me piktorin e njohur kroat, Krsto Hegedushiq, të cilin pastaj edhe e pat vizituar në Zagreb. Në kryeqytetin kroat, Kastrati, udhëton në muajin janar të vitit 1962, kurse me vete kishte marrë edhe pesë piktura të punuara në teknikën me ngjyra dheu në pëlhurë, të cilat ia ka treguar profesorit Hegedushiq. Piktori kroat e kishte pritur në atelienë e vet, e pasi i kishte shikuar mirë pikturat merr dhe shkruan një letër, të cilën ia ka adresuar kritikut të njohur të atëhershëm të artit, Oto Bihali–Merin, i cili asokohe ka qenë përgjegjës për kulturë në ish – Federatën jugosllave. Hegedushiq edhe gojarisht i kishte treguar Kastratit, se i ka shkruar mikut të tij, Bihali Merin që t’ia mundësonte regjistrimin e studimeve pasuniversitare në Institutin për Kulturë në Beograd. Por, për të qenë korrekt deri në fund, Kastrati i tregon piktorit, Hegedushiç se akoma nuk e kishte marrë diplomën në SHLP – në, pasi që nuk e kishte dhënë akoma provimin e Historisë së Artit. “Unë i analizova mirë punimet tuaja dhe prej këtij momenti unë të kam pranuar në studimet pasuniversitare. Duket që keni kulturë të përgjithshme nga arti figurativ. Tani mbetet që të siguroni mjete financiare për studimet sepse ato janë të shtrenjta për t’i përballuar, prandaj i shkrova shokut Bihali Merin që t’ju siguroj ndonjë bursë”, është shprehur, Hegedushiç. Ashtu siç e ka udhëzuar piktori i njohur, Hegedushiç, Adem Kastrati shkon në Beograd, tek Oto Bihali – Merin. Pasi, Oto Bihali e ka lexuar letrën, atëherë i është drejtuar, piktorit: “Shoku, Kastrati, ne nuk mund t’ju ndihmojmë për këtë që kërkoni, sepse ju jeni nga Kosova, dhe se këtë ndihmë duhet t’ua japë Këshilli i Arsimit dhe Kulturës së Kosovës”. Ndërkohë, që edhe në Prishtinë nga një nëpunës malazez, Kastrati kishte marrë përgjigje negative, me arsyetimin se në kuadër të Këshillit në fjalë nuk është paraparë fond i posaçëm për studime pasuniversitare. Por edhe përkrah asaj që nuk ia del që t’i vazhdoj studimet e mëtutjeshme, Adem Kastrati, akoma më vendosmërisht i jepet pikturimit, dhe ashtu, me një këmbëngulësi të paparë dhe me një përkushtim asketik ia doli mbanë që të krijojë emër të respektuar në qarqet e artit figurativ si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

Mësimdhënia

Redakto

Aktiviteti krijues i Adem Kastratit pandashmërisht shoqërohet edhe me punën e tij si mësimdhënës. Për tridhjetë e pesë vite rresht pune në arsim, pra, deri në pensionimin e parakohshëm të tij në vitin 1986, Adem Kastratit, si udhërrëfyes i ka shërbyer porosia e drejtorit të Normales së Gjakovës, Beqir Kastrati: “Djalosh, do të shkosh t’ia çelësh sytë miletit tonë. Ju mësuesit do të shkoni të punoni në ato katunde ku ndoshta as pishë për dritë nuk kanë. Ju do të jeni ata që do t’u bani dritë. Kurrë mos harroni se ata fëmijë që do ti keni para vetit do të jenë vllaznit dhe motrat tuaja. Në qoftë se nuk mendoni kështu nuk jeni për mësues…”. Ditarin për herë të parë e rrok në muajin prill të vitit 1950, i cili akoma pa i mbushur tetëmbëdhjetë vjet e fillon punën si mësues në shkollën e fshatit Koretin. Për të vazhduar pastaj disa vite radhazi si mësues nëpër shkolla fillore të Kosovës, dhe atë, në rrethinën e Kamenicës, Gjilanit, Ferizajt, Obiliqit, pastaj në fshatrat: Zhegër, Strezoc, Rogoçicë, Muçivërc, dhe për të përfunduar më vonë në disa nga vendbanimet e rrethinës së Shkupit. Edhe gjatë punës si mësimdhënës, Adem Kastrati, pohon se është ndeshur me vështirësi që shkaktoheshin, qoftë nga autoritetet shtetërore të kohës, por edhe nga disa kolegë, mësues dhe drejtorë shkollash nëpër të cilat ka punuar. Pas kryerjes së shërbimit ushtarak jugosllav në Ilirska BistricaSllovenisë, në vitin shkollor 1953/54, Kastrati, përsëri i kthehet ditarit. Tash e tutje do të pasojnë momentet vendimtare për fatin e karrierës së tij artistike. Ishin vitet kur popullata shqiptare në ish - Federatën Jugosllave po përballej me fushatën famëkeqe të shpërnguljes së tyre për në Turqi, të projektuar dhe zbatuar nga pushteti i atëhershëm komunist jugosllav. Gjatë atyre viteve, e njohur ndryshe edhe si “periudha rankoviçiane”, popullata shqiptare e asaj ane shpesh vizitohej nga emisarë të ndryshëm, apo siç i quan piktori “vegla të pushtetit”, të cilët nxitnin shpërnguljen e shqiptarëve për në Turqi. Këtë fushatë e kishte ndjerë thellë edhe vetë piktori. Megjithatë, këto presione sa ishin pengesë, po aq u bënë edhe inspirim për gjetjen e rrugës së vërtetë në ndërtimin e personalitetit artistik dhe intelektual të Kastratit. Një moment mjaft të rëndësishëm për Adem Kastratin pa dyshim që paraqet viti 1959, pasi që për herë të parë atëherë fillon punën si mësimdhënës i lëndës së artit figurativ në një fshat të Ferizajt. Mirëpo, meqenëse daja i tij, Metush Krasniqi, ishte burgosur politikisht, presionet e forcave policore jugosllave ishin shtuar edhe ndaj piktorit. Nuk vonon shumë kur në vitin shkollor 1960/61 Adem Kastrati për herë të parë kalon si mësues në shkollën fillore të fshatit RashçeShkupit. Që nga ajo kohë ai do t’i përkushtohet më fuqishëm pikturimit. Përderisa punonte në Rashçe, në një atelie të improvizuar në dhomën e vogël të mejtepit të xhamisë së fshatit kishte realizuar 25 piktura me ngjyra vaji, me të cilat pastaj e pat hapur edhe njërën nga ekspozitat e para të tij. Në vitin shkollor 1961/62, Kastrati edhe njëherë kthehet mësues në Ferizaj, ku vazhdon të pikturojë akoma më me përkushtim. Prej atij viti, kur më e kishte zbuluar teknikën e pikturimit me ngjyra dheu, fillon ndërtimi dhe shtegtimi i tij artistik, duke u bërë një emër i respektuar në botën e artit figurativ shqiptar dhe më gjerë. Gjatë viteve në vijim, verën e kalonte duke hapur ekspozita, kurse në vjeshtë ai i kthehej sërish ditarit, nxënësve të tij dhe punës krijuese. Dhe kështu, punën si mësimdhënës, Kastrati e përqendron përfundimisht në Shkup. Pasi punon disa vite mësues në Studeniçan, aty kah fundi i muajit gusht të vitit 1967, ai pranohet në Shkollën fillore “Liria” të Shkupit. Ndërkaq, në fillim të viti shkollor 1968/69, për herë të parë punësohet si mësimdhënës në Normalen e Shkupit. Edhe pse disa nga “komitetlinjtë” e atëhershëm fuqimisht e kanë kundërshtuar pranimin e Adem Kastratit në Normalen e Shkupit, por megjithatë, falë këmbëngulësisë së drejtorit të shkollës, Qemal Musliu, një ish – partizan, ai është pranuar si profesor në të vetmen shkollë të mesme në gjuhën shqipe në qytetin e Shkupit. Në këtë shkollë, e cila më vonë nga Normalja transformohet në Gjimnazin “Zef Lush Marku”, Kastrati, ka punuar për 20 vjet rresht. Më 1986 pensionohet para kohe, shkaku i sëmundjes nga veshkët, po edhe shkaku i ndjekjeve të UDB-së të cilës nuk i pëlqenin pikturat e tij me ngjyrëra kuq e zi, asoconin në flamurin kombëtar shqiptar si dhe vizatimin e Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Forcat e policisë jugosllave Adem Kastratin e kërcënonin me përjashtim ose përfundim në burg, por duke parë ajo kohë ishte tragjike për shqiptarët nën okupimin fashist të sllavëve Adem Kastrati vendos përfundimisht të dalë në pension të parakohshme.

