Mid'hat Frashëri

diplomat dhe poet shqiptar (1880–1949)
(Përcjellë nga Lumo Skëndo)

Mid'hat bej Frashëri emri i të cilit radhitet edhe Mit'hat (njohur me emrin e pendës Lumo Skëndo; tr. Fraşerli Mithat Bey; Janinë, 25 mars 1880Long Ajllend, 3 tetor 1949) ka qenë diplomat, shkrimtar dhe politikan shqiptar. Në rininë e tij ka qenë nëpunës i Perandorisë Osmane, veprimtar i Rilindjes Kombëtare dhe pjesëmarrës dhe kryetar i Kongresit të Manastirit, pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë qe ministër, diplomat i shtetit shqiptar, kryetar i Ballit Kombëtar dhe Komitetit "Shqipëria e Lirë". Në botën e letrave ka kontributin e tij si publicist, shkrimtar, përkthyes dhe albanolog. Mes të tjerësh ka qenë ndër etërit e nacionalizmit shqiptar dhe bashkëpunëtor me praninë ushtarake gjermane gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Mid'hat Frashëri
Themelues i Ballit Kombëtar
Të dhëna vetjake
U lind më25 Mars 1880
Janinë, Vilajeti i Janinës, Perandoria Osmane
Vdiq më3 Tetor 1949
Nju Jork, SHBA
NënshtetësiaShqiptar
Partia politikeBalli Kombëtar
MarrëdhënietAbdyl Frashëri (Babai)
Naim Frashëri (Xhaxhai)
Sami Frashëri (Xhaxhai)
Mehdi Frashëri (Kushëriri)
Ali Sami Yen (Kushëriri)
Punësimifarmacist, librar
ÇmimetUrdhëri i Lirisë (Kosovë)
Nënshkrimi

Biografia

Redakto

Jeta e hershme

Redakto

U lind në Janinë më 25 mars 1880 pinjoll i DulellarëveFrashërit, i biri i veprimtarit të hershëm të çështjes kombëtare, Abdyl bej Frashërit dhe Ballkëzes së Ibrahim Laçit.[1] Të atin e takoi për herë të parë kur doli nga burgu i Prizrenit dhe vetë ishte pesë vjeç.[2] Ishte nipi i poetit Naim Frashëri dhe ideologut të Rilindjes, Sami Frashërit,[3][4] i cili pas vdekjes të të vëllait u martua me Ballkëzen dhe rriti nipat e mbesat.[1] Mid'hati u rrit në Stamboll,[5] ku familjarët e tij punonin në administratë dhe organizonin lëvizjen kombëtare.[6] Mësuesit e tij të parë qenë i ati me të vëllezërit, i ati i kishte dhënë mësime historie e gjeografie, Naimi stilistikë e poetikë, Samiu i kish dhënë gramatikë.[2] Më 1897 u arrestua nga autoritetet osmane sepse i gjetën një kopje të së përkohshmes AlbaniaKonicës, u lirua me ndërhyrjen e xhaxhait të tij, Samiut.[6]

Pasi la shkollimin për farmakologji,[5] u punësua në Ministrinë e Brendshme më 1901[7] dhe më pas u emërua në Vilajetin e Selanikut nga 1905 deri më 1910.[5] Nisi të botonte të përkohshmen Lirija në Selanik më 14 korrik 1908,[8] ku mbronte pozitat e moderuara për bashkim kombëtar, zhvillim të arsimit, edukimit dhe letërsisë shqiptare dhe kundërshtonte ndërhyrjet e huaja në çështjen shqiptare. Frashëri propagandonte edhe reforma qeveritare në bashkëpunim me maqedonasit për të arritur ato synime, por ishte kundër rezistencës së armatosur.[4] Lidhur me çështjen dhe gjeopolitikën shqiptare mbahej si anti-austrohungarez dhe anti-italian.[9]

