Ushtria Çlirimtare e Kosovës

organizatë paramilitare nacionaliste shqiptare (1992–1999)
(Përcjellë nga UÇK-në)

Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) ishte një forcë politiko–ushtarake e popullit shqiptarë të Kosovës, e cila luftoi për Pavarësinë e Kosovës dhe për çlirimin e saj nga sundimi i ashpër i Serbisë gjatë viteve 1990–1999. UÇK-ja e kishte zanafillën nga Lëvizja Popullore e Kosovës. Si Lëvizja Popullore ashtu edhe UÇK-ja e realizoi veprimtarinë e vet si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës
Pjesëmarrës në Luftën e Kosovës
Aktiv në vitet1990 – 1999
Ideologjia
LeadersAdem Jashari
Hamëz Jashari
Ismet Jashari
Zahir Pajaziti
Ilaz Kodra
Luan Haradinaj
Shkëlzen Haradinaj
Ramush Haradinaj
Sali Çekaj
Nezir Nebihi
Xheladin Gashi
Hashim Thaçi
Agim Çeku
Fatmir Limaj
Bekim Berisha
Agim Ramadani
Fehmi Lladrovci
Mujë Krasniqi
Besim Mala
Ali Ahmeti
Naim Beka
Agim Shala
Ymer Shala
Avdi Shala
Area of operations
Madhësia17,000 – 20,000 luftëtarë
Pasuar nga Trupat e Mbrojtjes së Kosovës (1999–2009)
Aleatët
Kundërshtarët
Beteja dhe luftëraLufta e Kosovës

Pararendësit ushtarakë të UÇK-së filluan në fund të viteve 1980 me rezistencë të armatosur ndaj policisë jugosllave duke u përpjekur të merrte aktivistët shqiptarë në paraburgim. Në fillim të viteve 1990 pati sulme ndaj forcave të policisë dhe zyrtarëve të shërbimit sekret serb që abuzuan me civilët shqiptarë. Nga mesi i vitit 1998 UÇK-ja ishte e përfshirë në betejë frontale edhe pse ishte më e madhe se numri dhe jashtë armëve. Konflikti u përshkallëzua nga viti 1997 e tutje për shkak të ushtrisë jugosllave që u kundërpërgjigj me një goditje në rajon që rezultoi në dhunë dhe zhvendosje të popullsisë. Gjakderdhja, spastrimi etnik i mijëra shqiptarëve që i çuan në vendet fqinje dhe potenciali i tij për të destabilizuar rajonin provokoi ndërhyrje nga organizatat ndërkombëtare, si Kombet e Bashkuara, NATO dhe OJQ-të. NATO mbështeti UÇK-në dhe ndërhyri në emër të saj në mars 1999.

Në shtator 1999, me përfundimin e luftimeve dhe një forcë ndërkombëtare brenda Kosovës, UÇK-ja u shpërbë zyrtarisht dhe mijëra anëtarë të saj hyrën në Trupat e Mbrojtjes së Kosovës (TMK), një organizatë civile e mbrojtjes emergjente që zëvendësoi UÇK-në dhe Forcën Policore të Kosovës, siç ishte parashikuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Përfundimi i Luftës së Kosovës rezultoi në shfaqjen e grupeve guerile dhe organizatave politike të dala nga UÇK-ja duke vazhduar luftimet e dhunshme në Luginën e Preshevës (1999–2001) dhe Maqedoninë veri-perëndimore (2001), të cilat rezultuan në bisedime paqeje dhe të drejta më të mëdha shqiptare. Ish–drejtuesit e UÇK-së gjithashtu hyrën në politikë, disa prej tyre arritën në zyra të rangut të lartë.

UÇK-ja mori fonde të mëdha nga organizatat e diasporës shqiptare. Ka pasur akuza se ka përdorur narkoterrorizëm për të financuar operacionet e saj. Në Prill 2014, Kuvendi i Kosovës shqyrtoi dhe miratoi krijimin e një gjykate speciale për të gjykuar rastet që përfshinin krime dhe abuzime të tjera të rënda të supozuara të kryera në 1999–2000 nga anëtarët e UÇK-së. Në qershor 2020 Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar ngritën aktakuzë për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte kundër një numri të ish–pjesëtarëve të UÇK-së, përfshirë presidentin e Kosovës Hashim Thaçi.

