Islami

fe abrahamike e themeluar nga Muhamedi
(Përcjellë nga Islamit)
This is the stable version, checked on 28 qershor 2024. 3 pending changes await review.

Islami (arab. الإسلام al-ʾIslām, në shqip edhe si Myslimanllëku ose Myslimanizmi) është një fe monoteiste abrahamike. Është e bazuar në besimin në një Zot ( Allahu), në zgjedhjen e Muhamedit për profetin e fundit, paracaktimin e fatit të njerëzve, shpërblimin për vepra të mira dhe dënimin për vepra të këqija, ditën e gjykimit dhe ringjalljen e të vdekurve. Kurani është shkrimi i shenjtë i Islamit dhe kështu burimi parësor i tij, i shkruar në gjuhën arabe dhe përmban 114 kapituj (sure). Burimi i dytë i Islamit janë fjalët dhe veprimet (synneti) e profetit Muhamed.

Qabeja, në Mekë, rajoni i Hexhazit, sot Arabia Saudite, është qendra e Islamit. Myslimanë nga e gjithë bota mblidhen këtu për tu falur në unitet.

Ndjekësit e Islamit quhen myslimanë, që sot janë rreth 1,62 miliardë ose 23% e njerëzve,[1][2] duke e bërë kështu Islamin fenë e dytë më të madhe për nga numri i ndjekësve, dhe sipas disa burimeve feja me rritjen më të shpejtë në botë.[3][4][5]

Lindja e fesë islame

Redakto

Shih artikullin kryesor Muhameti

Muhamedi (a.s) (arabisht: محمد = i lartë-lëvduari, i shumë-lëvduari) ka lindur rreth vitit 570 pas Krishtit si biri i një tregtari nga fisi i kuraish-ëveMekkë, në Arabinë Saudite të sotme. Sipas trashëgimisë islame, atij iu shfaq në moshën rreth 40 vjeçare për herë të parë kryengjëlli Xhibril, i cili i diktoi në vazhdim të jetës së tij për vite me rradhë vargjet e zbulesës hyjnore, Kuranin. Zbulesat e Muhametit u mblodhën dhe u kontrolluan vazhdimisht që gjatë kohës kur jetonte ai dhe së fundi, nën sundimin e Uthman ibn Affan-it, i të tretit të të ashtuquajturve kalifëve legjitimë, u mblodhën e u kanonizuan. Shpallja e mesazhit të një monoteizmi pa kompromise gjeti vetëm pak simpatizantë në Mekkën politeiste të asaj kohe, kështu që komuniteti i ri mysliman e pa veten të detyruar nën presionin e kundërshtarëve të braktisë Mekkën dhe të mërgojë në veri, në Jethrib (sot Medinë). Kjo ngjarje hyri në histori si hixhra (ose hixhreti) dhe u caktua me vendim të kalifit të dytë Umer ibn el-Hatabit-it si viti i parë i erës islame.[6]

Në Jethrib filloi në këtë kohë karriera ushtarake dhe politike e profetit. Menjëherë pas mbërritjes në këtë oazë, Muhameti lidhi një kontratë aleance me banorët e atjeshëm, të ashtuquajturën "marrëveshjen e Medinës".[7] Më pas vijuan përballje ushtarake me kuraish-ët paganë: sulmimet e organizuara nga profeti mbi karvanët çuan në betejën e Badr-it, e cila u pasua nga ajo e Uhud-it. Si sulmi i madh i fundit nga ana e kuraish-ëve mbi Medinën ishte e aushtuquajtura beteja e llogoreve.

Ndërkohë pati konflikte me tre fiset çifute më me rëndësi në Jethrib: benu kajnuka-t dhe benu nadir-ët u përzunë nga ky oaz, ndërsa meshkujt e banu kuraiza-ve u ekzekutuan, pasuria e tyre u nda mes myslimanëve ndërsa gratë dhe fëmijët u shitën si skllevër.

Lufta e Muhametit dhe trupave të tij kundra kuraish-ëve dhe aleatëve të tyre çoi më 628 pas Kr. në një marrëveshje paqeje. Pas shkeljes së kësaj marëveshjeje nga ana e mekkanasve pasoi pushtimi i Mekkës më 630 pas Kr.[8] Kur më 632 pas Kr. profeti vdiq, territori i zotërimit islam shtrihej mbi të gjithë gadishullin arabik.[9]

Shih edhe: Historia e fesë islame

Bazat e fesë islame

Redakto
 
šahada (shehadeti) si shkrim kaligrafik
 
Esh’hedu en la ilahe il-lall-llah ve esh’hedu enne Muhammeden abduhu ve resuluhu
 
Një shkrim tjetër kaligrafik i šahada-s (shehadetit)
 
Myslimanë gjatë ṣalāt-it (namazit)
 
Myslimane gjatë ṣalāt-it (namazit)
 
„Falje në Kajro“ nga Jean-Léon Gérôme, 1865
 
Sjellja shtatë herë rreth Kaaba-s (Qabesë) është pjesa më e rëndësishme e haxh-it, e pelegrinazhit të myslimanëve për në Mekkë

Pesë shtyllat

Redakto

Pesë „shtyllat“ (arabisht: اركان arkān) e fesë islame janë detyra themelore që ka për detyrë t'i përmbushë çdo mysliman:[10]

  1. Shahada (shpallja e besimit islam)
  2. Salat-i (ose namazi, të falurit pesë herë në ditë)
  3. Zeqat-i (taksa e lëmoshës)
  4. Zaum-i (agjërimi) gjatë ramazanit)
  5. Haxh-i (pelegrinazhi për në Mekkë)

Shpallja e besimit

Redakto

E para e këtyre detyrave është shpallja e besimit islam, ose shehadeti (shahada) (arabisht: الشهادة šahada), që thuhet si vijon:

أشهد أن لا إله إلا الله وأشهد أنّ محمدا رسول الله = ashhadu an lā ilāha illā 'llāh va-ashhadu anna Muhammadan rasūlullāh ašhadu an lā ilāha illā 'llāh, va-ašhadu anna muḥammadan rasūlu 'llāh ("Dëshmoj, se s'ka Zot tjetër që meriton të adhurohet me të drejtë përveç ALLAHUT dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguari i ALLAHUT.").