Sipas Sejfi Vllamasit, Frashëri kishte ndikimin më mbizotërues në Klubin "Bashkimi" të Selanikut.[10] Nëntorin e 1908 me nismën e klubeve "Bashkimi" u mblodh Kongresi i Manastirit, ku Frashëri u zgjodh kryetar i Kongresit dhe nënkryetar i Komisionit për hartimin e alfabetit.[11] Në këtë kongres mbështeti alfabetin e Stambollit.[12]

 
Mit’hat Frashëri i ri

Shpallja e Pavarësisë

Redakto

Këndvështrimi politik i Mid'hatit mori ngjyresa edhe më nacionaliste gjatë Lufta së Parë Ballkanike, aq sa u përfshi në veprimtarinë kombëtare në viset shqiptare, ndërsa kushërinjtë qëndruan në Stamboll.[13] Pas një mbledhjeje të mbajtur në shtëpinë e Nexhip bej DragësShkup[14] më 14 tetor 1912,[15] u caktua përfaqësues i Pejës, Gjakovës, Plavës dhe Gucisë së bashku me Rexhep bej Mitrovicën, Bedri Pejanin dhe Salih Gjukën.[16] Në rrugëtimin e tyre do t'u drejtonin një memorandum Fuqive të Mëdha me vulën "Shoqëria e Zezë për Shpëtim". Udhëtuan në viset veriore shqiptare për t'i shkëputur malësorët nga joshja e Malit të Zi. Shkuan në fillim në Mitrovicë, pastaj me radhë në Pejë, Gjakovë, Has, Lumë dhe Mirditë. Pasi kishin kaluar luginën e Fanit, vijuan në Rubik, Krujë, Tiranë dhe sosën në Durrës, ku u takuan me Mustafa Krujën, Neki Rulin, Stefan Kaçulinin, Mahmud Beshirin dhe Sali Nivicën. Pasi iu bashkuan Abdi dhe Refik bej Toptani, u mblodhën në shtëpinë e Dom Nikollë Kaçorrit, ku Abdi beu u lexoi një letër nga Syrja bej Vlora për një kuvend mbarëshqiptar. Pas përparimit të trupave serbe,[14] delegacioni kosovar u nis dhe bujtën në shtëpinë e Hasan bej Biçakut në Elbasan, ku pritën t'u bashkoheshin përfaqësuesit e Dibrës si dhe Mehmet pashë Deralla, Ajdin bej Draga me Isa bej Buletinin.[17] Pasi u nisën, Aqif Pasha njofton nga Elbasani me telegram Dervish bej BiçakçiunPeqin se Mid'hat Beu ishte zgjedhur përfaqësues i Elbasanit së bashku me Lef Nosin dhe Shefqet Dainë.[18] U bashkohen shpurës së Ismail QemalitArdenicë rrugës për në Vlorë.[19] Në Kuvendin e Vlorës, Mid'hati nënshkroi vendimin e shpalljes së pavarësisë me siglën Midhat Frashëri.[20] Gjatë punimeve, një telegram nga Përmeti lajmëroi se nëqoftëse Veli bej Këlcyra nuk kishte ende mbërritur në Vlorë, ta zëvendësonin Syrja bej Vlora me Mid'hat beun.[16]

U emërua ministër i Punëve Botore në Qeverinë e Përkohshme,[21] post prej të cilit dha dorëheqjen më 30 mars 1913; pa dhënë arsyet në letrën e dorëheqjes,[22] por arsyet ishin mosndihma ndaj Mbrojtjes së Janinës nga qeveria.[21] Tetorin e 1913, qe ndër 60 firmëtarët e një memorandumi në të cilin i paraqiteshin një radhojë ankesash kreut të qeverisë së Vlorës.[23] Këtë periudhë (1913-14) punoi mësues në Elbasan.[24] Së bashku me Abdyl bej Ypin dhe Gligor Cilkën, u nis dhe priti ardhjen e Princ Vidit më 7 mars 1914 në Durrës.[25] Më 1914 u emërua ministër i Punëve Botore dhe Telegrafës në qeverinë e dytë të Turhan pashë Përmetit.[21]