Pikturat

Redakto

Pikturat e Kastratit[4], e mbështetur në traditën e mimetizmit realist, paraqet sekuenca të drejtpërdrejta të figurës së njeriut dhe të botës animaliste, rëndom në përputhshmëri me ngjashmëritë dhe iluzionet pamore të tyre. Duke u nisur nga konteksti i misionit institucional të pikturës, Kastrati, mundësitë e kësaj gjinie figurative i përdor si një praktikë sociale të shkëmbimit dhe interpretimit të vlerave të imazhit, që vijnë si shfaqje reale ose si konstruksione vizuale. Pikturat e tij, si një sistem kompleks prezantues, nëpërmjet një diskursi të ndjeshëm-emergjent vë në lëvizje praktikat e prodhimit, paraqitjes, pranimit, konsumimit dhe interpretimit të sipërfaqeve dydimensionale në funksion të përfaqësimit vizual të botës reale apo imagjinare. Nëpërmjet tematikës së begatshme dhe motiveve të shumëllojshme vjen në shprehje edhe koloriti i pasur i përshtatur me idenë dhe konceptin estetik – figurativ, si dhe jetësohen karakteristikat e specifikave artistike e stilistike në krijimtarinë e tij. Koloriti në pikturat e shumta, me kalimin e kohës, përsoset dhe arrin pjekurinë e plotë, bëhet më i kërkuar, më i ngjeshur, pse jo edhe më intensiv dhe më me shkëlqim. Realizimet figurative nëpërmjet këtij koloriti arrijnë premisat metaforike, me transponime të sakta simbolike, të përshkruara kryesisht nga tërësitë (bi)kromatike dhe polikromatike. Shtresimet e koloritit, në kuptimin e sendërtimit të konceptit artistik, që shquhen edhe për kah rëndësia vizuale dhe ndjeshmëria estetike, piktori në mënyrë origjinale kryesisht i zbërthen nëpërmjet gërshetimit të figuracionit nëpër enterierë dhe eksterierë. Përdorimi i vijave të gërryera në pikturë shfaqet si një element i vazhdueshëm i cili e begaton teksturën të cilën piktori e shfrytëzon duke i vënë ato në një koherencë me elemente tjera figurative, të cilat bashkërisht e pasurojnë dhe e konsolidojnë gjuhën figurative, kurse pikturën e tij e bëjnë më kuptimplote. Janë antologjike pikturat e tij të punuara me këtë teknikë, si: "Vizatuesit e vegjël", "Katundi im në mjegull", "Në dimër", "Në mulli", "Fshati im", "Çajtorja", "Magja", "Bariu", "Lypësja", "Nëna me fëmijën", "Duke i dhënë gji fëmijës", "Gratë duke u larë", "Mikpritja", "Darka", "Dasmorët", "Duke çuar drekën", "Oda me burra", "Portrete nga prijësit kombëtarë" "Nga Historia", temat e tij të fundit janë të ndërlidhur me tragjedinë e kombit shqiptar të ndodhur në luftën e Kosovës 1998-1999, ndërsa pikturat e tij të punuara me motive legjendash popullore janë: "Ura e shenjtë", "Motra me nëntë vëllezër", "Krushqit e ngurosur".

Motivet
Redakto

Nuk ekziston pothuajse motiv nga ikonografia tradicionale figurative që nuk haset në krijimtarinë e piktorit, Adem Kastrati. Ashtu siç ka shfrytëzuar një larmi temash të llojllojshme, ai ngjashëm veproi edhe me materializimin e atyre temave nëpërmjet motiveve të caktuara, të cilët pothuajse janë të pranishme në tërë krijimtarinë e tij. Motivet paraqesin format pamore të përmbajtjeve tematike. Shumicën e motiveve e ka pikturuar sipas modeleve të ikonografisë tradicionale figurative, duke filluar që nga peizazhi, enterieri, portreti, autoportreti, akti, natyra e qetë, animalizmi, arkitektura, karikatura, etj, duke lënë kështu një opus të pasur veprash me vlera estetike, por edhe me domethënie pamore dokumentare. Në veprat e Adem Kastratit dominojnë motivet e familjes, të cilat me një ndjeshmëri të rrallë i inkorporon në paraqitjen e fshatit, tokës, kafshëve e sidomos te kujdesi i nënës ndaj fëmijëve. Përmes motiveve autoktone të lidhura me fshatin dhe vendlindjen ai shpaloi momente të mbushura me çështje ekzistenciale. Në veçanti trajton "fshataren", këtë qënie sipas tij "të drejtpërdrejtë", që i jep kuptim jetës e që për piktorin ishte gjithmonë e njëjtë: si kur lëviz, si kur punon, si kur këndon ninulla për fëmijën e saj në djep. Gratë në motivet e tij janë me tipare karakteristike me sy të mëdhenjë e me plot rrëfim e ëndrra brenda tyre, që për piktorin ishin pasqyra të shpirtit. Ndërkaq burrat duken të rëndë, sepse, sipas piktorit këtë e kanë traditë. Ata janë të rëndë edhe kur ecin, edhe kur ulen këmbëkryq, edhe kur punojnë, edhe kur vallëzojnë në dasma, që për piktorin ishin bukuria fizike e tyre.[5]

Krijimtaria
Redakto

Krijimtaria e Adem Kastratit, është shumë e pasur artistikisht, shumë e gjerë numerikisht dhe akoma më e shpërndarë gjeografikisht. Zhvillimin e saj e ka përcjellë një dinamikë tejet intensive, duke përjetuar ngritje të vazhdueshme artistike. Dhe ajo që duhet veçuar, ka të bëjë me faktin se, krijimtaria e tij në masë të madhe është shprehur nëpërmjet dy gjinive figurative: pikturës dhe vizatimit. Duke qenë një artist tejet aktiv dhe shumë produktiv, kërkues dhe novator, përmes veprave tij ai u bë projektues vizual i të kaluarës, por edhe dëshmitar i ngjarjeve të mëdha të historisë më të re kombëtare shqiptare. Krijimtaria e tij e ngriti atë në një protagonist i cili nuk mbeti pa u vërejtur nga publiku dhe sidomos nga syri i kritikës. Për të krijuar një pasqyrë më të qartë për zhvillimin e krijimtarisë së tij, do ta trajtojmë më hollësisht teknikën dhe teknologjinë e vizatimit dhe pikturës, efektet e koloritit, si dhe pasqyrimin e zhvillimit të krijimtarisë artistike të tij nëpër disa faza. Adem Kastrati punoi në mënyrë permanente dhe me një fanatizëm e vullnet të pashoq. Një jetë të tërë e shpenzoi në kërkim formash e teknikash të reja, synoi prore individualitetin e tij si krijues dhe arriti që si rrallë ndonjë tjetër të jetë i veçantë. Edhe piktorja Bukurie Dalladaku kujton Adem Kastratin[6].