Me këtë shprehje të përbërë nga dy pjesë, myslimanët deklarojnë njohjen e këtij monoteizmi strikt, dërgimin profetik të Muhamedit dhe zbulesën e tij Kuranin dhe kështu vetë fenë islame.[11] Kush e thotë shpalljen e besimit me vetëdije të plotë përpara dy dëshmitarëve vlen si mysliman.

Këtë shprehje thërret myezini (arabisht: مؤذّن mu'adhdhin) gjithashtu pesë herë në ditë gjatë ezanit (arabisht: أذان adhān) nga minareja (arabisht: مناره manara), për t'i thërritur myslimanët që të kryejnë namazin, faljen rituale të detyrueshme (arabisht: صلاة ṣalāt), ku kjo shprehje gjithashtu përsëritet.[12]

Shiitët shtojnë zakonisht edhe këtë fjali:[13]

arabisht: أللهُمَّ صَلِّ عَلى مُحَمَّدٍ وَآلِ مُحَمَّد allāhumma salli alā muhammadin va-āli muhammad, allāhumma ṣalli ʿalā muḥammadin va-āli muḥammad. ("O zot, bekoje Muhametin dhe familjen e tij".)

sufizëm pjesa e parë e shahada-s interpretohet me: „dëshmoj se nuk ka asgjë përveç zotit“ ose „Nuk ka asgjë. Ka vetëm njërin (unikun, tauhīd-in).“

Të falurit

Redakto

Të falurit, (salavati, (arabisht: صلاة salāt), ose namazi) kryhet në kohë të caktuara të ditës, për të cilat bën thirrje muezini: gjatë gdhimit, në mesditë, pasdite, gjatë muzgut dhe pas ngrysjes.[14]

Më parë bëhet larja rituale me ujë të pastër, abdesi (arabisht: vudu; persisht: âbdast). Për rastet kur ky nuk është në dispozicion në sasi të mjaftueshme ose nevojitet për pirje përdoret në mënyrë simbolike rërë ose dheu (tejemuni). shkurtimi, bashkimi, kryerja më përpara ose shlyerja më vonë e të të falurit lejohet në kushte të caktuara, psh. gjatë udhëtimit ose në rast sëmundjeje. Të premten bëhet falja e mesditës (Të falurit e të xhumase) në bashkësi, kryesisht në xhaminë qëndrore të qytetit ose lagjes. Kjo shoqërohet nga predikimi (hutbe), i cili bazohet mbi kuranin dhe thëniet e profetit dhe ku trajtohen shpesh edhe çështje aktuale të ditës.

Taksa e lëmoshës

Redakto

Taksa e lëmoshës (arabisht: زكاة zakāt) (zeqati)[15] është taksa e detyrueshme për t'u paguar nga çdo mysliman i shëndoshë psiqikisht, i lirë, i rritur dhe financiarisht në gjendje[16] për të ndihmuar financiarisht të varvërit, skllevërit, debitorët dhe udhëtarët si edhe për përpjekjen ose luftën në rrugën e zotit[17][18] Niveli i saj lëviz sipas formës së të ardhurave (tregëti, blegtori, bujqësi) ndërmjet 2,5 dhe 10 përqind ashtu si edhe baza e taksimit (të ardhurat ose pasuria e përgjithëshme).[19]

Zekati është një vepër e përshpirtshme dhe detyrim fetar për myslimanët duke u ardhur në këtë mënyrë në shërbim vetëm myslimanëve.

Agjërimi

Redakto

Agjërimi (zaum-i) mbahet çdo vit në muajin islamik të Ramazanit. Kalendari hixhri shtyhet çdo vit në krahasim me kalendarin gregorian 10 ditë. Agjërimi mbahet duke nisur nga kur fillon të zbardhë dita (kur arrin të „dallohet një fije e bardhë nga një fije e zezë“, sure 2, vargu 187), deri në perëndimin e plotë të diellit. Nuk hahet, nuk pihet, nuk pihet duhan, nuk bëhen marrëdhënie bashkëshortërore dhe ushtrohet të përmbajturit në sjellje.

Myslimanët preferojnë ta prishin agjërimin me një hurmë arabie dhe një gotë qumësht siç mendohet ta ketë bërë edhe profeti (a.s). Muaji agjërues i ramazanit përfundohet me festën e prishjes së agjërimit, bajramin (arabisht: عيد الفطرĪd al-fitr; turqisht bayram).

Pelegrinazhi

Redakto

Udhëtimin i pelegrinazhit për në Mekkë, (haxh-i arabisht: حج), i cili organizohet në muajin e fundit hënor dhu l-hixha e ka për detyrë ta kryej çdo mysliman mundësisht të paktën një herë gjatë jetës për t'iu sjellë ndër të tjera shtatë herë përqark kaaba-s (qabesë). Kriteret më me rëndësi që e bëjnë atë të detyrueshëm janë ndër të tjera gjendja financiare dhe shëndetësore e tij. Kufizimet e detyrimit të pelegrinazhit sipas të të drejtës rituale bazohen në suren 3, vargu 97:

„… Ndërsa njerëzit janë të detyruar ndaj zotit të bëjnë pelegrinazhin për tek shtëpia (qabeja), përderisa të gjejnë mundësinë për këtë …“

Parimet e besimit

Redakto

Feja islame ka gjashtë nene besimi fetar. Besimi tek:

  • Besimin në Allahun.
  • Besimin në Engjëjt e tij.
  • Besimi në Librat (librat e shenjtë: torah-ës, ungjilli; veçse sipas kuranit dhe hadith-it shkrimet e hebrenjve dhe të të krishterëve janë të falsifikuara dhe të ndryshuara). (→ Tahrif-i)
  • Besimi në të Dërguarit e tij, Profetët e Zotit: ndër të tjerë Adami (Ademi), Abrahami (Ibrahimi) Moisiu (Musai), Jezusi (Isai) dhe së fundi Muhamedi sal-lAllahu alejhi we selem(Paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të.)
  • Besimi në Ditën e Fundit(kijametin), njeriu do të japë llogari një ditë për veprat e tij dhe ose do të dënohet me ferrin (xhehenem), ose do të shpërblehet me parajsën (xhenet).
  • Besimi në Paracaktimin hyjnor se çdo gjë e mirë apo e keqe vie nga Allahu.