Pas kryengritjes së Shqipërisë së Mesme, u largua fillimisht në Itali dhe më pas në Zvicër, ku u vendos në Gjenevë. Më pas kaloi në Vjenë, ku qëndroi pak kohë dhe u nis për në Bukuresht e mandej, në Sofje. Pas bashkëpunimeve me koloninë shqiptare në kryeqytetin bullgar, u kthye në Bukuresht. Nga mesi i Luftës së Parë Botërore, autoritetet rumune e internuan në Moldavi. Më 23 mars 1918 arriti të lirohej dhe u vendos prapë në Bukuresht, në dhjetor u emërua delegat pa portofol i qeverisë së dalur nga Kongresi i Durrësit, megjithëse ishte në Lozanë.[26]

Aty ai i drejtohet me një promemorie konferencës në të cilën po përgatitej krijimi i Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene. Në promemorie ai deklaron "Pa zgjidhjen e problemit shqiptar nuk do të ketë as Jugosllavi të re dhe as një zgjidhje përfundimtare të kufinjve në Ballkan". Në vitin 1920 ai u vendos në SHBA, kurse u kthye në Shqipëri në vitin 1922.

janar 1923 filli detyrën e Ministrit Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Athinë. Këtë detyrë e kreu deri në dhjetor 1925. Sipas Mehdi bej Frashërit: “Më 1924–1925 kishte qenë përfaqësues i Shqipërisë në Athinë, i cili interesohej tepër për gjendjen e mjerueshme të shqiptarëve në Çamëri”.[27]

Në vitin 1927, filloi të botojë sërisht në Tiranë, revistën Diturija të cilën e kishte themeluar në Selanik më 1909 dhe më vonë në Bukuresht gjatë qëndrimit atje. Në Tiranë themeloi librarinë "Lumo Skëndo". Ne 4 prill 1929 Mit'hat Frasheri në testamentin e tij thotë:[28]

"Çë kam pasuri të tundshme ose të patundshme, libra, mobilla, karta, plaçka etj. i lë për krijimin' e një "INSTITUT ALBANOLOGJIE" që të jetë një qëndër e studimevet shqipëtare, të mprojë, të shvillojë, të qendrësojë dhe të udhëheqnjë studimetë që përkasin Shqipërinë dhe Shqipëtarëtë."

Në vitin 1939, pas pushtimit të vendit nga Italia fashiste, vendos të rikthehet aktivitetit politik. Pak muaj pas hyrjes së italianëve disa krerë mblidhen për të venduar një qëndresë të mundshme me bekimin e ardhur nëpërmjet Ali Këlcyrës prej stafit të Édouard Daladier. Pak ditë mbas hyrjes së italianëve nisi grupimi, dhe në shtator të 1939 nisi riorganizimi. Merr pjesë në Kongresin e Mukjes në gusht 1943. Kundërshtar i Partisë Komuniste të Shqipërisë, u detyrua në nëntor 1944, të largohet nga Shqipëria dhe të vendoset në Itali.

 
Mit'hat Frashëri me Ali Këlcyrën dhe Thoma Orollogaj në Berat, janar 1944

Mbas përpjekjeve për të krijuar Komitetet Ndërkombëtare, u afrohet autoriteteve amerikane më 1947 për t'u vendosur në krye. Pas 2 vjetëve, më 12 maj 1949 i jepet visa. Por Mit'hati nuk jetoi aq sa për të parë nisjen e Operacionit "Valuable".[29] Gjatë një udhëtimi për në New York ora 9.25 minuta në hotelin Winthrop, SHBA ai vdes si pasojë e një ataku kardiak. Tek trupi i tij kanë bërë roje nderi Shefqet Isaraj, Muho Xhakja, Astrit Sako, Braho Husi, Sulo Male, Hysni Aliko, Hajredin Peshkëpia, Skënder Omari, Iliaz Guri, Luan Dosti.