Fazat e veprimtarisë

Redakto

Faza e parë

Redakto

Faza e parë (1981-1990) ishte faza e kristalizimit të idesë së luftës së armatosur, që u karakterizua nga përpjekjet për organizimin politik dhe për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare në nivelin e përgjegjësisë historike.

Faza e dytë

Redakto

Faza e dytë (pranverë 1991 – shkurt 1998) ishte faza e organizimit konkret të njësiteve të vogla guerile dhe fillimi i aksioneve të armatosura kundër policisë serbe. Në vitin 1991 një grup atdhetarësh të ardhur nga Kosova, Zvicra e vende të tjera, me Adem Jasharin në krye, u stërvitën ushtarakisht për rezistendcë të armatosur guerile. Adem Jashari i pari krijoi grupin e Drenicës dhe në vitin 1992 filloi aksionet e para luftarake. Më 5 prill 1993, në kullën e tij u organizua një mbledhje me luftëtarët e njësiteve guerile dhe veprimtarët politikë. Adem Jashari propozoi që të gjitha aksionet të kryheshin në emër të Ushtrisë së Kosovës. Në këtë mbledhje u mor vendimi për emërimin e Adem Jasharit Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë së Kosovës, e cila në vjeshtën e vitit 1994 mori emrin Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK).

Adem Jashari i bashkërendoi veprimet me zonat e tjera, si me grupin e Llapit – që udhëhiqej nga Zahir Pajaziti etj. me grupin e Dukagjinit që drejtohej nga Luan Haradinaj, Ardian Krasniqi etj. Në nëntor të vitit 1994, pas aksionit në Drenas (ish-Gllogofc),, UÇK-ja doli me komunikatën e parë, duke marrë mbi vete të gjitha aksionet e kryera që deri atëherë kishin mbetur anonime. Hapur në publik, ajo u shfaq më 28 nëntor 1997, gjatë ceremonisë së varrimit të arsimtarit Halit Geci nga Llausha e Skenderajt, të vrarë nga policia serbe. Në atë ceremoni, në tribunë u ngjitën të veshur me uniformën e UÇK-së luftëtarët e UÇK-së dhe komandantët e ardhshëm: Rexhep Selimi, Mujë Krasniqi dhe Daut Haradinaj. Në shkurt – mars 1998, Adem Jashari me njësitin e tij ushtarak, vuri nën kontrollin e UÇK-së territorin e Drenicës. Forca të shumta ushtarako-policore të armatosura me autoblinda e artileri të rendë sulmuan Drenicën. Adem Jashari luftoi tri ditë e net nga kulla e tij, së bashku me gjithë  lagjen Jashari e familjen prindër, vëllezër, gra dhe fëmijë. Asnjë nga anëtarët e familjes dhe shumë nga farefisi nuk pranuan të largohen, por luftuan derisa ranë heroikisht 56 veta: burra, gra dhe fëmijë nga mosha 5 deri 74 vjeç, të gjithë sa u gjendën në kullat e Jasharajve luftuan deri ne vdekje.

Me vendim të SHP të UÇK-së Adem Jashari është shpallur komandant legjendar dhe Hero Kombëtar nga Presidenti Thaçi.

Faza e tretë

Redakto

Faza e tretë (mars 1998 – shtator 1998) filloi pas rënies së Adem Jasharit, kur UÇK-ja u rrit me shpejtësi dhe u shtri menjëherë në të gjitha viset dhe anët e Kosovës. Gjatë kësaj faze UÇK-ja çliroi zona të tëra, krijoi bazat e veta strategjike, u armatos, u krijuan repartet e rregullta, të cilat përgatiteshin në qendrat e stërvitjes, sipas kushteve të një ushtrie bashkëkohore. Në pranverë dhe verë 1998, UÇK-ja vuri nën kontroll degëzimet e rrugëve më strategjike në Kosovën qendrore. Forcat ushtarako-policore serbe u detyruan të tërhiqen nëpër qytetet e mëdha të Kosovës. Takimi i diplomatit amerikan Richard Hollbruk (qershor 1998) me përfaqësuesit e UÇK-së në Junik, shënoi njohjen e saj nga SHBA-ja dhe, më pas nga Evropa, gjë që u konkretizua më Konferencën Ndërkombëtare të Rambujesë për Kosovën, kur UÇK-ja u njoh ndërkombëtarisht, dhe mori rolin udhëheqës në delegacionin shqiptar. Mësymja e madhe serbe në gusht – shtator 1998, i shkaktoi UÇK-së humbje dhe e detyroi të lëshonte një pjesë të madhe të zonave të lira. Ajo u tërhoq në zonat malore. Forcat ushtarake serbe u futën nëpër fshatra dhe në zonat urbane, që mbaheshin nga UÇK-ja, si Rahoveci, Malisheva etj, dhe kryen masakra, djegie e shkatërrime të mëdha, për të larguar popullsinë , që ishte mbështetja kryesore e UÇK-së.