Këto nene besimi përmenden ndër të tjera në Kuran (psh. sure 4, vargu 136):

O besimtarë! Besoni tek zoti e tek i dërguari i tij dhe tek shkrimi i shenjtë që ai ia ka çuar të dërguarit të tij, dhe tek shkrimi që e ka çuar (që) më parë! Kush nuk beson tek zoti, tek engjëjt e tij, tek shkrimet e tij, tek i dërguari i tij dhe tek dita e fundit, ka dalë nga rruga (e drejtë).

Feja islame është një fe e theksuar monoteiste. Përfytyrimi kristian i trinisë (triadhës) hidhet poshtë kategorikisht. Gjithashtu edhe çdo personifikim ose sidomos paraqitje figurale e zotit. Zoti përshkruhet me anë të „99 emrave më të bukur“ (al-asmāʾu ʾl-ḥusnā), të cilët i përkasin vetëm atij. Njerëzit mund të dinë vetëm çka zoti u ka zbuluar atyre vetë me hirësinë e tij. Përkufizimi i atributeve të zotit me anë të shpjegimit të kuranit ka shkaktuar në islamin sunnit konflikte të ashpra gjatë kohës së abbasidëve, veçanërisht në teorinë e mu'tazila-s dhe kundërshtarëve të saj.

Përbri përgjegjësisë individuale është edhe përgjegjësia për të tjerët: çdo mysliman ka për detyrë të „urdhërojë çka është e drejtë“ dhe të „ndalojë çka është e papranueshme“: Al-amr bi'l ma'ruf va n-nahy 'an al-munkar (arabisht: الأمر بالمعروف والنهي عن المنكر) (shumë herë në kuran, psh. në sure 7, vargu 157).

Sheriati (sharia)

Redakto

shih artikullin kryesor: Sheriati

Sheriati (arabisht: الشريعة = šariʿa) (ose sharia) është e drejta islame, e cila përfshin të gjitha fushat e jetës duke i rregulluar ato sipas rregullave hyjnore të pandryshueshme. Këto rregulla janë fiksuar me shkrim sidomos në kohën e herëshme të abbasidëve dhe përbëjnë deri më sot bazën e të drejtës islame. Zbatimi konkret i saj bëhet me anë të fetva-ve, ekspertizave ligjore ose vendimeve doktrinale që jepen nga teologët juristë (myftitë) duke u bazuar në interpretimin e kuranit dhe të sunna-s sipas rregullash tradicionale (usul al-fikh).

Fetva ka nga të gjitha sferat e jetës, ligjet martesore, tregtare, të kontratave dhe ato penale ashtu si edhe rregullimi i marrëdhënieve me botën jo-myslimane. Por sharia nuk duhet kuptuar si e drejtë e kodifikuar megjithëse ka pasur edhe përpjekje për kodifikim. Gjithmonë kur flitet për „futjen e sharias“ si sistem ligjor, bëhet fjalë vetëm për pjesë të sharias. (shih më poshtë)

Jurisprudenca klasike islame ka parashikuar si qëllim të xhihadi-t hegjemoninë e fesë islame dhe kështu bashkë me të hyrjen në fuqi të sharia-s në mbarë botën. Rregulla të caktuara në lidhje me praktikimin e fesë, si falja apo pelegrinazhi, kanë qenë të vlefshme vetëm për myslimanë, ndërsa për të drejtën martesore dhe civile janë parashikuar përjashtime. Prandaj edhe jurisprudenca islame ka zhvilluar një të drejtë të veçantë për të huajt dhe pakicat, si psh. sistemin e miletit osman (shih: Dhimmi).

Sharia klasike ndahet në një shkollë juridike shiite dhe katër sunnite. E përbashkët për to është se kanë lindur në ambjente shoqërish me shumicë myslimane. Kushtet e myslimanëve në diasporë mungojnë në shkollat juridike klasike dhe sot sa vjen e merren më tepër parasysh me anë të fetva-ve të reja. Meqënëse mes teologëve islamikë nuk ka konsens të përgjithshëm, nuk mund të bëhet fjalë për „sharian“, pasi sharia unike (e njësuar) nuk ekziston.

sufizëm (mistikën islame), sharia ka vlerën e bazës për rrugën në kërkim të zotit. Stacione të tjera janë: tarika („rruga mistike“), hakika („e vërteta“) dhe ma'rifa („njohja, të kuptuarit“).

Feja islame karakterizohet nga pritje (shpresa) të theksuara eskatologjike. Sidomos spikasin ato të hershmet të shpallura nga Muhameti mbi ardhjen e „orës“ (sā'ah), e „ditës së ringjalljes“ (yaumu’l-qiyā-mah) dhe e „ditës së llogarisë“ (yaumu’l-faṣl). Këtyre përfytyrimeve, të cilat njihen që nga eskatologjitë hebreike ose kristiane, Muhameti u ka dhënë një rëndësi të veçantë. Sidomos në islamin shiit, por edhe në atë sunnit, këto pritje kanë të bëjnë me shfaqjen e figurës mesianike të mahdi-ut (al-mahdī), në islamin shiit të quajtur edhe kaim (al-kā’im). Ky thuhet se do ta ketë prejardhjen nga fisi i Muhametit, dmth. do të jetë një sajjid. Në shumë hadith-e përshkruhen shenja të shumëllojshme për shfaqjen e tij. Ky person thuhet se do të krijojë përsëri fenë islame, do të përhapë atë në të gjithë botën dhe do ta mbushë këtë me drejtësi. Sidomos në shekullin e 19-të lindën nga brenda islamit lëvizje të ndryshme eskatologjike.[20]

Historia fesë islame

Redakto

shih Historia e fesë islame, Ekspansioni islam, Epoka e lulëzimit islam.