Origjinaliteti i teknikës me ngjyra të dheut

Redakto

Nga rrëfimet e bashkëkohësve, informacionet e shtypit të kohës, si dhe nga veprat e shumta të Adem Kastratit, mësohet se fillimisht ai ka pikturuar në teknikën me ngjyra të vajit. Megjithatë, nuk vonon shumë kur me një përkushtim të madh ai i futet edhe pikturimit me ngjyra të dheut. Ndonëse më rrallë, megjithatë ngjyrat e dheut ai i ka përdorë edhe mbi materiale tjera, dhe atë, në karton, në letër, në dru, etj. Meqenëse numri më i madh i veprave që ka lënë ky piktor i përket pikturës, përkatësisht, teknikës së pikturimit me ngjyra të dheut, është e kuptueshme që ky artist njihet si piktori i ngjyrave të dheut. Fillimi i pikturimit me ngjyra dheu e ka historinë e vetë. Rrëfimi mbi këtë “zbulim” të Kastratit lidhet me një ditë pranvere të vitit 1960 në vendlindjen e tij. Është koha kur ai jetonte në qytetin e Ferizaj. Piktori përkujton se dy pikturat e para në këtë teknikë me tematikë apokaliptike, të cilat i ka punuar në karton, kurse dheun e ka përdorur pa e situr fare. Duket se veprat e para me ngjyrë dheu i ka realizuar në vitin 1960, dhe se këto dy piktura, Adem Kastrati i ka prezantuar në ekspozitën e përbashkët të Artistëve Figurativ të Kosovës të hapur në vitin 1961 në Prishtinë. Prej atij momenti, metodë kryesore teknologjike u bë zbatimi i pigmentit natyral të dheut si ngjyrë pikturimi. Dhe pikërisht me këtë element ky piktor ka qenë dhe mbeti i vetëm. Ashtu siç ka pohuar jo një herë edhe vetë, Kastrati: “...ndoshta në kohën parahistorike, apo më vonë, piktorët kanë përdorur dheun si teknologji pikturale, ......por tani unë jam i vetmi që pikturoj me ngjyra dheu”. Kjo teknikë ka qenë më atraktive, më e kërkuara dhe më e dashur edhe për vetë autorin, i cili me një rast edhe e ka pranuar këtë fakt, duke thënë: “Unë pikturoj edhe me ngjyra - vaji, por vizitorët i habit bukuria e pikturave të mia që i krijoj me dhe”. Meqenëse pikturimi me ngjyra dheu u bë teknika më origjinale, e cila ka dominuar krijimtarinë e Adem Kastratit, padyshim që meriton kujdes të posaçëm dhe analizë më të përkushtuar teknologjike dhe metodologjike. Përcaktimi i Kastratit për ta praktikuar pikturimin me pigmente të ngjyrave të dheut, sigurisht që nuk është i rastësishëm. Kur ky piktor del në skenë, arti ishte vërshuar nga pikëpamja intelektuale dhe eksperimentale. Arti bashkëkohor asokohe kishte ecur shumë para, përveç llojllojshmërisë stilistike, arti kishte filluar të krijohet edhe me mjete tjera. Sidomos kjo kishte të bëjë me zbatimin e rekuizitave, materialeve dhe teknikave të ndryshme figurative. Dikush brushën e thjeshtë asokohe e pat zëvendësuar me ndonjë mjet tjetër, ose po në vend të ngjyrave shfrytëzoi gurin, drurin apo kashtën për të pikturuar. Në krijimin e veprave artistike, materialet figurative u zëvendësuan me ato jofigurative. Krijuesit më shumë merreshin me procesin se sa me veprën si prodhim final artistik. Shikuar nga ai kontekst kohor mund të thuhet se edhe krijimtaria e Kastratit është një shembull i veçantë dhe i rrallë që lindi në periudhën kur materialet jo figurative ishin bërë mjet mjaft i përdorshëm për krijimin e veprave artistike. Sipas përvojës enformeliste, edhe Kastrati, ngjyrat sintetike industriale i zëvendësoi me ngjyrat natyrale. Pra, deri atëherë, akoma nuk ishte parë dhe as nuk ishte dëgjuar, që dikush nga piktorët ta përdorte dheun në vend të ngjyrave. Me zbulimin e kësaj teknike aq specifike, Adem Kastrati pat tërhequr vëmendjen edhe të artistëve eminent të artit dhe kritikës figurative në hapësirat ish – jugosllave. Ndërkaq, teknika e tij me ngjyra dheu u bë e njohur edhe përtej kufijve ish - jugosllave. Për të mësuar diç më shumë për këtë zbulim të Kastratit, jo pak piktorë të kohës kanë kërkuar nga ai që t’u dërgojë mostra nga dheu të cilin e ka përdorur për pikturim. Disa kanë tentuar edhe ta kopjojnë të njëjtën teknikë, por nuk ia kanë dalë dot që ta zbatojnë mjeshtërinë e teknikës së tij në praktikë. Adem Kastrati flet edhe për dy piktor tjerë nga vendi, emrat e të cilëve nuk i përmend, të cilët janë përpjekur që ta imitojnë teknikën e tij, por nuk ia dalin dot, sepse sipas tij, ata janë munduar që imitimin e pikturimit ta bëjnë duke i përzier ngjyrat me përbërje tjera kimike. “Ka piktorë që përdorin gipsin në pëlhurë, por gipsi është i ngurtë dhe i thyeshëm, kurse dheu është elastik”, është shprehur Kastrati. Familjarët me keqardhje shprehen se teknikën e pikturimit me ngjyra dheu të piktorit nuk e ka trashëguar askush. Edhe pse dihet teknologjia e kësaj mjeshtërie, megjithatë, sekretin e realizmit të saj Adem Kastrati e mori me vete. Bashkëshortja e tij, Lemane Kastrati, (tani e ndjerë) na pat rrëfyer se gjatë pikturimit, Adem Kastrati e ka situr dhe e ka shpëlarë mirë e mirë dheun me ujë. Pohimet e familjarëve (Lemanes dhe Artanit) në lidhje me mënyrën e përdorimit të ngjyrave të dheut i dëshmon edhe rrëfimi i vetë autorit në artikullin e gazetës “Dubrovaçki vjesnik” me rastin e ekspozitës së parë të hapur në vitin 1968 në Dubrovnik. Strukturën e ngjyrave të dheut të piktorit shqiptar hollësisht e zbërthen edhe kritiku italian i artit, Francesco Karbone, i cili thotë: “Nuancat kromatike që përdor Kastrati, të papërziera me esenca (përbërje) tjera, por të përdorura direkt të pastra, si pigmente, përbëjnë të mahnitshmen, duke paraqitur pamje rurale të ngjashme me atë të etnisë Garunsi apo Tiebele, apo relievet e Lëndinave në Draa, në Marok, si dhe në arkitekturën e trojeve tjera orientale”. Megjithatë, fillimisht, nuk është mirëpritur kjo mënyrë e tij e pikturimit. Kastrati, me pezëm shprehet për reagimet dhe përqeshjet e disa artistëve shqiptarë në lidhje me mënyrën e pikturimit të tij. Piktori e kujton rastin e hapjes së ekspozitës së tij në korridorin e kinemasë “Rinia” në Prishtinë, kur disa intelektual me ironi i kanë përfolur pikturat me ngjyra dheu. Ndërkohë që vetëm një profesor serb nga Peja i ka dhënë përkrahje. “Ai më thoshte që të mos i dëgjoja ata që flasin keq, dhe të mos dorëzohesha, por të vazhdoja të pikturoja pikërisht në këtë teknikë”, ka pohuar, Adem Kastrati. Pikturat në teknikën e dheut përcillen edhe me disa elemente tjera fizike. Me vijëzimet e shumta, si elemente plotësuese që akoma më tepër e pasurojnë teksturën e pikturave, ai krijon një relacion cilësor midis veprës së tij dhe vepërlexuesit. Elementi i ri figurativ shumë origjinal, të cilin piktori e ka quajtur “gërvishtja” apo ‘‘gërryerja’’, duket se është më i pranishëm dhe më i theksuar në punimet e fazës më të hershme të krijimtarisë së tij. Por, me kalimin e kohës, pasi heton se gërryerjet paraqesin ngarkesë për pikturat, Kastrati i redukton dukshëm ato. Në fazat e mëvonshme ai njëherë u jep formë dhe pastaj ato i zëvendëson me figura apo edhe me skena të panumërta gjysmë-abstrakte miniaturale në prapavijën e kompozicioneve. Këto skena sikur krijojnë përshtypjen e “galerive të vogla” ikonografike. Të përcjella jo rrallë edhe me tekste të shkruara dhe simbole të ndryshme ato bartin porosi të caktuara artistike.

Pikturimi me ngjyra vaji teknikë e dorës së dytë
Redakto

Punimet e fazës më të hershme dëshmojnë se, Adem Kastrati, fillimisht ka pikturuar me ngjyra vaji, dhe se këtë teknikë e ka praktikuar gjatë tërë karrierës së tij artistike. Numri i konsiderueshëm i pikturave të punuara me ngjyra vaji kryesisht në pëlhurë, flet se edhe këtë teknikë ai e ka kultivuar dhe e ka përsosur vazhdimisht si në aspekt teknologjik ashtu edhe në atë koloristik. Herë pas here, nëpër ekspozitat e ndryshme, Kastrati, prezantohej me krijimtari ku dominonin pikturat me ngjyra vaji në pëlhurë. Pikturat e realizuara në teknikën e vajit fillimisht përmbanin kolorit diç më të kufizuar, por me kalimin e kohës ai bëhet më i qartë dhe më mbresëlënës. Koloriti shquhet për shkëlqim më të theksuar gjë që konsiston me tendencën e piktorit për ngjashmëri dhe përshtatshmëri me tematikën dhe motivin e përzgjedhur. Herë - herë pikturimin me anë të vajit në pëlhurë e ka shoqëruar edhe me grimca të dheut, duke fituar kështu një teknikë të kombinuar, por që nga kjo mënyrë e pikturimit nuk ka lënë ndonjë numër të theksueshëm veprash.

Vizatimi
Redakto

Sado që vizatimi duket sikur qëndron në plan të dytë, megjithatë, duhet theksuar se Kastrati, me kujdes dhe me mjeshtri të veçantë e ka kultivuar edhe këtë gjini figurative. Vizatimi, të cilin ky piktor vazhdimisht e ka hulumtuar dhe e ka përsosur, në krijimtarinë e tij paraqitet në funksion të dyfishtë, pra si gjini në vete figurative, por edhe si komponent përcjellës i pikturës, duke i vënë kështu në raport dhe funksion të barabartë vijën me ngjyrën. Duke realizuar një relacion më të besueshëm përmes simbiozës ngjyrë - vijë, Kastrati, ka përfituar konstruktin e formës tejet të pasur artistike në krijimtarinë e tij.

Vizatimi udhërrëfyes i pikturimit
Redakto

Aq sa e ka njohur ngjyrën, duket se, Adem Kastrati, po aq mirë e ka njohur dhe e ka praktikuar edhe vijën (linjën). Duke iu përmbajtur motos së tij “Asnjë ditë pa hequr një vijë”, ai arrin që ndjeshmërinë ndaj linjës së shprehur me anë të lapsit ta plotësojë nëpërmjet nuancave të rafinuara. Me mënyrën e vizatimit të tij ai arrin t’i tejkalojë efektet ilustruese të metodës së verizmit, duke e ngritur kështu atë gjini në nivelin e një krijimtarie të mirëfilltë artistike. Ndaj, kur merret parasysh natyra e krijimtarisë së Kastratit, mund të konstatohet se vizatimi i tij paraqet fillimin, thelbin dhe formësimin e secilës shpalosje kreative. Si rrjedhojë e këtij konstatimi del se i pamohueshëm është karakteri piktural i vizatimit të tij. Vizatimin, i cili në thelb përmban karakteristikat realiste, jo rrallë herë Kastrati e shfrytëzon si skicë paraprijëse gjatë pikturimit. Duke u bazuar nga veprat e shumta të krijuara, shihet qartë se kjo gjini përbënë një qasje personale autentike krijuese të këtij artisti. Ndonëse, Kastrati, edhe ka deklaruar: “...punoj pa skica…”, megjithatë, po të vërehet ca më me kujdes krijimtaria e tij, nga vetë mënyra e pikturimit dhe nga gjurmët e dukshme të lapsit, mund të konstatohet se piktori e ka përdorur,skicimin në sipërfaqet e pëlhurave si parapërgatitje për realizimin e pikturave të tij. Karakteristikat figurative të kësaj gjinie janë të kushtëzuara nga më shumë momente, ndaj edhe krijimtaria vizatimore e tij shpalohet në përmbajtje të shumta tematike. Origjinaliteti krijues dhe shumëllojshmëria tematike ka ndikuar që edhe nëpërmjet vizatimit ai me pasion të vë në pah ankthin, epshin, mistikën, ëndrrën, vegimin, etj. Prandaj është i qëndrueshëm konstatimi që krijimtaria vizatimore e Kastratit i ka shërbyer si udhërrëfyes përgjatë karrierës së begatshme krijuese të tij.