Gazeta përshkruan se ditën diel u vendos në një sallë të madhe dhe filluan të vijnë kurorat, 25 kurora nga organizata, grupe e personalitete të huaj. Në orën 14 ka filluar ceremonia e varrimit. Imam Vehbi Ismaili i ardhur ngë Detroit ka bërë lutjet, kanë folur: Nuçi Kota në emër të Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, Grigor Tashkovite, ish-senator jugosllav, në emër të International Peasant Union, Dr. Bistrev, ish-deputet bullgar, në emër të Komitetit Kombëtar Bulllgar, zj. Gold Veliko në emër të rinisë shqiptare të lindur në Amerikë, tërë fjalimet e fundit kanë qenë në gjuhën anglisht. Arkivoli ishte i mbuluar me flamurin kombëtar dhe në sallë ishin 200 veta. Kortezhi për në varrezat “Ferncliff”.[30] Kryesinë e Komitetit "Shqipëria e Lirë" mbas vdekjes së Mit'hat Frashërit e mori juristi Hasan Dosti.[29]

Veprimtaria letrare

Redakto

Nisi të merrej me krijimtari letrare që prej vitit 1897 dhe filloi të botonte Kalendarin kombiar, të cilin e botoi pa ndërprerje deri në vitin 1928. Në shkrimet publicistike ai përdori pseudonimet Lumo Skëndo dhe Mali Kokojka, ndërsa në botimet e ndryshme përdori pseudonimin Ismail Malosmani. Më 1901 ka shkruar jetëshkrimin për Naim Frashërin, përmbledhjen “Hi dhe shpuzë”, studimin mbi shqiptarët dhe të ardhmen e tyre të pagëzuar si “Pritmi i Shqipërisë”, ese sociopolitike dhe etnike “Plagët tona” (1924) etj. Mit’hat Frashëri ka botuar edhe disa vepra në frëngjisht: “L’affaire de l’Epire (1915), “La population de l’Epire” (1915), “Les Albanais chez eux et à l’étranger” (1919), “Albanais et Slaves” (1919).

Ka përkthyer në shqip veprat Guillaume TellLamartinit (1898), Bëje të mirën pa hidhe në det e Franc Hofmanit (1900), Robinson Crusoe e Defosë (1909), Shkurtabiq’ i verdhë. Miu i vockël. Sorkadhe e bardhë të Marie Catherine d’Aulnoy (1913, ribot. 1934),[31] dhe Psikologjia e edukatës e Gustave le Bon (1923).[32]

Bibliofili Lumo Skëndo

Redakto

Mbas çlirimit të Shqipërisë, u vendos sekuestro mbi pasurinë e Mid'hat Bey Frashërit. Një nga objektet e sekuestruara ishte edhe biblioteka personale e Mid'hat bej Frashërit. Sot rreth 40,000 vëllime të kësaj biblioteke ruhen (dhe janë pjesë) e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë. Për këtë arsye Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve i Republikës së Shqipërisë dhe Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë vendosën që çmimi për bibliofilinë të emërtohet Bibliofili Lumo Skëndo. Ky çmim do të ndahet çdo vit në Ditën Botërore të Librit, nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë. Për herë të parë ky çmim u dha më 23 prill 2006.