Rrymat e ndryshme

Redakto

Synnitët

Redakto

Feja islame është e ndarë në disa rryma. Synnitët përbëjnë me rreth 85 përqind grupimin më të madh në numër.[21] Këta ndahen gjithashtu në drejtimet juridiko-fetare sunnite të hanefive, malikive, hanbelive dhe shaffive. Rryma e quajtur e vahhabitëve nuk është drejtim juridiko-fetar por ajo përdor atë të hanbalitëve.

Këto drejtime janë shpesh të shtrira gjeografikisht; kështu jetojnë psh. hanafitët në Turqi, malikitët në Afrikën veriore.

Dallimet mes tyre dhe rrymës së dytë për nga madhësia, ndjekësit e të cilës quhen shiitë, qëndrojnë në bindjen, në bazën e të cilës mbështetet pushteti i krerëve më të lartë (i kalifit tek sunnitët, i imamit tek shiitët). Për sunnitët kalifi është kreu që zgjidhet nga ndjekësit e tij për aftësitë e tij laike, administrative. Kurse për shiitët imami mund të jetë vetëm një trashëgimtar legjitim i Muhametit dhe njëkohësisht edhe trashëgimtar i Aliut (i dhëndrit të Muhametit). Ndërsa kalifi pra është vetëm një mbrojtës laik i komunitetit fetar, paraqet imami për shiitët një prijës të pagabueshëm, të përkryer fetar, të pajisur me pushtet hyjnor. Atij i atribuohet (i njihet) edhe pamëkatësia. Nga këto fakte del se brenda grupimeve shiite kreu fetar i komunitetit ka një autoritet shumëfish më të lartë.

Shiitët

Redakto

Shiitët janë rryma e dytë e madhe. Rryma kryesore e tyre janë imamitët ose shia dymbëdhjetëshe, të cilët janë të përhapur shumë sidomos në Iran, Irak, Azerbaixhan, Bahrain dhe në Liban. Mandej janë ndjekësit e shias shtatëshe (ismailitët), që jetojnë kryesisht në subkontinentin indian (Mumbai, Karaçi dhe Pakistanin verior) si dhe në Afganistan dhe Taxhikistan. Zaiditët ose shia pesëshe gjenden sot vetëm në Jemen.

Harixhitët

Redakto

Harixhitët, të ashtuquajturit „të shpërngulurit“, të cilët kanë braktisur partinë e kalifit të katërt Ali ibn Abi Talib, qenë ndjekësit e sektit më të vjetër fetar në islamin e shekullit të 7-të. Ata hidhnin poshtë si legjitimacionin e Aliut si kalif ashtu edhe të Uthman ibn Affan-it. Levizja e tyre është shuar që nën kalifët e parë abbasidë. Dega e tyre kryesore është rryma më e vogël e islamit, ibaditët. Ata jetojnë sidomos në Oman, në Saharanë algjeriane (Mzab) dhe në ishullin tunizian Xherba.

Sufizmi

Redakto

Ashtu si gati të gjithë fetë ose rrymat fetare edhe feja islame ka një aspekt të brendshëm (ezoterik) dhe një të jashtëm (ekzoterik). Dimensioni mistik i brendshëm i fesë islame është sufizmi (arabisht: تصوف = tazavuf). Aspekti i brendshëm quhet edhe tarika, i jashtmi shari'a. Sipas kuptimit të sufive, këto dy aspekte janë të lidhur në mënyrë të pandashme me njëri-tjetrin. Si shembull përdoret simboli i një llampe vajguri: flaka e llampës simbolizon tarikën, pra esencën e fesë, e cila pa mbrojtjen e qelqit do të shuhej që me flladin e parë. Qelqi, dmth. mbështjellja, simbolizon shari’an, por që e cila pa flakë, (vetëm llampa), nuk do të kishte kuptim.

Nga grupet puritane, si të vahhabitëve, sufit cilësohen shpesh si heretikë dhe prandaj hidhen poshtë ose madje përndiqen. Ndër të tjera kritikohen praktika fetare si dhikr-i, e cila shoqërohet shpesh me muzikë dhe lëvizje të trupit (që nuk duhen parë si vallëzim); dëshira e sufive, për të provuar që në botën e këtejme një lidhje me zotin dhe fakti që për të përshkuar rrugën sufiste, duhet patjetër një mësues spiritual real: një sheik ose vali, në Afrikën perëmdimore të quajtur edhe marabout. Këta udhërrëfyes fetarë hidhen poshtë nga ana e teologëve islamikë ortodoksë pasi në fenë islame nuk mund dhe nuk lejohet të ketë një ndërmjetës mes njeriut dhe zotit. Sufit vetë veç nuk e shikojnë sheikun si ndërmjetës por si dikë që i njeh vështirësitë e rrugës për tek zoti dhe që mund t'u japë të tjerëve dijenitë e tij.

Grupime të tjera

Redakto

Nga islami sunnit kanë dalë :

Nga islami shiit:

Aktualiteti sot

Redakto
 
Dy gra në xhaminë e Selangorit në Shah Alam, Malezi

Sot feja islame është e përhapur në shumë vende të lindjes së afërme, Afrikës veriore, Azisë qëndore dhe juglindore. Zona kryesore e përhapjes është brezi i thatë, i cili shtrihet nga Saharaja në perëndim, nëpër Lindjen e afërme dhe Kaukazin, deri në Azinë qëndrore në lindje. Vendi mysliman me popullsinë më të madhe në numër është Indonezia. Vende në Europë me karakter mysliman janë Bosnja dhe Hercegovina, Turqia, Shqipëria dhe Kosova. Shumë vende të tjera kanë pakica myslimane.

Konferenca islame

Redakto

Vendet islamike janë të organizuara në Organizatën e bashkëpunimit Islam (OIC), ku bëjnë pjesë edhe disa shtete me pakica më të mëdha myslimane.