Qindra vepra të shpërndara nëpër botë

Redakto

Duke u nisur nga rrethanat e krijuara ky numër asnjëherë nuk do të dihet saktësisht. Kuptohet, që një numër i konsiderueshëm i veprave padyshim që akoma ruhet në fondin e familjes së tij. Familja e Adem Kastratit për një numër prej tyre ka dijeni se ku ndodhën. Por, pjesa tjetër, pothuajse më shumë se gjysma e veprave të krijimtarisë së tij, nëpërmjet shitjes apo dhurimit, janë shpërndarë në të katër anët e botës. Ndonëse autori është përpjekur të mbajë një evidencë për veprat e tij, megjithatë, e ka pasur të pamundur që t’i evidentojë të gjitha. Piktori ka shkruar se qindra piktura të tij ndodhen në adresa të ndryshme nëpër botë. Shumë vepra sot janë pronë e galerive dhe institucioneve, e koleksionistëve dhe e personaliteteve të ndryshme, e miqve dhe e adhuruesve të artit të tij. “Ja një kështu është fati i piktorit. Njëherë rropatet me idenë, pastaj me punën rreth realizimit të pikturës, që më vonë ajo pikturë të merr udhën, kurse tek autori të mbeten vetëm adresat, por jo edhe paratë! Sepse ato para të gjitha treten, të gjitha shpenzohen për sigurimin e materialeve për të punuar, për të organizuar ndonjë ekspozite të re, rreth botimit të ndonjë katalogu. Është mjaft shtrenjtë, kurse unë gjithçka bëj vetë…” është shprehur, Adem Kastrati. Sipas një shënimi tjetër nga notesi i piktorit mësohet se numri më i madh i veprave të tij është shpërndarë nga Dubrovniku, nga ku shumë piktura kanë përfunduar nëpër vende të ndryshme të botës. Sipas evidencës që ka lënë Adem Kastrati, mund të llogaritet se fondi i përgjithshëm i tij, numëron rreth 830 vepra artistike. Sa mund të merret e saktë kjo shifër është për t’u diskutuar, por është e vërtetë se ka rreth edhe 300 vepra të pa ekspozuara, ku bëjnë pjesë piktura dhe vizatime që ruhen në fondin familjar. Këtu duhet llogaritur edhe një numër të konsiderueshëm të pikturave të realizuara në teknikën e dheut dhe vajit në pëlhurë të pa vendosura në blind - kornizë, të cilat janë dëmtuar aty kah fillimi i viteve të 80 – ta nga plasja e një gypi të kanalizimit në podrumin e banesës së familjes Kastrati. Po aty, dhe sipas një evidence të tij, mësohet se: në Francë ndodhen mbi 50 piktura, mbi 30 vepra janë në SHBA, 27 në Gjermani, 20 në Itali, 8 në Belgjikë, 6 në Suedi, 4 në Shqipëri, 5 në Danimarkë, 2 në Skoci, 3 në Finlandë, 1 në Brazil dhe 1 në Australi.

Piktura të dhuruara personaliteteve të rëndësishëm botërore

Redakto

Krahas shitjes së vazhdueshme, një numër të veprave të tij, Adem Kastrati u’a ka falur miqve të tij, por disa të tjera i ka dhuruar me raste të veçanta si shenjë falënderimi dhe mirënjohjeje. Përveç tjerash, në notesin e tij hasen shënime që flasin se shumë piktura u janë dhuruar qoftë institucioneve të ndryshme, apo edhe personaliteteve të njohur të kohës. Këtë e dëshmon edhe e përditshmja e dikurshme në gjuhën shqipe, Flaka, në të cilën për dhurimin e veprave nga ana e piktorit, Adem Kastrati, ndër tjera shkruan: “Është gjest i mirë kur në këtë kohë krize, krijuesit nuk u nënshtrohen qëllimeve komerciale”. Në vitin 1993, në shenjë mirënjohjeje një pikturë nga opusi i tij i ka dhuruar edhe ambasadorit të atëhershëm të SHBA - veBeograd, z. Uoren Cimerman. Gjest ky i cili flet mjaft për kujdesin e piktorit Adem Kastrati për t’u dhuruar të tjerëve pjesë nga kultura shqiptare. Nga bisedat me anëtarët e familjes, por edhe nga shënimet në notesin e tij, mësohet se Adem Kastrati u ka dhuruar piktura edhe personaliteteve tjerë të njohur të skenës politike botërore të cilët e ndihmuan çështjen shqiptare. Ndër personalitetet më të njohura të cilëve u ka dhuruar piktura janë: ish – presidenti i SHBA – ve, Bill Klinton, ish-Sekretarja amerikane e punëve të jashtme, Medlin Ollbrajt, ish - ministrit britanik i punëve të jashtme, Robin Kuk, etj. Këtë gjest piktori e ka bërë me rastin e hapjes së ekspozitës me tematikë nga lufta e Kosovës. Gjithashtu, dihet se piktori Adem Kastrati piktura u ka dhuruar edhe institucioneve shqiptare në Maqedoni, dhe atë, Teatrit të Kombësive në Shkup, portretin e Naim Frashërit i’a ka dhuruar Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare në Shkup, Redaksisë së “Flakës” dhe pesë piktura koleksionit të Muzeut në Sicili, si dhe shumë familjarëve, miqve dhe adhuruesve të artit të tij. Për punën dhe krijimtarinë dyzetvjeçare të Adem Kastratit, jo njëherë ka shkruar shtypi i vendit dhe ai i huaj, dhe me rastet të rralla edhe është vlerësuar duke u shpërblyer me çmime profesionale.