  • Këndimet, 1901
  • Dhetregonjë, 1902
  • Këndimet për shkollat e para.
  • shkurtabiqi i verdhë, (1914)
  • Hi dhe shpuzë, (1915)
  • Letra mbi një udhëtim në Zvicër, (1915)
  • Një re e zezë për Shqipërinë, (1918)
  • Rilindja e Shqipërisë, (1918)
  • Mosmarrëveshjet shqiptaro-serbe, (1921)

Referime

Redakto
  1. ^ a b Frashëri, Neki; Frashëri, Alfred (2014). Frashëri në Historinë e Shqiperisë. Tiranë. fq. 118, 124. ISBN 9789994323449.{{cite book}}: Mirëmbajtja CS1: Mungon shtëpia botuese te vendodhja (lidhja)
  2. ^ a b Butka, Uran (2017). Vepra Frashëri: Vepra të zgjedhura. Vëll. 1. Tiranë: Instituti i Studimeve Historike "Lumo Skëndo". fq. 5nb. ISBN 9789928441423.
  3. ^ Gawrych 2006, p. 165.
  4. ^ a b Skendi 1967, pp. 185–186.
  5. ^ a b c Robert Elsie. "Mid'hat bey Frashëri: The Epirus Question - the Martyrdom of a People" (në anglisht). Arkivuar nga origjinali më 23 korrik 2011. Marrë më 18 qershor 2011.
  6. ^ a b Gawrych 2006, p. 91.
  7. ^ Butka 2017, p. 18.
  8. ^ Butka 2017, p. 21.
  9. ^ Skendi 1967, p. 369.
  10. ^ Vllamasi, Sejfi (2012). Ballafaqime politike në Shqipëri (1897-1942). Tiranë: Vllamasi. fq. 49. ISBN 978-9928-140-54-8.
  11. ^ Butka 2017, p. 24.
  12. ^ Skendi 1967, p. 370–372.
  13. ^ Gawrych 2006, p. 200.
  14. ^ a b Ikonomi, Ilir (2012). Pavarësia: udhëtimi i paharruar i Ismail Qemalit. Tiranë: Uet press. fq. 109. ISBN 9789995639761.
  15. ^ Butka 2017, p. 32.
  16. ^ a b Nosi, Lef (2007). Dokumente historike 1912-1918. Tiranë: ASH, Instituti i Historisë. fq. 177nb. ISBN 978-99956-10-04-3.
  17. ^ Nosi 2007, p. 73.
  18. ^ Nosi 2007, p. 79.
  19. ^ Butka 2017, p. 36.
  20. ^ Nosi 2007, p. 99.
  21. ^ a b c Dervishi, Kastriot (2012). Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet. Tiranë: 55. fq. 125nb. ISBN 9789994356225.
  22. ^ Ikonomi, Ilir (2016). Esat pashë Toptani: njeriu, lufta, pushteti. Tiranë: Uet press. fq. 117nb. ISBN 978-9928-190-91-8.
  23. ^ Ikonomi 2016, pp. 201-202.
  24. ^ Butka 2017, p. 43.
  25. ^ Butka 2017, p. 44.
  26. ^ Butka 2017, pp. 49-58.
  27. ^ Frashëri M. b., Kujtime (vitet 1913-1933), OMSCA-1, 2005
  28. ^ Topollaj, Dorina (7 janar 2007). "Zbulohet testamenti i Mithat Frashërit: dokumenti është shkruar plot 78 vjet më parë. Historia e jetës së Mit'hat Frashërit". Tirana observer: 14–15.
  29. ^ a b Corke, Sarah-Jane (2007). US Covert Operations and Cold War Strategy: Truman, Secret Warfare and the CIA 1945-53 (në anglisht). Routledge. fq. CXXVII. ISBN 9781134104123.
  30. ^ Llojdia G. intervistë Fahri Shaskës, Vlorë, 27 mars 2012, NOA
  31. ^ Gjinaj, Maksim; Elmazi, Myrvete; Mele, Margarita (2010). Bibliografi e librit shqip në fondet e Bibliotekës Kombëtare (PDF). Tiranë: Biblioteka Kombëtare, Sektori i Bibliografisë Kombëtare. fq. 537–8. ISBN 9992773189. Arkivuar nga origjinali (PDF) më 2 shtator 2021. Marrë më 4 shtator 2021.
  32. ^ Salihu S., Mit’hat Frashëri – Një Figurë Poliedrike

Literatura

Redakto