Praktikimi i sharias

Redakto

shih artikullin kryesor: Sharia

Sipas Deklaratës së Kairos për të drejtat e njeriut në islam të vitit 1990, sharia duhet bërë përsëri baza e legjislativës në të gjithë vendet islame. Zbatimi në praktikë veç është shumë i ndryshëm. Në Tunizi zbatimi kufizohet vetëm në të drejtën civile ndërsa në Arabinë Saudite dhe Sudan ajo është plotësisht në fuqi. Sharia parimisht nuk njeh barazinë mes myslimanëve dhe jo-myslimanëve si dhe mes burrit dhe gruas.

Arabinë Saudite, në Sudan, në Iran, Somali dhe në pjesë të Pakistanit (rajone fisesh nën admistratën qendrore federale), sharia vlen pothuaj pa kufizim. Në Egjipt, Jordani, Indonezi, Marok dhe shumë vende të tjera sharia praktikohet pjesërisht, psh. ndalimi i martesës së një myslimaneje me një jo-mysliman ose lejimi i poliginisë sipas rregullave islame. Megjithatë në shumë shtete realiteti social në pjesë të shoqërisë është i tillë që sharia vazhdon të zotërojë në shumicën e fushave të jetës. Kështu psh. ekziston poliginia (që nuk njihet nga ana zyrtare) në zonat fshatare të Turqisë duke u amnistuar (toleruar) vazhdimisht. Në disa vende ekzistojnë përkrah vendimeve gjyqësore për myslimanë që bazohen tek sharia edhe vendime gjyqësore shekullare (jofetare) për jo-myslimanë (psh. në Nigeri).

Në disa vende islame (psh. në Arabinë Saudite, Sudan, Iran, Nigeri) gjejnë zbatim ndëshkime veçanërisht drakoniane (shumë të rrepta), si psh. prerja publike e gjymtyrëve (gjymtimi) ose vrasja publike me gurë, psh. për vjedhje ose shkelje kurore. Këto metoda tejet të dyshimta kritikohen me forcë në mënyrë ndërkombëtare. Edhe përbrenda komunitetit islam shprehet kritikë ndaj tyre, megjithatë jo sepse këto ndëshkime bien në shkelje me të drejtat e njeriut por sepse gjatë dënimeve të të akuzuarve kushtet mbrojtëse të përcaktuara nga sharia më së shumëti nuk merren parasysh. Në këtë kontekst duhet vënë re se ushtrimi i sotëm islam i drejtësisë në disa vende u ofron të akuzuarve vetëm një mbrojtje shumë të pakët: shpesh ndodh që të akuzuarit janë analfabetë dhe zakonisht nuk kanë asistencë avokatore. Gjykatësit janë vetë shpesh me kualifikim të dobët dhe vendimet merren jo rrallë në mënyrë arbitrare.

Një sferë e sharias që vazhdon të ekzistojë ende në Sudan dhe në Mauritani është skllavëria (shih Feja islame dhe skllavëria).

„St. Petersburg Declaration“

Redakto

Si fillimi i një „epoke të re të iluminizmit për fenë islame“ e konsideroi veten më 4 dhe 5 mars 2007 në Saint Petersburg (Florida, SHBA) një konferencë myslimanësh shekullarë nga vende të ndryshme islame dhe perëndimore, e cila u morr me interpretimin shekullar të fesë islame, me domosdoshmërinë e një kritike të brendshme të kuranit, me gjendjen aktuale të lirisë së mendimit në shoqëritë myslimane dhe me çështje të edukimit. Iniciatorë ishin ndër të tjerë myslimanë disidentë si Ayaan Hirsi Ali, Irshad Manji dhe Ibn Warraq. Në përfundim u nënshkrua e ashtuquajtura „St. Petersburg Declaration“ (Deklarata e Saint Petersburg-ut), ku ndër të tjera kërkohet ndarja e shtetit nga feja, respektimi i të drejtave universale të njeriut, abrogimi (heqja) e sharias dhe e gjithë ndëshkimeve me vrasje dhe praktikave gjymtuese si edhe barazia e plotë e të drejtave të gruas në fenë islame dhe në vendet islame.[22]

Vendet e shenjta të fesë islame

Redakto

Në fenë islame vlejnë vende të shumta si të shenjta por treve prej tyre u jepet rëndësi e veçantë: qyteti Mekka vlen si vendi më i shenjtë për myslimanët. Ai është vendi i lindjes së Muhamedit, me kaaba-n (qabenë) si shenjtëroren (faltoren) qendrore të fesë islame, e cila jep drejtimin gjatë të falurit (kibla).

Pas saj vjen Medina, në veri të Mekkës, vendi ku feja islame shpalosi së pari ndikimin e saj politik.

Vendi i tretë i shenjtë për myslimanët është Jerusalemi që sipas traditës myslimane ka dhënë drejtimin e parë të kibla-s dhe është vendi të cilin myslimanët e kanë caktuar si pozicionin gjeografik të xhamisë el-Aksa që përmendet në kuran (sure 17: „i ngjitjes në qiell të profetit Muhamet“).

Mandej ekzistojnë një numër i madh vendesh pelegrinazhi me rëndësi të ndryshme. Këto janë kryesisht varre, psh. të shoqëruesve të Muhametit, të imamëve shiitë ose të shenjtorëve sufi. Kryesues në numrin e vendeve të shenjta janë sufizmi pakistanez dhe islami popullor afrikanoverior (shih: Feja islame në Afrikë) me vende adhurimi varresh. Me përjashtim të tre vendeve të para të shenjta, statusi i vendeve „të shenjta“ (si edhe adhurimi i shenjtorëve vetë) në fenë islame është një temë tejet kontroverse.

Për shiitët dhe alevitët paraqesin gjithashtu edhe qytetet Qerbela dhe Kufa vende të shenjta, ku çdo vit bëhen pelegrinazhe.

