Lazër Shantoja (Shkodër, 7 korrik 1891 - Tiranë, 5 mars 1945) ka qenë prift dioqezan, publicist, përkthyes i Gëtes, Shilerit dhe Leopardit, poet lirik, satirist dhe esperantisti i parë shqiptar.[1] Ka qenë ndër priftërinjtë e parë të arrestuar nga forcat e ndjekjes të regjimit komunist dhe më pas u pushkatua për përfshirjen e tij në propagandën fashiste.[2] Është pranuar nga Kisha Katolike si shenjtor në 2016, pjesë e Martirëve të Shqipërisë.[3]

Lazër Shantoja
Dom
U lind më7 korrik 1891
Shkodër, Vilajeti i Shkodrës, Perandoria Osmane
Vdiq më5 mars 1945
Tiranë, Qeveria Demokratike e Shqipërisë
Emri i letraveAthanas Ziler, Omega, Liljan, D. L Sh, Lz. Sh, D. L. Sh., Po ay, Y, Ipsilon.
Kombësiashqiptar
Gjinitë letrarepublicist, poet, përkthyes

Biografia

Redakto

U lind më 7 korrik 1891 (përmendet edhe 2 shtatori i 1892 si datë lindjeje), nga Kel Shantojës dhe Luçe Blinishti.[4][5] Te dorëshkrimi Shantojana - Histori e familjes Shantoja shkruan se origjinën familja e tij e ka nga Vjerdha e Vjetër, pranë fshatit Rragam të Shkodrës.[6] Studimet fillore dhe ata të mesme i kreu pranë Seminarit Papnor të Etërve Jezuitë në vendlindje nga viti akademik 1902/03, më tej vijoi për teologji në Austri ndërmjet vjeshtës të 1912 dhe verës të 1914. Eprorët e tij në seminarin e Insbrukut i shkruajtën në çertifikatë se ishte seminarist "shumë i talentuar".[7]

Më 1914 vizitoi Vjenën për herë të parë, ndërsa vitin pasardhës u shugurua meshtar me 29 maj. Nisi të shkruante krijimet e para poetike në shqip, italisht, gjermanisht e esperanto, dhe filloi të përkthente. Më 1917 nisi shërbimin si famullitar në Pulaj, Beltojë, Velipojë, Rrjoll dhe Sheldî,[4] ku madje hapi edhe shkollën e parë shqipe në atë vend.[5] Më 1922 nisi punë si sekretar i Arqipeshkvit të Shkodrës, Imzot Lazër Mjedjës. Më 17 prill 1923 takoi në Vjenë, Kancelarin e Austrisë, Joseph Seipel.

Kur P. Anton Harapi nis punimin e botimin për të përkohshmen Ora e Maleve, Shantoja qe ndër bashkëpunëtorët e tij të parë së bashku me Luigj Gurakuqin. P. Antoni më vonë shkroi: «Kur kam nxjerrë gazetën s’kam pasë kênd me më ndihmue posë Dom Lazrit»; në maj të 1924 dha dorëheqjen nga redaksia e së përkohshmes.[4] Përkrahu shoqërinë "Bashkimi" dhe me rastin e varrimit të Avni Rustemit, qe ndër fjalimmbajtësit. Për arsye se ishte ndër mbështetësit, frymëzuesit dhe organizatorët e Lëvizjes e qershorit, me t'u kthyer në pushtet Ahmet Zogu me Triumfin e Legalitetit në dhjetor të 1924, u arrestua janarin e 1925.[4] Mbas disa muajve burg u fal nga qeveria e Ahmet Zogut dhe u largua për në Jugosllavi. Me 2 tetor 1925 prej Beogradit, kujton me një artikull prekës te ”Liria Kombëtare“ vrasjen e Gurakuqit. Më 1 shtator 1926Cetinjë mori pjesë e mban ligjëratën në varrimin e Kapiten Mark Rakës, vdekur në rrethana misterioze në një aksident rrugor.

Më 1928 kaloi nga Jugosllavia në Vjenë, Austri. Këtu filloi të botojë gazetën “Ora e Shqipnisë”, financuar nga Hasan Prishtina. Nga ndërrimi i shpejtë i gjendjes politike në Shqipëri, Shantoja doli prej atdheut dhe vajti në Zvicër si famullitar i fshatit Bienne, më tej në La Motte te kantonit Vaud nga 1932, ku qëndroi për pesëmbëdhjetë vjet dhe përsosi frëngjishten.