Faza e katërt

Redakto

Faza e katërt (tetor 1998 – qershor 1999) filloi pas mësymjes serbe, kur UÇK-ja, megjithëse mori goditje të rëndë nuk u asgjësuan, siç ishte qëllimi e siç deklaronte Serbia; UÇK-ja u bë dhe më e fortë se më parë; u riorganizua shpejt me formacione më të mëdha, në brigada. Kjo fazë u karakterizua nga zhvillimi i luftimeve në të gjithë hapësirën e Kosovës, pa vija fronti të përcaktuara, duke dhënë goditje më të fuqishme armikut shekullor. Bazat strategjike, Shtabi i Përgjithshëm, spitalet, radioja “Kosova e lirë” dhe agjencia “Kosovapress” etj, u mbrojtën me çdo kusht në Malet e Berishës. Qenë bërë edhe përgatitjet për botimin e një gazete të kohëpaskohshme te "Radio-Kosova e Lirë" dhe "Kosovapresi", mirëpo mungonin kushtet elementare; pastaj filluan sulmet e armikut dhe u kufizuan mundësitë për një botim të shpejtë.

Në këtë fazë, krahas mobilizimit vullnetar, me vendim të Shtabit të Përgjithshëm u zbatua edhe mobilizimi i detyrueshëm për luftë. Thirrjes për luftë iu përgjigje vullnetarisht populli, por edhe një pjesë e konsiderueshme të emigruarish, djem e vajza që jetonin e punonin në vendet e Evropës Perëndimore, në SHBA e gjetiu. Në SHBA u krijua “Batalioni Atlantik”, i cili, pasi u stërvit dhe u armatos jashtë Kosovës, u fut në luftë në frontin e Koshares dhe në atë të Pashtrikut.

Strategjia e luftës së Kosovës përbëhet nga dy pjesë: strategjia politike dhe strategjia ushtarake:[1]

Strategjia politike përmbante konceptin e ndërgjegjësimit e të mobilizimit të popullit shqiptar të Kosovës për luftën e armatosur kundër pushtimit serb, si e vetmja rrugë për fitoren e lirisë, duke siguruar mbështetjen mbarëkombëtare dhe duke bindur faktorin ndërkombëtar për drejtësinë e luftës. Kjo strategji u përpunua nga Drejtoria Politike e UÇK-së.

SHP i UÇK-së, jo pa vështirësi, ia arriti qëllimit të bindte shqiptarët për mundësitë e mposhtjes së Serbisë me luftë dhe faktorin ndërkombëtar për ta njohur dhe mbështetur luftën e drejt të shqiptarëve. U hodh poshtë çdo akuzë ndaj UÇK-së, si forcë “terroriste”, si lëvizje revolucionare “marksiste-leniniste” apo si lëvizje “fundamentaliste islamike”. Përpunimi i strategjisë politike, bazuar në parimet universale të dokumenteve ndërkombëtare dhe të zbatuara me korrektësi në fushën e luftës nga UÇK-ja, e cila nuk vriste gra e fëmijë, civilë të paarmatosur, robërit e luftës i trajtonte me humanizëm, në përputhje me normat ndërkombëtare të luftës etj, e bindi botën demokratike për drejtësinë e luftës që zhvillonte dhe siguroi mbështetjen e SHBA-së e të NATO-s, si faktorë të fuqishëm të jashtëm për çlirimin e Kosovës.