Jerusalemi paraqet në listën e vendeve të shenjta një rast të veçantë pasi pretendimi i nxjerrë nga kurani nuk bazohet në prova historike. Megjithatë ai është për myslimanët në mënyrë të njëzëshme një e vërtetë besimi duke e vendosur atë në praktikë në të njëjtën shkallë me „të vërtetën historike“.

Kritika ndaj fesë islame

Redakto

Shih artikullin kryesor Kritika ndaj fesë islame

Kritikë ndaj fesë islame mbi baza politike, etike, filozofike, shkencore ose teologjike ka pasur që prej kohës së lindjes së saj. Kritikë bëhet si ndaj bazave themelore të të fesë islame ashtu edhe ndaj traditave kulturore dhe normave shoqërore të saj.

Marrëdhëniet me fetë e tjera

Redakto

Politeizmi

Redakto

Dëshmimi i tauhīd-it (të qënit një të zotit) dhe hedhja poshtë e kultit të idhujve që rrjedh nga kjo, është parimi më me rëndësi i besimit të fesë islame. Politeizmi (shumëperëndi) është krejtësisht në kundërshtim me doktrinën rreptësisht monoteiste të fesë islame sipas të cilës ekziston vetëm një zot dhe se politeizmi paraqet mëkatin më të madh.[23] Sipas zbulimit kuranik është adhurimi i perëndive të tjera krahas zotit i vetmi mëkat që nuk mund të falet në asnjë mënyrë.

„Zoti nuk të fal kur i vë atij përbri (perëndi të tjera). Çka është poshtë kësaj (dmth. mëkatet më pak të rënda) ai ia fal kujt të dojë. Dhe kush (të vetmit) zot i vendos (perëndi të tjera) përbri, ka humbur (rrugën e drejtë)“. 4:116. Shih edhe 4:48 si edhe 31:13.

Kurani kritikon në shumë vende të tjera në mënyrë vehemente adhurimin e qenieve të tjera në vend të zotit.[24] Në botën e përtejme, sipas besimit islam, idhujtarët (politeistët), do të dënohen me hyrjen në ferr (xhehenem), (xhahannam).

Fetë abrahamite

Redakto

Gadishulli arabik, me anë të fesë islame, duke braktisur kultin e gurit të deriatëhershëm në Mekkë, iu bashkua formave të besimit judaik (hebre) dhe kristian. Në lidhje me prejardhjen e saj feja islame i referohet Abrahamit, bën pjesë pra bashkë me judaizmin dhe kristianizmin tek fetë abrahamite. Të tre këto janë fe monoteiste. Meqenëse ato bazohen tek zbulesat e profetëve (Moisi, Jezu Krisht dhe Muhamet), janë fe zbulesash, dhe sepse këto zbulesa janë fiksuar me shkrim, janë edhe fe librash.[25]

Referimi i përbashkët tek Abrahami është theksuar prej Muhametit në fillim të profetisë së tij. Gjatë jetës së mëvonëshme, për shkak të përvojës së tij në praktikë me komunitetet fetare çifute dhe kristiane, profeti e ndryshoi qëndrimin e tij ndaj tyre. Qëndrimi i ndryshuar i Muhametit kundrejt besimtarëve të feve të shkrimeve është trajtuar disa herë nga islamologjia.[26] Fillimisht ai priste prej besimtarëve të feve të shkrimeve që ata të njohin profetinë e tij dhe të konvertojnë (ndërrojnë fenë) në fenë e tij; kur kjo nuk ndodhi, qëndrimi i Muhametit kundrejt besimtarëve të feve të librave filloi të ndryshonte gjithnjë e më tepër në anën negative. Ky ndryshim pikëpamjeje ka lënë gjurmët edhe në kuran, ku në fillim virtytet e tyre fetare dhe morale shiheshin me respekt të madh dhe prej Muhametit kërkohej që me ta të mbaheshin marrëdhënie të mira. Pas prerjes së marrëdhënieve me komunitetet e këtyre feve u theksua ndaj tyre akuza e hipokrisizë dhe refuzimi i tyre për të pranuar islamin si fe; për këtë arsye ata nuk duheshin parë si aleatë por duheshin luftuar.[27] Sipas Muhametit, judaizmi dhe kristianizmi ishin zhvillime të mëtejshme të gabuara të fesë së vjetër së përbashkët.[28]

Ndërsa feja islame ka të përbashkët me judaizmin dhe kristianizmin besimin tek një zot i vetëm si dhe të referuarit tek Abrahami dhe shumë profetë të tjerë biblikë, ajo ndryshon në thelb nga kristianizmi në refuzimin e saj strikt të doktrinës së trinisë (sure 112) dhe të përfytyrimit kristian të mëkatit të trashëguar (mëkati fillestar) kurse nga judaizmi në njohjen e Jezusit si profet, nga fetë abrahamite në përgjithësi në njohjen e Muhametit si të dërguar të zotit dhe „vulën e profetëve“ (profetit të fundit) si dhe të doktrinës së kuranit si fjalë e zotit e sjellë tek njerëzit.

Interaksioni historiko-politik me komunitetet e tjera fetare

Redakto

E drejta ndërkombëtare klassike islame e hartuar në shekujt që pasuan pas vdekjes së themeluesit të fesë, bënte dallim në trajtimin e heterodoksëve (besimitarëve të feve të tjera) ndërmjet besimtarëve të feve të shkrimeve (monoteistëve) dhe besimtarëve të feve politeiste, të cilët de iure duheshin luftuar deri në pranimin e fesë islame. Të parët kishin një status të veçantë nën komunitetin islam si dhimmi (të mbrojtur). Ky status kishte si kusht pagimin e një takse të veçantë, xhizja-n; për këtë u garantohej atyre në të kundërt mbrojtja e jetës dhe e pronës si dhe leja për të praktikuar fenë e tyre (me kufizime të caktuara)[29] lirisht.[30] Kjo marrëveshje vlente fillimisht vetëm për çifutët dhe të krishterët por u zgjerua ndaj të gjithë thjesht jo-myslimanëve kur pushtuesit myslimanë hasën në komunitete besimesh të tjera, si psh. hindut.[31] Heterodoksët (besimtarët e feve të tjera) në zonat jo-islame, në të ashtuquajturën shtëpinë e luftës (dar al-harb), u lejohej të qëndronin përkohësisht musta'minzonat islame (dar al-islam). Si banorë të dar al-harb-it ata vlenin përndryshe si armiq (harbi) që pas pushtimit të vendeve të tyre gjatë ekspansionit islam, në fillim u duhej bërë thirrje të konvertonin (ndërronin fenë) në fenë islame. Në rast refuzimi u duhej bërë oferta e statusit të dhimmi-t (me kushtin që t'i përkisnin më parë një feje libri) dhe në rast refuzimi të kësaj oferte duheshin luftuar.[32]