Të zbulosh diçka apo të merresh me zanat

Redakto

Të bluash tokë (gurë) dhe të pikturosh me ngjyra dheu duke treguar një realitet, një dramë të thellë, nuk është lehtë, aty vërehet një evoluim teknik dhe unik, një sofistikim i mjeteve shprehëse dhe një orvatje për filozofim. Për të kapur sadopak intenerarin e lëvizjes hapësinore që ngjizë informacionin e veprave të Adem Kastratit, do të ishte mjaft e vështirë për ne qe të gjenim të njejtin mjet transporti, për të ndjerë qoftë dhe përciptas, tërë rrugën e bërë më parë nga ky artist, në formimin e imazhit të tij, mjaft të dallueshëm dhe origjinal. Vepra "Darka" e vitit 1974 me ngjyra dheu mbi pëlhurë në një enterier tipik tradicional i jep pikturës një karakter të thekësuar autokton me një domethënie të caktuar tepër simbolike. "Bukë kryp e zemër", njëri nga ritualet e ngrohta shqiptare është zakoni i mikëpritjes që të ofrojë bukë e kripë për çdo mysafir të admiruar, e cila si një akt në vetvete i referohet filantropisë si diçka e përgjithshm edhe tradicionale. Në këtë tablo zënë vend objekte tradicionale: oxhaku, sofra, shkambi, çerepi, manxha etj, që i japin pikturës një simbolikë me karakter të theksuar origjinal. Motive autoktone të lidhura me fshatin dhe vendlindjen shpalos momente të mbushura me çështje ekzistenciale. Në veçanti trajtoi fshataren këtë qënie, sipas tij të drejtpërdrejtë, që i jep kuptim jetës e që për piktorin ishte gjithmonë e njëjtë si kur lëviz, si kur punon, si kur dëfrehet, si kur këndon ninulla për fëmijën e saj në djep. Gratë i paraqet me tipare karakteristike me sy të mëdhenj e me plot rrëfim e ëndërra brenda tyre, që janë pasqyra të shpirtit dhe dritare që shpalojnë botën e figurave, momentet e thella, gjendjet psikike, tmerret e kohërave të paekuilibruara. Burrat ndërkaq duken të rëndë sepse këtë e kanë traditë, ata janë të rëndë edhe kur ecin, edhe kur ulen këmbëkryq, edhe kur punojnë, edhe kur vallëzojnë...ata kanë të rëndë edhe bukurinë fizike. Fëmijët që shpesh janë prezent në tablotë e tij, fëmijët zgjasin kokat kurioze nga sofra dhe nga prehërit e ngrohtë të nënave dhe gjysheve, fëmijët janë të dashurit e autorit, janë pamje rrënqethëse të fëmijërisë së hershme që lidheshin me golgotën e karvaneve të pafund të bashkëvendasve të tijë të shkulur me dhunë nga vatra e të parëve, ishte vetëm një kujtim i hidhur që s'mund të përsëritej kurrë. Situatat e ambientit rrethues përbëjnë një tablo, e cila identifikohet me njerëzit dhe natyrën e fshatit të vet. Ambienti i mirënjohur dhe shumë herë i përjetuar fiton një kuptim tjetër, që tejkalon atë që është vetëm identike me realitetin, sepse interponohet aspekti i rishikimit të transponimit figurativ. Risi tjetër e kësaj tabloje është përdorimi i vijave të grryera në sipërfaqen e përpunuar të dheut e ngjitur në telajo, bashkë me sytë e figurave të pikturuar me kujdesin maksimal, si elemente qenësore dhe karakteristike të këtyre imazheve, vijat e para të grryera që më pas nuk mund të përmirsohen. Kjo mënyrë autentike e shprehjes së botës së brendshme përbën njërën nga shtyllat e suksesit të pikturës së tij të pakategorizueshme që nuk shembëllen me rrymat dhe rrugët e panumërta artistike dhe që vetëm në shikim të parë del e ngjashme me pikturën e ashtuquajtur naive. Njëri prej artistëve më të veçantë sa i përket teknikës. Ai nuk i ndryshoi pikëpamjet e veta artistike e pikturale. Ai vazhdoi në të njejtën udhë deri në fund të jetës së tij. Mesazhi i Kastratit, para se të ishte fetar apo metaforik, ishte një mesazh human, ku qenë ngjizur dashuria, besimi, lindja, vdekja, pra vetë jeta e njeriut. Kishte për qëllim të pikturonte atë që natyra do të krijonte ndonjëherë jo në këto kushte. Kërkonte të shijonte e të përjetonte botën e ngjyrës, ashtu si ai e përpunonte. Në vepra janë të pasqyruara edhe disa aspekte të jetës së tijë individuale nga njëra anë dhe vetë madhështia e këtyre veprave. Mesazhi i fuqishëm dhe forca befasuese nga ana tjetër që të intrigojnë dhe të nxisin për t'ia bërë të njohur edhe publikut shqiptar këtë figurë të Artit Figurativ. Janë të magjishme sot edhe tablotë tjera me nuancat e dheut, piktura këto të mrekullueshme dhe me një metaforë të fuqishme të një realiteti të jetuar. Me Adem Kastratin, metafora shënoi hyrjen triumfale në pikturën naive pa vetëdije. Tek figurat e tij, vërehen disproporcione anatomike (groteske, 144 karikaturale) por, jo aq të theksuara në krahasim me piktorët naivë që i bëjnë pa vetëdije, spontanisht. Kastrati i shpreh me qëllim dhe në mënyra fare të vetëdijshme, ku ai me anë të këtyre disproporcioneve anatomike, synon të fiksojë fuqinë e figurës. Në pikturat e tij, karakteristika të veçanta janë edhe: etydet e ndryshme për vdekjen, dasmat, koncertet në oda, ninanullat e lindjeve, vajtimet e vdekjes, dashuria e nënës ndaj fëmijës, lojën e fëmijëve dhe nostalgjia për lojrat e humbura, ishin frute të kërkimit të një forme të re, figura të vogla në një peisazh të madh dhe figura të mëdha në hapësirë të vogël, të tjera raporte krijoheshin mes figurave njerëzore dhe peizazhit, dekorit fshatarak apo qytetar. Pra, që në fillim ai e shpalosi individualitetin e një artisti tipik shqiptar. Sa i përket figurës së gruas, ai shprehej: "Gruaja, në përfytyrimin tim është një qenie që i ka duart e zëna me diçka vazhdimisht, prandaj ky angazhim i saj herë-herë mbinjerëzor, bën që në pikturën time, ajo të gjejë një shprehje më të madhe" që le të mendosh që gruaja, është e gjitha e pushtuar prej jetës shtëpiake tradicionale. Kryesorja është motivi i tyre i veçantë tradicionalshqiptar, e deri tek veshja e mrekullueshme popullore. Legjendat dhe nuset, janë disa nga ciklet e pikturave të punuara me dherëra të marra nga toka shqiptare të pluhurosura me ngjyra mbi pëlhurë. Adem Kastrati ishte i vetëdijshëm në imazhet e tij, por instikti, forca estetike që drejtoi ai, ishte e disiplinuar në respektin e tij, pa kompromis për cilësitë e ngjyrave të marra nga dheu dhe teknika e rafinuar me të cilën ai punoi. Artisti ka vendosur megjithatë një shkallë të lartë të rëndësishme për detaje të vogla. "Unë jam natyra", thonë një pjesë e artistve të skenës së artit pamor, duke dhënë shpjegimin më të mirë për veprat e tyre të cilët edhe sot reagojnë në mënyrë ikonoklasike ndaj këtij realiteti që e jetojmë me intensitet. Sidoqoftë, sipas mendimit tim, ndjehet në këtë shprehje një lloj egzorcizmi lidhur me frikën dhe pasigurinë e artistit në lidhje momentin e krijimit, me intensitetin e emocioneve dhe pamundësinë për të shprehur në fjalë këte moment, kjo frazë është vazhdimi i një vargu të gjatë qëndrimesh nga ana e artistëve që e shohin veprën e artit si një produkt natyral. Natyra vazhdon procesin e krijimit nëpërmjet artistit dhe, ashtu siç pranojmë çdo krijim natyral sado të çuditshëm, po ashtu duhet të pranojmë çdo krijim artistik sado të çuditshëm pa pyetur si e pse të tepërta. Është kjo frazë e shumë artistëve si një pohim më i prerë i natyralitetit të veprës së artit që Pikasso e shpreh kështu: Çdo njeri do që të kuptojë veprën e artit; pse nuk përpiqen të kuptojne këngën e një zogu ? Qe modernizmi europian që ndikoi shumë me artin e Ballkanit dhe për pasojë, në artin tonë, kjo lidhet edhe me Luftën e dytë Botërore e cila detyroi eksponentët më të fuqishëm të 145 modernizmit europian të kalonin Europën Juglindore. Kështu ambienti i vakët artistik shqiptarë, papritur u ndodh i rrethuar nga shembuj më avangardistë të artit botëror. Disa artistë shqiptarë dhe shumë të tjerë, shkuan në Europë dhe prandaj nuk është e çuditshme që poetika surrealiste dhe e modernistëve të tjerë të ndikojë artin e artistëve më të ndjeshëm shqiptarë. Përvoja sociale dhe profesionale thotë se çdo gjë ndodh për një arsye. (Zeni Ballazhi, Prishtinë 2014)

Procesi dyzetvjeçar krijues i Kastratit

Redakto

Ndonëse, nëpërmjet kësaj ndarje nëpër faza nuk pretendohet se është arritur plotësisht seleksionimi i synuar, megjithatë, në këtë mënyrë krijohet mundësia deri diku e një pasqyrimi të një lidhshmërie më të përafërt dhe më të sistemuar të dinamikës zhvillimore dhe përmbajtjes së krijimtarisë dyzetvjeçare të Kastratit. Krijimtaria e tij artistike ka kaluar në këto katër faza: Faza e krijimtarisë së hershme (1958 – 1962); Faza e konsolidimit të pikturimit me ngjyra dheu (1962 – 1968); Faza e dëshmimit artistik në planin (ndër)kombëtar (1968 – 1988); Faza e kompozicionit të dramës kombëtare (1988 – 2000).

Faza e krijimtarisë së hershme (1958 – 1963)
Redakto

Nga shënimet dhe publikimet e konsultuara mësohet se krijimtaria e Adem Kastratit ka filluar që në rininë e hershme të tij. Veprat e kësaj faze, që për fat të keq janë ruajtur shumë pak (pikturat e kësaj faze më shumë i gjejmë si reproduksione, kurse, nuk mungojnë vizatimet dhe skicat) në një farë mënyre dëshmojnë se kjo është koha kur piktori fillon të dalë para publikut. Fazën më të hershme të krijimtarisë së tij e karakterizon pikturimi me ngjyra vaji në pëlhurë, por nuk mungojnë as vizatimet si dhe ndonjë skulpturë. Krijimtaria e fazës së parë, e cila fillon nga viti 1958 dhe vazhdon deri në vitin 1963, të cilën kritiku, Engjëll Berisha e ka pagëzuar si “E kaluara e hidhët”, kryesisht është me tematikë me përmbajte sociale. Pikturat përmbajnë figura njerëzish që enden nëpër fushat e shkretuara nga skamja dhe varfëria. Kryesisht këto janë pamje me tematikë nga Lufta Nacional-Çlirimtare. Përball figurës së njeriut, jo rrallë herë piktori vendos lule të venitura dhe sidomos pemën e thyer dhe gjembat e saj që bartin simbolikën dramatike të rrëfimit. Sipas Kastratit, edhe njeriu edhe pema, si dy gjallesa të pafajshme, jo rrallë herë e pësojnë njësoj. Është për t’u theksuar fakti se, Kastrati ka zgjidhur me sukses problemin e vendosjes së kompozicionit dhe drejtpeshimit simetrik figural. Me kalimin e kohës disa nga veprat, si pikturat ashtu edhe vizatimet, shquhen për një qasje tjetër të avancuar figurative. Me këtë, Kastrati, paralajmëron se dalëngadalë po e lë pikturimin tradicional realist dhe i futet kërkimit të formave të reja me shprehje ekspresive artistike. Në punimet e kësaj faze të shprehura me gjuhën real - ekspresive, piktori përdor planin e parë (piedestalin) dhe prapavijën (sfondin), me të cilat e plotëson tërësinë e kompozicionit. Në ndërkohë që nëpërmjet dominimit të ngjyrave të errëta shpreh atmosferën e kohës që i përket përmbajtja tematike. Por, nuk vonon shumë, kur Kastrati, tërheq vëmendjen me zbulimin e teknikës së panjohur deri më atëherë për artin figurativ, atë të përdorimit të dheut të pastër si ngjyrë për pikturim. Ndërkaq, duhet theksuar se në përfundim të kësaj faze krijuese, Adem Kastrati, tematikën sociale e pasuron edhe me anë të një ciklit të ri pikturash, të titulluar: ‘‘Bukëdërguese’’ i cili do jetë i pranishëm deri në përfundimin e fazës së dytë në vitin 1967 të krijimtarisë së tij, kurse gjatë fazave të mëvonshme kjo temë haset shumë rrallë.