Pas pushtimit të Shqipërisë7 prill 1939, u kthye në gusht në Shqipëri. Pas pritjeve që iu bë mërgimtarit shumëvjeçar, mbajti meshë në kishën katedrale. Më 28 shtator 1939 mbajti fjalimin me rastin e dorëzimit të Flamurit të Ri.[4][8] Në fjalimin e tij do të theksonte që: «sodit e mbrapa Shqipnija do të bahet e do të mbetet për jetë Shqipni romake, Shqipni fashiste».[8] Po në atë vit u vendos bashkë me të ëmën në Tiranë. Në 12 mars 1940, Shantoja vizitoi Egjiptin,[4] i dërguar nga pushtuesi italian me misionin për të neutralizuar ndikimin e Legatës shqiptare e cila përkundër përpjekjeve të pushtuesit për ta mbyllur siç kishte bërë me legatat tjera, vazhdonte veprimtarinë e saj normalisht duke sfiduar Italinë.[9] Shantoja u takua me mërgatën shqiptare në Egjipt, mbajti fjalime të shumta dhe ndikoi që në Kairo dhe Aleksandri të themelonte fashin e parë fashist shqiptar.[10] Më 18 maj u caktua nga autoritetet italiane që të mbante një dëgjesë publike në Bashkinë e Durrësit për të dhënë prova se Anglia ishte një vend i neveritshëm si për italianët ashtu edhe për shqiptarët.[11] Më 8 nëntor 1940 gazeta "Tomorri" botoi artikullin për një miting të bërë në Shkodër ku Shantoja mbajti një fjalim të zjarrtë.[10]

Më 1941 me Koliqin, Mustafa Krujën, P. Valentinin, Gurakuqin, Kortshën etj., qe një nga themeluesit në Tiranë të Institutit të Studimeve Shqiptare. Mbështeti pambarimisht qeverinë Kruja, tek i cili shihte vazhdimin e mendimit politik të Gurakuqit. Në maj të 1943 merr pjesë në varrimin e Ndok Gjeloshit në Tiranë. Me kapitullimin e Italisë në shtator 1943 u tërhoq prej skenës politike.[4]

Arrestimi, torturat dhe pushkatimi

Redakto

I fshehur ndër malet e Sheldisë, u zbulua nga forcat e ndjekjes dhe u arrestua gjysmën e dytë të dhjetorit të 1944.[2] Akt-akuzën ia përpiloi prokurori Jonuz Mersini më 28/29 janar, mbas prokurorit Shantoja u shpreh se kërkonte pafajsinë. Më 31 janar u dha vendimi i e arrestuan nga Gjykata Ushtarake e Qarkut, me kryetar Esat Ndreun, antarë: Mustafa Iljazi e partizani Hysni Lame, prokuror Vaskë Koleci, sekretar Shaban Kuçi: "I pandehuri Dom Lazër Shantoja me vdekje, me pushkatim." Gjatë paraburgimit në tortura e sipër ia thyen të katërta gjymtyrët.

Me datën 2 shkurt 1945, aprovohet nga Gjykata e Lartë Usht. Tiranë. Me datën 9 shkurt 1945, në mbledhjen komisioni për zbulimin e kriminelëve të Luftës për Tiranën Jusuf Alibali, deklaron si mbas akt-akuzës: Deklaruesi (Jusuf Alibali) d.v. Komisioni hetimor: J. Alibali d.v. "Vendimi u ekzekutue në Tiranë, me datën 5 mars 1945."[12]

U pushkatua së bashku me Sulçe beg Bushatin në rrethinat e Tiranës, pas ekzekutimit u thirr P. Viktor Volaj për t'i kryer shartet e vdekjes, duke qenë kështu edhe njeriu i fundit që pa kufomën e martirit.[4]

 
Përmbledhja publicistikës së Shantojes

Vepra e Shantojës shtrihet më së shumti në lëmin publicistik, ku botoi artikuj studimor, kulturor e ironik, fejtona, poezi të vetat apo të përkthyera. Vepra e tij e shpërndarë ndër të përkohshmet e shumta u mblodh dhe botua nën përkujdesjen e Arben Markut më 2005.[7][13]

Koliqi e cilësonte prozator të hollë që për nga stili dhe eleganca i krahasueshëm me Faik Konicën.[14]

Publicistikë

Redakto

Më 1914 botoi në gjuhën esperanto artikullin "La albana lingue" në revistën Esperanto nr. 2. Ishte esperantisti i parë shqiptar, cilësuar nga Cuk Simoni, përkthyesi i Pinokut dhe esperantist po ashtu. Botoi përmbledhjen popullore "Për natë kazanash" (1919), studimin "Grueja" (1922), monologu "Peshku në det e tava në zjarm (1927), interpretuar nga shoqëria artistike "Bogdani".