Situata aktuale e bahai-tëve

Redakto

shih artikullin kryesor Bahai-tët

Feja relativisht e re e bahai-tëve i plotëson në fakt kushtet e një feje libri (monoteizëm abrahamit, profet, zbulesë e fiksuar me shkrim) – njeh madje pretendimin zbulesor të Muhametit dhe respekton kuranin por nuk pranohet si fe ahl al-kitab (fe libri) në botën islame. Doktrina e bahai-tëve, e cila përshkrimet eskatologjike të kuranit nuk i lidh me marrjen fund materialisht të botës por me zbulesat pas-islame të bab-it dhe baha’u’llah-ut, cilësohet nga shumë teologë myslimanë si apostazi (ردة ridda) (braktisje ose ndërrim feje). Përveç akuzash të tjera, fetva-t sunnite e cilësojnë fenë bahaite si lëvizje e të pafeve (kuffār-ëve) të krijuar nga jo-myslimanë për të shthurur fenë islame.[33]

Veçanërisht shumë ndiqen ata në Iranin shiit. Krye-ajatollah-u Naser Makarem Shirazi i ka stigmatizuar (damkosur) bahai-tët si „të pafe luftarakë“ (kofare harbi) që lejohet të vriten. Deputeti i parlamentit iranian Mehdi Kuchaksadeh është i mendimit se bahai-tët „duken në fakt si njerëz por nuk janë njerëz“.[34] Përkatësisht përndiqen bahaitët në Iran. Gjithashtu edhe në perëndim shiitët përpiqen t'i margjinalizojnë (përjashtojnë) bahai-tët.[35]

Nga ana tjetër ekziston një rrjet ndërkombëtar mysliman që angazhohet për të drejtat e bahaitëve.[36]