Faza e konsolidimit të pikturimit me ngjyra dheu (1962 – 1968)
Redakto

Gjatë fazës së dytë, Adem Kastrati i përkushtohet më seriozisht teknikës së re të pikturimit me ngjyra dheu. Koha dëshmoi se filtrimi i pigmenteve të pasura të ngjyrave të dheut nga vendlindja i hapi shtigje për avancimin e pikëpamjeve të reja figurative dhe afirmimin e tij artistik. Krijimtaria e kësaj periudhe nënkupton edhe fazën e konsolidimit artistik të Adem Kastratit, e cila identifikohet njëherësh edhe me përpjekjet e mbindërtimit të një identiteti më të profilizuar figurativ. Asokohe ai paralajmëronte një kreativitet të ri artistik, nëpërmjet të cilit reflektohej kultura e mirëfilltë akademike figurative e tij. Si rrjedhojë edhe pikturimi i tij, gjithnjë e më shumë çlirohej nga “vrazhdësitë” dhe “pakorrektësitë” e deformimeve figurative të fazës fillestare. Orientimet e reja artistike të shprehura me anë të gjinive tradicionale figurative, gravitonin drejt nuancave të pasura të etnologjisë nacionale, të cilat përshkoheshin nga specifikat sociale të tokës kosovare. Cikli i pikturave të fazës pas vitit 1962, i pagëzuar si, “Konservimi i artit popullor”, përmban tematikën folklorike, e cila është e pranishme pothuajse gjatë tërë krijimtarisë figurative të Adem Kastratit. Në këtë fazë fillon të qartësohet më shumë figura e njeriut, e cila gjithnjë e më shumë merr tiparet e portretit. Personaliteti i nënës me fëmijën bëhet një lajtmotiv tematik dhe artistik të cilin piktori e trajton deri në pakufi, figura këto që kryesisht qëndrojnë të sistemuara në plan të parë, shfaqen të stërmadhuara, me gjymtyrë dhe pjesë tjera të trupit të deformuara, siç janë: dora (shuplaka), këmba (shputat). Në opusin e krijimtarisë së kësaj faze vëmendjen e tërheq struktura e pasur plastike e kompozicioneve, para se gjithash, mënyra e grupimit të figurave (portreteve) të personazheve, të cilat zakonisht vendosen në formë rrethore ose në kolona paralele. Kastrati në këtë mënyrë kërkon zgjidhjet dydimensionale, duke zbatuar më shumë linearizëm dhe formacione të shpeshta të koloritit ku në të shumtën e rasteve dominojnë tonet e ngrohta. Në vazhdën e përsosjes teknike, pikturat dhe vizatimet e kësaj periudhe përshkohen edhe nga elementet “naive” por të përdorura qëllimisht, të cilat marrin trajtën e një metode të veçantë figurative në krijimtarinë e Kastratit. Këtu bëjnë pjesë skenat figurative me rrëfime nga fëmijëria të ndërtuara në kundërshtim me ligjet e perspektives. Në hapësira të njëjta janë vendosur figurat asimetrike dhe deformimet tjera. Me reduktimin e detajeve dhe atributeve tjera vizuale, piktori arrin efektet e shprehjeve të veçanta figurative, të cilat nga kontekstet ekspresioniste synojnë drejt trajtave surrealiste. Këtë e ka konstatuar edhe Sonja Abaxhieva, e cila shprehet: “Kastrati gradualisht u afrohet surrealistëve, ...por duke shtuar edhe notën e filozofisë së tij personale mbi të kuptuarit e realitetit që e rrethon atë, gjë që paraqet njëherësh elementin më atraktiv të pikturave të tij”. Kjo tematikë e re, e cila për kah përmbajtja është me karakter social, kurse për kah forma ajo merr pamjen e rrëfimit autobiografik, shprehet tek veprat e shumta kushtuar botës fëmijërore, e cila vazhdon të jetë e pranishme pothuajse gjatë tërë krijimtarisë së tij. Me kalimin e kohës, gjuha artistike e Kastratit bëhej akoma më e qartë, me atë që ajo merrte premisat simbolike dhe alegorike të bashkërenduara me vetë narracionin specifik figurativ. Vëmendja e perceptimeve estetike të piktorit, gjithnjë e më shumë vazhdon të përqendrohet te sekuencat e përditshmërisë dhe traditës zakonore shqiptare, siç janë: dasmat, ndejat nëpër oda, dhe sidomos sofra si një ritual ditor. Përveç, figuracionit rudimentar në sipërfaqe dydimensionale me theks të përqendruar tek ambientet rustike – rurale dhe përmbajtjet tematike etno-sociale dukshëm vjen në shprehje edhe një gamë më e shndritshme e koloritit.

Faza e dëshmimit artistik në planin (ndër) kombëtar (1968 – 1988)
Redakto

Gjatë kësaj periudhe, e cila e përfshin intervalin kohor prej dy dekadash, duke filluar që nga viti 1968 dhe vazhdon deri në vitin 1988, begatohet akoma më shumë llojshmëria tematike dhe heterogjenia stilistike. Prandaj, kjo periudhë merret edhe si faza e konsolidimit dhe e dëshmimit të tij artistik. Duke iu nënshtruar sfidave të artit modern të kohës, pa i mohuar disa nga pikëpamjet e deriatëhershme të tij artistike, Kastrati gjeti mënyra alternative për sendërtimin e një dorëshkrimi akoma më autentik stilistik. Me përsosjen e mëtutjeshme të teknologjisë së pikturimit me ngjyra dheu, ai njëkohësisht vihet edhe para një sprove tjetër, atë të dëshmimit si krijues para publikut jashtë hapësirës shqiptare. Kjo është koha kur Kastrati depërton në skenën e gjerë artistike të Jugosllavisë së atëhershme, kurse nëpërmjet saj edhe në planin ndërkombëtar. Qyteti bregdetar i Kroacisë, Dubrovniku, tani më po bëhej “foleja” e dytë krijuese e tij. Në këtë qytet ai u përball me një publik më të kultivuar, si dhe ndjeu peshën e vlerësimit të një kritike më të specializuar dhe më të mprehtë artistike. Katërmbëdhjetë herë prezantim në këtë qytet, brenda dy dekadave, diktuan dukshëm formimin dhe mbindërtimin e mëtutjeshëm artistik, kurse, krijimtarisë së tij të viteve të ardhshme i dhanë orientime të reja ideo – estetikе dhe stilistike. Në lidhje me prezantimin në qytetin më kulturor mesdhetar pasuan edhe një mori shkrimesh, vështrimesh dhe analizash e kritikash më të specializuara mbi krijimtarinë e tij artistike. Përmbajtjet e ardhshme tematike figurative kryesisht inspiroheshin nga gjendja sociale, politike dhe morale e kohës nga mjedisi nga i cili vinte piktori. Por tani shfaqet edhe krijimtaria e inspiruar nga idila dimërore. Ai vazhdon të shprehet nëpërmjet një gjuhe më të qartë dhe më të sinqertë figurative, ku dominonë paraqitja e elementeve folklorike dhe pamje nga përditshmëria e vendlindjes së tij, të shprehur me ndjenjën e valerit nëpërmjet një stilizimi të saktë dydimensional dhe me linearizëm më të theksuar. Pikërisht është tema e folklorit popullor ajo që më shumë se të gjitha tjerat që e ka inspiruar Kastratin për të eksperimentuar gjatë kësaj faze. Me paletën e tij të pastër, piktori është përpjekur që në mënyrë të veçantë ta paraqes pasurinë folklorike e cila buron nga thesari i pasur i trashëgimisë kulturore që është krijuar në mënyrë të shkëlqyeshme nga artisti popullor. Në koloritin e krijimtarisë së kësaj faze hetohet një freski e re, sidomos në mënyrën e përdorimit të ngjyrave të dheut, të cilat tani më shfaqen diç më të çelëta. Në mënyrë më të kujdesshme ato sikur i kundërvihen njëra - tjetrës, ku spikasin e gjelbra e hijshme, okra dhe ngjyra e karafilit. “...Këto ngjyra të këmbyera në atë mënyrë sjellin optimizmin e piktorit, gjë që reflektohet në pëlhurat më të reja të tij”, ka shkruar Lucia Aleksiç. Paleta (valeri) e punimeve të tij sa vinte e më shumë pasurohej edhe me ngjyra tjera, siç janë e bardha si dëbora, e verdha - limon, e gjelbra dhe e kaltra e zbehtë, okër, si dhe nuanca e të kuqërremtës dhe të zezës si qymyri, etj. Gjatë kësaj faze, Adem Kastrati, i përkushtohet akoma më fuqishëm edhe motivit të aktit femëror të apostrofuar me elemente të erotizmit që si provokim artistik lidhet edhe me sistemin mental dhe guximin krijues të autorit. Trajtimin e këtij motivi, të cilin e kishte prekur fare pak që në fillim të karrierës, pastaj pjesërisht gjatë viteve të 60 -ta, kurse akoma më fuqishëm i rikthehet gjatë viteve 80 – ta, dhe sidomos gjatë viteve 90 – ta të shekullit të kaluar, e pat ngritur atë pothuajse në ciklin me veçori më autentike të krijimtarisë së tij.