Strategjia ushtarake përmblidhte konceptin e vazhdimësisë në rritje të luftës së armatosur, duke kaluar nga njësitet e vogla në njësi të mëdha, derisa e gjithë Kosova të ngrihej në këmbë dhe të shndërrohej në forcë asgjesuese për armikun, për ta detyruar atë të largohej nga toka e okupuar e Kosovës. Megjithë përpjekjet që u bënë, nuk u arrit që i gjithë populli të përfshihej në luftë për shkakun kryesor se i mungonin armët.

Taktika e luftës evoloi sipas fazave. Në fazën e dytë – luftë sipas taktikës guerile, në fazën e tretë – krijimi i zonave të lira, bllokimi i rrugëve të komunikacionit dhe mbrojtja e zonave të lira nëpërmjet luftës ballore nga pozicione të përgatitura me punime xheniere. Taktika e luftës pozicionale iu imponua UÇK-së nga domosdoshmëria e mbrojtjes së popullsisë prej masakrave serbe. Përdorimi i kësaj taktike, me anën e së cilës u krijuan zona të tëra të lira, ia rriti shpejt autoritetin UÇK-së në Kosovë e në botë. Në fazën e katërt, të mësymjes së madhe serbe për spastrimin rrënjësor etnik të Kosovës, ishte e pamundur të zhvillohej kudo luftë ballore. Prandaj u hoq dorë nga mbajtja me çdo kusht e zonave të lira, përveç bazave strategjike dhe korridoreve të furnizimit.[2] Në këtë fazë u kalua në luftën pa front të rregullt, duke dhënë goditje të fuqishme me reparte e brigada në të gjithë Kosovën. Këtë e diktoi edhe fakti se me fillimin e bombardimeve të NATO-s, forcat serbe u shkoqën, u shpërndanë e u maskuan nëpër qendra të banuara, në shtëpitë dhe pronat e shqiptarëve. Veprimet e UÇK-së, gjatë kësaj kohe, u bashkërenduan me sulmet ajrore të NATO-s.

Organizimi

Redakto
 
Shenja e Krahut e UÇK-së.

Shtabi i Përgjithshëm

Redakto

Shih artikullin kryesor: Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte selia qendrore dhe struktura udhëheqëse e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.[3]

Përbërja

Redakto

Në fazën e parë u krijuan grupet e vogla guerile, sipas skemave tepër konspirative të luftës ilegale. Në fazën e dytë u zgjeruan grupet, u rrit numri i luftëtarëve, u njohën komandantët. Në fazën e tretë u krijuan repartet e organizuara nga oficerë profesionistë, që erdhën në Kosovë nga Kroacia, Bosnja, si dhe nga ata që kishin dezertuar nga ushtria jugosllave e disa vullnetarë nga Shqipëria. UÇK-ja mori plotësisht formë të rregullt, me rreshtim organik, me uniformë, me armatim, me kazerma dhe qendra stërvitore etj, brenda në Kosovë dhe jashtë saj. Në fazën e fundit të katërt, struktura organizative u ndërtua me brigada, si njësi më të fuqishme luftarake. Në maj 1999 struktura e UÇK-së përbëhej nga:

  • Shtabi i Përgjithshëm dhe 7 Zona Operative:
  • Zona Operative Nr.1 e Drenicës me 4 brigada;
  • Zona Operative Nr.2 e Pashtrikut me 6 brigada;
  • Zona Operative Nr.3 e Dukagjinit me 8 brigada;
  • Zona Operative Nr.4 e Shalës me 4 brigada;
  • Zona Operative Nr.5 e Llapit me 4 brigada;
  • Zona Operative Nr.6 e Nerodimjes me 3 brigada;
  • Zona Operative Nr.7 e Karadakut me 3 brigada.

Kjo ushtri arriti një efektiv nga 40.000 deri në 50.000 personel. Me këtë forcë UÇK-ja përballoi mësymjen serbe të pranverës 1999 dhe në aleancë me NATO-n, ajo nga toka dhe Aleanca nga ajri, e detyruan ushtrinë serbe ta lëshonte Kosovën. Më 10 qershor 1999, UÇK-ja u fut ngadhënjyeshëm në Prishtinë dhe në qytetet e tjera të Kosovës, duke i sjellë popullit të vet lirinë e ëndërruar në shekuj.