Shih edhe

Redakto
Redakto

Referime

Redakto
  1. ^ "Executive Summary". The Future of the Global Muslim Population. Pew Research Center. Marrë më 22 dhjetor 2011. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  2. ^ "Table: Muslim Population by Country | Pew Research Center's Religion & Public Life Project". Features.pewforum.org. 2011-01-27. Marrë më 2014-07-23. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  3. ^ PBS - Islam: Empire of Faith - Faith - Islam Today.
  4. ^ Lippman, Thomas W. (2008-04-07). "No God But God". U.S. News & World Report. Marrë më 2013-09-24. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  5. ^ Burke, Daniel (4 prill 2015). "The world's fastest-growing religion is ..." CNN. Marrë më 18 prill 2015. {{cite news}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  6. ^ Albrecht Noth: Früher Islam (Islami i hershëm). Në: Ulrich Haarmann (botues): Geschichte der arabischen Welt (Historia e botës arabe). C.H. Beck, 1991. f. 11
  7. ^ Për një përmbledhje të shkurtër të marrëveshjes së Medinës shih W. Montgomery Watt: Islamic Political Thought (Mendimi politik islamik). Edinburgh University Press, 1980. f. 4-6
  8. ^ The Encyclopaedia of Islam. New Edition. Brill, Leiden. Vol. 6, f. 147 ("Makka") : "A breach of the terms of this treaty by Meccan allies led to a great Muslim expedition against Mecca with some 10,000 men. The town was surrendered almost without a blow, and all the Meccans, except a handful who were guilty of specific offences against Muhammad or some Muslim, were assured their lives and property would be safe if they behaved honourably." (Shkelja e kushteve të kësaj marrëveshjeje nga ana e aleatëve mekkanas, çoi në një ekspeditë me rreth dhjetëmijë vetë kundra Mekkës. Qyteti u dorëzua gati pa asnjë përpjekje dhe të gjithë mekkanasve, me përjashtim të një grusht prej tyre që ishin fajtorë për shkelje ndaj Muhametit si dhe ndonjë myslimani, iu premtua se do t'u sigurohej jeta dhe prona, në qoftë se do të silleshin hijshëm.)
  9. ^ Për një përmbledhje shih: W. Montgomery Watt: Muhammad at Medina (Muhameti në Medinë). Oxford University Press, 1962. f. 78-151; Elias Shoufani: Al-Ridda and the Muslim Conquest of Arabia (Al-Ridda dhe pushtimi mysliman i Arabisë). University of Toronto Press, 1973. f. 10-48
  10. ^ (Halm, Heinz, Der Islam. Geschichte und Gegenwart (Feja islame. Historia dhe e sotmja). C.H. Beck, München 2008, f. 60, ISBN 978-3-406-56285-3)
  11. ^ (Halm, Heinz, Der Islam. Geschichte und Gegenwart (Islami. Historia dhe e sotmja). C.H. Beck, München 2008, f. 60, ISBN 978-3-406-56285-3)
  12. ^ (Schaefer, Udo, Glaubenswelt Islam. Eine Einführung (Bota e besimit islam. Hyrje). Hildesheim, Zürich, New Nork 2002, f. 69, ISBN 3-487-10159-9
  13. ^ Islamisches Zentrum Hamburg. Das rituelle Gebet im Islam. (Falja rituale në fenë islame)". f. 2. Online=http://www.izhamburg.com/pagefiles/gebet.pdf[lidhje e vdekur]
  14. ^ shih The Encyclopaedia of Islam. New Edition. Brill, Leiden. Vol. 8, f. 925
  15. ^ Mohammed und die Frühzeit, islamisches Recht, religiöses Leben (Muhameti dhe koha e herëshme, e drejta islamike, jeta fetare) në: Der Islam (Die Religionen der Menschheit, Bd. 25) (Feja islame (Fetë e njerëzimit, Vol. 25)), William Montgomery Watt, Alford T. Welch, 1980, ISBN 3-17-005428-7, f. 137, 303; Schaefer, Udo: Glaubenswelt Islam. Eine Einführung (Bota e besimit islam), Botimi i dytë . Georg Olms, Hildesheim, Zürich, New Nork, 2002, f. 70, ISBN 3-487-10159-9
  16. ^ Thomas Patrick Hughes: A Dictionary of Islam. Asian Educational Services, 1996. f. 699
  17. ^ Thomas Patrick Hughes: A Dictionary of Islam. Asian Educational Services, 1996. f. 700
  18. ^ Zekati paraqet një nga tre format e taksave të detyrueshme sipas së drejtës klasike islamike. Dy taksa të tjera që duheshin paguar nga jo-myslimanët nën sundimin islamik janë taksa e tokës haraçi (ose haraxhi) dhe taksa për frymë xhizje, e bazuar në suren 9, vargu 29.
  19. ^ Marwa El-Daly: Philanthropie für soziale Gerechtigkeit in muslimischen Gesellschaften - Der Fall Ägypten (Filantropi për drejtësi sociale në shoqëritë myslimane. Rasti i Egjiptit). Në: Peter Heine, Aslam Syed (botues): Muslimische Philanthropie und Bürgerschaftliches Engagement (Filantropia myslimane dhe angazhimi civil). Maecenata Verlag, 2005. f. 128 f.
  20. ^ (Udo Schafer, Glaubenswelt Islam. Eine Einführung (Bota e besimit islam. Hyrje). Religionswissenschaftliche Texte und Studien. Vol. 7. Botimi 2., Georg Olms Verlag. Hildesheim, Zürich, New York, 2002. f. 71-75. ISBN=3-487-10159-9. http://books.google.de/books?id=87u1tFGYtZYC&printsec=frontcover&dq=Glaubenswelt+isla0m)
  21. ^ (http://www.oxfordislamicstudies.com/article/opr/t125/e2280?_hi=2&_pos=2%7Ctitel=Sunni Islam|zugriff=2010-03-21. John L. Esposito, Oxford Islamic Studies Online)
  22. ^ "shih: St. Petersburg Declaration". Arkivuar nga origjinali më 2 qershor 2008. Marrë më 17 gusht 2010. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  23. ^ The Encyclopaedia of Islam. New Edition. Brill, Leiden. Vol. 9, f. 484, s.v. "Shirk"
  24. ^ Shih: Ignaz Goldziher: Muhammedanische Studien (Studime Muhametane). Georg Olms Verlag, 2004. Vol. 2, f. 287; dhe aty, vargjet e përmendura të kuranit, ndër të tjera 16:20-22
  25. ^ Meqenëse kurani është fiksuar në formë libri vetëm pas vdekjes së Muhametit, feja islame në kohën e Muhametit nuk konsiderohej si fe libri.
  26. ^ shih psh.: W. Montgomery Watt: Muhammad at Medina (Muhameti në Medinë). Oxford University Press, 1962. f. 192 ff.; Rudi Paret: Toleranz und Intoleranz im Islam (Toleranca dhe intoleranca në fenë islame). Në: Saeculum 21 (1970). f. 349- ; Albrecht Noth: Früher Islam (Feja islame e herëshme). Në: Ulrich Haarmann (botues): Geschichte der arabischen Welt (Historia e botës arabe). C.H.Beck, 1991. f. 41 ff.
  27. ^ shih The Encyclopaedia of Islam. New Edition. Brill, Leiden. Vol. 1, f. 264. "Ahl al-Kitab" si dhe vargjet e kuranit të përmendura aty, ndër të tjera sure 29, vargjet 45-47 si shembull për qëndrimin e Muhametit fillimisht dhe sure 4, vargu 153 si dhe sure 9, vargu 29 për pikëpamjet e tij të mëvonëshme
  28. ^ Tilman Nagel: Der Koran (Kurani). C.H.Beck, 2002. f. 142. Një shembull i qartë është teoria kristiane e trinisë së zotit, në të cilën feja islame sheh një devijim nga besimi tek një zot i vetëm.
  29. ^ Francis E. Peters: Islam, a Guide for Jews and Christians. Princeton University Press, 2003. f. 195
  30. ^ Albrecht Noth: Der Dschihad: sich mühen für Gott (Xhihad-i: të munduarit për zotin). Në: Gernot Rotter (botues): Die Welten des Islam: neunundzwanzig Vorschläge, das Unvertraute zu verstehen (Botët e islamit: njëzetenëntë propozime për të kuptuar të panjohurën). Fischer Taschenbuch Verlag, 1993. f. 30
  31. ^ Robert Hoyland (botues): Muslims and Others in Early Islamic Society. Ashgate, 2004. f. xiv
  32. ^ A. J. Wensinck und J. H. Kramers (botues): Handwörterbuch des Islam (Manuali i fesë islame). Brill, 1941. f. 112, "Djihād"
  33. ^ "Refuting the Kaffir Bahai Movement (Fatwa)". Arkivuar nga origjinali më 20 shkurt 2009. Marrë më 18 qershor 2010. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)
  34. ^ Welt Online Debatte, Wahied Wahdat-Hagh: Iran. Besorgniserregendes Urteil Arkivuar 19 janar 2008 tek Wayback Machine 18 janar 2008
  35. ^ Spiegel Online, Alexander Schwabe: Hamburger Schiiten grenzen Bahai aus (shiitët në Hamburg margjinalizojnë bahaitët) 18 maj 2007
  36. ^ "The Muslim Network for Baha'i Rights". Arkivuar nga origjinali më 12 qershor 2010. Marrë më 18 qershor 2010. {{cite web}}: Mungon ose është bosh parametri |language= (Ndihmë!)