Faza e kompozicionit të dramës kombëtare (1988 – 2000)

Redakto

Faza e fundit krijuese e Adem Kastratit, ndërkaq, mund të merret edhe si periudha më shpërthyese, më e begatshme dhe më e pjekur në planin ideo - estetik. Kjo fazë zgjat rreth dymbëdhjetë vite, pra, deri në çastet e fundit të jetës së piktorit. Krijimtaria e kësaj faze shpërfaqet si rrjedhojë e nostalgjisë së artistit për të kaluarën, për vendlindjen, fëmijërinë e rininë e tij. Nuk mungojnë as temat sociale me karakter urban. Por një interesim të veçantë tregon për ngjarjet historike të popullit shqiptar. Kompozicionet e tij përbëjnë një sintezë estetike – figurative në të cilat dominojnë skenat me përmbajtje etno – historike nga e kaluara më e largët dhe dhjetëvjeçarit të fundit. Lirisht mund të konstatohet se krijimtaria e kësaj periudhe, përveç vlerës estetike, bart edhe elemente dokumentare të zhvillimeve socio – politike me të cilat përballej shoqëria shqiptare gjatë shekullit të kaluar. Epokën e tij intensive krijuese, krahas tematikës nga historia kombëtare, Adem Kastrati e begaton edhe me tematikën fantastike e cila paraqitet kah fundi i viteve 70 – ta për t’iu rikthyer herë pas here gjatë viteve 80 – ta, kurse e intensifikon akoma më shumë kah gjysma e dytë të viteve 90 – ta të shekullit të kaluar. Nga kjo tematikë e cila buron nga mitologjia, legjendat dhe përrallat popullore shqiptare, piktori ka realizuar tablo që lidhen me sekuencat nga rrëfimet fantastike me karakter simbolik. Duke u bazuar në mënyrën e ndërtimit figurativ dhe artistik, duket se këtë fazë e karakterizon kompozicioni historik i përvuajtjeve dramatike të shqiptarëve. Thellësinë e kompozicioneve me dramatizim të theksuar, Adem Kastrati e materializon me anë të skemave tejet të guximshme të simbolikës surrealiste, por të përshkuara nga një patetikë diç më të përmbajtur, nga ekspresiviteti i ngjeshur si dhe nga një formësim monumental të figurave njerëzore. Atë që e parandiente vetë autori, kah fundi i viteve 80 – ta të shekullit të kaluar, kishte të bëjë me gjendjen dramatike që e përjetonte kombi shqiptar, e Kastrati disi po e paralajmëronte nëpërmjet disa strukturave ideo – estetike figurative. Si rrjedhojë edhe piktura e tij gjithnjë e më shumë identifikohej me imazhe tronditëse të demonstruara me shumë ekspresivitet. Tablotë e tij, tani të ndërtuara nëpërmjet formateve më të mëdha, shfaqen me më shumë figura, me portrete grupore, me histori të ndryshme tronditëse nga e kaluara e hershme dhe aktualiteti i popullit shqiptar. Krahas ciklit të inspiruar nga ngjarjet e viteve të Luftës së Kosovës, ai njëkohësisht trajton edhe ngjarjet tragjike të vitit 1997 që e përfshinë Shqipërinë. Këto piktura, si dhe shumë të tjera si ato, flasin se Kastrati në mënyrë tejet origjinale figurative e sublimon artistikisht të kaluarën dhe të tashmen e rëndë të popullit shqiptarë. Krijimtaria e kësaj faze përmbyllet me ciklin kushtuar temës së eksodit të shqiptarëve të Kosovës, të cilët nga represaliet sociale e politike të ushtruara nga forcat policore – ushtarake serbe, u detyruan që t’i braktisin vatrat e tyre, në kërkim të vendeve më të sigurta për të shpëtuar kokën u shpërngulën kah mos nëpër botë. Turmat e njerëzve, vuajtjet dhe përjetimet e tyre, Kastrati i shpreh diç më ndryshe në aspekt figurativ, të cilat tanimë marrin trajta të figurave gjysmë-reale apo gjysmë-abstrakte.

Ekspozitat individuale

Redakto

Viti 1961

  • Shkup organizuar nga Qendra Informative Kulturore, qershor, 1961, (21 vepra, vaj).
  • Ferizaj, organizuar nga Biblioteka e Qytetit, në foajenë e Bibliotekës së Qytetit, muaji s’dihet, 1961, nuk dihet numri i veprave, as teknikat. (mbase është e njëjta ekspozitë e Shkupit!?)

Viti 1962

  • Prishtinë, organizuar nga Bashkësia për Kulturë dhe Arsim, foajea e kinemasë “Rinia”, tetor, 1962, 25 vepra, dhe në pëlhurë.

Viti 1968

  • Dubrovnik, organizuar nga LSJ, në sallën e poshtme të Shtëpisë së Sindikatave të Dubrovnikut, 11 – 20 gusht, 1968, 50 punime, dhe në pëlhurë.

Viti 1970

  • Opatia, organizuar nga manifestimi “Vera e Opatisë“, në Galerinë e Qytetit, 1- 20 qershor, 1970, s’dihet numri i punimeve, teknikat në vaj e dhe.

Viti 1971

  • Dubrovnik, organizuar nga LSJ, në sallën ekspozuese të Shtëpisë së Sindikatave të Dubrovnikut, korrik, 1971, s’dihet sa punime, teknikë e kombinuar.
  • Beograd, organizuar në ambientet e Ambasadës së SHBA – ve, 18 – 31, 10, 1971, s’dihet sa punime, s’dihen as teknikat.

Viti 1972

  • Dubrovnik, organizuar nga LSJ, në sallën ekspozuese të Shtëpisë së Sindikatave të Dubrovnikut, korrik, 1972, s’dihet sa punime, teknikat vaj e dhe.

Viti 1973

  • Dubrovnik, organizuar nga LSJ, në sallën ekspozuese të Shtëpisë së Sindikatave të Dubrovnikut, korrik, 1973, 31 sa punime, teknikat vaj e dhe.
  • Shkup, organizuar nga Qendra Informative Kulturore, s’dihet muaji, 1973, nuk dihet numri i punimeve, s’dihet as teknika.
  • Shkup, organizuar në foajenë e Teatrit të Kombësive, s’dihet muaji, 1973, s’dihet sa punime, s’dihet as teknika.

Viti 1974

  • Cavtat, organizuar nga Galeria e Artit “Sebastian - Croatia” në Dubrovnik, salla ekspozuese e Hotelit “Croatia” Cavtat, 20 qershor – 15 korrik, 1974, s’dihet sa punime, s’dihen as teknikat.
  • Prishtinë, organizator SHAFK, foajea e Teatrit Krahinor, 15 – 22 nëntor, 1974, s’dihet sa punime, dhe në pëlhurë.

Viti 1975

  • Gjilan, organizuar nga “Takimet e Vendlindjes”, salla në Shtëpinë e Kulturës, maj – qershor, 1975, s’dihet sa punime, dhe në pëlhurë.

Viti 1977

  • Dubrovnik, organizuar në sallën ekspozuese të Shtëpisë së Sindikatave, gusht, 1977, s’dihet sa punime, s’dihen as teknikat.
  • Dubrovnik, organizuar në foajenë e Tetarit “Marin Drzhiq”

Viti 1979

  • Prishtinë, organizuar nga Shtëpia e Rinisë “Boro e Ramizi”, 15 - 30 janar, 1979, rreth 100 punime, 40 piktura në vaj, 60 dhe në pëlhurë

Viti 1980

  • Mynih,organizuar në Galerinë e vogël “Holzinger”, verë, 1980, 20 (25) punime, dhe në pëlhurë.

Viti 1981

  • Shtutgard, organizuar në Galerinë “Chvojka”, mars, 1981, nuk dihet sa punime, nuk dihen as teknikat.
  • Dubrovnik, organizuar në sallën ekspozuese të Shtëpisë së Sindikatave, gusht, 1981, s’dihet sa punime, s’dihen as teknikat.

Viti 1983

  • Paris, organizuar nga Galeria Shtetërore Epinnay s/Seine, Qendra për Kulturë e Rekreacion, s’dihet muaji, 1983, 31 punime, s’dihen as teknikat (ndoshta teknika dhe në pëlhurë??)