Logjistika

Redakto

Problemi më i vështirë për UÇK-në ishte furnizimi me armë e municione. Ato u siguruan jashtë Kosovës e u futën në Kosovë, duke kapërcyer vështirësi e pengesa të jashtëzakonshme, që kushtuan shumë jetë njerëzish. Një pjesë e vogël u siguruan nga perëndimi e nga tregtarët e vendeve për rreth. Armatimi i UÇK-së ishte armatim i lehtë: automatikë, mitraloza, mortaja dhe topa kundërtanke. Kontributin më të madh për logjistikën e UÇK-së e dhanë populli i Kosovës, djemtë e Kosovës, emigrantë në Perëndim, nëpërmjet financimit të grumbulluar në fondin ”Atdheu në rrezik, Vendlindja thërret”.

Udhëheqja

Redakto
 
Foto e njohur nga heronjt Adem dhe Hamëz Jashari.

Pas masakrave të shumta të serbëve ndaj shqiptarëve në Kosovë UÇK-ja filloi aktivitet e saja ushtarake duke formuar zonat komanduese në krye me Shtabin e Përgjithëshëm të UÇK-së, ku Drejtues Politik u zgjodh Hashim Thaqi dhe Komandant i Shtabit të Përgjithshëm u zgjodh Gjeneral Lejtnant Agim Çeku nga Dukagjini.

Shtabi i Përgjithshëm u themelua në nëntor të vitit 1994, kur doli komunikata e parë. Në mbledhjen themeluese morën pjesë: Adem Jashari, Xhavit Haziri, Nait Hasani, Azem Syla, Xhavit Haliti, Sokol Bashota e më vonë iu bashkangjit edhe Zahir Pajaziti etj. Shtabi i Përgjithshëm u zgjerua dhe u kualifikua me zhvillimin e luftës dhe rritjen e UÇK-së. Ai përbëhej nga dy pjesë kryesore: drejtoria politike e drejtuar nga Hashim Thaçi dhe shtabi ushtarak, i përbërë nga drejtoritë operative: të zbulimit, të logjistikës, të personelit dhe mobilizimit, të ndërlidhjes, të financës, të policisë ushtarake, të informimit, etj. Shtabi ushtarak u drejtua nga Komandant i Përgjithshëm i UÇK-së Azem Syla. Anëtarë të shtabit ishin: Hashim Thaçi, Sokol Bashota, Jakup Krasniqi, Bislim Zyrapi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli, Ramë Buja, Lahi Ibrahimaj Fatmir Limaj etj. Në përbërje të drejtorisë politike qenë: Adem Demaçi, Xhavit Haliti, Bardhyl Mahmuti, Jakup Krasniqi, Ramë Buja etj. Karakteristikat kryesore të UÇK-së ishte Lufta e drejt dhe përcaktimi për t’u sakrifikuar për lirinë e atdheut.Aktet e saj të heroizmit përbëjnë pika kulmore nga më të lartat që njeh historia jonë kombëtare e kohës më të re.[4][5]

Pas përfundimit të luftës në Kosovë më 1999, në pajtim me marrëveshjet e dala nga bisedimet e Rambujesë mes delegacionit kosovar dhe përfaqësuesve të OKB-së, UÇK-ja u transformua në Trupat Mbrojtëse të Kosovës.

Vlerësimet ndërkombëtare

Redakto

Shiko edhe

Redakto

Lidhje të jashtme

Redakto

Referime

Redakto
  1. ^ http://www.shiluck.org/ushtria-clirimtare-e-kosoves-3/%7C[lidhje e vdekur] Ushtria Çlirimtare e Kosovës
  2. ^ http://www.shiluck.org/ushtria-clirimtare-e-kosoves-3/ Arkivuar 5 mars 2016 tek Wayback Machine | Ushtria Çlirimtare e Kosovës
  3. ^ "Organizimi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – Epoka e Re". Marrë më 2023-09-16.
  4. ^ [1][lidhje e vdekur]
  5. ^ "Forca politike dhe ushtarake e armatosur dhe e organizuar e popullit shqiptar të Kosovës, për çlirim nga pushtuesi serb. Zanafillën e ka në Lëvizjen politike ilegale, pas Luftës së Dytë Botërore, kulmi i se cilës u arrit me demonstratat e vitit 1981, kur studentët, rinia dhe populli i Kosovës, shprehu vendosmërinë për çlirimin e Kosovës". Arkivuar nga origjinali më 5 mars 2016. Marrë më 24 shtator 2019.