Bashkëpunoi me revistat e kohës, si: Lajmtari i zemrës s'Jezu Krishtit, Kalendari i Veprës Pijore; më pas bëhet ndër bashkëpunëtorët më aktiv, një nga firmat kryesore dhe redaktor i fletores Ora e Maleve. Në mërgimin pas dështimit të Lëvizjes së qershorit bashkëpunon me Liria kombëtare që botohej në Gjenevë dhe më 1928 me ndihmën e Hasan Prishtinës botoi të përkohshmen e tij Ora e Shqypnìs si vazhdim i opozitares Ora e Maleve. Më tej me të përkohshmen Illyria, Cirka, LEKA, Kumbona e së diellës, Shkëndija.

Më 22 dhjetor 1915 botoi tingëllimin "Çinarët" dhe më tej "Prifti i malsisë", "Kanga e Paqes, "Hasan Riza Pasha". Më 1927 poemthin dramatik "Kuvendi i dëshmorve", më 1934 në mërgim shkruan dhe boton ciklin e tingëllimeve "Për një puthje të vetme".

Përkthime

Redakto

Që kur ishte xhakua përktheu më 1915 Hajnen ("Shtegtimi n'Kevlar", poezi), pasi u shugurua vijoi me Jankowski-n ("I burgosuni dhe flutura"), Wilde ("Vigani egoist"), Schiller ("Kânga e kumbonës"), Jørgensen ("Fija prej së naltit", parabolë/alegori), Leidh ("Kishëza në mal"), De Musset ("T'biin n'mênd"), Friedrich Wilhelm Weber ("Kaq shpejt dimen!", "Kumonët e mrames"), Immermann ("I harruem"). Më 1942 i rikthehet Fontanelli ("Vargje për nji vashë të vdekur" nga libri Pensar di lei), Leopardi ("Silvjes", "Të pambaruemit", "Qetija mbas duhís", "Trumsaku vetmitar", "Mêndimi zotnues", "E shtundja e katundit", "Jeta vetmitare", "Aspasia", "Përkujtimet", "Vetvetes"), D'Annunzio ("Shiu në halishtë"), Goethe ("Hermandi dhe Dorothea" botuar te LEKA më 1938, "Fausti" Pjesa I, botuar te Shkëndija, 1940 dhe Hylli i Dritës, 1944).[15]

Referime

Redakto
  1. ^ Simoni, Ipeshkëv Zef (2006). Letërsia shqipe e pame ndryshe. Shkodër: Botime Françeskane. fq. 89–90. ISBN 9994386336.
  2. ^ a b Qazimi, Azem (2012). Procesi i asgjësimit të fesë në komunizëm. Tiranë: Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. fq. 79. ISBN 9789928168030.
  3. ^ Flocchini, Emilia. "Beati Martiri Albanesi (Vincenzo Prennushi e 37 compagni)" (në italisht). Santiebeati. Marrë më 6 tetor 2017.{{cite news}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  4. ^ a b c d e f g h Marku, Arben (2005). Bio-bibliografi [Lazër Shantoja, Vepra]. Shkodër: Botime Françeskane. fq. 18–19. ISBN 9994369644.
  5. ^ a b Çefa, Kolec (2013). Grupi "Ora e Maleve" dhe publicistika e tij. Tiranë: Gjergj Fishta. fq. 186, 189. ISBN 9789928161215.
  6. ^ Shantoja, Lazër (2005). Marku, Arben (red.). Vepra. Shkodër: Botime Françeskane. fq. 276–328. ISBN 9994369644.
  7. ^ a b Peters, Markus W. E. (2016). Shtëpia botuese më e vjetër e Shqipërisë dhe kontributi i saj për Lëvizjen Kombëtare, arsimimin dhe kulturën. Tiranë: Qendra Botuese Shoqata e Jezuitëve. fq. 505–511. ISBN 9789928433312.
  8. ^ a b Milo, Paskal (2014). Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore. Tiranë: Toena. fq. 69. ISBN 9928424527.
  9. ^ Milo 2014, pp. 60-61.
  10. ^ a b Juka, Gëzim H. (2018). Shkodranët e 7 prillit dhe të 29 nëntorit. Tiranë: Reklama. fq. 49. ISBN 9789928440358.
  11. ^ Gurakuqi, Romeo (2018). Shqipëria dhe tokat e lirueme (1939-1946). Durrës: Jozef. fq. 185–186. ISBN 9928-241-84-8.
  12. ^ Radovani, Fritz (2004). Një monument nën dhé. Melbourne: Misioni Katolik Shqiptar në Kroaci. ISBN 9789539917430.
  13. ^ "Lazër Shantoja në Enciklopedinë Treccani". treccani.it (në italisht).{{cite web}}: Mirëmbajtja CS1: Gjendja e adresës (lidhja)
  14. ^ Ndreca, Ardian (3 shtator 2017). "Lazër Shantoja: fati i trishtë i poetit" (PDF). Gazeta Shqiptare. Suplementi "Milosao": 13–15.
  15. ^ Çefa 2013, pp. 186, 197-199.