Viti 1984

  • Paris, organizuar nga Galeria “Terres du Marais”.

Viti 1985

  • Dubrovnik, organizuar në sallën ekspozuese të Shtëpisë së Sindikatave, 171 gusht, 1985, s’dihet sa punime, s’dihen as teknikat.

Viti 1986

  • Mazara dell Vallo, organizuar në kuadër të “Ditëve të Mesdheut”, në Qendrën e Kulturës së Përgjithshme”, prill, 1986.

Viti 1988

  • Dubrovnik, organizuar në sallën ekspozuese të Shtëpisë së Sindikatave, 15 – 25 gusht, 1988, s’dihet numri i punimeve, s’dihet as teknikat.
  • Gjenevë, organizuar në Pallatin e Kombeve të Bashkuara, janar – shkurt, 1988, 15 (50) punime, dhe në pëlhurë.

Viti 1990

  • Dubrovnik, organizuar në sallën ekspozuese të Shtëpisë së Sindikatave, gusht, 1990, s’dihet sa punime, s’dihen as teknikat.

Viti 1993

  • Tiranë, organizuar nga Galeria Kombëtare e Artit, qershor – korrik, 1993, 1995,
  • Manastir, organizuar nga Festivali Ndërkombëtar i Muzikës Klasike “Interfest”, Galeria Artistike, 2 – 13 tetor, 1995, 40 punime, dhe në pëlhurë

Viti 1995

  • Shkup, Qendra Informative Kulturore…
  • Shkup, organizuar nga Qendra Maqedonase për Informata dhe Lidhje (MILS), korrik.

Viti 1997

  • Shkup, në foajenë e Teatrit të Kombësive.
  • Gostivar, organizuar me ndihmën e Institutit Shoqëria e Hapur Maqedoni, Pallati i Kulturës, 1997, s’dihet sa punime, s’dihet as teknika.

Viti 1998

  • Strugë, organizuar në kuadër të Javës Kulturore Shqiptare, Festivali “Këngë Jeho”, në foajenë e Pallatit të Kulturës, gusht, 1977, 14 punime, dhe në pëlhurë.

Viti 1999

  • Shkup, organizuar në foajenë e Teatrit të Kombësive, 1999, s’dihet sa punime, dhe në pëlhurë.

Ekspozitat kolektive

Redakto

Viti 1958

  • Prishtinë, ka marr pjesë pothuajse në të gjitha ekspozitat e organizuara nga Shoqata e Artistëve Figurativ të Kosovës nga viti 1958 deri në vitin 2000.

Viti 1963

  • Beograd, organizuar nga Shtëpia e APJ – së, Galeria, nga 11 – 20 prill, 1963, katër punime, dhe në pëlhurë.

Viti 1965

  • Shkup, ka marr pjesë pothuajse në të gjitha ekspozitat e organizuara nga Shoqata e Artistëve Figurativ të Maqedonisë nga viti 1965 deri në vitin 2000.

Viti 1969

  • Ulqin, organizuar nga Shtëpia e Kulturës së qytetit, s’dihet muaji, 1969, 6 punime, dhe në pëlhurë.

Viti 1979

  • Prishtinë, Krijuesit kosovarë të cilët krijojnë jashtë Kosovës, Galeria e Arteve, 19 – 26 nëntor, 1979, 8 punime, dhe mbi pëlhurë.

Viti 1981

  • Prishtinë, organizuar nga SHAFK, Salloni Pranveror, Galeria e Arteve, maj, 1981, 2 punime, dhe në pëlhurë.

Viti 1986

  • Paris, organizuar nga Galeria Ndërkombëtare, Paris, 7 punime, dhe në pëlhurë.

Ekspozitat post mortum

Redakto

Viti 2001

  • Prishtinë, organizuar nga SHAFK, Galeria e Arteve, 8 janar – 8 shkurt, 2001, 40 punime, dhe në pëlhurë, vaj në pëlhurë, teknik e kombinuar.

Viti 2005

  • Shkup, organizuar nga Galeria Kombëtare të Maqedonisë së Veriut, në muajin shtator të vitit 2005, Shkup.

Viti 2012

  • Shkup, organizuar me rastin e 100 vjetorit të shtetit shqiptar, nga ambasada e Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës në Shkup, Galeria Nacionale e Maqedonisë së Veriut - Çifte hamam, Shkup.

Viti 2013

  • Shkup, organizuar me rastin e 5 vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Shkup, Galeria Nacionale e Maqedonisë së Veriut – Hamami i Daut Pashës, Shkup.

Viti 2014

  • Prishtinë, organizuar nga Galeria e Ministrisë së Kulturës së Republikës së Kosovës, në muajin shkurt të vitit 2014, Prishtinë.

Viti 2018

  • Shkup, Ekspozitë retrospektive organizuar me rastin e 85 vjetorit të lindjes së piktorit Adem Kastrati dhe me rastin e 70 vjetorit të themelimit të Galerisë Kombëtare të Maqedonisë së Veriut.

Viti 2021

  • Kukaj, Prishtinë, Ekspozitë retrospektive e pikturave të punuara me ngjyra dheu me projeksionin e filmit dokumentar “Ngjyra dheu” për Adem Kastratin nga Fahri Hysaj nga fondi i KosovaFilmit.

Viti 2024

  • Prishtinë, Ekspozitë e organizuar në kuadër të koncertit Ramë Lahaj "T'knoftë Zemra" - Athua ëndërr ishe ti - 21 korrik 2024, 10 piktura, teknikë e kombinuar (pronë të koleksionistit Rasim Merlaku)[7]

Nderime

Redakto

Emri i piktorit Adem Kastrati mbahet nga disa institucione arsimore siç është Shkolla e Mesme e Artit Pamor në Gjilan, emrin e tij e mbajnë gjithashtu disa rrugë në Shkup, Kosovë. Gjithashtu u nderua me mirënjohje, emisione dhe libra:

  • Diplomë për Adem Kastratin për aktivitetin dhe suksesin e arritur në proçesin edukativo-arsimor 1975 (nga bashkësia punuese të Gjimnazit "Zef Lush Marku" me rastin e 23 vjetorit të themelimit të shkollës).
  • Pllakatë nga bashkësia e Mazara Del Vallo - Sicilia, Itali (Citta'di Mazara Del Vallo, IV incontro fra i popoli del Mediterraneo aprile 1986 - Adem Kastrati).
  • Kështu mendonte e fliste Adem Kastrati - Fadil Curri, botuar më 2009 Asdreni-Shkup.
  • Documentary Adem Kastrati - Kushtuar 100 vjetorit të shtetit Shqiptar - Artistët e Shkupit nën moton ,,Ne nuk ju Harrojmë" - Dokumentarët e përgaditura nga Teatri Shqiptar, Shkup 2012.
  • Plaketë nga LASH dhe Komuna e Çairit kushtuar Adem Kastratit për kontributin e dhënë për arsimin shqip në Shkup (2014)
  • Ars - Adem Kastrati - emision kushtuar për jetën dhe veprimtarinë e tij në RTK1 (nga autore Arbana Hajredinaj dhe ekipi i Rtk1), me rastin e hapjes se ekzpositës personale në Prishtinë shkurt 2014.
  • Mirënjohje Prof. Adem Kastrati (nga gjenerata 1980-84, Gjimnazi "Zef Lush Marku") për kontributin e dhënë në sferën dhe proçesin edukativo-arsimor. (2015).
  • Akademia Shqiptare-Amerikane e Shkencave dhe Arteve, Nju Jork-Shkup, më 13 prill 2018 i nderoi me titullin Akademik (post mortum) 13 personalitete të shkencave dhe arteve nga Maqedonia, ndër to ishte edhe Adem Kastrati i cili u nderua me titullin piktor akademik (nga prof.dr Skender Kodra).
  • Ora e Pasdites- Puna shumë vjeçare e artistit Adem Kastrati- Klan Kosova 2019 (përgatitur nga gazetarja Adea Grezda, Prishtinë).

Gjithashtu së shpejti pritet realizimi i filmit dokumentar “Ngjyra dheu” për Adem Kastratin nga Fahri Hysaj nga fondi i KosovaFilmit.

Lidhjet e jashtme

Redakto
  1. ^ [1]
  2. ^ https://www.facebook.com/Sh.M.L.ArtiPamor.faqjaZyrtare
  3. ^ "Adem Kastrati, pristina 2014".
  4. ^ "Adem Kastrati, piktori që i rilidh hallkat e historisë kombëtare shqiptare".
  5. ^ "Adem Kastrati, (1933-2000)" (në anglisht).
  6. ^ “Dëshirën dhe dashurinë për artin e pikturës dhe për punën pedagogjinë e kam trashëguar nga arsimtari im Adem Kastrati, i cili pos që ishte i veçantë si piktor, i tillë ishte edhe si pedagog, i përgatitur dhe i pajisur me njohje teorike për atin pamor në përgjithësi e sidomos për pikturën.Edhe sot më kujtohet kur thoshte se jeta pa art, është si shtëpia pa oxhak, si trungu pa degë, gjethe”-
  7. ^ ""RLIOF" prezanton ekspozitën me punimet e mjeshtrave" (në english).{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjuhë e panjohur (lidhja)